part01
part02
kryesore historiku aktivitete gazeta botime tetjera

gazeta39

DUKAGJINI ARSIMDASHËS

Dukgjini ka pasur dhe ka shumë anë pozitive, shumë vlera, për të cilat krenohet. Ai ka qenë dhe është arsimdashë. Ketë vlerë do ta trajtoj shkurtimisht në kuadër të 120 vjetorit të shkollës shqipe.
Dukagjini, siç është pjesë aktive e gjithë historisë së popullit shqiptar, është pjesë aktive edhe e zhvillimit të arsimit dhe shkollës shqipe.
Dukagjini, i i gjithë populli shqiptar, ndoshta edhe më shumë, trashëgoi një analfabetizëm pothuaj 100 përqind. Edhe kur në zona të ndryshme të Shqipërisë me të njëjta kushte me ne, filluan të hapeshin shkolla shqipe, tek ne ky proçes po vononte. Vetëm në vitin 1936 u hap e para shkollë shqipe në Theth. Asnjë perkujdesje nuk tregoi regjimi i Zogut, i cili për Dukagjinin u kujdes vetëm me e djegë dhe me e pjekë, si dhe me i var e vra bijtë e tij më të mirë.
Gjatë pushtimit fashist, në vitin 1941 u hap shkolla shqipe në Abat, Kodershëngjergj e Palaj të Shoshit, e shoqëruar edhe me godina cilësore, por edhe ato e patën jetën e shkurtër.
Perspektivat e zhvillimit të arsimit shqiptar u hapën vetëm pas çlirimit të vendit nga okupatorët nazi-fashistë, ku mirë apo keq shqiptarët për herë të parë morën në dorë fatet e tyre.
Dua të cek me ketë rast habinë se si shumë njerëz të penës, duke përfshirë edhe dukagjinasit, përtojnë të zënë në gojë kurrfarë anë pozitive apo arritje të përiudhës totalitare, por janë të gatshëm në çdo kohë që të vënë në dukje çdo anë të errët të asaj kohe! Në qoftë se ka pas ndonjë anë të mirë periudha 46 vjeçare, totalitare, ajo ka qenë se bëri shumë për zhdukjen e analfabetizmit e arsimimin e popullit. Ndër gjërat e pakta që Enver Hoxha ndryshonte nga diktatorët e tjerë, ishte se në qoftëse të gjithë duan me e lanë popullin të pa arsimuar, për t’a sunduar më lehtë, ky bëri përpjekje që populli të arsimohej.
Që në vitet e para të mbas ’44-tës u hapën kudo kurse kundër analfabetizmit, që pati mjaft rezultate. Këto kurse u bënë bazë për rrugën e mëtejshme të shumë kuadrove dukagjinas, sidomos të mësuesve të parë dhe ushtarakëve të ardhshëm. Në mbeshtetje të vendimit të qeverisë, që shpallte arsimin fillor të detyrueshëm, në vitin 1946 u hapën shkollat fillore në çdo fshat, në të cilat pjesmarrja e fëmijëve ishte e kënaqëshme.
Për të “zbut” sadopak vështirësinë e vazhdimit të shkollës fillore, në vitin 1946 u hap në fshatin Xhan konvikti shtetëror për djem e vajza dukagjinase, në të cilen u regjistruan e vijuen me dhjetra të tillë, të cilët vazhdonin edhe shkollën e pershpejtuar. Në vitet 1947 e 1948 ky konvikt vazhdoi në Theth, pastaj u transferua në Shkodër si konvikti i maleve, i cili mori emrin e birit të Dukagjinit, Heroit të Popullit “TOM KOLA”. Përsëri, duke iu përgjigjur vendimit të qeverisë se asaj kohe, në vitin 1952 shpallet arsimi 7-vjeçar i detyrueshëm, në Breglumi të Shalës, në vitin 1953 u hap e para shkollë 7-vjeçare, me mësues të parë Guliem Pistulli dhe drejtorin e parë të kësaj shkolle Mikel Prendushin.
Në vitin 1955, në Dukagjin u deklarua zhdukja e analfabetizmit, për moshën deri 40 vjeç, që ishte një sukses i madh për kohën.
Me kalimin e viteve, rriteshin edhe këkesat për arsim. Në vitin 1968, u kalua nga sistemi i arsimit 7-vjeçar, në atë 8-vjeçar. Në ketë vit u hapën shkollat e reja në të gjitha fshatrat e Dukagjinit me mësuesit dhe drejtorët e parë vendas. Për të mos me mbetë asnjë fëmijë pa arsimin 8-vjeçar, në disa fshatra u hapën konvikte me financim të shtetit dhe ekonomive bujqësore, si në Theth, Palaj, Plan, Toplanë, e të tjera.
Për të rritur nivelin arsimor të popullatës, u kërkua arsimimi i mesëm, u rritë dëshira për një arsim të një niveli më të lartë. Mbas mbarimit të arsimit 7 apo 8-vjeçar, me dhjetra e qindra malësorë vijuan shkollat e mesme të përgjithshme e profesionale në Shkodër e qytete të tjera të Shqipërisë, duke i përfunduar ato me rezultate të larta. Një pjesë e mirë e tyre vazhduan studimet e larta në degë të ndryshme, të cilët dhanë një kontribut të vlefshëm në zhvillimin e sektorëve të ndryshme të jetës shqiptare të kohës.
Në vitin 1972-1973, në Breglumi u hap shkolla e mesme Bujqësore dhe më vonë ajo e Përgjithshme, të shoqëruara me konvikt shtetërot, në të cilat mësuan me qindra nxënës dukagjinas e më gjërë. Në vitin 1974, në Shllak, me qendër në fshatin Gegaj hapet shkolla e mesme Bujqësore e shoqëruar me konvikt. Një pjesë e maturantëve të këtyre shkollave, vazhduan studimet e larta në degë të ndryshme, si: argronomi, ekonomi-financë, ekonomi-plan, mjek, arsimtarë, inxhinieri, e të tjera, të cilët u shquan për nivel të lartë të asimilimit të njohurive shkencore.
Dukagjinasi ishte aq shumë arsimdashës, aq sa nxënësit vinin në Breglumi për të vazhduar shkollën e mesme nga fshati Theth e nga Shoshi, duke bërë çdo ditë 5-6 orë rrugë në këmbë. Me qindra anë e kend Dukagjinit, vazhdonin shkollën e mesme pa shkëputje nga puna, me qendër në Breglumi.
Mbasi, në vitin 1988 u hap shkolla e mesme edhe në Theth dhe në Pult, dhe në vitin 1991 në Shosh, bëri që në fund të viteve 80-të, mbi 80 përqind e të rinjëve dukagjinas të mbarojnë shkollën e mesme të përgjithshme ose profesionale, e cila përbënte një arritje të madhe.
Për ketë zhvillim të arsimit në Dukagjin, për atë nivel të shkollës, meritë në radhë të parë kanë mësuesit dukagjinas, si: Pionierët e arsimit, Prelë Grima, Gjokë Pjetra, Mëhill Leka, Mirash Ndrezaj, Shkurte Rusheta, Prenda Pjetri, Shkurte Likja, Kole Zefi, Martin Çetina, Prekë Sokoli, Mirash Zef Preka, Ndoc Grima, Kole Gjoka, Lulash Gilaj, e të tjerë, apo brezi i më vonshëm, si: Fran Dardha, Dede Mbrapshtia, Lazer e Zef Fusha, Luigj Shyti, Syke Çarku, Pal Kroni, Fran Çardaku, Luk Dreni, Mëhill Shkalla, Kole Çardaku, Pashko Camaj, Ndue Shytani, Prelë Milani, Zef Toka, Preke Vuksani, Martin Arra, Lazër Kodra, Pashko Ara, Ndoc Odri, Pjetër Selimi, Gjon Arrinaj, Tush Shqau, e të tjerë.
Nuk mund të kishte pasur zhvillim të arsimit apo cilësi të shkollës në Dukagjin pa kontributin, përkushtimin e sakrificat e panumërta të mësuesëve të ardhur nga Shkodra e rrethinat e saj, ndër të cilët mund të veçojmë mësuesit: Guliem Pistulli, Mikel Prendushi, Pjetër Filipi, Gjush Shëldia, Injac Nenshati, Ndue Zef Toma, Ramadan Milla, Gjovalin Kolombi, Mahir Hoti, Artan Haxhi, Fatos Gjyrezi, Pjetër Smakaj, Gëzim Mahmudaj, Tusha Jubani, Aishe Hoxha, Fran Luli, Spartak Leka, Shpëtim Lame, Tom Asllani, Ndue Gjonaj, Rifat Isufi, Dodë Kaçaj, Viktor Gjoka, Angjelin Lekaj, Bukurie Çulaj, Filip Guraziu, Paulin Perja, Osman Parruca, Ludovik Dega, Iljaz Bushi, Njac Luani, Muhamet Shala, e të tjerë. Mësuesit janë të shumtë, si ata vendas dhe ata të ardhur, por për arsye hapsire nuk mund ti përmendim, prandaj ju kërkoj falje. Të gjithë i falenderojmë me gjithë zemer për kontributin që kanë dhënë e vazhdojnë të japin në arsim. Ju jemi shumë mirënjohës, jo thjeshtë për kryejen e detyrës, por mbi të gjitha për raportet e shkëlqyera të krijuar me banorët e Dukagjnit.
Vlen të theksohet se ky masivizim nuk u bë në dëm të cilësisë. Shkollat e Dukagjinit mund të konkuronin me çdo shkollë jashtë shtrirjes gjeografike të Tij. Në shkollë zhvilloheshin edhe shumë veprimtari fizkulturore-sportive dhe kulturoro-artistike, me të cilat kemi treguar vlerat tona të pa diskutueshme në gjitha garat e konkurset e zhvilluar në shkallë rrethi.
Në shkollë kishte shumë seriozitet e perkushtim. Ja dy episode të jetuara: Në vitin 1973, në shkollën 8-vjeçare në fshatin Plan, nuk kishte asnjë nxënës pa unoformë shkollore, apo në vitin 1975 në shkollën 8-vjeçare të fshatit Gimaj nuk kishte asnjë nxënës apo nxënëse që nuk dilte pa uniformë sportive në orën e fiskulturës.  Rregulla të tilla kishte po të thuash në të gjitha shkollat 8-vjeçare të zonës. Pozitiv është fakti se mësuesit nuk ishin thjeshtë mësimdhënës, por rrezatonin kulturë, ishin përçues së resë në malet tona. Kujtojmë arsimtarët e Thethit me lëvizjen e tyre rreth viteve 70-të, me moton: “Ta bëjmë fshatin të pastër si ujët e kulluar, të bardhë si bora e bjeshkëve tona”, lëvizje që mori shtrirjen mbarë kombëtare.
U mora pak si gjatë me zhvillimin e arsimit para viteve 1990, dhe kjo jo për nostalgji, por për të kujtuar një të vertetë të pamohueshme se ajo periudhë është faqja më e ndritur e arsimit në Dukagjin, pa mohuar periudhën e mëpastajshme, për të cilën do të jap disa mendime.
Pra, çdo e keqe ka edhe të mirën e vet, për të cilën shkruajta disa rreshta. Edhe çdo e mirë ka anën negative. Them kështu sepse ishte një domosdoshmëri zëvendësimi i sistemeve totalitare me atë demokratike, por duhet pranuar se ndryshimet demokratike kishin dhimbjen e tyre, ku pa dyshim arsimit e shkollës i dhanë një regres të madh, sidomos në malësi si në ambjente e bazë materiale, të cilat ranë pre e vandalizmave si dhe i gjithë proçesi mësimor.
Lëvizjet demokratike bënë që të largohen një pjesë e madhe e mësuesve vendas dhe të mos vijnë më arsmtar nga Shkodra apo rrethinat e saj, duke shtuar këtu edhe kujdesin minimal të pushtetit vendor për arsimin, bënë që niveli i arsimit në Dukagjin të bjerë së tepermi, duke u bërë shkak që shumë familje dukagjinase të largohen para kohe nga vendlindja, për t’iu dhënë mundësinë fëmijëve të tyre që të arsimohen, që do të ishte një bazë e shëndoshë për një jetë më të mirë, më të lumtur të tyre. Se çfarë niveli ka shkolla në malësi, sot e tregon niveli i nxënësve që transferohen në shkollat e qytetit apo të fushës. Megjtihatë, ngado që të shkojnë dukagjinasit e tregojnë vetën shumë arsimdashës. Nxënësit që vijnë nga malësia, për një kohë shumë të shkurtër e marrin veten dhe ecin me hapin e shokëve, duke bërë shpejt edhe diferencen në intelekt. Pothuajse zero është numri i atyre  që bëhen kontigjent i analfabetizmit, megjithëse analfabetët po shtohen perditë. Edhe mësuesit e zbritur nga Dukagjini, kudo që kanë drejtuar, si në Barbullush, Guri i Zi, Hot i Ri, Grudë e Re, Shtoji i Vjetër, “Pashko Vaso”, Vrakë, Kamicë, Juban, e të tjera, kanë shkëlqyer shkollat e tyre në krahasim me të tjerat, pavarësisht se vitet e fundit “reformat” në arsim, i kanë larguar nga drejtimi, por përsëri këta e shumë mësues të tjerë dukagjinas në Shkodër, Malësi të Madhe, apo gjetkë, shquhen për perkushtim e devotshmëri në kryejen e detyrave si mësimdhënës. Kurse nxënësit dukagjinas, duke filluar që nga Tirana e deri në Malësi të Madhe, në të gjitha kategoritë e shkollave, janë pjesë e krenarisë së shkollës. Të qenurit shumë arsimdashës, edhe në vitet e demokracisë, ka bërë që me qindra dukagjinas të mbarojnë shkollat mesme dhe të larta nga të gjitha llojet e specaliteteve dhe të punojnë me perkushtim në të gjitha sektorët e jetë, anë e kënd Shqipërisë, duke iu pershtatur mjaft mirë proçeseve dmokratike dhe sidomos ekonomisë së tregut, duke i arritur akoma më lart emrin e Dukagjjnit me vlerat e tyre.
Në përvjetorin e shkollës Shqipe, shprehim falenderimet më të sinqerta e mirënjohjen më të thellë të gjithë atyre mësuesve që kontribuan për zhvillimin e arsimit në Dukagjin e arsimimin e dukagjinasve. U bëjmë apel pushteti qendrorë e vendor, si dhe organeve të arsimit, që të shtojnë kujdesin e angazhimin e tyre për konsolidimin e shkollave ekzistuese në Dukagjin, si dhe shprehim mirënjohjen më të thellë të gjithë atyre arsimtarëve që sot sakrifikojnë që të mbahet gjallë arsimi në Dukagjin, me shpresën se kurrë s’do të vijë koha me thënë: “Ka pas dikur shkolla në Dukagjin”.
PRELË SHYTANI

