
A JANË GIMAJT SHALJANË?!
(Janë po aq shaljanë, sa të ashtuquajturit shaljanët e fisit!)
Në Librin “Dukagjini ynë”, volumi i parë; faqe 52, ku flitet për e fisin e Shalës, në mënyrë krejt të përciptë dhe të pa argumentuar, kemi shkruar se Gimajt nuk i përkasin të njëjtës gjini si djemtë e Nikë Pepës (Leka, Loti, Deda dhe Peci që përbëjnë të ashtuquajturën Shala e fisit), gjenealogjia legjendare e të cilëve vijon: Pep Vladi/ Vlad Bengu / Beng Zogu/ Zog Dita / Ditë/ Njeri / Njeri – Murri - Murr Deti ( B. Palaj, “Mitologjia e gjallë e maleve”, “Visaret e Kombit”, vëll. 12, bot 1937, fq. 68). Nënvizimi ynë ka qenë një përgjithësim i pa detajuar i rrëfimeve të disa autorëve të ndryshëm, që kanë të njëjtin mendim për ketë çështje. Ky përgjithësim relativ, nga një masë lexuesish të kësaj zone, është marrë si e pavërtetë tendencioze, si falsifikim i historisë dhe madje fyerje e qëllimshme nga ana ime dhe kolegut tim Lazer Kodra.
Për mua nuk ka as një interes qenia apo mos, e Gimës, vëlla i një gjinie me të bijtë e Nikës, të njohur ndryshe si baballarët e fisit të Shalës. Por përderisa paragjykohemi me mllef, sikur ne, me dashakeqësi, ua paskemi mohuar Gimajve atësinë e tyre shaljane, atëherë për të gjithë ata lexues dhe jo lexues që mendojnë të kundërtën, po ju paraqes shkurtimisht çfarë kanë shkruar të tjerët shumë mote më parë në lidhje me këtë temë:
Alternativat kundër:
1 At’ Benardin Palaj njohësi më me themel i maleve shqiptare: “Së vonshmi edhe Shala 80 vjet pas Shoshit erdhi prej Shiroket ... Djemt e Pep Vladit idhnohen me të atin, që ishte Vlad Bengut i Zog Ditës, sepse i ati i tyne në pleqni muer nji shermek për vedi, me të cilën pati nji djal kopil. Djelvet atëherë u prish mendja; lanë plakun në Shirokë me gjithë atë kopil, vetë duelën në Shalë ku zunë vend në Kodër Thanë ... Aty gjetën pos Lopçit dhe Bobit; Agrin, Kopratin, Gzhobën, Goxhobatin, Mavriqin, Marinin, Shdervellën, Gapzhellën e Shushellën (pos Bobit dhe Lopçit të gjithë të tjerët u përzunë).
Për fisin e Gimajve, qi sot janë të mbathur me Shalë, nuk dihet me siguri se çfarë fisi janë.(“Mitologjia e gjallë e maleve” “Fisi i Dukagjinit Visaret e Kombit vëllim nr. 12, fq. 70)
2 Orena, mbi një hartë të Shqipërisë, botimi i vitit 1938, fq. 43, shkruan: “Shala e fisit, posë Gimajsh, Bobit e do ansve të tjerë, Shoshi e Mirdita u ndanë njana prej tjetre ndë Pashtrik të Hasit.”
3 Profesor Selami Pulaha: “Fisi i Shalës u krijua nga barku i nipit të tij, Nikës ( Nika nipi Murr Dedit), biri i Gjek Murrës. Nga ky bark lindën 4 vëllezërit e pasardhëseve të Nikës: Pec Nika, Lot Nika, Lekë Nika, Dedë Nika”(Studime Historike. nr .2, v. 1975, fq 130).
4 Rrok Zojzi, historian dhe pa dyshim etnografi më i shquar shqiptarë i të gjitha kohërave: “Si rrjedhim i shpartallimit të forcave të Dukagjinit në shekullin e XVII, tri turma nga Dukagjini gjetën strehim në tokat e Malësisë.( në territorin e Alpeve mbi Drin, në ish Pultin e vjetër. nënvizimi P.M)
Shala e Shoshi, u vendosën në luginën e Lumit të Lesniqes. Gimajt Lekaj prapë nga jugu u futën në territorin e Leknisë”(Ndamja Krahinore e Popullit Shqiptarë Etnografia Shqiptare, nr 1, v. 1963, fq. 42)
5 “Shala”, studim historik nga Rrok Zojzi, 1956, Arkivi i Muzeut Historik Shkodër.
Nga intervistat direkt që Rrok Zojzi i ka bërë informatorëve, Binak Vata (Abat, 86 vjeç), Lekë Vuksani, Zog Sokoli (Theth, 70 vjeç), Deli Gjoni (Theth 110 vjeç), Zef Kola (70 vjeç), Zog Sokoli (Theth) e te tjerë, të dhënat e tyre vërtitën si vijon: “Me Gimaj bashkë jetojmë e bashkë punojmë, por nuk jena vëlla me ta. Gimajt e mbajnë vetën vëlla me ne, por nuk janë të tillë. Edhe ata kapën tek Murr Deti, sikurse ne, por baba i përbashkët është shumë larg me ne. I pari i Gimajve është i një fisi me Nikën, të parin e Shalës, por jo vëlla i afërm. Të parët tanë, i bënë vëlla Gimajt, tu ja mbathë fisit dhe e shtimë në mes të Pecajve dhe të Lotajve si vëlla të dytë, kështu që Shala, sot numron 4 kambë fisit: 1-Pecë Nika me Dedë Nikaj, këmbën e parë ; 2- Gimaj, këmbën e dytë(Vuç Vataj); 3- Lotaj, këmben e trete (Kol Markaj); 4- Lekaj, këmben e katërt (Dragaj).
Gimajt ju mbathën fisit tonë për të qenë më të fortë dhe më të mbrojtur, mundohen me legalizua ketë mbathje e thonë: - “Nika, pat 4 djem: Pec Nikën, Gim Nikën, Lot Nikën, Lek Nikën” - tue hy ata në mesin tonë si vëlla i dytë, por kjo nuk është e vërtetë.”
Studiuesi Rrok Zojzi, në përforcim të rrëfimeve të informatorëve të vet shkruan: “Kjo është e vërtetë, pse ka edhe Gimaj Pleq, të sinqertë që thonë se na jemi ba vëlla, ose na jemi të mbathun.( Arkivi i Muzeut Historik Shkodër Materiali daktilografuar, fq 10).
Kur një fis ka nevojë me arrite një fis tjetër, me ja mbathë vetit, që të shtojë fuqinë e tij, e vënë në vend të nderit. Kështu Shala i shtini Gimajt si vëlla të dytë në mes të Pecajve e Lotajve me ja ba qefin.( Rrok Zojzi po aty, fq 11).
6 Studiuesi Preng Gjika: “Gjinia Gimaj është nip bije i gjinisë Lotaj, i mbetun pa prind në gjininë e Gil Nikës së fisit të Nikçit Kelmend, ku mori emrin e të atit nga Gil në Gim - Buç Vataj është kreu i dytë i fiseve, Gjel Vataj, Marvataj, Pavataj. Të ngjeshur me Gimajt janë Dostanishaj, bajraktar fituar në një betejë lufte, Nikushaj dhe Gagu nuk e ruajnë prejardhjen e saktë të tyre” (Gjurmë të trashëgimisë etnologjike në Shqipërinë e veriut, fq 39).
7 Tradita gojore në Shosh, Nikaj - Mërtur, Pult: “Ndoshta edhe padrejtësisht, por gjithnjë në mënyrë plebishitare, Gimajt nuk i ka njësuar me 4 vëllezërit e tjerë bijtë e Nikës.”
8 Flavjo Kardinjano në librin e tij “Shqipëria, përmes shënimeve të misionarit të madh At’Domeniko Patozi 1847-1914”, shkruan: “Shala ka dy flamur, flamuri i Shalës dhe i Gimajve... Në krahinën e Planit, Plani nuk formonte bajrak, por me vojvodën e tij varej nga bajraktari i Gimajve (“Shqipëria përmes shënimeve të misionarit të madh italian Domeniko Patozi 1847-1914, fq 135)
9 Studiuesi Karahman Ulqini: “Së paku deri më 1832, Dukagjini kishte pesë bajrakë(Shalë, Shosh, Toplanë, Kir e Pult. Nga mesi i shek XIX u shkëputën Gimajt nga Shala duke e bashkuar Planin, u formue bajraku i gjashtë.(Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror, fq. 24).
