part01
part02
kryesore historiku aktivitete gazeta botime tetjera

78

A DO FIRMOSJE TI?

Mendo dhjete here e fol njëherë!
Po për te firmosur sa here duhet menduar?-
Evropa ... faltore!!!
Ka njëzet vite qe nga gojët e shqiptareve "prototip te allaballkanasve" dëgjohet thirrja vend e pavend, arsye e paarsye, vetëdije e pavetëdije, instinkt e mireformim: "Drejt Evropës!". Kur hedh sytë ne njëzet vite te shkuara patjetër qe do te pushtohesh nga dhimbja. Dhimbje qe ther ne kraharorin e çdo shqiptari, qe ushqehet nga aspiratat e bashkëkohësisë. Jo shume i sigurte ne çiltërsinë e kësaj thirrje, tashme te kthyer ne nje lloj stereotip dinamik për këta njerëz, dyshohem për nje kontradikte brenda vetvetes, ne te cilën ajo qe thuhet me atë qe gatuhet ndahet nga nje bosht i pathyeshëm qe i përket "ilegales". Ata qe e thërret tash e pare patjetër qe e ke kthyer ne nje lloj udhëheqësi shpirtëror apo "Faltoreje". Po shqiptaret a e kane bere këtë? Jo dhe vetëm jo dhe rrezikohet te mos e bëjnë kurrë. Dhe ne fund re fundit ne çfarëdo lloj faltoret nuk hyhet me xhepa te bere barkdose nga vjedhja qe i ke bere tjetrit. Atëherë duhet te pranojmë sentencën e Joneskos: "Ferri është brenda nesh". Turpi, si nocion abstrakt, nuk ka ngjyre, por ne raportet njerëzore qofte komunitare shtetërore apo mbarëshoqërore ekspozohet aq mire saqë te penalizon ashtu siç po ndodh me ne shqiptaret e vonshëm e iliret e hershem. Historia jone është e gjate, ndërsa "dyshemeja dhe tavani" qe i kemi ngrite vetvetes na ka bere shume te vegjël. Atëherë shqiptaret ku e kane faltoren?!

Intelektuali … pasuri apo vegël spekulimi?
Dikush ka thënë se varfëria e intelektualeve është pasuria e nje kombi. Sa e çuditshme tingëllon për ne shqiptaret kjo thënie. Ne te gjithë historinë tragjike te shqiptareve, te paktën tash pese shekuj e këtej, intelektuali shqiptar nuk arriti te behej profet ne vend te vet duke iu përmbajtur me besnikëri te pashoqe thënies se njeriu nuk behet profet ne vend te vet. Fatmirësisht ishin ata intelektual shqiptar te cilëve pushtuesit e regjimet e ndryshme ua kishin mohuar token e atdheun, qe mbajtën te gjalle gjuhen e kombit, identitetin e kombit, rrënjët e kombit(nuk është nevoja për sqarime te mëtejshme pasi këtë e dine edhe ata qe nuk done ta dine-L. Kodra).
Regjimi komunist e përdorte termin "Intelektual" pikërisht për te përligjur gjoja "arritjet e pakufishme" ne stilin e tij te tej vjetruar e ne fund te fundit intelektuali shqiptar s'ishte gjë tjetër veçse nje Demke qe i shërbente Zylos se partisë. Po tani ç'është intelektuali i këtushëm shqiptar? Është intelektual? Është njeri me nje mision shoqëror larg penaliteteve politike? Është njeri me nje mision shoqëror qe vetëdijshëm ia ka ngarkuar vetes? Është udhëheqës shpirtëror i nje shoqërie te ngritur? Jo dhe jo dhe fatkeqësisht jo!!! Ai, intelektuali, ka humbur terren, është bere depresiv, kryqëzuar ne skrivanin e tij pikërisht "legjendën" treguese te ëndrrave te tij, fundësisht njerëzor dhe është i gatshëm te këmbeje jetën e këtushme me "arratinë" ne dhe te huaj.

Intelektuali midis unitetit te vlerave dhe sindromit atavik!!!
Te jesh intelektual, sipas mendimit tim, duhet te kesh aftësinë për te dale mbi te gjitha palët dhe te përqafosh vetëm nje linje. Kjo linje është njerëzorja, bashkëkohësia, emancipimi i konceptit, ndjeshmëria shoqërore dhe përformimi shpirtëror ne podium altarësh. Pushtetet politike, tregon edhe vete eksperienca botërore, i "dashurojnë" vetëm dy here intelektualet: njëherë gjate podgojimit te emrave te tyre ne fushate dhe nje here kur u "tundet" karrigia nga dridhjet e ndjesive ne krize. Përballë këtyre dy fenomeneve politike, intelektuali duhet te shpenzoje shume energji njerëzore për te realizuar atë qe për momentin po e quaj Përballjen me "dashurinë Fallco".
Është rast unikal ne historinë e vetëdijes se ngritur te intelektualit momenti kur Musolini shpalli reformën ne arsim dhe pedagoge e profesor italiane votuan "njësh kolone" për këtë reforme, ndërsa vetëm 26 prej tyre e kundërshtuan atë te quajtur reforme. Vërtetë qe patën ndëshkime, por ne Akademinë Shkencore te Shtetit Italian sot këta emra figurojnë si shpëtimtarët e kulturës dhe identitetit te këtij kombi, Italisë.
Me kujtohet ne ngjarjet e vitit 1997, thënia e nje muzikologu te njohur, qe nuk po ia përmendi emrin, i cili u shpreh asokohe: "Komunistët nuk kane atdhe!" Ne atë kohe pata nje ndjeshmëri me instiktive sesa sot, por qe nga ajo kohe kjo thënie jo pak here ka bere tredh ne mendjen time dhe sot përfundimisht kam arritur ne nje përfundim fatkeq e real: Ne Shqipëri është shume e zorshme qe intelektuali ta identifikoje veten si te tille. Ai vetëquhet i tille, por nuk qëndron i tille. Nje "intelektual" qe nuk e ka për gjë te ofendoje bashkëkombësit e tij, si mund te quhet intelektual?! Nje "intelektual" qe përqafon vesin edhe fyen individin si mund te quhet "intelektual"?! A nuk është e vërtetë qe lista e "famshme" e firmosur sot e nesër do te jete përsëri "me e famshme"! na sjell ne mendje te kaluarën dhe e piketon atë ne te tanishmen? Shumëkujt e nder ta edhe mua mu kujtuan "vullnetaret e Enverit" te vitit 1991 apo mbështetësit e kooperativizmit e tufëzimit ne kohen e rrebeshit komunist. Po deri kur do te shfaqen e rishfaqen ne ekranin e shoqërisë shqiptare sindromat e se shkuarës?! Unë i besoj kohës si dëshmitare e vërtetësisë, prandaj nje dite kam sigurinë se shume nga këta emra janë pjese e listës se vullnetareve te mëparshmen(e dhënët Zoti te mos jene edhe me dosje te majme nga koha e diktaturës)! Atdheu nuk duhet ngrenë si pasta e thotë ne nje poezi, poeti i nderuar Visar Zhiti, atëherë pse te veprohet kështu? A thua se përsëri do te mbetemi allaballkanisat qe përshtatemi me te keqen dhe ferrin e lexojmë ne sytë e njeri-tjetrit? Duhet kujdes! Hej zotni, firma identifikon shpirtin, ADN-ja, gjakun, mishin, qenien e identitetin! Atëherë deri kur do ta mbajmë brenda vetes ketë kontradiksion, ne shqiptaret qe çirremi si te mëdhenj e habitim gjithë te tjerët me vogëlsinë tone?! T'i harrojmë sindromat e zeza qe kane njollosur historinë e këtij vendi me histori te veçante. Edhe këtu ne art kemi degjeneruar deri aty saqë parulla "Përçaje-sundo" flet përsëri shqip!

Kjo "elite" ne këndvështrimin e pastanishëm
Si i zgjidh problemet qeveria?-e pyeten ish presidentin amerikan Roland Regan dhe ai u përgjigj: "Problemet nuk i zgjidh qeveria sepse ajo, qeveria, është vete problemi!!!" Si do te tingëllonte ky citim i Reganit ne siten e memories se këtyre intelektualeve "elitare" qe u vërsulen për te firmosur pa përdorur aspak "frerët e arsyes" ne mbështetje te qeverise dhe ne "vrasje" te nje kauze, te paktën te pretenduar si te tille? Fjalën "elite" për here te pare e kam dëgjuar ne kohen e regjimit komunist kur përdorej ne kryqëzimin e farave hibride dhe qe nga ajo kohe sa here qe e dëgjoj me sjell nje lloj imazhi e perceptimi te se keqes ne vetëdijen time. Kështu ndodhi edhe këtë radhe me ne shqiptaret qe i marrim vendimet ne këmbë e pastaj i lexojmë ndenjur, kur te tjetër na tërheqin veshin. A thua se me te vërtetë këta njerëz ishin elita e kombit? Pa dashur aspak qe te mohoj vlerat e askujt, pasi ne radhët e tyre kishte vërtetë vlera, do te thosha me bindje se edhe vërtetë vlerat u bene te pavlere nga prania e "kojshise" para apo pas ne listën vertikale "kolone për nje". Kishte te tjerë njerëz intelektual përveç atyre qe firmosen ne atë liste? Patjetër qe po. Atëherë kujt i shërbeu kjo ndarje e përçarje me sens thellësisht politik? Unë, mendoj se nuk i shërbeu askujt, përveçse krijoj nje imazh tërësisht negativ ne "pasqyrën" e Evropës ku ne pretendojmë te integrohemi. Ky ishte shëmbëllimi me i keq qe i bëmë vetvetes qe nga viti 1997. Kjo u vërtetua edhe nga aspak rëndësia qe i dhanë ata qe na i shuajnë gjithnjë mosmarrëveshjet, evropianet. Evropa po përpiqet qe te veteçmitizohet, ndërsa ky veprim ishte nje përpjekje qe nëpërmes mitizimit te Evropës te realizoheshin qëllime qe janë tërësisht larg ideve te reja dhe aspirimit për kauzën njerëzore. Kam shume siguri se ne te ardhmen e cila do te jete patjetër shume me transparente nga ç'është sot, këta firmëtare do ta ndjejnë mbi supe peshën e nje veprimi tejet te pakuptimte, irracional e pa asnjë lloj rendimenti.
Si do ndjehej nje intelektual sot nëse do te kishte firmosur kundër grevës se urisë te studenteve te 90-ës apo kundër grevës se Pjeter Arbnorit? Patjetër qe keq e shume keq! E njëjta ndjesi do te përjetohet pas dhjete vitesh apo me pak edhe për këtë skene makaber qe politika shqiptare u serviri shqiptareve dhe fatkeqësisht përzjeu ne çorbën e saj emra intelektualesh deri aty saqë t'i identifikoje shume rëndomtë me shprehjen "elita e kombit"?! Te vetengrihesh nuk qenka e lehte e aq me tepër kur kjo shtypet nga pesha te pakontrolluara me drejtim pingul nga lart-poshtë. Asnjeri nga këta firmetar nuk ka dale ne ekrane apo shkruar ne gazeta se firma e tij pati ndikim. Kjo do te thotë se reflektimi ka filluar brenda tyre. Po ti lexues a do firmosje???
Nga Lazer Kodra

NJE DUKAGJINAS "NDERI I KOMBIT"

Me 24 maj 2010, për të parën herë në historikun e Presidencës shqiptare arti i pikturës ka mbështjellë muret e sallës qendrore të nderimeve me emrin "Skënderbej", me 16 vepra artistike të piktorit shkodran të famshëm e të studiuar në Itali Lin Delija.
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi me Urdhrin "Nderi i Kombit" piktorin e shquar shqiptar, Lin Delija (pas vdekjes) me motivacionin: "Piktorit të madh shqiptar, që me artin e tij pasqyroi lidhjen e fortë me atdheun dhe promovoi vlerat e lirisë dhe të demokracisë. Artistit autentik dhe përfaqësues në botë, i cili shndërroi temën shqiptare në vlerë universale, artin e tij në trashëgimi të përjetshme dhe urë komunikimi mes popujve".
Shprehës gjenial të etnosit dhe shpirtit shqiptar e vlerësoi presidenti Topi piktorin që duket sikur po kthehet nga rrugëtimi i nisur më se gjashtë dekada më parë në kërkim të lirisë dhe të mundësisë së shprehjes të shpirtit të tij artistik.
Të ftuar në Presidencë ishin personalitete të larta të artit dhe të kulturës në vend, kolegë, miq e të afërm të piktorit si i vëllai Aleksandër Delia, Ambasadori italian në vendin tonë, Saba D'Elia, nënkryebashkiaku i qytezës së Antrodokos, Armando Nikoleti, Arqipeshkvi Shkodër-Pult, Monsinjor Angjelo Masafra, Konsulli i Nderit i Republikes se Austrise ne Shkoder, Gjergj Leqejza dhe Anetari i Nderit te shoqates "Atdhetare-Dukagjini", Mjashtri Ndoc Gurashi, të cilët rrëfyen copëza nga jeta e Artistit të njësuar me vendlindje dhe komunitetin italian ku krijoi..
Lin Delija njihet si shok shkolle e mik me dy shqiptarë të tjerë të mëdhenj me françeskanin Zef Pllumi dhe basin e famshëm, Lukë Kaçaj, të cilët përshkuan ferrin komunist dhe mbërritën në pragun e demokracisë si dhe i përkrahur nga Ernest Koliqi krahas portreteve të bukurosheve, nudove, shenjtorëve dhe baladave të malësorëve ka shënjuar brenda kuadratit edhe portretet e personazheve të përndjekjes politike.
Gjatë ceremonisë zyrtare të dekorimit, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, zotit Aleksandër Delija, të vëllait të artistit të ndjerë, iu dorëzua nga Kryetari i Shtetit urdhri i lartë në nderim, vlerësim dhe mirënjohje të thellë për veprimtarinë e tij me vlera të rralla artistike e krijuese.
***
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Topi u shpreh:

