part01
part02
kryesore historiku aktivitete gazeta botime tetjera

59

“AI APO AJO”

(Tregim i jetuar)
Ne ora 19.30 trageti i linjës se Durrësit mori drejtimin drejte portit te Ancones, ne Itali. Si zakonisht, zura vend ne te ashtuquajturat poltrone, ku nuk kishte me shume se tridhjete pasagjer, burra, gra e fëmije, nga vise te ndryshme te Shqipërisë.
Mbasi kisha zane vend, për te kaluar njëzet orët e udhëtimit, ne mes te udhëtareve filluan bisedat e zakonshme te prezantimit me njeri tjetrin, ku secili tregonte diçka nga jeta e tij, si ne Shqipëri ashtu edhe ne Itali. Por ka edhe debate, ku rrahën mendime nga me te ndryshmet, e kështu udhëtimi behet edhe me pak i mërzitshëm.
Gjate udhëtimit me ra ne sy, një grua rreth te pesëdhjetave, qe dallonte nga gratë e tjera, qe ishin aty. Ajo kishte një trup te bukur, ku te binte ne sy veshja e saj, me pantallona bluxhins, te cilat i rrinin te përputhura pas trupit te saj elegant, dhe një bluze, po bluxhinsi, ku dallohej, një këmishe e bardhe si dëbora, me një jake te mbështetur përsipër bluzës, duke e bere edhe me shume elegante e tërheqëse. Sytë i kishte boje qielli, qe i tërhiqnin vëmendjen çdo kujt, qe e shikonte. Flokët rrase për krye te verdha, si ari te përziera, me thinjat e bardha, te moshës, te cilat i mbante te mbledhura nga prapa me një kapëse, ku pjesa e tjetër e flokëve i binte mbi shpine si valët e detit. Me sa mora vesh e quanin Teuta. Fliste pak por kishte dëshirë te dëgjonte, bisedat e te tjerëve dhe qeshte me ëmbëlsi, kur vinte biseda, për te qeshe. Mbasi kaloj mesi i natës, bisedat u rralluan dhe te gjithë, një nga një filluam te bënim nga një sy gjumë.
Te nesërmen pasi kisha ngrëne mëngjesin, u ngjita sipër dhe dola mbi kuvertën e tragetit, për te soditur panoramën e detit dhe për te pire cigaren e mëngjesit. Sapo ndeza cigaren, pashe Teutën, qe ishte mbështetur ne parmakun e kuvertës dhe po sodiste detin, qe atë mëngjes ishte shume i qete. Frynte një fllad i lehte mëngjesi, qe te ledhatonte trupin, kurse dielli sapo kishte dale ne horizont. Mbas pak ajo u drejtua për nga dera, për tu ulur poshtë. Ne ketë moment ajo me pa mua, qe po pija cigare dhe u ndal menjëherë, duke me përshëndetur me një buzëqeshje te ëmbël, te njëjtën gjë bëra edhe unë, pasi pak a shumë ishim njohur mbrëmë me njeri tjetrin.
- Zonja Teuta, ju pashe te mbështetur, ne parmakët e kuvertës dhe mu duket, sikur po soditeshit detin, ne ketë mëngjes, kaq te bukur dhe kishit ra ne mendime ?!.  I thashë për te hapur bisedën me te.
- Jo….jo, njërës nuk i keni ra ne te, kurse tjetrës po. Sa për mëngjesin e detit, as qe me ka ra ndërmend. E sa për mendimet…. Vërtetë isha duke menduar.
- Desha te beja një pyetje…?, nëse me lejoni…. E nëse nuk ju vjen keq ? I thashë.
- Absolutisht, nuk me vjen keq. Urdhëro e fol, - mu përgjigj ajo.
- Mos jeni shkodrane ? Se nga e folura ashtu me dukeni. Apo…. Mos jam gabim?
Ajo lëvizi kokën sa djathtas e majtas dhe mu përgjigj:
- Jam pak shkodrane, por ma shume jam lezhjane. Nënën e kam pasur nga Shkodra, kurse babën nga Lezha, duke me treguar se kush ishin dajat e saj.
- Ashtu ?! Unë nuk i njoh, por zërin jua kam dëgjuar dhe e dije se janë njerëz te respektuar ne qytetin e Shkodres.
- Ç’është e drejta, ne Shkodër shkoj shume rralle, me gjithë dëshirën e madhe, qe kam. Shkodra me pëlqen shume, gjithashtu edhe shkodranet, me pëlqejnë, sepse kane gjera te veçanta nga qytetaret e qyteteve te tjera te Shqipërisë, por…… kështu e ka jeta.
Ne këto momente ajo nxori paketën e cigareve, dhe me gishtat e saj tepër elegante me ofroj një cigare nga te sajat dhe e ndezëm. Pashe se kishte dëshire, qe ta vazhdonte bisedën me mua, por edhe unë e kisha atë dëshirë. Gjate bisedës i tregova se kush isha dhe ku shkoja, ne mënyre qe te njihesha me te sa me shume. Mendja me thoshte se ajo kishte diçka te fshehte ne jetën e saj. Ketë e shikoja nga mënyra sesi rrinte, nga heshtja, serioziteti e shume gjera te tjera, qe pashe tek ajo, gjate kësaj kohe shume te shkurtër, qe po rrija me te. Te gjitha këto me bënin qe te dyshoja, se ajo kishte vuajtur shume, ne jete e saj.
- Kam vuajtur shume ne jetën time, prandaj ju dukem, si te thuash … pak enigmatike, ketë gjë e mendojnë edhe te tjerët, për mua, duke ma prere fillin e mendimeve te mija.
- E ... po, te gjithë kemi vuajtur, dikush me shume e dikush me pak, sepse e tille ka qene jeta ne atë kohe, i thashë për te përforcuar mendimin e saj.
- Ka vuajtje e vuajtje, disa edhe harrohen e disa nuk harrohen derisa je gjalle, sepse mendimet e këtyre vuajtjeve, te ndjekin hap mbas hapi, çdo dite dhe nuk te hiqen nga mendja asnjëherë, duke ta bere jetën skëterrë. Dhe atëherë kur ti mendon se ke gjetur pak qetësi, ne jetën tende.
Te them te drejtën nuk e prisja ketë reagim te sajin dhe për një moment heshta. Ajo e kuptoj heshtjen time dhe buzëqeshi çiltër e me tha:
- Zotëri! Pak a shume ju kam kuptuar se diçka, me shume doni te dini për mua, pasi nga mënyra e te ndenjurit ne traget, ju kam lanë përshtypjen e një te vuajturës ne jete, një gjë qe është shume e vërtetë, sepse nuk jeni ju i pari, qe ju kam rene ne sy, por unë gjithë jetën kam heshtur dhe brengen e kam mbajtur brenda vetes, sepse e dija, qe askujt nuk i intereson, brenga e ime. Por me qe jeni Shkodran dhe kemi disa ore te mira, për te mbërritur ne Portin e Ancones, qe edhe ju  te zbaviteni pak, (ma tha me te qeshur) po ju tregoj atë qe unë kam kaluar ne jetën time dhe qe është hera e pare qe po rrëfehem sepse me gjetet ne një moment, qe kam nevoje te domosdoshme qe te shpërthej.
Me kënaqësi, do t’u dëgjoja, por me pare, te ndezim edhe nga një cigare prej meje dhe te ulemi, diku ndenjur, sepse kështu u lodhem ne këmbe. Gjetëm një vende dhe u ulem. Ndezëm nga një cigare dhe ajo pasi e thithi mire, duke e nxjerr tymin, filloj te me tregonte historinë e jetës se saj.