Sikur Gimajt dhe gjysma tjetër e Shalës të paraqiteshin si një bashkësi e vetme gjinore, do të ishte e pakonceptueshme se nga i njëjti fis, shteti osman do të ligjonte dy bajrakë e dy bajraktarë. Shpallja e këtij bajraku të bën të mendosh se Gimajt në atë kohë duhet të kenë luajtur me katrën e fisit ortak, për të fituar kujdestarinë mbi Planin.
10 Gaspër Gurakuqi, Meshtar: “Gimajt fis më veti, i ardhun prej Plani, shkon me Shalë, e ka bajraktarin e vet Dostanishaj: Lagjet e Gimajve janë: Dostanishaj, Kaprreja, Gagu, Xhaferajt, Buç Vatajt, Gjel Vataj(Revista Leka 1949, fq. 60.)
Alternativat pro:
1 Ndue Cukeli shkruan: “Emrin ky fshat e ka marrë nga emri Gima. Në këtë fshat jetojnë vllaznitë Vatçaj, Prekëlekaj, Nikëlekaj e Desatanishaj, ndersa anas janë Nikushajt dhe Dushajt. Vllaznitë e Gimajve kanë lidhje gjenealogjike me vllaznitë Pec, Lot, Lekë Nika, duke u bashkuar kështu të gjitha vllaznitë e Shalës. Trungu gjenetik i Gimajve vazhdon Gim Gjeçi / Gjeç Deda / Dedë Vladi ...”, (Dukagjini nder shekuj, fq. 40).
2 Sipas traditës gojore në Gimaj: Gim Gjeçi është babai i gjithë Gimajve. Gjeç Gjini / Gjin Vladi (Vella i Pepë Vladit i cili është gjyshi i Pec Nikës me vëllezër) / Vlad Stala / Stal Bengu / Beng Zogu / Zog Shiroka / Shirok Gjini / Gjin Murri / Murr Deti” (Treguar nga Deli Ndou Gimaj).
Të dy opsionet e mësipërme rrjedhin nga i njëjti burim, gojëdhëna popullore në Gimaj. Varianti i parë thotë se Vëlla i Pep Vladit është Deda, varianti i dytë thotë është Gjini. Në rrafshin shkencor gjenealogjia vijuese nga Vladi deri tek Murr Deti, ose për enologji edhe nga Gjol e Pep Suma tek Murr Deti, nuk ka as një bazë historike, është vetëm një imagjinatë legjendare e kthyer në dogmë kolektive në Mirditë dhe Dukagjin.
Në qoftë se Gimajt janë vërtetë vëlla i Pecit, Lotit, Dedes e Lekës( Nikës) ose pak më të largët (kushërinj) Dedë ose Gjin(Vladi) vëlla i PepëVladit, atëherë, si ka mundësi që në vijimësi dhe tradicionalisht, e ashtuquajtura Shala e fisit, nuk i ka pranuar Gimajt asnjëherë si vëlla natyral, por të adoptuar?!
Në humbje të origjinës së përbashkët gjinore Shalë - Gimaj është edhe anketa e Rrok Zojzit, ku sipas burimeve të traditës tregohet: “Kur erdhën të parët këtu gjetën, Mavriqin, Lopçin, Bobin, Metushajt, Gimajt. Nga këta vetëm Mavriqi qe vëndas i vjeter dhe për Lopçin nuk e dimë, Gimajt, Bobi e Metushajt, janë të ardhun, por para nesh ( “Shala”, Studim Historik, Arkivi i Muzeut Historik, Shkodër, fq. 12, informator Lekë Vuksani, Abat 1956)
Rrok Zojzi tek “Ndarja Krahinore e Popullit Shqiptarë”; “Etnografia Shqiptare 1963”, nr 1, fq. 62. shkruan, se Gimajt erdhën pas Shalës duke përberë turmën e dytë dyndëse nga Dukagjini mbi Drin. A’t Bebardin Palaj sipas një tradite më të hershme thotë se Shala e fisit gjeti aty... (autori përmendë disa emra por jo Gimajt të cilët thekson se nuk dihet se nga ç’fis janë). Është pikërisht një variant tjetër i traditës që Shalën e bën të ardhur përpara Gimajve. Nga 12 versionet e mësipërme, vetëm dy që janë sinonim i njëra - tjetrës dhe thonë se Shala e Gimaj janë të një gjinie.
Ndërsa 10 versione të tjera thonë të kundërtën, pa arritur në një te vërtetë të qartë pasi u mungon burimi i mjaftueshëm historik. Këto burime të varfra dhe kontradiktore, nga ana tjetër, e komplikojnë edhe më, këtë dilemë, enigmë se kush erdhi këtu më parë, Gimajt apo Shala e fisit.
Së pari: Sipas kuptimit etimologjik: “Fis don me thanë, nji tok vllaznishë, prej nji tate të përbashkët, mbrenda një bajraku e nën prisin e nji bajraktari.” (At’Benardin Palaj, “Visaret e Kombit” vëll. 12, bot 1937, fq. 68) .
Sipas këtij përkufizimi klasik në Shalën e sotme vetëm 4 djemtë e Nikës mund të quhen fis, ashtu si në Shosh vëllezërit (Gjol e Pep Suma). Fis nuk mund të quhen as Plani, as Kiri, as Xhani(pra të gjithë ato bajraqe që nuk rrjedhin nga një gjini e përbashkët).
Edhe në qoftë se marrim të mirëqenë legjendën, se edhe Gimajt janë pasardhës të legjendarit Murr Deti si Shala e fisit, Shoshi, Mërturi, Mirdita, Berisha e te tjerë, prapë se prapë nuk mund të themi se Gimajt janë të një fisi me Shalën. Përkufizimi atëherë duhet shprehur kështu: “Gimajt, Shala, Shoshi, Mërturi, Berisha, Mirdita e te tjerë mbajnë si atë të përbashkët një legjendarë të quajtur Murr Deti.”
Së dyti: Duke iu referuar sërish termit fis, lindë pyetja: A janë vetë Gimajt fis?!
Sipas burimeve të mësipërme Dostanishajt (bajrakmbajtësit), të ardhur nga Kuçi, Këlmeni, apo Plani, pak rëndësi ka, kanë ndjekur drejtimin VP për te ardhur në Shalë. Studiuesi Preng Gjika thotë se Nikushajt dhe Gagu nuk e ruajnë prejardhjen e tyre edhe Ndue Cukeli ka shkruar, se Nikushajt dhe Dushajt janë anas. Sipas këtyre fakteve arrihet vetvetiu në përfundimin se Gimajt në tërësi nuk janë një fis, d.m.th nuk kanë të gjithë një atë të përbashkët.
Se treti : Tani për tani pajtohem me mendimin e Rrok Zojzit për drejtimin e ardhjes nga poshtë Drinit në Luginën e Shalës. Pra pasuesit e Vatë Lekës - Nikë Lekës dhe Prekë Lekës (Dostanishajt) kanë ardhur edhe më vonë dhe të dy palët kanë gjetur aty anasit më të vjetër( Nikushaj e Dushaj).
Së katërti: Nuk kemi argumente bindëse të shkruara se Gima (Nika) ishte vëlla i Pec Nikës dhe për rrjedhojë as edhe pasuesit e tij (Vatçaj - Niklekaj dhe Preklekaj).
Së pesti: Në qoftë se tani për tani, pothuajse të gjitha burimet e shkruara thonë se Gimajt nuk janë të një ati me Shalën e fisit, kjo çështje mbetet akoma e debatueshme në rrafshin shkencorë. Studiuesit janë ata që të mund ta zgjidhin plotësisht këtë dilemë në të ardhmen. Historia është e mbushur plot dilema. Rruga e zbardhjes së dilemave është ç’mitizim i historisë.
Së gjashti: Ç’mitizim do të thotë që të heqim dorë përfundimisht nga ajo dreq Shalet e Shoshit, të cilat as nuk na ranë kurrë për hise, as nuk i sollëm me vete këtu! Këta emra i gjetëm këtu dhe huazuam më pas. Këta emra i kthyem në kulte absolute të fiseve tona duke përbuzë çdo kënd që nuk ishte fis i ynë: (një lloj si athinasit e vjetër, që çdo të huaj e quanin barbar). Katër djemte e Nikës, vazhdojnë akoma sot të tundin “tapinë” e Shalës, kur ndërkohë shaljanët më të vjetër janë Bobi e Lopçi. (Ata ishin moshatarë dhe komshi me Shalën e vjetër e cila nuk dihet saktësisht se ku ndodhej, por u unifikua, duke i dhënë emrin gjithë këtij pellgu )..
Së shtati: Shala e madhe, shume fisnore, pa gimajt do të ishte e shkjeptë dhe ndoshta jo zonjë e parë e Dukagjinit. Gimajt janë shaljanë të vërtetë edhe pse po ose jo vëllezër të një gjinie me të ashtu quajturën Shala e fisit! Ata nuk kanë as një ndryshim në zakone, psikologji, rite, mënyrë jetesë e te tjera me shaljanët. Nuk kanë as një inferioritet në trofetë e burrërisë. Këta dy emra janë dy anë të një medaljeje që kanë një histori të përbashkët dhe një emër të përveçëm Shalë, barazi me fisin e parë të Dukagjinit.