"Shkëlqesia Juaj, Ambasadori D'Elia,
Të nderuar familjarë të piktorit Lin Delija,
I nderuari përfaqësues i Bashkisë së Antrodokos,
Të nderuar miq,
Zonja dhe Zotërinj!
Natyrisht, jemi mbledhur në këtë ceremoni sot për të nderuar një nga ato figura, për të cilat ne, me të drejtë krenohemi, Lin Delinë, njërin prej piktorëve më origjinalë bashkëkohorë shqiptarë, është njëkohësisht edhe më i veçanti për fatin dhe për aktivitetin e tij. Ai i ka munguar shumë gjatë Shqipërisë, si bir dhe shprehës gjenial i etosit dhe i shpirtit shqiptar. Më në fund ai po kthehet nga rrugëtimi i nisur më se gjashtë dekada më parë në kërkim të lirisë dhe të mundësisë së shprehjes të shpirtit të tij artistik.
Lin Delija u rrit dhe u edukua në vatrën e arsimit shqiptar, në bankat e liceut "Illyricum", në shkollën aty ku u mbush me frymën e një patriotizmi të shëndoshë, me vlerat shpirtërore dhe njerëzore, të cilat lakoheshin natyrshëm me arritjet e kulturës perëndimore. Mësimet e etërve françeskanë, binomin e tyre "Atdhe e Fe", ai nuk e harroi asnjë çast gjatë jetës së tij, madje malli për dheun e vet e shoqëroi dendur në të gjithë krijimtarinë e tij artistike.
Kudo që jetoi dhe punoi, në Zagreb, në Romë, në Osimo apo në Antrodoko – peneli i tij nuk reshti së shprehuri lidhjet e natyrshme me tokën e vet, rrënjët e paprera me vendlindjen dhe ëndrrën e pashuar për një Shqipëri të lirë dhe demokratike.
Lin Delija vërtet ishte një piktor që realizoi portrete, skena, peizazhe të përjetshme, por me aq sa kemi mësuar deri tani për jetën e tij, ishte edhe mbajtësi i një porosie atdhetare, intelektuale e shqiptare që e mori me vete në arrati në botën e lirë. Me tërheqjen në qytetin e vogël të Antrodokos, që ndodhet në rrugën e vjetër që niset nga Roma drejt Adriatikut, ai sikur konceptoi jo vetëm ëndrrën e kthimit në atdhe, por edhe vatrën, faltoren dhe altarin e shqiptarëve të lirë. Ne sot prekemi dhe biem në mendime kur mendojmë që studion e tij e ka vizituar Nënë Tereza, bile mesa dimë, është unikal rasti që Nënë Tereza pozoi për të vetmin piktor, dhe ky është Lin Delija.
Kjo i bën nder Lin Delisë, por natyrisht edhe ne të gjithëve. Kudo në artin e tij ndihet bashkëvënia e natyrshme e modernes krahas tradicionales. Një aurë e shenjtë rrethon shumë tablo, aq sa personazhet biblike shndërrohen në malësorë që nuk epen para së keqes, por flijohen për njerëzimin.
Emocione të mëdha na ngjallin figurat e martirëve antikomunistë apo të nënave të përlotura, të heronjve të mitologjisë sonë dhe të njerëzve të thjeshtë që ai pikëzon në veprat që na la.
Lin Delija ka marrë kudo me vete Shqipërinë e tij!
Që kur jam njohur pjesërisht me veprën e këtij piktori, më ka bërë përshtypje mjedisi që ai krijon. Ai është i mbushur me elementë shqiptare plot shenja intime të veshjeve, detajeve etnografike dhe vetë fytyrave karakteristike. Gjithkund, në rrugëtimin e gjatë ka marrë me vete edhe kujtesën e kombit! Ai u bë trashëgues i saj me penelin e tij duke ia përcjellë edhe së ardhmes! Delija është në krah të martirëve të historisë epike e në krah të atyre të historisë moderne, që ndesheshin me barbarinë e komunizmit. Arti i tij është një "peng nderimi" ndaj veprës së tyre të lartë dhe të paharrueshme.
Pak ditë më parë mësova se piktori shkodran Lin Delija ishte shok shkolle e mik me dy shqiptarë të tjerë të mëdhenj: me françeskanin Zef Pllumi dhe basin e famshëm, Lukë Kaçaj, të cilët përshkuan ferrin komunist dhe mbërritën në pragun e demokracisë, duke sjellë me vete autoritetin e tyre moral dhe duke mbetur si vlera në testamentin shpirtëror që brezat i dorëzojnë së nesërmes së kombit tonë. Këtyre dy figurave, në lartësitë e panteonit të atdheut, si "Nder i Kombit", sot i bashkohet edhe i madhi Lin Delija.
Të dashur miq,
Padyshim, në emër të bashkëkombasve të mi, unë kam kënaqësinë dhe detyrimin moral të falenderoj nga zemra edhe vendin tonë mik, edhe popullin e tij, popullin italian, dhe në veçanti qytetin e Antrodokos dhe qytetarët fisnikë që me aq dashuri çmuan dhe strehuan, bashkëjetuan dhe ndanë vlerat së bashku me piktorin e madh, Lin Delija!
Sot mund të pohojmë me plot gojë se ky bir i Shkodrës, u bë bir në shpirt i Antrodokos, qytet që i zëvendësoi vendlindjen e humbur dhe dashurinë e njerëzve të gjakut të vet. Gjithashtu, një falenderim të veçantë personal, meriton zoti Nikoleti, ky misionar këmbëngulës dhe përhapës i vlerave të artit të të madhit Lin Delija.
Edhe njëherë, faleminderit!"
***
Ndërsa, zoti Aleksandër Delija, nga ana e tij, shprehu mirënjohjen për respektin e lartë dhe vlerësimin nga Presidenti i Republikës. "Faleminderit zotit President dhe atyre që kanë kontribuar për të dhënë këtë dekoratë për Lin Delinë, profesorin Lin Delija! Faleminderit të gjithëve që keni kontribuar me ardhjen këtu!" , – duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë e dekorimit.
Redaksia

KLUBI I MEDIES SHQIPTARE NE BUKURESHT

Pak histori për Klubin e Medies Shqiptare
Me nismën e Ambasadës se OSCE-se ne Tirane, sektori i medies, pas disa muajsh, me datën 27 janar 2010, ne hotel "Sheraton" u be ceremonia e nënshkrimit te aktit te themelimit te Klubit te Medies Shqiptare, me 12 anëtarë qe kane shprehur interes për te qene ne grupin e themelimit te këtij organizimi.
Ne ketë takim themelues, Ambasadori i OSCE-se ne Tirane, zoti Robert Bosch, përshëndeti këtë nisem, dhe pastaj u zgjodh Presidenti i Klubit te Medies Shqiptare, Pronari dhe drejtuesi i TV4 plus-Lushnjë, zoti Shkëlqim Bylykbashi. Mediet themeluese te këtij Klubi përfaqësohen me dy anëtar, te cilët janë Anëtaret e Këshillit te Nderit te Klubit dhe këta marrin vendimet përkatëse. Shoqata "Atdhetare-Dukagjini", përfaqësohet nga Kryetari i Shoqatës, zoti Ndue Sanaj dhe Kryeredaktori i gazetës "Dukagjini", poeti Lazer Kodra.
Me 1 mars 2010, anëtarët e Klubit janë takuar ne Fier dhe kane diskutuar mbi problematikat e secilës medie dhe mundësit e zgjidhjes se tyre.
Me 9 prill 2010, anëtarët e Klubit janë takuar ne Tirane dhe kane diskutuar mbi mundësit e rolit te Klubit, si dhe u zgjodh grupi Auditi, me kryetar pronarin e TV-Kruja, ekonomistin Ermir Kasmi.
Me mbështetjen e OSCE-se ne Tirane, përfaqësuesit e medies themeluese te këtij Klubi, me datën 16-21 maj 2010, beri nje vizite pune ne Bukuresht dhe ne Bastov te Rumanisë.
Pak për Republikën e Rumanisë.
Rumania është Republike Presidenciale. Presidenti është i zgjedhur drejtpërsëdrejti nga votat e popullit
Republika e Rumanisë, ka nje sipërfaqe prej 237 500 km2 dhe nje popullsi prej 22 300 000 banore. Ajo shtrihet ne verilindje te gadishullit te Ballkanit. Ne lindje laget nga deti i Zi, ne veri kufizohet me Ukrainën dhe Moldavinë, ne perëndim me Hungarinë e Serbinë dhe ne jug me Bullgarinë. Numrin me te madh te popullsisë e përbejnë rumunet, te cilët flasin nje gjuhe qe i përket grupit roman, neolatin. Ne Rumani jetojnë dhe pakica etnike. Me te shumte janë hungarezet te përqendruar ne Transilvani. Pakicat e tjera përbëhen nga romet, gjermanet, ukrainasit, ruset, turqit ... dhe shqiptaret.
Me masat e marra ne dhjetëvjeçarin e fundit ne përpjekje për anëtarësimin ne Bashkimin Evropian, janë krijuar kushtet e nevojshme për rritjen e nivelit ekonomik, me modernizimin e infrastrukturës, si: rruge, linja elektrike, e te tjera, dhe përdorimin e teknologjive te përparuara ne ndërmarrjet e ngritura nga shoqëritë e huaja.
Rumania është nje nga prodhuesit me te mëdhenj evropiane te grurit e te misrit. E zhvilluar është edhe blegtoria, sidomos rritja e deleve.
Zhvillimi i industrisë mbështet ne pasuritë e shumta minerale, si: boksiti, argjendi, magnezi, plumbi, bakri, rezervat e naftës dhe te gazit natyror.
Kryeqyteti është Bukureshti me 2. 5 milion banore se bashku me rrethinat, është qytet modern, qendër e madhe politike, industriale, tregtare, kulturore dhe arsimore.
Kronike nga vizita ne Bukuresht dhe ne Bastov
Përfaqësuesit e Klubit, Shkëlqim Bylykbashi-Presidenti i Klubit; anëtarët: Fatos Mihaili, Orjana Cenko, Gazmend Vogli, Ramazan Ringaj, Lutfi Meçka, Shkëlqim Hajno, Petrit Palushi, Petrit Demiraj dhe Ermir Kasmi, te drejtuar nga Ilze Straustina, specialiste ne zyrën e zhvillimit te medies ne prezencën e OSCE-se ne Shqipëri; Suela Kerxhaliu(Shala), asistente e larte ne zyrën e zhvillimit te medies, koordinatore ne prezencën e OSCE-se ne Shqipëri, me datën 16-21 maj 2010, beri nje vizite pune ne Bukuresht dhe ne Bastov, për te marre dhe shkëmbyer eksperience pune me Klubet e medies Rumune.
Vendosja u be ne hotel "Casa Victor" rreth orës 18.00 te datës 16 maj 2010. Hoteli ishte i kompletuar dhe personeli i tij ishte i kulturuar dhe me shume korrektësi u vunë ne shërbimin tone.
Me datën 17 maj 2010, ne orën e planifikuar, 11. 00 u takuam ne zyrën e shoqatës se pronareve te medieve lokale, me Drejtorin e programit te kësaj shoqate, zotin Christian Haits, i cili ne mes te tjerave na informoi: "... Kjo organizate është rikrijuar ne vitin 2004 me 15 gazeta lokale dhe ka filluar punën ne vitin 2005. Sot jemi 50 anëtar. Kjo organizate quhet "BRAT". Pas nje viti përpjekje për tu ulur me qeverinë, u ulem ne vitin 2006 për te marre reklamat, se ajo favorizonte disa medie, te cilat i manipulonte. Me pas ndryshoj situata. Shpesh bëjmë testim me popullatën për te përcaktuar se çfarë kërkon ajo qe te paraqitet ne medie, drejtimet edhe rubrikat e mundshme Gazetat lokale janë me tirazh me te shumte se ato qendrore, sepse janë me afër realitetit. ...".
Me datën 18 maj 2010, ne orën 11. 00-13. 00, u be takim me Klubin e Medies Rumune, ne ambientet e Radios Kombëtare Rumune "Radio Romania". Pritja u be nga përfaqësuesja e Presidentit te Klubit, zonja Marie Ursia me 5 bashkëpunëtor te Klubit. Ajo ne mes te tjerave, u ndal: "… Ky klub përbehej nga 18 radio, 1 editorial, 1 agjenci shtypi dhe 5 agjenci muzike. Vëmendja kryesore përqendrohet ne fushën ekonomike dhe legjislative, te cilat ne kohen e komunizmit nuk ishin bere. Ne nuk jemi monopol përfaqësimi te medies, por punojmë dhe bashkëpunojmë se bashku me organizata te fushës se medies se shkruar dhe visive. …". Pastaj, mendime u shkëmbyen mbi trysninë politike ndaj medieve, e cila është si ne Shqipëri dhe ne Rumani, por gazetaret duhet te jene me guximtare, sa me larg politikes dhe me te arsyeshëm ne trajtimin e çështjeve përkatëse. Mediet duhet t'u shmangen sa me shume shantazheve ndaj personaliteteve publike, se nuk janë te radha rastet qe kane ndodhur, ashtu si dhe politika nuk duhet t'u bej shantazhe medieve.
Ne orën 14. 00-16. 00, u be takim me personelin e KKRT-ja Rumune. Na priti Z/vendës Presidenti i KKRT-se, zoti Ioan Onisei, me Drejtorin teknik te digjitalizimit inxhinier Radu Teodore dhe anëtarin e KKRT-se zotin Gelu Trandafir. Ata, pasi na informuan mbi pune qe behet veçanërisht për digjitalizimin ne Rumani, fjalën e mori zoti Fatos Mihaili, pronari i TVAVN-Fier. Zoti Fatos, njohës i mire i problemit te digjitalizimit ne vendin tone, pasi i informoi mbi punën qe behet ne Shqipëri dhe problematikat qe janë, i falënderoi për transparencën e informacionit ne mes te dy palëve. Zoti Bylykbashi, ne mbyllje te këtij takim, tha: "… Rendësi ne mes palëve ka krijimi i klimës se besimit. Kjo klime tek ne është ne nivel te ulet, megjithëse pa probleme nuk është dhe këtu, pavarësisht se jeni shume përpara nesh. Problemet ne këtë fushe, si dhe ne fushat e tjera janë pak a shume kudo. Zoti Onisei, ne emër te grupit ju falënderoj për pritjen, gatishmërinë tuaj dhe informacionin qe na dhatë".
Me datën 19maj 2010, ne ora 11. 00-13. 00, takim me Z/presidentin e shoqatës se pronareve te medieve lokale dhe themeluesi i gazetës "Monitorul Expres", gazete rajonale, zoti Marius Stoianovici, ne Bastov, i cili na informoi: "... Ne ketë shoqate janë disa medie, për rrjedhoje janë disa pronar te medieve. Gazetat lokale dalin çdo dite ne 3-4 mije kopje dhe shiten deri ne 90 % e tyre. Rreth 50 % e gazetave janë me abonime. Edhe tek ne ka pasur probleme. Ka pasur raste qe prokuroria ka sekuestruar nja gazete dhe pronari u arrestua. Shoqata kërkoi informacion nga prokuroria, se ne analizën tone prokuroria nuk kishte te drejte, dhe vërtetë nuk kishte te drejte. Pronari i gazetës u lirua, gazeta filloi te dilte, por ra interesi për këtë gazete. Atëherë, pronari i saj u detyrua te largohet ne nje qytet tjetër dhe te hapi nje gazete te re".
Pastaj, vizituam nje Televizor "RTT-Radioteleviziunea Transilvania" dhe na priti pronari i tij, i cili na informoi mbi themelimin e këtij televizori dhe vijimësinë e funksionimit te tij, me problemet e zakonshme si te gjithë mediet e tjera. E veçante e tij ishte, se nje përqindje te mire te programeve i merrte nga TV Kombëtar sipas nje marrëveshjeje te caktuar dhe i jepte falas.
Me datën 20 maj 2010, ne ora 10. 00, bëmë nje takim ne qendrën për gazetari te Pavarur. Takimi u be me Drejtoren ekzekutive zonjën Ioan Avadani dhe Koordinatori ekzekutiv zoti Cezar Ion, te cilët na informuan: "... Mbi krijimin e klubit te medies se pavarur qe ne vitin 2004. Ne fillim bënim trajnimin dhe me vone e shtuan punën duke u marre me gazetari te pavarur për vetёrregullim; vijojmë bashkëpunimin me agjencinë e monitorimit te shtypit, me te cilin kemi mbi 10 vjet bashkëpunim. Kemi mbi 30 organizata qe kemi vendosur te vetërregullohemi ose te merremi me vetёrregullimin....".
Po, ne këtë date, me Presidentin i Klubit te medies Lokale, zoti Shkëlqim Bylykbashi; Kryetarin i shoqatës "Atdhetare-Dukagjini", zoti Ndue Sanaj; Pronarin e radios se Sarandës, zoti Shkëlqim Hajno dhe pronarin e TV "Klaudiana", zoti Gazmend Vogli, te shoqëruar nga përkthyesja zonja Ledia Muşat, u be vizita ne zyrën e Shoqatës "Lidhja e shqiptareve te Rumanisë". Na priti kryeredaktori i revistës, "ALAR" dhe përkthyesi i veprave te shkrimtari te madh shqiptare-Ismail Kadere, zoti Marius Dobresku. Zoti Marius na informoi për krijimin e kësaj organizate dhe rolin e saj për integrimin e shqiptareve deri ne strukturat me te larta te shtetit Rumune, siç ishte dhe Kryetarja e kësaj organizate, zonja Oana Manolescu, profesore dhe deputete për minoritetin shqiptar ne Kuvendin Rumune; mbajtjen e lidhjeve me vendin e te pareve te tyre dhe te tjera. Ajo, nxirrte revistën mujore te saj, botonte libra, fletëpalosje e te tjera. Organizata financohej nga shteti.
Përfundimi:
*Vizita e grupit te Klubit te Medies Lokale Shqiptare ishte i frytshëm. U fitua nje përvojë e mire, veçanërisht ne përcaktimin e problematikes se medies; ne përcaktimin e rregullave te bashkëpunimit ne mes anëtarëve te organizatës, te ndihmës ndaj njëra tjetrës dhe te masave qe mund te merren ne rast se anëtari i organizatës shkel rregullat e përcaktuara te funksionimit te saj. U be qarte, se pavarësisht nga qenia e tyre përpara nesh ne konceptim dhe funksionim te organizatës se medies, problemet e medies ne vendin tone janë po te thuash te njëjta, por ne nivele te tjera. Pra, e rëndësishme është përcaktimi qarte i rregullave te funksionimit te organizatës, te marrëdhënieve ne mes bashkëthemeluesve te kësaj organizate, korrektësia ne zbatimin e tyre, ne mes tyre dhe me te tretet, si dhe krijimi i klimës se besimit. Pa përcaktimin e këtyre rregullave dhe korrektësinë e zbatimit te tyre, organizata nuk mund te funksionoje, nuk mund te veterregullohemi.
* Kudo ndjehej shteti, rregulli, edukata qytetare, kultura. Për ketë, mund te jap disa shembuj te thjeshte: Nuk kishte taksi te pa liçensuar! Ne rrugën e hotelit tone, punohej ... Pas, punës nuk lihej asnjë grumbull me mbeturina. Gjithë vendi pastrohej dhe fshihej me fshese. Asnjëherë nuk na takoi te fshinim këpucët. Bukureshti ishte i gjelbëruar aq sa nuk mund ta shprehim me fjale, se ishin hapësira te tera me gjelbërim. Udhëtuam mbi 4 ore me tren për ne Bastov dhe nuk pame ndonjë pyll te dëmtuar. Ne qytete nuk ishin ndërtuar kioska, nuk ishin te dëmtuar pasuria dhe objektet e sistemit te kaluar, por ato shfrytëzoheshin ne te mire te publikut, ne te mire te shtimit te të ardhurave te popullit, siç vizitohej "Pallati i Popullit", për te cilin Kryeredaktori i revistës se miqësisë Rumani-Shqipëri, zoti Marius Dobresku, na tha: "Vetëm i popullit nuk ka qene kurrë!" Ne qendër te qytet te Bukureshtit ishte objekti karakteristik i këtij qyteti, qe quhej "Harku i triumfit", simboli i fitores, i cili ishte jo larg sheshit te Sharl De Golit, qe tregonte se Rumania e veçanërisht Bukureshti është ndërtuar ne baze te arkitekturës romane. Ketë e shikoje, po te thuash ne te gjitha ndërtesat e ndërtuara me pare.
Nga Ndue SANAJ