RESPEKT DHE MIRËNJOHJE MËSUESVE DUKAGJINAS

Festa e 7 Marsit është festë mbarë popullore. Ajo jo vetëm ka vlera kombëtare që daton me hapjen e shkollës së Parë shqipe, por, se çdo shtetas në moshën e shkollës mëson nga ajo elementët e Parë të njohjes së gjuhës, kulturës, shkencës, e të tjerë. Mësuesit janë ata që i dhanë vlerë shkollës, që gdhendën me punën dhe kontributin e tyre figurën, personalitetin dhe respektin e çdo brezi, për ata që jetën ia kushtuan edukimit dhe mësimit.
Zona e jonë ka trashëguar genin e inteligjencës, e cila është shprehur brez pas brezi nga urtësia e burrave në kuvende, në trashëgiminë kulturore, sidomos në atë folklorike dhe etnografike, që kanë përcjellë luftërat dhe përpjekjet e popullit tonë për liri, e mbijetesë, duke mbrojtur jo vetëm vendin, por dhe gjuhën, zakonet e doket, që janë pasuri e pa zëvendësuar për çdo trevë e popull.
Hapja e shkollës në Dukagjin daton vonë, por përpjekjet për t’u arsimuar, me forma e mjete të ndryshme, ka qenë e hershme nga dukagjinasit. Ne jemi të njohur me fakte dhe dokumente, se bijtë e bijat dukagjinase, që patën mundësinë të ulen në bankat e shkollës shkëlqyen jo vetëm në shkollat brenda vendit, siç ishte ajo e kolegjit françeskan, por dhe jashtë atdheut. Ata qenë model të këmbënguljes, inteligjencës dhe vlerave e personalitetit, që krijuan në jetë, në çdo fushë, ku studiuan e punuan.
Ka qenë ëndërr e çdo dukagjinasi, të mësojë gjuhën shqipe, ta shkruaj e ta lexojë atë. Por akoma më e pa arrirë ka qenë ëndrra dhe besimi, se do të ketë dhe mësues dukagjinas, që do tu mësojnë brezave të rijnë gjuhën amtare.
Vetëm pas çlirimit, përkrah reformave që u morën për zhvillimin e vendit, arsimi qe prioritar, sepse nuk mund të imagjinohej një popull me 90 përqind analfabetë, të zhvillohet e të përparojë, pa u zhvilluar edhe arsimi dhe kultura. Hapja e shkollave fillore dhe 7 – vjeçare, kurset kundër analfabetizmit në Dukagjin, qenë masa të rëndësishme, që u morën në drejtim të arsimit e të kulturës në ketë zonë të etur për shkollë e dije.
Nisën të kontribuojnë në ketë front të rëndësishëm mësuesit e parë dukagjinas, përkrah atyre që ishin dërguar nga qarku i Shkodrës. Me rritjen dhe masivizimin e shkollave u arrit dhe numri i mësuesve, bijë dukagjinas, që punonin me pasion jo vetëm si mësimdhënës, por dhe drejtues të aftë shkollash, inspektor të arsimit, të qarkut apo rrethit të Shkodrës. Kontributi i Prelë Grimës, Prek Sokolit, Mirash Zef Shytanit, Mëhill Lekës, Ndue Qukut, Martin Çetinës, Lazër Fushës, Pashko Bigës, e të tjerë ka qenë i madh, kur kushtet ishin të vështira, mundësitë të pakta, dëshira dhe vullneti të mëdha.
Përgatitja në bankat e shkollave dhe auditorët e universiteteve, të dhjetëra bijë e bija dukagjinas, bëri që arsimi dhe kultura të merrte zhvillim të shpejt, si në masivizim dhe në cilësi. Mësuesit iu përgjigjën në çdo kohë kërkesës për të punuar në çdo skaj të zonës, pa marrë parasysh vështirësitë, pa pasur pretendime, por duke e ndjerë kurdoherë, ndjenjën e përgjegjësisë për punën, dëshirën dhe vullnetin për të mësuar dhe edukuar brezin e ri të asaj zone. Trupa mësimore nëpër shkolla, në çdo cikël, përfshiheshin në përgatitjen dhe aftësimin e ngritjes profesionale, shkencore e shoqërore. Mësuesi ishte i angazhuar në çdo qelizë të zhvillimit të shoqërisë. Ai drejtonte çdo sektor që kishte lidhje me dijen, artin, kulturën e zhvillimin. Duke e quajtur politika e sistemit herë si “pishtarë” e herë si “përçues e përcjellës”, mësuesit ishin të detyruar të lodhen e të vuajnë edhe brenda zonës së tyre, zonës së Dukagjinit.
Ishte paradoksale imponimi i lëvizjes së kuadrit, që binte ndesh interesit të mësimit dhe që vështirësonte edhe realizimin cilësor të punës. Caktohej mësuesi nga Thethi të punojë në shkollën e fshatit Toplanë, mësuesi shkodranë emërohesh në Theth, nga Shala emërohesh në Pult, e nga Shkodra vinin mësues në Shalë, lëvizje këto që e bënin të mërzitshme punën, të pasigurte qëndrimin gjatë në një vend, e aq më pak pranë familjes, pa llogaritur ato rroga, të cilat asnjëherë nuk justifikonin mundin, djersën e sakrificat e mësuesve.
Megjithatë i kujtojmë me nostalgji ato kohëra, jo vetëm se ishim të rinj, por dhe punuam, edukuam e rritëm breza që po e justifikojnë sakrificat e lodhjen tonë, që janë bërë të njohur e të respektuar, të cilët po kontribuojnë në çdo sektor brenda e jashtë atdheut. Çdo mësues ndjehet mirë kur vitet fillojnë të rëndojnë e koka të zbardhet, të jetë i respektuar dhe i nderuar nga ata qindra bijë e bija dukagjinas, që ish mësuesin e thërrasin akoma “mësues” edhe pse ish nxënësit janë bërë baballarë e gjyshër.
Ndaj festa e 7 Marsit, sjell kujtime jo vetëm atyre që punojnë akoma në arsim, por dhe atyre që sot janë në pension. Me rastin e kësaj feste, si gjithmonë rezervojmë homazhe dhe respekt për ata që kontribuuan në frontin e arsimit dhe edukimit në Dukagjin e që nuk jetojnë, si: Prelë Bregu, Marash Miruku, Dedë Mrapshtia, Gjok Pjetra, Zoga Sheji, Mirash Zefi, e të tjerë.
Ndryshimet politike sollën dhe ato ndryshime demografike e ekonomike. Lëvizjet drejt zonave urbane për një jetë më të mirë, bënë të ndryshojnë kolektivat, mënyra e punës, përkushtimi, respekti dhe personaliteti i mësuesit, interesimi i pushtetit dhe i komunitetit për shkollën.
Tani 7 Marsin e kujtojmë dhe e festojmë në forma e mënyra të ndryshme në përshtatje me kushtet dhe rrethanat që ka sjell koha, dikush me kolektivin e ri të shkollës ku punon, dikush jashtë atdheut me fëmijë, nipa e mbesa, dikush i vetmuar nga emigrimi, pleqëria e të tjera. Megjithëse kjo është botë me halle, festa mbetët festë, ndaj  gëzuar 7 Marsin mësuesve dukagjinas, kudo që ndodhen, punojnë e jetojnë.
ZEF BARI

JETË TË GJATË SHOQATËS “DASHAMIRËSIT E KËNGËS SHKODRANE”

Të nderuar pjesëmarrës në këtë tubim të ngrohtë të përvjetorit të dhjetë të shoqatës së të gjithë shkodranëve, anëtarë apo jo të saj, të shoqatës më aktive në qytetin tonë, “Dashamirët e këngës shkodrane”
Jam i nderuar sot që më jepet rasti i gëzuar t’ju përshëndes dhe t’ju falënderoj për ardhjen tuaj miqësore.
Kaluan dhjetë vjet nga ajo ditë që, me besim se do t’i shërbenim qytetit tonë të dashur duke i dalë zot asaj pjese më të ndjeshme e më fisnike të traditës së tij, këngës së mrekullueshme shkodrane, krijuam me emocion e kënaqësi, shoqatën tashmë të mirënjohur prej të gjithëve, të cilën e quajtëm “Dashamirët e këngës shkodrane”.
Ky emër na doli ato ditë krejt natyrshëm, nga që në Shkodër dhe mbarë vendin gjithë e duan këngën e qytetit tonë, të gjithë e këndojnë atë, sepse ajo shpreh, ndoshta më mirë se çdo fushë tjetër e artit, vlerat e pashembullta të gjenisë popullore, shpirtin artist të shkodranit. Dhe kur mendon se zanafilla e saj buron nga njerëzit e thjeshtë të popullit, të cilët në shumicën e rastit ishin pa shkollë, dhe eci drejt majave më të larta, që bëri për vete dhe frymëzoi edhe kompozitorët tanë më të shquar, nuk ke se si të mos ndiesh kënaqësi dhe njëkohësisht krenari për të, sepse ajo hyri në çdo vatër në mbarë vendin tonë, zuri vend në çdo zemër shqiptare dhe i ngrohu shpirtin të gjithëve. Në Kosovë, thonë: “Në qoftë se të ka humbur kënga kund, shko në Shkodër se do ta gjesh” . Kjo flet shumë.
Sot është dita më e bukur të nderojmë ata që i dhanë shpirt asaj, që i dhanë jetë, që e krijuan dhe e përhapën, që e zhvilluan dhe e ruajtën, që na e sollën deri në ditët tona ashtu, të pastër e të bukur, fisnike dhe madhështore. Ata janë: Palokë Kurti e Kasem Xhurri, Paulin Pali e Hasan Preza, Ndrekë Vogli e Bejto Halili, Nush Pali e Shefqet Kruja, e shumë të tjerë, për t’i hap rrugën pastaj Ramadan Sokolit e Tish Daisë, Prenk Jakovës, Simon Gjonit e Pjetër Gacit, Leonard Dedës e Mark Kaftallit, Nazmi Lishi, Zef Çobës e Luan Borovës, e sa e sa të tjerëve, që e lartësuan dhe i rritën vlerën tej mase.
Po ata që e kënduan? Sa të vështirë e kam t’u përmend emrat të gjithëve. Por nuk kam si t’ia bëj ndryshe. Nga t’ia filloj: nga Sait Hoxha apo Mark Krajani, Kole Gurashi apo Shtjefen Jakova, nga Hafiz Gogoli apo Kole Matitukja, Haxhi Tahir Kastrati apo Shuk Prifti, e të tjerë, e të tjerë, e për të kaluar pastaj te bashkëkohësit tanë të shquar: Bik Ndoja, Marije Kraja, Luçije Miloti, Naile Hoxha, Xhevdet Hafizi, File Gjeloshi, Florinda e Ndrekë Gjergji, Ibrahim Tukiqi, Klotilde Shantoja, Shyqyri Alushi, Drita Papajani, Violeta Zefi, Mukades Çanga, Bujar Qamili, Sabahet Vishnja, Valdet Hoxha, Adnan Bala, Enriketa Kuqani, e shumë e shumë të tjerë, të cilëve u kërkoj ndiesë që nuk po i përmend. Ata hyjnë në tempullin e madhërishme të këngës shkodrane dhe zënë në të vend nderi. Mirënjohje për të gjithë.
Shoqata “Dashamirët e këngës shkodrane”, e krijuar si një nevojë e domosdoshme për të ruajtur dhe zhvilluar më tej traditat e shquara të saj e për t’iu bërë barrierë antivlerave që filluan të vërshonin në mënyrë të vrullshme në jetën tonë dhe që tronditën së tepërmi kulturën tonë artistike në këtë fushë, për dhjetë vjet bëri një punë shumë të mirë për ta ruajtur dhe rivlerësuar këngën shkodrane dhe lëshoi thirrjen S O S në mbrojtjen e vlerave të saj.
Shoqata, ka ushtruar veprimtarinë e saj në këto drejtime:
1- Ka organizuar veprimtari të shumta për njohjen e krijuesve dhe interpretuesve më të shquar, të shumtë dhe cilësorë të këngës shkodrane, të përmendur më lart e të vlerësuar nga Këshilli Bashkiak me tituj nderi, me  nismën e shoqatës.
2- Ka përgatitur mbi 40 misione në Radio – Shkodra dhe në televizionet lokale “Rozafa”, “Shkodra” e “Antena Nord”, si dhe në ato kombëtare, si: RTSH, TOP-CHANELL, TVA, TV KLAN, e të tjerë. Këta emisione kanë ndikuar së tepërmi në publikimin e vlera të këngës shkodrane.
3- Ka botuar ose është bërë nxitëse e botimit të librave të ndryshëm, në qendër të të cilëve është kënga shkodrane, krijuesit dhe interpretuesit e saj. Të tillë janë librat: “250 këngë qytetare shkodrane” të Tonin Zadejës dhe Tonin Daisë, “Në Shkodër të gjithë këndojnë” i Isa Alibalit, “Në lulishten e këngës dhe të këngëtarëve shkodranë” i Ferit Balës, “Heti-njeri i urtë i Shkodrës” i Sami Zajës, “Kënga Popullore Shkodrane”  mbledhur nga Kasem Taipi e botuar nga Instituti i Kulturës Popullore, “Në gëzimet tona”  i Adil Ujkashit, “Shkodra e baballarëve” me krijimtarinë e Kole Gurashit në fushën e këngës shkodrane, përgatitur nga Ndoc Gurashi e Selami Tabaku, e të tjerë, e të tjerë, si dhe shumë shkrime të botuara në organet e shtypit të përditshëm  e periodik
4- Ka organizuar veprimtari të gjalla me këngë shkodrane, ndër të cilët më i rëndësishëm ka qenë “Ditët e këngës qytetare shkodrane”, me: Simpozium për këngën shkodrane, koncerti i madh e shumë cilësor me këngë shkodrane të interpretuar nga këngëtarët më të mirë, e të tjerë. Programe të tilla artistike janë organizuar disa, të cilët i kanë shërbyer rritjes së vlerësimit e dashurisë për këngën shkodrane. Gjithashtu ka organizuar dhjetë mbrëmje të mëdha me këngë e këngëtar shkodrane.
5- Ka përgatitur një kasetë me këngë të reja shkodrane, të krijuara nga kompozitorët e poetët tanë shkodranë dhe tiranas, prej së cilës, të paktën tri apo katër këngë janë bërë popullore, e të tjera.
Gjithë veprimtaria e shumtë e shoqatës ka ndikuar në luftën kundër antivlerave që qarkullojnë gjithandej dhe që i sjellin dëm të madh kulturës sonë dhe traditave të shquara që kemi. Meritojnë me ketë rast të falënderohen ata që i dhanë jetë e shpirt shoqatës sonë, së pari profesor Tonin Zadejës, si kryetar i përkushtuar i saj, ish-nën kryetarit të shoqatës Berhan Dizdari, që punoi deri në fund të jetës me përkushtim të veçantë, anëtarët e kryesisë Ferit Bala, Lah Mema, Paulin Shtjefni, Bardh Hysa, e të tjerë, që me vullnet e pasion bënë të gjitha përpjekjet që shoqata të arrijë sa më shumë sukses.
Kryesia e re e shoqatës është e ndërgjegjshme se ka përpara detyra të shumta në realizimin e misionit të saj të mëtejshëm e fisnik.
Më lejoni në fund të falënderoj institucionet kulturore e artistike, si Qendrën Kulturore të Fëmijëve, teatrin “Migjeni”, dhe në mënyrë të veçantë Qendrën Kulturore “Pjetër Gaci”, me të cilën kemi bashkëpunuar shumë, si dhe Bashkinë e Shkodrës, dhe zotin Artan Haxhi, kryetar i Bashkisë, që në shumë raste, ka qenë përkrah shoqatës sonë dhe ka vlerësuar punën e saj dhe krijuesit e interpretuesit e shumë. Falënderim të veçantë për “Pro Credit Bank” dhe drejtoreshën e saj, zonjën S. Mesi, që mundësoj financiarisht zhvillimin e këtij përvjetori.
0203shtë detyrë e të gjithëve që ta mbajmë të pastër, ta ruajmë e ta zhvillojmë këngën e mrekullueshme shkodrane. Edhe ky përvjetor na bën thirrje për ketë mision qytetar.
Faleminderit!
ISA ALIBALI