PRELE MILANI
Krisja e kohës
Drita e çdo mëngjesi e zinte me kurriz nga qielli duke shkulur here fidanë domatesh, here patlixhanash e here lakrash. Ky ishte rituali i çdo mëngjesi për Latifen, nenën e katër fëmijëve jetime, pasi i shoqi i kishte vdekur kohe me pare. Me fidanët e bere deng udhëtonte drejt tregut te qytetit për ti shitur e për te blere bukën e ndonjë gjë tjetër për vogëlushet e saj. Thirrjet e saj ne treg i ngjanin një regëtime qe krijonin imazhin e një kohe te lige ku njeriu nuk ndjen kënaqësinë e ekzistencës se vet. Here rreze një dyqani mishi, here rreze një dyqani me materiale plastike nene Latifja e përmbyste ditën e verës nene monotoninë e thirrjeve – Hajde fidanë domateje! Hajde fidanë patlixhanash! Janë te mire, ju betohem ne kokën e fëmijëve! Ne ditët kur shitja i ecte mire dukej sikur ne kokrrën e syrit i shfaqej një dëshire për te jetuar, ndërsa ne te kundërt sytë e saj mavijoseshin dhe rrudhat e ballit ngjasonin me ato perrojet e thelluara pas një rrebeshi. Here – here andej nga tregu kalonin police te cilët bënin sikur mbanin tregun nen kontroll. Krismat e takave te këpucëve qindra here ia kishin ngjethur edhe Latifes dhe sapo i dëgjonte bashkonte shpejt e shpejt tubat e rasatit, i fuste poshtë sqetullës dhe merrte vrapin për te përfunduar pas ndonjë kioske apo qosheje pallati e për t’u kthyer pasi ato krisma te ishin mbytur larg diku ne hapësire.
Skenat e dhunshme te policisë ia kishin ngjalle drojën ndaj përsëriste here pas here thënien: “Pritma zot sherrin e tyre”! Po deri kur mund ta ruante Zoti një tregtare fidanësh qe shiste pran dyqaneve te tjerëve fale bujarisë se tyre!?
E diela kishte qene e zeze për Latifen. Ne fund te trotuarit u shfaqen tre police qe ecnin me një hap te rende prepotence. Njeri i kishte mustaqet porsi një kaçube mbi një shpellua dheu, kapelën e mbante thuajse picingul me qiellin, barkun e dalur përpara e vështrimi i ngjasonte atyre syve te zhabave qe llakaçiten neper kallamat buze kanaleve te baltosura. I dyti disi me i hajthem nga trupi, me shpatulla te kërrusura, kapelën e mbante me strehe poshtë saqë i bënte hije deri tek quku i kërthizës, me vështrim e kakarisje prej bibani, shikim sallki qe i ngjasonte dy drejtëzave qe priteshin unçim, ndërsa i treti vinte i shkurtër nga shtati, trashaluq tip brumbulli ku pjesët e trupit i ishin tretur tek njëra – tjetra, hundëspec e gojemoçal, balleromb e vetullrruar, pistoletën e mbante ne një këllëf qe i varej deri tek skuta e gjurit.
Kalonin afër atyre tregtareve te gjore duke demonstruar shtetin, dikujt i bërtisnin, dikujt i jepnin urdhër ndërsa dikujt i godisnin me shqelma shishet e qumështit te cilat fluturonin ne anën tjetër te trotuarit, ndërsa dikujt tjetër i shkelnin ato tubat e rasatit te fidanëve plot mllef.
Duke pare këto skena, Latifja i mblodhi fidanët dhe u nis për tu fshehur bashke me to, por ç’e do sepse një thirrje ia këputi këmbët.
Ndal! Ndal! Kuçke, ku do te shkosh!? Apo kërkon t’ia hedhesh shtetit?
Me gjithë thirrjet qe e ndiqnin nga pas Latifja nuk ndaloi. Kaloi me hap te shpejt mes makinave, hipi mbi trotuarin e anës tjetër dhe doli pas pallatit te pare ne anën tjetër te rrugës. Ndërkohë edhe tre policet vrapuan me ngut. Ndaluan qarkullimin dhe me pistoleta ne duar dëgjoheshin thirrjet: Ku je futur moj ...? Do te gjejmë e pastaj ke për te pare se çfarë do te thotë me e shkel ligjin ne ketë vend! Rreth e rrotull kishte rene një qetësi e plote. Tregtaret e kishin ndal punën, po ashtu edhe blerësit ishin shtangur e po vështroni ketë skene. Drama e kohës dhe komedia e rastit ishin pleksur me njëra tjetrën duke dhuruar fragmente te absurdit.
Pas pak Latifja ra ne “kurthin e shtetit”. E rrethuar nga tre policet me pistoleta ne duar dridhej e tera si thupra ne ujë. Ne fytyrën e zbehte shquhej varfëria, ndërsa gjaku i ndezur ia kishte bere buzët mavi. Shikonte dhe nuk gjente fjalët për ti thëne.
- Te zumë moj polaçe – iu drejtua njeri nga policet.
- Mos fyej he te marroftë Zoti, sepse e fyemja është arme e te ligut.
- E di ti se ke shkele ligjet e këtij shteti?
- Po ç’kam bere unë e shkreta? Vetëm kam shitur fidanë te kopshtit tim për te mbajtur fëmijët jetime me buke. Ja kjo është e gjitha. E pastaj?
- Ty te duket pak kjo qe ke bere? E çfarë do te beje tjetër, do te shembje qeverinë, ti moj qurravine!
- Mos fyej pashe njat Zot si te ka fale kokën se nuk mundem me çue turp tek shtëpia!
- Hajt hidhi ato fidanë ne toke – e urdhëroj polic brumbulli.
- Mos aman mos, kjo është buka e fëmijëve, bile sot u kam premtuar se po i shita këto fidanë do u bej një dhurate me rastin e përfundimit te vitit shkollor me rezultate te mira. Me presin me dere hapur fëmijët e mi. Ju lutem!
Polic brumbulli iu afrua, ngriti dorën ta qëllonte dhe e urdhëroj për here te fundit: Hidhi te thashë!
Gruaja i hodhi fidanët ne toke ndërsa dy pika loti te ardhur nga udha u përpoqën ne mjekër. Tri figura u shëmbylluen mbi ta
Futen pistoletat ne brez. Ne dorën e majte mbanin kapelat ndërsa me te djathtën u jepnin flokëve përpjete. Dikush guxoi te thoshte: Ç triumf! Mjaftoi një shikim i tyre dhe ai i futi buzët ne grusht.
Pas pak doli Latifja. Vështrimi i saj vrau si plumbi. Qindra sy u rrezuan përtokë. Ne vendin ku po shiste zogjtë kishin lëshuar disa glase ndërsa një qyqe mbi një peme e kishte thekur zërin me tepër e jonet e saj kishin hy ne çdo shpirte tregtari te atyshëm. Dielli i mesditës dhe “pasbeteja” kishin dhuruar një heshtje varri.
Ne muzgun e mbrëmjes Latifja udhëtonte drejt shtëpisë ne krah te kundërt me diellin. Ne mendjen e saj shfaqej skena e kaluar e asaj dite dhe imagjinohej skena qe e priste ne darke. Eci përsëri e pushtuar nga ato imazhe derisa u shfaq shtëpia neper terrinën e natës. Dritare te hapura, dere e hapur dhe ne oborr katër hije te murrme nuk shquheshin mire midis trajtës njerëzore e grumbujve te dherishtes. Sapo dëgjuan çapat e se ëmës u ngritën dhe me një hop tete duar qarkulluan qafen dhe belin e dashurisë se vetme te tyre, nenën. Duart bosh dhe fytyra e përvuajtur e mbollën trishtimin ne faqet e buta te fëmijëve. Pluhuri i heshtjes e mbështolli cep me cep dhomën e skamjes.
Duart e fëmijëve e fërkonin pa pushim nenën e tyre. Akulli i zemrës u shkri, pastaj foli: Bijtë e mi nuk ua solla dhuratat sot pasi nuk arrita te shes as edhe një tub me fidanë. Ju do te thoni si ka mundësi, por e vërteta është se mi shkelen kuajt me thundra, ishin shume, s’kisha çfarë tu beja. Mos u mërzisni sepse nena do ta mbaje premtimin qe u ka dhëne. Përpara syve te fëmijëve shfaqen një kope me kuaj te ndërkryer qe kishin ngritur bishtin e kreshtat përpjete, hingëllinin, nxirrnin dhembet përjashta e shtypnin me thundra duke ngritur deri ne qiell tym e mjegull. Pasi dolën nga kjo gjendje djali i madh, Esati, tha: - Shyqyr Zotit qe ke shpëtuar ti!