SE BASHKU PER MBROJTJEN E MJEDIST

Komisioni Drejtësi dhe Paqe i Evropës dhe komisioni Drejtësi dhe Paqe ne Shqipëri, me datën 28-29 maj 2010, ne fshatin e Paqes, organizoi "Konferencen Ndërkufitar për Mjedisin". Ne ketë Konference morën pjese: Shoqata te ndryshme qe punojnë ne Qarkun Shkodër, veprimtar te mjedisit, drejtues se besime fetare te ndryshme, e te tjerë. Ne ketë takim, mori pjese Presidenti i Komisionit Evropian Drejtësi e Paqe, Monsinjor Gerard Defols; Presidenti i Komisionit për Drejtësi e Paqe ne Shqipëri, Monsinjor Angelo Massafra; Ndihmësi i Myftinise Shkodër, zoti Fejzi Zaganjori dhe te tjerë. Takimi u monitorua nga Sekretari i Komisionit për Drejtësi e Paqe ne Shqipëri, zoti Luigj Mila.
Ne ketë takim u referuan disa tema mjaft te rëndësishme, si: "Nje mjedis i pastër, si e drejte universale", i mbajtur nga profesor Gianmarco Proietti, ne komisionin Italian Drejtësi e Paqe; "Edukimi mjedisor, nje hap i rëndësishëm për mbrojtjen e tij"", i mbajtur nga Donika Meshi; "Mjedisi, mundësi e bashkëpunimit ndërkufitar-iniciativat dhe eksperiencat Ballkanike"", e lexuar nga Klodiana Shytani; "Trajtimi i mjedisit nëpërmjet Ungjillit", i mbajtur nga Anton Benusi; "Nje mjedis i pastër, faktor kryesor për zhvillimin e turizmit ne alpet shqiptare", i mbajtur nga Luigj Shyti-biolog, aktivist i "Parkut te Paqes i Ballkanit". Gjate këtyre dy ditëve, ne mjedisin e fshatit te Paqes u be nje vizite e udhëhequr nga profesor Ahmet Osja. Vizita ishte shume interesante. Ne atë mjedis ishin rreth 460 lloje te ndryshme bimësh, te cilat janë mjaft te dobishme për mjedisin, për jetën e njeriut, si dhe nenkujdesin e profesor Ahmetit do te vijoj mbjellja dhe rritja e bimëve te tjera. Gjithashtu, u be nje vizite ne kalanë "Rozafat", ne te cilin pjesëmarrësit u njohën me historinë e kalasë ne veçanti dhe ne tërësi me historinë e qytetit Shkodër, e cila është mjaft e gjere dhe me interes. Ne fund te ditës se dyte, ne baze te diskutimeve ne grupe, nga kjo Konference u duel me nje deklarate, si me poshtë:

DEKLARATE

Ne, Arqipeshkvia Mertropolitane Shkodër-Pult, Komisioni Drejtësi dhe Paqe i Shqipërisë, institucionet shtetërore, OJF që veprojnë në fushën e mjedisit, te të drejtave të njeriut dhe të edukimit për paqe si dhe përfaqësues të komisioneve të ndryshme Drejtësi dhe Paqe të Evropës, të mbledhur me date 28 - 29 Maj 2010, në Fshatin e Paqes Shkodër, Shqipëri në një Konferencë ndërkufitare 2-ditore për mjedisin të titulluar "Së bashku për mbrojtjen e mjedisit", të nxitur nga mesazhi i Shenjtërisë se Tij Papa Benedikti XVI, shpallur në Ditën Botërore të Paqes i cili titullohet "Nëse dëshiron të kultivosh paqen, mbro krijesën",
deklarojmë:
* Zgjedhja e "Fshatit të paqes" për realizimin e kësaj konference pati si qëllim të shfrytëzoje funksionin praktik dhe mundësitë e jashtëzakonshme infrastrukturore që ky mjedis ofron. Nga ana tjetër simbolika e kësaj Qendre e cila ka vite që pret dhe përcjellë organizata, institucione, misione dhe individë të ndryshëm nga Shqipëria dhe më gjerë, të cilët mblidhen në këtë ish kazerme ushtrie për të kontribuar në drejtim të paqes në Shqipëri dhe sidomos në rajonin e Ballkanit, aq shumë të trazuar nga luftërat dhe konfliktet gjatë shekullit të kaluar.
* Edhe Shqipëria si mikpritëse e këtij takimi ruan në vetvete një simbolikë të veçantë. Ajo është një vend i vogël, pjesë e vendeve të Lindjes, e cila ka vuajtur nga pushtimet e gjata dhe nga diktaturat e egra. Një vend i vogël me pasuri të mëdha historike, kulturore dhe sidomos mjedisore. Vend i cili po synon me këmbëngulje për t'u bërë pjesë e Evropës së Bashkuar, pjesë së cilës i përket.
* Shqipëria po ashtu është një model i marrëdhënieve, i bashkëpunimit dhe mirëkuptimit në mes të komuniteteve, besimeve, sekteve dhe racave. Si në asnjë vend tjetër në botë këtu bashkëjetojnë në mënyrë të shkëlqyeshme tri besime të ndryshme fetare. Ai katolik, mysliman dhe ortodoks. Dëshmi e kësaj ishte pjesëmarrja në këtë konferencë i përfaqësueseve të këtyre besimeve.
Shqipëria po tregon se është faktor i rëndësishëm edhe në marrëdhëniet ndërkufitare dhe në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të përbashkëta.
* Një shembull konkret është projekti i Parkut të Paqes i Ballkanit i cili përfshin tre vende ndërkufitare; Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën, të cilat kanë një të përbashkët. Ato ndajnë të njëjtat alpe të cilat përmbajnë në vetvete bukuri dhe pasuri të papërsëritshme natyrore. Ky projekt ka për qëllim jo vetëm të mbrojë dhe promovojë vlerat mjedisore të zonave të përbashkëta ndërkufitare, por sidomos t'i përdori këto zona për të rritur bashkëpunimin e ndërsjellë, me qëllim që t'i shërbehet zhvillimit, përparimit dhe bashkëjetesës paqësore.
* Kjo bëhet edhe më e rëndësishme po të kemi parasysh se qëllimi jonë i përbashkët është arritja e një paqeje shpirtërore mes qenies njerëzore dhe mjedisit, njeriut me njeriun dhe njeriut me krijuesin, pasi kjo do të ndikonte edhe në marrëdhëniet ndërmjet kombeve të ndryshme.
* Natyra nuk është e jona, ne jetojmë në të, si rrjedhojë ne duhet të kujdesemi për të, pasi ne nuk duhet vetëm ta shfrytëzojmë natyrën duke përfituar më shumë se ç'na nevojitet dhe duke harruar se ajo nuk është vetëm e jona por edhe e brezave pasardhës.
* Respekti për natyrën do të thotë respekt për vetveten për personat e tjerë që na rrethojnë, brezat e ardhshëm por veçanërisht për Atë që na e mirëbesoi natyrën, me Krijuesin.
* Ne konstatojmë me kënaqësi se Shqipëria ka arritur t'i shpëtojë dëmtimit drastik të vlerave dhe pasurive mjedisore, dhe kjo falë kontributit të institucioneve dhe organizatave të ndryshme, qofshin ato qeveritare dhe joqeveritare, përfshirë këtu sidomos ato fetare si dhe strukturat e tyre. Po ashtu ne konstatojmë se zhvillimin i vrullshëm i vendit, mund të çojë në dëmtimin serioz të mjedisit gjë që do të kishte pasoja të pariparueshme pasi do të shkaktonte jo vetëm zhdukjen e specieve të rralla por sidomos do të kishte efektin negativ në drejtim të zhvillimit të vendit, pasi kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në ngadalësimin e turizmit si njëra nga burimet kryesore të këtij zhvillimi.
* Ne gjithashtu mendojmë se një bashkëpunim i mirë në mes të vendeve të ndryshme ndërkufitare do të ndikonte në sensibilizimin e qeverive, organizatave dhe individëve të ndryshëm për mbrojtjen e mjedisit.
* Me anë të kësaj deklarate ne dëshirojmë gjithashtu të nxisim drejtuesit e institucioneve evropiane, entet dhe organizatat e ndryshme humanitare, komunitetet fetare, qeveritë dhe institucionet e shteteve përkatëse që ta vlerësojnë me tepër mjedisin dhe natyrën pasi ajo na është dhënë për ta përdorur dhe jo për të abuzuar me të.
* Ne pjesëmarrësit e kësaj konference mendojmë se takime të tilla mund dhe duhet të shërbejnë një qëllimi të vetëm mbrojtjes së mjedisit si një nga dhuratat më të çmuara të Zotit, e cila do t'i trashëgohet brezave të ardhshëm dhe pa të cilën jeta në tokë nuk do të ekzistonte.
Fshati i Paqes, Tarbosh-Shkodër, më 29 Maj 2010
Nga Luigj Mila, Roza Pjetri

