part01
part02
kryesore historiku aktivitete gazeta botime tetjera

gazeta 46

ARTISTI I POPULLIT,
PJETER GJOKA-BIR I DUKAGJINIT

Shoqata “Atdhetare-Dukagjini”, ne zbatim te programit te saj, ne te cilin një vend te veçante zëne hulumtimet, studimet dhe publikimet e personaliteteve dhe figurave me origjine nga Dukagjini, qe janë krenaria e Dukagjinit dhe e gjithë Kombit shqiptar, me datën 25 gusht 2007, organizoi një përkujtimore, kushtuar Artistit te Popullit Pjetër Gjoka, me rastin e 95-vjetorit te lindjes se tij, ne Bar-restorant “Tradita”. Shoqata e jone nuk e la ne heshtje ketë përvjetor edhe pse heshtën institucionet kulturore e artistike ne Shkodër dhe ne Tirane.
Ne ketë veprimtari morën pjese anëtar te shoqatës, aktor te Teatrit “Migjeni” e te Teatrit Kombëtar, shkrimtar e personalitete te qytetit te Shkodrës, pjesëtare te familjes dhe te tjerë.
Fjalën e hapjes e mbajti, Kryetari i shoqatës, Ndue Sanaj, i cili pasi prezantoi dhe falënderoi pjesëmarrësit, i beri një paraqitje te shkurtër jetës dhe veprës se Artistit te Madh Pjeter Gjoka, i cili shpesh thoshte: “ … Unë banore i Dukagjinit e i Shkodrës, iu futa punës me besim e dashuri …”, i dha fjalën historianit dhe poetit Prele Milani, për te mbajt fjalën e rastit “Pjeter Gjoka-Apolon i skenës shqiptare”. Prela, një hulumtues i rralle, na e paraqiti jetën e veprën e artistit mjaft gjurmëlënëse, te cilën pjesa me e madhe e pjesëmarrësve e njihnin Pjetrin vetëm si artist, aktor teatri dhe kinemaje. Ata nuk e njihnin si muzikant, futbollist-i cili kishte veshur i pari shkodran fanellën kuq e zi, atlet-duke u shpallur ne vitet 30-te kampion absolut, alpinist, notar. Pra njeri universal, siç na paraqiti zoti Prele. Oratori na paraqiti karvarin e vuajtjeve te familjes se tij, qe nga fshati Malajgji i komunës Temal, Bullgari, Ulqin, ku lindi edhe Pjeter Gjoka me 3 gusht 1912, Shkodër e Tirane, shkollimin, punët e ndryshme: ne Mifol, Shëngjin, Orosh dhe Shkodër. Interpretimet e para ne vitet 30-31 e deri ne themelimin e Teatrit popullor ne vitin 1946, ne te cilin u be i famshëm e u lidh përjetësisht si aktor e regjisor deri ne vitin 1982, vit ne te cilin u nda nga jeta. Ai luajti kryevepra te dramaturgjisë botërore: Shekspir, Gogol,  Ibsen, Shiler, Breht, Gorki, e te tjerë, si dhe ne veprat me ne zë te dramaturgjisë shqiptare. Na paraqitet shume mire edhe si bashkudhëtar i filmit shqiptar qe nga filmi i pare “Tana” e deri tek i fundit “I treti”, i cili interpretoi duke qene plotësisht i verbër, një rast unikal, qe tregon për vitalitetin dhe vullnetin e hekurt te artistit.
Për jetën dhe veprën e pavdekshme te Pjeter Gjokes dhanë opinionet e mbresat e tyre: Artistja e Popullit e partnerja e tij ne shume drama e filma-Tinka Kurti, e cila, ne mes te tjerave theksoi: “ … qe nga filmi “Tana”, ne te cilin unë luaja rolin e mbesës dhe ai te gjyshit, Ai me thirrte “Mbese” dhe unë “Gjysh” …”. Artisti i Merituar Zef Deda, Lazer Filipi e Beb Shiroka, dhe aktori Ramiz Rama sollën te gjalla mbresat e tyre me Artistin e Popullit-Pjeter Gjoka. Mbresëlënëse ishte përshëndetja e birit te tij, Gjovalin Gjoka, ne emër te familjes dhe te afërmeve. Aktorja e Teatrit “Migjeni”, zonja Drande Xhajë, na emocionoj me recitimin e poezisë se poetit Lazer Kodra-kryeredaktor i gazetës “Dukagjini”, kushtuar Pjeter Gjokes.
Ne kuadrin e këtij përvjetori, Kryesia e Shoqatës, i propozon Këshillit Bashkiake te qytetit te Shkodres dhe Ulqin, për ti dhëne Artistit te Popullit-Pjeter Gjoka, titullin “Qytetar Nderi”, pas vdekjes, te këtyre qyteteve, me ketë motivacion: “Pjetër Gjoka, ky artist i shquar, prej maleve të Dukagjinit dha një ndihmesë të madhe me vlera në kinematografinë shqiptare, duke realizuar me mjeshtri në skenën e teatrit dhe të kinematografisë figura të gjalla, me botë të pastër shpirtërore, me luftë psikologjike, me shqetësime si të natyrës kombëtare e shoqërore, të natyrës vetjake e familjare. Për këto merita, i është dhënë titulli i lartë “Artist i Popullit””.
Pjesëmarrësit e mbështeten ketë vendim te kryesisë se shoqatës, te cilët e firmosen listën përkatëse.
Ne kuadrin e këtij përvjetori, poeti Luigj Temali u frymëzua duke krijuar një poezi kushtuar këtij kolosi te kinematografisë shqiptare, si me poshtë:

Çdo fjalë të gjuhës Shqipe e qëndisi me ar
Për mjeshtrin e madh të skenës e të ekranit Pjetër Gjoka
edhe unë kam dëshirë të them disa fjalë.
Në Ulqin afër Shkodrës e lindi nana
Kur Lufta e Parë Botërore në prag kishte ardhë.
Mbi malet e Dukagjinit fluturon shqiponja
dhe rrugës ndalon në pyjet e Cukalit.
Atje e ka fisin Shpend Gjeto Plaku (Halili e Hajrija)
dhe Klaudi i Hamletit të Uilian Shekspirit.
“Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” e shoqëronte prifti
në mënyrë të përkryer si klerik i vërtetë.
Personazheve që krijoi u fali misteret e shpirtit
me një saktësi përfekte i ringjalli në jetë.
Artisti i Popullit ndriçoi edhe në kinematografi
Gjyshi në filmin “Tana” dhe profesori “Në prag të lirisë”.
Me aftësinë e interpretimit na dha forcë e kënaqësi
si aroma e luleve të bjeshkëve të malësisë.
Intelektual si Pjetër Gjoka janë relike e radhë
Në 95 vjetorin e ditëlindjes e kujtojmë me mallë.
Çdo fjalë të gjuhës Shqipe e qëndisi me ar
duke e naltësue drejt qiellit, lapidar.
Pas mbylljes se kësaj veprimtarie nga zoti Ndue Sanaj, siç është bere traditë, ne fund për pjesëmarrësit u shtrua një koktej cilësor i servirur me shume shije nga zoti Dede Kodra. Nëpërmjet kësaj kronike, falënderojmë Presidentin e Bar-Restorant “Tradita”, zotin Gjon Gilaj dhe personelin e këtij mjedisi, jo vetëm për bujarinë e tij, duke na lejuar pa shpërblim gjithë katin e pare te lokalit për 2 ore, por edhe për plotësimin e kushteve te mira për zhvillimin e kësaj veprimtarie. E urojme me shprehjen popullore dukagjinase: “Paç faqen e bardhe o Gjon Gilaj”.
Me vjen keqe, por jam i detyruar te publikoj, se asnjë përfaqësues i pushtetit lokal i qytetit dhe qarkut te Shkodres, megjithëse te ftuar, nuk morën pjese ne përkujtimoren e 95 vjetorit te lindjes te këtij “Kolosi” te artit shqiptar. Ata, jo vetëm qe nuk respektuan ketë djalë te Dukagjinit dhe te Shkodres, por nuk po respektojnë as punën e kësaj shoqate, e cila është mjaft dinjitoze.
Kjo veprimtari, pasuroi arkivin e veprimtarive qe Shoqata “Atdhetare-Dukagjini”, ka organizuar për te evidentuar vlerat me te mira te dukagjinasve ne shekuj, te cilat do te organizohen edhe ne te ardhmen dhe nga zemra del urimi: “Shtoi o Zot”.
Prelë Shytani, Zef Nika