FREDERIK RRESHPJA, PUSHKINI I PËRBUZUR SHQIPTAR

Ferderik Rreshpja u shua një natën e acartë të 18 shkurit të vitit kaluar në vetmi, i varfëruar pa asnjë përkrahje, në mjerim dhe fatin më të mundshëm tragjik të një poeti.”Nuk di se më ka mbetur ndonjë gjë në këtë botë, që të më gëzojë.Gjithçka kam dashur e kam humbur” shprehej poeti në vigjilje të largimit të tij nga kjo jetë .I dyzuar mes realës dhe fantazisë, i pikëlluar dhe moskokçarës për fatalitetin e jetës së tij ai vazhdimisht kohët e fundit këndonte refrenin e vdekjës së vet dhe i lutej Zotit që t’a binte sa më shpejt.Aq pamëshirshëm e kishte dhunuar aventura e mbijetesës sa poeti: thoshte “ Zoti nuk më do” dhe i pyetur se pse përgjigjej: ” Sepse nuk po më mërr shpirtin”
Jeta e Ferderik Reshpës është një dramë e pa shkruar, një dashuri e tradhëtuar, një detë i trazuar, një meteorit i dalë jashtë orbite i shkëpetur dhe i rrëzuar në sterjo.Jeta e Frederikut ishte aventurë dhe plagë e pashëruar .Ai provoi skllavërinë prandaj e donte dhe çmonte aq shumë lirinë.Ai provoi vetminë dhe urrejtjen prandai zemra i digjej flakë nga dashuria . Ai kishte provuar përçmimin prandaj e dinte sa e rëndë është përbuzja.Ferderiku kishte provuar ferrin prandaj e donte dritën e parajsës.Ai kishte provuar fluturimin drejt lartësive dhe e dinte sa e rëndë është të zvarritësh pa krahë. Ferderiku ishte marrë me politikë dhe dinte mirë se çfarë është kurvëria .Ai kishte provuar të bëhej miljonjer dhe e dinte sa e flliqur dhe e dobishme është paraja. Provoi të jetoi edhe pa as një kacille duke shijuar sa e hidhur dhe e pa dinitet është varfëria . Sakrifikoi gjithçka duke kënduar si bilbil këngëtar ndonëse ishte i vetëdishëm se poeti në këtë botë të pistë e arkaike nuk vlen as sa një putanë .Ai dinte se njerzit e zakonshëm ndofta nuk e konsideronin njeri por ai nuk çante fare kokën pasi askush nuk mund të mos e quante poet të lindur.Ai lindi poet dhe i tillë mbeti derisa mbylli sytë duke fituar pavdeksinë në panteonin e letërsisë moderne shqiptare.
Fredi ishte një mesoburrë me sy të mprehtë që rrezatonin zgjuarsi, vazhdimisht shfaqej me një kapele republike herë si zotëri, herë si xhongler cirku.Cigarët “Malboro “ose “Slims” i kallte gjithë efsh në seri njëra pas tjetrës duke i shoqëruar gjithmonë me nga një gotë, në ndonjë kafene të qetë në vetminë e tij të preferuar.Mbante një çantë të zezë të hedhur krah e qafë, në të cilën natën “fatlume” të vdekjes së poetit iu gjet i rezervuar gjithë“thesari” i jetës së tij.Disa hiroglife të pa deshifrushme poetike të shkruara në copra letrash të çuditëshme gjysëm të zhubravitura.Vitet e fundit vuajtjet e mëdha të shoqëruera më një seri komplikacjonesh të rënda shëndetësore e kishin plakur dhe dërmuar përpara kohe. Fytyra e tij plot rrudha ngjasonte me një hartë izoipsesh barike .Me atë mjekër të pa rruar , me ata flokë të kërleshur,me krahët e mpirë gjysëm të paralizuar dhe trupin e kërrusur ngjante si Odiseu i plagosur nga stuhitë duke kërkuar Itakën e humbur.Ngjasonte si një fisik i mjerë dhe i pa fat, pa një banesë ku të fuste kokën, pa një shrat të vetin ku të shtrinte trupin e ligshtuar e të mpirë nga paraliza , pa një pension dhe as një lloj ndihme.Ai lëvizte hotel më hotel i zhytur në borxhe e skamje të thëllë. I harruar nga mosmirënjohja e shoqërisë,shtetit dhe e gjithëkujt si qenje e parakohshme të cilën nuk e meritonim, si mermer i thyer i “Përëndisë së Humbjes” ashtu si e qunte vetën në një varg të vjershave të tija pikante.
E çdo të përfitoja tjetër përveç luftës
I ndjekur nga ky fat budalla?
Vërtetë kam fituar shumë pak në këtë jetë,
Por humbjet i kam patur të mëdha
Ai ishte një njeri i çuditëshëm tip i vështirë dhe tekanjoz, mendjemperhtë dhe inteligjent, fjalë embël dhe idhnak, zotëri dhe shtegtarë , i thjeshtë e mospërfillës, thumbues dhe ironik. Ironia ishte një nga armët e tij të përhershme, për të cilën nuk mund të thuhet me saktësi ishte ofensive apo difensive.Rreshpja ishte një polemist sfidant i aftë të debatonte më këdo mbi filozofinë,politikën, sociologjinë, estetikën, paranë, gotën dhe universin femrorë.U shqua si publicist i mpehetë e guximtar,prozator, përkëthyes, humorist i veçantë i stilit konicjan, në rini pati talen të veçantë ëdhe në pikturë. Lëvroi edhe pati sukses edhe në gjininë e përrallës.Ferderik Rreshpja posedonte energji të mëdha në vetvete.Ai gjithmonë mbeti i shkujdesur dhe moskokçarës i mënyrës habitore, i lirë në mëndime dhe i vetëdishëm se sa më shumë që ta kërkonte të vertetën aq më pak do ta gjente atë.”Unë kam lindur i lirë dhe skandal” thoshte liriku dhe në të vertetë gjatë gjithë jetës mbeti rrebel i pa ndreqëshëm.Aventura spektakolare e artit e shpuri në disidencë, disidencë që e rrëzoi nga lartësitë dhe e gremisi në humnerën e errtë ku nuk depërtonte as drita e diellit.Kundërshtarë i kahershëm i diktaturës nga e cila u ndëshkue me afërsisht 20 vjet burg.Si i burgosur politik asnjëherë nuk rrëmbej as flamurin e heroit as të disidentit.Atij i ngjallnin neveri të jashtëzakonshme ata sanguin që për diktaturën kishin kënduar si gjelat, ata që e kishin goditur e quajtur surrealist ,dekadent , ata që deri dje e quanin vetën leva të parisë për edukimin komunsit të brezit të ri, ndersa sot hiqën si disident të shumëvuajtur profet të rremë të një imoraliteti të ri .
Skllevër mosmirënjohës, ju deri dje
Te këmbët e diktatorit jeni shtrirë
Dhe më keni quajtur mua skandaloz
Për fjalën time të lirë…
Tani shkruani për mua përralla
dhe i varni si pranga nëpër mure
Skllevër mosmirnjohës dhe të marrë
Kope hipokritësh servilë
Unë muret dhe prangat i pështyj
Unë kam lindur skandaloz dhe i lirë .
Duke qënë antikonformist i lindur deri në flijim gjithmonë notoi kundër rrjedhës , kurrë nuk ia ktheu shpinën erës dhe mbeti përherë opozitarë i çdo qeverie, i pamerakosur dhe i pafrigësuar për të vjellat shigjetare që goditën në çdo drejtim.”Vrejtja që më bëjnë është kjo: Ti Fredi u përsekutove nga diktatura, tani hymnizo pushtetin e ri.Mua më çuditë kjo gjë .Si shkrimtarë unë e kam pasur për detyrë të mos bëj hymne.Hymnet i bëjnë sharlatanët .Vëndi im është tek populli, tek buka,tek dhëmbja e tij, tek e ardhmja e tij “
Shkoi te lumi ku qajnë ciganët
Për rërat e largta me dritë
Po pse dreqin jam gatuar kështu
Të grindëm me tëra qeveritë?
Rreshpja ishte një poet i natyrshëm lirik me nuanca epike, ndër të parët modernist të poezisë dhe letërsisë shqipe, një poet delikat i ndjenjave njerzore joshës dhe i pashlyshëm.Kopshtarë i palodhur i zgjerimit deri në përsosje të fjalorit dhe stilit poetik .Thesari më i madh i Reshpës gjendet pikërisht tek stili epiko-lirik i poezive të tij të shkruara në çastet më dramatike të jetës , që zotërojnë pasjonin , ndjenjën, dhe frymën e tij letrare .Metodologjia e tij e të shkruarit është po aq moderne dhe bashkohore sa edhe subjekti që zgjedh.
“Në punën time laborotorike përpiqëm të gjej poetikën në çdo objekt apo ngjarje”.Unë nuk shkruaj për vete por për të tjerët.Unë jam njeri tepër i rëndomtë për të shkruar për vetën time shprehej Rreshpja mes miqësh kohë më parë”.Në tematikën e poezive të tij mbizotëron humbja,dhimbja, vetmia, ndjenja e lindur e poetit për fjalën e lirë .Poeti kendon për lulet, zogjët, lojrat e fëmirisë, për shtegtime ciganësh ,ujqër të vjetër pusishë,dimra të acartë me borë të thinjur e stuhi, beharë plot ngrohtësi e diell, vjeshtë me vdekje gjethesh e ylberësh, det i dallgëzuar me lot, përëndi ilire të skalitura në mjegulla, profet të rremë, jeniçer plaçkitës nën gjysëm henë, këngë lahute , dhimbje , dashuri e humbur, trandafilat e drurve të vdekur.Aq sa e paqetë dhe trazuar ishte jeta e poetit nga jashtë aq e përshkonte poeznë e tij një frymë e qetë e rregullt dhe harmonike. Poezia e Rreshpës është një simfoni e nektartë ndjenjash e interpretuar në mënyrë të magjishme dhe e ndertuar me një stil të pangjashim me askënd tjetër .Vargu është tërsisht i lirë i shpënguar dhe i përkushtuar prej një frymëzimi të rrjedhshëm më një vizjon të thekshëm sa naiv, fëminor aq edhe mistik .Në pa mundësi për të analizuar poezinë e tij në kompleksitetin që përfaqëson, ajo që dua të nënvizoj është se Ferderik Reshpja ishte një poet i madh ëndrrimtarë,që e ndiqte nga pas një ndjenjë vetmie ,ndjenjë që buron nga rrënojat psikologjike dhe ekzistencjale të individit.Ferderik Reshpja ndonëse nuk pati shumë miq nga lloi i poetëve, ndonëse nuk pati kurrë marëdhënje shumë miqësore me masmedjat, ndonse e denuar të mos botohej dje, ndonse pak e proklamuar sot , gjithësesi poezia rreshpjane ka marrë vlersimet si poezi e dorës së parë, poezi e kalibrit Evropjan,fine , surreale me një pjesë të ftoftësisë klasike. Reshpja është poet sa lirik aq edhe tragjik. Mbret i tokës së poezisë.Bohemi i fundit i poetëve shqiptarë.Kapiteni i vjetër i anijes poetike.Poet me talent gjeniu krejtësisht modern.Fëmijë i pa dëshiruar i poezisë së kohës .Brilanti i poezsë .Korpusi i tij poetik është ndër të paktë që ka dalë t’i mbijetoi poezisë nën diktaturë etj, etj
Ferderik Reshpja në poezinë shqipe nuk solli një vepër shumvëllimshe si jo pak bashkëkohës të tij.Ai solli poetin dhe lirikun e madh që i mungonte kësajë poezie .Me të pushuar së rrahuri akrepi i zemrës së lundërtarit të vjetër të deteve , poezia shqipe do të ndihet më e varfëruar pasi bashkë me Frderikun shkoi edhe një lloji liriku i papërseritëshëm , shoqin e të cilit nuk kemi shans ta rikriojmë dot. Frederiku iku , por la pas poezinë brilante si zgjatim në kohë i konstulucionit jashtëtokësor të De Radës,Mjedës, Lazgushit e Camajt të cilët së bashku me Rreshpën përbëjnë galektikët e lirikës sonë.
PRELË MILANI.