Latfja u ngrit. Jeta ishte kthyer përsëri ne kraharorin e saj. Gatoi darken dhe pasi ngrënën u ulen te flinin. Ne sytë e saj hyri errësira por jo gjumi. Si gjithmonë mëngjesi e zuri ne kopshte dhe rrezja e pare e diellit me pare i puthi kurrizin se sytë. Ndërsa shkulte rasatin për treg fëmijët ishin zgjuar dhe e prisnin grumbull ne oborr te shtëpisë. Me fidanët nder krahë hipi ne oborr dhe i pyeti fëmijët se si kishin njeh. Mire, - ishte përgjigja e tyre ne grup. I vogli, Alia, i tha: Nëne sonte kam pare ëndërr.
- Hajri qofte! Po na e trego se si e ke pare?
- Mu duk sikur mbrëmë na kishe sjelle te gjitha lodrat e premtuara dhe i kishim hapur këtu ne truallin e dhomës, kur papritur hynë brenda një tufe kuaj dhe filluan ti shkelnin e ti shqyenin derisa nuk mbeti asnjë, bile gati sa nuk na shkelen edhe ne. Kaq.
E ëma i fërkoi kokën dhe u tha: Dëgjoni bijtë e mi, ata qe me shkelen fidanët ditën djeshme nuk ishin kuaj te vërtete, por ishin police qe marrin rroge te majme ne shtet. Unë nuk desha t’ua them kurrë pasi ju jeni te rinj qe te përziheni ne punët e shtetit dhe ne këto kohëra qe kane ardhur te mbin kasaveti tek dera e shtëpisë prej tyre.
Si, si? – reaguan te gjithë njëherësh.
- Tani ua shpjegova dhe nuk dua ta zini kurrë me më goje.
- Fëmijët heshtën, por kjo heshtje u thye nga lesoni, djali i dyte qe ishte është me i hedhuri ne muhabet, i cili tha: Ne ketë vend nuk jetohet ma!
- Mos thuaj ashtu biri im, sepse ti ndoshta nuk e din se paraardhësit tu tre breza radhazi kane dhanë jetën për mbrojtjen e këtyre trojeve te cilat ti po i përbuzë kaq kollaj.
- Po atëherë pse te na dhunojnë?
- Hesht tani thashë!
Sapo mbaroi kjo bisede ishte Esati qe lëshoi një pyetje si qielli i qëruar vetëtimën.
- Ty nuk te lenë nene qe te shesësh fidanët e kopshtit tënd ndërsa atje midis qytetit kur ishim me mësuesen ne ekskursion te gjithë shikuan se si ishte shqyer qendra e qytetit dhe ishte bere gropa sa një humnere e thelle e përmbi rrethimin me blloqe qe i kishin bere dukeshin kokat e vinçave e te fadromave njëlloj si kokat e kuçedrave ne përrallat qe na tregon ti. E pyetem mësuesen se çfarë po behej, por ajo rrudhi buzët sikur te kishte frike nga ndokush.
- E ëma u zu ngushte për t’i dhenë përgjigjen, ndaj zgjodhi rrugën me te shkurtër, urdhrin, duke iu gërmuar: Pusho!
Djali i trete, Myftari, i cili nuk e kishte hape gojën asnjëherë megjithëse mësonte me mire se gjithë te tjerët duket sikur nuk u përmbajt me dhe shpërtheu si burimi i nëndheshëm pas stuhisë.
- Nene, mësuesja e historisë na ka thëne se revolucionet kanë filluar gjithnjë nga te varfrit, sepse ndryshe nuk do ti fitonte kurrë te drejtat e tyre.
A është e vërtetë apo jo?
Latifes i zjeu gjaku, zemra i shkallmonte brinjët, sytë iu erren dhe bota iu rrotullua rreth boshtit te saj vertebral, por ndjesia se duhej te jetonte për ata qe kishte rrotull i fali ekuilibrin e plote. Lagu gojën qe i ishte thare me pështyme, shikoj katër djemtë qe i kishte rrotull dhe iu duken si katër kolona ku mund te mbështetej një kala e tere, nga sytë shpërthyen rreze ylberi dhe pastaj u tha: Harrojeni te gjitha këto çfarë thate, tani nena juaj do te niset për treg dhe mendshmen e Zotit sonte ne darke do t’ua sjelle dhuratat e premtuara. I puthi me radhe, i ledhatoj me parfum nene, mori dengjet me fidanë dhe u nis për ne tregun e qytetit.
Fëmijët e përcollën deri tek shtegu i oborrit. E përshëndeten me duar te ngritura lart e duke puthur qukat e grushteve ne emër te faqeve te saj.
Flladi i mëngjesit u shpupuriste flokët fillake ndërsa përmbi ferra anës rrugës kishin nxjerre koke disa lulëkuqe qe zgjateshin tujë lyp diellin.
LAZER KODRA
Kur kthetrohemi nga nostalgjia për “Armikun e Çlirimit”...
Në klimën e debatit mjeran dhe abuziv “të rishkrimit” të historisë kur mësova nga media e shkruar se ambasadori turk në Kosovë na sugjeruaka që historia e pushtimit osman në rastin tonë të mos konsiderohet si e tillë, ndjeva nevojën e reflektimit me një sens akoma më kritik ndaj librit “Shakaxhinjtë e Nacionalizmit” të publicistit Mark Bregu. Duke mirëkuptuar rishikimin, jo rishkrimin, e historisë si një aksiomë e shkencës historike m’u kujtua monumenti i Neronit në qendër të Romës, edhe pse dihet se në vitin 64 të erës sonë perandori romak, jo thjesht do të vriste dy apostujt e Krishtit, Shën Pjetrin dhe Shën Palin, në vargun e pafund të përndjekjeve, të burgosjeve dhe të vrasjeve të të krishterëve, por mund të thuhet pa frikë se krimet e tij s’do të njihnin shembull në botë për nga dozat makabre, tejet çnjerëzore:
Një ditë, kjo egërsirë me fytyrë njeriu, “do të bënte seks me nënën e vet për ta vrarë menjëherë pas kësaj”- nënvizon gjithë indinjatë Gaj Seton Trankuilit në librin e tij ”Dymbëdhjetë cezarët”(“Shqip”,21.06.2008). Dhe sikur të mos i mjaftonin të gjitha këto, brenda një nate do të digjte edhe Romën.
E megjithatë monumenti i njërit prej diktatorëve më të zinj të njerëzimit – Neronit - vazhdon “të hijeshojë” në mes të Romës, si dëshmitar autentik i njërës prej faqeve më të errëta të perandorisë pagane romake, pa aluduar njeri ta lëkundë hijen e rëndë të Tij, kur tek ne idiotërisht diskutohet denigrueshëm, si nonsens historik, shkatërrimi, në rastin më të freskët, i një vepre arti sui generis si ajo në ballë të Muzeut Historik Kombëtar - dëshmi autentike e Socrealizmit...
Kështu “shakaxhinjtë tanë të rishkrimit të historisë” një “reminishencë” me librin “Shakaxhinjtë e Nacionalizmit” të Mark Bregut na intrigojnë në një sens kritik ndaj mjerimit filozofik që synon të mbjellë “intelegjenca” e trutharëve të nacionalizmit anakronik apo të moderacionit të shtirur duke luajtur mjerisht me sensin e munguar kritik të të menduarit të një populli si yni, i cili shpesh herë të vërtetën e ka pranuar në frymën e kultit të të parit: në familje, në fis, në bajrak, në parti, në pushtet e te tjera, shkurt si ekskluzivitet, si fjalë tabu, si fjalë të Zotit, duke kompromentuar kështu thelbësisht të vërtetën si produkt i diversitetit, derivat i injorimit të sensit modern të dyshimit..
Duke iu referuar librit “Shakaxhinjtë e Nacionalizmit” të bie në sy gjakftohtësia e analizës përballë duambabizmit, si nacionalizëm i thërpyer sa brenda llojit të vet, sa me kultkonjukturën moderne, shkurt si sjellje filozofike dalë boje në shekullin e ri. Çka e arrin falë shmangies së kompleksit të inferioritetit, jetike në arenën e debatit publik, i nevojshëm dhe i shëndetshëm në një vend demokratik, edhe pse Bregu publicist ndodhet përballë një ish - diplomati, si Baleta, zotërues i 4-r gjuhëve të huaja, fatlum gjatë regjimit komunist, pa dashur të paragjykojmë zbritjen e tij përrallore nga malet drejt selive të vlerave universale, si OKB-ja, shans që s’do ta refuzonte asnjë shqiptar i ndershëm dje.