DUKAGJINI, NJË THESAR I PAFUND

- Intërvistë me shkrimtarin Lazër Stani –
Le t’ia fillojmë me disa pyetje më të përgjithshme.  Si fillim doja të dija se në ç’kontekst është proza juaj me letërsinë e shkruar nga shkrimtarët e gjeneratës tënde?
Nuk mendoj se kam ndonje lidhje të veçantë me levizjet apo grupimet letrare të viteve nëntëdhjetë, kur unë u bëra prezent në letërsi, pas botimit të disa tregimeve në vitin 1989 në gazetat letrare të Tiranës si “Drita”, “Zëri i rinisë” etj. Edhe sot e kësaj dite unë qendroj jashtë ketyre grupimeve, jashtë këtyre folezave letrare, që krijohen më shumë duke imituar shkolla të ndryshme letrare, edhe pse këtu tek ne ato ende nuk kanë ndonjë identitet të qartë, të përcaktuar. E vërteta është se kam filluar të shkruaj qysh heret, por gjithnjë të shkruarit ka qënë një proces që ka ndodhur në vetminë time dhe është mbajtur kështu për shumë kohë si një sekret përsonal, si një e fshehtë që më përkiste vetëm mua. Dhe kështu, në luftën me veten, shumë herë kam hequr dorë nga shkrimet e mia, i kam asgjësuar të gjitha dhe kam vendosur të merrem me diçka tjetër. Kjo ka ndodhur disa herë, sidomos, para se të botoja tregimet e para. Po kur botova tregimet “Njeriu i Dosjes”, “Orët e pagjuma” dhe “Fundi i shetitjeve natën”, atëherë kuptova se unë më së fundi kisha filluar të rizbuloj vetveten dhe një botë tjetër e cila më përkiste absolutisht vetëm mua. Në një farë mënyre e fillova udhëtimin në këtë botë, një udhëtim i papiketuar dhe mistik, i cili gjithsesi nuk ka një fund. Mund të ndodh një ditë që unë të lodhem e ta ndalë udhëtimin tim përgjithmonë diku, por gjithsesi kjo botë tjetër që është vetëm e imja është e pakufizuar, e pafundme. Tregimet e mija të deritanishëm janë shënimet e këtyre udhëtimeve, të projektuar diku midis fantastikës dhe realiteteve ekzistenciale brenda kësaj bote. E kam përsëritur shpesh se ne jemi qenie të përvetshme dhe pikërisht për këtë edhe letërsia që shkruajmë është e përvetshme, e papërsëritshme. Nga ky këndvështrim nuk gjej ndonjë kontekst me asnjë autor tjetër shqiptar paraardhës apo bashkëkohës qoftë. 
Ju jeni një shkrimtar, që siç ka vërejtur me të drejta kritika, keni një stil origjinal. Cili ka qenë edukimi juaj letrar?
Autodidakt. Shkollën e mesme e kam mbaruar për veterinari në Shkodër, të lartën për Biologji-Kimi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Në kontekstin e shkollës letrare jam krejtësisht i pashkollë. Gjithsesi ky është një vlerësim i përciptë dhe krejtësisht formal. Në fakt kisha filluar të lexoja qysh në shkollë fillore. Lexoja gjithçka që më binte në dorë, libra, revista, gazeta. Në fundin e klasës së pestë e dija përmendsh “Makbethin”, por i vetmi njeri që i dëgjonte recitimet e mia, por edhe ndiqte me vemendje përpjekjet për aktrim, ishte nëna ime. Asaj, në atë moshë, i besoja çdo të fshehtë timen, çdo ambicie timen. Ajo kishte një durim të jashtëzakonshëm për të më dëgjuar dhe mbi të gjitha fliste shumë bukur, aq sa më mahniste me gjuhën e saj, me fjalorin e saj të pasur. Kur shkova në shkollë të mesme pata një mesues letërsie që do t’i jem përjetë mirënjohës: quhej Xhabir Topalli. Ishte një intelektual i vërtetë, jo konformist, me dije të jashtëzakonshme letrare. Kur më pyeti në mësim për herë të parë më vlerësoi me notën 8. Ishte një zhgënjim i tmerrshëm për mua dhe më pushtoi një dëshprim i thellë. Isha mësuar gjithmonë të merrja nota maksimale, të isha gjithkund i pari. Për herë të parë gjithçka brenda meje u vu në dyshim, edhe shkëlqimi im si nxënës. Në një farë mënyre gjithmonë isha tallur në heshtje me mesuesit e mi, që i deklaronin të sigurtë babait: “Lazri është i aftë të marrë çdo shkollë të lartë”. 
Profesor Xhabiri që e kuptoi shumë mirë dëshpërimin tim, më ndaloi pas përfundimit të orës së mësimit: “Unë mund të të vija edhe dhjetë, më tha. Unë jam i bindur se ti do ta mbarosh këtë shkollë me dhjeta dhe po me dhjeta do ta mbarosh edhe universitetin. Por me dhjeta mbarojnë shumë,  intelektualë bëhen pak, shumë pak, në mos aspak ... “Dhe si u mendua një grimë, shtoi: “Ti je ndryshe”. Buzënaten  e asaj dite më ftoi në shtëpinë e tij. Kurrë nuk kisha parë aq shumë libra të sistemuar me zell të veçantë nëpër rafte. “Kjo bibliotekë është në dispozicionin tënd”,  tha dhe më këshilloi të mësoja gjuhë të huaja. Pranë këtij burri të shquar, që shoqëria e atëhershme shqiptare kishte shprehur refuzimin e saj, qendrova vetëm një vit. Vitin tjetër atë e kishin transferuar në fshat për shkak të refuzimit të heshtur që i bënte regjimit. Atë e zëvendësoi një mesuese e re me emrin Shkelzime Kraja, e cila u habita kur erdhi e më kërkoi me emër: “Tha se për mua kishte porosi të veçantë nga profesori dhe pas disa ditësh më dorëzoi çelësat e bibiliotekës së shkollës. Profesor Xhabirin nuk e takova më kurrë, por ai mbeti në memorien time si një nga njerëzit më të dashur dhe më të zgjuar që kam njohur, një karakter krejt i veçantë, që kishte mundur t’i qendronte besnik vetvetes dhe pikëpamjeve të tij edhe në ato kohë terrori, një model i njeriut fisnik dhe të pakorruptueshëm. Më vonë në po këtë shkollë njoha edhe një profesor tjetër, Moisi Mozalin, një nga intelektualët e rrallë të Shkodrës, me një formim krejtësisht perendimor.  Fliste hapur me mua dhe herë pas here ironizonte shkollën që bënim, socializmin, tallej me skemat e regjimit. Dhe në konfidencë më porosiste që të kisha kujdes, pasi ai e njihte egersinë e diktaturës. Këta profesorë pothuajse anonimë që jepnin mësim në një shkollë në periferi të qytetit, u bënë mbështetësit e mi shpirtërorë në rrugën time refuzuese ndaj gjithçkaje që ofronte regjimi. Nga ana tjetër lexoja shumë, përpiqesha të kuptoja më mirë vetveten dhe realitetin në të cilin jetoja, i cili për mua ishte armiqësor, i ashpër dhe krejt i huaj. Unë habitesha me elozhet që i bënin shkrimtarët shqiptarë këtij regjimi, duke trilluar realitete demagogjikë që nuk ekzistonin në të vërtetë. Kjo më ngjallte neveri. Në vit të katërt të shkollës së mesme vendosa të mos lexoj më asnjë autor shqiptar dhe këtë vendim e mbajta për dhjetë vjet. Rifillova të lexoj letërsi shqipe vetëm në vitet nëntëdhjetë, kur vërejta me dhimbje se për shkak të leximeve në gjuhë të huaj, kish filluar të më varfërohej gjuha shqipe, edhe pse kolegët më mburrnin për gjuhën. Pra siç e shikoni edukimi im letrar nuk ka patur asnjë lidhje me letërsinë që shkruhej në Shqipëri. Kjo është me të vërtetë e dhimbshme, sepse një regjim që të bën të ndjehesh i huaj në vendin tënd, është regjimi më i keq i mundshëm.
Para pak kohësh keni botuar një ese me titullin “Fantazma e paraardhësit”.  Ju cilët autorë konsideroni shkrimtarë paraardhës, dhe cili është raporti i vendosur midis teje dhe këtyre autorëve?
Origjinaliteti, përvetëshmëria është një shqetësim për çdo shkrimtar. Në fund të fundit, çdo qenie njerëzore, qoftë edhe një mënyrë të pavetëdijshme, instinktive, kërkon të ketë identitetin e vet, kërkon të jetë vetvetja. Sabato ka shkruar se asgjë që është njerëzore nuk është e pastër, ndërsa Horhe Luis Borges shtron pyetjen se sa janë ndikimet në veprën tij. Duke iu përgjigjur kësaj pyetje ai shkruan se: “në vend të parë janë shkrimtarët që pëlqej, në vend të dytë shkrimtarët që kam lexuar dhe rilexuar, pastaj ata qe nuk i kam lexuar kurrë por që janë brenda meje”. Në një farë mënyre të gjithë ne, krijuesit kemi shkrimtarët që i kemi pelqyer, që i kemi dashur shumë, shkrimtarët që i kemi lexuar dhe rilexuar. Çështja e identitetit është të shkrimtarët që as i ke lexuar dhe as i ke takuar kurrë, por që janë brenda teje. E verteta është se unë që në rini kam patur shkrimtarët e mi të dashur, por shijet dhe koncepti im për letësrinë kanë ndryshuar me kalimin e viteve. Si nxënës shkolle lexoja vetëm letërsinë antike greke dhe romake si dhe Shekspirin e Hashekun. Vite më vonë pasi kisha lexuar shumë libra kryesisht në gjuhën ruse, rashë në kontakt me letërsinë moderne, me Cortazarin Marques-in, Sabaton e Borges-n si dhe me Franz Kafkën, të cilin e kam lexuar nga fundi i viteve tetëdhjetë. Por them me bindje se tre janë shkrimtarët e mi më të dashur: Çehovi, Ernesto Sabato dhe  Julio Cortazar-i. Këta shkrimtarë i kam lexuar dhe rilexuar dhe në një farë mënyre vepra e tyre është bërë pjesë e jetës sime, secili në një kontekst të veçantë. Por nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe shkrimtarin grek Nikos Kazantzakis dhe Ernest Hemingway-n. Me Cortazar-n që kur i kam lexuar tregimet e para në rusisht kam patur një lidhje shpirtërore të pashpjegueshme, ndersa Sabato vazhdon të mbetet për mua një habi estetiko-filozofike. Para pak kohësh kam humbur një liber me ese të tij dhe më erdhi shumë keq. Kisha menduar që një ditë ta përktheja atë libër.
Në tregimet e tua ka shumë poezi. Cilat janë lidhjet e tua me poezinë?
Me poezinë kam një lidhje të vjetër, të fshehtë, si një sekret i bukur dashurie, që vazhdon të më frymëzojë. Por nga ana tjetër, gjithmonë i kam asgjësuar poezitë që kam shkruar, ngaqë asnjëherë nuk më është dukur vetja poet, pavarësisht përceptimit poetik mbi botën që vazhdimisht shfaqet te unë. Poetët i kam dashur gjithmonë dhe miqtë e mijë më të mirë kanë qenë poetë, ndoshta për shkak të dobësisë sime për poezinë, të cilën në një farë mënyre ia ndalova vetes që në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare. Në atë kohë bota më dukej shumë e ashpër, mbytëse, e dhunshme nga të
gjitha anët. E dija se një instinkt poetik ishte shkatërrues në atë botë me kulturë ushtarake dhe vendosa t’i kundërvihem, duke mos i lejuar vetes asnjë dobësi, as poezinë. Fundja jeta është një sfidë e ashpër dhe unë isha i vendosur t’i shkoja deri në fund kësaj sfide, pa i lejuar vetes asnjë shenjë dobësie, pa u mposhtur. E di se është një vizion heroik dhe disi naiv, po një gjashtëmbëdhjetë vjeçar si unë nuk mund të mendonte ndryshe. Kisha lindur në një familje ku çdo shfaqje dobësie konsiderohej mëkat para Zotit. Ndërsa me poezinë me ka ndodhur si më dashurinë. Të tjerë poetë kam dashur kur isha njëzet vjeç dhe të tjerë dua sot. Përshembull, disa poetë që në moshën njëzetvjeçare më dukeshin të mahnitshëm, tani më dukën pothuajse të palexueshëm, ndërsa vazhdoj të mbaj si bibël në shtëpi një përmbledhje me poezi të Yehuda Amichay-t, të cilin e lexoj herë pas here, çdo javë. Po kështu lexoj Cesare Pavese-n, një poet brilant. Lexoj dhe rilexoj “I mari del Sud” ose “Antenati” dhe në mendjen time më shfaqet poeti, duke zbritur kodres nën vezullimin e yjeve të parë të mbrëmjes, me duar të lidhura pas shpine. Në tavolinën time të punës vazhdimisht gjendet një libër poetik dhe them se poezia vazhdimisht e ka provokuar energjine time te krijimit, madje është ajo që e vë në levizje mekanizmin, e bën të funksionojë. Ndryshe në këtë botë zhgënjyese gjithçka do të kishte ngrirë prej kohësh. Pra e them me bindje: poezia dhe dashuria e kanë shpëtuar shpirtin tim.
