part01
part02
kryesore historiku aktivitete gazeta botime tetjera

KOMISIONET DRETJËSI DHE PAQE TË EUROPËS NË SHQIPËRI

Nga data 16 -20 shtator 2011, me ftesë të Komisionit Shqiptar Drejtësi dhe Paqe, u realizua në Shqipëri Konferenca e Komisioneve Drejtësi dhe Paqe të Evropës. Kjo Konferencë, e cila këtë vit kishte si temë "Marrëdhëniet ndërfetare dhe ndërkulturore, shans dhe sfidë për solidaritetin tone - kontributi i Shqipërisë për ndërtimin e Evropës" u hap në Tiranë, me pjesëmarrjen e drejtuesve më të lartë të pesë komuniteteve fetare në Shqipëri, të Kryeministrit të vendit z. Sali Berisha, të përfaqësueseve të 25 Komisioneve Evropiane Drejtësi dhe Paqe si dhe shumë drejtues të organizatave të ndryshme, vendase dhe të huaja.
Më pas Konferenca vazhdoi me një workshop, i cili kishte si qëllim marrjen e informacionit dhe ndarjen e eksperiencës në mes te të ftuarve dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare në Shqipëri. Si shprehje konkrete e bashkëpunimit ndërkulturor dhe ndërfetar në Shqipëri liderët fetarë si dhe miqtë nga Evropa morën pjesë në një lutje të përbashkët ndërfetare, e cila u konkretizua me mbledhjen e një peme ulliri pranë Galerisë së Arteve në Tiranë, si shenjë e bashkëjetesës paqësore ndërfetare në Shqipëri.
Më pas çdo gjë u diskutua në një tryezë të rrumbullakët ku morën pjesë po ashtu përfaqësuesit e pesë komuniteteve fetare.
Më pas miqtë udhëtuan për në qytetin e Shkodrës ku për tre ditë resht vazhduan punimet e Asamblesë së Përgjithshme të këtyre komisioneve. Kjo Asamble, e cila u zhvillua në "Fshatin e Paqes" me praninë e Imzot Angelo Massafra, President i komisionit Drejtesi dhe Paqe të Shqipërisë bëri edhe zgjedhjet e saj të radhës. President i Konferencës u zgjodh Ipeshkvi i Dublinit, Imzot William Kenny dhe zëvendës/president u rizgjodh z. Luigj Mila nga Komisioni Drejtësi dhe Paqe i Shqipërisë. Pasditen e ditës së hënë miqtë u pritën ngrohtësisht nga Kr/ Bashkisë së Shkodrës z. Lorenc Luka i cili i falënderoi ata që kishin zgjedhur Shkodrën dhe Shqipërinë për të realizuar Asamblenë e Përgjithshme. Ky aktivitet i mbylli punimet me një darkë karakteristike në hotel Restorant "Tradita", nën ritmin e këngëve, valleve dhe mikpritjes tipike shqiptare.

Nga Luigj Mila

Deklaratë për shtyp

Tiranë, Shqipëri 21 Shtator 2011

KONFERENCA E KOMISIONEVE EUROPIANE DREJTËSI E PAQE

Deklarata Përfundimtare e Workshopit Ndërkombëtar mbajtur në Tiranë, Shqipëri nga 16-18 shtator 2011

" MARRËDHËNIET NDËRFETARE DHE NDËRKULTURORE - SHANS DHE SFIDË PËR SOLIDARITETIN TONË" KONTRIBUTI I SHQIPËRISË NË NDËRTIMIN E EUROPËS
Tema e zgjedhur nga Papa Benedikti XVI për Ditën Botërore të Paqes sivjet ishte: "Liria Fetare – Rruga drejt Paqes". Njëzet vjet pas daljes së Shqipërisë nga një prej regjimeve komuniste më të egra e shtypëse të Evropës, Konferenca e Komisioneve Evropiane Drejtësi e Paqe, erdhi për të mësuar rreth përvojës shqiptare mbi marrëdhëniet ndërfetare dhe ndërkulturore.
Përfaqësuesit nga 23 vende të Evropës patën privilegjin të priteshin nga Komunitetet Fetare kryesore te Shqipërisë. Krerët e klerit si dhe besimtarë të thjeshtë të komuniteteve Mysliman, Ortodoks, Katolik, Bektashi dhe Ungjillor, ndanë përvojën e tyre me pjesëmarrësit në hapjen solemne të Workshopit në konferencë; në pritjen e pjesëmarrësve në qendrat e tyre, si dhe në bashkëbisedimin në tryezën e rrumbullakët. Kryeministri Sali Berisha përshëndeti pjesëmarrësit dhe miqtë e ftuar në ceremoninë e hapjes. Kjo klimë mikpritjeje dhe gatishmërie për bashkëpunim u çmua shumë nga pjesëmarrësit.
Gjatë takimeve me komunitetet fetare, pjesëmarrësve u bëri shumë përshtypje njohja me persekutimin gjatë periudhës së regjimit komunist. Besnikët e fesë u dënuan me burg; veprimtaria e klerit u shtyp me egërsi; trashëgimia kulturore dhe traditat fetare u shkatërruan plotësisht; vendet e kultit u vunë në përdorim të qëllimeve praktike, duke shkelur kështu pa asnjëfarë respekti misionin e tyre të shenjtë.
Fakti që populli shqiptar ia doli të ruante shkëndijën e besimit nën këto kushte të tmerrshme, ishte tepër frymëzues. Kur persekutimi mori fund në 1991, Komunitetet Fetare, të bashkuar nga e njëjta histori vuajtjeje, filluan dalëngadalë të rindërtoheshin duke u mbështetur në frymën e solidaritetit dhe bashkëpunimit me njeri-tjetrin. Kështu, gëzimi për ripërtëritjen e fesë në Shqipëri, u përjetua njësoj nga të gjithë.
Të gjithë komunitetet ishin të ndërgjegjshëm se shoqëria shqiptare është ende në tranzicion e sipër. Disa probleme të trashëguara nga e kaluara kanë mbetur pa zgjidhje, dhe ka mjaft sfida të natyrës ekonomike e politike për të ardhmen. Përcaktimi i rolit të fesë në Shqipërinë moderne nuk ka përfunduar ende, por Komunitetet Fetare janë të ndërgjegjshëm për rolin e tyre në ndërtimin e një shoqërie të re. Edhe pse mund të ketë disa tensione apo vështirësi, qëndrimi i Komuniteteve fetare ndaj njeri-tjetrit karakterizohet nga respekti i ndërsjellët, fryma e bashkëpunimit dhe nxjerrja në pah e vlerave të përbashkëta siç është dinjiteti njerëzor. Pikërisht këto vlera duhet të jenë ne themel të punës së përbashkët për ballafaqimin me sfidat e ndryshme.
Mbështetja që udhëheqësit politikë u japin Komuniteteve Fetare, siç u theksua edhe nga Kryeministri Berisha, na la mbresa të mira. Kjo prirje që vërehet edhe në planin politik, për ta pranuar pluralitetin fetar si pjesë e identitetit kombëtar shqiptar, dhe për tu krenuar me të, është një shembull për kombet tjera. Edhe komunitetet fetare bëjnë pjesën e tyre në drejtim të përmirësimit së shoqërisë moderne. Ata janë vazhdimisht aktivë në veprimtari të ndryshme shoqërore, shumë prej të cilave përfshijnë zgjatjen e dorës së miqësisë drejt njëri-tjetrit.
Ana shpirtërore e këtij dialogu ndërfetar u bë veçanërisht e prekshme pasditen e 17 Shtatorit, kur Krerët e Komuniteteve fetare u mblodhën për të bërë një lutje të përbashkët, secili sipas riteve të besimit të tij. Për të shënuar domethënien simbolike të këtij takimi, një pemë ulliri u mboll me lejen e bashkisë në një lulishte në qendër të Tiranës, përballë Galerisë së Arteve. Të gjithë hodhën nga një lopatë dhe mbi rrënjët, ndërkohë që përreth vlonte jeta e zhurmshme e kryeqytetit.
Dëshira e fortë e popullit shqiptar për të forcuar lidhjet e tyre me Evropën ishte mjaft e dukshme gjatë gjithë kohës. Është e qartë se Shqipëria ka shumë për të dhënë me shembullin e saj për komunitetet e ndryshme fetare në Evropë, në përballjen e tyre me krizën ekonomike, konfliktet e trashëguara nga e kaluara, marrëdhëniet mes besimeve të ndryshme e te tjera. Komunitetet Fetare duhet të japin orientimet e tyre për çështjet morale dhe etike duke kontribuar për të mirën e përbashkët dhe zhvillimin e shoqërive tona.
Anëtarët e Konferencës së Komisioneve Evropiane Drejtësi e paqe shprehin mirënjohjen më të thellë dhe falënderojnë të gjithë ata që ndihmuan në këtë organizim. Një falënderim i veçantë shkon për përfaqësuesit e Komuniteteve Fetare të Shqipërisë: Imzot Rrok Mirdita (Komuniteti katolik); Haxhi Selim Muça (Komuniteti Mysliman); Peshkop Andoni (Komuniteti Ortodoks); Baba Edmond Brahimaj (Komuniteti Bektashi); Reverend Fitor Muça (Vëllazëria Ungjillore). Po ashtu, pjesëmarrja e kryeministrit Sali Berisha si dhe pritja nga Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, na nderon së tepërmi. Falënderojmë gjithashtu edhe Komisionin Drejtësi e paqe të Shqipërisë: Presidentin Imzot Angelo Massafra, Sekretarin e Përgjithshëm, Luigj Mila, si dhe të gjithë ata që ndihmuan në mbarëvajtjen e vizitës sonë në Shqipëri.

Nga Konferenca, Tirane,
date 21 shtator 2011

PËRSHTYPJE NGA DITA E ALPEVA SHQIPTARE MBAJTUR NË THETH TË DUKAGJINIT, NË ORGANIZIM TË SHOQATËS "ATDDHETARE-DUKAGJINI"