HASAN RIZA PASHA - PUSHTUES APO HERO I SHKODRËS

Burri i motit ushtar trim e besnik, komandant i ushtrive tona në Shkodër. Shqipëria dhe shqiptarët nderojnë luftëtarin trim Hasan Riza Pasha. Ky është mbishkrimi në pllakën e mermertë   të obeliskut  munomental 6 metrosh kushtuar  Gjeneralit turk Hasan Riza Pasha që u promovua ditën e shtunë nga ambasada turke dhe autoritet lokale në qendër të qytetit të Shkodrës,madje një televizion i këtushëm  në mënyrë cinike e quajti  Hasan Rizanë një patriot që luftoi për Shqipërinë më shumë se shqiptarët.
Djali im nxënës në  8-vjeçare duke parë këtë spektakël më pyeti gjithë kurreshtje .- Babi çfarë është ky Hasan Riza Pasha ? Nëqoftëse të rinjtë nuk kanë pothuaj asnjë ide se kush është  ky person, ndërsa opinjoni i të rriturve është i ndarë badhë e zi, pasi në Shqipëri gjithçka kontestohet nga politika aq sa nuk arrijmë të kuptojmë nëse pushtuesit tanë ndër shekuj kanë qënë miq apo armiq  të Shqipërisë, se shërbetoret e pushtuesit në çdo kohë janë heronj apo tradhetarë, se kush janë heronjët  e vertetë fatosat e atdheut apo  nizamët e partive në luftë për pushtet.

HASAN RIZA PASHA DHE LUFTA TURKO-MALAZEZE PËR SHKODRËN

Hasan Riza Pasha ishte një turk me origjinë (nga vilajeti i Kastamonit), i lindur në Bagdat në vitin 1871, studimet  e para ushtarake i filloi në Turqi  dhe pastaj u diplomua në Bërlin. Gino Berri korespondet i luftës Turko-Malazeze  tetor 1912 prill 1913, Hasan Riza Pashën përshkruan si një njeri shumë të zgjuar, që  shumë shpejt u bë një nga oficerët më të mirë të ushtrisë turke dhe arriti gradën e gjeneralit (Pasha). Ushtarak shumë i rreptë  i papërkulur, i ashpër korrekt në plotësimin e detyrës së tij dhe me kërkesë llogarie ndaj të tjerëve për plotësimin e detyrave të tyre. (Gino Berri “Ditari i një korespondenti të luftës”,fq 138)  Edit Durham që e pat pa nga afër e ka skicuar nga ana fizonomike si një ushtarak  trup shkurtër i lidhur mirë  me pamje të vrejtur, me hundë të kthyer e sy të zinj që i shkëlqenin, nuk mbahej me shumë kujdes, rripi i shkonte shtembër mbi xhaketën verore të mbërthyer, por ishte me siellje autoritare.(E- Durham  Njezet vjet ngatërresa Ballkanike fq 125) Hasan Riza Beu  ishte një përsonalitet kompleks, i bindur deri në verbëri, ndaj rregjimit të Sulltan Abdyl Hamit, i devotshëm deri në vetëflijim për ruajtjën kauzës shekullore përëndorake, luftëtarë heroik në sherbim të intresave kombtare truke, i tillë mbeti edhe  pas fitorës së xhontruqve të cilët ndonëse e ulën në gradë (nga gjeneral në colonel sips-G-BerriDitari,fq 138 nënvizimi im) kurrë nuk u ankua, as nuk u lëkund nga ambicjet  e tij krenare në shërbim të vendit të vet. Studjoi një kohë të shkurtër në përëndim por mbeti gjithmonë orjental. Mosha dhe drita oksidentale që kish pa duhej ta kishin rreshtuar përkrah reformatorve (xhinturqve), por ai   mbeti gjithnjë konservator (ithtarë i rregjimit të  vjetër për këtë shkak do të ulej edhe në gradë). Ushtarak i talentuar, amicjoz, egoist, aventurjer, përbuzës, dritëshkurtër dhe i pa gdhendur aspak politikë. Është  e vertetë historike e pakontestueshme se Hasan Riza Beu si Vali dhe më pas si komandant i  30-40 mijë luftëtarve turq të Shkodrës  e udhëhoqi këtë armatë  me një efsh të papërmbajtur për ruajtjën e prehës së tij shekullore nga sulmet me oreks të çfrenuar të grabiqarve të rinj  malazez. Portreti i Hasan Rizasë është portreti i një tirani të huaj që sundoi më dorë të hekurt mbi popullatën e Shkodrës. Lufta që zhvillonte ushtria e tij për mbrojtjën e qytetit të Shkodrës nisej nga qëndrimi për të ligjëruar pushtimin  turk në këtë vilajet. Hasan Riza Pasha me qëndresën e tij  të dëshpëruar shpaloste hapur mendësitë e vjetra të përandorisë shekullore, megjithëse kohët kishin ndryshuar edhe për vet Turqinë. Aty kishte shpërthyer një revolucion xhonturk  dhe po realizohej një përmbysje e brëndëshme, por aq më tepër që një aleancë  e monarkive  ballkanike të dirigjuara nga Fuqitë e Mëdha e kishte shkërrmoqë për tokë karabinanë e vjetër otomane. I indoktrinuar nga lavdia motit të shkuar, duke mos e konceptuar dot Turqinë e re si një fuqi pa as një dominancë në Ballkan dhe aq më tepër në Shqipëri, Hasan Riza Pasha gjithë talentin, vullnetin, dhe energjitë i vuri në shërbim të një  aventure luftarake  jashtë mundësive të parandalimit të përëndimit të diellit otoman në Ballkan. Lëvizja jonë kombëtare më e vonuara në rajon u gjend  krejt e papërgatitur me shpërthimin e luftës mes Fuqive Ballkanike dhe Turqisë. Edhe krahu më i avancuar dhe progrsiv i patriotëve tanë nuk kishte arritur  përtej  optikës autonomistë. Tani që disfata fatale e Turqisë po përfundonte  dëbimi i saj nga Ballkani për shqiptarët nuk kishte premise tjetër veç pavarësisë. Në këtë kohë shtetet pjesmarrëse të aleancës ballkanike qoftë nga oreksi i tyre i kahershëm, qoftë nga përgjumja jonë  dhe bashkjetesa e gjatë me Turqinë, Shqipërinë e shihnin si një tokë rezerve dhe gjah të mirë për të kënaqur  lakmitë e tyre. Në këto kushte Shqipëria nuk mund të ishte anëtare e ligjëruar e një aleance që  rrezikonte  tërsinë teritorjale ekzistencën kombëtare, por po kaq fatale ishte të rreshtoheshe edhe përkrah Turqisë. Këto synime grabiqare ishin çfaqur që në kohën e Traktatit të Shen Stefanit, Kongresit të Bërlinit dhe në dhjetra traktate e marrveshje të fsheta të përjudhave të mëvonshme. Por edhe pushtimi malazez i vitit 1912-13 nuk ishte rastësi, por rezultat i planeve të vjetra të monarkive tona kufitare. Të gjithë këta faktorë duhen marrë parasyshë në koherencë dhe bashkveprim për të kuptuar qartë se çfarë ishte kjo luftë dhe çfarë rrisku tagjik kishte për fatin e shqiptarve. Duhet të kemi kurajon të pranojmë se kjo luftë më e tmerrshmja që ka njohur Shkodra që pas rrënimit të saj nga gjyshërit e Riza Pashës me 1479, ishte një luftë mes dy grabiqarësh një ujku të vjetër të plagosur pa shpresë jete që përpiqej të ruante prehën e vet nga një çakall i tërbuar nga uria që kërkonte t’ia rrembente me çdo kusht(e pagzuar në popull lufta turk e shkja). Lufta e gjatë bombardimet e tmershme shkatërruese mbi gjithçka,  luftimet dhëmb për dhëmb, viktimat  pa llogori, uria vdekjeprurëse, dimri i pamëshirshëm, semundje epidemike,  taksat e papërballueshme, spekullimet e matrapazve ishin pasojat që vuajti popullsia e Shkodrës nga ajo luftë mizore  xhentilmendësh ballkanik. E terë Shkodra po vdes urie!.. Malazezët qëllojnë me topa rus mbi kishën ortodokse, para syve të konsullatës ruse shkruante në ditarin e vet me 23 shkurt 1913 Hortense Fon Cambaur,gruaja e konsullit austriak të Shkodrës. Bindja se do të dilte fitues ishte një nga naivitete inkoherente të Hasan Riza  Beut, ai nuk deshi t’ia  dinte fare  as për armpushimin e nëshkruar në dhjetor të vitit 1912, por vazhdoi luftën me të njëtën konsekuencë. Aventurjeri i pa vetëdishëm në fundin e vet fatal të pashmagshëm, gjithësesi udhëhoqi një qëndresë në mënyrë  dragojane, duke mos kursyer asgjë  sipas konceptit të tij sadist  dreqi të hajë Shkodrën edhe mua, veç Turqia të mos  rrojë pa Shqipërinë,veç flamuri për të cilën ishte betuar të mos çnderohet. Krenaria e çmendur e tij arrite deri aty sa të dekleronte ”Në qoftë se Stambolli do më urdhëronte të ulë flamurin e të dorzohem unë nuk do ta pranoja një gjë të tillë”…”Në qoftë se ndonjë nga oficerët dhe ushtarët e mij  do më flasë për t’u dorzuar , do ta pushkatoja në vënd”… ”Në rast dështimi ai ishte i vëndosur të vriste vetën”(Ishkodra.Mudafaasi) Siç na bën me dije Zonja Durham Plani i tij nga njëra anë  të merrej vesh me të gjitha fiset e malsive që këta t’u binin në kurriz ushtrive malazeze dhe nga ana tjetër marrveshja e datës 27 janar 1912 me arqipeshkvin e Shkodrës në lidhje me këtë problem dhe që krahas flamurit turk të valvitej edhe flamuri shqiptar ka qënë një përpjekje sa e zgjuar aq edhe demagogjike  që të fitonte përkrahjën dhe simpatinë e shqiptarve si mbrojtës i vendosur i atdheut të tyre, pasi nuk kishte më asnjë kuptim të luftohej për flamurin turk kur Shqipëria kishte shpallë mëvetësinë, por kështu mund të imponohej më lehtë faktorit nderkombëtarë se shqiptarët nuk pranojnë coptimin e atdheut të tyre. Ky plan  i vonuar nga që lufta kishte filluar që me 9 tetor nuk do të ralizohej kurrë pasi vrasjes enigmatike  nga një dorë e msheftë kolnelit të çeliktë.  Riza Pasha  as nuk e konceptonte,  as nuk do të luftonte kurrë për një Shkodër aq më tepër për një Shqipëri të pavarur nga Turqia. Këtë na rrëfen më së miri ditari i Berrit i cili nënvizon në mënyrë të qartë: Para disa ditësh  Valiu mblodhi krerët mysliman dhe duke diskutuar mbi gjëndjen e qytetit i pyeti: ”Po sikur tu jepet autonomia”? Nuk e duam u përgjigjën ata. Si thirri valiu i habitur. Nuk pranoni lirinë, nuk doni të jeni zotër të fatit tuaj? – u tha ai. Jo, ne duam pavarësinë tonë u përgjigjën shqiptarët. Riza Beu i inatosur tha. Ju jeni mish për kërbaç! Dhe iku i zëmëruar.(Gino Berri “Ditari i një korespondenti”, fq 140). Duke qeverisur në kushtet e gjëndjes së jashtëzakonshmë kur në front të priste plumbi dhe në qytete vdekja nga bombardimet, uria, rritja e detyrimeve fiskale ndaj tregtarve të bereqetit dhe fshatrave të fushës, përçmimi ndaj ushtarve shqiptarë (radifvet) që trajtoheshin me një gjysmë racioni bukë (sipas kujtimeve të Berrit nënvizimi im) Pashaj  mbodhi shumë, në qytet sipas ligjit të jashzakonshëm  aplikoheshin ndëshkime poshtëruse fizike në publik. Kur prokurori i shtetit ndërhyri të zbatohej  ligji për ndëshkimet (për denimin e një  furrtari “rrebel” nënvizimi im) pasi i denuari duhej të rrahej mbi shpatulla ose më poshtë jo mbi gjymtyrët e poshtme koloneli qetë e qetë i tha: Prokuror po e hape edhe një herë gojën  ju rrah edhe ju tek këmbët (G-Berri Ditari, fq 92). Propotenca e tmerrshme në emër të detyrës ndëshkimet e ashpra fizike për çdo  person që shmagej sado pak  ndaj këtyre detyrimeve do të krijonte një masë të madhe armiqësh, si brënda radhve të tij, si përbrenda qytetit të Shkodrës të cilët e shihnin  qëndresën e tij të dëshpëruar si burim të fatkeqësisë së qytetit të tyre. Hasan Riza Pasha u vra me atentat  natën me 30 dhjetorit të vitit 1912 pasi po kthehej nga një drekë që kishte ngrënë në shtëpinë e Esat Toptanit. Ndonëse kjo vrasje ka hyrë në histori si vepër e njerzve të Esat  Toptanit prap se prap mbetet e mbështjellë me një mister si çdo vrasje e mirfilltë politike. Në qoftë se i rreferohemi Berrit edhe  përpara  kësaj nate fatale është qelluar ndaj Valiut pranë Pazarit kur po kthehej nga Shiroka. Ai e dinte se edhe nga vinte kjo urrejtje, kërcënimet dhe të shtënat; nga shqiptarët për ato që po vuanin në rrethim. Shqiptarët ishin më të pabindur ndaj çdo mase kur duhej të paguanin taksat dhe gjobat.Hasan Riza Beu kishte epërsi.Ai po thellonte gjithnjë më shumë greminën mes tij dhe shqiptarve.(G-Berri Ditari, fq 140)  Sipas mendimit tim lufta Turko -Malazeze për Shkodrën ka qënë një luftë grabiqare  mes të dy palëve e cila  si do që të përfundonte do kishte pasoja dramatike për Shkodrën. Armiku i vjetër vrasësi shekullor i aspiratave oksidentale të shqiptarve gjithsesi në këtë moment ishte një e keqe më e vogël se armiku sllav. Lufta turko+(shqiptare) -malazeze  vitit 1912-1913 si stumbullar kishte  Shkodrën dhe nga ky shkak  buron qëndrimi i vakët i shkodranve.Ky fakt na ekonfirmon  qartë një replikë e ashpër e Esat Toptanit me Sulço Begun kur ky i funditi thotë :Ne e kemi kryer detyrën tonë:”Ju myslimanët shkodranë duhet të jepnit katër-pesë mijë luftëtarë, kurse nëpër logore kurrë nuk kishit më tepër se një mijë e gjashtqind. E pra kishit para syve shembullin që po jepnin rinia më e bukur e përëndorisë e ardhur nga viset më të largëta për të mbrojtur qytetin tuaj, juve dhe familjet tueja. Dhe këtu kanë rënë me mira.Ndëra ju silleshit nëpër qytet ... / vijon në faqen 12
... / vijon nga faqe 6
për të shitur me 10 franga një kg miell.”(G-Berri Ditari fq 2001).Duke e konceptuar si luftë turko- malezeze buron idiferenca si asnjë herë tjetër i  malësorve (Dukagjin-Malsi e Madhe) të cilët as nuk u tunduan të luftonin përkrah asnjërës palë, pasi njera ishte flakë e tjetra zjarr për fatin e tyre. Hortense Fon Cambaur zonja e konsullit hungarez të Shkodrës në ditarin e dates 23 mars 1913 shkruante: Pashkë të zymta! Nuk shihet asnjë rrugdalje nga gjëndja jonë e dëshpëruar, asnjë fund i këtij rrethimi, as një shpresë për ndihmë nga jashtë, sepse në qoftë se qeveritë tona do ta kishin mendjen për t’u marrë me çeshtjën e Shkodrës, do kishin mënduar ta bënin me kohë. Pas çeshtjës së Shkodrës  qëndronin interesat e Fuqive të Mëdha të cilat kishin vendos  përfundimisht  të ndryshonin hartën politike të Ballkanit, ndonëse e kishin shumë të vështirë të  sheshonin kontraditat e thella në lidhje me çeshtjën e ndërlikuar shqiptare. Ndërkohë Mali i Zi i përkrahur nga Rusia dhe Franca kërkonte tu imponohej  fuqive rivale për çeshtjën e Shkodrës duke u vënë përpara një fakti të kryer. Pushtimi i Shkodrës pas një odiseje të tmershme 7 mujore, tërheqja e detyruar akoma pa u ftohë tytat e armëve te malazezve  shprehë më së miri konjukturat dhe cicmicet e Fuqive të Mëdha ndaj vendit tonë në konferencën e Londrës, çfarë më shtije në mëndime se kjo luftë ishte një aventurë e çmendur që nuk pati as një fitimtarë. Qëndrsa në rrethimin e gjatë të Shkodrës ndikoi  pozitivisht atë që Shkodra të mbetej pjesë e teritorit të Shqipërisë së cunguar. Por të thuhet se Hasan Riza Pasha është shpëtimtari  Shkodrës nga coptimi malazez ke thënë një të pavertetë historike pasi nuk kishte si ta shpëtonte një i vdekur, madje edhe sikur të mos vdiste si mund ta fitonte luftën kur Hasan Rizanë nuk e ndihmoi dot as qeveria e vet. Të thuhet se Hasan Riza Pasha do të kujtohet si atëdhetari më i mirë për shpëtimin tonë, do të thotë të vlersosh historinë sipas dhogjikës së Haxhi Qamilit duke vënë shenjën e barzimit të Shqipërisë me ish baba dauletin . Është faktori austriak  deri diku edhe ai italjan që nuk lejuan zgjerimin e sajmenve  të Rusisë në Adriatik dhe në momentet e fundit të negociatave  në tavolinë  Shkodra dhe rrethinat u ndërruan kokë për kokë me Kosovën. Korespondenti italjan i luftës Berri duke vlersuar figurën komplekse të Hasan Riza Pashës  thekson se mbi varrin e tij duhet shkruar: …Që edhe në disa raste ishte i padrejtë e i egër, saqë arriti të detyrojë popullatën e Shkodrës për sakrifica të rënda, Hasan Riza Pasha ishte bujar dhe kalorsik.(G- Berri Ditari i një Korespodenti të Luftës, fq 138.).Pytjës  kureshtare të djalit tim adoleshent dhe të mijra e mijra të rinjve e të rejave që  politika emocinale e ditës dhe sensacionet medjatike u servirin keq interpërtime të historisë duke ndikuar në keqformimin e tyre e ndiej për obligim tu them : Ai burri i motit, komandanti   trim e besnik, i ushtrive turke  në Shkodër, luftoi dhe u fliju si i ka hije një kalorsiaku të lavdishëm. Ai burri i  motit ka qënë Komandat i një  ushtrie pushtuese 500 vjeçare. Ai buri i moti luftoi heroikisht që të mbronte Shkodrën tonë nga sulmet malazeze me qellim që ta mbante nën sundimin e vet duke i sjellë  fatkeqësi të pa numerta këtij qyteti. Duke filluar nga Emil Pauli, Çezari, Popmpeu, Stefan Dushani, Sulltan Murati i dytë….Hasan Riza Pasha, Kral Nikolla, Duçja, Hitleri etj etj, nuk dyshohet as nuk mohohet se të gjithë kanë qënë burra të motit, që kanë bërë historinë. Por për ne shqiptarët të gjithë këta kanë një emër të përbashkët pushtues, që na kanë skllavëruar e la me gjak. Duke qënë oponent i papajtushëm ndaj ithtarve  të luftës së ftoftë që bëhet në Shkodër për  lartsimin apo rrezimin e “idhujve”dua të vë gishtin tek plaga që i  dhemb çdo qytetari patriot të këtij qyteti. Shkodër a i ke pa bustet e thyera të Pashko Vasës, Migjenit, Luigj Gurakuqit, Manush Alimanit, Vojo Kushit etj,etj ? Shkodër  a është në nderin tënd  që varrezat  e dhunuara të dëshmorve  tu, jetojnë në shtetrrethim mes malit të mbeturinave të qytetit!? Shkodër të lutëm cilët janë idhujt tu!?
PRELË MILANI