DY POPUJ, NJË DET, NJË MIQËSI

Ne kuadrin e 19 vjetorit te krijimit te shoqatës se Miqësisë dhe bashkëpunimit Shqipëri-Itali dhe 5 vjetorit te krijimit te degës ne Shkodër, me datën 23 prill 2010, ne kinemanë e qytetit organizohet nje takim festiv, me pjesëmarrjen e anëtarëve te shoqatës dhe degëve te saj ne pjesën Veriore te vendit, nen përkujdesjen e Presidentit te shoqatës, zotit Nikolle Lleshi dhe kryetarit te degës Shkodër, zotit Martin Çetina. Mori pjese: Kryetari i komitetit te veteraneve te LANÇ-dega Shkodër, Qemal Llazani; Kryetari dhe sekretari i shoqatës "Atdhetare-Dukagjini, Ndue Sanaj e Luigj Shyti; nxënës te shkollës se gjuhëve te huaja, me drejtor Kole Shiroka; nxënës te shkollës se artistike "Preke Jakova", me drejtor Paulin Selimi; intelektual dhe personalitete te fushës akademike te qytet, si: Mjeshtri Ahmet Osja, Nderi i Akademisë se Shkencave te R. Shqipërisë; zonja Keti Bazhdari ish kryetarja e emergjencave ne periudhën e përmbytjes se fshatrave ne jug te qytetit Shkodër, nje nder biznesmenët e suksesshme ne Shkodër; Kryetari i komunës Milot, Vlash Gega.
Nderim i veçante ju be këtij takim festiv, pjesëmarrja e delegacionit te qytetit Fermos te Italisë, i kryesuar nga Saturnino Diruscho, Kryetari i kësaj komunës dhe zoti Nebi Muçaj, kryetari i shoqatës "Skënderbeu" ne Itali, me nje veprimtari te ndërsjellte ne mes te dy shoqatave tona.
Fjalën e rastit e mbajti, kryetari i degës Shkodër, Martin Çetina, i cili pasi ju uroj mirëseardhjen te gjithë te pranishmeve dhe ne veçanti delegacionit nga qyteti Fermos te Italisë, solli para te pranishmeve arritjet e shoqatës ne tërësi dhe ne veçanti te degës Shkodër.
Pastaj, përshëndeti Presidenti i shoqatës, zoti Nikolle Lleshi; Kryetari i komunës Fermos dhe ne te njëjtën kohe kryetari i shoqatës "Skënderbeu" te Italisë.
Me pas, te pranishmit ndoqën nje shfaqje artistike te dhenë nga nxënësit e shkollës artistike "Preke Jakova", nen drejtimin e mësueses Violeta Bajraktari dhe te grupit folklorik nga Kurbini. Ne veçanti, entuziazmoi te pranishmit këngëtarja e mirënjohur Mukades Çanga, si dhe këngëtaret e rinj Dorina Garuci, Nimet Leka, dueti Adelina Corri e Mark Vata. Ne këtë shfaqje artistike u interpretuan dhe këngë italiane.
Pjese e kësaj veprimtarie ishte dhe paraqitja e punimeve te piktores se talentuar Kristina Çetina, nxënëse ne vitin e III te shkollës se mesme, fituese tre here e çmimeve kombëtare ne konkurrimin e talenteve te reja, si dhe është vlerësuar me diplome nga nje konkurrim ne Portuali.
Ne përfundim te veprimtarisë, kryetari i këshillit te kulturës se shoqatës kombëtare, paraqiti nxjerrjen e revistës nr. 2 "Miqësia Shqipëri-Itali", periodik i kësaj shoqate. U shpërndan dhe disa tituj nderi, dhenë nga kryesia, veprimtareve me te dalluar ne punën e shoqatës.
Pak histori mbi jetën e shoqatës se Miqësisë Shqipëri-Itali
Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Itali u krijua ne vitin 1991 ne Vlore, e cila punoi deri ne vitin 1997 dhe ne këtë vit ndërpret veprimtarinë e saj, se vendi u destabilizua.
Ne vitin 2001, me nismën e Nikolle Lleshit, nga qyteti Laç, rrethi Kurbin, ne bashkëpunim me krijuesit e pare ne Vlore, bën riorganizimin dhe njohjen ligjore te saj, ne gjykatën e nivelit te pare te rrethit gjyqësor Tirane. President i shoqatës u zgjodh zoti Nikolle Lleshi.
Ne fillim te vitit 2006, mbi bazën e statutit te shoqatës mbare kombëtare, nje grup nismëtaresh krijuan degën e kësaj shoqate ne Shkodër, me kryetar zotin Martin Çetina; zëvendës zotin Gjergj Ujka dhe Sofie(Syka) Çarku, dhe sekretar zotin Bledar Çetina. Sot, janë dege ne Lezhe, Puke dhe ne Malësi te Madhe.
Ne muajin prill 2006, ne qytetin Laç, rrethi Kurbin, festohet 5-vjetori i rikrijimit te shoqatës mbare Kombëtare te Miqësisë Shqipëri-Itali, ne te cilën morën pjese dhe degët e saj. Me këtë rast u hap ekspozita me punimet e piktores Brunilda Lekunda, te cilat ishin mjaft tërheqëse, sepse ishin shume aktuale.
Ne muajin tetor te po atij viti, dega e shoqatës ne Shkodër, zhvillon konkursin e poezisë italiane, ne kinemanë e qytetit, ne te cilën morën pjese nxënës e student te shkollave: Gjuhet e huaja, shkolla e
mesme Lezhe e Koplik. Kryetar jurie ishte zoti Kole Shiroka. Vendin e pare e zuri shkolla e mesme e Koplikut, e drejtuar nga mësuesi Nush Smakaj.
Ne kuadrin e marrëdhënieve e bashkëpunimit ne mes shoqatës se Miqësisë Shqipëri-Itali dhe asaj "Skënderbeg" ne Itali, ne vitin 2007, nje delegacion i shoqatës mori pjese ne vendosjen dhe inaugurimin e bustit te Heroit tone Kombëtar, Gjergj Kastrioti ne komunën e Fermos. Ne përbërje te këtij delegacioni ishte dhe zoti Martin Çetina e Leke Zelna.
Ne vitin 2008, ne shtëpinë e Ushtarakeve te qytetit Shkodër, zhvillohet simpoziumi, me teme: "Vlerat turiste te rrethit Shkodër".
Ne vitin 2009, ne prag te festive te 28-29 nëntorit, ne komunën e Fermos japim shfaqje artistike me këngëtar nga Veriu i Shqipërisë, ne mes se cilëve ishte dhe Artistja e Merituar, Liri Rasha.
Nje kontribut te çmuar ne jetën e shoqatës kane dhenë dhe vijojnë te japin vëllezërit Muçaj. Kryetari i shoqatës "Skënderbeg" ne Itali, zoti Nebi Muçaj, mik i shoqatës sonë, këtë vit vjen dy here ne qytetin tone, duke dhenë kontribut te çmuar ne zbutjen e pasojave te përmbytjes te nje pjese se qytetit dhe te komunave dhe te fshatrave ne jug te qytet Shkodër.
Kryesia e shoqatës gjate jetës dhe veprimtarisë, ka vlerësuar punën e anëtarëve dhe te bashkëpunëtoreve te saj. Për këtë ka dhenë tituj nderi e mirënjohje, si: Kryetarit te zyrës se Konsullatës Italiane ne Shkodër, zotit Stefano Markuccio dhe zëvendësit te tij, zotit Nikola Portali. Këta, me propozim te shoqatës, nga Këshilli i komunës se Kastratit ju është titulli "Qytetar Nderi" i Komunës. Gjithashtu, janë dhenë tituj nderi zotërinjve: Filip Guraziu, Kole Shiroka, Sokol Kodra, Nikolle Çetina, Gjovalin Veshti dhe Keti Bazhdari.
Shoqatës se Miqësisë Shqipëri-Itali, i urojme suksese te mëtejshme ne forcimin e miqësisë midis dy popujve, duke u bazuar ne sloganin: DY POPUJ, NJË DET, NJË MIQËSI!
Nga Gjergj Çuni

SHKRIMTARI NGA GJAKOVA

Shkrimtari Tahir Bazhani lindi me 17 maj 1947 në fshatin Smolicë, Rekë e keqe, komuna e Gjakovës, Kosovë. Shkollën fillore e mbaroj në fshatin Ponoshec, të mesmen në Gjakovë. Në vitin 1972/1974 mbaroj studimet në SHLP "Bajram Curri" në Gjakovë, dega Gjuhë e Letërsi shqipe. Bezhani qysh herët filloi të merret me shkrime e posaçërisht me poezi.
Bashkëpunoi aktivisht me gazetën "Ardhmëria" që e botonin studentët e SHLP-ke "Bajram Curri" në Gjakovë, duke botuar poezi e prozë, bashkëpunoi edhe me gazetën "Rilindja" të Prishtinës dhe Radio-Gjakova. Jeton, krijon dhe punon në Gjakovë.

Veprat qe ka botuar

- "Koha lind Vigaj", monografi
- "Përplasje kohe", poezi
- "Pëlcitje e vonuar" poezi
- "Rapsodët e Rekës se Keqe", monografi
- "Shkolla Shqipe në Rekë të Keqe", monografi
- "Smolica bastion i lirisë", monografi
- "Frymëzim në errësirë", poezi

FRYMËZIM NË ERRËSIRË

Vepra poetike "Frymëzim në errësirë" konsiderohet se është vepra më e kompletuar dhe më e avancuar në kuptimin e shprehjes politike në opusin e tij si krijues. Këto poezi kanë burimin në thellësinë e katarzës tij dhe në mënyrë më besnike shprehet egoja e tij. Rrathët e jetës nuk kalohen pa lënë gjurmë, prandaj ato gjurmë krijuese i ndjen më mirë se askush tjetër. Për këtë arsye poezia pasqyron botën e brendshme të poetit dhe rrethanave e përjetimeve që i ka përjetuar autori. Nuk mund t'iu ikë situatave krijuese, ato reflektohen nga ndjenjat e brendshme dhe sit ë tilla përfshijnë periudha të caktuara kohore. Nuk ka poezi të mirëfilltë, nëse nuk e ka përjetuar nga thellësia e shpirtit, nga sinqeriteti, nga parimi i dhembjes i ngrohtësisë njerëzore. Për këto fakte poezia të lë pa gjumë ditë e natë, sepse gjithnjë je në luftë….. Për më shumë e ka fjalën lexuesi i nderuar tek lexon vëllimin e arritur poetik "Frymëzim në errësirë".
Nga Ibrahim HAJDARMATAJ

KEVIN

Nena 26 vjeçare i rrinte tek kryet djalit te vet, i cili vuante nga sëmundja e rende e leukemisë, ne krevatin e vdekjes.
Megjithëse zemra e saj ishte mbushur plot me trishtim, ajo e kishte akoma ndjenjën e vendosmërisë. Ashtu si çdo nene, edhe kjo kishte dëshirën e saj qe djali te rritej dhe te behej dikush.
Tani ishte e pamundur. Atë do ta vendoste leukemia. Dhe, megjithatë, ajo ëndërronte ende qe ëndrrat e djalit te saj te bëheshin realitet.
Nje dite, ajo ja mori dorën djalit te shtrire ne krevat dhe e pyeti: "Kevin, a ke menduar ndonjëherë se çfarë do te bëhesh kur te rritesh? A ke ëndrra dhe dëshira, se çfarë do te bësh me jetën tende?
"Mama, gjithnjë kam ëndërruar qe te bëhem zjarrfikës, kur te rritem", - i tha djali.
Nena i buzëqeshi dhe i tha: "Le te shikojmë nëse do te mund ta plotësojmë dëshirën!"
Atë dite, disa ore me vone, ajo shkoi tek reparti i zjarrfikëseve Phoenix, Arizona dhe u takua me shefin e zjarrfikëses, Bob, i cili kishte nje zemër po aq te madhe sa Phoenix. Ai e pranoi dëshirën e fundit te djalit te sëmurë për vdekje.
Bobi tha: "Ne mund te bëjmë edhe me shume për djalin tuaj. Nëse ai është ne gjendje qe te vije te mërkurën ne mëngjes këtu dhe te qëndrojë tere ditën, do ta bëjmë "Zjarrfikës nderi" te repartit tone te zjarrfikësve. Ai do te qëndrojë ne grupin e gatishmërisë, do te haje me ne dhe do te marre pjese ne urgjencat e mundshme. Nëse do na jepni përmasat e trupit te tij, do ti porosisim uniformen e zjarrfikësit, jo prej lodrash, por tamam si tonën, me gjithë çka qe i duhet nje zjarrfikësi".
Tri dite me vone, Bobi e mori djalin ne repartin e zjarrfikësve, e veshi me uniforme dhe i vuri emblemën "Zjarrfikësi Phoenix". Djali gjashtëvjeçar, nga krevati i vdekjes, tani ishte nje zjarrfikës i "vërtetë", i cili po inspektonte tekniken moderne te fikjes se zjarreve dhe po priste qe te binin sirenat e alarmit dhe te nisej ne luftën kundër zjarrit. Ai kishte kapur qiellin me dore. Atë dite pati tri shërbime urgjence dhe Kevin mori pjese ne te tria. A udhëtoi ne makina te ndryshme zjarrfikëse, ne autoambulance, madje dhe ne makinën e shefit te tij. Ai edhe u filma ne "heroizmat e tij" ne luftën kundër zjarrit. Lumturia qe i solli realizimi i ëndrrës se tij për tu bere zjarrfikës, e beri te jetonte edhe tre muaj, jashtë te gjitha parashikimeve te mjekeve.
Nje nate, ne spital, gjendja e tij u keqësua aq shume sa mjeku njoftoi menjëherë prindërit qe te paraqiteshin ne spital. Pastaj, mjekut ju kujtua dita kur Kevi ishte ne repartin e zjarrfikësve dhe i telefonoi shefit Bob dhe ju lut qe te dërgonte nje zjarrfikës te veshur me uniforme tek Kevin, ne spital. Bobi ju përgjigj: "Do te bëjmë diçka ende me te mire. Për pese minuta jemi aty. A mundeni te me bëni nje te mire? Kur te dëgjoni sirenat tona te alarmit dhe te shikoni dritat e ndezura, te njoftoni nëpërmjet qendrës se zërit se nuk ka rast zjarri ne spital. Është vetëm ekipi i zjarrfikësve qe dëshiron te shikoje, ndoshta për here te fundit, kolegun e tyre Kevin. Dhe ju lutem, hapni dritaren e dhomës se tij. Ju faleminderit!"
Pa u bere ende pese minuta, nje kamion me shkalle, ishte poshtë dritares se Kevin ne spital, ne te cilën u ngjiten 15 zjarrfikës dhe dy zjarrfikëse, dhe u futen nga dritarja e dhomës se Kevin, ne katin e trete te spitalit. Me lejen e mamasë, e përqafuan djalin dhe i thane se sa shume e donin.
Kevin, me frymën e fundit, i hodhi nje sy shefit dhe i tha: "Jam unë tani me te vërtetë nje zjarrfikës? "Kevin, ti je nje zjarrfikës i vërtetë", ju përgjigj ai. Nga kjo përgjigje, Kevin buzëqeshi lehte dhe mbylli sytë për here te fundit.
Nga Kack Canfield dhe Mark V. Hansen / Përkthyer nga gjermanishtja, Leke Imeraj.