Ju vini nga një zonë shumë e veçantë, që njihet në histori prej dy mijë vjetësh. Sa ka ndikuar familja dhe vendlindja në formimin tuaj si shkrimtar?
Askush nuk e zgjedh vendlindjen e tij, as familjen në të cilën lind. Por, gjithsesi, them se prej familjes trashëgova gjithçka, një memorie qindra vjeçare, vizionin për botën, dashurinë, ndjeshmërinë, mitin dhe mistikën e ekzistencës. Im gjysh ishte një njeri shumë inteligjent dhe kishte një zemër të madhe e fisnike. Edhe pse kohët ishin të vështira ai nuk ngushtohej kurrë, tregohej gjakftohtë dhe i kalonte gjerat me të qeshur. Babai, nga ana tjetër, ishte një njeri i fortë, i ashpër dhe shumë krenar, por krejt i ndryshëm nga gjyshi. Në fakt ishte një burrë që të gjithë e respektonin. Nëna ndërkaq ishte gojëtare e rrallë, e dhembur dhe tregonte një dashuri të jashtëzakonshme për ne fëmijet. Edhe pse feja po ndalohej gradualisht, familja ime e krishterë ishte besimtare dhe nuk e humbiste kurrë shpresën se një ditë gjerat do të ndryshonin. Pushtetin e shikonin si një të keqe të përkohëshme dhe i rrinin larg si djallit. Nga ana tjetër stërgjyshja ime Zoga Stani, që njeriu që ndikoi më shumë në fëmijërinë time. Ishte më shumë se tetëdhjetë vjeç kur linda unë dhe në vitet e para të fëmijërisë qe njeriu më i dashur për mua. Ajo jetonte më shumë me botën ku po bëhej gati të shkonte se sa më këtë botë, që sipas saj po prishej e shkatërrohej çdo ditë. Fliste shpesh me vete dhe thoshte se Zoti po hakmerrej per mëkatet e të parëve prej treqind e kusur vjetësh. Dhe i lutej çdo ditë Shen Ndout, që të më shpëtonte mua nga mëkatet e të parëve, por edhe nga mëkatet e sotme, që po tregonin se raca e robit ishte çoroditur e ia kishte falur shpirtin qoftëlargut. Në një farë mënyre unë e kalova fëmijërinë në kufirin midis dy botëve, sepse në atë kufi jetonte në atë kohë stërgjyshja ime. Në fakt ajo jetonte më shumë me të vdekurit se me të gjallët. Shpesh thoshte me dhimbje se me duart e saj kishte varrosur njëzetekatër njerëzit më të dashur të familjes së saj, midis tyre edhe njërin prej djemëve të saj, Preçin që qe shuar në moshën njëzet e tre vjeçare. Lutej për shpirtin e tij kur e kujtonte, dhe shprehej se vdekja e tij e la tim gjysh pa krah.
Ndërkaq në familjen time të gjithë këmbëngulnin që unë të shkollohesha, të bëhesha dikushi në jetë. Stërgjyshja ime të gjitha shpresat e familjes i kishte te unë, se me gjyshin dhe babanë nuk merrej vesh, grindej vazhdimisht me ta dhe shtonte, duke e ngritur zërin, se vetëm unë do ta ngrija lart namin e kësaj shtëpie.
Kësaj familjeje shumë të veçantë i shtohet edhe rrita ime në një zonë krejt të veçantë, nga më të vjetrat në Shqipëri, e konservuar në memorien e vet, duke refuzuar gjithçka të huaj, që pushtuesit e sillnin më shumicë. Pulti, është një nga zonat më të vjetra që përmendet nga Romakët qysh përpara dymijë vjetësh. Dhe mbeti një krahinë e krishterë dhe e panënshtruar edhe në pesëqind vitet e perandorisë osmane. Kështu banorët e kësaj zone mbetën të izoluar, të lidhur vetëm me kishën dhe identitetin e tyre shqiptar, krejtësisht të pandotur. Ata ishin njerëz arsimdashës dhe me një memorie të jashtëzakonshme. Unë pata fatin të njoh arkivat e fundit të kësaj memorieje që po zhdukej me ngadalë, nga puna e palodhur e vdekjes. Ata pleq mistikë mbanin të ngujuar në trurin e tyre vizionet, memorien, misteret, legjendeat dhe shpirtin e dy mijë vjetëve. Tregimin tim “Shtrati i dytë i Lumit”, e kam shkruar pikërisht për këta njerëz, që vdekja i korri të gjithë dhe që në jetën e mëpastajme nuk do të takoja më kurrë burra të ngjashëm me ta. Tregimi është një përpjekje për t’i mbajtur ata gjallë, një përpjekje për të mos i humbur ata përfundimisht. Dhe në një farë mënyre gjithçka që unë shkruaj është e lidhur me Pultin, vendlindjen time, por edhe me Dukagjinin në përgjithësi, i cili për mua, si shkrimtar, është një thesar i pafund.
Ju keni botuar deri tani pesë libra me tregime. Pse keni zgjedhur pikërisht këtë zhaner dhe jo diçka tjetër?
Nuk është se e kam zgjedhur unë. Thjeshtë fillova të shkruaj tregime dhe vazhdoj të shkruaj herë pas here, sa herë që e ndjej se mund të shkruaj një tregim. Pas botimit të tregimit “Njeriu i dosjes” dhe vlerësimet që më bënë për këtë tregim miqtë e mi, si poeti Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Dritëro Agolli e ndonjë koleg tjetër, e ndjeva se isha një prozator. Tregimi është më i afërt me poezinë, bart po atë harmoni, densitet gjuhësor, ritëm të brendshëm, fuqi magjepsëse. Eshtë një formë e shprehjes e afërt me poezinë moderne. Në tregimet e mi ekziston një simbiozë e poetit dhe prozatorit. Gjatë procesit të krijimit duket sikur të dy shkruajnë njëkohësisht në mirëkuptim të plotë dhe duke e ndihmuar njëri-tjetrin. Kush e di, mundet që pikërisht  për këtë arsye shkruaj tregime. Në një roman me dyqind faqe, ndoshta është e pamundur ta ruash një gjendje të tillë të rrefimit dhe poetikës.  Disa miq të mijë, kritikë dhe shkrimtarë më kanë sygjeruar që disa prej tregimeve t’i shkruaj si romane. Eshtë diçka që kurrë nuk e kam marrë shumë seriozisht, sespe ajo që shkruhet si një tregim nuk mund të shkruhet si një roman dhe anasjelltas.
Si i “gjurmoni” ngjarjet që shkruani në tregime? A ka në këto tregime nota autobiografike?
Krejt spotanisht. Nga një detaj i parëndësishëm, nga një imazh ose tronditje e çastit. Një histori vjen të unë si një gjendje makthi, si një gjendje endrre. Po ju tregoj si e kam shkruar “Njeriun e Dosjes”, për të kuptuar mekanizmin se si janë shkruar pjesa dërrmuese e tregimeve të mi. Kisha botuar dy tregime në gazetat letrare të kohës: “Mara nuk është e qartë” dhe “Fundi i shetitjeve natën”, tregime që nuk i kam përfshirë në asnjërin prej librave të mi. Pas disa ditësh po rrija me mikun tim, prof. Zyri Bajrami. Ai i kishte lexuar tregimet e mi dhe përveç vlerësimeve për to, po më këshillonte që të kujdesesha për veten. Me tha që të bëjë ndonjë temë e të mbroja doktoraturën. “Ka tjetër peshë për publikun, më tha, kur të botosh diçka dhe sipër të jetë shënuar: Lazër Stani, doktor i shkencave”. Kur u ndava nga profesori, po mendoja se në fakt profesori kishte të drejtë. Kjo botë është shumë formale, robinë e opinoneve. Unë duhej të zgjidhja raportin tim me këtë botë. Dhe në këtë zgjedhje kishte dy rrugë: ose duhej të jetoja që të krijoja një opinion të mirë për vetën tek të tjeret, një dosje të mirë në sytë e të gjithë njerëzve që më njihnin dhe këtu kishin rendësi edhe titujt, gradat shkencore, kostumet, gravatat, modelet e jakave, vija e hekurit në pantallona, ose duhej të mos vrisja mendjen për dosjen time, për atë çka të tjerët do të mendonin për mua.
Pra unë zgjodha të jetoj për veten, duke refuzuar skllavërinë e këtyre dosjeve, edhe pse e dija se kostoja në këtë rast do të ishte shumë e lartë dhe jetën do ta kisha të vështirë. Nuk më dukej jetë një jetë e jetuar “për sytë e botës”.
Nga kjo dilemë me veten lindi tregimi “Njeriu i dosjes”. Kur e përfundova tregimin që e shkrova me një frymë ia dhashë profesorit ta lexonte ende në dorëshkrim. Pasi e lexoi tregimin, profesori vuri buzën në gaz dhe më tha: “Je ai që njoh,  i pandreqshëm”.
Cili është tregimi që keni me përzemër, ka diçka specifike që të mban të lidhur me të?
Janë shumë, ose më saktë shumicën e tregimeve i dua edhe sot e kësaj dite, edhe pse mund të kenë pësëmbëdhjetë vjet që janë shkruar. “Njeriun e Dosjes” dhe “Margaritarët” i kam shkruar para viteve nëntëdhjetë dhe kam po atë lidhje me ta, që kam patur kur i kam shkruar. Po kështu jam i lidhur me tregime të tjerë që janë shkruar shumë më vonë si “Pëllumbi i bardhë, i bardhë”, “Gruaja me të zeza”, “Shtrati i dytë i lumit” apo “Dënesje në dru”. 
Me secilin tregim kam një lidhje te veçantë një histori të veçantë që qendron e fshehur pas aktit të krijimit, pas tekstit. Kjo lidhje do të vazhdojë të ekzistojë edhe kur unë të mos jem më.
Në tregimet e tua femra është shumë e pranishme. Ç’raporte keni me gjininë femërore, e mendoni atë si ideal frymëzues apo thjesht si nënshtrim i gjinisë së kundërt?
Mendoj se çdo burrë lind me imazhin e një gruaje brenda vetes. Ne e kërkojmë këtë gruaimazh, gjithë jetën, prej çastit që fillojmë të ndjejmë diçka për seksin tjetër e deri sa të jemi gjallë. Shumë njerëz flasin për dashurinë e parë, si të paharruarën, të papërsëritshmen. Për këtë madje shkrimtarët kanë shkruar shumë poezi, tregime, romane. Mua më pëlqen një poezi e Yehyda Amichay-t që titullohet “The first love”. Po i citoj disa vargje të kësaj poezie në anglisht:
“I have forgotten the words
of the only letter I wrote to you.
All that I remember is the taste of the glue of the stamp
on my tongue”.
Unë nuk kam shkruar kurrë asnjë rresht për dashurinë e parë, edhe pse ajo në të vërtetë qe tronditëse dhe i pati dhënë një kuptim të veçantë jetës sime në atë kohë. Ishte diçka e bukur që zgjati katër vjet. Njëherë takova në Shkodër një mik timin që e njihte, por nuk munda ta pyes për të. Nuk e di pse m’u lidh gjuha.
Me mua gjithmonë ka ndodhur që më e rëndësishmja të jetë dashuria e fundit dhe asaj i jam dhënë me gjithë shpirt. Dhe çdo histori është herë e parë, e përvetëshme, e papërsëritshme.
Çfarë konsiderate ruani për “shkrimtaren femër”, disa nga autoret tuaja të preferuara?
Ah po, i lexoj me shumë kenaqësi. Ana Ahmatova vazhdon të mbetet një nga poetet e mia më të dashura. Para shumë vitesh i përktheva disa poezi të saj dhe i botova në gazetën “Drita”. Eshtë një poete që gjithmonë ka patur një vend të veçantë në shpirtin tim. Por edhe me poetet shqiptare kam patur shumë miqësi dhe gjithmonë i kam lexuar librat e tyre me vemendje. Një botë e shikuar me sy gruaje gjithmonë ka qenë interesante për mua, një dritare për të kuptuar gjysmën e botës, pra femrën. Se burrë, siç shprehej Balzaku, jam vetë.
Se fundmi ju keni botuar në shtyp disa esse të cilat janë vlerësuar nga publiku. Mendoni se       mund të eksploroni më shumë në këtë fushë, ndoshta të botoni edhe një libër?
Po, kam ndërmend të botoj një libër me ese. Janë sprova të ndryshme, për letërsinë, muzikën, shkrimtarin, dilemat tona ekzistenciale. Madje këtu do të përfshihet edhe një ese për dashurinë e parë. Disa prej këtyre eseve si “Leximi, një ecje këmbëzbathur”, apo “Koha për muzikë” i kam botuar edh në shtypin tonë letrar. Esenë, shumë autorë e konsiderojnë si një përsijatje mbi një objekt të caktuar. Unë shkrimin e një eseje e konsideroj një akt të mirëfilltë krijimi. Gjatë këtyre kohëve jam marrë shumë me ese-në, aq sa një ditë u tremba se mos po divorcohesha me prozën, mos papritur letërsia më kishte braktisur. Sidoqoftë ky ishte vetëm një makth i përkohëshëm, pasi sprova për të shkruar ese, është veç një kërkim i formave të reja të të shprehurit.
INTERVISTOI GËZIM MARKU