Kështu të anatemosh Bregun, nga kompleksi i superioritetit, siç vepron një ish - diplomat karriere si Baleta, për katolicizëm, kur debaton mbi të ashtuquajturin nacionalizëm shqiptar, aspak “produkt” i asnjërës prej feve, po aq i “të gjithave” së bashku në vendin tonë, do të thotë të injorosh me vetëdije pasojat injoruese të çështjes nacionale shqiptare të kompleksit evropian mbi Shqipërinë si “Turqi e vogël” ... pasoja ndoshta pa limit, po aq të mos arrish të kuptosh asgjë nga përvoja e “SH B A që me politikën e tyre të hapur, duke lejuar ekzistimin e së drejtës për kritikë, madje, edhe të dogmave të shenjta të relegjionit bazë kanë zgjeruar pandërprerje hapësirën e lirisë së mendimit, rrjedhimisht edhe të besimit” siç shprehet shkrimtari dhe filozofi A. Xhaferri.
Sa mjerane qëndron kjo sjellje ndaj një qytetari të besimit tjetër kur kujtojmë se “Bashkësia Islame në mënyrë energjike e të sinqertë u ngrit kundër fanatikëve që në emër të fesë po shkelnin mbi Shqipërinë duke e shpallur Nënë Terezën si vlerë të saj në traditën e madhe emancipuese të Bashkësisë Islame të kohës së Zogut” (Kadare “Identiteti evropian i shqiptarëve”, fq.55), çka u konkretizua me vendimin bashkiak për vendosjen e shtatores së shenjtores shqiptare në mes të Shkodrës.
Pa dashur të hyjë në detaje për pushtues e perandori të ndryshme, të cilat kanë pasur të njëjtin thelb, atë të pushtuesit për interesat e veta, aspak për të mirën tonë, kur shtrohet dilema pse shqiptarët e ndërruan në shumicë fenë, çka boshnjakët e kishin realizuar 1OO vjet para tyre, atëhere, siç thekson A. Xhaferri, “përgjigja duhet kërkuar në raportet e Bizantit(e ortodoksisë) dhe të Vatikanit(të katolicizmit) me Perandorinë Osmane, e cila pasi pushtoi kryeqendrën e Ortodoksisë, Konstandinopojën - Bizantin”, (1453) dhe një pjese të madhe të territoreve të saj, arriti të qeverisi aq gjatë në atë hapësirë, vetëm falë marrëveshjes me patriarkun e Konstandinopojës, Genadin, (“të cilin Mehmeti II, e gradoi pasha dhe me dekret të veçantë njohu atë dhe pasuesit e tij si krerë shpirtërorë dhe civilë të të gjitha bashkive ortodokse. Ndryshe, shtet brenda shtetit”(S.Dako “Biografi e pashkruar”, fq.7)
Kështu ortodoksët do të ndjeheshin më të privilegjuar se katolikët mbi të cilët trysnia për konvertim qe shumë më e madhe nisur nga fakti se Perandoria Osmane nuk arriti asnjëherë ta sundojë hemisferën përendimore krishtere me qendër në Vatikan, kurse, të vetmit katolikë që mbeten në këtë zonë të Ballkanit Jug-perëndimor qenë shqiptarët e zonave malore të pashkelura si Mirëdita.
(Jo rastësisht do të shprehej më vonë Konica “shumë Mirëditë për pak Shqipëri” shën.im). Asnjë sundues nuk ka lejuar që brenda territorit të sundimit të tij të ekzistojë dualizmi i juridiksionit. Siç dihet kishat katolike tregonin luajalitet ndaj Vatikanit”-definon A. Xhaferri.(Gazeta Shqiptare,16.05.2008)
Nga ana tjetër të pretendosh se “paraardhësit tanë qenë me fat historik të jetonin nën sundimin osman gati 500 vjet” apo të pranosh, se “ata që u konvertuan në myslimanë ishin mëkatarë” nga kushdo qoftë e thënë, të vjen keq, jo për pasaktësinë e padiskutueshme, kur po përjetojmë konvertimin kaq aktiv si një sjellje moderne, pragmatiste të shqiptarëve sot, në Perandorinë e Tregut, por për autorësinë e dy versioneve që frymëzohen njëra nën kompleksin orientalist të “Baba Dauletit”, tjetra nën kompleksin modern të konjukturës - si shprehje e nostalgjisë ndaj “Armikut të Çlirimit”- duke konfonduar progresin natyral të një populli viktimë deri dje, bijtë e të cilit, jo vetëm që nuk trajtoheshin as si nënshtetas turq në Perandorinë Osmane, por “Fuqitë e Mëdha e panë më të udhës që t’i shpërfillnin, t’i braktisnin, qoftë për t’i zhvatur, qoftë për t’i dhënë si monedhë këmbimi tek ai që kishte kërkesë të fortë ose atij që jepte çmimin më të mirë, apo më të shtrenjtë në tregjet ndërkombëtare” (M. Aref “Shqipëria-Historia dhe gjuha” fq.159).
E në se i referohemi aktualitetit shohim mjerisht që, me gjithë begraundin elegant të një populli si yni, pasardhës i pellazgëve hyjnorë,( të konfirmuar në këto troje së paku 6 - 3 mijë vjet p.e.re, sipas shkrimtarëve antikë grekë), jemi i vetmi zë, i vetmi komb që i kërkohet përsëri të sakrifikojnë për të Tjerët - në emër të Altruizmit modern -, të pres përsëri nën ekstazën e kultit modern të doktrinës realizimin e vetvehtes në një të ardhme Gjithëpërfshirëse pa limit – “novacion” dhe “altruizëm nacional” që nuk i kërkohet asnjë kombi tjetër në glob, vetëm shqiptarëve të rindarë edhe pas pavarësisë kushtetuese të Kosovës, si gjithnjë, në 5 shtete me kufinjtë e tokës amë.
Popujt që nuk dinë të dyshojnë, jo të negativizojnë, jo thjesht nuk kanë të Ardhme, por për hir të së vërtetës nuk e meritojnë atë, nëse realisht kemi vetëdijen, siç shprehej Naimi, poeti ynë kombëtar, se jemi banorët më të vjetër të kësaj Evrope, madje në djepin e qytetërimit të saj, në se sinqerisht duam t’i shpëtojmë kurthit të sloganeve izmatike, si deri dje, pavarësisht lukut të tyre modern.
Truthartët e nacionalizmit të kapërcyer, apo të thërpyer me kultkonjukturën - si shprehje e totalitarizmit modern - s’është çudi që ndonjë ditë t’i kërkojnë llogari si mëkatar edhe Konstandinit të Madh, perandorit romak, pagan, ilir, që 695 vjet më parë udhëhoqi konvertimin e një perandorie të tërë në të krishterë, apo Justinianit, po ilir, perandorit bizantin, i cili, rreth vitit 635 të erës sonë, sipas Jordanesit, ka ndihmuar në tërheqjen e pushtuesit “të pritshëm” serb të trojeve tona duke ftuar sllavët për ndihmë kundër hordhive gjermanike në Itali e gjetiu. Serbët me këtë rast në vend që të luftonin gjermanët u kthyen në pushtues të tokave bizantine, taktikë që do të inkurajonte prologun okupues serb të Kosovës nga shekullit XIII.(Mateus Aref vep. cit., fq.21O).
Me shumë interes, në librin në fjalë, nisur nga thelbi i tij abuziv është koncepti mbi “Vonesën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë” që e paska sjellë konvertimi në myslimanë (edhe pse realisht qe “shumë larg përpjekjeve për një uniformitet të dhunshëm fetar si: ai spanjoll kundër myslimanëve, ai frances me Luigjin XIV kundër protestanëve, që nga historianët konsiderohet si krim, apo ai anglez gjatë 3OO vjetëve kundër çifutëve, ku u dogjën njerëz në zjarr dhe ku përndjekjet fetare, si gjueti shtrigash, u praktikuan gjërësisht”(Antonina Zheljaskova “Përhapja e islamizmit...”-fq.194-195”).
Pohim mjerisht mjeran, deri në skaj, kur kujtojmë se Egjipti, Siria, Libia, e tjerë kombe myslimanë do të ishin të parët që shpallën pavarësinë nga Perandoria Osmane, pa injoruar edhe “kontributin” e interesave totale, aspak për hatrin tonë, të perandorisë austro-hungareze, ku ne bënim pjesë, përballë epërsisë, domenit rus, që kërkonte me çdo kusht daljen në Mesdhe, çka do të kalonte “patjetër” në kurriz të shqiptarëve: Kosovarëve, malësorëve, ulqinakëve, dibranëve dhe çamëve që Aleanca e përzemërt - Antanta do t’i ndante nga trungu amë që në fillimet e shekullit XX.