Midis Shqiptarëve në Itali

Si shumë shqiptarëve të tjerë që kanë të afërmit e tyre në Itali, nga dëshira për ti parë ata, për të vizituar këtë vend fqinj, për të cilin më tepër kishim dëgjuar apo lexuar megjithëse kemi edhe pjese të historisë së përbashkët, mu dha mundësia që të kaloj disa ditë në gadishullin e Apenineve.
Lidhja midis Italisë e Shqipërisë, mori tjetër kuptim e te tjera përmasa në dy dekadat e fundit. Në fillim të viteve `90 në brigjet Italiane zbarkuan me mijëra shqiptarë, të cilët braktisën atdheun e tyre duke vënë në rrezik jetën të shtyrë nga dëshira për një jetë më të mirë nga ajo që kishin pasur nën regjimin komunist tashmë të rrëzuar. Kjo dukuri vazhdoi për shumë vite ku sot pothuajse nuk ka zonë as qytet që mos të ketë shqiptarë ndër të cilët edhe shumë dukagjinas. Sigurisht që nuk gjetën fushë me lule siç ishte propaganda e asaj kohe. Përkundrazi, kaluan një rruge plote vështirësish ku të dhemb zemra kur ti tregojnë sot edhe pse kushtet i kanë shumë më të mira. Italianët jo të gjithë u treguan mikpritës me ta. Harronin se ishin vetë italianët që kishin emigruar me miliona nga Italia në SHBA apo në Amerikën e jugut apo me qindra-mijëra pas luftës së dytë botërore në shtet të tjera të Evropës më të zhvilluara, të cilët trajtoheshin si "kafshë", që kriminalizoheshin për çdo gjë që ndodhte në vendet që ishin vendosur. Megjithatë, shumë italianë shfaqën shenja raciste, dukuri të cilën e kishin demonstruar edhe më përpara midis vetë italianëve, sepse me kohë kishte pasur migrim nga jugu në veri të Italisë. Dikur italianët skandalizoheshin kur merrnin vesh sesi amerikanët apo francezët kishin trajtuar emigrantët italiane dhe nuk reflektuan asnjëherë seriozisht mbi reagimet qe mund të kishin vetë në situata të ngjashme në vendin e tyre. Në vitin 2002, Gian Antonio Stella ka shkruar një libër me titull "Hordhia" ku gjëja më tronditëse janë disa kronika të gazetave amerikane të fillim-shekullit të kaluar, ne te cilat po të ndërrohet "Italian" me "Shqiptar", mund të thuash i sigurte se janë shkruar në Itali në dekadat e fundit për shqiptarët.
Me gjithë vështirësitë e fillimit, shqiptarët duke qenë shumë vital mundën të mbijetojnë, nga viti në vit jeta e tyre pati përmirësime, pranuan të bëjnë gjithfarë punësh duke arrite deri në ditët e sotme ku pjesa më e madhe sot, duke përfshirë edhe dukagjinasit, bëjnë një jetë normale si çdo Italian. Duke jetuar midis tyre i kupton ndryshimet që kanë bërë, aq më tepër kur një pjesë i ke njohur para se të merrnin rrugët e emigrimit dhe kështu je në gjendje të bësh edhe krahasimin. Kudo sheh se sa mirë janë integruar në jetën urbane e rurale italiane, me një gjuhë të pastër si komuniteti autokton, në të folur dhe të shkruar. Pjesa më e madhe i kanë vënë vetes detyrë që gjuhën e nënës t`ua mësojnë fëmijëve në radhë të parë sepse italishten s`kanë ku të vejnë pa e mësuar. Takova një çift të ri dukagjinas, të dy me shkollë të lartë, të cilët sapo ishin bërë prind dhe, që tani kishin menduar si të ja mësojnë shqipen fëmijës së tyre, dhe që tani kishin siguruar edhe literaturën e duhur për këtë punë. Ekzistonin të dy anët e medaljes: takoje fëmijë që sapo kishin hedhur hapat e parë, si Angjela 2 vjeçare, që kishe kënaqësi të dëgjoje shqipen nga goja e saj, por kishte edhe fëmijë në prag të adoleshencës që nuk dinin asnjë fjalë shqip apo nga ata që kishin filluar ta harrojnë. Për këta të fundit, faji është vetëm i prindërve të tyre. Është më lehtë për t'ju mësuar fëmijëve gjuhën shqipe sesa të gjithë të afërmve të tu gjuhën e vendit ku ti jeton përkohësisht. Si njeri i sferës së arsimit, një interesim të veçantë pata për ecurinë e fëmijëve shqiptare në shkollat italiane, ku mu dha mundësia që disa ti shoh edhe nga afër dhe mora informacion relativisht të plotë. Ishte kënaqësi kur dëgjoje se nxënësit dhe studentët shqiptarë në të gjitha nivelet e arsimit të shtetit fqinj, që nga ai parashkollor e deri në universitetet e ndryshme, janë në pararojë të arsimit të atij vendi, me rezultate, shumica të shkëlqyera deri të pajisur me medalje e doktoratura. Kjo tregon për nivelin e shkollës tonë, për inteligjencën, përkushtimin dhe etjen për dije të shqiptarëve dhe gatishmërinë e prindërve për të investuar për fëmijët e tyre në mënyrë që këta të pajisen me njohuri e kulturë perëndimore. Shqiptarët në përgjithësi, dhe dukagjinasit në veçanti, që aq mirë janë integruar në vendet ku punojnë, duhet të kontribuojnë më shumë që edhe të afërmit e tyre këtu ta përshpejtojnë integrimin në vend banimin e ri mbas migrimit, sepse në këtë drejtim kemi përsëri mjaft mangësi.
Kudo dëgjoje, se shumë shqiptarë duke përfshirë edhe bashkëvendëlinesit e mijë, të cilët nuk po i përmend me emra, ishin sipërmarrës të suksesshëm deri me dhjetëra punëtore, shumë korrektë në shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit dhe të përkushtuar ndaj punës. Kishte ndonjë prej tyre, që kishte tendencë të marri në punë më parë të huaj se shqiptarë në një kohë kur mjaft shqiptare ishin te papune. Në përgjithësi, të gjithë ishin shumë korrektë në zbatimin me fanatizëm të ligjshmërisë apo zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, prej te cilëve, pjesa më e madhe ishin të pajisur me makina. Po, kur vijnë në Shqipëri pse nuk janë kaq korrektë, por shtohen aksidentet rrugore, apo duke u nisur nga motoja: he more, se në Shqipëri jemi e gjithçka është në kaos? Sigurisht që këtu ndikon edhe infrastruktura rrugore dhe sinjalistika që ndryshojnë si nata me ditën me atë italiane. Shqiptaret kanë përfituar shumë nga shpirti punëtor italian, me një disiplinë të hekurt pune duke mos përbuzur asnjë lloj pune. Sigurisht që kishte ndonjë të veçantë, të cilët rrinin pa punë e nuk pranonin të bënin punë të ndryshme. Edhe në Shqipëri, po te kërkosh punën, mos me përbuzë asnjë lloj pune dhe për te punuar me disiplinë e me orar të zgjatur si në vendin e huaj, do të kishim më shumë mirëqenie, më pak të papunë e më pak nevojë për emigrim.
Ngado që të shkosh apo kudo që të bujtsh, bindesh katërçipërisht, se mikpritjen e bujarinë e kanë marrë me vete, sepse atë e kanë në te trashëguar brez pas brezi. Kudo gjen mikpritje allë shqiptarçe, qe angazhimi është maksimal për të krijuar një ambient sa më të ngrohtë dhe dhënia e pijeve apo ushqimeve bëhej siç e kemi ne traditë. Kishin gërshetuar kuzhinën shqiptare me atë italiane, qe kjo e fundit dominonte në pjesën më të madhe të familjeve dhe luga ishte më shumë një mjet muzeu. Shqiptarët, në Itali janë shumë të interesuar e të mirinformuar për jetën politike, sociale, ekonomike e shoqërore në Shqipëri. Ngado që të shkosh sheh pothuajse vetëm stacione televizive shqiptare sepse pjesa më e madhe kishin të instaluar paketën digitalb apo të tjera satelitore ku bënin abonime të përhershme. Këtë, unë e konsideroj shumë pozitive jo thjesht për nacionalizëm apo nostalgji por, edhe për edukimin, sidomos të fëmijëve me dashurinë për atdheun e prindërve, mësimin e mos`harrimin e gjuhës shqipe, kalimin e kohës e largimin e mërzisë, sidomos për ata që pak e dinë gjuhën italiane, si banorë të përhoshëm.
Si ne, që kemi mbërrite nga bjeshka në Verri, edhe shqiptarët në vendin fqinj iu duhet shumë punë për përmirësimin e imazhit, të cilin as këtu, ne dukagjinasit s`e kemi shumë të mirë si dhe, as shqiptarët atje. Kjo, sepse një pjesë shumë e vogël ka marrë pjesë në të gjitha llojet e kriminalitetit nga më monstruozet, qe padyshim edhe dukagjinasit s`kanë mbet pa pas pjesën e tyre. Aq më keq kur krime si brenda familjes apo më gjerë kanë ndodhur edhe midis shqiptarëve.
Këtë përmirësim imazhi e ka penguar edhe fakti se, si këtej ashtu edhe andej detit kemi mbi shpatulla dy të këqija: të tjerët flasin keq për ne, e ne flasim keq për vete. Sigurisht që përmirësimet janë të jashtëzakonshme në krahasim me një dekadë më parë. Kjo në sajë të shkëputjes pothuaj tërësisht me botën e krimit, me punë e djersë në sajë të vitalitetit që na karakterizon, sjelljes dhe edukatës bashkëkohore, korrektësisë para ligjit, shkollimit pa asnjë ndryshim me komunitetin që kemi gjetur në vendbanimin e ri e të tjerë. Kjo ka bërë që si për ne, të ardhur nga bjeshkët e larta, ashtu për shqiptarët në tokë të huaj, të kenë progres nga viti në vit, imazhi para të tjerëve të cilët nuk kanë qenë fort dashamirës ndaj nesh. Kjo ka bërë që të përshpejtohet edhe integrimi ynë në komunitetin ku jetojmë si në vendin tonë, por me banim të ri, ashtu edhe me jetën në perëndim, duke mos pas ndryshim me autoktonët.
Çdo shqiptar, por sidomos pushtetarët kanë nevojë për ta bërë një vizitë në shtetin fqinj me të cilin na ndan vetëm deti. Për të parë se si funksionon shteti ligjor, se si janë të gjithë të barabartë para ligjit; se si pushtetari është në funksion e në shërbim të qytetarit; se njeriu e ka vënë natyrën në shërbim të tij sipas rregullave e ligjeve të përcaktuara më parë e sot zbatohen me fanatizëm. Si është shërbimi publik e si kontrollohet ai privat, si është infrastruktura, sidomos ajo rrugore me gjithë sinjalistikën e saj të përsosur, ku në këtë drejtim nuk ka dy standarde: fshat apo qytet, si është pastërtia në ambientet publike, rregulli e gjelbërimi në mjediset urbane e rurale; se si bëhen ndërtime me arkitekturë të planifikuar ku njerëzit nuk kanë të drejtë të vënë dorë e të bëjnë ndryshime e te tjera.
Të gjitha këto, jo thjesht për tu kënaqë apo shuar kureshtjen për disa ditë por, më shumë për të përfituar nga kjo eksperiencë në çdo drejtim dhe për ti vënë në jetë në kushtet e vendit tonë, sipas mundësisë e forcë së secilit, sepse vetëm kështu mund të përshpejtojmë integrimin në Evropë siç pretendojmë.
Urojmë që edhe vendi ynë në një të ardhme të afërt të bëhet i begatë, që njerëzit e tij mos të kenë nevojë për ta braktisë.
Nga Prelë Shytani

ATDHEU … APO TOKA E MOHUAR!