***
- Nga njëherë, bukuria te vret dhe te bën te vuash tere jetën, e një fat te tille kam pasur edhe unë. Isha shume e bukur kur mora maturën. Isha shume kokëlarte, për bukurinë qe kisha, te tjerët i shikoja me mospërfillje. Fillova te bëhesha këmbëngulëse, për ato qe doja te arrija, sepse isha shume kapriçioze dhe doja me çdo kusht te arrija atë qe unë doja. Gjithashtu isha shume e shkathet, si atlete dhe luaja vazhdimisht volejboll e basketboll. Ndaj djemve isha shume indiferente, tallesha me ta, ose siç thoni ju shkodranet, i çoja deri tek çesmja dhe ujë nuk ju jepja për me pi. Sigurisht qe sot këto me duken marrëzi, por ishte mosha e ime e re, qe me bënte te veproja kështu. Ne ketë kohe, mu vërsulen shume djem, se kush te fejohej me pare me mua, por refuzimet e mija ishin te prera dhe kështu, te gjithë mbeteshin me gishte ne goje, se ne ato momente se kisha vu ujin ne zjarr, për tu fejuar. Por erdhi një dite, qe gjithçka u përmbys tek unë, dhe kjo përmbysje erdhi aq shpejt, sa qe unë kurrë nuk e mendoja dhe as se prisja, se do te me ndodhte një gjë e tille.
Ne Lezhe, kisha një shoqe shume te ngushte, qe ne bankat e shkollës, te cilën e quanin Shpresa. Ajo me donte shume, po ashtu edhe unë atë e doja. Çdo gjë ja tregonim njëra tjetrës dhe asgjë nuk i mbanim te fshehur, gjithmonë ishim bashke e te pa ndara, sa njerëzit qe nuk na njihnin, kujtonin se ishim motra. Pikërisht kjo shoqe bëni, qe te ndryshoj  rrjedha e jetës time dhe ja se si.
- Ishte korriku i vitit 19..,   bashke me Shpresën shkojmë ne Plazhin e Shëngjinit, për te bere plazh. Mbasi u lame dolëm ne rëre për te marre rrezet e diellit te asaj vere te ngrohet. Njerëzit kalonin pranë nesh dhe na shikonin me kureshtje e sidomos djemtë e rinj, sepse ishim dy femra te bukura, te vetme dhe pa shoqërues. Pa pritur, para këmbeve tona  ndalet një djalë i ri i cili sa pa Shpresën, u ndal për tu përshëndetur me te. Shpresa menjëherë u ngrit ne këmbe, për ta përshëndetur edhe ajo. Instinktivisht u ngrita edhe unë. Ne ketë kohe Shpresa i thotë djalit:
- Kjo është Teuta, shoqja ime e ngushte. Pastaj u kthye nga unë dhe me tha:
- Ky asht Besniku, shoku i vëllait tim, Gencit dhe qe te dy janë oficere ne një repart ushtarak ne Durrës.
- I dhamë dorën njeri tjetrit, ne shenje respekti, por kur unë i dhashë dorën, ai ma shtrëngoj aq fort sa mu dridh i tere trupi. … Jam duke ju treguar, te gjitha ato emocione ashtu siç me kane ndodhur me te vërtetë, sepse ne ketë momente, jeta ime mori një rrjedhe krejt tjetër.
Pas një pauze te shkurtër, Shpresa u drejtua edhe njëherë nga unë, duke me sqaruar se Besa, e kishte fjalën për Besnikun, ishte me origjine nga Vlora, dhe se ishte oficer artilerie, ne një repart ne qytetin e Durrësit, ku edhe jetonte. Ato bisedonin lirshëm me njeri tjetrin dhe ai ne afrimitet na tregoj, se kishte ardhur ne Plazhin e Shëngjinit, për pesëmbëdhjetëditëshin e pushimeve. Unë rrija e heshtur dhe i dëgjoja, me vëmendje bisedat e tyre, ata duke biseduar, kurse unë po e shikoja, qe nga koka deri tek këmbët, sepse ne ishim shume pranë njeri tjetrit. I veshur vetëm me mbathje plazhi, me dha rastin qe ta shikoja tek ai një trup te lidhur e te bukur shume, me një fytyre simpatike dhe te qeshur, me flokët e zeze si te korbit, me pak onde, gjithashtu edhe me sy e vetullat te zeza, pak ezmer ne fytyre dhe me dhembet e bardhe si dëbora dhe te drejte. Me një fjale, pa ekzagjerim, ishte një djalë shume i këndshëm dhe për mua, për here te pare ne jetën time, me la përshtypjet me te mira. Ne atë momente, fillova te ndjenja diçka, qe se kisha ndjere asnjëherë ne jetën time. Besa nuk ndeji shume me ne, dhe kur desh te shkonte, ne punën e tij, me dha përsëri dorën dhe me tha plot dashamirësi:
- Ishte kënaqësi për mua qe u njohëm.
- Gjithashtu edhe për mua, ja ktheva edhe unë me shume vështirësi.
Ai u përshëndet edhe me Shpresën, duke u larguar me vrap. Unë nuk e di se perse isha gjithë emocione. Nuk e kuptoja sesi me beri aq përshtypje te menjëhershme ky djalë, as edhe sot, nuk e kuptoj, sepse deri ne atë moment, shokët e tij, as qe i përfillja ndopak, nga natyra qe kisha ne marrëdhëniet qe kisha me djemtë, por me atë ndodhi diçka krejt ndryshe. Shpresa me pa ne sy dhe si pa te keq, me tha:
- Është djalë i jashtëzakonshëm. Ajo vajze qe do ta marre, ketë djalë, ka lindur me këmishe, siç i thonë fjalës, është njeri i përkryer ne te gjitha pikëpamjet, i sinqerte, i ndershëm, me kulture e me shume cilësi te tjera te mira, qe ka njeriu.
Unë heshta dhe nuk e ndjeva veten mire pas këtyre fjalëve, qe me tha ajo. Mu duk se fillova te ndjeje diçka, për atë djalë, qe ne takimin e pare. Nga qe isha e turbulluar, dhe pa e kontrolluar veten, se çfarë po flisja, i thashë:
- Sa ëmbël qe fliste! Sikur i dilte mjaltë nga goja! Ajo sa me dëgjoi se fola kështu, ja shkrepi gazit me te madhe.
- Çfarë ke qe qeshe kështu  ? - i thashë disi e nervozuar.
- Si te mos qesh …, se nxjerr njeriu mjaltë nga goja, kur flet, prej teje sot e dëgjova, përherë te pare, ne jetën time.
Nuk folëm ma për ketë problem, sepse edhe unë u gjeta ngushte, për ato fjale qe fola dhe kur shkova ne shtëpi e rashe për te fjetur, por vone me zuri gjumi, sepse Besa, nuk me hiqej nga mendja, megjithëse unë doja ta hiqja mendjen nga ai. Për një moment mu duk se kisha ra ne dashuri me shikim dhe takim te pare. Te nesërmen ne mbrëmje me vjen Shpresa ne shtëpi dhe me thotë, se kishte shkuar ne Shëngjin dhe ishte takuar me Besnikun, dhe pothuaj se e gjithë biseda e tyre ishte sjellur rreth meje.
- Pothuajse  te gjithë bisedën e kemi bere rreth teje, ishte shume i interesuar te dinte sa me shume për ju. I tregova çdo gjë për ty, se kush je, njerëzit qe ke ne familje, shkollën qe ke kryer dhe sidomos u përqendrova me shume tek natyra qe ju keni. E pashe se me dëgjonte me vëmendje dhe shpesh, me bënte pyetje, te cilave ju përgjigja me sinqeritet.
Pas këtyre fjalëve, qe me tha, me vështroj me vërejtje për te kuptuar çfarë efekti kishin bere tek unë, fjalët qe me tha. Nga ana e ime ndjeva kënaqësi, qe ai kishte përshtypje te mira për mua dhe ketë Shpresa e kuptoj menjëherë dhe u gëzua pa mase. Shpresa  pa e zgjatur me tepër, me rikujtoj se ai na kishte ftuar, qe te shkonim te nesërmen ne plazhe dhe te rrinim te tre sëbashku, tere ditën. Dhe ashtu u bë. Te nesërmen ishim te tre sëbashku, ne dete, shëtitëm sëbashku dhe ne fund para se te niseshim, për ne Lezhe ai na qerasi, me nga një akullore. Kështu vazhduan disa dite rresht, deri sa me ne funde, nuk kishim me emocionet e ditëve te para, por tashti, bisedonim shume me lirshëm me njeri tjetrin, sikur te kishim një kohe shume te gjate qe ishim prezantuar. Ditën e fundit, qe u takuam, ishte dita vendimtare e jetës time. Ne i dhamë fjalën njeri tjetrit dhe aty përfundoj fejesa e jone. Veprimet e tjera, qe u bane me vone, ishin krejt formale, sepse çdo gjë, ne e kishim përfunduar sebashku.
Fejesa e jone kaloj shume bukur. Ai vinte shpesh tek unë dhe unë shkoja tek ai. Kur kaloshim sebashku rrugës, njerëzit na shihnin me kureshtje, sepse binim ne sy nga pamja e ndryshme qe kishim. Unë bionde e me sy te shkruar, kurse ai pak ezmer, me sy e flokë te zeze. Megjithëse te ndryshëm nga pamja, zemrat tone ishin te bashkuara ne një mendje, pra ne një te vetme e kjo na bënte te lumtur te dyve.
Fejesa qe e shkurtër, sepse shume shpejt na dhanë një apartament, kështu qe edhe martesën e bëme shpejt, te thjeshte e me pak njerëz, si nga ana te tij ashtu edhe nga e ime, sepse si i thonë fjalës nuk kishim asgjë mbas shpirtit, çdo gjë duhet ta fillonim nga e para, qe nga lugët e pirunët e deri tek mobiliet. Mbas pak hyra ne pune, ne U. T. (Uzinën e Televizorëve) ne Durrës, gjë, qe na dha mundësitë, qe pak nga pak, te kompletonim shtëpinë e re, me orenditë me te nevojshme, sepse siç i thoshin ne atë kohe, ne tashti ishim “rroge e koke”.
Mbas një viti e gjysme, na lindi fëmija i pare, një djalë i mrekullueshëm, i cili ishte unë dhe ai, mëshirimi i te dyve, produkt i një dashurie te madhe. Sepse sytë i kishte si te mite, kurse flokët e Besës. Te them te drejtën, unë nuk kisha pare ndonjëherë një ngjasim te tille. Ai na e shtoj lumturinë dhe na forcoj dashurinë edhe me tepër për njeri tjetrin.
Jetën time e kam ndare ne dy periudha dhe te dyja kane qene vendimtare, ne jetën time, sepse janë zhvilluar, ne një mënyre te shpejte dhe shume te shkurtër, pra munde te them se brenda dy minutave, jeta e ime ka ndryshuar plotësisht rrjedhën e saj. Po te shpjegohem me qarte. Pra ne qofte se minuta e pare, ka qene ky qe ju tregova deri tashti e qe ishte takimi i pare me Besën, qe ne minutën e pare te takimit, me te, rrjedha e jetës time, ndryshoj ne moment, dhe deri ne ketë kohe, qe te fola isha jashtë mase e lumtur, por me te drejte populli thotë: “çka te sjelle minuta, s’ta sjell jeta”. Kurse, minuta i dyte, ka qene fatale për jetën time, një tragjedi e vërtetë. Dhe ja çfarë me solli ai minutë fatal, mallkuar qofte, qe me shkatërroj jetën.