Familje në udhëkryq

Të dashur lexues në këtë numer do të shkruaj për divorcin, për shkaqet që të çojnë deri tek divorci, pasojat dhe problemet që ai hap jo vetem tek të divorcuarit por edhe tek pjestarët e tjerë të familjes dhe shoqëris. Divorci është një nga plagët më të mëdha të familjes i cili po e çon familjen drejt shkatërrimit.
Çdo ditë ne po dëgjojmë për numrin në rritje të divorceve. Monoteizmi i jetës ka bërë që të gjithë përballë këtij fenomeni të qëndrojmë të shurdhët. Por mos të harrojm se ky fenomen në rritje fatkeqësisht, ka për të shkatërruar shoqërin pjesë e së cilës jemi të gjithë.
Ja disa statistika të disa sondazheve të zhvilluara në vendin tonë mbi divorcin:
Konfliktet dhe dhuna përbëjnë, ndoshta anën më të errët të familjes. Kjo, në njëfarë mënyre, konfirmohet edhe nga të dhënat e studimit tonë. Të anketuarit pohojnë se në 13, 7 për qind të rasteve divorcet janë nxitur nga konfliktet e shkaktuara nga prindërit e burrit apo të gruas. Në të tjera raste konfliktet kanë në origjinën e tyre vështirësitë ekonomike apo edhe sjelljet devijante të ndonjërit nga partnerët. Në mënyrë disi më flagrante ato shfaqen kur kryesisht burri, është i alkoolizuar, i droguar, i dhënë pas bixhozit etj. Këto, të marra së bashku, përbëjnë rreth 30 përqind e shkaqeve të divorceve. Por cilat konflikte dominojnë në familjen e sotme shqiptare?
Sipas të dhënave, del se konflikti më i zakonshëm është ai i nuseve me vjehrrat e tyre. Ky lloj konflikti vlerësohet më shumë nga meshkujt se nga femrat. Pas tyre në renditje vijnë konfliktet burrë-grua të cilat, ndryshe nga të parat, vlerësohen me më tepër shqetësim nga femrat se nga meshkujt. Janë pikërisht konfliktet e mësipërme që, në mjaft raste, çojnë në tronditjen e marrëdhënieve bashkëshortore dhe, për pasojë, krijojnë premisa edhe për divorc. Nga analiza sipas grupmoshave të përgjigjdhënësve, rezulton se konfliktet burrë-grua janë më të theksuara në moshat e reja, deri në 35-40 vjeç. Me kalimin e viteve ato kanë prirje të zbuten. Psh, rreth 30 përqind e të anketuarve, nga grupmoshat 21-30 vjeç, i konsiderojnë ato si më shqetësueset. Kjo shifër bie gradualisht me kalimin, në rritje, nga një grupmoshë në tjetrën, derisa për grupmoshën mbi 55 vjeç ajo bie në 1 përqind. Kjo shpjegohet me faktin se, me kalimin e viteve në martesë, partnerët në çift përshtaten me njëri-tjetrin dhe në plan të parë fillojnë e dalin konfliktet midis brezave, siç janë ato prind-fëmijë dhe ato nuse-vjehrra.
Të dhënat e anketimeve tregojnë se në qëndrat urbane konfliktet burrë-grua janë pothuajse aq shqetësuese sa edhe në zonat rurale, ndonëse shkaqet e këtij konfliktualiteti nuk janë gjithnjë të njëjta. Ndërsa konfliktet prind-fëmijë janë dyfish më të theksuara në qytetet e mëdha kundrejt atyre të vogla apo fshatrave. Ato janë relativisht më të theksuara në zonat fshatare. Kjo, ndër të tjera, duhet të lidhet me faktin se bashkëjetesa nuse-vjehrra në fshatra është më e zakonshme. Në qytetet e mëdha familjet bërthamë (burrë, grua, fëmijë), përbëjnë  shumicën e familjeve. «Nga statistikat e publikuara në një analizë të policisë kriminale të Ministrisë së Rendit Publik, rezultat i hetimeve zyrtare, vetëm për një periudhë të vitit 2000, rezulton se nga 181 krime me vrasje, ato në familje zënë, në vlerë absolute, vendin e parë.
Hetimet e policisë në zbardhjen e krimeve në familje, kanë arritur në përfundimin se 47 përqind e tyre kanë ardhur si rezultat e tyre kanë ardhur si rezultat i tradhtisë bashkëshortore. Ndërsa krimet për hakmarrje zenë 10 përqind të krimeve kundër personit”.
Të dhënat e studimeve e publikimeve të mëparshme, konfirmojnë se familja shqiptare, krahasuar me familjet e vendeve të zhvilluara, vazhdon të jetë shumë më e dhunshme. Kjo shfaqet sidomos si dhunë ndaj gruas bashkëshorte. Të dhëna të pjesshme tregojnë se me 63.7 përqind të grave të martuara abuzohet psikologjikisht, fizikisht apo seksualisht. Të dhëna të tërthorta tregojnë se vetëm 5 përqind e abuzimeve të kryera raportohen, në organet e rendit apo të drejtësisë.
Dhuna bashkëshortore, ushtrimi i saj nga burrat apo tolerimi i saj nga gratë, nuk lidhet thjesht me divorcin. Ajo ka një ndikim shumë parësor e lidhet, para së gjithash, me personalitetin e njeriut, me kuptimin e lirive e të të drejtave themelore të tij. Ajo është një tregues sintetik i shkallës së mos emancipimit të individëve.
Në njëfarë mënyre, dhuna është e “trashëgueshme”. Individët meshkuj, që janë rritur në familje me nivel të lartë konfliktesh, janë më të prirur për të ushtruar dhunë mbi bashkëshortet e tyre pas martesës. Në të njëjtat kushte dhe individët femra janë më të prirura për ta toleruar dhunën e bashkëshortit. Shumë gra të anketuara pohojnë se mbi to ushtrohet e megjithatë reagimi i tyre rezulton të jetë shumë i dobët.
Mendimet ”kështu jemi mësuar” ose “kështu është thënë fati ynë” tregojnë pranimin e bashkëjetesës me të keqen. Por pse vazhdon të ushtrohet dhunë ndaj grave? Pse, nga ana tjetër, gratë vazhdojnë të “pranojnë” të jenë të dhunuara? Kjo është e lidhur me një varg faktorësh historikë e të traditës, me temperamentin e psikologjinë e shqiptarëve, me faktorë vetjakë apo socialë, sikurse me nivelin e lartë të dhunës, konflikteve e të vetëgjyqsisë së shoqërisë së sotme shqiptare. Ndër këta faktorë veçojmë:
Së pari ushtrimi i dhunës bashkëshortore është , deri diku, reflektim apo rigjallërim i traditës sonë familjare, sipas së cilës gruaja konsiderohej si një qënie thuajse “pa të drejta”.”Burri ka të drejtë me e rrahë dhe me e lidhë gruan e vet nëse ajo arrin t’ia përbuzë fjalën dhe urdhrin” dhe se “  Me rrahë burri gruan e vet nuk bie në faj”. Këtu linde pyetja: Ku qëndron diniteti njerzor? Në këtë raste çfarë shohim ne tek këto gra? Njeriun apo kafshën........
Së dyti, dhuna mbi bashkëshorten lidhet, në njëfarë mënyre,me kapadaillëkun, me mentalitetin për ta gjetur fatin e të keqen gjithnjë te tjetri e, pothuajse asnjëherë te vetja. Kjo është disi karakteristike për shqiptarin. Me këtë mentalitet lidhet edhe dukuria e shprazjes. Për çfarë bëhet fjalë? Jashtë shtëpisë, në punë e në shoqëri, njeriu përjeton edhe strese të shumta të përditshme, të forta apo të rëndomta: ka bërë fjalë me dikë, është zënë, nuk i ka shkuar mbarë një punë, apo thjesht, është lodhur etj etj. Ai kthehet në shtëpi me njëfarë ngarkese dhe kërkon të çlirohet prej saj. Si vend “ideal” për këtë ai konsideron shtëpinë, familjen, bashkëshortin, para së gjithash bashkëshorten. Pra ai e kthen shtëpinë në një gropë. Të gjitha prapësitë e grumbulluara jashtë ai do t’i zbrazë te njerëzit e shtëpisë. Mund të qëllojë jo vetëm te bashkëshortia, por me dozime të caktuara edhe te fëmijët. Kështu, në vend që të shëndoshet atmosfera e jetës familjare, ajo rëndohet, sëmuret. Mund të krijohet truall sidomos për fërkime të rënda midis bashkëshortëve, të cilat mund t’i hapin rrugën edhe një konflikti të pariparueshëm. Në këtë mes luajnë një rol shumë negativ edhe sharjet e fyerjet. Duke patur parasysh furinë e “shprazjes” dikush i ka këshilluar burrat: “ Në qoftë se kaloni një ditë të lodhshme në punë, ankesat i lini mbas buke”. Vërtet duhet të jemi mjaft të kujdesshëm në këto raste. Këtu nuk i lihet vend dashurisë. Këtu minohet lumturia e familjes. Sado para që të sjellësh. Sado ushqim dhe veshmbathje të ketë gruaja dhe fëmijët ato nuk vlejn asëgjë. Sepse ju mungon paqia dhe dashuria. Më mirë një kafshat bukë dhe duke buzëqesh, se një kala duke sharë dhe rrah. Këtu zë fill divorci. Nga një pakujdesi e juaja, nga një munges durim dhe përmbajtjeje ndodhë  e keqia. Në përfundim dua të ju kujtoj një thënje mjaft të bukur nga Filozofi i madh Shën Agustini i cili ka thënë: «Më mungon diçka nga lumturia ime, më mungon lumturia e të tjerëve».
(Vazhdon në numrin e ardhshëm)
ROZA PJETRI