Në organizimin e shoqatës "Atdhetare- Dukagjini" të Shkodrës, të dielën, më 28 gusht 2011, në Dukagjin te Shkodrës, gjegjësisht në Theth, u mbajt manifestimi tradicional "Dita e Alpeve shqiptare". Manifestimin e shpalli të hapur Ndue Sanj, kryetar i shoqatës "Atdhetare-Dukagjini" në Shkodër.
Sanaj, në një fjalë përshëndetëse duke përshëndetur pjesëmarrësit e këtij manifestimi shumë interesant të këtyre anëve, foli edhe për historikun e shkurtër të kësaj feste dhe për rëndësinë e saj për popullin shqiptarë të Dukagjinit dhe të Republikës së Shqipërisë. Në emër të shoqatës ai, në veçanti përshëndeti dhe falënderoj për pjesëmarrjen miqve nga Republika e Kosovës, përkatësisht kryetarin e shoqatës vëllazërore Kosovë Malësi e Madhe "Martin Dreshaj nga Peja, Ukshin Jasharin me bashkëpunëtorë, si dhe përfaqësuesit e grupit folklorik "Shpëtimi" nga Medvegja, të cilët me ftesën e shoqatës "Atdhetare-Dukagjini" kishin ardhur duke kaluar një rrugë të gjatë dhe jo edhe aq të lehtë.
Në emër të shoqatës, Sanaj ndau edhe disa tituj nderi: Anëtar Nderi te Shoqatës "Atdhetare-Dukagjini" për anëtaren e Parkut Ballkanik te Paqes, anglezen R0smarie Clegg, pas vdekjes, e cila kishte vdekur ne krye te detyrës ne Theth, dhe Mirënjohje, organizatën "Parku Ballkanik i Paqes", për një pune shembullore qe bën ne këtë zone.
Pas kësaj para të pranishmëve u paraqit një program me këngë të bukura folklorike burimore të kësaj treve, të interpretuara nga artistë të Dukagjinit te Shkodrës, të udhëhequr nga Roza Pjetri, Lulash Brigjaj e Aleks Dushi.
Në programin kulturor me një paraqitje modeste u paraqit edhe grupi folklorik "Shpëtimi" nga Medvegja, duke prezantuar vlerat e larta të folklorit shqiptar nga trojet shqiptare të Medvegjës. Me këtë rast përpara pjesëmarrësve të këtij manifestimi
U paraqitën: Shefki Halimi e Kadri Abazi me instrumentet frymore kavall, duke interpretuar melodi të bukura si edhe Sabit Uka dhe prof. Rexhep Abazi, me këngë folklorike, të cilat u përcollën me një vëmendje dhe interesim e respekt të madh nga të pranishmit.
Njëherësh, prof. Rexhep Abazi, me një fjalë rasti përshëndeti organizatorin, të pranishmit dhe artistët e programit kulturor, duke thënë: "…se Shqipërisë dhe popullit shqiptar Zoti ju ka dhënë pasuri të shumta natyrore, e në veçanti vende të bukura por edhe të pasura, të cilat populli shqiptarë duhet t'i shfrytëzoj në mënyrën më racionale dhe më të mire, por të kujtojnë se edhe në Medvegjën e vogël jeton një pjesë e nacionalitetit shqiptar, aktualisht me probleme shumë të mëdha për ruajtjen e elementit dhe identitetit shqiptar në këto troje kaherë shqiptare.
Ishte shumë interesant vendi në të cilin bëhej ky manifestim. Gjendej në një lartësi mbidetare afro 700 deri 900 metrash, i shtrirë në një luginë në mes kodrave të larta edhe deri mbi dy mijë e pesëqind metra lartësi mbidetare, në afërsi të kufirit me Malin e Zi dhe Kosovën. Ishte ky fshati i quajtur Theth, një vend me bukuri dhe pasuri të rralla natyrore, kulturore dhe historike. Me një klimë të ashpër të Alpeve shqiptare. Me një florë dhe faunë të veçantë, por para së gjithash me njerëz të vyeshëm, punëtor dhe bujarë. Fatkeqësisht, i mungonte infrastruktura e duhur dhe përkujdesja serioze nga shteti. Rruga që të çonte në këtë vend të bukur turistik ishte shumë e vështirë dhe e parregulluar. Por, përkundër të gjitha vështirësive aty takuam shumë vizitor vendor, por edhe nga shtetet e perëndimit të zhvilluar si Gjermania, Anglia e te tjerë. Aty kishte se, çka të shihej edhe nga koha e sotme, por para së gjithash edhe nga ajo e kaluar e ndritshme historike e këtij populli. Ishte aty kulla e vjetër më se katër shekuj e quajtur "Kulla e ngujimit", pastaj Ujëvara, Syri i kaltër, Përmendorja e hulumtueses angleze Edith Durham, nga shekulli i kaluar dhe vendi i zbulimeve më të reja arkeologjike të vendbanimeve të lashta edhe përpara romakëve dhe bizantinëve.
Populli që jetonte aty në çdo hap tregonte virtytet e larta: mikpritjen, bujarinë dhe respektin e madh ndaj vizitorëve.
Pas të gjithë aktiviteteve të organizuara nga kryetari Sanaj, drekuam në objektin hoteleria të pronarit "Bici-Çarku", i cili priste dhe përcillte miq me një fisnikëri të rrallë shqiptare dhe para së gjithash i shërbente ata me prodhime vendore, plotësisht ekologjike: djathë deleje dhe lope, vezë të fërguara dhe mish keci e qengji në fërlik.
Prandaj, ishte ky një manifestim dhe një vizitë e Shqipërisë Nënë, e cila për shumë kohë, apo përgjithmonë do të mbetet në kujtesën tone si një moment shumë i rëndësishëm, i bukur dhe i paharruar.
Falënderojmë me këtë rast organizuesin, që me ftesën e tij na bëri të mundur të jemi në këtë vend me bukuri të rrallë dhe njerëzit që na pritën aty dhe na përcollën si vëllezër.
Po kështu falënderojmë edhe Lulash Brigjajn dhe shokët e grupit të tij, i cili me fugonin e tij na çoi dhe na kthej deri në këtë vend të largët, pra nga Bogaj në Theth dhe i cili na njohu me shumë gjëra interesante nga kjo pjesë e bukur e trojeve shqiptare.

nga prof. Rexhep Abazi

DASHURIA DHE LIRIA NË VARGJE

Të thjeshta dhe të sinqerta rrjedhin vargjet në këtë libër poetik të autorit Luigj Shyti. Dhe mbi të gjitha janë kaq të shtrenjta për të sa që në një poezi ai thotë:

"... Si kokrrat e misrit fukaraja,
I mblodha vargjet mija,
Nëpër rafte e kuti, fletët e zverdhura,
Të grisura, të pluhurosura, që nga rinia..."

Pra janë vargje, janë poezi të një jete të tërë, që sot autori dëshiron t'ua dhurojë lexuesve, dhe të presë gjykimin e tyre sido qe te jetë ky gjykim. "Bëra atë që munda, ... Të tjerët të thonë atë që duan ..." thotë Luigji, në një poezi, sikur do të thotë " e lirova shpirtin".
Dhe vërtetë është një lirim shpirti në këtë shfrim të autorit. Një shfrim i çiltër, i një shpirti të ndjeshëm. I ndjeshëm për të bukurën, për dashurinë në kuptimin e gjerë të kësaj fjale të magjishme. I ndjeshëm për lirinë, përsëri në kuptimin e gjerë të kësaj fjale kumbuese.
Dashuria shpaloset në një diapazon të gjerë, dashuri që përkëdhel prindërit, babain krenar dhe me një barrë mend, nënën me prehrin dhe fjalën shëruese, gruan bashkëshorte në të mirë dhe të keq, fëmijët mërgimtarë për të cilët po e mbytë malli, dashuria për nipër e mbesa ... por është edhe një tjetër dashuri që zgjatet e zgjatet, nga kulla e tij dhe kullat e tjera, të Thethit, Shalës e gjithë Dukagjinit ... dashuri për malësorët, për atdheun dhe për Kosovën.
Edhe liria kështu shpaloset ... e gjerë, e veshur me guxim dhe me dashuri e sinqeritet. Liria e fjalës, e gjykimit herë të ashpër dhe herë dashamirës. Liria që të ndjell shpresë, që të bën të mendosh, liria qe jo vetëm e lind ëndërrimin, por i jep krahë dhe e bën të fluturojë deri në eter.
Ka diçka që lexuesi nuk do ta gjejë në vargjet e këtij vëllimi poetik. Dhe ajo diçka është mllefi, politizimi, hakmarrja e egër, patriarkalizmi dhe këshillat e mërzitshme. Autori jo vetëm u shmanget atyre, por, edhe kur të mykurën, jo kohoren, e gjënë tek prindërit, ai u thotë atyre prerë, se u çmon atyre virtytet dhe zakonet e mira, por jo mykjen kanunore, dhe i fton me dashamirësi që të harrojnë, të zhvishen dhe pastrohen nga myku i së kaluarës, prapanikes, konservatores për t'u integruar, për të përqafuar edhe ata të renë ... ose së paku të mos u bëhen pengesë dhe ferrë brezit të ri që ecin drejt së resë, por pa harruar djepin, sepse siç thotë autori:

"... Koha kalon,
Breza të tjerë do të vinë,
Djepi do të duhet,
Për të përkundur dashurinë ..."

Dashuria dhe liria janë lajtmotiv i këtij vëllimi të ëmbël poetik. Janë të vetmet që jetojnë dhe mbajnë gjallë dhe të fuqishëm shpirtin e autorit, por edhe shumë më gjerë, sepse ata janë:

" Të vetmet që jetojnë,
Edhe në paqe,
Edhe në luftë..."

Mjeshtër i madh, FADIL KRAJA

INTERVISTE ME PROF. MURAT GECAJ, NA TREGON SI "RRAHIN ZEMRAT ARBËRORE"

Në prag të Konferencës së Parë Mbarëkombëtare (17-18 shtator 20011), të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë, doli nga shtypi libri me titullin domethënës, "Rrahin zemrat arbërore", nga Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues, përgjegjës seksioni pranë këtij Instituti dhe sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë. Redaktor i librit është Dr. Ibrahim Gashi dhe recensionues I. Hajdarmataj.
Në këtë përmbledhje janë disa  shkrime të këtij autori, që flasin për veprimtari të  kohëve të fundit të IKSH dhe konkretisht për udhëtimet e kryera, të dy grupeve pune, me nga 11 veta, në maj e qershor 2011, në qytetet e trojeve shqiptare: Shkup, Preshevë e Prishtinë dhe Ulqin. Libri është me 130 faqe, shoqëruar me mbi 30 fotografi e disa poezi. Ai është mundësuar për botim nga AIITC-Tiranë, me drejtor Dr. Ramiz Zekaj
Në përgjithësi, siç vërehet, shkrimet janë të karakterit publicistik. Shënojmë këtu se të gjitha ato janë botuar, herë pas  here, në shtypin ditor të Tiranës, sidomos në Gazetën "Republika" (me kryeredaktor Nuri Dragoin) dhe në ndonjë gazetë tjetër shqiptare, jashtë vendit tonë. Po kështu, shkrime të kësaj përmbledhjeje janë publikuar në disa Faqe Interneti. Ndër to, përmendim: "Fjala e Lirë" –Londër (me drejtor Fatmir Terziun), "Bota e Re" e "Lidhja e Gazetarëve Shqiptarë të Diasporës" (Nju Jork), "Dituria" –Suedi (me përgjegjës Sokol Demakun), "Zëri i Shqiptarëve" –Zvicër (me kryeredaktor Skënder Buçpapaj), "Zemra Shqiptare" (Oxford) e "Albemigrant", në Prishtinë, Preshevë e Shkup etj. Të gjithë kolegët, të cilët punojnë në gazetat e revistat dhe qendrat e Internetit, që i kanë publikuar këto shkrime, autori i librit i falënderon nga zemra!
Përfaqësues të IIKSH-së dhe të tjerë, menjëherë pas mbajtjes së Tribunës për programet dhe tekstet shkollore, në Shkup , maj-2011 (Në mes: Teuta Agai-Demjaha)
Dëshirojmë të shtojmë këtu se, në përgjithësi, këto shkrime të publikuara janë mirëpritur e përshëndetur nga lexuesit e ndryshëm. Po veçojmë një mesazh, të ardhur nga Shkupi, pas publikimit në Internet të shkrimit për vizitën e grupit të punës së IIKSH, në atë qytet të stërlashtë shqiptar. Në të thuhet:
"Përshëndetje nga Shkupi dhe Çairi!
I nderuar Profesor Gecaj,
" Ndiej kënaqësi të veçantë t'ju drejtohen, si Juve dhe kolegëve tjerë, nga gjithë trevat tona shqiptare. Vizita e përfaqësuesve të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, në komunën e Çairit, në muajin e bukur të Majit 2011, ishte një FESTË për ne, një DRITË syri, një ZË kushtrimi, një Frymë jete. Ju falënderojmë nga zemra për energjinë, dashurinë dhe frymëzimin, që sollët në Çair! Shkrimi Juaj për ne është i ngrohtë, i sinqertë, i saktë. Duke ju urua gjitha të mirat, Ju përshëndes me  respekt të veçantë ".
Dr. Teuta Agai-Demjaha".
Ashtu siç del edhe përmes këtyre shkrimeve, të publikuara në shtyp dhe në Internet, qëllimi parësor aktual i IIKSH është: Njohja dhe studimi i plan-programeve e teksteve shkollore, në të gjitha trojet shqiptare e në diasporë dhe, në vijimësi, paraqitja e përfundimeve të arritura para institucioneve zyrtare përkatëse, me synim përafrimin dhe deri në njësim të tyre.
Në tërësi, libri lexohet me dëshirë, se është shkruar me gjuhë të zhdërvjelltë dhe jep emocione të këndshme, pasi flitet edhe për mjaft veprimtarë të këtij Instituti në trevat shqiptare të Ballkanit, për poetë, shkrimtarë dhe artistë, që janë të përkushtuar për çështjen kombëtare shqiptare. Kështu, autori Prof. Murat Gecaj u ka bërë një dhuratë të bukur atyre, me rastin e Konferencës së Parë Mbarëkombëtare të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë dhe me shtrirje të veprimtarisë së tij, në të gjitha trojet amtare dhe në diasporën shqiptare.