***
Ne Durrës  te dy ishim te ardhur dhe nuk kishim, asnjeri dhe as tjetri nga fare e fisi ynë, përveç Besës qe kishte tre a katër shoke, qe nga koha e beqarisë, me te cilët e ruante miqësinë qe kur ishin ne shkollën ushtarake, pasi edhe ato ishin oficer beqare. Shokët e tije hynin e dilnin, ne shtëpinë tone si ne shtëpinë e tyre, fale karakterit, sinqeritetit dhe bujarisë se burrit tim, Besës. Ato vinin e shkonin kur tu a donte qejfi. Luanin shah, domino ose letrash. Benin shaka me njeri tjetrin, me ore te tera, pa e çare kokën se ne tashti ishim një familje e rregullt, ne çdo drejtim. Kjo mënyre e qëndrimit te tyre, filloj te me shqetësonte pamase dhe seriozisht, por e përmbaja veten, tujë shpresuar, se një dite do ta kuptonin vete, se ishin te tepërt, ne ketë shtëpi, me një femër te vetme, me gjithë këto meshkuj beqare rreth vetes. Por ato nuk e kishin vene ujët ne zjarr dhe vazhdonin te vinin, pa e çare kokën për asgjë. Një dite sikur e tepruan pak edhe ne te  pire, duke qeshur me te madhe dhe duke kënduar, me zë te larte, e …… te tjera si këto. Kjo gjendje po ma shtonte edhe me tepër shqetësimin, se sa herët e tjera. Nuk durova ma, por kur ikën ato i thashë Besës, sepse edhe ai ishte i pranishëm aty dhe i pa skenat e tyre, me sytë e tij, e me ketë rast i thashë:
- Besa …! Ardhja e shokëve te tu, kaq shpesh dhe ne ketë mënyre, ne shtëpinë tone, po me shqetëson pa mase. Nuk ka kuptim, qe shtëpia jone te kthehet, ne han, për te kënaqur kapriçiot tuaja dhe te shokëve te tu. Jemi një familje e re dhe e rregullt, kemi jetën tone përpara dhe djalin qe duhet ti rrime te dy gjithnjë pranë, se është i vogël dhe ka nevoje për qetësi dhe kujdesin tone te vazhdueshëm dhe jo për zhurmën e nikotinën e shokëve te tu. Shtëpia ka shume pune e shume gjera te tjera e këto vizitat e tyre na e pengojnë rrjedhën e jetës tone familjare, prandaj mendoj, dal nga dale e me marifet te heqësh dore prej tyre dhe te bëjmë jetën tone. Sepse po ta them edhe ketë, qe jo te gjithë i ke shoke te mire, ashtu siç mendon ti, shikoj tek ndonjëri edhe gjera te pa pëlqyera.
Besa për një momente heshti, nga qe ishte vete i sinqerte, mu përgjigj, me një reagim qe nuk me pëlqeu aspak, sepse nuk e prisja prej tij, qe ai te reflektonte ne atë mënyre. Arsyetimi i tij ishte, se ne ishim te rinj dhe nuk kishim asnjë te afërm te tonin, ne ketë qytet bregdetare. Kështu qe ardhja e tyre e gjallëronte sadopak jetën, ne shtëpinë tone dhe se nuk rrinim te mbyllur, si ne kafaz.
Kjo përgjigje me zemëroj pa mase dhe se tepërmi, por e përmbajta veten, sepse ishte hera e pare, qe kur ishim njohur, qe nuk po gjenim një gjuhe te përbashkët. Me vone nuk ja zura ne goje, ketë problem dhe ne përsëri vazhduam jetën tone, duke pritur e percjellur, mysafiret e nderit, shokët e burrit tim.
Po festonim dy vjetorin e lindjes se djalit, qe ishte për ne lumturia, me e madhe e jetës tone, i cili rritej çdo dite e me i shëndetshëm, i bukur, ecte e fliste sikur cicëronte si një zog ne shtëpinë tone, me një fjale na e zgjaste jetën. Për ta festuar ketë dite, si zakonisht do te ishin prezent edhe te zakonshmit, shokët e Besës, qe do te merrnin pjese ne ketë gëzim familjare. Ne darken e festes, çdo gjë po shkonte ne rregull. Secili po bënte diçka, qe kjo feste te shkonte sa me bukur dhe ta kalonim sa me mire, e te gjithë ishin aktiv ne përgatitjen e tavolinës, dikush mbulesën, dikush shtronte pjatat, tjetri gotat, pijet e te tjera gjera qe nevojiten për një feste familjare. Televizori po këndonte kënge popullore, zërin ja kishin ngritur pak me tepër seç duhej, vërtetë ishte diçka e bukur. Unë isha ne kuzhine dhe po përgatitja mezet e fundit, ne kulmin e lumturisë time, kur ne një moment, vjen njeri nga shokët e Besës, për te marre mezet e fundit, për ti çuar ne dhomën ku ishte shtruar tavolina e festes. Pa pritur e pa kujtuar ai mi ve duart e tija, mbi supet e mija. Unë ne moment e kthej kokën nga ai, duke menduar se është Besa, por ndesha ne një vështrim tjetër. U ndeshem pune sekondash, sy me sy, me njeri tjetrin. Ai me buzëqeshi me ëmbëlsi, mori pjatat dhe shkoj, ne dhome. Kurse mua aq mu deshtë. Prandaj po e përsëris edhe njëherë, atë fjalën popullore, qe çka te sjelle minuta, nuk ta sjelle e gjithë jeta.
Gjithë natën nuk fjeta. Nuk kisha aspak qetësi, isha shume e stresuar, sepse ato duar, qe u vendosen mbi supet e mija, me dhanë një dridhje, ne te gjithë trupin tim, sikur te me kishte kapur korrenti elektrik. Ai shikim sy me sy, ishte një thike helmuese, qe u ngul ne zemrën time, deri atëherë e pa trazuar, kurse buzëqeshja e tij ishte droga, qe me turbulloj, kokën dhe tere qenien time. Përpara syve te mije mu shfaq humnera, ku unë do te thyeja qafen. Mbas pak ditësh ai me erdhi ne shtëpi dhe me gjeti vetëm, nuk arrita te rezistoja dhe ju dorëzova pa kushte, siç i thonë fjalës.
Me Besën dhe fëmijën jeta vazhdonte normalisht dhe pa probleme, rrija e qete sikur ne shtëpinë tone nuk po ndodhte asgjë e keqe, kurse unë ne te vërtetë, vazhdoja te ecja dhe te ecja, pa u ndalur drejte greminës, qe erdhi shume shpejte për te rene brenda.
Një dite pa pritur e pa kujtuar, Besa erdhi rastësisht ne shtëpi dhe na zuri ne flagrance … Këtu filloj tragjedia e jetës time, sepse ka ndodhur, qe ne atë moment, burri për te vene ne vend nderin e tij, ka vra gruan e tij me gjithë dashnorin, kurse Besa megjithëse se e kishte armen ne brez, nuk e beri një gjë te tille, por u largua me shpejtësi, duke përplasur me force derën e dhomës.
Ne momente te tilla, femrat shqiptare, janë te destinuara te vriten, ose ti vuajnë tere jetën pasojat, duke u përbuzur dhe braktisur nga burri, familja, far e fisi, shoqëria, gjë qe është tortura me e madhe qe i behet një femre …, vdekja e menjëhershme qofte bekuar. Kurse burri, ah, burri shqiptare sipas zakoneve tona edhe dhjete here, po ta tradhtoj gruan, atë nuk e gjen asgjë, sepse ai lahet me një kove ujë e pak sapun dhe nuk pëson asgjë, ne jetën e tij. Me ketë larje ai e ka vu ne vend nderin e tij. Me atë larje ai nuk munde te përbuzet prej askujt.
Ky është Ligji Shqiptare i diskriminimit te femrës dhe i pa barazisë, midis femrës dhe mashkullit. Unë këtu ne Itali kam pare prostituta, te cilat i presin klientët e tyre neper rrugët dhe trotuaret e qyteteve te ndryshme, te cilat kalojnë edhe njëzet klientë ne dite. Edhe ato janë femra, kane prind, por askush nuk e shkrep armen mbi ato, sepse janë te tilla, por e vazhdojnë atë rruge deri sa jua merr mendja e tyre dhe një dite e ndërpresin ketë profesion te fëlliqur, martohen dhe vazhdojnë jetën e tyre, si te gjithë qytetaret e tjerë. Pra zgjedhin jetën e tyre, sipas dëshirës, qe ato kane. Por, ne ti lame, te vazhdojnë punën e tyre, kurse unë po vazhdoj tregimin tim, për atë qe me ndodhi me vone.
Dolëm ne gjyqe me Besën, te cilin e fitoj ai, kurse djalin ma dhanë mua, sepse ishte shume i vogël. Kështu u ndamë për te mos u bashkuar ma kurrë, me njeri tjetrin. Mbaj mend qe ne gjyqe, i cili nuk zgjati me shume se njëzet minuta, Besa tha ne fund, këto fjale:
- Teuta, me more ne qafe, ma nxive jetën time, tënden dhe te djalit tone. Pastaj u kthye nga ish shoku i tij dhe i tha:
- Turp te kesh për ketë krim qe bere, qe shkatërrove një familje. Te konsiderova shok e vëlla, por qenke vetëm një njeri i poshtër.
Prindërit e mi u tronditen shume nga kjo ngjarje, qe me ndodhi, por isha fëmija i vetëm i tyre dhe ju deshtë, qe ta duronin ketë turp, qe jua solla unë. Me morën ne Lezhe, pranë tyre, ku njerëzit e morën vesh te gjithë menjëherë, punën time.
Nuk ishte e lehte për te duruar ketë situate, qe na ishte krijuar, por nuk kishim rruge tjetër, duhej me çdo kushte, qe ta përballonim, sepse njerëzit filluan te na shikonin me urrejtje. Ndenjëm disa dite pa dale nga shtëpia, nga turpi qe kishim, nga qe njerëzit kthenin kokën, ne anën tjetër dhe ju shmangeshin takimit me mua dhe prindërit e mijë. Hija e turpit na shoqëronte nga do qe ne lëviznim dhe kjo e shqetësonte te gjithë familjen, por nuk kishim se çfarë te bënim. Duhet te mësoheshim edhe me fyerjet te tjera, ndofta edhe direkt. Unë vuaja dyfish, sepse i shikoja prindërit e mi, qe mundoheshin, te tregoheshin te qete dhe te mos e tregonin shqetësimin e tyre ndaj meje dhe te tjerëve, por ato nga brenda vuanin shume e gati sa nuk pëlcisnin, për ketë isha ma se e sigurte. Ne ketë gjendje kaloj një kohe. Gjendja ekonomike e prindërve filloj te binte, sepse nga dy ishim bere katër, kjo me beri qe te kërkoja pune. Babai me anën e një shokut te tij, me gjeti pune ne NSHN, sepse tjetër kund nuk me pranonin. Isha e ndare për …!
Shkurtova flokët dhe vura një kapele, prej letre çimentoje, ne koke dhe u vesha me kominoshe. Me një fjale u bëra si djalë. Fillova te mbaje kova me llaç, ku furnizoja mjeshtrit qe bënin mure për ndërtimin e apartamenteve. Ne fillim pata shume provokime, sepse mendonin se isha …, por kur panë se nuk isha ajo qe mendonin ata, hoqën dore njëherë e mire e përgjithmonë nga ai mendim i keq për mua. Me kalimin e kohës fillova te mësoj zanatin e muratorit, fillova te beja suvatime dhe mure me tulla. E shkuara filloj te harrohej, tashti njerëzit me shikonin me një sy tjetër dhe kjo ma lehtësonte brengen. Shpejt u bëra mjeshtre muratore dhe fotografia ime gjendej ne Këndin e Emulacionit te ndërmarrjes ku punoja. Me ketë profesion vazhdova për disa vite, por fatkeqësitë me erdhën një e nga një. Nga brenga, brenga e ndrydhur përbrenda, prindërit me vdiqën njeri pas tjetrit, kështu qe mbeta e vetme me djalin tim. Tashti çdo gjë ishte mbi supet e mija. Shtëpia, puna, rritja e djalit e te tjera probleme qe ka jeta.
Kisha ndryshuar krejtësisht, duart me ishin bere me kallo, fytyra bere zeshkane nga rrezet e diellit e lëkura e saj tha prej erërave te stinëve te vitit. Pra isha mplakur disa vite para kohe, qe e tregonin edhe thinjat e flokëve, qe tashti me mbulonin kokën time. Kurse djali ishte rrite dhe po kryente shkollën e mesme me nota te mira, e si te thuash, ishte bere burrë, tuj i ngja edhe babajt te tij edhe mua.