KOLE PRELA PERBALLE MEHMET SHEHUT

Tashme figura e ish deputetit Kole Prela është evokuar e vene ne podiumin qe meriton. E fundit ishte shpallja “Qytetar Nderi” i qytetit te Shkodres, ne saj te përkujdesjes se Shoqatës se Përndjekurve-dega Shkodër dhe Shoqatës “Atdhetare-Dukagjini”. Por dikush para disa kohe ne një gazete qe jetoi vetëm sa për te regjistruar emrin shkruan një artikull me titull: “Nderi i qytetareve te Nderit” dhe ben aludime te drejtpërdrejte për figurën e Kole Preles. Ne si redaksi e gazetës vendosem te mos replikonim me artikullshkruesin ne gazetën “Dukagjini”. Dhe mire bëme, pasi edhe ai vete duket se e ka kuptuar se ai artikull ka qene vetëm një shkurtice emocionale. Replikën e beri gazetari i njohur i qytetit tone, Zef Nika, po tek ajo gazete qe jetoi kaq pak, për te cilën me vjen keq.
Për fjalën “LIRI” janë shkruar po aq faqe libri sa ç’është sipërfaqja e tokës dhe është derdhur aq jak sa ç’kanë ujë oqeanet – ketë e thotë Nikola Nikolov tek libri “Komploti Botëror”. Ata qe predikuan antidhunen e pësuan pikërisht nga dhuna. Për ketë mund te përmendim Martin Luter King.
Ajo qe u premtua nder revolucione kurrë nuk u realizua ne te vërtete. Për ketë mund te përmendim parullën e famshme te revolucionit Francez qe ishte “Liri-barazi-vëllazëri”, e kurrë nuk u realizua, pa bere fjale për revolucionin e tetorit ne Rusi! I radhita pikërisht këto fakte duke u motivuar nga një letër e ish deputetit te Dukagjinit, profesor Kole Preles, te cilën ia drejtoi Mehmet Shehut, i cili ne atë kohe ishte Komandanti i vendit, ne vitin 1946, ne Qarkun e Shkodres, qe me shume se kudo gjakosi zonën e Dukagjinit.
Ja teksti i plote i letrës: “I ashtuquajturi operacion qe po zhvillohet ne rrethin e Dukagjinit është shëndruar ne një masakër te vërtete, pjese përbërëse e se cilës janë huri, zjarri e plumbi qe bien mbi kurrizin e njerëzve te pafajshëm, se fajtoret e vërtete numërohen me gishta. Vartësit tuaj ne ketë zone nuk e njohin temperamentin e karakterin e malësorit i cili me pare pranon te vdesë se sa te torturohet, i cili me pare bindet se sa nënshtrohet. Po te ecet sipas urdhrit: “Te arrestohen te gjithë armëmbajtësit” atëherë duhet arrestuar i gjithë Dukagjini, sepse Dukagjini s’ka qëndruar kurrë pa arme. Çarmatosja po te behet me force do te ketë gjakderdhje, e cila nuk do te na falet kur kemi mundësi ta evitojmë. Si shprehës legjitim i Popullit te Dukagjinit kërkoj qe ky operacion te ndërpritet duke e marre unë përsipër ketë detyre te rëndësishme shtetërore”.
Profesor Kole Prela, Kodershenjergjit Dukagjin.
A mund te ketë moral me të larte politik e shoqëror? A mund te ketë përgjegjësi me te larte e vetëdije për ti shërbyer verdiktit te një populli? A mund te ketë zë lirie qe kumbon me bukur se kjo letër e ish deputetit tone? Besoj se jo, nuk mund te ketë! Këtu me lind e drejta te zhytem ne një pyetje retorike: Mos kemi mbetur jetime për ndonjë gjë? Dhe përgjigja ime do te ishte: PO. Kemi mbetur jetim për tu përfaqësuar ky vend ne parlament me deputet te çarmatosur nga dhuna siç ishte Kole Prela. Një vend si i yni për te cilin bëhen “harta politike”, legjenda e te cilave vizatet me ngjyra partiake, madje rrezikon qe edhe listat e gjendjeve civile te ngjyrosen te tilla, ku zëri përfaqësues nuk kumbon si i Kole Preles, por çuçurinë duke hartuar lista shkarkimesh, duke ngritur kurthe, duke thurur komplote makabre e duke endur merimanga te zeza është shume e zorshme te ecet përpara.
Para shume vitesh, pikërisht me 30 prill 1993, ne oborrin e ish shkollës se Mesme Ndreaj-Shosh, ne bashkëpunim me ish mësuesin e Histori-Gjeografisë, Prele Milani, u zhvillua një veprimtari(ishte e para ne Shqipëri) kushtuar 45-vjetorit te pushkatimit te deputetit Kole Prela. Peripecitë e organizimit te këtij aktiviteti ia kemi lëne kohës, pasi besoj se kundërshtaret e asaj kohe kane arritur deri aty sa te dine për te ndare vlerat nga antivlerat, por me jepet rasti qe nëpërmes këtij artikulli te falënderoj zotin Mentor Quku qe na dha ndihmën e pakursyer dhe mori pjese ne aktivitet, falënderoj këngëtaret e zonës: Kole Gjoni, Gjovalin Shani, Gjon Kosteri qe interpretuan me shume dashuri kënge te krijuara enkas për aktivitetin, falënderoj ish nxënësit e mijë qe me lot ne sy recituan poezi te krijuar për figurën e Kole Preles, si: Mimoza Kodrën, Petrit Çezmën, Petrit Kroni, Dede Aren, e te tjerë.
Nga ai aktivitet dëshiroj te citoj vetëm dy fragmente:
Fragmenti i pare: “Ku ta gjeje profesorin?-pyesin njerëzit. Në Pepsumaj, Brashte apo Molle, tek shpella e Kazanave apo tek shpella me dere, ne Shale apo ne Kir, ne Plan apo ne Xhan, ne Nikaj apo ne Mertur? Ai ndodhej kudo, se kudo kishte shokët e luftës, se toka e Dukagjinit ishte kthyer ne një sofër te rrumbullaket e burrat e asaj zone kishin vendosur ne “krye te vendit” Kole Prelen.
Fragmenti i dyte, ka te beje me një dialog ne mes Kole Preles dhe një personi tjetër, te cilit e pagëzuam-“Kundërshtari” për efekt mospublikimi. Ky fragment ishte i tille:
Kundërshtari: “-Fjalët e tua janë fjale me mend o Kole Prela, ato mund ti flasin vetëm njerëzit e ditur si ti, por as fjalët as dituria as veprat e një bolsheviku nuk na vlejnë asnjë grosh, se po te ngjyejme me ty bëjmë mëkat para Zotit, para robit e para Shqipërisë”
Kole Prela: “-Unë nuk erdha këtu qe te flas fjale te bukura, as te rrëfej diturinë. Erdha qe t’iu them qe te bashkohemi për lirinë e Shqipërisë. Fola ashtu siç mendoj unë, dhe ashtu siç fola ashtu do te veproj. Njeriu pa unitet fjale, mendimi e veprimi është me shume fytyra. Me vjen keq o burri i malësisë qe përbehesh ne Zotin për te na mbushur mendjen se je besimtar, flet nate e dite për Shqipërinë dhe vete ke harruar se ka ke Atdhe, e çmon shume patriotizmin me fjale, por ka rrezik te përfundosh ne pseudopatriot. Komunist nuk jam as për se gjalli as për se vdekuri, por jam e do te jem me te gjithë ata qe e duan me te vërtete Shqipërinë”.
Veprimtaria e Kole Preles shërben si një apel qe sot pas 60 vjetësh fjala “LIRI” te fitoje dimensionin qe meriton.
LAZER KODRA

THETH, Verë – 2007

Udhëtimi...
Në një ditë të kësaj vere të nxehtë udhëtojmë për në Theth. Deri sa kalon përroin e Preknicajve në luginën ë Shkrelit udhëtimi është i rehatshëm sepse rruga është e asfaltuar qysh para dy vjetësh. Më tej vazhdon rropatja  në rrugën me gropa, zhavorr, gurë e pluhur. Diku-diku duken shenjat e punimeve për mbikalime ujore dhe zgjerime, por prej dy vjetësh nuk është kryer asnjë punim. Te Kroni i Bogës është një tabelë ku shkruhet se përfundimi deri këtu do të jenë në qershor të vitit 2006, por iku 2006, 2007 e rruga qëndron në vend që nga korriku i 2005. Mundet se e ka fajin korriku i 2005, por kështu nuk ndihmohet e zhvillohet turizmi malor, nuk shfrytëzohen rezervat e bjeshkëve tona. Qeveria dhe shteti nuk duhet të heshtin, duhet të marrin masa të rrepta për shkaktarët e mosrealizimit të projekteve të miratuara, për pengesat artificiale e keqdashëse. Le të urojmë që ndalimi i ujit të mos jenë bërë te ama por ndokund gjatë rrjedhës sepse zhbllokimi do të jenë më i shpejtë.
Makina me të cilën udhëtonim ngjitet Sheut të Lopëve mes freskisë që sjellë lugina e bjeshkës. Ngjitja në Qafën e Tërthores mbi 1600 m mbi nivelin e detit të bën të pangopshëm me ajër. Horizonti shtrihet në një hapësirë të pamatur.
Ndërsa ngjiteshim për në Qafën e Tërthores takojmë dy çifte turistësh të huaj. Gjoka, shoferi me të cilin udhëtonim ndalon dhe me mirësi i fton për të hyrë në makinë, thjeshtë për bamirësi, por ata tregojnë se duan të ecin në këmbë pasi na falënderojnë me një shqipe copa-copa.
Duke ecur kalon pran Liqenit të Tërthores në të cilin jeton tritoni që është veçori për liqene të tilla, Kunji i Pulave, Qafa e Lagonjëve afër të cilës janë antenat e telefonave ajrorë, Varri i të Triepshit, Kroi i Gjeloçinës (gjeraqinës), Kroi i Rranzave, Rranzat, Quku i Nënshtegut, Kodrat e Gjata, Bregu i Sanave, Kroi i Micanit dhe ndalojmë për një pushim të shkurtër në Qendrën Turistike të Thethit. Këtu takojmë Gjon Frashnishtën dhe djalin e tij Franin. Frani është inxhinier dhe kam disi krenari sepse e kam pasur nxënës. Familja Frashnishta ka bërë rikonstruksione e ndërtime të një cilësie të lartë për t’u krijuar pushuesve, rrugëtarëve, studiuesve etj. mjedise sa më të komode.
Këtë vit është rritur në mënyrë të ndjeshme numri i turistëve të huaj dhe vendas – thotë Frani.
Gjoni në porositë shpejt e shpejt nga një kafe. Ndërsa ne pinim kafenë një grup turistësh me motorë kalojnë për ballë nesh për në qendër të fshatit. Kanë kaluar disa grupe kështu gjatë këtij viti – thotë bashkë udhëtari ynë Mirash Kometa.
Me ne udhëtonin  edhe dy gra të moshuara, Minierja dhe Syri përkatësisht 82 dhe 57 vjeç, që vinin në Theth për pushime. Në shtëpinë ku do të shkonin i pret e zonja e shtëpisë Lulë Gjonja. Kur zbritën nga makina, Minierja tha: “ Kur deshëm me ardhë, vajza dhe dhëndëri na e prunë shumë të vështirë dhe s’deshën të na lejonin, por ne u nisëm, disi me pak pishman, por u nisëm. Nuk paska kenë ashtu si na thanë ata.”
Në livadhe të Nikgjonjave zien puna. Është koha e kositjes dhe mbledhjes së barit të bagëtitë. Në Kodërzën e Stak Pjetrushit vringëllon kosa otkos mbas otkosit, në Livadhe të Shtrazës Gjoka, Vjollca, Alberti, Gjini etj. po kryenin punimet e fundit në disa mullar me bar.
Shpresa po rritet, e ardhmja po duket...
Disa vite më parë kemi qitë kushtrimin “Thethi po shkretohet”. Mirë kemi bërë sepse ashtu ishte. Vërtetë pak familje banojnë vazhdimisht këtu. Ndonjë edhe është kthyer vitin e fundit siç është rasti i Gjergj Gjonit, por periudha e verës ka marrë një ngjyrë tjetër, shumë më optimiste, kane filluar dhe janë bërë rikonstruksione të shtëpive për t’ia përshtatur turizmit, janë hell hapa të rëndësishëm për specializimin e pritjes dhe përcjelljes së turistëve vendas dhe të huaj.
Me të hyrë në zonën ë banuar të fshatit, afër rrugës së makinës, nga e majta shikojmë një ndërtesë të re tre kate të përshtatur për turizëm. Është e familjes Ortegu. Aty afër shikojmë një hidrocentral të vogël, sa një mulli, për të furnizuar vetëm këtë ndërtesë. Është hidrocentrali i vetëm privat në Dukagjin. Diku andej nga gjysma e dytë e viteve ’60 të shekullit të kaluar një hidrocentral privat pati ndërtuar familja e Nikë Ndokës së Planit, nga i cili furnizohej me dritë elektrike edhe vatra e kulturës së fshatit.
Poshtë Qendrës Turistike, buzë rrugës së makinës dallohet një shtëpi e re midis gjelbërimit. Familja Miri e ka ndërtuar qëllimisht për turizëm.
Ura e Nikgjonajve është e thjeshtë por qëndron e fuqishme në mes të lagjes me të njëjtin emër. Data e saktë e ndërtimit për herë të parë nuk dihet, por mendohet të jenë mbi 80 vjeçare. Është e gjatë 32 m e gjerë 2,5 dhe e mbështetur mbi katër palë këmbë të fuqishme prej drurit të pishës së kuqe. Kësaj ure ja shtojnë bukurinë uji i kristaltë që rrjedhë p[oshtë saj dhe drurët e shelgut të bardhë që e rrethojnë dhe krijojnë një pamje shumë tërheqëse. Në ballë të urës, në anën e djathtë të lumit është ndërtuar një pikë turistike e çlodhje, por edhe mund të pishë ndonjë gjë apo edhe të hash. Pronari i kësaj pike, Gjergj Gjoni, me finesë dhe shumë natyrshëm i a ka përshtatur natyrës ku është ndërtuar, një kabinë jo e madhe dhe një mjedis pranë saj i hapur, me disa tavolina dhe karrige të punuara vetë me degë shelgu, thjeshtë dhe bukur. Dyshemeja e këtij lokali shtrihet mbi rrjedhën e lumit që ja shton bukurinë dhe freskinë. Ajo është ndërtuar në atë mënyrë që me anë të një kavoje, në rast rritje të prurjeve të lumit, veçanërisht gjatë dimrit, edhe një njeri i vetëm e ngre lart për ta larguar nga rreziku i dëmtimit. Këtij mjedisi shumë tërheqës  i shtohet edhe prania e një mekanizmit të posaçëm dhe unikal për pjekjen e fërlikut. Me këtë mekanizëm fërliku nuk rrotullohet as me dorë dhe as me rrymë elektrike. Ai rrotullohet nga rryma e ujit, nëpërmes disa fletëve që takohen me ujin e rrjedhshëm e rrotullimi transmetohet me anë të një litari dhe disa dërrasave të bëra si polezha tek helli i fërlikut. Ai funksionon shumë mirë. Ndërsa ne po pinim nga një kafe në këtë mjedis shumë të bukur dhe tërheqës, Gjergji na thotë:
-Pak ditë më parë kam filluar punën. Të parët që kanë drekuar këtu kanë qenë dy familje miq në mes tyre. Familje nga Lezha ishte Nikollë Voci me të shoqen Marien dhe vajzën Eni e djalin Arditi dhe një familje nga Thethi, Gjon Lleshi me të shoqen Mrikën dhe vajzën Bela.
Shëtisnim nëpër Fushën e Thethit dhe shikonim kishën e ndërtuar vitin që kaloi me mjaftë kujdes, banesën karakteristike të ndërtuar mbi gurë në Ulaj, kullën e ngujimit në Kolaj, por edhe shtëpitë e tjera dhe tokën që punohet.
Jo larg lumit, shikojmë një grup punëtorësh në oborrin e një shtëpie. Është shtëpia e Lekë Gerlës. Afrohemi e bisedojmë me Lekën, nënën e tij Gjysten, Gjinin etj. Leka po forconte anët e shtëpisë me plinte hekuri dhe betoni dhe do ti veshte me gurë të zakonshëm pastaj për të mos i prishur origjinalitetin.
Unë, - thotë Gjystja, nëna e Lekës mbi 80 vjeç, kënaqem kur shikoj se si fëmijët e mijë nuk ja kthejnë shpinën truallit ku u lindën.
Të gjitha këto të mbushin me optimizëm se shpresa në këtë fshat po ringjallet dhe e ardhmja po shuket dhe kthjellohet.
Një telefonatë nga Kaprreja...
Në një pasdite po qëndronim në freskinë e një hije kumbulle. Bie telefoni. Nga ana tjetër dëgjoi zërin e mikut tim Gjon Gila. – Jam me një grup turistësh francez dhe italian, por mosha e tyre dhe rruga e kanë bërë të vetën. Nuk e përballojnë rrugën deri në Theth dhe kërkojnë të ndihmohen me ndonjë makinë. Me njëherë hyra në lidhje me Gjokë Shytin. Ky ndërpreu punën që ishte duke bërë në arën e tij dhe pa vonesë niset për t’i ndihmuar. Pas dy orësh grupi vendoset në një hotel në qendër të fshatit në kushte normale, të familjes Harusha. 
LUIGJ SHYTI