APEL PËR HEROIN TONË KOMBËTAR, GJERGJ KASTRIOTI

Fillimi i mbarë gjysma e punës, thotë një fjalë e vjetër popullore. Kështu pra, Janari i 2007-ës nisi mbarë, jo pse   mbrenda një mbasdite ndryshuan disa nene  kushtetuese, por për diçka shumë domethënëse siç ishte  takimi i fundit i historianëve rreth epokës së artë biblike të shqiptarëve e heroit të tyre Gjergj Kastrioti - Skënderbeut. Plus kësaj edhe gjuha e përdoruar nga media shqiptare ku si asnjëherë ishte perfekte, dashamirëse e nostalgjike, për këtë hero nacional që ka qënë, është e do të jetë vula identifikues si ndaj ndërkombëtarëve por edhe për brezat e ardhshëm. Dhe, më falni, këtu nuk mund të rri indiferent, dëshiroj t’i them nja dy fjalë.
Meritën kryesore e kanë historianët shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë së bashku me të gjitha partitë e politikanët e tyre, ku në një moment të artë për çeshtjen shqiptare, thirrën në skenë këtë personalitet hero të papërsëritshëm për historinë tonë.
Së pari, statuja e Gjergjit të Madh u vendos në Prishtinë e pastaj në Shkup, në qytetin që ai ëndërronte të mbretëronte apo përkthyer në gjuhën e sotmë si Kryeqytetin e shteti shqiptar (Alban) me rreth 100 000 km katror por fatkeqsisht kjo ide ra me vdekjen e tij ku siç dihet shqiptarët mbetën të vetëm përballë ushtrisë më të fortë e të tmerrshme osmane. Siç më sugjeron një mik historian, Skënderbeu ishte aq i aftë, sa që ai ishte piketuar të ishte një perandor i ri i Bizantit. Dhe këtë, historiografi i pari i albanologjisë, meshtari shkodran Marin Barleti e shkruante kështu: “Por, e vërteta është se Papa Piu II, dhuratat shumë më të mëdha dhe shumë më të çmuara ia dhuroi së pari Princit të Albanisë. Dhe me të vërtetë, ai e mbushi dhe e ngarkoi atë jo vetëm me ar dhe argjend e me sende e me të mira të tjera të përkohëshme, por e nderoi edhe me privilegje shumë të mëdha dhe me të mira të tjera shpirtërore, duke i dhënë fjalën se, kur të hidhej në Epir e në Maqedoni bashkë me një fushatë dhe ushtri të krishterë kundër turqve, gjë që ish zotuar se do t’a bënte brenda një kohe të shkurtër, jo vetëm që do t’i vinte kurorën e do t’a bënte Mbret të Epirit, të Maqedonisë, të Trakës dhe të të gjithë Romës së Re.  (“H.SH. bot. 1968, f. 418) 
Po theksojmë se më 1271, një tjetër Papë i kishte vënë kurorën e “Rex Albaniae”, Karlit I Anzhu dhe tashti kjo kurorë së bashku edhe me atë të Konstandinopolit dhe pothuajse të një pjese të madhe të gadishullit tonë do t’i akordohej Gjergjit të Madh të Shqipërisë. Me këtë rast ishin pregatitur edhe simbolikat heraldike të këtij evenimenti. Por, Shqipëria ra, por Shqiptaria e shqiptarët mbijetuan e kjo sot është evidente që për perëndimorët kjo quhet një mrekulli.
A e njohim ne shqiptarët sa duhet Gjergjin e Madh Skënderbe? Besoj se jo. Kjo për faktin se duke nisë nga ajo ç’ka u prezantua vjet dhe tani si në Tiranë, Prishtinë e Shkup, historianët jo për fajin e tyre por për mungesë fondesh që shteti apo bisnesi shqiptar nuk i ka ofruar për të gjetur dokumente autentike të kohës së Skënderbeut, ku duhet theksuar ekzistojnë me bollëk si në Itali, Turqi, Austri, Gjermani, Danimarkë, Greqi, Serbi, Slloveni, Kroaci, Francë, Spanjë, Rusi dhe deri edhe në Amerikën e largët. Se kush ka qënë Gjergji i Madh e princat e tjerë shqiptarë  mund të shihen vetëm dokumentet e armiqve të tij, që ekzistojnë në Turqi, e do mahnitena se si në ato dokumente flitet edhe për trimërinë e tij e ushtrisë shqiptare. Fakt është se ato pak dokumente të publikuara për betejën e Shkodrës, vlersimi ndaj trimerisë së shkodranëve flitet më superlativa, edhe ndaj Skëndërbeut si simbol qëndrese për qytetarët shkodranë e ata shqiptarë në tërësi.
Kurse për dokumentet e veprat në Europë, dihet se për europianët ai ishte një mit e një njeri jo si të tjerët, por një udhëheqës me një ushtri të paisur me frymën e shenjtë. Po të hulumtohet seriozisht, do të dalë se për heroin e tyre nacional të paarritshëm, Gjergj Kastrioti - Skënderbe apo siç u thërriste Gjergji i Madh, shqiptarët do të ndodhen edhe përpara shumë surprizave të panjohura më parë, sepse ai ishte sa luftëtar, sa burrë shteti e aq edhe rilindas i shquar europian edhe në fushën e kulturës. Veçanërisht strategjia luftarake e Gjergjit të Madh ka qënë objekt studimi nga shumë gjeneralë të famshëm, udheheqes të ndryshëm dhe nga filozofë të mëdhenj, në lidhje edhe me eksperiencat e luftërave europiane e deri edhe ato të luftës së parë botërore e luftës së dytë botërore. Madje Gjergji ynë ka tërhequr vëmendjen edhe të ekspertëve ushtarakë dhe të diplomacisë moderne.  Duke mos pretenduar se thashë diçka të veçantë nga të tjerët, thjesht desha të nënvizoj një çeshtje që pak e aspak është trajtuar nga media. Në një bisedë të të ndjerit zotit Pjetër Arbnori me zotin Klinton, presidentin e SHBA, ky i fundit i thotë se atë çka ka bërë Gjergji i Madh. Kastrioti, po të jetë nevoja do t’a bëjnë edhe SHBA në Kosovë e ashtu ndodhi. Pra kjo bisedë tregon se betejat heroike të shqiptarve ishin pjesë studimi në Pentagon, siç janë ato të Aleksandrit të Madh, të  grekëve, romakëve, të Pirros së Madh e të Hanibalit të Madh etj.
Po e mbylli me një kërkesë dashamirëse për ministrinë e mbrojtjes, gjeneralët shqiptarë, që mbasi të studiojnë deri në imtësi armët luftarake, ushtrinë e strategjinë perfekte të epokës Skënderbegiane, të  botojnë një libër, në rrallë të parë për shkollën “Skënderbej”, pastaj edhe për ne duke e hedhur ne treg.
Nikolin Pemaj