***
- Teuta, këtu e ndali bisedën e saj, me atë tregim sa interesant, aq edhe te dhimbshëm, për jetën e saj, qe kishte rrëshqitur ashtu pa pritur e pa kujtuar drejte një gabimi fatal qe i kishte kushtuar tere jetën.
Trageti  i linjës se Ancones, vazhdonte te ecte ne detin e qete, ndërsa dielli po ngjitej gjithnjë e me lart ne kupën e qiellit, te asaj dite te bukur qershori. Mbas një pauze te shkurtër, ndezëm edhe nga një cigare tjetër, te cilën ajo po e thithte tere endje, si një e etur për te gjetur qetësinë e humbur ne atë hapësire te pamat te Adriatikut te kaltër, te cilën me pas e mbushi me një frymëmarrje te thelle e sikur donte te me thoshte, se kjo ishte e tera. E tera e atij gabimi qe i kushtoj aq shume sa … nuk mundi ta mbante te tere për vete por e ndau me mua, njeriun e pa njohur, mbase kështu e gjykoj, për te shfryre brengen, dufin, peshën e rende te asaj ngjarje qe e kishte lodhur një jete te tere dhe ketë ma besoj mua, për ta ndare me mua ne një kuverte trageti. Sa e çuditshme është jeta !
Pas pak me falënderoj për durimin qe pata, duke e dëgjuar me vëmendje tregimin e saj, te dhimbshëm, me propozoj te zbrisnim ne barin e tragetit, për te pire diçka, një coca - cola ose edhe një kafe, ose diçka tjetër. Unë pranova me kënaqësi duke u ulur ne një nga poltronat e barit, ku me një qetësi te admirueshme, vazhdoj përsëri te me rrëfente pjesën e fundit te historisë se saj.
- Erdhi demokracia dhe unë e lashë atë pune, qe me kishte dërmuar ne palce. Bleva një kioske dhe u vendosa, ne qendër te qytetit te Lezhës, ku fillova te shes gjera te vogla te ndryshme. Kështu vazhdova deri një dite, kur me gjithë djalin tim shkova ne emigracion ne Itali, ku jam edhe sot. U vendosem ne Rimini, dhe shume shpejt i bëme edhe letrat. Mbasi u stabilizuam mire me shtëpi e pune, djalin e martova me një vajze nga Kavaja, me nusen e te cilit Zoti na dhuroj një djalë, qe filloj te na e ndryshonte jetën tone.
E sot, jam shume e lumtur, me familjen qe kam, por nuk me hiqet nga mendja, për asnjë çaste nga e kaluara ime tragjike, e cila me rendon si gurë, ne zemër dhe me duket se ma shkurton jetën, për dite e me tepër.