Mendime nga koleget:

Zeqir Lushaj - SHBA
Urime te përzemërta si për prof. dr. Murat, shume aktiv dhe produktin, por edhe për Ibrahim Hajdarmataj, ndoshta, bashkëpunëtori me jetëgjatë i shtypit shqiptar, qe ne vitet '60. Djali i Zogajve, është një shembull i dashurisë për shtypin, ne çdo kohe. 
Me dashuri, Zeqiri

Halil Haxhosaj – Gjakovë, Kosovë.
Urimet dhe përgëzimet e mia për veprën e botuar të Prof. Dr. Murat Gecaj. Më vjen mirë që shkrimet e këtij publicisti, krijuesi dhe studiuesi të spikatur por botohen në vepra me rëndësi dhe domethënie të madhe kulturore, letrare dhe historike. E tillë është edhe kjo vepër e tij. Po ashtu e uroj për shkrimin kaq të mirë dhe real edhe I. Hajdarmataj, i cili na njoftoi më këtë botim. Urime dhe shëndet të d miqve të mi, M. Gecajt dhe I, Hajdarmatajt.
Halil Haxhosaj, Gjakovë

Abdurahim Ashiku – Athinë, Greqi.
Përshëndetje mikut tim të viteve të rinisë, fillim viteve ‹60 kur firmat tona ishin gati në çdo numër të gazetës «Zëri i rinisë», gazetë me redaktorë me emër të përveçëm në gazetarinë shqiptare si: Dhimitër Verli, Liri Lubonja, Zef Gurakuqi, Luan Dibra, Pirro Tase, Loni Papa, Vath Koreshi, Kliton Gjilani, Agim Cerga ... deri tek Dyrri i korrekturës.
Ju uroj nga Athina ku jam i ngujuar prej 15 vjetësh dhe bashkëpunoj me shtypin shqiptar, bashkëpunim prej nga kanë rrjedhur pesë libra të serisë «Njerëz që i dua» me mbi 2000 faqe, ndër të cilët «Rilindësit e kohës sonë...», kushtuar mësuesve dhe gjuhës së bukur shqipe në radhë të fëmijëve të emigrantëve në Greqi e më gjerë. JU UROJ SHËNDET E PENË TË ARTË NË LËVRIMIN E LETRAVE SHQIPE!
Me respekt
Abdurahim Ashiku
Ibrahim Hajdarmataj
arsimtar e publicist

E GJASHTA THESARE DUKAGJINASE E VOC DEDES!

Kështu qëndruan e mbijetuan malësoret e Dukagjinit te lidhur me shoqi-shoqin dhe ne kohet me te vështira.
Përpjekja për te njohur sa me mire virtytet e njeri-tjetrit është vetëm ne te mirën tone. Libri "Thesare dukagjinase", vëllim i 6-te, me autor Voc Deda, mundëson qe gjithë këto vlera te njihen e te trashëgohen nga brezat pasardhës. Autori ka bere një pune këmbëngulëse te kualifikuar për ti afruar lexuesit këtë vepër te kombinuar mes historisë dhe etnografisë se zonës se Dukagjinit. Këtu pasqyrohen mjaft mire nga ana shkencore, filozofike e praktike problemet qe janë trajtuar ne këtë libër.
Duke u njohur me lenden e shkruar e te sistemuar ne kapitull te ngjall përshtypjen e një enciklopedie qe afron njohjen me kompetencën te të gjithë dukurive qe janë punuar me durim e vërtetësi qofte nga literatura e përdorur, qofte edhe nga faktet e hulumtuara ne terren.
Ardhja ne shtëpinë e mikut ishte nder i madh qe i behej shtëpisë se malësorit. Te gjithë ketë pasuri e kane trashëguar brez pas brezi. Ne kushtet e sotme shume nga këto mund te zbehen e te harrohen, pasi jo pak banore nga kjo zone, sot janë larguar. Por, gjitha këto Voc Deda ka merite e duhet falënderuar pasi ato janë sistemuar me kujdes dhe interpretuar me kompetence për t'u përcjell brezave te ardhshëm, te cilët duhet t'ia dine për nder autorit.
Gjithë kjo pasuri i bën te ndihen krenar për origjinën, familjen, fisin nga kane prejardhjen gjë qe jo vetëm i nderon, por edhe i detyron te ruajnë sa te jete e mundur vlerat e familjes, te fisit, krahinës e atdheut.

Nga prof. as. dr.
Ahmet Osja

VDIQ MIRASH MICI, VJERSHËTARI MA I MOÇEM I DUKAGJINIT

Baca e Tata i Shoqatës "Atdhetare-Dukagjini"
Nga Prel Milani

Dukagjin o Dukagjin
Nuk po t'la djalë as çikë
Po t'la kangën si kujtim
Kanga jeme t'u baftë dritë

Këto janë pasthirrmat e shpirtit të vjershëtarit që i la Dukagjinit trashëgim, dashuninë e zemrës së tij të skalitun në një metaforë xhixhëlluese të pavdekshme.

Vdiq vjershëtari Plak
Që këndonte si djalë i ri
Atdheu, vêna dhe gratë
Qenë refreni i kangëve të tij

Mirash Mici lindi në Palaj të Shoshit me 20 shtator 1925 dhe vdiq vetëm një javë pa i mbushë 86 vjet. U rrit në truallin e legjendave dhe miteve të botës tipike alpine, me shtat të harlisun si bredhi ndër rrype, i zhdërvjellët si shqarri në ahishte, i fuqishëm sa me ba zap lehtësisht tre burra të zakonshëm dhe kurrë në jetë nuk shfaqi prepotencë, brutalitet dhe dhunë ndaj të tjerëve. Mirashi qe një argat i djersitun që nuk e friksoi asnjë punë.

Mirash Mici, shoshjani
Një kuintal fuçinë
E bajti si Titani
Nga Shkodra në Dukagjin

Fuçinë me djathë e shëllinë
Nga Shkodra në Breg Lumi
Mirashi shtatçetinë
Maratonomakun e mundi!

S'kishte rrugë makine
Në vitin dyzetetetë
Furnizoi policinë
Për 150 lekë.

Baca e Tata Mirash qe shtegtar që nuk e lodhi asnjë udhë, fatlum që gjatë gjithë jetës nuk diti se çfarë janë ilaçet dhe gjylpanat.
Ligësia kurrë nuk i zu vend në shtat, zemër a mendje.
Vdekja i erdhi si një perëndim i natyrshëm dielli në një muzg vjeshtor tue e mbyllë jetën siç cilkin rrushi i rreshinuar në vreshtë.
Vjershëtari plak vdiq por la mbrapa vjershat e tij milkuse si mushti.
Mësimet e para i mori në Shkodër tek Shan Koliqi, babai i Ernest Koliqi. Pas fillores punoi për disa kohë në Kolegjin e Troshanit ku arriti te zgjerojë njohunitë në mënyre autodidakte. Gjatë kohës së pushtimit italian rreshtohet si antifashtist përkrah Profesor Kolë Prelës dhe ma mbrapa mobilizohet në Brigadën XI Sulmuese.
Pas çlirimit ka krye shërbimin ushtarak në Kukës, për 11 muaj dhe 23 muaj në Gjirokastër në kohën e frikshme të provokacioneve greke në kufinin tonë jugor.
Qysh nga viti 1968 ka jetue në Shkodër. Ka qenë mjeshtër duer artë në Kombinatin e Drurit, deri sa doli në pension në vitin 1986.
Puna, kanga, shpotitë, hareja, çiltërsia, rebelizmi, pasioni për studimin, dashunia për poezinë, librin, sportin, gotën dhe gratë, kanë qenë motivet e jetës së tij.
Ai ishte kuvendtarë i hareshëm që nuk idhnoi njeri në kuvend, por Buna i rrodhi në jazin e vet pa dëmtue askënd, i hijshëm për me çmendë demushet, "aventurier" i fustaneve dhe gotës, vjershëtar dhe këngëtar i pasionuar i dashunisë, jaran që Atdheun dhe Dukagjinin i deshti mbi të gjitha dashunitë.
Në moshën 82 -vjeçare boton një pjesë të krijmtarisë së tij poetike në vëllimin e tij metaforik "Dukagjin dashnia jeme", vëllim i cili u prit mjaft mirë prej lexuesit. Një pjesë e vjershave të tij janë ligjërue në kangë prej rapsodëve dukagjinas dhe improvizue si itermezo humoristike nga aktorët e humorit shkodranë.
(madje edhe huazue e kopjue pa leje siç ngjet kudo sot, pa respektue të drejtën e autorit nënvizimi im, P. M.)
Baca e Tata Mirash fjalëpakë dhe lakonik, me shumë zgjuarsi ne poetëve dhe krijuesve të Dukagjinit, na "grabiti" titullin inkandeshent "Dukagjin dashnia jeme" tue na "xhelozue" për këtë, mbasi secili prej nesh do të ishte i lumtun për një gjetje të tillë metaforike rrezatore.
Libri "Dukagjin Dashnia jeme" asht fund e krye një kangë dashunie, një spunzë e vërtetë atdhetarizmi, një mall i pashuem për tokën që e lindi, për truellin e martirëve te shqiptarizmit, për malin ku kulloti tufën, për Gurin e Kuq që e kaptoi me koshiq ngarkue, për krojet ku piu ujë e u flladit, për ledinën ku shijoi puthjen e parë, për verën e njomë me gjeth e me bar, për dimnin me acarë e me murla, për kalemin dhe fletoren e tij të shënimeve që i mbetën në sirtar deri ditën që dora s'ia mbajti dhe për lahutën e moçme varur në ballë të oxhakut për të cilën belbëzoi vargjet e fundit dhe iu vuni pikë vjershave të tij me një cirkë loti që i rrodhi në faqe pak para se te ndahej nga kjo jetë.

Historia e Dukagjinit
Me lahutë gjithmonë u knoftë
Pranë oxhakut netve t'dimnit
Veç për nder trevesa u shtroftë

Baca e Tata Mirash me modesti thoshte: "Unë nuk kam bâ punë të madhe për me shkrue të tjerët për mue, prandej shkrova sa mujta për Dukagjinin têm dhe ata dukagjinas që kanë bâ vepra për me u përmendë në histori". Mirash Mici botoi një libër që do mbetet në fondin e librave ma të mirë të autorëve dukagjinas, por ai ka lënë mbrapa akoma ma shumë materiale, të cilat meritojnë dhe duhet të botohen në ardhmëni, jo vetëm në shenjë respekti për punën e tij, por së pari për vlerat që mbartin.

Mirash Mici 86-vjeçare ishte i ri me zemër, me mendime. Ishte njeri i thjeshtë. Ai nuk ishte as engjulluer, as shejtan, mbi të gjitha ishte vetvetja, antipod i mburravecëve të sotëm, që tundin flamurin e burrnisë tue imitue kerçat të motit, por që për vete nuk gjendën as në qiell as në tokë.
Baca e Tata Mirash ishte një burrë i mbajtun, kollos, sharmant, shijues i gjitha stinëve dhe dashunues i jetës.
Ai, biologjikisht nuk la mbrapa trashëgimtar, por Dukagjinit i la trashëgim një libër dhe një krijimtari në dorëshkrim, që ka vlerë ma shumë se qindra shtegtarë të përkohshëm anonimat, që në këtë jetë veç marrin frymë dhe asgjë më tepër.

Nga blloku i dorëshkrimeve te pabotueme te Mirash Micit

Profesori i parë i Dukagjinit

Kushtua bashkëluftëtarit dhe mikut tem Prof. Kolë Prela

Në Pepsumaj nji kullë trimit
Leu Kol Prela i Dukagjinit.
Ishte fis me Mark Milanin
Që për besë nderoi vatanin.
Në Itali u diplomue,
Profesor u dekorue.
Profesori ma i parë,
I Dukagjinit Legjendarë.
Burrë gojëmjaltë e atdhetarë,
Doli malit luftëtarë,
Hyni në Frontin Çlirimtar.
Në vend t' vet në Dukagjin,
Ngriti Çetën për çlirim.
Patrioti, nacionalist
Zot i doli atdheut me gisht.
Menjiherë pas çlirimi
Deputet e zgjodh Dukagjini.
Ti ke pshtue kulla nga zjarri
Edhe djem nga litari.
Ndizej flakë revolucioni,
Nuk pajtohej profesori,
Nuk e donte diktaturën,
Që në dorë mbante koburen.
Ngriti zanin deputeti,
Pluralist të jetë pushteti,
Populli don demokraci,
Jo vllavrasje e tragjedi!
Deputetin me mandat
Diktatura e lau në gjak.
Patriotin atdhetarë
E dënuen si tradhtarë.
Për liri, demokraci
Deputeti u ba fli.
E randë ishte tragjedia!
Ty martir të ka Shqipnia,
Luftëtarë të pat liria,
Profesor të ka dija,
Gjak i pastër i Dukagjinit,
Qytetar i prendimit!