Njëherish nuk më bind argumenti që sjell Blushi (ky publicist dhe politikan sui generis, i kalibrit rreptësisht modern ) në “romanin” e tij “Të jetosh në ishull”, fq.56 se “shqiptarët nuk dinë të zgjedhin dhe ç’është më e keqja nuk dinë të mbrojnë atë që zgjedhin dhe akoma më keq e tradhëtojnë shpejt atë që zgjedhin”, përballë konfirmimit se dobësia e vonesës sonë historike si shteti i pavarur lidhej jo me fenë apo përshtatjen me atë që sundon kalanë në këtë rrafsh, por me faktin se “institucionet tona fetare nuk ishin kombëtare”(prof. dr. K. Frashëri “Nderi i Kombit”, Gazeta Shqiptare, 6.09.2008)
Aq më bindëse bëhet kjo kur kronikanët osmanë të shekullit XIV-XVII shqiptarët i cilësojnë si “rebel dhe të pa fe, madje të lindur vetëm për kryengritje”.
Nga ana tjetër duhet pohuar se shqiptarët si pragmatistë në gen “ditën” të përshtaten(as më pak, as më shumë, por plot “25 sadriazema, kryeministra, madje sulltan Selimi I dhe sulltan Sulejmani e shijuan nga 5 herë këtë post, 35 Vezirë të Mëdhenj si dhe më shumë se 1OO Mjeshtra të Mëdhenj të jeniçerëve qenë shqiptarë nga origjina gjatë 3-4 shekujve të fundit të sundimit osman, nënvizon Sami Frashëri në veprën e tij “Personalitete shqiptare...”, fq 15) në rrethanat e realitetit perandorak global osman, i cili kurrësesi nuk do të arrinte të shteronte identitetin shqiptar, aq mirë kur dihet prirja jonë pagane e shprehur në besimin ndaj “Orëve”, “Zanave”, “Diellit” “Hënës”, ”Kuçedrës” apo “Dragoit”, po t’i referohemi Gjeçovit. “S’e kam parë Perëndinë, / Shoh ngaherë dashurinë”, shprehej Çajupi.
A nuk e shprehin për mrekulli moskokëçarjen, sekularizmin tonë, për fenë vargjet e këngës popullore, aq të preferuar mes nesh, si popull me shpirt artisti: “Sa të jem gjallë, / ti shpirtin falma, / Se kur të vdes,/ ti varrin kallma”.
Madje po t’i referohemi Edit Durhamit thuhet se “Papa Pauli II në vitin 1464 e shkishëroi Lekë Dukagjinin për kanunin e tij jokatolik”(Brenga e Ballkanit, fq. 118).
Me shumë të drejtë Bregu i referohet thënies së Nolit: “Në Shqipëri ka 4-r besime që nuk kane zënë rrënjë në zemrën e këtij populli pagan”. Në këtë vështrim “Vonesa shqiptare për Shpalljen e Pavarësisë” nuk qe derivat i fesë islame, por i alergjisë së Fuqive të Mëdha Evropiane ndaj kësaj feje, krahas lakmisë grabitqare kurdoherë ndaj trojeve tona.
Do të krijohej kështu, nënvizon prof. dr. Kristo Frashëri “Nderi i Kombit”: “aleanca midis koncepteve politike dhe ideologjike osmanishte të Portës së Lartë dhe platformës së “Megali idesë”, që domosdoshmërisht të çonin në mohimin e së drejtës shtetformuese të shqiptarëve si komb me shumicë myslimane, siç paralajmëronte ideologu i shquar i Rilindjes sonë Kombëtare, Sami Frashëri, shije që po kaq mjerisht, sado e sofistikuar, gjallon deri në ditët tona.
Duke iu referuar librit “Shakaxhinjtë e Nacionalizmit” të Bregut, kur kujtojmë thënien e Konicës: “Shqipërinë do ta hanë shqiptarët”, edhe teksti i shprehur nga Princ Vidi “më kanë dërguar për t’iu bashkuar, jo për t’u ndarë”, drejtuar Ismail Qemalit, lidhur me kantonet shqiptare vjen si sentenca më e goditur përmes së cilës mund të transkriptohet në esencë komunikimi i këtij të fundit me princin evropian.
Është pikërisht ky thelb që e detyronte diplomatin e urtë të insistonte në vendosjen patjetër të një përfaqësuesi ndërkombëtar që të siguronte paprekshmërinë e kufinjve shqiptarë të 1913-tës, pas dorëheqjes së tij të detyruar përballë rolit tradhtar dhe antishqiptar të Esat Pashë Toptanit dhe lëvizjes fshatare të Haxhi Qamilit, një precedent i njohur edhe në Francën e 1793-shit, kur në emër të monarkisë do të kërkohej shkatërrimi i fitores së Revolucionit Demokratik Borgjez - një vlerë universale. Duke iu rikthyer “Vonesës shqiptare të Shpalljes së Pavarësisë”, është interesant fakti: Në vitin 1621, kur procesi i myslimanizmit kishte marre përmasa të papara, Budi i drejtohej kardinalit Gazzadino në Romë: “Shqiptarët e krishterë në marrëveshje të fshehtë me ata myslimanë po përgatisin një kryengritje të armatosur kundër zgjedhjes osmane”.
Bregu në librin e tij shkruan plot respekt të merituar, për brezin e B-ve të Mëdha të shqipes si: Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani e Biçikemi. Padyshim ata ishin dhe mbeten,- larg çdo sentimentalizmi religjioz –, llogari personale e kujtdo që i pëlqen kjo “sjellje”, humanistët e mëdhenj shqiptarë me përmasa evropiane( kur Porta e Lartë s’lejoi të hapeshin jo vetëm shkolla shqipe deri në 1887-ën në Shqipëri, por as shkolla turke), por Jo heronjtë përballë një perandorie multietnike, ushtarake, moderne aq të fuqishme si ajo Osmane. Një Mesjetë vërtetë brilante!
Vetëm në ketë kontekst ata duhen parë dhe vlerësuar si formacioni në thelb elitar arbëror, ndryshe do të ishin “prehur” pranë mjediseve të Vatikanit dhe jo të jetonin deri në shpella, si në atë të Rrjollit të Malësisë së Madhe, ku i madhi Bogdan do të kalonte rreth një çerek shekulli të jetës së tij. Madje “kur vdiq, pasi mori vajin e bekuar, të shenjtë, nga një jezuit gjerman, u varros në xhaminë “Perandorake”të Muratit I (Fatih Xhami), të cilën austriakët e kishin shndërruar sakaq në një kishë të cilën ia kishin kushtuar të shenjtit jezuit, Fransis Ksavieri”(Noel Malcolm, “Kosova - Një histori e shkurtër”, fq.157).
Mjafton të kujtojmë aktin tejet domethënës, brilant, nolian kur nën veladonin e një kleriku ortodoks, rrihte zemra e një patrioti të madh, po aq e një ateisti të deklaruar në fillimet e veprimtarisë së vet (R.Qose “Shkrimtarë dhe Periudha”, fq.254), i cili për motive të pastra patriotike, tejet largpamëse, do të themelonte 1OO vjet më parë, në Boston të SHBA Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare për të shpëtuar shqiptarët dhe Shqipërinë nga kthetrat grabitqare moderne të ortodoksizmit shovinist grek.
Ndërsa lidhur me figurat madhore si: Koliqi, Mithat dhe Mehdi Frashëri autori i librit nuk duhet ngurronte në analizën e tyre kurdoherë si figura madhore komplekse, të cilat krahas meritave substanciale si gurthemeli tashmë në panteonin tonë si komb patën edhe kontradiksionet e veta në kontekstin historik të njohur botërisht, duke mos i shpëtuar përmbajtjes së strategjizmit tragjik të kolaboracionizmit shqiptar, që shpresonte pa sens tek fuqitë autoritariste pushtuese, Italia dhe Gjermania, për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare.
Sikur komunizmi shqiptar nën trysninë e interesave ngushtësisht partiake, ideologjike do ta rriste disi artificialisht konfrontimin brenda vetes kur kujtojmë se mjaft nga nacionalistët në vitet “39 – “44, plot pasion për çlirimin e atdheut nga nazifashizmi, vinin nga auditorët evropianë dhe jo thjesht luftuan, por u bënë pjesë e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar shqiptar, duke definuar mjerisht si pjesë e të masakruarëve pas dhjetorit 1945, edhe pse Kushtetuta Shqiptare deri në vitin 1955 e njihte pluralizmin me ligj.