***
Tregimi i saj, i sinqerte me krijoj një gjendje dhimbje për fatin e saj, i cili e brente përjetësisht, pasi ajo ishte pjese e atij fati te hidhur, qe ajo nuk diti, qe ta ndërronte drejtimin qe ne hapin e pare, mos valle emocionet e mposhten deri ne gjunjëzim, për tu zvarritur përjetë, ne rrugën e fatit, qe ajo e zgjodhi vete dhe me pa pjekurinë e saj dhe mendjelehtësinë e te shoqit, për ta vuajtur për jete !
Ne fakt, unë nuk u zbavita, me atë, qe ajo me tha, ne fillim te tregimit te saj, por për shume dite, tregimi dhe fytyra e saj e thekur nga dielli dhe dhimbja, nuk me hiqeshin nga kujtesa. Nuk e kuptoja perse me kishte bere aq përshtypje, jeta e kësaj gruaje te çuditshme, dhe gjithnjë edhe sot e pyes veten se kush është fajtori, “AI apo AJO” ?. Unë mendoj se te dy se bashku, janë fajtor.
Ju si mendoni, te nderuar lexues …?!

Poezi

NANË TEREZA
Në agim mbi tokë Dielli më shumë ndriti
Një gonxhe e bardhë lule për ne çeli
Ajo hodhi rrënjë në tokën e Arbrit, u rritë
“Nanë Tereza” Njerëzimi thirri një ditë.”

Prej Atit engjëlli si pëllumb i bardhë erdhi
Dashni dhe paqe në zemrën tënde solli:
Dëgjo motër zanin e të mjeraneve sa gjëmon
Ata vuajnë kudo, askush nuk i ndihmon.
E mjera kërkon qumësht për fëmijën nga gjiri i saj
Ai po vdes në duar, ajo ka vetëm lot dhe vaj.

U plake e re, shumë halle të ranë mbi kokë
Por kurrë nuk u mposhte, gjithmonë qëndrove e fortë.
Në mes skamjes e mjerimit, vuajtjeve pa fund
Djersa dhe netët e tu pa gjumë sot bëjnë një lum.
Motrat tuaja me përkushtim shërbejnë në gjithë botën
Misionare të dashnisë, rreze drite të kësaj toke.

Fjalët e mia i thura me lule dhe flori
Themelet e veprës tënde u hodhën në Indi.
Me të gjitha forcat u përpoqa sa munda
Çdo ditë të kujtojnë Kosova e Kalkuta.
Zemra e jote e madhe brenda një trupi të vogël
Për nderin e kombit more çmimin Nobël.

Shpirti yt në Qiell, yll që nuk shuhet
Në shoqnin e shenjtëve papushim lutët.
Të falemi të gjithë Nana e jonë Shqipni
Për shenjtoren tonë Gonxhe Bojaxhi.

VJESHTA
Erdh shtatori, u largu vapa
dalëngadalë dita shkurton,
ka fillua dhe zgjatët nata
shtëpitë tona i freskon.

Piqet rrushi, molla, shega
edhe misri vezullon,
s’ka ma t’bukur sesa vjeshta
plot me të mira na mbulon.

Male e fusha në çdo anë
me brilant janë mbulue,
me flori e me argjend
baba diell i ka krijue.

Ftohët moti dhe fryn era
një shtrëngatë po afron,
sa shpejt na iku vera
radhën e saj lëshon!

Si papritmas diçka ndodhi
filluan pemët me u tronditë,
gjethet e tyre në tokë i hodhi
shiu, era dhe stuhitë.

DO TË LUFTOJ KORRUPSIONIN
Nëpërmjet televizorit
dëgjova presidentin e Perusë:
Do të luftoj korrupsionin
varfëri të mos ketë kush.

Disa muaj më parë
ai tjetri u largua me turp,
më mirë vdekur se gjallë
kur njeriu bëhet m…

Mister “Teti” është serioz
do ta zhduk “Erozionin”,
jam në karrige edhe bos
s’ka burrë t’ma ndal hovin!

Kam para sa të doni
Emri im s’figuron askund,
Për ato interesohet Loni
Është maestro, i lumi unë.

Korrupsioni është si horri
i pafytyrë mbetët për jetë,
ai të ngjitët porsi mori
në çdo lesh keni me e gjete!

Kush e donë më shumë vatanin
gjyshi, baba apo djali?
Jemi shokët e Shejtanit
dhe hajdutë u bëmë nga halli!

S’dua të prek askënd në sedër
ka shumë njerëz me karakter,
aferim gaspodin tender
i ke brekët mbush me “nderë”!
LUIGJ TEMALI

MENGJES SHKOLLARESH
Gjallnojne rrugët ne mëngjes. Femite zhurmojnë,
grupe – grupe fëmije e rini shkojnë ne shkolle,
dhe vogëlushet e kopshtit me përparëse te bardha,
ne njërën dore lojën, ne tjetrën nji molle.

Pashim! – i thotë nanes. E puth me dore përsëri,
me  sa gëzim përqafon edukatoren shoqe dhe shoke,
nanes se re i shkëlqejnë sytë nga lumturia,
e shpejton hapat për pune. Ishte pak vone.