Shkodër, Dhetuer 2010

Hakmarrja

Filozofi romak, Mark Aurel (121-180 para Krishtit) i la njerëzimit një këshillë, për mënyrën e hakmarrjes, e cila vlerësohet shume edhe sot:-Mendra me e mire e hakmarrjes është, duke mos e barazuar te ngjashmen me te ngjashmen. Hakmarrja nuk është një sajës e njeriut por, është e trashëguar. Moralisht dhe ligjërisht, gjithkush e ka te drejtën e hakmarrjes.
Ne shtetin e se drejtës, sigurinë dhe te drejtat e individit i merr përsipër dhe i garanton shteti. Askush nuk ka nevoje te mendoje për hakmarrje. Kjo do te thotë se, "monopolin"e dhunës mbi dhunën dhe padrejtësitë e te tjerre mbi te tjerët, për çdo rast, e ka shteti. Kjo te bën te besosh se juridikisht, problemi është zgjidhur dhe se, njeriu është i sigurt. Sa te kënaqur ndjehen te dëmtuarit, kjo është tjetër gjë. Nëse shteti e humbe, monopolin "mbi dhunën, siç ka ndodhur këto njëzet vjet me shtetin tone lumen-komunist, atëherë ai, automatikisht do te kaloje diku tjetër, dikush tjetër do ta "monopolizoje" dhunën. Dhe ai dikush tjetër është krimi i rrugës dhe korrupsioni. Menjëherë vihet ne funksionim "ligji" i luftës për ekzistence, "te gjithë kundër te gjithëve". Rizgjohet kanuni, e drejta zakonore e vetghyqesise dhe format e tjera mesjetare te hakmarrjes.
Ne shtetin e se drejtës, strukturat e sigurisë dhe te drejtësisë, i zgjidhin konfliktet midis shtetasve, duke i rikthyer te drejtat personit te dëmtuar dhe ndëshkuar fajtorin. Kështu, qe hakmarrja kryhet nga shteti, pa pasur nevoje i dëmtuari qe te sakrifikohet për ta realizuar vete atë.
Te gjitha ndëshkimet e parashikuara ne ligj, te përkthyera ne gjuhen popullore, nuk janë gjë tjetër veçse hakmarrje. Dhe kjo hakmarrje, për mënyrën se, si kryhet dhe kur kryhet nga shteti, ka rendësi shume te madhe, morale,shpirtërore dhe materiale për te dëmtuarin.
Nëse reagimi i shtetit është ne kohe dhe i plote, bllokon eskalimin e konflikteve midis palëve te konfliktuara, duke i zgjidhur ato ne mënyrën sa me te arsyeshme. Vendoset siguria dhe qetësia tek te dyja palët. Nevoja për hakmarrje te mëtejshme nuk ndjehet me.
Kështu është, aty ku funksionon shteti i se drejtës. Ne te kundërt, meqenëse njeriu nuk mund ta mbaje nen kontroll për një kohe te gjate dhe te pafund fuqinë e reaksionit te ndjenjës se hakmarrjes, do te reagoje sipas rrënjëve te trashëgimisë, duke ju drejtuar zgjidhjeve kanunore, moralit mesjetar.
Ne periudhën arkaike, por dhe sot ne kultura te ndryshme, hakmarrja është një norme morale dhe ligjore, për te vendosur ekuilibrin shpirtëror, moral dhe material te të dëmtuarit, nga padrejtësia e dikujt tjetër. Ne disa kultura hakmarrja ka qene një "detyre e shenjte", sidomos kur ne familje vritej dikush apo ndonjë i afërm i saj. Kjo e drejte trashëgohej dhe bënte qe çiftet te lindnin sa me shume fëmijë për mort dhe mundësisht djem. Mendohej se, vetëm pas hakmarrjes, te vdekurit mund te preheshin ne paqe.
Ne sistemin e te drejtës judiste, greke dhe romake, njihet "principi i talionit"(talio-lat-hakmarrje) sipas se cilës i dëmtuari ka te drejtën ti kërkojë dëmtuesit dëmshpërblimin, ne masën e barabarte me demin e shkaktuar (sy për sy, dhemb për dhemb).
Ne drejtësi, edhe sot mbahet simboli i drejtësisë, një njeri i verbër, i cili ne njërën dore mban shpatën dhe ne tjetrën peshoren. Kjo do te thotë se, shpata duhet te prese diku diçka, për te balancuar peshoren, sado qe te të dhembe.
Sipas Sheriatit, hajdutit i pritet dora e djathte dhe tradhtia bashkëshortore nga gruaja, për çdo rast dënohet me vdekje.
Ndjenja e hakmarrjes u shfaq menjëherë me njeriun por, ne fillim, ne mënyrë individuale. Gjithkush e kryente atë ne mënyrën e vet, pa kode morale dhe ligjore. Mjaftonte qe ti rikthente vetvetes ekuilibrin e brendshëm. Meqenëse hakmarrësit, nuk ishin ne gjendje qe për çdo rast te barazonin hakmarrjen me demin e shkaktuar nga tjetri, gjë kjo qe rrezikonte gjithë jetën sociali, shoqëria ndërtoi "digat" për ta vene hakmarrjen nen kontroll. Kështu linden normat morale, kanunet dhe me vone institucionet dhe ligjet. Këto bën te mundur vënien e vetëgjyqësisë nen kontroll, zgjidhjen e konflikteve ne mënyrë sa me te kursyer, duke parandaluar eskalimin e dhunës dhe për rrjedhoje forcuan bashkësitë sociale.
Ndjenja e hakmarrjes aktivizohet tek njeriu për shume arsye, por me kryesoret janë:-Fyerja, poshtërimi, tradhtia, dhuna, gënjeshtra, shpifja dhe demi material.
Ne thelb, gjithmonë shkaku i zgjimit te ndjenjës se hakmarrjes është padrejtësia.
Kur njeriu ndeshet me dike dhe nga kjo ndeshje ai përjeton padrejtësi, menjëherë ndjen dhimbjen e plagosjes shpirtërore dhe automatikisht zgjohet nga dremitja ndjenja e hakmarrjes, me gjithë pushtetin e saj te heshtur. Plagosja përcjell dhimbjen tek truri, vendi ku "debatohen" te gjitha llojet e dhimbjeve dhe merret vendimi për hakmarrje. Gjithçka është bere gati dhe pritet vetëm ekzekutimi.
Qe nga momenti i marrjes se vendimit, ai qe merr përsipër ose qe caktohet për ta kryer hakmarrjen, vuan shume. Sa me e madhe qe te jete hakmarrja, sidomos kur është fjala për gjakmarrje, aq me shume ai vuan. Jeton me fantazinë e ekzekutimit te vendimit, me përgatitjen ne mënyrë qe kurrsesi te mos dështoje, me pasojat, humbjet dhe fitimet. Vetëdija e tij është e pushtuar e gjitha nga ndjenja e hakmarrjes. Përjeton konflikte te brendshme te pafundme. Ne shume raste ai nuk e llogarite me as rrezikun dhe as pasojat. "Lahet për vdekje".
Ne raste te tilla, forca e moralit luan një rrol shume te fuqishëm, nxitës dhe shtyrës drejte hakmarrjes. Morali i njeriut fanatik dhe primitiv, nuk njeh asnjë mjet tjetër për pastrimin e nderit te njollosur përveç gjakut.
Studio te ndryshme kane arritur ne konkluzionin se, shume nga ata qe kryejnë hakmarrjen, ndjehen me mire se, sa ata qe nuk arrijnë ta kryejnë atë. Rivendosja e ekuilibrit te brendshëm është një kërkese ultimative e nënvetëdijes. Kjo është dhe arsyeja qe shumëkush e ndjen shijen e hakmarrjes, prandaj dhe i pëlqen ajo.
Te tjerë studiues, kane vërejtur se, si e more dhe si nuk e more hakun, do te vuash. Sidomos vuajtje te mëdha, pas hakmarrjes, përjetojnë ata qe kapërcejnë kufijtë e hakmarrjes. Ne raste te tilla çdo kënaqësi kthehet ne vuajtje, ne vuajtje qe bën te vuajnë jo vetëm hakmarrësin por dhe shume te tjerë, nga familja dhe fisi.
E vërteta është se kënaqësia e hakmarrjes, edhe kur e ndjenë atë, është shume e shkurtër. Menjëherë pas kryerjes se hakmarrjes, shume veta ndjehen shume me keq se sa me pare. "I zen gjaku". Nëse ekzekutori i kapërcen kufijtë e hakmarrjes, ai pushtohet nga ndjenja e frikës dhe fajësisë, nga te cilat ndoshta nuk do te arrije te çlirohet kurrë.
Nëse hakmarrja nuk kryhet mbi personin e duhur (dorasin) por, tek te afërmit apo dikush tjetër, ajo duhet te mendohet e dështuar dhe hakmarrësi nuk është gjë tjetër veçse një kriminel fanatik. Ne raste te tilla jo vetëm qe nuk është mbyllur konflikti por, kemi eskalim te situatës, me konflikte te reja.
Studiues te tjerë mendojnë se, hakmarrja është vetëm një instinkt i vjetër i njeriut dhe qe ne fakt nuk zgjidhe asgjë, përkundrazi, sjell konflikte te reja. P.sh, ne partneritet, çdo lloj hakmarrje është e gabuar dhe e pasuksesshme. Natyrisht qe me hakmarrje njeriu mund te riktheje ekuilibrin e brendshëm, kënaqësinë shpirtërore, dinjitetin e humbur por, vetëm kaq. Zgjidhje te konfliktit nuk kemi.
Hakmarrja shkakton diku tjetër një prishje ekuilibri, një plagosje te rende shpirtërore, pra një kundër reaksion ndaj vetvetes.
Ne rast hakmarrje, puna me e mire është te menduarit racional, çka do te thotë, qe njeriu duhet te mendohet mire për atë qe donë te arrije me hakmarrjen dhe ta kryeje atë ne mënyrë sa me pak te kushtueshme, për veten e vet dhe palën tjetër.
Për çdo rast, falja dhe pajtimi janë mjeti me i suksesshëm për zgjidhjen e konflikteve. Këto janë mjetet e njeriut modern, i cili për çdo rast udhëhiqet nga truri racional dhe jo ai emocional. Hakmarrja është virtyt i njeriut primitiv dhe fanatik, i cili ne gjithë veprimtarinë e tij jetësore udhëhiqet nga truri emocional, armik i jetës se tij dhe i te tjerëve. Hakmarrësi nuk është trim. Ai është frikacak. Trimi din te fale, frikacaku vetëm vret.
Vrasësi, gjithmonë është derëhumbur dhe nderhumbur.
Nëse hakmarrësi i shkakton "armikut" te vet me shume dem apo dhimbje se, sa ka ndjere vete, atëherë ai, nuk është me te drejtën e hakmarrjes por, një kriminel shume me i rrezikshëm se sa "armiku" i tij. Ne raste te tilla nuk behet fjale për hakmarrje por për një krim te mirëfilltë. Njeriu normal, ne çfarëdo rrethane qe te ndodhet, nuk duhet tu shkaktoje te tjerëve ato dhimbje qe nuk do ti dëshironte t'ia shkaktonte kush atij. Nëse dikush te ka vrare djalin dhe ti nuk je ne gjendje te gjesh dorasin, kurrsesi nuk duhet qe te besh viktimë dike tjetër, te pafajshëm, ndoshta shume me te pafajshëm se sa djalin tënd. Nëse vret dike tjetër, je shume me vrasës, shume me kriminel se sa vrasësi i djalit tënd.
Ne momentin e vrasjes, vrasësi, edhe nëse gjate gjithë jetës se tij është udhëhequr nga truri racional, për momentin, pushtetin mbi atë e ka marre truri emocional dhe vrasja ndodhi. Ne rastin e gjakmarrjes nuk ndodhe kështu. Gjakmarrësi kurrsesi nuk mund te mendohet se ndodhet ne kushtet e tronditjes se rende psikike. Nëse ai vret dike, vrasja do te klasifikohet vrasje me paramendim, për gjakmarrje. Nuk gëzon rrethana lehtësuese. Mendohet vetëm e drejta morale e tij për te marr gjakun. Gabohet rende! Nuk ekziston asnjë e drejte morale me, qe te përligj gjakmarrjen, sidomos tek te pafajshmit.
Vrasja ne te gjitha rastet është e rende dhe e dënueshme por, te afërmit e viktimës, thuajse ne asnjë rast, nuk duan t'ia dine se, perse vrasësi e vrau djalin apo te afërmin e tyre?! Cilat ishin motivet? Edhe nëse viktima ishte ai qe me sjelljet dhe veprimet e tij e vuri vrasësin ne rrugën e vrasjes, përsëri nuk duan t'ia dine. Për çdo rast familja kërkon vetëm gjakmarrje, madje edhe atëherë kur njeriu i tyre vritet si kriminel, nga strukturat e gjurmimit.
Nëse gjykata, duke marre parasysh rrethanat e vrasjes, e dënon vrasësin me një dënim te bute, atëherë pala e dëmtuar bën namin. Ata mendojnë dhe deklarojnë vetëm një gjë:-Gjakmarrje!
Nëse njerëzit do ta kuptojnë kodin penal, do te binden se masat e dënimit për krimet kundër personit janë te arsyeshme. Nëse vrasje për vetëmbrojtje nuk është e dënueshme, kjo nuk do te thotë se shfajësohet vrasja si krim. Morali i shumëkujt nuk e pranon lirimin e vrasësit nga gjykata ne raste te tilla. Mendja te shkon se, te tille njerëz, ne jetën e tyre, udhëhiqen nga një moral ekstra qe ne fakt është e pamoralshmja e shoqërisë sonë.
Është koha qe ne te njohim dhe te pranojmë strukturat e drejtësisë, si te vetmet organe kompetente për hakmarrje. Te heqim dore nga vetëgjyqësia. Duhet te bindemi se, e pamoralshmja, nuk riparohet me te pamoralshmen.
Hakmarrja është një pune e keqe dhe si e tille, sa me shume qe te shtyhet, aq me shume i bien vlera. Shtyje sa me shume! Ndoshta dikur nuk ja vlen qe ta kujtosh me.
Hakmarrja gjithmonë shijon me mire e ftohte!
Nga Leke Imeraj,
shkrimtar dhe përkthyes