Përgjatë historisë se këtij vendi me emrin Shqipëri, shohim jo me pak dhimbje "hemorragjinë" e pandërprerë te bijve e bijave te saj.
Diku shkaqet politike, diku shkaqet ekonomike, diku nga shtypja e hegjemonia e pushtuesve shekullor e kane kthyer këtë vend ne nje lloj trampoline nga ku njerëzit e këtij vendi hidhen ne dhera te huaja, nder kombe te huaja e nder gjuhe te huaja. Jo me kote shqiptari arbëresh Jeronim De Rada thoshte: "... gjaku ynë i shprishun ...!". Edhe pse kane kaluar dy dekada demokraci, përsëri fenomeni i te larguarit nga atdheu ynë shqiptar vazhdon.
Ndonëse disa shkaqe te mëparshme nuk ekzistojnë me, rishtas shfaqen shkaqe te tjera shume te dhimbshme qe bëhen shtyse e detyrim për ta lenë atdheun. Nder shkaqet kryesore do te përmendja mos respektimin e intelektualit ne shoqërinë e sotme, mos dhënien e vendit qe meriton e për pasoje ai, intelektuali, e këmben atdheun me përpjekjen për e nje jete me te mire e për gjetjen e vlerave te vërtetës. Kjo është hemorragjia e trurit te kombit. Shkaku tjetër shume, shume i dhimbshëm është rizgjimi i fenomenit te gjakmarrjes e hakmarrjes, nje anakronizëm kohor, nje atavizëm mesjetar, qe po godet pamëshirshëm shoqërinë shqiptare. Djem te rinj detyrohen t'i thonë "Lamtumire" atdheut te tyre vetëm për këtë kapriçio antinjerëzore. Kjo është hemorragji e gjakut te kombit, është hemorragji e krahëve te fuqishëm qe mund te ndërtojnë te ardhmen e vendit te tyre. A nuk është tronditëse largimi nga atdheu i tij i te riut nga fshati Domen, komuna Postribe, Safet Milani, qe nga data 03. 09. 2009? Dhe e gjitha kjo ndodh vetëm e vetëm nga nje ngatërrese e kushëririt te tij te pare, Ismet Milanit. Pastaj nga frika e kërcimit se mund te ndiqet për t'u vrare detyrohet te braktise dashuritë e tij: Atdheun, familjen e te afërmit.
Deri kur do te vazhdohet kështu? Përgjigja mund te jepet me angazhim te të gjitha palëve! Palët janë: Shteti, shoqëria, individi. Bolle me ...!
Nga Lazer Kodra

SHUHEN NJEHERAZI DY LEGJENDA TE MOÇME DUKAGJINASE

Vdekja natyrale i rrezoi me një t' rame dy legjenda tipike të mbetura rastësisht akoma si dëshmi historike të së shkuarës së largët në gjirin tonë të ri.
Në kufirin e datave 26 dhe 27 maj 2010 Gjon Nikë (Shoshi) dhe Marash Pjetër Kulla u shuan si dy qirinj të brumit tonë të vjetër në ballë të oxhaqeve të dy prej shtëpive të përmendura të Shoshit, të njohura në mbarë Dukagjinin e gjetkë (Shtëpitë e Dedë Mhill Nikës dhe Dedë Kolë Perës)

Gjon Nikë (Shoshi), Babai i elegjiakëve të Dukagjinit

Zemreku i rrahjeve të i zemrës i pushoi së funksionuari në moshën 86 vjeçare pa e ditë se çfarë është sëmundja, pa e ditë se çfarë është spitali, pa e tradhtuar shqisat, as mendja.
Pa lule lajle Gjon Nikë (Shoshi) mund të portretizohet me tre fjalë
-Shpiaku trevestar
- Fistari hokatar
-Elegjiaku legjendar (babai i elegjiakëve homerik dukagjinas)
Me emrin e Gjon Nikë Shoshit fillon kapitulli i vajtarëve që i dhanë emër elegjisë dukagjinase. Gjoni ishte i pari dukagjinas që ritin e brimtarit e shndërroi në traditë vajtimi, pra, vajtoi atëherë kur pothuaj askush nuk guxonte të demonstronte një talent të tillë në publikun dukagjinas.
Vajtoi edhe atëherë kur ky rit u shpall herezi nga regjimi. Vajtoi edhe tani në kohet e vona duke ruajtur autencitetin e këtij riti tashmë të shpërfytyruar e te kthyer në mjet fitimi.
Gjon Nika vajtoi pa asnjë shpërblim e beri emër në Malësinë e Dukagjinit, Gjakovës, Pukës dhe Mirditës. Vargjet që i dilnin nga goja kanë qenë kryesisht klishe të gatshme të cilat i interpretonte me një dramacitet të shkëlqyer, me një zë fondal prej basi, me theks të qartë, shoqëruar me xhestikulacione fine ku dëgjohej vetëm kujet e tij dhe frymë marrjet e 200-300 veta që mund të gjendeshin në mort.
Gjon Shoshi ishte dhe mbetet modeli më origjinal i një homeriku të vjetër, interpretues brilant i një prej riteve më të veçanta iliro-arbërore .
Gjon Shoshi siç thirrej kudo me përkëdheli, nuk betohej, por kishte nje shprehje proverbiale:
Vdektë Gjoni me nderë!
- Gjon Shoshi jetoi e vdiq me nderë duke lënë pas emrin si babai i elegjiakëve dukagjinas.

Vdiq 107- vjeçari Marash Pjetra, njeriu më vjetër i Dukagjinit edhe i krejt Shkodrës!

Kur ishte në muajin e dytë të vitit të 7-të të shekullit të dytë, për herë të parë dhe të fundit sëmundja e uli në shtrat për një javë për të mos u ngritur më kurrë!
Deri përpara dy javësh, ai të jepte imazhin e një 65- vjeçari më trup tipik alpin, i drejtë si kallami (mbi 1, 85m i gjatë ), me kujtesë të freskët, i pa tradhtuar as nga sytë e as nga veshët, pa asnjë ankesë kronike shëndetësore që i bënte të gjitha shërbimet vetës, i larë, i rruar, acar dhe sherbes sistematik në tre vaktet e ngrënies, madje çdo miku që i shkonte në konak i jepte kutinë e duhanit, i ndezte cigaren dhe i mbushte gotën e rakisë pa iu dridhur fare dora. Ky ishte Marash Pjeter Kulla, njeriu më vjetër i Dukagjinit dhe Shkodrës, një legjendë e gjallë dëshmitarë okulare i historisë që nga koha e baba Dauletit (turkut) deri tek lufta e Sali Berishës dhe Edi Ramës për hapjen apo mos hapjen e kutive.

Marash Pjetra ishte njeriu i vetëm bashkëkohorë i Dukagjinit që ka dëgjuar krismat e të shtënave të armëve të luftëtarëve të Mehmet Shpendit dhe Deli Marashit, kundër asqerëve të Shefqet Turgut Pashës në Qafën e Agrit
Ai ishte okulari i vetëm qe ka pa shumicën e shtëpive të Dukagjinit të djegura e të madh e të vogël të arratisur shpellave maleve dhe mbi 80 kufoma të masakruara nga malazezet me 1915. Marash Pjeter Kulla kishte të fiksuar shumë qartë në kujtesë ardhjen e princ Vidit dhe manifestimin spektakolar që u bë në Kalanë e Shkodrës, ne te cilin morën pjesë dhjetëra e dhjetëra, qindra dukagjinas dhe i qe kërkuar Mbretit, Shpallja e qytetit Shkodër Kryeqytet i Shqiperise.
Ishte adoleshent në kohën e nemcës (Austrisë), për të cilën rrëfente një kuriozitet të pa njohur: "Austriakët kanë qenë shumë të rreptë, kanë vendos rend dhe qetësi me diktat. Vetëm 3-4 malësorë, nji nder ta Coc Lulash i Toplanës kanë mujtë me qendrue koçak në kohën e tyne. Ushtarakët austriak të urdhëronin:
-Nxirri duart përpara.
-Kush nuk kishte kallo në dorë e fusnin në burg dhe e lenin pa ngrënë, ose i jepnin vetëm bukë thatë. Kush nuk punon për austriakët konsiderohej hajdut dhe batakçi."
Po deshe të shikoje një tablo se si ka qenë Shqipëria shekullori i Shoshit ta vizatonte me nota reale pa lule e lajle
"-Dëgjo more birë, thoshte:
-Më të thanë të vërtetën, në rini shumicën e motit rrinim zbathun, madje edhe kur shëtitnim opangët e lëkurës i kemi mbajt varur pas shpine dhe i kemi mbath në përfundim të rrugës pasi kemi hy në qytet apo në një fis tjetër. Zadrimorët, katundarët e Tiranës, te Myzeqesë dhe shumica e fshatrave të fushës rrinin zbathtë gjithë motin. Përveç një shtrese bejlerësh, agallarësh dhe tregtaresh, pjesa tjetër jetonin me shumë vuajtje.
Në vitet 1928-1930 në kam kenë ushtarë në Tiranë dhe nuk më ka zanë syni askund shtëpi banimi dy kate, vetëm përdhese qerpiçi. Askund në Tiranë nuk kishte dritë elektrike, nga stacioni i trenit qe asht sot dhe deri tek ministritë ka kenë vetëm nji kalldrëm i keq dhe nji baltë e kuqe që të ngjitej si çimentoja."
Marsh Pjetër Kulla deri dje ishte njeriu i vetëm i gjallë në Dukagjin që ka votuar në vitin 1923 për Luigj Gurakuqin, kur Dukagjini e zgjodhi unanimisht si përfaqësuesin e tij në parlamentin shqiptar.
Xha Marashi deri dje ishte njeriu i vetëm i Dukagjinit, që ka takuar me 1926 priftin Dom Loro Caka. Ai, për këtë thoshte: "Ishte i parruem, me nji mjekër sterrë të zezë, madje i kam çua bukë djathë e tambël delesh. Në Plan, ishte kur në ilegalitet së bashku me Ndokë Gjeloshin dhe Vas Kirin, po përgatisnin Lëvizjen antizogiste të vitit 1926. Noka ka kenë ushtaraku më i pashëm që kam pa në jetën time".
Njeriu që kapërceu dy shekuj, bëri tre shërbime ushtarake me Zogun, Italinë dhe Enverin, me nostalgji kujtonte kohën e Italisë, duke treguar nji të vërtetë që akoma nuk guxojmë ta themi troç. Ai thoshte:
- "Me Italinë kemi pas kushte speciale, ushqim të bollshëm(mish, pastëshuta, venë, kaçkavall, konserva, perime e fruta të freskëta, madje edhe talon për të hy në shtëpi publike,), uniformë model, armatimin modern, autoritet absolut në publik. Kur shkonim me leje në shpi na jepnin edhe dietë."
Marash Pjetra ishte ndoshta i vetmi shqiptar fatlum që mbërriti të jetë dëshmitar i dy ngjarjeve më të mëdha të historisë sonë kombëtare: i pavarësinë gjysmake të vitit 1912 dhe korrigjimit të padrejtësisë historike që iu bë Kosovës.
Ndoshta askush tjetër si ai nuk e pati rriskë të shihte me sytë e tij kushdo që ka hyrë si mik dhe armik në Shqipëri, që nga Turgut Pasha, deri tek Xhorxh Bushi. Ku pa dyshim si dy ngjarjet më të pashlyera kujtonte, se si Turgut Pasha dhe Viktore Emanueli u pritën me lule dhe plumba njëkohësisht.
Marash Pjetra që nga 1924 e deri dje qe bashkudhëtar i fatit tonë dramatiko–komik, dhe gjate kësaj periudhe, shpesh politika Donkishoteske shqiptare ngriti dhe rrezoi idhuj duke brohoritur në mënyrë frenetike si:
Rroftë Peshkopi! Poshtë Zogolli! Rroftë Naltmadhnia !Poshtë Peshkopi!
Kosovë-Çamëri, Duçe-Hitler, kur u shpall Shqipëria etnike! Enver-Tito-Stalin! Poshtë Tito, Rroftë Stalini! Enver, Mao Ce Dun! Poshtë Mao Ce Duni, Rroftë Enveri! Enver-Hitler! Liri Demokraci! Bejker- Bush! Rroftë Sali Berisha, poshtë Fatos Nano!-Rroftë Fatos Nano, Poshtë Sali Berisha! Rroftë Sali Berisha, poshtë Edi Rama! – Poshtë Sali Berisha, Rroftë Edi Rama!, e te tjera.
Marash Pjetra ishte "Maratonomaku" i gjallë i Dukagjinit që rrugën Shkodër- Dukagjin e ka bërë mbi 200 herë ngarkuar me nga 50 kg, por shumë më e gjatë ka qenë rruga nga Shoshi në Mirësh të Dibrës, dhe akoma më e gjatë nga Kalaja e Dodës në Tiranë, rrugekalimi të cilin e beri gjithkund në këmbë ditët e para pas kapitullimit të Italisë.
Marash Pjetra ishte enciklopediku i gjallë i moteve që nga epoka e zhgunit deri tek ajo e minifundit. Që nga epoka e komunikimit me za kushtrimi deri tek celulari e interneti. Në rininë e tij qindra herë ka qitë zanin nga Ndreajt në Brashtë e gjetkë nëpër Shosh për lajme e bashkime të ndryshme. Qindra herë në shekullin e dytë të jetës foli në celular, madje komunikoi përmes internetit me stërnipat e tij në Sh.B.A e Kanada.
Marash Pjetra nuk ishte e as nuk pretendoi kurrë të marrë poza heroi të cilët shpesh ne edhe trillojmë pa nevojë ose i marrim te veçuar nga epoka që jetuan.
Marash Pjetra me tre fjalë: ishte punëtor i palodhur,r njeri i virtytshëm dhe trevestarë (pa asnjë dyshim si tervesë një nga pasaportat më të mira tradicionale dukagjinase).
Marash Pjetra nuk ishte hero por një dëshmitar shekullor i historisë, të cilin harruam se e kishim përkohësisht mes nesh, si relike krejt të rastësishme e një epoke të perënduar, nga i cili volëm pak për të mos thënë aspak sidomos fushën e trashëgimisë sonë popullore.
- A nuk meritonte, ky 107- vjeçar, të ishte rrëfimtari qendror i një dokumentari ( jo personal) por dukagjinas. Deri dje këtu e kishim të gjallë, të freskët, origjinal si një copëz legjende e motit të shkuar. Tani nuk e kemi më, koha nuk na priti, pasi për Marash Pjeter Kullen 100 vjet ishin një rrugë e shkurtër, sa me hy e me dale nga njëri breg lumi në tjetrin.
Nga Prele Milani