Te gjithë moshat e reja, rrugës ecin tanë gëzim,
me çantat ne shpine mbush me dituni,
ecin ne grupe e bisedojnë me zhurme …, 
problemet qe zgjidhin edhe me vështirësi.

Sa te bukura janë vjershat – tha dikush,
mua me pëlqen ma tepër histori, lundrimet apo biologji,
për mua kanga, apo vizatimi – thotë nji tjetër,
matematika apo fizika, te tjerat llafollogji.

Fëmijët ecin te gezuem dhe me kujdes,
çantat plot libra mbajnë dijet e botes,
mendjet na te ndrituna flasin aty,
tregojnë e zbulojnë gjithshka, jo vetëm te tokës.

Çka mendja e njeriut qe ne kohna zbuloi,
ne mendjen e femise hyjnë si ne Arkën e Noes,
kalojnë librat nji nga nji pa zhurme,
probleme, ushtrime, zhvillimet e mëdha te kohës.

Kalojnë qetësisht, bime, kafshe te egra e te buta,
vjersha e përralla, histori përmendsh te mesueme,
shtete dhe kufij, gjithfarë racash, kange e luftëra,
dijetare, zbulime te reja dhe te moshume.

Vizatime e opera hyjnë pa mbarim si ne Arkën e Noes,
shprehi e mjeshtri qe ruhen te tanë jetën,
mendja e njeriut ruan ma shume se Arka e Biblës,
i shumon, i lidh, i veçon njëra me tjetrën.

Aty kyçen ne dallgët e trazume te jetës,
presin kur te mbaroje jo shiu, por rinia e bekueme,
jo 40 dite, por vite te tana me vullnet, mësim e lodhje,
në mend shtohen e ruhen te patrazume.

Vere. Çantat pa libra duken pa kuptim,
i ruajnë ne raft për vjeshte, me libra te ri,
me mendje ma te ndritun, ma me vlere,
femi, nji vit ma te rritun, edhe ma rini.

Kështu rrokullisen nji nga nji vitet,
femi dikur, ma vone shkencatar,
shkruajnë libra, hyjnë ne çantat e shkollës,
brezave qe vine i shndrisin mendjen.

Demeli e gungalla / Fabul
Gungalla demele këndoi gjithë verës,
me pune përtonte, ma mire kange e shëtitje kot,
por pendohet nji dite. Ah sa marroçe isha,
ne dimen pa ushqim mbeta. Kjan e mbytun me lot.

Edhe ti demel qe nuk mesuam kurr,
koha asht flori, nuk kthehet mbrapsht,
tashti qe je plake, ska ma shkolle,
libri e puna nga zemra te mbeten jasht.

Nji dite u pendove. Tashti s’ke çban. Vone,
koha te iku nga duart. Pendim?!!
Ah sikur me kthye vitet edhe nji here! Anderr,
do te mësoja shume. Sa keq! Pikëllim!

Demeli e gungalla vëlla e motër,
te dy njisoj rinine e kaluen me kange,
gungalla cofi unit dikund ne nji kodër,
demelin ditët e pleqnise ne mjerin e lane.

FQINJI
Ne shekujt përballë,
mumje e gjallë,
symsy n’kufi,
pra jemi fqinje,
duam nuk duam,
fati asht ky.
E dua fqinjin,
puthemi bashke,
gojët pa dhembe ...

Te zgjedh dhe dhandër,
vajzën për nuse,
përcjell nji dite.
Kur mbet jetim,
rritu te daja,
burrë n’ shtëpi tande.

Jemi nip e daje,
ne shtëpinë time,
je pëllumb i bardhe.
Vjen mik tek unë,
ne festa e dasma,
je krushk i pare.

Por zot shtëpije,
unë në ksollën time,
ti ne te tanden.

***
Luftojmë dhe bashke,
ne nji llogore,
armik te përbashkët.

E dua fqinjin,
e shtrëngoj n’gji,
gjinin s’ua fal.

Gji  i nanes time,
gji i Rozafës,
për femite e mi.
Kur ka nevoje,
i fale shpirtin,
shpirtin e dlire.

I fale dhe zemrën,
zemrën e bardhe,
por ... asnjë pëllëmbe toke.
Ne toke kemi varret,
te ndamë me gardh,
sa te kemi diell.

Toke e babës,
varret e t’ pareve,
te paçmueme ne vlere.
Varre nuk fali,
eshtna nuk shes,
për to unë vdes.

Toka s’ka çmim,
ma shume se zemrat,
tana mbledh bashke.
Eshtnat e babës,
eshtrat e t’ pareve,
kane histori.

Ato diftojnë,
këtu kemi Atdhe,
heroj, liri.
Krenare pohojnë,
jemi race e zgjedhun,
burrash te forte.

Kange dhe legjenda,
lufte për Atdhe,
n’ shekuj ma t’ lashte.
Pse jemi te tille,
o fqinje i mire,
nuk jem shpërla.

***
Fqinje jemi,
fqinje nuk jemi,
atëherë çfarë jemi?!
Jemi fqinje te mire,
kur njeri rrezohet,
tjetri e ngren.

Njeni i unshem,
tjetri pergjyse,
bukën me nda.
Sjemi fqinje te mire,
te dy ne kambe,
njenin me rrezue.

Eja tek unë,
nga dera e oborrit,
ti vjen i bardhe.
Natën pa hane,
tinës me ardhe,
ti del i zi.

Tek varri i babës,
ne gjuj përditë,
sytë mbush me lot.
Toka e t’ pareve,
elter i gjalle,
betohem ne gjuj.

Fqinje te paste nana!
Për toke te t’ pareve,
kufi te thana!
EDUARD ÇIURÇIJA

DY FJALE PER DITET E SOTME / SATIRE
Dua ti them sot dy fjale,
te vërteta te gjitha janë,
si n’ Shqipëri s’ ka ba vaki,
me u formue njëqind parti,
e çdo njëra lyp pushtet,
tuj mashtrue popullin e vet,
korrupsioni i ka përfshi,
e kot qahesh ne qeveri,
kush mendon me marr pushtetin,
fort ma par mendon për xhepin.
Asht krijue papunësi,
si ne qyet edhe n’ malësi,
ç’ka me ba rinia sot,
te papune po sillen kot,
sa për mode e për muzike,
kemi mbrrit ne Amerike,
ka dale burri krejt flokëgjate,
edhe gratë me barkun jashtë,
nuk mendojnë për halle t’ shpise,
krejt ne ferr janë katandise,
gjithfarë shteti ka kalue,
por si ky, kush s’ ka punue,
si n’ gjakmarrje e tragjedi,
s’ ja kalon askush Shqipnise,
neper fushat e çnjerezise.
Bota asht ma shume ne fryme,
por n’ raport me popullsinë,
ja kalojmë çdo shteti t’ botes,
e kur afrohemi pran Evropës?
Këto fjale qe i kam mendue,
çdo njeri mund t’i kish shkrue,
mos te thotë nesër pushteti,
asht bagëti te tan mileti.
DEDE NOSHI

Kur dielli puth lulet
Kur dielli puth lulet
pranvera s’vonon
Kur dielli puth lulet
një ditë e re fillon
Kur dielli puth lulet
është një çast meditimi
Kur dielli puth lulet
është një libër i imi
Kur dielli puth lulet
është vetëm fillimi...!

Portret  malësori

I vështirë për ta kuptuar
si pikturë antike
I kthjellt në shikim
si një rreze drite
I lagur nga bora
nën arnat e këmishës
I ngrohur pranë vatrës
nën tymin e pishës
I djersur pas parmendës
që pa gdhirë
I ngopur me misra të zier
dhe shllirë
I tharë nga era
që fryn në Alpe
I çlodhur në mbrëmje
mbi një dyshek kashte
I rritur në halle
në kohë të vështirë
I qullur në balte
por gjithmonë i dlirë
I etur si sythi
kur vonon pranvera
I frigur si shkëmbi
kur e sulmon era
I heshtur dhe i menduar
si flokët e bardhë
I zemëruar me pleqërin
që e sheh duke ardhë!