Reagim i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe "Martin Dreshaj", Përkrah vëllezërve tonë në Malësi e Kosovën Lindore

Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe "Martin Dreshaj" vazhdimisht ka përcjellë gjendjen e shqiptarëve në tokat e tyre që po administrohen padrejtësisht nga Mali i Zi dhe Serbia. Ne u munduam dhe mundohemi të jemi zë i tyre në Kosovë dhe qëndrojmë pranë tyre me gjithë mundësitë tona intelektuale duke ngritur zërin e duke sensibilizuar faktorët vendor e ndërnacionale për gjendjen e rëndë në këto troje dhe për shkeljen e nëpërkëmbjen e të drejtave elementare që ua bën shqiptarëve në këto troje pushteti i Beogradit dhe Podgoricës. Nga kontaktet që kemi me vëllezërit tonë në këto troje etnike dhe nga ajo që lexojmë në media po vërehet se politika asimiluese e dhunuese e këtyre dy pushteteve ndaj çdo gjëje shqiptare nuk ka të ndalur dhe ky farë mentaliteti serb e malazez, te fortit mbi te dobëtin nuk i kane fajet më të mëdha. Për gjendjen e shqiptarëve në trojet e administruara nga Serbia e Mali i Zi fajet i ka Evropa sepse e ka ledhatuar nëpër shekuj dhe vazhdon ta ledhatojë këtë mentalitet duke e lejuar me heshtjen e saj që Podgorica e Beogradi të bëjnë çfarë t'u teket dhe t'i realizojnë, pa iu prishur tymi i duhanit, planet e tyre asimiluese e dëbuese ndaj shqiptarëve. Edhe Ligji ri për Zgjedhjet në Malin e Zi i sponsorizuar nga pushteti në Podgoricë është cenim direkt i të drejtave të fituara të shqiptarëve dhe përpjekje për ta shuar edhe atë pak zë të mekur të përfaqësuesve shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi. Partitë shqiptare dhe liderët e tyre, përveç Dinoshës, janë unifikuar dhe kanë ngritur zërin e kundërshtimit kundër këtij Ligji dhe Shoqata jonë admiron unitetin e tyre dhe përkrah me zemër idenë e tyre që t'i drejtohen Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës për të kërkuar ndihmën dhe zërin e tyre në mbrojtje te të drejtave legjitime të shqiptarëve në trojet e tyre atje. Shoqata përkrah edhe angazhimet e intelektualëve, kuvendarëve, liderëve e partive shqiptare në Kosovën Lindore që të bëhen një zë i fortë e unik në mbrojtjen e të drejtave elementare të shqiptarëve atje dhe në alarmin drejtuar qendrave ndërkombëtare të vendosjes se, atje vazhdojnë të shkelen të drejtat elementare të shqiptarëve nga pushteti serb.
Shoqata jonë duke parë e lexuar argumente e fakte nga gjendja e rëndë e shqiptarëve në trojet e tyre të administruara nga Serbia e Mali i Zi e duke shprehur solidaritetin e saj me vëllezërit tonë atje edhe një herë e thotë zëshëm se, për gjithë këtë gjendje dhe për gjitha këto padrejtësi që u bëhen shqiptarëve atje, fajin më të madh nuk e kanë Serbia e Mali i Zi, por pozicionimi i çuditshëm i politikës evropiane dhe veçmas i disa shteteve të saj karshi veprimeve në vazhdimësi të Podgoricës e Beogradit kundër të drejtëve elementare të shqiptarëve. Evropa për t'u treguar se, nuk është e njëanshme dhe se vërtetë flet dhe vepron në emër të demokracisë duhet të vëre kritere, obligime e detyrime të njëjta për të gjitha shtetet e Ballkanit dhe të ngrit zërin për të mbrojtur të drejtat e gjithë atyre që u shkelen, pa shikuar fillimisht se, kujt po i ngjan kjo. Serbët e malazezët në Kosovë, fal Pakos së Ahtisarit dhe qasjes e veprimeve të Evropës kanë më shumë të drejta se, gjithë popujt tjerë në këtë gadishull, kurse në të njëjtën kohë e në të njëjtin shekull shqiptarëve u cenohen të drejtat elementare duke filluar nga shkollimi, flamuri nacional, identiteti, zëri i së vërtetës e deri te të drejtat e tjera elementare. Demokracia, paqja dhe liria afatgjatë në Ballkan nuk arrihet dhe nuk mund të ruhet duke i dhënë dikujt të drejta mbi të drejtat e duke i mohuar tjetrit edhe të drejtat me elementare.
Shoqata jonë do të vazhdojë të qëndrojë në përkrahje të angazhimeve të vëllezërve tonë në këto troje për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave elementare me mënyra e mjete paqësore dhe përsërit edhe një herë apelin e përbashkët të liderëve politikë në Malësi e Kosovë Lindore që Qeveria e Republikës se Shqipërisë dhe ajo e Republikës se Kosovës të merren me shumë me gjendjen reale të shqiptarëve në ato troje dhe të kërkojnë nga Evropa që të vëre në jetë kritere e rregulla të njëjta për të gjithë.
Nga Rrahman Jasharaj, zëdhënës dhe koordinator për trojet etnike i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe "Martin Dreshaj"

ABETARJA "UNGJILLI" I NACIONALIZMIT SHQIPTAR

"Ne ka gja për te cilën shqiptaret duhet te kujdesen ma tepër, kjo pa dyshim asht dituria". Kjo ishte parulla e Rilindjes Nacionale qe Sami Frashri hodhi ne shesh ma se nji shekull ma pare dhe qe asht gjithnji e vlefshme dha aktuale edhe ne ditët tona. Për me i vu shqiptaret ne gjendje te lexojnë libra, revista e fletore duhej krijue nji abc-e nacionale qe te ishte njisoj kudo qe flitej shqip. Fatkeqësia e jone ka qene se Iliret nuk u kujdesen me shkrue gjuhen e tyne, dhe, historia e pasardhësve tone asht nxjerre nga burimet greke e latine. Ne fazën e ma vonshme te sundimit otoman, intelektualet shqiptare, klerikë ose civil filluen me qite te parat botime ne gjuhen e ilireve. Ata përdoren si model alfabetin latin ne Veri dhe alfabetin greke ne Jug. Tue qene se gjuha jone ka ma shum tinguj se sa kto dy gjuhe te lashta, autoret shqiptare i adoptuan për me shkrue shqip, secili mbas mënyrës se tij, domethënë tue ndryshue formën e disa germave greke ne Jug dhe tue bashkue dy germa ne Veri. Shoqnia për me përhapë arsimin dhe kulturën shqipe, u themelue ne Stamboll nga vllaznit Frashri, Jani Vreto e te tjerë dhe qe botoi fletoren "Drita", përdori alfabetin latin, tue i shtue disa germa greke për tingujt qe mungonin ne latinishten, si: "dh", "th", e te tjera. Kjo u quejt abec-ja e Stambollit dhe u përdor ne botimet e kolonive te Bukureshtit, ne Sofje dhe ne Shqipnine e Jugut, aq sa e lejonin rrethanat. Me abc-ne e Stambollit u shkruajten te parat libra shkollor nga penda e arte e Sami Frashrit: Abetarja, Shkronjtorja (gramatika) dhe shkronja (gjeografia). Ne Shkodër kishin qene themelue Seminari Françeskan dhe Instituti i Jezuiteve para se te fillonte Lëvizja Nacionale e Rilindjes. Me 1899 u themelue atje, me iniciativën e Preng Doçit, abatit te Mirditës, Shoqnia "Bashkimi". Abati vete krijoi nji alfabet latin tue përdorë dy germa për tingujt e veçante te gjuhës shqipe, si: "th", "xh" e te tjera, pikërisht ashtu siç bajme sot. Tre vjet mbas Preng Doçit, prifti jezuit, dom Ndre Mjeda, nji nga poetet ma te shquem te letërsisë shqipe, themeloi Shoqnine "Agimi", e cila propozoi nji alfabet te ri, bazue ne parimin: nji germe-po nji tungull. Ndryshimi i pikëpamjeve ne mes dy shqnive ne Shkodër përsa i përket abc-se mori me kohe nji ngjyre politike, sikur ka ndodhe tepër shpesh ne Shqipni. Tue dashtë me u shërbye interesave te tyne politike, Austro-Hungaria dhe Italia u munduen natyrisht me gjete përkrahje ne mes te grupeve te ndryshme shqiptaresh. Kështu ndodhi qe përfaqësuesit e Vjenës anuan na favor te françeskaneve dhe ata te Romes bane politike ne favor te jezuiteve .Për fat te mire, kjo konkurrence ne mes te shoqnive "Bashkimi" dhe "Agimi" për me u nda, kush te nxjerre abc-ne ma te mire, nuk pati përfundime te vajtueshme dhe si përfundim: alfabeti i shoqanise "Bashkimi" u pranue nga te gjithë shqiptaret. Nder shqiptaret ne Itali, De Rada dhe Zef Skiroi (Plaku) shpiken nga nji alfabet te tyne. Kristoforidhi, përkthyesi i "Dhjatës se Re" dhe autori i nji fjalori shqip-greqisht, përdori drejt për drejt fjalorin grek (alfabetin grek), me adoptimin qe nevojiteshin për tingujt e veçante te gjuhës tone.
Propaganda greke nuk ngurroi me shfrytëzue ketë moment, ashtu dhe faktin qe shkrimet e Kristoforidhit u botuen ne Greqi. Ne nji parathënie te botuesit ne gjuhen greke, u vu ne dukje se, shqiptaret munde te mësohen vetëm nëpërmjet gjuhës greke.
Kongresi I Manastirit, me 1908, ndërtoi Alfabetin qe përdorim sot. Prijësit e Rilindjes Nacionale e kishin kuptue mire se, rruga drejt Pavarësisë do te shkonte përmes arsimimit dhe shkollës shqipe. Hartimin e librave shkollore, ata e panë si piken ma me randësi te misionit te tyne. Hapja e shkollave qe te mësohej gjuha shqipe, gjuha amtare, asht ba problemi ma i ngutshëm i kohës. Qëllimi duhet te ishte me zgjue ndërgjegjen nacionale dhe me skalite vullnetin për te luftue sundimin e huej deri ne sigurimin e Pavarësisë se plote. Vala antishqiptare nder turqit qe erdhi si pasoje e shkatërrimit te Lidhjes se Prizrenit e bani ma te vështirë punën e pioniereve te arsimit shqiptare. Vetëm ne Shkodër, civilët mu de te mësonin ne shkollat e klerit katolik, te cilat ne sytë e autoriteteve turke paraqiteshin si shkolla fetare. E para shkolle e Urdhnit Françeskan u çel ne Shkodër, ne vitin 1961. Me 1887 u thmelue po ne kte qytet "Kolegji Severian"i Jezuiteve. Shkolla e fretnve, si u quajt me vone, ka pas qe ne fillim nji karakter popullor dhe përbahej prej klasave fillore. Mësues ishin Fretnit Françeskan, nder te cilët figurojnë disa nga emnat ma te shquem te letërsisë shqipe: Gjergj Fishta, Viçens Prenushi, Shtjefen Gjeçovi. Kolegji Severian kishte edhe klasa te mesme dhe mësuesit qene ma tepër misionare italiane, por edhe m'at kolegj u dalluan disa mjeshtra te pendës qe kan pasunue letërsinë shqipe, si: dom Ndre Mjeda dhe Anton Xanoni. Megjithëqë, siç thamë ma nalt, shkollat ne Shkodër kishin ne sytë e autoriteteve turke si te vetmin qellim me formue shërbëtore te kishës, atje u edukuen shum udhëheqës te Lëvizjes nacionale ne Shqinine e Veriut. Madje edhe Faik Konica pati mesue ne shkollën e jezuiteve ne Shkodër.
Përsa i përket Shqipnise, përgjithësisht Lidhja e Prizrenit kishte vu ne programin e kërkesave te saj ndaj qeverise turke, hapjen e shkollave shqipe kudo qe flitej shqip. Ne sytë e apostujve te Rilindjes Nacionale mësimi i Gjuhës Shqipe duhej te ishte arma kryesore për me u shkëputë nga zgjedhja e huej.
Mësuesit shqiptare u bane pararoja ma e fuqishme e luftëtarëve te nacionalizmit shqiptare. Atëherë qeveria turke u frikesue, dhe pa u mbështetë ne asnji ligje te shtetit, përdori mjetet administrative për te ndalue shkollat shqipe dhe me persekutue arsimtaret shqiptare. Koto Hoxhi, pionier i arsimit shqiptar ne Gjirokastër, u internue ne kështjellën Jedi Kule te Bosforit. Pandeli Sotiri, themelues i shkollës se pare shqipe ne Korçe, u internue ne Selanik.
Vlen te theksojmë se, ishte dom Ndre Mjeda, ai qe hapi te paren shkolle shqipe ne Iballe te Pukës, ne nendor 1903, duke ndërhy pranë qeverise Austriake, me pretekstin se do te hapin nji shkolle fetare (MB)
Ne Shqipnine e Jugut përhapja e arsimit nacional u pengue edhe nga influenca e propagandës greke. Gati te gjithë ata qe hapen shkolla shqipe ne jug, sidomos ne Korçe e ne Gjirokastër, ishin te fesë ortodokse. Kurse qeveria greke, me ane te Patrikanës se Stambollit, kishte sigurue te drejtën ekskluzive me çele shkolla për kristianet. Me ketë mënyrë, ajo donte me monoplizue te drejtën me mesue ortodokset e Shqipnise tue u mesue vetëm greqisht. Shqiptaret e krishtere te Jugut qe nuk i u përkulen kësaj politike te Greqisë, u mallkuen e u persekutuen me çdo mjet. Episodi ma tragjik i kësaj lufte qe i bahej shqiptarizmit, ka qene vrasja e papa Kristo Negovanit, priftit ortodoks qe ishte mësues i shqipes. Nder viktimat e tjera asht dhe Petro Nini Luarasi. Shqipnia shpëtoi nga ky rrebesh vetëm kur u krijue "Kisha Otoqefale" ortodokse, dhe te gjithë e dimë se themeluesi i saj asht Imzot Fan Noli.
P.S. ref: Historia e Shqipnise, Tajar Zavalani, Tirane, me 1998
"Njohja e brezit te ri me veprat e pavdekshme te ketyne apostujve asht detyre imidiate e mësuesve dhe edukatoreve ne shkolla e ne shoqni. Edukimi atdhetar i brezit te ri asht detyre e çdo prindi ne përgjithësi dhe e mediave ne veçanti. Modernizimi i shoqnise dhe evropianizimi i Shqipnise nuk duhen kuptue si shkëputje nga tabani nacional dhe kultura e trashëgimisë ne shekuj" (MB)

