part01
part02
kryesore historiku aktivitete gazeta botime tetjera

90-vjetori i Martin Camajt

Më në fund erdhi dita e shumëpritur. Pas një pune disa vjeçare të Shoqatës “Atdhetare Dukagjini”, më datën 15. 10. 2015 në oborrin e bibliotekës së Universitet  “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ngrihet madhështore shtatorja e albanologut dhe poetit Martin Camaj. Grupi i punës i Shoqatës “Atdhetare Dukagjini”, që për vite me radhë ka punuar për të vlerësuar me atë që i takon figurën e këtij kolosi të letrave shqipe, sot ka të drejtë të festojë. Falënderime të përzemërta për të gjithë ata dukagjinas që përkrahën dhe mbështetën iniciativën tonë për të realizuar shtatoret e luftëtarit Mehmet Shpendi dhe albanologut Martin Camaj. Mirënjohje të veçantë për bashkatdhetarët tanë nga Nju Jork dhe Miçigan në SHBA, Belgjike, Zvicra, Italia, Shkodër e Tirane, por edhe të gjithë ata që kontribuuan sado pak. Kjo ditë e shënuar, që me plot gojë mund të quhet rilindja e poetit Martin Camaj, ishte perceptuar si një veprimtari e larmishëm, që do të fillonte me konferencën shkencore organizuar nga “Senati Demokristjan i Shqipërisë” dhe Shoqata “Atdhetare Dukagjini” në ambientet e bibliotekës së universitet. Konferenca shkencore, me temë “Camaj-letërsia tjetër“, kishte sjellë në qytetit te kulturës e historianë, poetë dhe studiues nga të gjitha hapesirat shqiptare. Aty, me mjaft vlera dhe interesim nga të pranishmit, paraqitën kumtesat e tyre z. Arben Prendi, Xhevdet Beqiri, Sadik Bejko, Bardhyl Londo, Ndue Uka, Primo Shllaku dhe Prend Buxhala. Secili prej tyre solli përshtypjet, këndvështrimin dhe vlerësimin e tyre për veprën e Camajt. Me mjaft interes dhe emocion për të pranishmit u përcollën pjesë nga krijimtaria e Camajt. Nën interpretimin e aktoreve të teatrit “Migjeni” Merita Smaja dhe Gjon Kola, të dukej sikur mesazhi poetik dhe artistik i autorit është aktual dhe i domosdoshëm edhe në ditët e sotme. Në një salle të mbushur plot me miq dhe të ftuar. Përfaqësues nga shoqata Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Ndreshaj”, nga shoqata “Nikaj Mërturi”, shoqata “Malësia e Madhe Nderi i Kombit”, “Klubi i Shkrimtarëve Shkodër”, shkrimtarë dhe pedagogë nga Prishtina, Klina, Tuzi, përfaqësues nga presidenca, nga konsullata austriake me qendër në Shkodër, “Senati Demokristjan Shqiptar” dhe Arqipeshkvia Shkodër-Pult. Pjesëmarrja e pedagogëve dhe studiuesve nga qyteti i Shkodrës la për të dëshiruar, por ndoshta përballë madhëshisë së Camajt vërtetë do të dukeshin si breshka, mbase kjo ishte arsyeja përse preferuan ta bojkotonin. Ja vlen të falënderojmë zonjën e parë të qytetit Voltana Ademi, kryetarin e këshillit bashkiak z. Xhemal Bushati, nënkryetarin e bashkisë z. Arben Gjuraj, që me praninë e tyre vlerësuan, respektuan dhe përcollën këtë veprimtari, i cili për nga përmasat dhe organizimi ishte në nivele mjaft të mira.

Sapo dolëm nga konferenca shkencore në oborrin e bibliotekës, aty ku tani e tutje do të ngrihet madhështore shtatorja e Martin Camajt, gjetëm dhjetëra qytetarë që po na prisnin. Ceremonia e zbulimit të kësaj shtatoreje ishte momenti kulmor i veprimtarive të kësaj dite. Pas zbulimit të saj, mes duartrokitjeve të pranishmëve dhe përlotja e familjarëve të Camajt, për të pranishmit përshëndeti kryetari i Shoqatës “Atdhetare Dukagjini” z. Ndue Sanaj. Madhështia e personalitetit të Camajt do të mbetet përjetësisht në qytetin e kulturës në një shtatore të punuar me mjaft me kujdes dhe nivel nga skulptori Skënder Kraja. Një falënderim të veçantë për të gjithë ata që kontribuuan dhe mbështetën këtë nisem të shoqatës. Me këtë rast, për disa personalitete dhe kontribuues, kryesia e shoqatës shpërndau vlerësime me  titullin “Mirënjohja Martin Camaj”. Ia vlen të vlerësohet pjesëmarrja e përfaqësuesve të Drejtorisë Arsimore Shkodër, të cilët nëpërmjet nxënësve të shkollës “Martin Camaj”, përshëndetën pjesëmarrësit me disa recitime. Kjo veprimtari shërbeu si një pikë kontakti për drejtuesit e kësaj shkolle dhe ata të shkollës “Martin Camaj” Gurracok të Klinës, të cilët filluan bashkëbisedimet për një binjakëzim të mundshëm. Por miqtë dhe të ftuarit, edhe pse me mjaft vështirësi në grumbullimin e fondeve, nuk kishin si mos te shtronin  një drekë miqësore. E gjitha kjo falë mirëpritje në Bar-Restorant “Tradita GT”, me pronar z. Gjon Dukgilaj dhe bujarisë së biznesmenit Gjergj Leqejza, kaluam disa orë më miqtë që kishin ardhur nga larg. Kjo ditë tetori, që ishte edhe mbyllja e një cikli të gjatë pune për të vlerësuar veprën e Martin Camajt, do të mbetet gjatë si kujtesën e në memorien e secilit nga ne.

 

part03