Kurbetit
Kurbet o sëmundje e keqe
të gjitha na i more kaq shpejt
na i more djemt e ri
na e more buzëqeshjen krejt.

Ta fala dritën e hënës
veç sillja djalin nënës
T’i fala lulet e fushës
veç sillja dhëndrin nuses
Ta fala freskun e mbrëmjes
veç sillma të dashurin e zemrës
Ta fali edhe rininë time
veç sillju babën fëmijëve!

E çka ka me të fal i shkreti plak?
Rrin duke të mallku e i duket pak
Unë po ta fali edhe këtë fundshekull
Vetëm ik...
.... ik e mos hajde tjetër!

Nuk kam faj!
Gjithë ditën grindem me mëndjen time
që kërkon të më sjellë tek ti
por natën ëndrrat takohen me ty
për këtë unë nuk kam faj.

Gjithë ditën grindem me mëndjen time
që nuk u beson ndjenjave që kam
derisa të mi marr mendët dashuria
unë fajtor nuk jam!

Gjithë ditën grindem me mëndjen time
që nesër të mos grindem me ty
por unë nuk kam faj që dashuria
buron në zemër dhe shifet në sy!

Shkodër, në lulishte
Mbrëmja po afron
Lamtumirë thotë dielli
Plot me njerëz lulishtja
Plot me yje qielli
Pranë meje dy vajza
Qeshin me të madhe
Një plak i moshuar
Tymos një cigare
Ja një grup fëmijësh
Lozin me litar
Një çift i fejuar
Janë ulur mbi bar
Nja dy-tri studente
Kapur dorë për dore
Dikush na shet misra
E dikush akullore
Ja një fotograf
Që shkrep aparatin
Një djalë i mërzitur
Vetëm sheh sahatin
Disa meditojnë
E disa bëjnë gallatë
Kalojnë disa vajza
Duke bërë sfilitë
Një makinë te rruga
E ka ngrit muzikën

Erdhën disa djem
E disa plaka ikën
Unë jam në një stol
Përbri shatërvanit
Shënoj dy-tri vargje
Në paket të duhanit
Gruaja rrin e thotë
Edhe sa po rrimë
Vajza edhe djali
Lozin me makinë
Dikush vjen e lyp
Se është fukara
Shkodër në lulishte
Gjithçka ke me pa!
LULASH BRIGJA

DUKAGJIN
Dukagjin kësulëbardhe
stuhi bore mal më mal.
Mbushur shkrepa, si vete jeta,
Dukagjin mire se te gjeta!

S’mbeti kush pa te sulmu,
por ti dite me qendru.
Djemtë e tu si shqipe mali,
për trimni koha t’i fali.

Rrite trima neper shkrepa,
prush ne zemër u dha jeta.
Emri yt nepër bote,
për qëndrese, zjarr e barot.

Pyet bota, bën çudi,
sa milion asht’ kjo Shqipni?

I BURGOSURI
Në hekurat e kryqëzuar te dritares sime,
rrezet e hënës e diellit me përshëndesin.
Çdo gjë ne qeli me vjen e copëtuar,
ditët me largohen e pak me mbesin.
Lidhur me pranga të rënda, të rënda,
kockat sa me dhembin mua?!
E unë dergjem në burgun e qytetit,
pres vdekjen që as vetë s’e dua.

Te gjithë me quajnë armik te betuar,
se rende tiranisë fjale i thashë.
Ne kasollen time te baltosur ne male,
ëndrrat e brishta, atje i lashë.

Këmbe e duar lidhur me zinxhirë,
te kthehem pas, te shoh dritën dua.
Polici injorant me qëndron mbi koke,
shpeshherë me kamxhik me qëllon mua.

Hijen time me pranga lidhe e kane,
ajo kurrë s’do me tradhtoje.
Dhe atë gjithmonë e kam pranë,
ajo pret vdekjen si unë, njësoj.

Te paktën, o hije fluturo ne hapësire,
përtej dritareve te kryqëzuara!
Endu, endu ne qiell e lire,
një kënge te bukur këndo për mua.

Kënga përmallshëm do te këndohet,
do stolise boten si një zinxhirë.
Trupi im ne litar do te lëkundet,
po kënga ime do te jete e lirë.

Atje, ne gjirin e tokës mëmë,
syri do stoliset, loti do kullojë.
Rrezet e diellit s’do thyhen nga hekurat,
trupi im i qetë do pushojë.

Unë s’do te vajtoj, s’do nis te lutem
para trekëndëshit hijerënde,
kur si hije bashke me natën te vije vdekja
e ne krahët e saj te me marrë.

Qyteti qan ne heshtje frike,
se trupi i poetit ne litar qëndron.
Por vargu i lire, por vargu i qetë,
ne bjeshkët e Hasit do te fluturojë.

Mjegulla përpin horizontet e murrme,
vallja e vdekjes mbi poetin u hodh.
Valët do te bien njëra mbi tjetrën
e kënga e tij ne male do ushtojë.

Varrin tim do ta shpëlajnë lotët
që rrjedhin nga qerpikët e njerëzve të mirë.
Si vullkan do valoj, atje nën dhe
një ditë fatlume do shpërthej i lirë.
Shyqyri Dushaj

NE EVROPE, JEM NISE ME SHKUE / satire
Qysh se sollëm Pluralizmin,
dhe ndertuem Demokraci,
ne Evrope jem nise me shkue,
por askush, s’na lenë me hy.

Pritni pak thonë “byrazerët”,
se donë kohe tek na me ardhe,
sa me u hjekun pak mërzinë,
po vijmë na, tek ju me u çmall.

Ata vete, vijnë e shkojnë,
nga te gjitha kontinentet,
me kalua përtej detit,
nuk na lanë neve te shkretëve.

Klandestine neper Evrope,
jemi ne me qindra – mije,
njëzet – vjet ne tranzicion,
dhe s’na japin dot nji vize.

Trafikantet bajne kërdinë,
tuj rrejte njerëzit edhe mashtrue, 
tuj shite vizat për nen dore,
me djers tone tuj u pasurue.

Korrupsioni na ka mblue,
papunësi dhe inflacion,
me nji fjale, te gjithë përgjigjen:
thonë se jemi ne tranzicion.

Veç ndërrojnë shefa e drejtorë,
dikan ven e dikan hjek,
porse t’ gjithë kane nji formule,
kush me marr ma shume leke.

Pijne dhe droge disa shofere,
bajne makinën aeroplan,
aksidente dite për dite,
diken shtyp e diken zëne.

Kem lanë fshatin edhe malësinë,
toke e shpi e vilajet,
tuj hy borxh m’fajde e m’lista,
jena ba robot n’qytet.

Te ç’perfillun e t’katranosun,
t’ kalitun e t’ marrosun,
t’ perçame dhe t’inatosun,
deri n’fyt te armatosun.

Tuj u n’zan e tuj u sha,
tuj u rrah e tuj u vra,
jem avit me hy n’ Evrope,
ne mos rashim ne noj grope.

Sa ma par, pra te ndryshojmë,
me reforma dhe drejtësi,
n’ daçim veten me integrue,
dhe n’ Evrope s’ bashku me hy.
AGOSTIN GJOKA

MBRESA DASME
Aq urime e komplimente, me batuta e me bejte

Mbresa dasme n’fis te Danit,
pata nderin t’marre pjese,
Ramiz Dani marton vajzen,
e paste me jete ate e t’tjeret,
jete te lumtun çiftit 100-vjet!

Prej Berdice banor n’qytet,
i nderuem ne Bahçallek,
me vllazen gjithe lezet,
me familje aq per qef,
n’gezim te tyne s’pari marr pjese.