Nga Mark Bregu

Kampioni i Botës, Elis Guri, shkodrani që u "tradhtua" nga Atdheu i tij

Që prej datës 13 shtator, kur shkodrani Elis Guri, u shpall "kampion bote", në mundje thuajse të gjithë ne, shqiptarët, njerëz të thjeshtë apo të pushtetshëm, jemi marrë, por edhe krenuar, me emrin e këtij sportisti. E ndoshta jo rastësisht, por ne kemi dashur të krenohemi dhe të mburremi me suksesin e këtij djali 28-vjeçar, që u shpall "kampion bote", por fatkeqësisht, jo për Shqipërinë, por për një shtet tjetër ballkanas; atë të Bullgarisë. E sigurisht, që gjurmët e para të karrierës së tij, i nisi pikërisht në vendlindjen e tij, Shkodra, duke vazhduar rrugën e suksesshme dhe të lavdishme të atit të tij, Iljaz Gurit (edhe ky një kampion absolute), por edhe të mjaft kampionëve të tjerë të mëdhenj, që ka nxjerrë ky qytet, në sportin e mundjes gjatë dekadave të kaluara, por edhe që bënë historinë e këtij sporti në gjithë vendin tonë dhe përtej, si Mirash Vuksani, Pal Marku, Dedë Bregu, Paulin Sterkaj, Seit Fishta, Rrok Bardeli, Naim Pepa e të tjerë. Ajo çfarë ka ndodhur me Elisin, kampionin më të ri të botës, është vërtetë për të ardhur keq, aq më tepër në ditët e sotme. Ai u "braktis" me gjithçka dhe nga çdo strukture e shtetit shqiptar, madje në momente të caktuar, e deri në përbuzje, për të vazhduar karrierën dhe suksesin e tij për flamurin kuqe zi. Me pak fjalë, Elis Guri u "tradhtua" nga Atdheu i tij, pa asnjë shkak, ndërsa sot ai është një kampion bote i dalë nga shkolla e mundjes shkodrane. Ai është një kampion bote, absolut në peshën 90 kg, pasi në botërorin e zhvilluar në mesin e këtij muaji, Elisi arriti të mposhte me radhë emra të njohur të mundjes klasike në botë, si rus, kroatë, izraelitë, algjerianë dhe së fundmi në finale, fitoi pastër 2-0 ndaj suedezit Aleksandër Xhimi Lidberg. Elis Guri, përpara se të largohej drejt Bullgarisë, rreth 20 muaj më parë, që tashmë është pajisur me pasaportë dhe shtetësi të këtij vendi ballkanik, është aktivizuar me ekipin e "Vllazninë" e tij të dashur, kur u formua si sportist dhe më pas me Dinamon. Me flamurin shqiptar, kuptohet përpara se të largohej, Elis Guri ka arritur të marrë medaljen e bronztë (e para për këtë sport, pra në mundje, në historinë e Shqipërisë), në Kampionatin Evropian të 2008-ës. Ai gjithashtu bën pjesë në tre sportistët më të mirë të vendit tonë, në gjithë historinë e sportit olimpik, me arritjen e rezultateve të larta në Lojërat Olimpike.
Gjithsesi, Shkodra ka arsye të krenohet me djalin e saj, Elis Guri, një kampion bote tashmë, jo i rastësishëm, i plotfuqishëm për arenën ndërkombëtare, ai do të garojë deri në fund të karrierës së tij për Bullgarinë, ndonëse në venat e tij, rrjedh gjak i pastër shqiptari, përtej "braktisjes" dhe "tradhtisë", që i bëri Atdheu i tij. 

Nga Mejdan Zhivani

DEKLARATË PËR SHTYP

Më datën 24. shtator. 2011 në Malësi është themeluar një organizatë qytetare me emrin "Forumi Demokratik për Integrim".
Forumi u themelua nga pakënaqësia e qytetarëve të Malësisë për shkak të statusit të tyre të papranueshëm politik, ekonomik dhe social, si dhe dështimit absolut të partive shqiptare në Malësi. Forumi Demokratik për Integrim – FDI; ka si qëllim promovimin e tolerancës, dialogut dhe bashkëpunimit midis te të gjithë aktorëve të ndryshëm të shoqërisë. Shoqata e sapo krijuar, është rezultat i një angazhimi shumë vjeçar i qytetarëve, intelektualëve vendorë dhe të diasporës në mënyrë që të përmirësohet situata politike dhe ekonomike e qytetarëve të Malësisë dhe më gjërë. Këto shqetësime na shtynë të bëheshim së bashku si qytetarë të pakicës shqiptare për të dhënë një shembull të gjallë bashkëpunimi në skenën shoqërore të shqiptarëve në Mal të Zi në sferën e interesit politik, ekonomik dhe social.
Në Mal të Zi politika ka gjeneruar shumë konflikt dhe polarizim për shkak se ajo nuk vjen si politikë e lindur prej vlerave dhe parimeve, por motivohet nga interesat meskine, individuale dhe të ditës.
Qytetarët e Malësisë janë të pakënaqur me situatën e përgjithshme në Mal të Zi e në veçanti me pozicionin e tyre, pasi që Malësia nuk ka vetëqeverisje lokale e cila garantohet si nga ligjet e brendshme ashtu edhe nga ligjet ndërkombëtare, pastaj mungesa e planit urbanistik, të ardhurat vendore të cilat gjithmonë shkojnë në Komunën e Kryeqytetit Podgoricë për të mos u kthyer më kurrë në Malësi, papunësia është disa herë më e lartë se në nivel të Kryeqytetit, infrastruktura e dobët etj. Gjithashtu, paaftësia dhe mungesa e profesionalizmit në qeverisjen aktuale të ashtuquajtur "Komuna Urbane e Tuzit", është edhe një indikator që tregon se nevojitet ndryshim në këtë fushë.
E rëndësishme është se Ne synojmë që më së pari të krijojmë një komunitet moral para se të kemi një komunitet politik, biznesi apo kulturor. Ne nuk kërkojmë vetëm metodat dhe strategji të mira, por mbi të gjitha Ne kërkojmë dhe inkurajojmë njerëz më të mirë, liderë më të mirë. Ne mendojmë që integriteti personal i një drejtuesi është thelbësor për mirë – funksionimin dhe mbarë – vajtjen e procesit që sjell ndryshim brenda ambientit politik dhe social.
Ne besojmë në suksesin tonë dhe në integrimet euro – atlantike të Malësisë dhe të të gjithë Malit të Zi.

Kryetari i Forumit Demokratik për Integrim
Anton Lulgjuraj

CUKALI, KRENARIA E SHLLAKUT

Malet kurdoherë janë krenaria e vendit; kështu edhe për Shllakun është mali i Cukalit i cili ka dy maja sikur janë vënë në garë për të arritur kupolën e qiellit; është krenaria e zonës edhe më gjerë. Rrëzë Cukalit shtrihet e quajtura Fusha e Liqenit të cilën malësorët e kanë kthyer në fushë pjellore.
Si në gjitha malësitë, ka mbijetuar duke luftuar për tu përballur me vështirësitë e jetës, si pasuri ka shfrytëzuar pyjet për lëndë drusore për ngrohje dhe për qymyr e te tjerë.
Kjo zonë ka zënë vend ne histori në luftën për liri, aty është vrarë Padishahu Turk si dhe shumë armiq të tjerë.
Nga kjo zonë kanë dalë intelektualë me vlera të mëdha si artistë, shkrimtarë e te tjerë. Kujtoj me respekt mësuesin e kësaj zone Mark Temali i cili në vitet 1950 ka qenë mësues në Shkollën Unike të Bushatit të nën-Shkodrës dhe si mësues gjuhë-letërsie jepte me pasion lëndën dhe fliste me gjuhën e "Mesharit" të Gjon Buzukut. Mund të them me pak fjalë: njeri me kulturë të gjerë profesionale e qytetare dhe ende e ruaj me respekt në mbresat e mia.
Kështu ka edhe shumë të tjerë duke arritur gjerë tek shkrimtari i shquar dhe i madh Martin Camaj për të cilin njerëz të shquar të Evropës kanë shprehur: "Sikur 10 persona të ishin sikur Martin Camaj, e tërë Evropa do të fliste shqip"
Por unë dua të shkruaj për një nga intelektualët e kësaj zone siç është Ndue Martini, i cili ka lindur, rritur dhe e ka kaluar rininë pikërisht në vendlindjen e tij. Ai si nëpunës ka punuar edhe në Bregu i Lumit të Shalës, në Malësi të Kelmendit, në Velipojë të nën Shkodrës, në Postribë e te tjerë dhe kudo ka lënë emër të mirë. Por kontributin kryesor dhe modelin shembullor e ka dhënë në vendlindjen e tij e për të cilën ai ruan respekt të pashoq dhe ka nostalgji për të. Mban lidhje dhe flet me respekt për njerëzit e zonës së tij.
Në punën e tij ai, është karakterizuar si person i dashur, komunikues me njerëzit dhe si njeri i veshur me pushtet është përpjekur të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve. Si intelektual ai ka studiuar, lexuar dhe është një mik i vërtetë i librit të Edukatës, të cilën e ka përcjellë edhe tek familja e tij. Fëmijët e tij kanë ndjekur shkolla dhe kanë marrë profesione për të cilat vlerësohen nga shoqëria.
Ndue Martini, ndonëse i ka kaluar të 75 vjetët tregohet më i ri, aktivizohet për problemet publike dhe tregohet i afrueshëm, i dashur me shokët. Pra me njerëz të tillë ka pse të krenohet zona dhe ne si shokë te tij. Përgatitur nga Pjetër Delija