HEROINAT E MALËSIVE TONA

... Qe ndër djepa rrisin
Nanat e Hotit djelmëninë ushtore
E idhnim n' armikun nëpër gji iu qisin
Ndre Mjeda (Juvenilja)
Jetonin larg dhe afër Shkodrës, në bjeshkët dhe malet e saj, aty ku uji buron i freskët dhe ajri është kaq i pastër, aty ku shqiponjat ngrenë foletë e tyre dhe shijojnë lirinë e thellë, aty ato u brumosën me ndjenjat e burrërisë, të besës dhe trimërisë. Mbrojtën qytetërimin shkodran, i paraprinë luftërave me një guxim të rrallë duke dhënë dhe jetën e tyre, morën pjesë dhe drejtuan shumë kuvende burrash atë që pak e bënin shoqet e tyre në qytet, s'e njohën frikën e armikut por veç bujarinë dhe mikpritjen e mikut. Treguan me dhjetëra herë shembuj të besës dhe të burrërisë, të mençurisë dhe mikpritjes, kryen akte të papërsëritshme në histori sa bënë epope duke qëndruar gjithmonë kryelarta për t'i treguar botës vlera njerëzore që i kalonin matësit delikatë të një qytetërimi të zhveshur shpirtërisht. Disa u kthyen në legjenda, disa u bënë muzat e shkrimtarëve dhe artistëve, të tjera u kënduan si simfoni kreshnikesh në tingujt e lahutave dhe çiftelive. Nora e Kelmendit, legjenda e gruas malësore, sokolesha e bjeshkëve të malësisë që vrau pashainë turk për të mbrojtur lirinë e maleve, Tringë Smajlja dhe Nora e Ded Gjo Lulit, bashkëluftëtaret e gjalla të Ded Gjon Lulit që luftuan krah përkrah me te në kryengritjen e përgjithshme të Malësisë së Veriut kundër hordhive otomane, pjesëmarrëse të denja të ngritjes së flamurit për herë të parë në trojet tona më 6 prill 1911 në Deçiç. Dhe heroizmat e tyre janë të pafund: Berja, e motra e Gjeto Mark Ujkës nga Hoti që e ndihmoi në momentet më të vështira Dedë Gjon Lulin duke i shërbyer në shpellën ku ishte fshehur për tu mbrojtur nga turqit. Po kështu Palina e Prelë Nikës me gra dhe vajza të malësisë luftuan burrërisht kundër turqve dhe i thyen në sektorin e vet. Kushtrimi i saj në luftë ... "Tregojini Turgutit se sa peshon gjaku i shqiptarit"... Bini në to! T'i njohin nanat dhe çikat e Hotit!", ngjalli guximin e grave malësore për të vazhduar luftën përkrah burrave me një trimëri të rrallë. Nusja e Nikoll Zef Perit kur ju vra i shoqi te Suka e Zezë mori pushkën e burrit dhe zuri vendin si luftëtare. Lula e Mirash Lekës prej Pikalet me shumë gra dhe vajza të Grudës u gjetën përkrah burrave me pushkë në dorë në të gjithë luftimet; po kështu në këtë luftë u dalluan Pashka e Gjelosh Nikës së Triepshit, e shoqja e Lulash Zekës e te tjera. Në një luftë të përgjakshme me asqerët turq me 20 shtator të 1912 në Bozhaj, në qafën e Uglave, plagoset dhe pastaj vdes Mrika e Pretosh Prelës. Në romanin historik të Ndoc Nikajt tek "Rrethimi i Shkodrës do të lexojmë: "... Por shumë nuse të reja e vajza të gajretshme ndenjën me luftëtarët me burrat e me vllaznit e krah për krah luftuan tue u dhanë qëndresë ma të madhe atyne, qi ishin lidhë me dekë për liri të vendit të vetë e për nder të malsisë". Po këtu përmenden se në luftërat e përgjakshme me turqit ranë edhe gra të malësisë, si: E reja e Llesh Nikës, kushërira e Gjeto Cokut me dy fëmijët e vet, Bija e Llesh Nikës dhe e ama e Lleshit. Gratë malësore në luftërat kundër turqve bënë një epope, lavdia e të cilave jo vetëm u përmend nga opinioni kombëtar por edhe ai ndërkombëtar. Kështu për trimëritë e tyre shkruanin gazetat turke, greke dhe italiane duke i quajtur malësoret trime "Amazonat Shqiptare". Një piktor italian bëri edhe një tablo për të paraqitur heroizmin e këtyre grave. Në relacionin që V. Zmajeviqi më 31 gusht 1707 i shkruante Romës, në mes tjerash theksohej: "Di se midis kelmendasve u dukën në betejë 300 gra të armatosura me çdo gjë, kurse njëra prej tyre pati nderin të vrasë dhe t'i presë kokën turkut komandant të ushtrisë së vendosur. Edhe Shqipëria prodhon amazona. Ky nuk është shembulli i parë trimëror i grave kelmendase, sepse edhe një herë tjetër vetëm me gurë ato i dhanë dërmen ushtrisë së Vuçi Pashës, që pati 500 të vdekur të cilët mbetën të varrosur nën gurë. Do të duket si një roman për të ardhshmit çka është historia e vërtetë e ditëve tona ".
Grave malësore të trevave të veriut ju desh që të përballojnë edhe një qëndresë dhe luftë të vazhdueshme kundrejt shovinistëve malazezë të cilët herë pas here sulmonin trojet tona duke vrarë, djegur e plaçkitur gjithçka çfarë u dilte përpara.
Bjeshkë Dedja nga Thani i Planit te Dukagjinit, duke luftuar me një heroizëm të rrallë kundër malazezëve me në krye Mehmet Shpendin në korrikun e vitit 1915, bien heroikisht duke u masakruar nga forcat armike me shumë malësorë të tjerë.
Rapsodi popullor, Ded Gjoni i ka thurë vargjet heroizmit, trimëreshës Bjeshkë O Bjeshkë Dedja / O ti vashë trimneshë / Që përkrah burrash / Luftove si burrneshë / Ti Bjeshkë me këtë emën / Me të drejtë u pagëzove / Se e fortë si këto bjeshkë / Me burrat qëndrove
Në këtë luftë, që forcat malazeze ndërmorën kundra zonës së Dukagjinit, tre ditët e fundit(13-15korrik) që ishin më të ashprat u vranë me dhjetëra malësorë midis të cilëve dhe tre gra: Pashkë Zefja nga Boksi, Mrikë Matja dhe Bjeshkë Thanja nga Plani. Kësaj të fundit pasi i kishin vrarë burrin, ndërsa po jepte shpirt, i vrasin me bajonetë, në sytë e saj edhe djalin e vetëm 10 vjeçar. Ne këtë lufte, nje malësore sojnike nga Plani i Dukagjinit, Katrin Tomja,(gjyshja e Tinka Kurtit), kur pa burrat e vrarë në fushën e betejës, nuk u njohu fytyrat, por vetëm nga ngjyrat e çorapeve mblodhi kockat dhe i dërgoi derë më derë, në shpijat e tyre për t'i varrosur.
Tereze Nikë Lulgjuraj nga Gruda në përpjekje të luftës së përgjakshme kundër malazezëve së bashku me vëllezërit e saj, plagoset dy herë. Ja si e përshkruan Gino Berri, një gazetar italian, pjesëmarrës ne rrethimin e Shkodrës më 1912, për pjesëmarrjen e grave në luftë: "... Të plagosurit kujtonin një grua që qëndronte gjithmonë pranë burrit të saj. Kur ky u vra, ajo menjëherë ngjeshi rrypin e fishekëve, kapi pushkën e filloi të shtjerë me shumë kujdes e saktësi. Sa herë që godiste një ushtar pushtues, bërtiste se kishte marrë gjakun e burrit. Por edhe ajo kishte vendosur të vdiste. Ndërsa po qëllonte për vdekje një ushtar, i cili ishte i katërti që po vdiste, u pa që të tundte krahët, duke u rrokullisur në një hendek ..." Në këtë luftë Halime Hasani në Malin e Kakarriqit lë vdekur për tokë dy sulmues malazezë. Në luftën e ashpër kundër malazezëve gratë malësore kanë luajtur role të ndryshme jo vetëm në ballë të luftës krah për krah me burrat dhe vëllezërit, por edhe në prapavijë, si zbuluese, në ndihmë të plagosurve, gjithmonë vigjilente ndaj dredhive dhe mashtrimeve për t'ju përgjigjur armikut dhe për ta luftuar atë në gjithfarë mënyrash. Kështu, Bjeshka e Martin Lucës prej Nikë –Marashit, një vajzë tetëmbëdhjetë vjeçe, kur 300 malazezë që zbresin në Triepshë sipas zakonit të tyre i dhanë zjarrin shpive të malësorëve, ajo me nje dru të ndezur në dorë i ven zjarrin bykut të kashtës me të cilën ishte mbuluar pullazi i një shtëpie ku nga ndjekjet e malësorëve ishin ndry disa malazezë. Në pritën që kishin ngritur pastaj malësore, vranë shumë prej tyre duke vlerësuar lart gjestin e trimërisë dhe të urtë të kësaj malësoreje sokoleshë. Rozë Nikoshja nga Gruda mbasi lufton me burrin krah për krah kundër malazezëve merr dy plagë në këmbë. Kjo grua është dalluar edhe për urti sa katundi gjithmonë merrte mendimin e saj në momente te rëndësishme.
Në virtytet e larta të gruas malësore, i ngritur në institucion të paprekshëm dhe tepër të shenjtë, ai i besës së pathyer, është i ngulitur thellë në ndërgjegjen e tyre për tu transmetuar nga brezi në brez dhe për të mbetur monument i gjallë në kujtesë të historisë. Një rast unikal të tillë na e jep P. Marin Sirdari, O. F. M., në shkrimin e tij "Heroinat e maleve" ku përshkruan gjestin e lartë të burrërisë dhe besës së një malësoreje të Shalës e quajtur Raze(Rozë) Tarakja., i pa përshkruar dhe i pa përsëritshëm në historinë njerëzore. Në zonën e Shalës ku fenomeni i gjakmarrjes i vijueshëm në mes dy fiseve të bajraqeve të Nikaj e Mërkurit përkatësisht të Shalës dhe Shoshit, po bënte kërdinë, në një vrasje që bën një bashkëfshatar i Rozës, i kërkon asaj besë (ndore). Ajo megjithëse e vetme në shtëpi e mbështetur në kodet e rrepta të institucionit të besës e pranon në shtëpi, dhe kur vijnë ato që ndjekin gjakësin ajo ju përgjigjet se nuk e lëshon "ndoren" pa e ba dekën. Dhe kur i thanë se i vrari ishte biri i vetëm i saj, sokolesha iu përgjigj: "Paçim Zotin, se miku asht ma i madh se djali". Ato deshën ta djegin brenda, por Roza u kërkoi besë. Ajo e mbajti "ndoren" deri sa i u vorrue i biri e i u ba dreka, dhe atëherë e përcolli vetë shëndosh e mirë deri në kufi të Shalës. Vendi i qiti këngën kësaj kreshnike: "Ndre Delija zogu i ahit / "Ndore tande, Roza e Tarakut! / Ndore tande me më pështue, / Se të tanë mehalla më ka rrethue / E nuk dij kurrkahë me shkue!" / Razë Tarakja s'ish' ken grue / Se Ndre Delinë e ka pështue, / Shëndosh në Shalë-o m' a ka çue"
Po kështu është i njohur roli i ndrikullave shqiptare në shuarjen e gjaqeve, kur ajo ven fëmijën e saj përpara atij që kërkohet të falë gjakun. Ja si e përshkruan këtë akt, B. Palaj: "Askurgja nuk na molisë zemrën ma fort se atëherë kur ndrikulla hyn me djep dhe e përmbysë djepin para tij. Aty lotët shpërthejnë, fjalët mbarojnë e gjaku është i falun. Ky asht trofeu ma i madh i grues shqiptare nder male."
Pjesëmarrja e gruas malësore në lëvizjen çlirimtare kundër fashizmit dhe çlirimit të vendit ka qenë e madhe dhe mjaft kontribuese. Janë afro 242 gra nga shumë fshatra të Shkodrës me një shtrirje të gjerë nga veriu i qytetit në jug si dhe ne lindje e përmendim, që përmenden në librin e Qemal Llazanit të cilat për vetë pozicionin larg qytetit te banesave të tyre, paraqitnin vende të sigurta të mbështetjes së kësaj lëvizjeje. Ato i bënë shtëpitë e tyre baza të rëndësishme logjistike të organizimit, strehimit dhe punës të shumë komunistëve, nacionalistëve dhe të gjithë atyre që luftonin okupatorin.. Me ato mundësi ekonomike dhe sociale që ato kishin i dhënë luftës një mbështetje morale dhe materiale në ndihmë të djemve, vëllezërve, kushërinjve dhe gjithë popullit pjesëmarrës në këtë luftë. Vetëm nga fshatrat e Postrribës numri i femrave në lëvizje ka qenë afro 37 veta, nga Ura e Shtrenjtë 24 femra, Dobraç 17 femra, Paçram 12 femra, Grudë e Re 11 femra, e te tjera. Ndër këto më aktivet mund të përmendim: Life Jonuzin nga fshati Zagore, qe është e para grua e Malësisë Madhe, që hodhi armen supit dhe mori pjesë në Luftën Nacional –çlirimtare, përkrah burrit të saj Çun Jonuzit. Ajo është shquar për veprimtarinë e saj në batalionin "Perlat Rexhepi", nga ku është dekoruar me disa dekorata lufte; Feride Lumaj, ishte ndër të parat femra nga Ura e Shtrenjtë, që përqafoi lëvizjen çlirimtare duke u bashkuar me partizanët dhe që kreu me guxim detyrat e ngarkuara; Palina Shllaku nga fshati Prekal, e cila me djemtë e saj dhe Tom Kolën, partizan i atyre anëve, u bë një aktiviste e palodhur në shërbim të luftës, një ndërlidhëse e çetave në fshat dhe organizatorëve në qytet, furnizuese e partizanëve me ushqime dhe bazë materiale; Nana Laja e Dobraçit(Zeneli), një grua patriote, bujare e guximshme, nder gratë e para të fshatrave periferike të Shkodres, Dobraçit që u lidh me lëvizjen për çlirim që së bashku me djemtë e saj vuri në dispozicion gjithçka; Nënë Qamilja e Kosmaçit nga fshati Kosmaç, megjithëse shumë e varfër nën ndikimin e Qamil Gavoçit e bëri shtëpinë e saj një nga bazat më të rëndësishme të lëvizjes në fshat bile duke aktivizuar edhe djemtë në këtë lëvizje, megjithëse i kishte të rinj.
Gjyla Faslia është dëshmorja më e re e rënë heroikisht në Reç të Malësisë Madhe më 19 tetor të 1942, gjatë një sulmi që fashistët italianë bënë në shtëpinë e Bejto Faslisë, babait të saj, ku strehoheshin anëtarët e njësitit partizan: Gjovalin Luka, Abdyl Bekteshi e Hysen Ymeri. Ajo ishte vetëm 13 vjeç kur duke ndihmuar luftëtarët me municion dhe në kujdes të një vrojtimi merr një plumb vdekje prurës, që e këput në lulen e rinisë. Shkurta, nëna e saj, kur pa vajzën të shtrirë, e tërhoqi trupin e vogëlushes për ta vendosur në prehrin e vet, e përkëdheli vajzën për herë të fundit, dhe pasi ja vuri kokën në jastëk, e puthi në ballë pa derdhur asnjë pikë lot. Akti i Gjyles dhe qëndrimi heroik i nënës saj, Shkurtes janë raste tipike burrërore të gruas malësore shkodrane.
Janë këto raste të trimërisë, të besës dhe urtisë, të sakrificave dhe të burrërisë vetëm të disa prej këtyre trimëreshave malësore sepse janë me qindra të tjera heroina te heshtura të historisë, që kanë sakrifikuar për atdheun, familjen, fëmijët e tyre. Mishërimi i idealeve ku u mbështetën këto gra i kanë udhëhequr ato në jetë përmes peripecive dhe përpjekjeve më të vështira, pa harruar kurrë respektin ndaj traditave të parëve në mbrojtje të lirisë, të mbajtjes së besës, të respektimit të mikut e urrejtjes për armikun, por gjithnjë edhe në një luftë tjetër të vështirë të saj çlirimin shoqëror ku shpesh treguan personalitetin dhe dinjitetin si femra.
Nga Dr. Zenepe Dibra