I pershendes n’vargje, jo n’proze,
fjale prej zemre me shpirt t’ngrohte,
raste t’tilla t’frymezojne,
me te shkruem se kujtesa s’dobesohet,
e qe Zaimi t’mos mendoj,
se ju ish t’byrose,
“me leksione na keni ngop”.

Nji prej shokeve t’tij pjestar,
mirenjohes, koleg i ktij Ramiz Dan,
n’ banket mbi 200 vete,
n’pa mundesi dhe aq t’tjere.

Si tradite qe fillon mbare,
urojme çiftin me gote t’pare,
e n’dasem djalit ti shkojme prap.

Urojme prej zemre fisin mbar,
me emer t’mire me aq taban.

Po sa e kendeshme mesa femi,
sa te nusja, sa hell vallen,
gezon vete, o sa e knaq axhen.

E tradites dasem ne zhvillim,
aqe me vlere e qyteterim,
mireseardhje e aq respekt,
me e veçant, qofte ne qytet,
se t’paret e tyne lene amamnet,
per mikpritje e per gajret.

Duke rrit nderin e emrin,
krenari deri m’sot e t’ardhmen.

T’tre vllaznit e me ate daje,
i qesh balli burrneshes nane,
familjarisht qendrojne ne kambe.

T’na nxisin, qe t’bajme qef,
me ore tzgjatuna pa problem.

Per shyqyr kolektivi i gjelbrimit,
urojne Ramizin jo veç rast gezimit,
e kujtojme ate nate e dite,
si kryetar sindkalist,
nder i tyne, aq bamirs,
konforme ligjit e t’drejtes njerezore,
aq kambngules e optimist.

I zgjuet, i dashtun edhe i rrept,
per ndonji me shpirt difekt,
qe e urrejne edhe t’tjeret,
ky i del borxhit se pret ne bese,
kolektivi mbas mej ardhe,
e vishtiresive u ka dal manet.
Ekonomina veç me djerse t’tij,
gjith pasion puna knaqesi,
i kerkuem aq n’shoqni,
ta kesh shok asht veç mirsi!

I gjelbrimit profesionist,
e nese si duan lulet, ky i ban me çel,
sepse lulet simbol i jetes,
veç njeriu i do, e ato duan veç njerez …

***
N’banket vime nga gjelbrimi,
Eqremi e Kujtimi,
zotni Rifati e Tonini,
me bashkeshort, ato gra zonja,
e ndjejne veten nder vllazen e motra.

Pergjegjes s’je more Ramiz,
qe disa nuk erdhen çift,
sa t’jem n’vend teje, u jap denimin,
por jo per t’gjith asht mundesi,
e kur mungon edhe terezia,
por shpiaku me t’gjithe ate qef,
qofshin çift apo tek,
na perfshin n’ate atmosfere.

***
Po Tonini aq gazmor,
aq valltar e me humor,
s’do t’ia di se asht me kolone,
e i thot pergjegjesit t’kam ra n’dere,
neser leje ose marr raport.

E gjithe shoqnia e fisi im,
per Ramizin respekt, urim,
sa njerezor me ekuliber,
njef shoqnin e politiken,
aq njerezor dje e sot,
temina vllaznit e vet,
mirekuptim me harmoni,
si Zaim apo Avni.

Apo daja Muhamet,
me njerezi e gjithe lezet,
i rrnofte zemra mbi 100 – vjet,
per fis t’tyne kudo respekt.

Dukagjinas(Shosh, Pult, thethjane),
bash si vllazen me berdiciane,
qe prej vitesh banor t’perbashket.

Po si shprehet fisi i Dede Markut?
Apo ai i Marash Palit,
nder t’nderuemit e vllaznise.

Me aq respekt ata t’flasin,
pa probleme prej ka kane  prejardhjen,
se nji Zot e kem t’ perbashket.

Po Zoja Gjergji e Prena Sogja,
ish me pune n’ Berdice si zonja,
dukagjinase me origjine,
Prena mesuese, Zoja e tregtise.

Komplimete reciproke,
sa e kendshme, sa njerezore,
per Berdice shprehim mirenjohje.

***
Aq e madhe dasma te dhandri,
se miku mikut i pergjasonte,
pritja e çiftit aq e kendshme,
gjith pjesmarrsve u asht ba qefi,
duar bashkuar me njeri tjetrin,
hyrje dalje n’forme tuneli,
kalon çifti ne shenj respekti,
qe nga porta deri te banketi,
sikur çifti tek Presidenti,
e fisit vajzes sa i bahet qefi.

 

E natyrshme nena e saj,
t’lotoj ate e kan pa,
qofshin gezimet, por edhe ne mall,
se i pari ulad pak me u nda,
por e ema si burrneshe,
mos me i ra n’sy Fadiles …

Me buellek edhe atje banketi,
duke zgjat deri tek mengjesi,
kenge e valle me orkester,
deri n’orar qi knon kendezi!
E shperndarja aq per qefe,
gezim e dasma paçim perhera.
Gjergj Çuni

PIKTORJA SHKODRANE VERBICA NDEROHET ME ÇMIM NE BELGJIKE

SHKODER Piktorja shkodrane Nineta Verbica është vlerësuar ditët e fundit me “Medaljen e Artë Nacionale”, në konkursin ndërkombëtar të arteve të organizuar nga Akademia Evropiane e Arteve në Zhanblu të Belgjikës. Ndër 153 pjesëmarrës gjithsej në edicionin e 38-të të këtij konkursi, 30 ishin shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Me pikturën e saj të punuar në vaj dhe të titulluar “Portret vajze”, Verbica u nderua me çmimin e mësipërm ndërkohë që merrte pjesë për herë të dytë në këtë eveniment.
Sipas vlerësimit të komisionit të këtij konkursi, në sytë e vajzës së pikturuar dallohet qartë një lidhje ngrohtësie, dashurie dhe sinqeriteti të cilat e karakterizojnë këtë figurë interesante.
Me mjeshtërinë e punës së saj Verbica ka ditur që të evidentojë pjesët më delikate dhe më domethënëse të karakterit të saj. Simfonia e harmonizuar në shprehjen e portretit, butësia, kombinimi i ngjyrave dhe elegance janë karakteristika dalluese të punimit të saj të vlerësuar. Kombinimi i gjithë këtyre elementeve lënë një vizion të pashlyeshëm sipas specialistëve.
Në konkursin ndërkombëtar të pikturës të zhvilluar në Zhanblu të Belgjikës kishte edhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme evropiane dhe më gjerë si Belgjika, Spanja, Italia, Franca, Kanadaja, Maroku, Portugalia, Suedia etj. Ata kanë konkurruar në degë të ndryshme të artit si në letërsi, muzikë, fotografi, pikturë, skulpturë, gravurë, dizajnë, qeramikë etj.
Nineta Verbica ka lindur në qytetin Shkodër, më 1945. Që në moshë të re ka marrë mësime nga profesori Simon Rrota. Ka mbaruar liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe për shumë vite ka punuar si mësuese vizatimi në shumë shkolla 8-vjeçare të qytetit Shkodër.
Është një nga piktoret më të njohura të këtij qyteti me traditë në fushën e kulturës dhe të bartëve në përgjithësi. Krijimtaria e saj shtrihet në një fushë të gjerë të artit figurative duke përfshirë kryesisht lëvrimin e peizazheve dhe portreteve, figurave të kompozuara dhe natyrave të qeta, të pasura me larminë e teknikës së bojërave të vajit. Që nga viti 1962 ajo ka marrë pjesë vazhdimisht në mjaft ekspozita lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Punime të saj ka në galerinë e arteve në Shkodër si dhe mjaft punime të shitura në Gjermani, Itali, Belgjikë, Kosovë dhe Mal të Zi.
Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë si dhe asaj “Lindart” në Tiranë, anëtare e shoqatave “Kolë Idromeno”, “Gratë piktore” dhe “Iliricum” në qytetin Shkodër.
I urojme jete te gjate, krijimtari te reja dhe medalje te tjera Nacionale dhe Ndërnacionale.
ARBEN LEGRET

part03