"TË KEMI NJË LETËRSI TË NJËSUAR, NË TË GJITHË GJIMNAZET E ZONAVE, KU FLITET SHQIP''

Unë, që po ju flas, kam rreth pesëdhjetë vjet mësimdhënës në shkollat e mesme, në lëndën e letërsisë dhe shumë vite kam punuar e drejtuar gjimnaze, me detyrën e zëvendës drejtorit dhe drejtorit.
Lënda e letërsisë, çdo vit, ka pasur përmirësime dhe arritje të reja, si në fushën e teksteve, ashtu dhe në plan-programet.
Po të tregojmë për periudhën moniste, për ata që nuk e kanë jetuar, çuditërisht, tekstet e letërsisë zinin rreth 40% material propagandistik e politik dhe rekomandimet nga lart ishin që ora e mësimit të kthehej, pothuajse, e tëra në shërbim të ideologjisë së asaj kohe.
Këto njëzet vite, në sajë të demokracisë, letërsia dhe të gjitha tekstet, në përgjithësi, ''shpëtuan'' një herë e mirë nga ideologjia komanduese.
Siç dihet, në vendin tonë kishim shkolla të mesme profesionale, të cilat i kemi dhe sot, dhe shkollë te mesme të përgjithshme. Me kalimin e viteve, gjimnazi mori tri drejtime: I përgjithshëm, - shkencor, - shoqëror. Por çudia më e madhe ishte se në këto gjimnaze të Shqipërisë nuk zhvillohej lënda e gjuhës shqipe, pra nxënësve ne iu mësonim gjuhë të huaja, si anglisht, frëngjisht e italisht, por jo gjuhë shqipe, sepse kjo lëndë zhvillohej vetëm në arsimin e detyrueshëm, nga klasa e parë dhe deri në të tetën.
Këto vitet e fundit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Tiranë e shikoi si të domosdoshëm futjen e lëndës së gjuhës shqipe në gjimnazet e vendit tonë, duke realizuar dëshirën dhe kërkesën e mësuesve, nxënësve dhe të prindërve e mbarë komunitetit. Ky vendim solli një përgatitje më të lartë të nxënësve parauniversitar në lëndën e gjuhës shqipe.
Shkollat e mesme profesionale dhe gjimnazet në vendin tonë kanë qenë 4-vjeçare. Këto vitet e fundit këto shkolla u kthyen në 3-vjeçare, sipas organizimit të ri të arsimit të detyrueshëm, nga arsimi 8-vjeçar në arsimin 9-vjeçar. Kështu u veprua edhe në Kosovë.
Ndërsa në komunat Presheve, Bujanoc e Metvegje, që ndodhen në Kosovën Lindore e në Republikën e Serbisë, shkollat janë me program 8-vjeçar, arsimi fillor dhe ai i mesëm, gjimnaz 4-vjeçar.
Këtu haset një vështirësi te plan programet dhe tekstet, për të pasur një letërsi të njësuar në këto tri komuna, me banim mbi 96% shqiptarë. Por duhen marrë, nga klasat e nënta të arsimit të detyrueshëm të Shqipërisë, tekstet dhe plan programet, për vitin e parë të gjimnazeve të këtyre tri komunave Preshevë, Bujanoc, Medvegje.
Ndërsa me shkollat e Kosovës zgjidhja është më e lehtë, sepse tashmë, atje është arsimi i detyrueshëm 9-vjeçar dhe gjimnazet kanë të njëjtën kohëzgjatje, si në Shqipëri.
Unë, me këtë rast do të ndalem shkurtimisht në plan-programet dhe tekstet e letërsisë, që përdoret aktualisht: në Shqipëri, Lugina e Preshevës dhe në Kosovë.
Ne, punonjësit e arsimit, themi se abstraktja duhet zëvendësuar me konkreten. Pra, teoria duhet vënë në praktikë. Kështu, le të shpalosim tekstet e letërsisë dhe të gjuhës shqipe, që përdoren tani: në Tiranë-Shqipëri, Preshevë-Serbi dhe Prishtinë-Kosovë.
Po analizojmë tekstin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, të vitit të dytë të gjimnazit, që përdoret në Shqipëri, botim i vitit 2011, me autor Rita Petro, Doc. Linda Mëniku, Prof. Dr. Ardian Marashi.
Po e konkretizojmë pjesën: ''Teksti poetik'', nga faqja 186, e këtij libri. Në fillim, jepet pjesa Rikujtim Njohurish – Lexim aktiv i tekstit poetik – Skeda.
- Hapi i parë
• Rimarrja e disa informacioneve që lidhen.
• Leximi me kujdes për të gjetur.
- Hapi i dytë
• Struktura.
• Domethënia.
• Identifikimi.
Po të kalojmë në faqen 207, të po këtij teksti, te pjesa për poetin Naim Frashëri, gjejmë:
Poezia filozofike – Jeta.
Teksti poetik
• Uni lirik
• Uni fetar
• Uni filozofik
• Uni naimian
Veprat dhe koment
Teksti poetik
• Reflektoni për kuptimin
• Reflektoni për interpretimin
• Reflektoni për gjuhën dhe stilin
• Reflektoni për metrikën
Po ta krahasojmë tekstin tonë, me atë që përdoret në Preshevë sot, ka ndryshime të theksuara. Atje nuk përdoret teksti, që kemi ne tani në përdorim, por një tekst botim i vitit 2002, pra para nëntë viteve, me autorë: Ali Aliu, Shaban Sinani, Stefan Çapaliku, Tonin Çobani, me titullin "Letërsia Bashkëkohore Shqiptare''
Le ta shpalosim këtë tekst, në faqen 160, ku jepen jeta dhe veprat e Ismail Kadaresë dhe disa komente të shkëputura.
Kjo formë, të kujton pikërisht tekstin e letërsisë, që ne përdornim para 20 viteve. Për mendimin tim, e gjitha kjo vjen nga mungesa e informacionit dhe bashkëpunimit të ndërsjellët.
Në plan programet dhe tekstet, që përdoren në Prishtinë, ka arritje më të lartë, falë bashkëpunimit Shqipëri – Kosovë. Le të ndalemi te lënda e letërsisë, '' Rilindja Kombëtare Shqiptare'', ku jepen:
• Kultura e gjuhës
-Studimi; përmirësimi; pasurimi; raportet; ligjërimi; veçoritë; struktura; lidhjet; njohja; vlera; modelet; metodologjia dhe këshilla praktike.
• Rezultatet e pritura.
-Zotëron; analizon; njeh; identifikon dhe kupton.
• Qasjet nderlëndore dhe ndër programore.
• Udhëzime metodologjike.
• Vlerësime.
• Literatura.
Përfundimisht, unë shprehi kërkesën dhe dëshirën që, në të ardhmen, të kemi një plan-program dhe një tekst të përbashkët, në përdorim, për lëndën ''Gjuha Shqipe dhe Letërsia'', duke përfshirë të gjitha gjimnazet, ku flitet dhe shkruhet gjuha shqipe.
Posaçërisht, në ndihmë të mësuesve të lëndës përkatëse, kam përgatitur dhe plan-programet e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, që do të përdoren në tre vitet e gjimnazeve të Shqipërisë, për vitin shkollor 2011-2012, të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës-Tiranë.
Ju faleminderit për mirëkuptimin dhe vëmendjen tuaj!
Kjo kumtesë u lexua në Konferencën e parë mbarëkombëtare për tekstet shkollore.

Dokumente burimore:
1. Urdhri i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës së Republikës të Shqipërisë, Prof. dr. Myqerem Tafaj, për fillimin e vitit të ri arsimor 2011-2012.
2. Nga takimi me zv. ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovë, Nehat Mustafa (Prishtinë, maj 2011).
3. Takime me mësimdhënës të lëndës së letërsisë dhe me drejtorë gjimnazesh, në Shkup, Presheve e Prishtinë (maj, 2011).
4. Shkrime nga revista ''Mësuesi'', Tiranë 2010-2011.
5. Botime të Institutit të Zhvillimit të Arsimit në Shqipëri, Tiranë 2011.
Përgatiti: Ibrahim Hajdarmataj
E-mail: Ibrahimhajdarmataj@yahoo.com