Dukagjinizimi i Shkodres

Pas botimit të opinioneve nga shumë intelektual dhe njerëz të thjeshtë në gazetën “Dukagjini” lidhur me shkrimin e botuar në gazetën “Ndryshe” të datës 21 korrik 2007, kemi shumë kërkesa që të botohet i plotë ky shkrim në faqet e gazetës tonë, duke qenë se kjo gazetë nuk është shitur në Shkodër në këtë datë, arsye të cilën ne nuk e dimë por le t’ia lëmë ndonjë “rastësie”.
Sqarojmë së ky material është shpërndarë edhe në internet  dhe kështu po e botojmë.
Shënim i Redaksisë

Nga Ardit  Kraja
Sa here shkoj e vij ne Shkodër si kurbetlinjtë degjoj ankesa nga me te ndryshmet’ nga intelektuale shkodrane. Ankesat vijojne si shkak i ardhjes apo i dyndjes viteve te fundit te dukagjinasve apo banoreve te fshatrave dhe maleve po me te njejtin brum mentaliteti dhe mendesie. Po ashtu edhe anshmerise qe eshte duke mbajtur PD-ja ndaj pales katolike dhe pjeses se ardhur nga Dukagjini. Influenca e tyre eshte perkrahur nga krahu politik i Partise Demokratike, e cila ne Shkoder ka favorizuar dhe favorizon vazhdimisht komunitetin katolik dhe vecanerisht te ardhurit nga Dukagjini, ne kontrast me ate mysliman. (çdo vizitor, nese kalon neper dy zonat tashme te ndara me maxhoranca fetare do te shohe se ana katolike apo e atyre dukagjinasve te ardhur, jane shume me te mbajtura dhe me te ndricuara. Ndryshimi nuk eshte aq i vogel sa te dukemi si miope qe s’shohim me gjate, por eshte i theksuar dhe vihet re kollaj pa e munduar vendin. Po ky vizitor do te shohe se katoliket kane marre gjithe ato toka dhe institucione (duke perfshire shkolla te medha sig ishte shkolla “11 janari”) ndersa zonat myslimane me zor kane marre ndonje cope toke sa per futur trupin per t’u falur. Vite me pare u dogj Dega e Brendshme, me te vetmen arsye qe te merrej pastaj ne pronesi nga disa shoqata katolike. Myslimanet shkodrane jo vetem qe nuk kane nderhyre asnjehere me lloje te tilla kabahe dhe kriminale per te marre institudonet e tyre, por kane qene shembullore edhe ne kerkimin e te drejtave te tyre me metoda institudonale. Ndersa ana katolike e ka mbushur Shkodren sikur te ishte nje Vatikan i dyte. Kjo aspak nuk me shqeteson perderisa eshte nje toke qe ata e trashegojne, por problemi qendron kur ana tjeter (ajo myslimane) paralizohet ne ate menyre, sa nuk duket se ka nje fare identiteti ne kete qytet. Shkodra eshte nje qytet me maxhorance myslimane dhe nese shikoni historine e saj do te shihni qe kontributi i myslimaneve ndaj ketij qyteti, jo vetem qe ka qene shembullore, por edhe ka qene vendimtar per ekzistencen e saj. Rrethimi i Shkodres ka qene nje nder betejat qe ne balle te saj ka pasur myslimane, te diet e mbrojten kunder pushtuesit serbo-malazez. Myslimanet shkodrane kane kontribuar kudo ne shoqeri dhe nuk ka nje cope gure apo nje cope derrase qe nuk e deshmon kete. Myslimanet shkodrane ishin ata qe ngriten pazarin e mrekullueshem te Shkodres dhe ishin ata qe i dhane arkitektures se qytetit nje madheshti dhe bukuri te vecante.Ndertimi i bustit te Nene Terezes u mbrojt cuditerisht edhe prej Shoqates se Intelektualeve shkodrane. cuditerisht keta njerez me naivitet u bene vegia, pa dite e pa kuptuar, te kesaj fryme per dukagjinizimin e Shkodres. Duke pare qe ajo nuk ka pasur asnje viere dhe asnje kontribut ndaj qytetit te saj, te cilin edhe kur erdhi nuk i shkoi mendja nje here ta shikonte. Po ajo eshte per njerezimin figure e meshires dhe paqes, te cilen nuk kam ndermend t’ia heq aspak, por, pse politizohet figura e saj ne kohen kur   ajo   me   zor   e   ka   permendur   qe   eshte   shqiptare.
Kryqet ne .kodrat e Bushatit jane nje menyre halabake e te shprehurit te fese. Krijimi i ketyre “monumenteve” primitive kerkojne vetem te ngacmojne sensibilitetin e qytetareve shkodrane myslimane. Nje c’rrenjosje e identitetit te myslimaneve shkodrane. Do ta pyesja cdo mendje inteligjente te anes katolike sesi do t’ju dukej nese ne myslimanet te benim nje yll e han me gur, te lyer me gelqere, taman ne mes te Taraboshit sikur ka qene dikur PPSH-ja. Do ta kisha dashur ta shihja ne realitet kete gje se ndryshe nuk ka asnje gjase qe ana dukagjinase apo ky mentalitet halabak i te shprehurit te identitetit te tyre te ndryshoje. Megjithese une jam kundra kesaj lloj forme te shprehurit te fese, pasi Shkodra, sikurse eshte ndertuar nga myslimanet shkodrane eshte e ndertuar edhe prej atyre katolik pa ja hequr asnje fare grime te vogel te kontributit te tyre. Si qytetar shkodran, ashtu sic; jam kunder kryqezimit te kodrave, maleve, trotuareve ashtu jam edhe kundra nje yllehanizimi (yll e hane simboli i myslimaneve) te tyre. Por me provokime te tilla qe behen nga keta primitive, qe vijne nga vende qe as shohin drite e as dine se g’fare eshte qyteterimi do te provokojne edhe Yll e Hanizime te kundersjellta.
Shpresoj se, pastaj ajo gare fetare te mos kthehej si dikur dhe te shihnim koka derrash ne prag te xhamive. Atehere do te jete vone per me nderhy nga ana e shtetit. Jo vetem kaq, por ajo tolerance dhe mirekuptim qe ka ekzistuar prej mijeravje^aresh mund te zhduket sa hap e mbyll syte prej ketyre  fenomeneve.
Zotni, me kete lloj indiference ju vetem po materializoni barcaleten e Nastradinit (larg...), e cila nuk i ka shkuar asnjehere per shtat myslimanit shkodran. Myslimani shkodran i ka dale ne balle halleve te qytetit dhe te fese tij perkatese. Ky lloj indiferentizmi vetem i ka favorizuar anen halabake. Shqetesimi im qendron ne indiferencen e elites intelektuale myslimane shkodrane, e cila vetem gumezhim kafenesh dhe se ka aspak guximin per ta cuar pak zerin. Gazeta “Shqiperia c’etnike” eshte bere organi zyrtar i kesaj fryme halabake. Me artikujt e tij teper tendencioze dhe fyes per myslimanet shkodrane dhe fene e tyre.Ne krahun tjeter myslimanet nuk e kane pasur asnjehere zakon ta privatizojne fene e tyre me metoda halabake. Ky rast fatkeqesisht nje realitet qe vazhdon e veshtiresohet dita-dites. Pothuaj, dallimet fetare tashme kane rene ne sy jo vetem te shkodraneve por edhe te huaj qe pyesin. Zoti Tedeskini me mire eshte te merret me cubat e ardhur prej viseve te humbura sesa me etnicitetin e disa familjeve shkodrane. Kuptohet që mua as nuk më djegin shkrimet e Tedeskinit dhe asnjë intelektuali katolik, ecën nën guidën e autorit “gjurmët e ujkut oriental”.