INTERVISTË ME NJË MISINAR PAQE

Kush është Kole Pjetër Selimi?
Kam lindur në fshatin Kllogjen, të komunës Temal, në vitin 1930. Jam në moshën 77 vjeçare. Kam kaluar shumë peripeci e ngjarje në këto vite. Por me jetën jam i kënaqur, se  ia kam arrite qëllimeve të mija e familjare, pavarësisht pengesave të jetës, të cilat janë pjesë e saj dhe për rrjedhoje edhe pjesë e jetës sonë. Deri tani faleminderit prej Zoti, jam në gjendje të mirë shëndetësore dhe mbaj mend mirë mjaft ngjarje të familjes dhe të fshatit që kemi kalua mirë e keq.
Faleminderit, gazetës “Dukagjini”, që më jep mundësinë të shpreh mendimet e mija për etapa historike të Dushmanit, dhe kontributin tim si Misionar.
Pas viteve 39-të Dushmani dhe Temali u përballën me ushtrinë Jugosllave dhe dolën fitimtar. Disa detaje më të hollësishme në lidhje me këtë?
Dushmani dhe Temali kanë pritë ushtrinë Jugosllave në kohën e Italisë pas vitit 1939. Ushtria Jugosllave përshkoi Shalën e Shoshin. Në Ndreaj të Shoshit u nda në dy forca. Njëra kishte si qëllim të mësynte Prekalin për të dalë në Shkodër, por pasi mbërriti atje, në Prekal, u thye dhe u dorëzua menjëherë. Kurse tjetra mësyni Dushmanin. Nga Ndreajt- në kodër Kujit - në Gur të Lekës, - qafë Sranës dhe mbërriti në Dushman. Në fshatin Kllogjen ishte qendra e “reaksionit” dhe u lajmërua prej Dedosh Kolës dhe Nike Vuksanit. Bajraktari i Temalit, Kole Marku, në krye të forcave popullore, u bashkuan burrat e Dushmanit dhe u zunë pritat radhë pas radhe në krye të Sukës deri në Vilë të Temalit. Beteja ishte e ashpër, u vranë 4 ushtarë jugosllav, të cilët i varrosën në Lumin e Siraqit, kurse të tjerët u dorëzuan në Iballe të Pukës, te Kole Bibë Miraka, që ishte Ministër në qeverinë e kohës.
Po pas viteve 44, kur burrat e Dushmanit kishin si qellim të mos i nënshtroheshin regjimit komunist, çfarë qëndrimi mbajtën ata?
Pas viteve 44-tër, gjithë Republika e Shqipërisë i qe nënshtrua regjimit komunist, vetëm Dushmani jo. Qendra e reaksionit kundër Partisë Komuniste ishte në Kllogjen, në shtëpinë e Dedosh Kolës. Aty u mblodhën burra nga Dushmani, Temali, Shala, Shoshi e Puka, ku të pranishëm ishin shumë pjesëmarrës ndër ta bajraktari i Shoshit Lulash Gjeloshi me djalin e tij Gjeloshin, Mark Mala- kapedan i ushtrisë së Zogut, Pashuk Biba, Mark Doda e  Pjetër Kole Preçi. Qëllimi i tyre ishte krijimi i një “ushtrie” kaçakësh kundër komunizmit. “Ushtria” u krijua, në Pukë, Dushman e Dukagjin më në krye  Lulash Gjeloshin, Dedosh Kolën dhe Pashk Bibën, në kontakt me “ushtrinë” e Postribës kishin vendos me luftua kundër Shkodrës, dhe këta pasi u mblodhën në fushën e Cukalit u tërhoqën sepse “ushtria” e Postribës i kishte ra një ditë përpara Shkodrës dhe ishte thye me humbje dhe shumë dëmtime.
Me ardhjen e Brigadës së 11-të në Dushman, e cila quhet edhe “Brigada Sulmuese e pushkatimit”, çfarë pasojash solli?
Si në Dushman, Temal dhe kudo që ajo shkeli, solli pasoja shumë të mëdha, me djegie shtëpish, mullarësh, vrasje (pushkatime), dënime deri 101 vjet dhe internime, ndër të cilët  kam qenë dhe unë. Dogjën shtëpinë e Dedosh Kolës dhe na internuan, kurse Gjelosh Lulashin e Shoshit e dënuan 100 vjet, e të tjerë me radhë. Në fshatin Kllogjen ku ishte qendra e reaksionit, pasi u dogj shtëpia e Dedosh Kolës, u pushkatuan Tom Noja, Gjelosh Deda, Prenush Martini, Ndue Gjoka e Nikë Pjetri. Në fshatin Kishë, u dogj shtëpia e Dede Kole Ndout; u pushkatuan Dedë Kola e Pjetër Deda . Në fshatin Kajvadh, u dogj shtëpia e Ndue Palit; u pushkatuan Gjergj Pali, Filip Kola, Shytan Cani, Mëhill dhe Pjetër Kola. Në fshatin Vilë u pushkatua Mark Ndoja. Në fshatin Tejlumë u pushkatuan Marsh Vata dhe Ndue Vata. Në fshatin Qerret u pushkatua Dede Prenushi. Të gjitha familjeve të tyre s’ju dha asnjë e drejtë deri në vitin 1990 dhe shumica e tyre ishin të internuar me familje.
Në vitet 90-të, çfarë kontributi keni dhënë për shembjen e sistemit komunist dhe çfarë përparësish patët?
Për shembjen e sistemit komunist kontributi i im ishte modest, se nuk kishim ndonjë gjë në dorë. Jeta, pas vitit 1990 u normalizua, populli e mori veten në dorë dhe vazhdon të jetojë i lirë. Pas kësaj, vendosjes së demokracisë, kam dhënë kontribut për shuarjen e konflikteve, duke punuar si Misionar i Pajtimeve të gjaqeve dhe zgjidhjen e konflikteve. Deri tani kemi pajtua mbi 20 gjaqe në zonën e Dukagjinit, të Shllakut, Shkodrës dhe në gjithë zonën e Veriut, dhe kemi ndaluar mbi 150 konflikte pa përfunduar në vrasje.
Zoti Kole, faleminderit për intervistën, dhe të uroj sa më shumë të mira për ty dhe njerëzit tu, mbarësi dhe jetë të gjatë.
Faleminderit ju, që më dhatë mundësinë të shpreh mendimet e mia në gazetën tonë “Dukagjini”. Drejtuesve të Shoqatës “Atdhetare-Dukagjini”, atyre të gazetës, ju uroj faqebardhësi në punën e tyre në shërbim të Dukagjinit e dukagjinasve. Qofshi gjithnjë faqebardhë.
Intervistoi Tone Deda

Shuhet KAMPIONIA PINA THANI

Pas një sëmundje të pashërueshme u nda nga jeta sportistja, atletja Pina Dede Thani. Po, kush ishte Pina Thani?
Ajo ka lindur në vitin 1938 në qytetin e Shkodrës, në një familje prej Planit të Dukagjinit, me tradita kulturore dhe patriotike, e bija e Dede Thanit, nacionalisti i parë i burgosur politik, mbesa e major Palë Thanit dhe kolonel Markë Thanit, që të dy të diplomuar në Modena të Italisë, dhe më pastaj të pushkatuar nga regjimi komunist. Ishte e motra e Tinkës, Kolecit dhe Antonit. Pasioni i saj ka qenë gjithmonë sporti. Familja e saj e emancipuar jo vetëm që nuk iu bë pengesë, por i dha kurajë dhe mbështetjen e nevojshme ndonëse në një kohë të tillë kur për një femër ishte mjaft e vështirë që të gjente vetveten për arsye të fanatizmit dhe patriarkalizmit të theksuar.
Që në moshë të re vishej si djalë, luante volejboll e basketboll, madje deri edhe futboll me djemtë e lagjes. Gjithnjë vishej si djalë dhe ishte femra e parë që merr pjesë në garat me motorra.
Talenti i saj do të shpërthente në shumë disiplina sportive, si: në not, në hedhje granate, disku, gjyle e shtize, në pesë garësh dhe pastaj si volejbolliste e basketbolliste.
Në moshën 13 – vjeçare ajo theu rekordin kombëtar në kërcim së larti që mbahej nga Marie Ranxi, duke arritur një rezultat befasues në 1,31 m për të vazhduar pastaj gjithnjë në rritje 1.34 m, 1.36 m, deri në vitin 1957 kur arrin rezultatin kulmorë me 1.40 m.
Në kampionatin Kombëtar të atletikës, në vitin 1956, ajo tashmë ishte “Mjeshtre e Sportit”, theu tri rekorde: në hedhje disku, gjyle dhe granate. Ja si shkruante gazeta “Sporti popullor” i datës 19 shtator të vitit 1956: “E ku nuk e gjen Pinën? Në gjyle, në disk, në shtizë, në vrapimin me pengesa, në kërcim së larti, në pantatlon, bile edhe në basketboll; kurse për volejbollin nuk kemi çfarë të themi, për arsye se në kampionatin e këtij viti ishte më e mira midis të mirave”. Kështu, për një periudhë 15 – vjeçare, 1951-1966, Pina do të bëhej figura qendrore e atletikës Shqiptare me këto bilance rekordesh: 4 herë në granatë; 3 herë në kërcim së larti; 6 herë në pesë garësh; 2 herë në 80 m me pengesa; 7 herë në disk dhe 10 herë në gjyle. Gjithsej 32 rekorde, një shifër e admiruar dhe e vështirë për tu arritur nga askush.
Në takimin kombëtar të ekipeve të “Partizanit”, “Vllaznisë”, e “17 Nëntori”, që u zhvillua në stadiumin “Vojo Kushi”, sot “Loro Boriçi”, në Shkodër për herë të parë gjylja u hedhë nga dora e Pina Thanit në largësinë 13. 12 m nga 12. 73 m që ishte më parë dhe mbahej prej saj.
Pina, ka marrë pjesë edhe në aktivitete ndërkombëtare, si në Bukuresht-1957; në Sofje-1958; në ish Bashkimin Sovjetik-1959; në Budapest-1966. Trajneri i volejbollit Kreshnik Tartari do të shprehej për Pina Thanin: “Dy volejbolliste si Pina të kisha do të fitoja kampionatin botëror”, ndërsa i vëllai i Pinës, Antoni do të shprehej për të motrën: “Pina ishte tip sanguin me zemër të madhe, gjëja e saj s’ishte e saj, s’dinte të fyente, s’dinte të grindej; kishte një ambicie për të arrirë të paarritshmen”.
Pina ka marrë titullin “Mjeshtre e merituar e sportit”. Në vitin 1999 ka marrë titullin “Sportistja më e mirë e shekullit”. Po ketë vit merr titullin e lartë “Nderi i sportit shqiptar”.
Gjatë jetës së saj ka thyer 32 rekorde kombëtare, ka fituar rreth 100 medalje ari dhe mbi 300 diploma, një mori arritjesh të pakrahasueshme me asnjë sportist në gjithë historinë e sportit shqiptar.
Vdekja e Pina Thanit është një humbje e madhe për gjithë familjen e saj, për të gjithë ata që e njohën, për sportin shqiptar në përgjithësi, dhe në veçanti për atletikën ku ajo dha kontributin e jashtëzakonshëm në lartësinë e saj.
Homazh, respekt e mirënjohje për të madhen Pina Thani.
LAZER KODRA