Pushtimi i Shqipërisë nga shekulli X deri në shek e XX dhe fisi Mavriqi

Para se të fillojmë historinë e këtij fisi për interes të lexuesit pak histori mbi pushtimet e Shkodrës dhe të Shqipërisë nga Shtetet e Ballkanit dhe të Evropës ndër shekuj. Perandoria e Serbisë e pushtoi Shkodrën dhe Shqipërinë në vitin 1040–1368, 328 vjet; Principata e Balshajve (Shqiptar) 1370–1395, 25 vjet; Republika e Venedikut 1395–1479, 84 vjet; Perandoria Osmane 1479 deri në vitin 1912, 433vjet. Shqipëria qëndroi nën robërinë e shteteve lartë përmendura, 870 vjet. Perandori i fundit i Serbisë në tokat e pushtuara ka qenë Car Dushani 1331–1355, i cili ne vitin e fundit vdiq. Është me interes të dinë lexuesit për historinë e kishës së Shirqit në bregun e Bunës prej shekullit VI deri në fundin e perandorisë Serbe. Kisha e Shne Prenes në fshatin Shirq Bah, e shekullit XIII sipas dy mbishkrimeve në latinisht, të vendosura në hyrjen kryesore, kisha është ndërtuar në vitin 1290-1293, ne vendin e një kishe më të vjetër, e ndërtuar në shekullin e VI. Kjo kishë u rindërtua nga Mbretëresha Serbe Helena, e bija e perandorit Latin të Bizantit Balduinit II dhe nga i biri i saj Mbreti Stefan Uroshi i II, Milutini.
Në oborrin e kësaj kishe, në shekullin e XI janë varrosur katër Mbretër Serb: Budini, Dobroslavi, Vladimiri dhe Grazhdina, sipas konsullit të përgjithshëm i monarkisë Austro-Hungarisë në Shkodër, 1897–1904 Theodor Anton Ipen në librin "Shqipëria e vjetër", faqe 115.
Kisha e Shirqit vendi ku martoheshin princërit! Vetëm 40 minuta larg qytetit të Shkodrës, në të djathtë të fshatit Dajç, buzë vendit ku bashkohet lumi Drin me Bunën ndollët kisha e Shirqit. Muret e saj kanë nisur të ngrihen në shekullin e VI si kushtim ndaj dy martirëve të kishës Bizantine Serçit dhe Bakut, varret e të cilëve ndollën pranë lumit Eufrat në Azi afër një kështjelle të quajtur Rozafa. Aktualisht specialistët po punojnë për të zbardhur enigmën e lidhjes së Rozafës së largët me emrat dhe historinë e kishës së Shirqit. Ndër kohë, historianët pohojnë se Rasha ka qenë vendi i preferuar i princash Malazez dhe Shqiptar për martesat e tyre.
Helena e Rashës, princesha e Bizantit dhe vajza e perandorit Latin Balduinit ka qenë një nga figurat më te lidhura me kishën e Shirqit. Pikërisht këtu ajo bëri kurorëzimin e saj. Një anë muri dhe një gurë i gjatë janë gjithçka që ka mbetur nga kisha gjatë shekujve.
Për poshtë rrënojave të saj flenë eshtra princash të pa emër.
Kurse kocka të tjerë fisnikësh të pa fat kanë dalë jashtë varreve të shkatërruara nga erozioni për të përfunduar kushedi se ku, bëhet fjalë për kishën e Shirqit, një nga vlerat më të mëdha historike dhe kulturore të vendit tonë. Në vitin 1355 car Dushani vdiq, vendin e tij e zuri Simon Uroshi, biri i princeshës Helena dhe vëllai i Dushanit të vdekur. Nën sundimin e tij, filloj të dobësohej Perandoria Serbe. Pak kohë pas ekspeditës së tij kundra Beratit edhe Simon Uroshi, vëllai i Dushanit u detyrua nga shqiptarët e Epirit t'i linte zotërimet e veta. Në këtë mënyrë, që nga Genta e Kosovës deri poshtë në Epir, lindën ose u ringjallën formacione politike të dyerve të shquara Shqiptare, si Balshajt, Muzakët, Matranget, Zenepishtet, Gropajt e Pogradecit, Bue–Shpatet e të tjerë. Në vitin 1368–1369, Perandoria Serbe u shpërbë krejtësisht. Zeta e poshtme shtrihej përgjatë brigjeve Budva te detit Adriatik deri në Shën Shirgj. Zeta e sipërme shtrihej prej bregoreve Njegoshit mbi Kotorr deri në bregun e liqenit të Shkodrës, sot Mali i Zi. Ne 1368 në Zetën e sipërme u krijua një familje e madhe me mbiemrin Balsha. Në këtë familje kishte tre vëllezër Strazimiri, Balsha i I dhe Balsha i II. Këta vëllezër krijuan principatën me mbiemrin e Balshajve. Asnjëri nga vëllezërit nuk pranoi të bëhej princ, por vendosen që ta drejtojnë së bashku. Në vitin 1370 organizuan popullsinë e qyteteve dhe fshatrave të aftë për luftë dhe pa as më të voglën rezistencë morën Shkodrën me rrethinat e saj. Një vit më vonë ata morën Lezhën, qytetet dhe fshatrat e bregdetit deri në Vlorë. Ne vitin 1372, Balshajt u morën serbëve Pejën, Prizrenin, Ohrin dhe Kosturin. Ne vitin 1392–1393, Republika e Venedikut mori Durrësin, Krujën, Lezhën. Ne vitin 1395 mori Shkodrën me rrethinat e saj. Me 14 Prill 1396, të plotfuqishmit e Gjergjit II të Balshajve, me 10 Nëntor shkuan në Venedik dhe u dorëzuan venedikasve qytetin e Shkodrës me rrethina, Limanin e Bunës, Shën Shirgjin, Drishtin, pse Gjergji nuk mund ti mbante këto vende. Për këtë shkak, trashëgimtarët e tij u bënë bujar të Venedikut, hynë në këshillin e lartë dhe merrnin 1000 dukat në mote prej të ardhurave të vendeve të dorëzuara. Përfaqësuesit e 51 fshatrave të Zetës së sipërme u mblodhën në ishullin e Vraninës, me 1455 dhe morën vendimin që ti bashkohen venedikasve. Këtu del në pah kuvendi i fshatrave të Zetës.
Në vitin 1469 Balshajt shpallën kalimin e tyre nga besimin ortodoks në ritin katolik, për forcimin e lidhjeve me papatin dhe fuqitë katolike të perëndimit dhe ne vazhdën e lidhjeve me princit e Gentes (Dokles) që kishin me këta të fundit. Një vit më vonë papa Urbani i V, duke i pranuar vëllezërit Balsha në gjirin e kishës apostolike të Romës u rekomandoj atyre peshkopët e posa emëruar të Arbrit, Pultit, Sardes, Shurdhahut, Lezhës e të Vlorës, nëpërmjet këtij fakti kuptohej se Balshajt ishin bërë zot të Vlorës.1
Gjergj Balsha i II vdiq në qytetin e lindjes Ulqin, me 1403.
Regjistri i kadastrës dhe i koncesioneve për rrethin e Shkodrës 1416-1417 u gjetën në arkivat e Venedikut ne vitin 1964, i shkruar me gjuhë latine dhe u përkthye nga Anëtari i Akademisë së Shkencave Shqiptare, Injac Zanputi me origjin Italiane. Ky libër doli në dritë ne vitin 1979 i cili është me vlera të mëdha kadastrale dhe historike për rrethin e Shkodrës dhe më gjerë. Është cilësuar edhe më sipër se, në vitin 1395 Republika e Venedikut pushtoi Shkodrën me rrethinat e saj. 1402 filloi reformat në fshat dhe në qytet. Fshatarësia e Shkodrës i priti këto reforma me revolta pas revoltash, u arrit deri në kryengritje të armatosur. Fshatarët që i kundërshtonin i quanin tradhtar, ju merrnin tokën dhe ja jepnin dikujt tjetër në përdorim. Po përmendim disa prej tyre: Mojsi Vita me vëllezër, vëllezërit Mavriqi në fshatin Mes të rrethit Shkodër, Prakop Progoni, Pjero Bojçini, Pjero Moza, Don Dhimitër Pobrati e te tjere. Këto reforma u ndërprenë deri në Nëntor të vitit 1416. Në kështjellën "Rozafat" u krijua një komision i posaçëm, me të nderuarit zoterit Alban Kontorino, me emër të zotërimit të Venedikut kont kapedan i nderuar i Shkodrës në viset e Shqipërisë dhe Andrea Fuskulo, po për atë zotërim përfaqësues dhe preveditor në viset e Shqipërisë, Nikolla Zanthani dhometar i Shkodrës (Shkodran). Komisioni mori për detyrë që brenda 4–5 muajve, Nëntor 1416 deri ne Mars 1417 të bëjnë të gjitha regjistrimet e fshatrave, dhe të kryefamiljarëve të tyre, të tokave dhe kufizimet e tyre me njëri tjetrin prej Blinishtit në Kufi me Lezhën deri në malin e Shkodrës rreth kalasë.
Ky regjistrim u bë në të gjithë fshatrat e mbi Shkodrës deri në Tuz, sot në Malin e Zi; u regjistruan 103 fshatra me 1190 kryefamiljar barazi me 6 frymë për një familje 73 400 banor pa përfshirë qytetin e Shkodrës që në atë kohë ka qenë Ajasma e sotme; u regjistruan 11 dogana dhe dajlanë të rrethit Shkodër, të cilat komisioni i jepte me koncesion. Të gjitha tokat e bashkisë i jepte në përdorim. Qëllimi i këtij regjistrimi ishte, që fshatarësia të paguante detyrimet e tokës ndaj sinjorisë (Shtetit) 10% të prodhimit bujqësor, 10% për Melin obrokun, 4 grosh (dy për kshnella dhe dy për pashkë). Fshatarësia kishte detyrime edhe për verën për arsye se në fshat ishte shume e zhvilluar vreshtaria.
Kur u bë regjistrimi i fshatit Mes, kishte 20 shtëpi, familje. Njëra prej tyre e kishte mbiemrin Mavriqi. Në këtë familje kishte tre vëllezër: Gjergj Mavriqi, Lazer Mavriqi dhe Sejko Maviqi. Familja Mavriqi, me 10 familje të këtij fshati si kundërshtare të pushtimit të Venedikut u larguan për në vendet malore për te mbijetuar, të cilët zunë vende në fshatin Gimaj sot, të cilin e gjeten të pa banuar, pa emër dhe e emëruan fshatin e tyre (Mavriqi).
Kur vjen për të parën herë në Shalë frati Benedeto Soliga bashke me shoqin e vet Gergorio da Novara që më vonë bëhet ipeshkëv i Shkodrës, i përcjell prej Giobatista, Galata në Mavriq të Shalës pagëzojnë tarabak 14 vjeçar. Kjo gjë shpirtërore e këtij dioçezi ka ndodhur në vitin 1637 tre vjet para se të ndërtohet kisha ne Abatin e Shalës.2 Këto të dhëna janë marrë nga At Berardin Palaj në librin me titull "Mitologji, zakone dhe tradita Shqiptare". Atë Palaj shkruan se, banorët e fisit Mavriqi ishin blegtor dhe punëtorë të mirë, por shaljanët në vitin 1680 hynë në luftë me këtë fis dhe me luftë i detyruan të kalojnë Qafën e Nermajes drejtë Currave të Epër. At' Palaj përsëri shkruan: Ne luk të Nermajnes janë disa varre të fisit Mavriqi të mbetur në këtë luftë. Rreth vitit 1810 banor nga fshati Curraj, prej këtij fisi u larguan për në Kosovë për një jetë më të mirë. Sot në Kosovë janë 5 fshatra të këtij fisi, tri prej të cilave të besimit islam dhe dy të besimit katolik. Në gjithë rrethin e Shkodrës deri në Kosovë, nuk kam gjetur mbiemër (Mavriqi) vetëm në fshatin Mes në regjistrin e kadastrës së Venedikut te vitit 1416–1417 dhe defteri turk të sanxhakut të Shkodrës 1485 ne fshatin Gimaj, sot 20 shtepi, dhe në Curraj të Eper deri në Kosovë. Kjo është rruga e mundimshme që bën banorët e fshatit Mes (Mavriqi) ndër shekuj.
Marrë nga libri "Historia e popullit Shqipëtar" vëllimi i I faqe 302.
Këto të dhena janë marrë nga At Berardin Palaj në librin me titull " Metodologjia zakone dhe tradita Shqiptare"
Nga Zef Nik Krypçi

ADRIAN PACI "BACK HOME", NE GALERINE E ARTEVE SHKODER

Nga data 17 shtator deri me 10 tetor 2011, Galeria e Arteve te qytetit Shkodër, artistet e qytetit Shkodër, artdashësit e këtij qyteti, ne veçanti te artit te pikturës presin ekspozitën vetjake "Back Home" ne vendlindje te Artistit Adrian Paci. Përveç shfaqjes për here te pare ne Shqipëri te veprës "Centro di Permanenza Temporanea" si dhe te veprës me te fundit "The encounter" te realizuar ne muajin gusht 2011 ne Sicili, ne këtë ekspozite do te prezantohet një pjese e rëndësishme e veprës qe i ka siguruar autorit reputacionin e gjere ndërnacional.
Kush është Adrian Paci?
Adrian Paci lindi ne qytetin e Shkodrës, ne vitin 1969. Nga viti 1987 deri ne vitin 1991 ndoqi studimet ne Akademinë e Arteve ne Tirane. Lektor i historisë se artit dhe estetikes ne Shkodër nga viti 1995 deri ne vitin 1997, vit ne te cilin u shpërngul për ne Milano, Itali. Lektor për artet vizuale ne Akademinë e Arteve, Bergamo ne vitin 2002 deri ne vitin 2006, Universitetin IUAV, Venecia dhe Nuova Accademia di Belle Arti, Milano. Aktualisht punon ne Milano, Itali.
Veprat e tij, janë njohura për forcën ekspresive, poetiken, kujtesën dhe distancën, humanizmin e thelle, vene ne skene temat e mëdha te eksperiencës njerëzore; reflektojnë mbi nomadizmin dhe problematikat e kulturës emigruese; eksplorojnë identitetin e individit ne një shoqëri "in konstant motion"; pohojnë empatine ndaj asaj pjese te "paqëndrueshme, te cenueshme, te brishte" te qenies bashkëkohore. Megjithëse i njohur ne veçanti si video artist, Paci përdore njëkohësisht mjetet tradicionale te pikturës, vizatimit apo skulpturës, duke u postuar vijimisht mes pikturës dhe videos, mes imazhit ne lëvizje dhe atij statik, mes fotografisë dhe filmit, ne kërkim te "momentit te tensionit si një metafore te botes dhe gjendjes se saj ne ndryshim te pareshtur"; ne kërkim te një historie njerëzore, portreti apo thjeshte një imazh qe "tregon" diçka qe shkon "përtej" fakteve individuale te dukshme e te thjeshta; për ti kthyer ato ne simbole te "human condition" dhe momenteve ekzistenciale te njeriut.
Ne ekspozitat personale me te fundit mund te shkëpusim: Ne vitin 2010-"Motion Picture(s)", Kunsthaus Zûrich; Bloomberg Space, London; Museum of Modern Art Istanbul; ne vitin 2009-"Panoramica", Museo Tamayo, Mexico City; "Centro di permanenza Temporanea", Outlet Project Room, Instanbul; ne vitin 2008-CCA, TelAviv; Kunstverein Stuk, Leuven, Belgium; Kunstverein Hannover; Bonnier Konsthall, Stockolm; ne vitin 2007-"Still Moving", Museum am Ostwall, Dortmund; Premoi Pino Pascali 2007, Museo Pino Pascali-Polignano a Mare, Italy; "Per Speculum", Milton Keynes Gallery, Milton Keynes; ne vitin 2006- Galleria Civica di Modea, Modena; BAK, basis voor actuele kunst, Utrecht; ne vitin 2005-P.S.I Contemporary Art Center, New York; "Perspectives 147: Ardian Paci" Contemporary Arts Museum, Houston e te tjera.
Veprat e Ardian Pacit bëjnë pjese ne koleksione te rëndësishme si: Salamon Guggenheim Foundation, New York; Museum of Modern Art New York; Centre Georges Pompidou, Paris; Moderna Museet Stockolm; Kunsthaus Zûrich; GAMeC, Bergamo; Fundacio "La Caixa", Barcelona; Maxxi, Roma.
Adrian Paci përfaqësohet nga galeritë Kaufmann Repetto, Milano; Galerie Peter Kilchmann, Zûrich dhe Peter Blum Gallery, New York.
Nga mjeshtri ne pikture,
Ndoc Gurashi (Axha Ndoc)

Mundesoi botimin e ketij numri, z. Ndue Ftoni

numrat

part03