PAL BREGU, MËSUES, SHOK E FAMILJAR I DALLUAR

ZEF BARI
Kush e ka njohur Palë Bregun në moshë të re dhe e krahason me të tashmen, thotë: nuk ka ndryshuar në cilësitë e tij, si të shkathtësisë, fisnikërisë, temperamentit, respektit për njerëzit, për punën dhe çdo gjë që është me vlerë për njeriun e në veçanti për intelektualin. Ndonjë thinjë në kokë apo rrudhë në ballë “e pranon me vështirësi” sepse është i Lotaj dhe se ky fshat rininë e ka dashtë fort, prandaj për vitet e rinisë kanë nostalgji më shumë se kushdo tjetër në Dukagjin.
Duke pasur që në rininë e hershme mundësinë dhe rastet e shumta, të njohjes, të pritjes dhe të përcjelljes, të respektimit të miqve, shokëve dhe dashamirëve të familjes së tij, Pali fitoi cilësitë e një fisniku e bujari të veçantë ndër moshatarët e tij. Ura e Re lidhte jo vetëm fshatrat e shumicës së Dukagjinit, por dhe të Nikaj – Mërturit, dhe shtëpia e tij afër saj i dha mundësinë të njohë burra e njerëz me vlerë, që do ti respektonte por dhe të mësonte shumë nga ata.
Gjithmonë e ka dashur shkollën dhe që në rini e pëlqente profesionin e mësuesit ashtu si shumë të rijnë të tjerë, sepse në atë kohë figura e tij, misioni, respekti dhe gjithçka ishte në shkallën e lartë. Pali filloi punë jo në sektorin e arsimit por në atë të kulturës. Pasi mbaroi për regjisorë në Shkodër, punoi në Shtëpinë e Kulturës Breglumi nga viti 1969-1971. Puna dhe pasioni i tij bënë që të rritet cilësia dhe masivitetit i veprimtarive kulturore dhe artistike jo vetëm në zonën ku shtrihej veprimtaria e kësaj shtëpie kulture, por dhe më gjerë.
Dëshira për të punuar në arsim iu plotësua në shtatorin e vitit 1971, me emërimin mësues në mëhallën Kaprre. Për një mësues, që profesionin e kishte ëndërr, të fillonte me katër klasë  kolektive, pa eksperiencën e duhur, pa ndihmë kolegësh me përvojë, fillimi nuk qe fort i këndshëm. Çdo ditë i duhej të bënte 5-6 orë rrugë në këmbë për të shkuar në punë e për tu kthyer në shtëpi. Lëvizjet e kuadrit në Dukagjin bëheshin të shpeshta, ku në shumicën e rasteve binin nesh interesave të punës, por vështirësonin edhe kushtet për një jetë e punë normale të mësuesve, gjithmonë larg familjes. Palë Bregu pati “miq” që në transferimet e shpeshta, njohu dhe e njohën jo vetëm tri zonat e mëdha të Dukagjinit: Shala, Shoshi e Pulti, por punoi në shumicën e fshatrave të tyre. Përveç se në shkollën Vuksanaj, Breglumi, Lotaj, e të tjera në Shalë, iu desh të punojë në Toplanë, Ndreaj, e Nicaj të Shoshit, në Pog e Kir të zonës së Pultit. Radhë ndonjë inspektor arsimi gjatë karrierës së tij mund të kishte kaluar nëpër gjitha ato shkolla, pa llogaritur drejtorë të arsimit. Kudo që shkonte, dallohej për përkushtim në punë, aktivist shoqëror, ishte i mirëpritur dhe i bënte vend vetës në çdo fshat, kolektiv apo familje.,
Në Kir punoi dhe jetoi me familje disa vite. Për të dhe familjen e tij kishin  respekt kiçorët sikur të ishin vendas prej dekadash. Shtëpia e Palë Bregut në Kir, në qendër të fshatit, priste e përcillte miq jo vetëm në çdo muaj e stinë të vitit, por dhe në çdo kohë të ditës dhe të natës. “Të dalim nga Palë Bregu” – thonin ata që dilnin nga Shkodra për në zonat e Dukagjinit. “Të biem nga Palë Bregu” – dëgjoheshin të thonin ata që bënin rrugën nga Breglumit, ose nga Shoshi - për në Shkodër.
Pali nuk është vetëm një mësues i përkushtuar, por dhe një familjar shembullor. Ai nuk është një intelektual që numëron ditët të vijë data e rrogës. Puna i ka rrit vlerat si njeri, por dhe shtuar të ardhurat në çdo kohë. Nuk ia ka përtuar asnjë lloj pune kur të kishte të bënte me ekonominë dhe interesat e familjes dhe shtëpisë së tij, e në veçanti në vitet e ekonomisë dhe iniciativës private, që jo kushdo u orientua shpejt në këto vite dhe në veçanti intelektuali. Pali i përkushtuar ka qenë dhe është për bletët. Bletës ia di hallet dhe nevojat, investon për to dhe ua plotëson kërkesat, duke i shtegtuar nga një zonë në tjetrën, nga një rreth në tjetrin për të gjetur kullotën e nevojshme, për ti shtuar dhe ripërptrirë. Ai është në drejtimin e Shoqatës së Bletërritësve të Shkodrës dhe këmbëngul që të mos abuzohet me cilësinë e mjaltit për hire të fitimit duke bërë të diskutohet emri i mirë që ka pasur mjalti i bjeshkëve të Dukagjinit.
Pali pas vitit 1990 banon në Shkodër. Vijon profesionin e mësuesit dhe ka 11 vite që punon në fshatin Paçram të bashkisë Vaudejës. Vullneti dhe dëshira për profesionin e edukatorit, për rritjen e përgjegjësisë, për ngritjen metodike e profesionale, e ka pasur parim të tij. Për kontributin dhe meritat e tij  është dekoruar me disa urdhra dhe medalje pune.
Pali dhe brezi i kolegëve mësues të tij, punuan shumë, u lodhën dhe kaluan moshën më të bukur të jetës, rininë fshatrave të Dukagjinit, për të mësuar dhe edukuar bijtë e bijat e malësorëve të asaj krahine. Në bisedë me ta flasin me nostalgji, për shoqërinë e asaj kohe, për kolektivat, personazhet, organizimin e punës dhe të jetës, shumicën e kohës larg familjes, për ish nxënësit që sot janë të shpërndarë jo vetëm në Shqipëri, por në të katër anët e botës.

MIGJENI - LAJMËTAR I HORIZONTËVE TË REJA

“...dhe pranvera erdhi... nëpër ftyra tona rrëshqiti një gëzim dhe ndër zemrat tona ngrehi një fole e një jetë e bukur e një jetë e re me dëshira të shumta po buzëqesh në  lulëzim...”