QYTETARIZIMI I FAMILJEVE TË REJA QYTETARE, PRURJE VLERASH E SHMANGIE CILËSISH NEGATIVE

Qytetarizimi i familjeve të reja, të ardhura nga periferia apo edhe nga zonat e thella malore asht fakt i pamohueshëm, i domosdoshëm për kohën, si nji rregullator i shoqërisë njerëzore në shekuj në lëvizjen e përparimin e qytetar të edukatës, moralit e mentalitetit, në nji simboizë të vlerave pozitive të të ardhurëve dhe pjesë qytetare të gjetun aty.
Familjet e reja sollën prumje me vlera pozitive tue shkarkue nga vetja edhe zakone mbrapanike çka për qytetin tashma ishin të tejkalueme si anakronike. Ky rifreskim qytetesh dhe mentaliteti qytetar ka ekzistuar në shekuj, çka tregon, se shoqënia njerëzore lëviz gjithmonë në kahe të së mirës, apo asaj me të domosdoshmës për një jetë më të mirë.
Le të shohim nji rast:
Me dhimbje të madhe mora pjesë në varrimin e nji djali të ri. E quanin Vesel Zefi. Ishte nga Dukagjini, por familja e tij kishte ra në Shkodër mbas viteve 1990. Nga varfnia detyrohet me emigrue në Itali. Punonte shumë, me orë të zgjatura me fitue diçka më tepër. Ishte i ri, i fortë, i shëndetshëm. Nji natë më parë le punën në ora 22.00. Në orën 06.00 të ditës tjetër do të shkonte përsëri në punë. I pergjumun i rrëshqiti vemendja. Fatalitet. U përplas me nji pengesë. Vdes në vend. Vdekje e menjihershme. I shkreti djalë dhe e dhimbshuna familje. Detyrohen prindët e shkretë me i dhanë rrugat fëmijëve të tyne që adoloshentë për me fitue diçka. Gjithë ky emigracion masiv, veçanarisht i rinisë shqiptare asht frut i politikës së mbrapsht të politiknëve shqiptarë, të cilët kujdesen me u ba milionerë apo miliarderë vetë e fëmijët e tyre, ndërsa popullin e lanë me rëmue në plehna, apo me i dhanë rrugët e kurbetit në të katër anët e botës. Po të heqim falsitetin e etiketimeve mashtruese i “djathtë” apo :i “majtë”, të dy këto parti, plus karvanin që i shkon mbrapa, janë dy grumbullime me strategji të huaj, fanatikë, antipopullor e hajdutë.
I shkreti djalë! Disa ditë ma parë kishte ble nji kostum të ri, serioz e të bukur.
- Dëgjo, Marjan! Asht i pari kostum që bleva në jetën time. Kur e vesha mu duk vetja ndryshe; ma i bukur, ma sesioz e ma i burrnuem. Jam 22 vjeç tashma.
- E gëzofsh! – e uroi kushrini (edh e ky emigrant në Itali).
- A thue asht kostumi i ditës së vdekjes? – pyeti me nji parandjejnë ogurzeze të nji njeriu disi të hutuem e të mbydhun.
- Jo, o burr! Ti do të shkyesh dheta e qindra kostume të tjera – i tha Marjani.
Asht e vërtetë se çdo emigranti, kur merr rrugët e kurbetit, hija e vdekjes së papritun i rrin mbi krye. Gomonet, monopatet e thikta e të pashkeluna ndonjiherë, trafikimi i stërholluem, grabitjet në rrugë nga gangsterët që i  grabisin emigrantët tue u kthye në familje, frutin e punës disavjeçare në rrugë të vetmueme, ngatërresat në mes njeri – tjetrit janë gjithmonë të mundshme e prezente tek çdo emigrant. Megjithatë them me bindje se pjesa dermuese e djelmëve tanë, malësor, katundarë apo qytetarë nuk u zhburrnuen e nuk u kurvnuen kurr. Po Emigracioni i mësoj me ndrrue mentalitet, me pa botën me sy, relitetin, të mirat e vështirësitë, çka sjellin pa tjetër perpunim qytetar të nivelit universal. Këta të rij, që duken lozanjarë njeri me tjetrin janë kaq burra të fortë, sa përballojnë nji mal me vështirësi, pa humbë asnji vlerë pozitive të paraardhësve, në karakterin e tyne.
Njof vëllanë e të ndjerit, Antonin. Punon çdo ditë në tregun e zarzavateve për bukë goje. Ka krye shkollën e mesme. Shteti nuk i afron asnji punë, perveç papunësinë, që sjell varfni e mjerim. Djalë i rregullt, tepër serioz dhe dashmirës. Fola me të.
- Dy vëllazën të vdekun për tri vjet, janë shumë, zotni më tha Antoni! Unë heshta. Përveç ngushllimit s’kisha asgjë tjetër, asnji fjalë me i thanë. Nuk i pashë lot në sy. Loti nuk asht moto i idhnimit. Vetëm ai e din se sa rrëke lotësh i rrëshqasin mbrenda në shpirtin e tronditun.
Varrimi
Nji bashkësi vërtetë me u admirue. Solidaritet shembullor njeni me tjetrin. Qindra vetë në vorrim, qindra burra e gra. Le të shohim ketë emancipim që e ka dukagjinasi dhe i  mungon totalisht, e për turp, qyetetit. Gratë percjellin të vdekurin deri në vorre. Qyteti jo! Edhe francezët, gjermanët, anglezët, belgët e italianët i përcjellin të vdekurit në vorre. Qytetaret e shkodrës së kulturës, jo! E tmerrshme. Zakon oriental i bamë zakon në shekuj nga pushtuesi turk. Ndalon nanen, motren, vajzen, gruen, kushrinen, me shoqnue deri në varr të dashtunin e tyne, me i hedh nji grusht dhe ne atë varr, në shej dashnije e dhimbje “Hi ke qenë, hi ke me u ba” asht motoja e atij grusht dheu që i hidhet varrit përsipër. Atë grusht dhe të mbrumë me dhimbje, si pershendetje e fundit e të gjallit për të vdekurin e kanë ndalueme me hedhë gratë mbi varr. O Zot, çfarë zakoni i përmbindshëm, çfarë monstruozitetit!
Vdekja asht e papritun. Jo rradhë e gjen njeriun të pergatitun. Xhepi i malësorit asht gjithmonë i shpuem. Ka shumë dhimbje, por ka edhe hall e mbi hall, kur të vdekunin nuk ka pare me e varrosë. Njerëz të tjerë, të njoftun e të panjoftun vrapojnë tek familja e të ndjerit dhe i afrojnë para, sa ti nevojiten me perballue shpenzimet. Ky nuk asht nji e dy, por disa e disa vetë.
- Paret mi kthe kur ti falin Zoti! – asht fjala e dhanësit në këto raste.
***
- Çoja gjellen fëmijëve të vrasësit, se janë pa hangër, në ngujim! – thotë babai i viktimës. Ata s’kanë faj. Janë fëmijë, e duan bukë.
A ka ma njerëzore, aka ma madhështi shpirti, a ka ma dashtuni për njeriun se kjo sentecë e realizueme shumë herë në shekuj nga dheta e qindra familje malësore? Ketë e ban dukagjinasi, mirditori, pukjani, zadrimori, burrat e hekurt të Nikaj e Merturit. Unë nuk e di se kjo ka ndodhë ndonjiherë në familjet qytetare.
***
Vdes nji njeri dhe gratë vishen me të zeza deri në disa breza larg, çka tregon se dhimbja asht shtri mjaft larg në zemrat e njerëzve.
Në qytet nuk ndodh kështu. Mbajtja e zisë në breza kushrijsh dëshmon solidaritet, dashtuni, forcë, kulturë qytetare dhe mbi të gjitha lidhje të fortë shpirtërore.
***
Dreka asht tepër e madhe. Drekë, me qindra njerëz. Vërtetë se nga ana financiare asht shpenzim i papërballueshëm për pjesën dermuese të familjeve malësore, që shumë nga këto i len mbrapa nji “mal” me borxhe, por nga ana tjetër asht shenjë bujarie, respekti të ndersjellt për me shpreh mirënjohjen e lamtumiren e fundit për të vdekunin. Jo nuk i kursyem dy kafshatë bukë të dashtunit tonë, thonë të gjallët që la mbrapa. Asht shprehje respekti për ata që iu gjenden aq afër familjes së të ndjerit në ato orë aq të dhimbshme.
***
Mundemi me thanë pa frikë e me bindje të plotë se lagja “Mark Lula” sot asht lagja ma luksoze e qytetit, flas për shtëpitë e reja, të mëdha dhe të bukura. Edhe orendi shtëpiake ka mjaft. E pse jo edhe zbukurime në arkitekturen e mbrendshme e të jashtme të shtëpisë. Të gjtihë këto të fitueme me djersë, me privacione deri në ekstrem, tue fjetë edhe perjashta, nën ura, në kasolle të braktisuna, apo shumë vetë në nji dhomë, me dergue diçka ma tepër në shtëpi. Asht e vërtetë se keto janë raste sporadike, të pa përfillshme. Tek e fundit(Jo, në kurrnji mendyrë me e justifikue të keqen, e të pamoralshmen), kur shteti i braktisë nenshtetësit e vet, kur nuk i siguron punë, kur i len me ndihmë sociale, krejtësisht të papërfillshme sa nuk blihet as buka thatë, por që perkujdeset shumë me shtue rrogat e nalta, që 5 % e tyre asht barabartë me ndihmen sociale të 35-40 familjeve, kur taksat rriten vertikalisht, kur çmimet shkojnë në pikën e çmendurisë, njerëzit do të shpërthejnë dikah, me ba hall për jetesë, qoftë edhe tue shfrytëzue të keqen. Nuk asht pergjegjës individi i vorfen, por direkt shteti, që e shtyn individin qellimisht drejt së keqës. E thanë me bindje se duhet qeverisë ndryshe, jo si qeverisë politika e sotme, për me dalë nga rrethi vicioz në fund të “pusit”, pa perspektivë absolute për ditë më të mira. Politikanët me kravata rozë, ngjyrë qielli apo krah pëllumbi deshtuan plotësisht. Populli asht në prak të shpërfilljes nga vorfnia.
***
Sot nuk i dallon vajzat(malësore) të Dukagjinit, Mirditës apo të Zadrimës nga vajzat e qytetit! Pjesa dermuese e tyne vazhdojnë shkollat e mesme dhe të nalta, flasin italisht e anglisht, janë të emancipueme dhe krenare për origjinen e tyne. Ata dhe ato janë ma të shlira nga disa zakone e paragjykime që nguliti në qytet pushtimi i huaj shekuj me radhë. Ndoshta do të ishte e vlefshme me perkitë pak disiplinen në familje. Familjet e reja qytetare sot janë të çlirueme nga skajshmenitë e dikurshme, ku autoriteti pa arsye i të parit mbahej edhe me dru. Asht me u admirue zbatimi i fjalës së kryefamiljarit me ndërgjegje të plotë, i babait, nanës apo vëllait e motrës ma të madhe. Të kuptohemi drejt. Nuk them në kurrnji mendyrë se në familjet qytetare të vjetra nuk ka disiplinë të ndergjegjshme e respekt të ndersjellt, por mbrenda saj, nganjëherë ka nji liberalizim që të çon në bastardhim të së drejtës edukative të pjestarit të familjes, bazë kjo për gabime fatale nga të rijtë e të rejat më vonë që të çon në viktimë, dhe jo të mësojmë mbi bazën e nji mësimi më të mirë të dikujt apo më përpara, pa kalue pësimin.
Flas me bindje se respekti i mbrendshëm reciprok i gruas ndaj burrit, e anasjelltas, i vëllazenve ndaj motrave e përsëri anasjelltas, apo në mes vëllazënve e motrave njena me tjetren në familjet e reja qytetare asht ma i konsoliduem, ma i ndergjeghshëm e aspak formal. Në shumë familje qytetare të vjetra ekziston “Kulla e Babelit”, ku njerëzit flasin gjuhë të ndryshme. Mos me harrue se në Dukagjin kishte pesë shkolla të mesme profesionale dhe të përgjithshme, të cilat frekuentoheshin nga pjesa dermuese e rinisë, vajza e djelm.
Sot të rijtë e të rejat nuk mundën me kuptue, e qeshin me zakonin e fejesave në djep, apo pa e parë, pa folë e pse jo edhe pa u shoqnue, pa kalue masën, me shokun e jetës. Sot të rijtë njihen në rrugë, në bankat e universitetit e janë zot të fatit të tyne. Në mos u gabofsha nuk di asnji vajzë dukagjinase apo malësore të veriut, që trafikohet tortuareve të botës. Asht me u theksue se mirësia e ktyne vajzave shkapercejnë edhe kufij. Shumë familje shqiptare jasht kufijve kërkojnë e marrin per nuse vajzat tona dukagjinase, gjithmonë mbrenda kuadrit ligjor, moral e tradicional për me krijue familje të drejta qytetare aty ku i percjell fati i tyne, me dashtuni e besnikni shembullore familjare. Por duhet pasë kujdes edhe në pershpejtimin e kalimit të stacioneve të zhvillimit qytetar. Nuk asht qytetare imoraliteti, llapazanija, krenaria e smundë apo egoizmi i shfrenuem. Kalimi në qytetari bahet natyrshëm, gradual, tue ndryshue konceptet, tue fitue të rejat e dobishme dhe tue lanë në antikuarë, të vjetrat e kalueme, të padobishmet që jo rradhë të çojnë në të keqen.
Veçoria më negative e familjeve të reja qytetare asht se sollen edhe në qytet gjakmarrjen, karakteristika më negative e njeriut që duhet eleminue pa tjetër. Shakqet, arsyet duhen trajtue në nji shkrim të veçantë.
EDUARD ÇURÇIJA