Tejkalimi i masës me “Mukjen” apo “Mukja” e kthyer në kompleks nga komunizmi shqiptar si dhe naiviteti politik i nacionalistëve duke bashkëpunuar me pushtuesit dhe qëndruar në pritje të zbarkimit të Aleatëve gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, komprometuan rrënjësisht të nesërmen demokratike të Shqipërisë. Kurse nacionalistët si forcë politike shteruan së brendshmi. “Nuk ka shqiptarë budalla të mos e kuptojë se ballistët vdiqën, kur bashkëpunuan me fashizmin”- i shkruan Noli, Mithat Frashërit. Madje hijet tragjike të kësaj strategjie, si peng i progresit demokratik, do të shtriheshin deri në ditët tona, me synime të pastra manipuluese, duke deformuar për llogari të pastra partiake faktin e pakontenstueshëm historik se: “Përgjegjës për vendosjen pas Luftës së Dytë Botërore të regjimit komunist në Shqipër, siç thekson akademiku Kristo Frashër “Nderi i Kombit”, nuk janë dy emisarët jugosllavë, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, por qarqet nacionaliste, ballistët dhe legalistët, të cilët u zvarritën me taktikën e tyre të kompromisit, në fillim të heshtur, pastaj të hapur me kolaboracionistët në pritje të zbarkimit të forcave angloamerikane në brigjet shqiptare”{“Historia e Lëvizjes së Majtë në Shqipëri dhe e Themelimit të PKSH.1878-1941”, fq.273}
Nga ana tjetër Perëndimi, jo vetëm nuk do ta njihte Zogun në mërgim me taktikën “as ngrohtë, as ftohtë me të”, por po aq për absurd, nën trysninë staliniane nuk do të përfshinte Shqipërinë brenda vetes, edhe pse komunistët shqiptarë si ata grekë udhëhoqën me vendosmëri dhe pa asnjë kompromis fitoren mbi nazifashizmin si pjesë e strategjisë së koalicionit botëror antifashist. Kjo edhe pse dihet se Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare nuk pranoi asnjë këmbë ushtari të Ushtrisë së Kuqe në tokën shqiptare gjatë përballjes 5-vjeçare me nazifshizmin, siç nënvizon albanologu i shquar gjermano-amerikan Bernard Fisher.
Në këtë aspekt, nga studiuesit tanë, nuk duhet hedhur baltë si qellim në vetvete ndaj këtij kontributi të shkëlqyer ku kanë pjesën e vet edhe mjaft nacionalistë të ndershëm, me vizion evropian mbi të nesërmen demokratike të shqiptarëve, siç veprohet shumë herë nën trysninë e antikomunizmit si kompleks. Në ketë kontekst yshtjet me artifice të llojit “Kristianizmi” apo “Islamizmi”, si gricje artificiale, në faqet e këtij libri, ngado që të vijnë janë në dëm të çështjes sonë kombëtare, në tërësi ende të pazgjidhur, edhe pse aktualisht kanë rënë defakto poshtë të gjitha protokollet evropiane, ndryshe tetë të tilla, që na ndanë kaq dhimbshëm në pesë shtete.
Shihni o trutharë të nacionalizmit “origjinal” shqiptar! Kur shtrohet çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës, OKB-ja islamike, ndryshe Lidhja Arabe,(ku jemi edhe ne anëtarë nga viti 1993) deri në këtë moment mbi interesat islamike di aq bukur dhe me aq dinjitet të vërë interesat kombëtare duke mos e njohur shumica e vendeve anëtare të saj Pavarësinë e Kosovës. Dhe do të ishte injorancë të vepronte ndryshe - koshiente se koha e dogmave dhe e mallit për to mbaroi...
Kurse lidhur me kontenstimin ndaj simbolit tonë kombëtar, shqiponjës në flamur, problem që zoti Bregu ngre në këtë libër, kam idenë se i shkon ky shpend, i etur për të rrokë hapësirën natyrore, stërnipave të ilirëve. Ilir do të thoshte i lirë, një popull vazhdues i pellazgëve hyjnorë, i cili nuk kurseu asgjë në emër të të qenit i lirë, popull me një kualitet të lartë të shpirtit sipas Pauzanias. Madje, sipas studiueses Elena Kocaqi, “skeptri që mbante Zeusi në dorë, e ka origjinën nga shqipja, sepse ai paraqiste një kokë shqiponje, pra skeptri është sqepi si i thuhet në gegërisht.(“Roli pellazgo - ilir në krijimin e kombeve antike evopiane”). “Shqiponja në flamur bëhet edhe më e pranueshme për dy arsye tejet thelbësore:
E para, “flamuri ynë kombëtar, me shqiponjën dykrenare në mes, është më i vjetri në Ballkan, ndoshta mbi 5OO vjeçar, kur asnjëri prej flamujve të fqinjëve tanë nuk i kalon 15O vitet.. Këtë Flamur të Skënderbeut të harruar për 4-5 shekuj nën sundimin osman, e rizbuloi shkollari i ri, Faik Konica duke e vendosur në një bibliotekë latine”, për t’ia rikthyer kështu memories sonë kombëtare, do të shprehej Noli në dhjetor 1942, ditë në të cilën me këte flamur do të mbulohej edhe arkivoli i Konicës, rizbuluesit të tij, në Boston të SHBA.
E dyta është e drejta e patjetërsueshme e shqiptarit për ta parë njëherë faqe shekullit, plot frymëmarrje brenda vetes, nëse duam të shprehemi si njerëz të lirë, Nënën tonë të Madhe – Shqipërinë e Vërtetë, jo këtë Artificiale, të simbolizuar botërisht përmes këtij flamuri. Cili djalë nëne në botë nuk do të shenjtëronte simbolin e nënës vet, po aq do të dëshironte ta shihte nënën e vet të gjymtuar apo të cunguar krahësh tërë jetën, \siç po ngjet kaq breza me ne, shqiptarët?!?!?!
Në këtë vështrim mendoj se funksionon bukur në thelbin e vet fatit tonë tragjik simboli ynë kombëtar, me shqiponjën dy krenare në mes, me shpresën e madhe se tashmë, shekulli i XXI do të jetë shekulli i shqiptarëve, realizimi i vetvetes brenda Hapësirës sonë Natyrore, jashtë kthetrave të Artificialitetit, që koincidon aq bukur me “objektivin” e shpendit tonë gati magjik dhe mistik, si një simbol brilant, krejt origjinal, në intenerarin e një realiteti global integral që aspirojmë.
Kurse emrat: Ujk, Luan, Skifter, e të tjerë si këta, mendoj se duhen lexuar falë prirjes gjenetike pagane të albanëve, shqiptarëve të sotëm, që fenë kurrë nuk e ndjenë si komponent themelor, por plotësues në spiralen e jetës drejt realizimit të vetvetes. “Shqiptari mbetet shqiptar. Edhe kur duket se u nënshtrohet rrethanave e bën këtë për t’i detyruar rrethanat t’i nënshtrohen atij. Krishtërimin nuk e ka marrë kurrë seriozisht, por edhe islamizmi me ç’duket nuk është futur si duhet. Shumica e njerëzve s’e vrasin shumë mendjen për fenë”(E.Durham vep.cit. fq.45)
Madje mjafton të kujtojmë se pellazgët shenjtëruan lisin, drurin, me fenë e tyre druide, ilirët Diellin, si perëndi e tyre, siç respektonin gjarpërin(sot nderohet si ora e shtëpisë), sikur ne vazhdojmë të nderojmë, bie fjala, Ditën e Shëngjergjit, si festë pagane për të gjithë, pa dallim besimi, kur dihet se nuk ka ekzistuar ndonjë shenjt me emrin Shëngjergj.
Kur policia malazeze, natën e votimit për Pavarësinë nga Serbia të Malit të Zi në 2OO6-tën, po masakronte një familje të besimit katolik duke i thyer mes tjerash edhe një portet në allçi të Adem Jasharit, kryefamiljari shumë i fyer në shpirt e mësyn me fjalët: “Mos bre se ky asht bash Jezu Krishti im”- shprehet Kadare.
Gjithashtu, në librin në fjalë, konsideracionet e tipit “vëllezërit e tu selinë e kanë në Vatikan”, apo “Hordhia e harlisur e Vatikanit” vijnë jo thjesht si mungesë etike, por si mungesë e plotë dinjiteti në komunikim, kur në kodin e një diplomati ekuilibri i shprehjes është parim i njohur i xhentilencës diplomatike, aq më tepër në rastin e një diplomacie publike për të amortizuar një problem të caktuar, larg kompleksit “të reciprocitetit”, në rastin konkret.
Ne jemi të gjithë shqiptarë, shumë pak për t’ia dhuruar njëri-tjetrin dikujt tjetër. Le ta pranojmë siç jemi vetveten duke kultivuar diversitetin në emër të rikonfirmimit tonë si komb me vetëdijen se vetë qenia njerëzore nuk është kurrë puritane.