LUIGJ TEMALI
(vijon nga numri 45)
Gogoli qëndronte dhe te “Husarët në Adriatik”. Pak vite para pushtimit fashist autori  shkruan:”...Kush mund të parashifte se dikur, mbas mija vjetë, stërnipët e ilirëve me stërnipët e romakve të pasur do të bahen miq kaq të sinqertë?! 7 prilli i vitit 1939 e vulosi me turp dhe gjak këtë “miqësi” të madhe!
“... I them shokut tim:”... Po nuk deshe të qëndrosh si idealistat e mbdhaj të botës, ti  atëherë qëndro si stërgjyshërit tonë ilirë....”                No koment. Zëri i poetit jehon: “Mos harroni! Jam shqiptar, stërnip i Ilirëve”.
Migjenit i qau zemra pa pushim për fëmijët e varfër sidomos për Lulët, Lilët, Lypsin e vogël dhe Zenelët., të cilët i donte me gjithë shpirt. Si mësues dhe edukator u përpoq me të gjitha forcat për përgatitjen e tyre me arësim e dije. Ai shpresonte që nesër ata do të jenë  e ardhmja e ndritur e Shqipërisë. Prandej nuk kurseu as jetën. Te Novelza “Luli i vocër” lexojmë:”...Nga një herë i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur e ka ftyrën e dlirtë dhe pa puça mësuesi ja ledhaton faqet, gushën e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pllumbi dhe kishte dashtë t’i fali diçka mësuesit tjetër? Veç ne ja faltë tollumbat e veta që kanë hapur gojën si me dashtë me e hangër mësuesin. Po,po, tollumbat e Lulit të vocër kanë me e hangër mësuesin...”
Mësuesi i Popullit kishte besim të madh te vegjelia. Duke ju referuar “Zenelit” dhe ndonjë nxanësi tjetër të shkelqyer në mes tjerave thekson:”... E dij se nenesre Shqipnia në glob ka me u rritë, ka me u ba kushedi sa e madhe prej dorës së ndonjerit nga shqipot e klasës...”Dhe vazhdon:”...Shpesh herë më pëlqente të mendoj mbi ardhëmenin’ e Zenelit. Por ç’e do. Nuk mjafton vullneti i mirë i em, që ta baj Zenelin të hypë ndër maja te nalta kah shpërthejnë horizontet e dritës...”
Shkrimet e Migjenit janë një pasuri kombtare. Cili prej nesh nuk i ka lexuar novelat “Mollë e ndalueme”, “Legjendën e misrit”, “A do qymyr, zotni”,”Bukën tonë të përditshme falna sot” etj.”...Vazhdon punëtori ynë t’u bije pash me pash rrugavet të qytetit. Kërkon punë. Si kolegët e tij në Berlin e London. Për siguri duart i vë mbrapa.E duert e tij janë të forta, të fuqishme. Edhe dreqin e kishin kap për fytit dhe e kishin mbytë. Por edhe dreqin e mbron ligji...”
“... Nëpër luginat e maleve përshkohet malsori vetëm me një këmishë e brekë legjendare mbi shtat, për me arrijtë në qendrën e nënprefekturës, me marrë misër. Krahnori i tij asht një copë graniti që u shkëput nga mali dhe u vendos mbi dy kambë të drejta e të forta si landa e pyllit...”
“...Ndodh që njenit i derdhen kokrrat e misrit nëpër birë të vogël të thesit, shoku mbrapa, pa i pa, i shkel, i treti shok as një as dy,-por ja hjedh mallkimin e pamshirshëm: mos i shel he të shitoftë Zana! Se shekulli i njëzetë asht shekulli i apoteozës së misrit ndër foletë e shqipeve.”
“...Djaloshin e tërheq bukuria e malsores. Sa at qymyr fisnike?- Tetë lekë? – Merre shtatë!-Hajde për gjashtë! Malsorja rri pezull. Shikon diellin. Asht koha me u kthye në malësi.Ja pash hajrin!- thotë, dhe i shkon mbrapa blersit...”
“... Bukën tonë të përditshme falna sot.Por furrtari nuk jep ma bukë me listë.
- Thuej nanës të çojnë paret po desht me i dhanë bukë.
-Moj nanë! Nuk m’i ke dhanë paret... S’ka bukë ka thanë- britte Lili që nga dera e oborrit.
-Mirë moj nanë, s’ka gja. Tash ka me prue baba.
-Por baba nuk pruni as buk’ as gjë tjetër, as mbrame as sonte.
- Bukë! Buukë për Lilin!
- Bukë! Aman! Vdiq Lili!
Shpirti cinik, vampir dhe mizor i disave, që janë ujqër për njeri tjetrin dhe të tjerët, është  portretizuar me realizëm  dhe finesë nëpërmes figures të zotni Filipit, i cili pasi e ka nxjerrë Kolën, babën e Lilit, nga puna në rrugë të madhe- i thotë atij.”... He pra çka me ba? Ket krizë, ket hordhek unë s’e mbaj mend ndoj herë. U banë lufta, u banë revolucione, por krizë nuk kishim. Vlonte parja an’e mbanë. Shtrejtsi -po. Por ajo ishte për dobinë tonë. Çka na duhet ne se po vriten tjerët... A ende,s’janë vra-a? U farojshin...”
“... e vdekja në rini nuk pritët me duar kryq, ajo ndryshoi jetën...”
“... Jo,jo, s’jam plakë! Mendonte. Tije e bukur moj dreq!- E kur burri s’ta çon as një lekë e ti me fëmi po vdes unit, besa ti je e marrë= i tha Lezja. Dhe ja rregulloj punën...”
“... Posa hyni Kola në rrugizen ku e kish shtëpin’ i nguli syt’ mu në derë t’oborrit që prej së largu. Pau se bash nga dera e shtëpis së tij doli një zotni i huej, i panjoftun. Kolës diçka i ra në krye...”
“...Si një i plagosur randë u ul në karrigë...”
Zoti të dhashtë”.”Por lypsi e din se çdo me thanë “Zoti të dhashtë”, mos me pas kurrë, mos me ngranë kurrë.
Eh kohë moderne! Përsëri gjëmoni! Edhe pas 80 vitëve refreni i Migjenit nëpër rrugët tona! Deri kur?
Te novela e bukur “Studenti në shtëpi” shkrimtari  pasqyroi me vertetësi, në një mjedis familjar qytetar, gjendjen e prapambetur e të trazuar të shoqërisë shqiptare të kohës, si edhe përpjekjet e para të mundimshme plot me të papritura për emancipimin dhe përparimin e saj. Në këtë kuadër të bëjnë përshtypje mendimet e thella filozofike e morale të autorit për nderin, hakmarrjen, familjen dhe shoqërinë. Nushi, i shkolluar jashtë shtetit, është përfaqësues i klasës së re politike që po rritej, i borgjezisë së vogël, i cili duke parë prapambetjën e theksuar të vendit, me urtësi, durim e vetpërmbajtje, u kundërvihet tabuve të vjetra  konservatore e reaksionare duke u bërë pararendës i fillimeve të një epoke të re.“...Nushi vëren kontrastin e tmerrshëm në mes të vendit të vet dhe t’atyre viseve e në mendime gjurmon shkaqet pse vendi i tij asht aq mbrapa. Dhe nj’ato shkaqe me gjith’zjarmin e rinis’, e urren.. Urren të kaluemen që asht aq e afërme si baba i tij. Baba asht i afërme, si babë, por i largët si përfaqësues i shoqnin, si person..”
“...Mbas tri vjetëve Nushi u kthye në shtëpi si mjek i kryem.
Nuk ekziston familje ideale dhe se dashurinat, të cilat i quajmë ne ma të sinqerta, janë vetëm një korespondim i përshtatshëm i interesave materiale ose fizike...”
“ Paraftyronte veten me fes mbi njenin sy, me mustakë të mdhajë, me kobure në dorë tue qëndrue mbi motrën dhe dashnorin e saj, të dy të vramë mbas shijimit të mollës së ndalueme.- M’at akt burrnor qëndron fisnikëria e racës s’onë,thonë moralistat tonë.-M’at akt shtazor qëndron primitiviteti dhe injoranca e vendit t’onë, përgjegje Nushi vet  me veti. Unë jam pa moral, koncepti i em menduer- mos me thanë ideologjik=nuk pajtohet me moralin, të cilin mue kjo shoqni ma inponon. Por unë e marr moralin e saj për sy faqe, n’sa mbrapa ja loz lojen kur të due. Kështu si unë ja lozin lojen shoqnis’ me qindra veta në vendin tonë. Prandej shoqni, po deshe të mos lozin në kurriz tand, ndrro format. Hiqi bragashat.
Migjeni ishte intelektual i mirëfilltë. Ai dëshironte dhe kërkonte që Shqipëria të niste pa humbur kohë rrugën drejt Evropës. Por, pas një sundimi të egër abskurantist 450 vjeçar otoman, ajo e kishte tepër të vështirë të merte startin optimal të nisjes, sidomos të shtonte shpejtësinë e nevojshme të hapave drejt kësaj rruge. Ishte tepër e ngarkuar. E vjetra, e zezë si errësira e natës, ataviste e konservatore sundonte tmerrsisht mbi “trupin” e saj. Kërkohej më shumë liri, emancipim shoqëror, të drejta të barabarta midis burrit e grues, dashuri dhe mirëkuptim.
Sëpari kërkohej të  “Çelen Arkapijat”.Por më përpara duhej të “hapeshin” shpirtërat e njerëzve të mbydhur në kasafortat  e ndryshkura anadollake të injorancës dhe fanatizmit mesjetar .
“... Dikush dikund larg, nga shpirti dhe mendsija e këtyre njerëzve kishte vendos me vdekë sentimentalizma e mykun.E kjo sentimentalizëm që asht e lidhun për perçen e grave asht një kusht me randsi për jetën e këtyne njerzve në ket gjendje që gjenden.
Dy netë para se t’u vente në zbatim ligja e dekretueme për zbulimin e grave mbas darket, erdhi te Oso Bakalli vllai i tij me të gjithë pjestarët e familjes.
-A me të vertetë i kish dalë emni në gazetë dhe Hakës t’Ali Isufit- a?
-Po pse i ka dalë në gazetë?
-Demek i ka thanë mbretit se do me dalë e zbulueme... pyetnin gratë njena tjetrën dhe syt’ i silleshin kah burrat për me kërkue shpjegim.
-Po, Allahu ma marroftë! Unë i çuditem Alis’, pse ai gjithmon’m’asht dukë burr, e këtu ma len gruen me i dalë në gazetë-tha Osja me za që ta ndëgjojnë edhe gratë.
- U! Punë e madhe...Kishin dalë dhe Rrukija e Brahim Ages, Adilja e Shaqir efendis, Gonxhja e Hysen Tahirit...-filloi me numrue me zili njena prej gravet.
- Po duhet me u dalë dhe resmja në gazetë- tha tjetra me tallje...”
“Historia e Njenës nga ato”. Prostitucioni! Autori bën apel. Një plagë e rendë dhe e turpshme e shoqërisë! E shkreta Luke! Por sa ka si ajo? Mjerisht edhe sot! “...Ato janë shumë sepse ka shumë meshkuj, pare, prandej duhet në numur relativ të kenë dhe trupa që shitën. Jeta e tyre asht një. Të gjitha janë njësoj  dhe të gjitha ju apin atë që kërkoni- me pare në dorë...”
“... Dhe fantazia e të rijve krijon aureole... rreth trupit të një grueje që shitet, e cila, instiktin prodhues e ka lidhe me interes material, pse shoqnia drejt apo zhdrejt e detyroi...”
Fundi i Lukës ishte tragjik.
“... Automobili u nis. Dhe Lukja, me ftyrë të nxime nga vuejtja, me ata sy të marri, me at hihihi, shkoi në çmendinë...”
Shkrimtari si çdokush ka botën e tij. Në këtë kuadër dikund ai përmend alternativen e ekzistences të “Frymës Hyjnore”ose të “Idesë Absolute”në maje të  Kullës së  Babilonit. Kurse në një vend tjetër ballafaqohen gjigantizmi i disa objektëve të kultit me shtëpitë përdhese në gjirin e të cilave rritej çdo ditë si përbindsh varfëria dhe mjerimi i banorëve të tyre. Vetëm kaq dhe asgjë më tepër. Kurse sot në Perëndim dhe në disa vende të tjera shumë të zhvilluara ekzistojnë universitete, institute dhe qëndra studimore tekniko-shkencore tepër të specializuara, të cilat kanë avancuar në mënyrë marramendëse në studimet e tyre të sofistikuara rreth misterëve të ekzistencës së Universit dhe të jetës në disa zona jashtzakonisht  të veçanta e të “priviligjuara” të tij.
Te Kangët e fundit Migjeni përshkroi vuajtjet dhe qëndrimin e vet burrëror kundër sëmundjës së tij të pashërueshme. Edhe në ato ditë ai përsëri mendonte për bashkëatdhetarët e tij në mjerim. “...Për të gjorët? Për ata që nuk kanë dritë...”
Në letrat e tij të fundit lexojmë:
“...Vuej me njeriun! E besoj i dashtuni T... se nuk asht kjo një metamorfozë egoizmi, siç pretendojnë disa-por asht diçka tjetër që shpallet te njerzit të cilët- rasësisht, për një kohë- gjenden jasht materializmit të ashpër. Këto mendime më therin ndër ndenja dhe me pezmatojnë...
Te poezia“Lutje”zbulohet plotësisht fisnikëria e shpirtit të tij.
“...Të lutem, o Perendi / për një simfoni / me tinguj t’argjentë / e akorde t’ artë.
Të lutem, o Perendi, / për një simfoni- / plot dashuni / të nxehtë si tu vasha gjitë / kur vlojnë ndijesitë...”
Ndijesitë më të mëdha të  shkrimtarit janë për poezinë.”... Poezia asht prona e të riut. S’ka të ri që nuk e ndjen bukurinë. E njajo ndenjë e bukuris’ që shfren nder fjalë asht poezia. Gjithnjë vazhdon të jetë poezia që ndez dhe djeg ma tepër...”Ku ka më bukur!
Migjeni u shtrua për mjekim në Itali,në Sanatoriumin “Ospedale Valdese” te Tore Pellice afër Torinos. Në fillim ndjente dhe shpresonte se po shërohej. Por nuk zgjati shumë. Papritmas sëmundja ju rendua. Për çudi mjekët i rekomanduan një ndërhyrje kururgjikale të vogël. Migjeni pranoi dhe operacioni u bë në qershor 1938. Efekti i tij qe fatal. Me një rezinjacion të çuditshëm natën e 26 gushtit 1938 u shojt si në gjumë.
Migjeni mbetët kurdoherë i ri, plot shkelqim e lavdi, në “Panteonin” e pavdeksisë të korifejve më të mëdhenj të letrave shqipe. Ai është lavdia e jonë, krenaria e kombit, Ante i vegjelisë dhe yll i pashuar në horizontet e ndritura të letersisë tonë.
Me rastin e 69 vjetorit të vdekjes le të shërbej ky shkrim si një tufë lulesh të freskëta mbi varrin e tij kujtim.

part03
   
   
     
 

nëkrye

 
 
numrat