Romani “Historia e një plage” i Lec Shllakut, aktakuzë për luftën e tradhtuar

Në dhjetëvjeçarin e fundit librat që evokojnë tmerrin komunist, terrorin e njërës prej diktaturave më të egra në Europë nuk janë të pakta. Emra të njohur të kulturës shqiptare, si shkrimtari Pjetër Arbnori apo poeti Visar Zhiti, nëpërmjet librave të tyre të botuar pas viteve nëntëdhjetë  kanë arritur të na japin një tablo të tmerrit të burgjeve komuniste, një tablo të ferrit, ku vuajtën e u sakrtifikuan shpirtrat e shqiptarëve. Edhe libri tashmë i njohur i At Zef Pëllumbit, “Rrno për me tregue”, na jep një dëshmi rrëqethëse për vuajtjen e shqiptarëve në diktaturë, por edhe për qëndresën e tyre, për moralin, për vlerat e tyre të qenësishme në përballje me të keqen. Jo shumë kohë më parë më takoi të lexoja një libër krejt të veçantë, të shkruar  nga një martir i burgjeve të komunizmit, Gjon Mark Ndoj, “S’mujta me e ndalë kohën”, një libër i shkruar me reralizëm të thellë dhe me një qartësi e kthjelltësi të çuditshme. Sigurisht, për diktaturën, për komunizmin janë shkruar shumë libra, edhe nga të burgosur të tjerë e jo të burgosur, siç janë shkruar edhe në vende të tjera nga autorët më në zë të letërsisë botërore, duke filluar me disidentin rus Sollzhenicin, me Milan Kunderën, Isak Bashevis Singerin e të tjerë. Nganjëherë kthimi dhe rikthimi te tema e komunzimit duket si një tërheqje fatale, si një pamundësi e atyre që e vuajtën komunizmin për t’u rikthyer në të ardhmen, si një pamundësi për t’u çliruar nga kujtesa e hidhur, si një pamundësi në gjetjen e përspektivës së humbur. Edhe thënia e George Santayana-s se “Quien no recuerda el pasado, es destinado a repetirlo” (kush nuk e kujton të shkuarën është i destinuar ta rijetojë atë”), nuk e mbështet gjithë këtë angazhim kaq të madh të shpirtrave njerëzorë dhe njëkohësisht të shpirtrave krijues në këtë të shkuar tragjike, që shkatërroi gjenerata të tëra njerëzore. Duket se drama e komunizmit ka diçka më të thellë, diçka më tronditëse dhe zotëron në vetvete një tërheqje fatale, që mund të interpretohet si një përpjekje për t’u çliruar nëpërmjet aktit të krijimit.
Ernesto Sabato ka shkruar se “tipari kryesor i qenies njerëzore nuk është lënda e pastër, por ai vis i ndërmjetëm i shpirtit të errët e të trishtuar, ajo botë ku ndodhin gjërat më më peshë të jetës, dashuria dhe urrejtja, miti dhe sajimi, shpresa dhe ëndrra”. Duket se nga ky vis i errët e merr shkasin edhe krijimi, edhe letërsia, e cila operon midis iluzionit dhe realitetit, midis asaj që ne jemi në gjendje ta përceptojmë dhe të shprehim me fjalë dhe asaj tjetrës, që qëndron jashtë kësaj zone të përceptueshme e të komunikueshme.
Letërsia që i rikthehet dikaturës bën pjesë në atë letërsi që studion të vërtetën e llahtarshme të qenies njerëzore. Kjo letërsi synon realitetin e thellë, të pangjyrosur, të padeformuar, edhe kur është shkruar si fiction i pastër.
Në këtë kontekst vjen edhe romani i Lec Shllakut, “Historia e një plage”, të cilin autori me modesti e cilëson “dishmitë e një rrëfyesi pamor, i cili i ka ndie vetë mbi lkurë ato që ndodhën mbas Luftës së Dytë Botnore”. Romani fillon thjesht më përshkrimin e një qyteze që po ngrihet në një gji detar të Jugut, atje ku jeta duket e lumtur dhe perspektiva e sigurt. Në këtë gji me barraka, një studente e Pragës njeh një ish-partizan invalid prej plagës që ka marrë në luftë, një njeri që ka sakrifikuar dhe ka rrezikuar në luftë për një të ardhme të lumtur të vendit të tij dhe midis të rinjve, siç ndodh zakonisht në jetë, lind një histori dashurie, e cila për shkak të rrethanave dhe të një realiteti të vrazhdë do të ketë një fund tragjik.
Duke e lexuar librin faqe pas faqeje lexuesi tërhiqet në një botë të re që po lind pas luftës, por edhe të shtetit të ri që po kristalizohet pas asaj demagogjie marramendëse që kishte joshur rininë e Europës e madje edhe intelektualët e saj në zë. Bardhi, përsonazhi kryesor i romanit, është partizani invalid, i cili në vitet e para të pasluftës ka parë se si idealet e luftës për liri po tradhtoheshin një nga një, se si nga ish-partizanët po krijohej hierarkia e re e shtetit komunist, një klasë kriminale, e pashpirt, terrorizuese. Në vitet e pasluftës “Bardhi ka rrëshqit, sepse ai parimi aq i nënvizuem në luftë, sipas të cilit duhej të ndaloheshe e të merrje mbi sup shokun e plagosun, asht zëvendsue me një parim tjetër: Plagose shokun e hidhe në hendek, se kështu bahet i pabezdisshëm për ata që janë ngjitë ose që kanë ndër mend me vazhdue ngjitjen e shkallëve”. Me këto pasazhe të thjeshta, shkrimtari arrin të dëshmojë strukturën e shtetit që po ndërtohej, një shtet i strukturuar mbi parimin: sa ma i kriminalizuar të jesh, aq më shumë do të ngjitesh në karrierë”. Njeriu i ndershëm ndërkaq, njeriu që ka dhimbje për njeriun ndjehet i përjashtuar nga e ardhmja. Kjo është edhe ana më tragjike e regjimit të ri që po instalohej. E keqja është vetështuese dhe të gjitha ligjet e shoqërisë, besimet, kodet dhe morali janë krijuar për të mbajtur nën kontroll këtë anë të errët të njeriu. Kur ana e errët e njeriut, kur vesi dhe shpirti i kriminalizuar nxitet nga pushteti, mbështetet nga pushteti, atëherë qenia njerëzore shndërrohet në përbindësh dhe vetë regjimi i krijuar mbi një parim të tillë shndërrohet në një regjim skëterre. Ndoshta faqet më tronditëse e më ngjethëse të romanit të Lec Shllakut janë ato ku, nëpërmjet një digresioni, rrëfehet zhgënjimi i njëpasnjëshëm i të riut idealist, i ish-partizani që del invalid nga lufta. Në këto faqe ne gjejmë sidomos krimet e komunizmit në malësitë e veriut kundër njerëzve të pafajshëm. Revoltën e Bardhit për këtë tjetërsim të idealit të lutës e gjejmë të përshkruar hollësisht në rrëfimin që ai i bën inspektorit të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes, ish-shok i luftës: “Në malësi mbizotëron atmosfera e terrorit që shkaktojnë orë e ças Brigadat e Mbrojtjes, njëna pas tjetrës, pa pushim, pa mëshirë, me shpatë në dorë, me një zell të papërshkrueshëm për të derdh gjak të shtymë nga një urrejtje  e pakuptueshme për këta njerëz të mjerë, bujarë e mikpritës”.
Bardhi i kumton ispektorit se “ktu  ka ndryshue çdo gja prej atyne ditëve kur na besonim aq shumë e ngulnim kamë në drejtësinë tonë. Çdo gja asht përmbys”.  Por ndërsa inspektori e ka pjesë të karrierës dhe të ekzistencës së vet përmbysjen, Bardhi reflekton, rebelohet në mënyrën e tij, lufton me veten, duke i përpjekur të mbetet i ndershëm dhe i drejtë, në mesin e dhembjeve që ka shkaktuar lufta e tradhtuar.
Në këtë situatë psikologjike ai njihet me Donikën, studentën e Pragës, e cila edhe pse vjen nga një familje komunistësh, është vënë nën presionin e frymës që zotëron në qytetin më intelektual e më refuzues të komunizmit në Europën e Lindjes.
Afëria në pikëmaje i lidh dy të rinjtë me një ndjenjë të bukur, me një dashuri flijuese, e cila nuk është e shkruar të sjellë lumturi, por drama. Sepse një një sistem të tillë çnjerëzor, çdo gjë që është njerëzore, është e ndëshkuar, është fatkeqësisjellëse. Kjo dashuri e pafajshme sjell natyrshëm edhe fatkeqësinë e dy të rinjve, njëri prej të cilëve përfundon nën kovën me beton të vinçit, ndërsa vajza, e internuar, e klasifikuar si armike e popullit. Kjo është fabula e thjeshtë, e treguar shkurt, por romani ndërkaq pasurohet me elementë të shumtë të jetës familjare, të ekzistencës së përditshme, duke përcjellë deri në imtësi realitetin, aq sa duket se syri i autorit funksionon si një kamera që fikson edhe imtësitë më të vogla të jetës e të realitetit me një përpikmëri  absolute.
Ndërkaq, pasi ke mbaruar se lexuari romanin, e kupton se përse i është dashur autorit të përshkruajë me kaq imtësi realitetin, proceset e ndryshimeve, të tjetërsimeve, të degjenerimit të sistemit dhe të fatkeqësive që e përcjellin këtë degjenerim. Pyetja e parë që shtrohet në këtë moment: O Zot, pse, pse ndodhi kështu? A ishin njerëz këta që e instaluan këtë regjim kriminal dhe që shkatërruan kaq shumë jetë të pafajshme, ku edhe ndjenjat më njerëzore, si dashuria, apo ndjenjat e familjarëve për njëri-tjetrin përbënin një krim të ndëshkueshëm. Përgjigjja në roman është e qartë:
Mbaslufta e kishte humbur që në fillim objektivin e saj, idealin e saj. Fanatizmi ideologjik dhe urrjetja klasore si filozofi sunduese sollën degradimin e njerëzve dhe të vetë sistemit, duke mbjellë vuajtje dhe tmerre tek ata që rezistuan, tek ata që nuk pranuan të bëheshin pjesë e lojës, tek ata që nuk mundën të shkelin mbi shpirtin e tyre, mbi parimet, mbi vlerat që e mbajnë në këmbë një shoqëri. Ndërkaq, në roman rrëfehet edhe ana jozyrtare e jetës, e qenies, ajo pjesë që arrin të mbijetojë, duke sfiduar dhe duke u sakrifikuar. Sistemi i urrejtjes, ndërkaq i instaluar, vazhdon të mbjellë vdekjen, shkretimin, shumejen e vlerave dhe të njerëzve që i bartin këto vlera shpirtërore dhe morale. Pasojë e këtij shkatërrimi shpirtëror është edhe Shqipëria e pasviteve nëntëdhjetë, e cila endet pa destinacion, pa mundur ta gjejë vetveten. Duke lexuar romanin e Shllakut bindesh se i vetmi shpëtim është rikthimi te dashuria, rikthimi te jeta, te vlerat e saj të qenësishme, te morali i lartë njerëzor, pa të cilin nuk mund të funksionojë asnjë shoqëri. Dhe ndërkaq romani përcjell një kumt të thellë e gjithmonë aktual: midis dashurisë dhe urrrjetjes qëndron një det i palundrueshëm. Përballë këtyre dy zgjedhjeve, kush zgjedh dashurinë është i fituar.
Urrejtja mbjell shkatërrimin, shumejen.
Si përfundim do të thosha se Lec Shllaku ia ka arritur të shkruajë një roman thellësisht realist, duke na rrëfyer fatin e njeriut në diktaturë. Duke bërë ekspozimin e ideoleogjisë diabolike dhe shkatërruese të ndërtuar mbi urrejtjen dhe vesin, mbi dobësinë dhe ligësinë, romani është një ftesë për vetëdijen tonë, që të nxit të reflektosh për fate dhe njerëz, për ndjenja dhe ide, për realitete dhe perspektiva.
Më këtë roman autori ka arritur të na lërë një dëshmi të qartë të realitetit të pasluftës, ku përpjekjet për të mbetur njeri ndërthuren me sfidën dhe papajtueshmëritë që lindin midis lirisë dhe robërisë.
Romani është shkruar me një gjuhë të rjedhshme, me një gegnishte të përpunuar, plot kolorit dhe me shumë shprehje, fjalë e fraza që krijojnë dhe harmonizojnë situatat dhe e bëjnë të gjallë sfondin e rrëfimit, çka i ka dhënë mundësi autorit të shprehë gjendjet e veçanta shpirtërore dhe psikologjike brenda një dekori të thatë dhe brutal, siç ishte realiteti i atyre viteve, të cilat Shllaku ka marrë përsipër të dëshmojë në romanin e tij.
Lazër Stani

Çesk Pashuk Marjakaj emigranti nga Shllaku ne Suedi zbuloi e publikoi videon Raciste antishqiptare

Ka qene emigranti yne Çesk Pashuk Marjakaj nga Shllaku me banim ne Suedi i cili duke kërkuar ne internet zbulon videon raciste e quajtur “Himne te urrejtjes”. Ne fillim Çesku pasi u njohe me ketë komunikoi me gazeten me te madhe te përditshme greke “ Ta Nea” , publikoi videon ku ushtaret greke stërviteshin për te ngritur moralin ushtarak me thirrje kundër shqiptareve dhe turqve : “I shikoni ata? Ata janë shqiptare! Me zorret e tyre ne do te bëjmë litare! I shikoni ata? Ata janë turq! Me lekuret e tyre ne do te bëjmë kepuce!”
“Te lumte Çesk!” Ti nderove Shllakun, Dukagjinin e gjithë Shqiperine.
Te gjithë ne e urrejme racizmin kundër shqiptareve ne Greqi, por Çesku beri diçka konkrete. Te lumte Çesk! Ti je nga ata djemtë e treves se Dukagjinit i cili nderove prinderit qe te rriten, fisin e Shllakut e bashkefshataret e tu qe jetonin ne Shllak e gjithë emigrantet kudo qe ndodhen. Nxore ne drite një duf urrejtje qe nuk është hera e pare ndaj popullit tend. Askush me mire se ju qe emigruat ne Greqi nuk e ka përjetuar dhunen padrejtesine. Dukagjinasit gjithmonë edhe kur nuk ka patur shtet janë bashkuar për te mbrojtur token e tyre, identitetin e tyre dhe për te ruajtur te pastër zakonet e doket. Prandaj ne emër te redaksise se gazetes “Dukagjini” te uroj jete te gjate Juve, bashkëshortes tende me kombesi suedeze e te gjithë gjakut tend. Shteti ka rol, media mund te beje me shume por pse jo dhe çdo individ. Ne emër te zones se Shllakut aty ku rrite trupin e more edukimin tend te falënderoj për shembullin e larte. Edhe njëherë te uroj familjes sate jete te gjate edhe pse shume larg vendit tend qe gjithmonë djem si ti te mos rreshtin te ruajne identitetin tone te pastër qe parardhesit tanë e mbrojten gjithmonë me gisht ne qarkun e pushkes.                 
Zef Nika

part03
   
   
     
 

nëkrye

 
 
numrat