Duke u ndalur ne përformancën e librit, njëri ndër kriteret e cilësisë së botimit, mund të themi që libri është mjaft i realizuar duke filluar me formatin, madhësinë e shkronjës, cilësinë, peshën e letrës dhe kolorin e faqes, sidomos kopertinës sëbashku me ikonën përkatëse, e të tjera, falë këto punës serioze të botuesit, i cili duhet përgëzuar.
Mjaft sinjifikativ është sipari i librit me sentencën sokratike në mbrojtje të së vërtetës dhe po aq mbyllja e librit me sentencën e viganit tonë liberator, “Heroit të Popullit” – Luigj Gurakuqi:. “Vetëm një qellim i nalt te ban me durue, / e zemrën ta forcon, / nder kundërshtime s’vyen kurrë me u ligshtue, / mjer ai që s’qindron!”, mbi qëndresën në emër të kësaj të vërtete, që përbën lajtmotivin e librit “Shakaxhinjtë e Nacionalizmit”. Bregu me librin në fjalë na dhuron një publicistikë që ka merita për stilin, tematikën me tehun e saj stigmatizues ndaj orientalizmit të kapërcyer apo kompleksit të moderacionit që investon çdo ditë në injorimin e vlerave tona më të mira të traditës .
Megjithatë, këto vlera do t’ia ridimensiononte një redaktim profesional, i cili “s’kapet” dot, mungon, qoftë edhe thjesht si një korrektim gjuhësor e letrar, shprehje kjo neto e abuzimit të shtëpive botuese.
E gjithësesi libri në fjalë na afron një publicistikë që meriton vëmendje për sensin kritik të problematikës që bën objekt të saj, kur fjala si krizë, vizioni mjeran filozofik nën kthetrat e nostalgjisë për “Armikun e Çlirimit” do të thoshte Konica, dje si kult i totalitarizmit klasik, sot si totalitarizëm modern synon të kulmojë sipas frymës së “parcelës”, apo sipas unit të të parit - bajraktarit modern - në ballë të atij që e thërret Sovran dhe e ndjen si Turmë, vërdallon rreth nesh si skllavëri mendimi, si idolatri moderne apo si kulti i Njëshit. Kështu, publicisti në fjalë, përmes këtij libri sikur na thotë: “Mos harroni se historitë nuk do te shkruheshin kurrë, nëse nuk do të ekzistonte bindja kategorike se ajo që harrohet apo injorohet në rrugëtimin e dhimbshëm të popujve, mund të përsëritet”.
KADRI UJKAJ
KANGA JOTE KURR NUK VDES
( Peng nderimit, kushtue “Artisti Martire” – Gac Çunit)
Buza te rreshkej nga pisku i vapes,
duart te ngrinin n’acarin e dimrit,
por kurr nuk u shue zani i kitares,
se tingujt e saj dhe akullin shkrinin.
Mbi “tasta” t’kitares ke thure melodi,
tingujt e nji kange qe kurr s’do t’vdese,
sfidon torturat ne t’errtat qeli,
ndaj, Shkodra ne mote te ruen n’kujtese.
Jo, kurr nuk vdes, Ti, as Kitarra,
as’ tingujt e ambel qe percolen telat,
ne çdo rrugice, do t’kumboje serenata,
rinia, p apra do t’ kendojne- “Kaçurrelat”.
P S: Jane qytetaret e rije qe ju kujtojne të vjeterve, se si duhet respektue shpirti i nji Artisti te Madh. Kete “trokitje” ne portat e ndergjegjes qytetare dhe atyne pushtetare, e kemi nga njeni prej qytetareve ma te rije, ma te ndjeshem dhe ma koshient, - poetit dhe publicistit te nderuem, - zoti Lazer Kodra. Nga shkrimi i tij: “Gac Çuni akuze per dy kohera”, mora frymezimin per te shkrue k’to vargje modeste. I baj thirrje “muzes” se ndonji kompozitori per t’i kthye ne kange. Ndersa, keshillit te bashkise se qytetit, i apeloj, qe ne rastin ma te volitshem, te shpall, “Artistin Martire” – Gac Çuni – “Krenaria e Qytetit – Shkoder”.
MARK BREGU
SHKODRA
Qyteti im!
Nga një parvaz i hekurt i dritares
së një fshati të vogël
të vërej tek vozit me barkën tënde
të shkatëruar nga kohërat.
Në akuariumin tënd janë hedhur peshq
të marrë nga ujra të huaja,
e rryma e rrëmbyer ujore
ndikon mbi relievin tënd;
e ndërsa ti kaq naive
mbulon gjithë pllajën e tokës mëmë
Lavdia shekullore zbret ngadalë
e mbyllet brenda mureve të kalasë,
nga atje lart të shikon se si je shtrirë
pranë këmbëve të saja.
Pëllumba të bardhë…
që shkojnë e vijnë nga shumë larg
me një fletë bliri në gojë
duke treguar se diku kanë gjetur një copë tokë.
Zogj të rinj me cicërima malli
Sillen e vërviten nëpër ajrin e qiellit tënd
Dhe ikin duke të lënë përsëri.
Rini që dëfren me moskokëçarje
duke thurur nota moderne
që prekin ballkonin e një realiteti sipërfaqësor;
dhe atëherë mërzia madhështore
bëhet padroni i vërtetë i qytetit tim
Fati i tij saj është bërë vete djalli
duke ia fshehur diellin atyre
që duan të thurin pëlhura të bardha
për të qëndisur të vërtetën..
Duke kaluar nëpër trotuarin tënd
filloj të numëroj gjethet
dhe shoh shumë prej tyre të rëna.
Një gjethe që desh e shkela padashje
Kish të shkruar “ Kujdes o Shkodër!”
Kush e kishte shkruar nuk arrita ta njoh
Ndoshta ishin ca peshkaqenë pa dhëmbë
Që ia kanë marrë qytetit tim për ti vënë për vete..
Shkodra!
Qyteti im!
Shtrihesh në zbrazëtinë e Veriut
dhe rri ulur mbi karrigën tënde të lashtë
Banorët e tu janë të pezmatuarit
“Qytetarët shkodranë”
dhe i shpalos si një çadër
që të kesh mundësi ti lirosh
nga këllefi i saj.
Një vlerë shkëputet
duke rënë si një trup i zabtuar politik
e që ngrihet kundër jetës së vet.
Dhe neve na hajnë grushtet
tek të shohim të kacavjerrë si një lule
që i ka hedhur rrënjët aty - këtu
ndonjë mbin edhe midis gurëve..
Njeriu e ka të vështirë të ngjitet
Por që zhurma e lashtësië së kalasë
oshëtin ende nga puna e tre vëllezërve
me mijëra mundime e ndarje,
mbuluar me petkun e harresës
me një klithje të një dialekti të humbur,
të cilët po e braktisin
në kërkim të një të panjohure të paditur
Por, pra, o njerëzi e Shkodrës
s’është as sekret, as, nuk jam vetëm unë dëshmitare
se ky mur i ngurtë e i gjallë i epokës
bashkë me gjurmët e saja
përbën djepin e historisë shkodrane!
Prandaj O qyteti im Shkodër!
Gjalloje këtë mur!
Mbaje dhe ngreje edhe më lart zërin e lavdisë tënde!
Mos bjer pre e kohës vigane!
Suela NDOJA
GAZETA “CONTACKT” GËNJEN
Rastësisht më ra në dorë kjo gazetë e muajit qershor-2008 me numër 6 (32). Në faqen 7 të saj duke germëzuar me demek për zhvillimin e turizmit në Theth, një farë ARBEN CENI ose “ARBEN CENI”, duke vënë inicialet e emrit tim, gënjen me të gjithë kuptimin e fjalës, sepse:
Unë nuk njoh asnjë Arben Cen e jo më gazetar, për të cilin jam interesuar dhe nuk kam gjetur njeri që ta njohin. Ky interesim do të vazhdojnë.
Gënjen sepse nuk i kam dhënë asnjë informacion, as nuk më ka takuar as njeri për probleme të tilla nga kjo gazetë.
Gënjen sepse ky germëzimi nuk do t’i sjell asnjë përfitim material, pavarësisht nga dëshira e tij.
Gënjen sepse mua asgjë nuk më kë ndarë dhe do të më ndaj kurrë nga Thethi.
Gënjen sepse shpifë pa asgjë të vërtetë, për të cilën Arben Ceni ose ai që fshihet pas Tij, duhet dhe do të mbajë përgjegjësi.
Gënjen sepse unë kurrë nuk kam ndërruar as nuk do të ndërroj emrin tim, për t’i bërë qefin të tjerëve.
Shpifjet e bëra në këtë rast t’i kthejë mbrapsht.
LUIGJ SHYTI