DISA MENDIME PËR GAZETËN "DUGAGJINI"

Tradita është një trashëgimi e madhe që njeriu apo shoqëria krijon në vite. Një traditë shumë të çmuar ka krijuar edhe gazeta "Dukagjini", periodik i shoqatës "Atdhetare-Dukagjini". Unë nuk dua të them, se kjo gazetë i ka plotësuar të gjitha nevojat e këtij komuniteti për t'u përfaqësuar dhe afirmuar. Jo. Dukagjini mbart problematika shekullore. Prandaj, kjo gazetë nuk është se i ka zgjidhur hallet, por të paktën çdo ditë po i shërben çështjes duke nxjerrë në pah edhe problemet e nevojat për ndryshim. Për arsye që tashmë dihet, Dukagjini ka mbetur prapa prandaj ne nuk duhet të ecim, duhet të vrapojmë bile shumë shpejt për të kapur kohën e humbur. Kjo gazetë ka paraqitur raste mbresëlënëse të anëtarëve të këtij komuniteti që janë integruar jashtëzakonisht mirë brenda dhe jashtë vendit. Këto shembuj të shumtë kanë bërë që shumë të rijnë e të reja të jenë më të vetëdijshëm dhe krenar për të qenit e tyre dukagjinas. Unë jam një ndër ata.
Një ndër problemet më të mëdha tek ne shqiptarët mbetet mungesa e unanimitetit jo të induktuar nga forca por nga nevoja, interesat apo më mirë idealet. Është një gjë që na mungon pothuajse në të gjitha fazat e historisë sonë. Bashkimi i njerëzve rreth qëllimeve nuk do të thotë humbje e origjinalitet personal, por është tregues i profilit vizionar që është në gjendje të largoj prej vetes ato gjëra që e pengojnë të shohin drejt së ardhmes. Kudo në botë ajo që po forcohet më shumë është shoqëria civile, e cila po organizohet përmes lobingjeve, organizatave, shoqatave e te tjera. Në thelb nuk janë asgjë tjetër veçse bashkime komunitare për një qëllim të caktuar.
Shpeshherë dëgjojmë të përdoret fjala krizë duke i vënë shumë epitete prapa. Për mendimin tim kriza e jonë para së gjithash është krizë morale, krizë e besimit. Njeriu i zakonshëm nuk di kujt ti besoj sot. Bota duke dashur të na ndihmoj ka investuar shumë tek shoqatat e fondacionet por këto para nuk kanë shkuar për të forcuar shoqërinë civile. Prandaj shoqatat perceptohen nga populli gati si partitë. Kriza e jonë është krizë e mungesës së besimit tek vlerat morale të familjes, e besimit tek drejtësia, tek shteti, tek ata që gjoja mbrojnë interesat tona. Ky skepticizëm për hir të së vërtetës duhet thënë se mbetet i drejtë. Prandaj sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë që të besojmë tek njerëz dhe kauza që na ngjallin besim.
Ajo çka unë kam dëshirë t'ju them lexuesve të kësaj gazete është që kjo shoqatë është e themeluar mbi një qëllim të vetëm: promovimi i vlerave të kësaj zone dhe ndihma në përparimin e këtij komuniteti. Më ka bërë përshtypje që kjo shoqatë nuk ka as makina, as zyra, as paga përveç bashkimit vullnetar të njerëzve. Dua të bëj homazh të gjithë atyre që kanë shkruar e janë angazhuar pa pasur asnjë përfitim material. Homazhet jemi mësuar t'jua bëjmë njerëzve kur ata vdesin, por nuk dua që mirënjohja të jetë si lulet e bukura qe ua çojmë të vdekurve atëherë kur nuk munden t'ju marrin erë. Kam pasur fatin të diskutoj me kryetarin e shoqatës zotin Ndue Sanaj, por edhe me drejtues të tjerë dhe e them me sinqeritet të plotë që të gjitha ndërmarrjet e tyre kanë qenë dhe janë të drejtuara vetëm dhe vetëm në të mirën e Dukagjinit. Në shoqatë ka njerëz me pikëpamje të ndryshme filozofike, politike e te tjera, por asnjëherë këto nuk janë shndërruar në pasione që ti pengojnë të thonë të vërtetat apo t'i detyrojnë të thonë vetëm gjysmë të vërteta. Synimi i vërtetë i tyre është dhe mbetet zhvillimi i një zonë që kanë dhënë aq shumë e kanë marr kaq pak. Prandaj, puna e shoqatës, e drejtuesve të saj, e artikullshkruesve në gazetë e të gjithë atyre që e ndihmojnë botimin e kësaj gazetë meriton mirënjohjen e të gjithë dukagjinasve. Sikur të dija një fjalë më të bukur se "faleminderit" me siguri që do e thosha.
Ju bëj thirrje të gjithë atyre që e ndjejnë veten dukagjinas që ta ndihmojnë këtë shoqatë dhe gazetën e saj. Jam i sigurt se ndokush mund të ketë arsye për të kritikuar, por jam edhe më i sigurt se nëse ai ka një arsye për të thënë jo, unë kam një mijë arsye pse duhet të bashkohemi. Ka ardhur koha që disa rudimente si komunist, demokrat, socialist, bajraktar, bajrak i madh e i vogël ti largojmë e në vend të tyre të përdorim epitete të tjera më përfaqësuese si zotëri, profesor, inxhinier, shkrimtar, biznesmen e te tjerë. Paraardhësit tanë luftuan kundër ideologjive dhe jo që të zëvendësojmë ideologjitë me njëra-tjetrën. Shpreh bindjen e plotë që shpejt komuniteti i Dukagjinit do ta kuptoj se vetëm bashkë rruga drejt përparimit do na duket më e shkurtër. Kam dëshirë që ta mbyll me një shprehje të një nga presidentët amerikan më të mëdhenj, Franklin Ruzvelt: «Pengesa e vetme për realizimin e planeve tona nesër mund të jenë vetëm dyshimet tona të sotme».
Nga Florenc Buxha,
student ne fakultetin
e mjekësisë, ne Tirane

Nje aktivitet ne Bibliotekën tone

Me 25 maj 2010, në orën 11.00, në Bibliotekën Shkencore të Universitetit ne Shkodër "Luigj Gurakuqi" u bë promovimi i librit më të ri të poetit Ferik Ferra "Koha e gurit" (2009). Ky aktivitet u organizua nga Universiteti ne Shkodër "Luigj Gurakuqi", Biblioteka Shkencore e këtij universiteti dhe Shtëpia Botuese "Camaj-Pipa".
Në këtë përurim ishin të pranishëm shkrimtarët Fadil Kraja, Skënder Drini, Skënder Temali, pedagogë të letërsisë si Ledri Kurti, Fatbardha Hoxha, Arben Prendi, Vinçens Marku, Ermira Alija, drejtori i Bibliotekës së qytetit Gjovalin Çuni, studiuesi Mentor Quku e mjaft personalitete të tjerë të njohur të qytetit Shkodër si dhe studentë të Universitetit.
Fjalën e hapjes e mbajti organizatori i këtij aktiviteti, pedagogu Hasan Lekaj. Ndër të tjera, Lekaj vlerësoi dëshirën e shkrimtarit Ferra për të promovuar në Shkodër krijimtarinë e tij. E përshëndetën këtë aktivitet shkrimtari Fadil Kraja, studiuesi Mentor Quku si dhe miq e dashamirë të autorit të ardhur nga Tirana bashkë me të si aktori Agim Gjeka, redaktori i librit Pandeli Koçi etj., të cilët vlerësuan krijimtarinë e poetit Ferik Ferra si dhe dashamirësinë e vazhdueshme të qytetit Shkoder për promovimin e vlerave dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Aktori Gjeka gjithashtu i përshëndeti të pranishmit me leximin e disa poezive të librit "Koha e gurit".
Referuan rreth poezive të këtij vëllimi poetik poeti, studiuesi dhe pedagogu Arben Prendi, studiuesja dhe pedagogia Fatbardha Hoxha, shkrimtari Skënder Temali, punonjësja e Bibliotekës së Universitetit Arjeta Ferlushkaj si dhe poeti i ri i talentuar Lisandri Kola.
Në fund e mori fjalën autori Ferik Ferra , i cili përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi për pjesëmarrjen. Gjithashtu falënderoi organizatorët për mbështetjen dhe qytetin e Shkodrës për frymëzimin që i ka dhënë gjithmonë.
Aktiviteti prej dy orësh u mbyll me nje kokteil shtruar nga vetë shkrimtari.
Autori dhe libri.
Ferik Ferra ka lindur në Krujë, në vitin 1934. Në vitin 1949 mbaron shkollën 8-vjeçare dhe më 1954 Shkollën e Mesme Pedagogjike në Tiranë. Punon si arsimtar në rrethet Mat e Dibër. Në vitin 1955 e largojnë nga arsimi. Në vitin 1964 mbaron Fakultetin e Ekonomisë natën . Në vitin 1990 del në pension të parakohshëm.
Punoi për shumë vite si punëtor dekorator. Ëndrra e tij ishte gjithmonë arti poetik. Libri i tij i parë me poezi është "Duke kapërcyer shekullin", botuar në vitin 2001, ku përfshihen vargje që nga viti 1954 e këtej. Vëllime të tjera me poezi nga i njëjti autor përmendim: " Ëndrra e bregut tjetër" (2006), "Flautet e dimrit" (2008), "Perla e inxhi poetike" (antologji poetike-përkthime) (2009) etj.
Për krijimtarinë e Ferik Ferrës kanë dhënë vlerësime emra të njohur të letrave si: shkrimtari Dritëro Agolli, akademiku Alfred Uçi, studiuesi Shaban Sinani, shkrimtari e kritiku Ardian-Christian Kyçyku, studiuesja Fatbardh Hoxha e te tjerë.
Libri "Koha e gurit" e shkrimtarit Ferik Ferra përfshin 31 poezi nga krijimtaria e tij që rrokin një hark kohor afërsisht një vit; 6 poezi të përkthyera nga poetë të huaj dhe një ese apo prozë poetike me titull "Vargu".
Nga Arjeta Ferlushkaj

Biznesi i lëvdatave

Dikush e pyeti nji person publik:
A shisni ju lëvdata?
Ai iu përgjegj: E si t'ju them o mik,
Kjo mvaret nga dhurata,
Se si i thonë nji fjalës për hirë t'gavixhit,
I harrojmë fare punët e prestigjit.
Figurat bajnë biznes të mrekullueshëm
Le t' jetë vlerësimi jonë krejt gënjeshtarë,
Turmat e quejnë "Vlerësimin
ma të besueshëm",
Sidomos po t' jetë fjala për shqiptarë,
Që shijen e leximit e bajnë pre
Të lëvdatave t' bleme majmë nga ne.
Veçanarisht lëvdatat e ne t' huejve,
Që i quejnë shum ma t'efektshme
se ato t'tuejve.
Këtë biznes shqiptarët na mbajnë gjallë,
Se n'vendet tjera nuk na ecë ky mallë.
Nga Gjoke Vata

RROFTË RINIA

Xixëllonjat fluturojnë shumë larg në Qiell
Zjarre që ndizen dhe shuhen pa mbarim
Mbi krahët e pëllumbave të bardhë fli bir
Përtej maleve Agimi ka fillue me ardhë.

Flenë edhe macja e shtëpisë
"Stërgjyshja" e jonë
E kemi si ikonë
Me trashëgimtarë
Ka vite që s'i ka parë!

Nuk kam gjumë
Qetësinë e kam humb!
"Karrocaten"e pleqërisë
Me dinamitin e shpresës
Do ta hedh në erë
Në këtë pranverë!

Ah, ky vrull djaloshar!
Mos vallë jam i marrë?
Dëgjo o njeri
Nuk bëhesh dot i ri
Sikur të gjithë qumështin
E dallëndysheve të botës
Ta pishë ti!

Rroftë Rinia
Në thellësinë e ndjenjave të saj
Shpërthen poezia
Ajo ndezë dhe ndriçon
Burim i fuqishëm drite
Zemrat frymëzon.
Nga Luigj TEMALI

CILES KULTURE I PERKASIN SHQIPTARET???

-Sa jemi ne te ndikuar nga kulturat e tjera?-
Kultura duke qene produkt i shpirtit njerëzorë, ajo nuk mund te burojë veçse prej ndryshimit ekzistues mes mundësive te nje populli tek te tjerët. Ne nje artikull me titull: "Kur do te bashkohen shqiptaret?", shkruar afro 90 vjet me pare nga At' Fishta, mbasi e kishte vrare mendjen ne studimet e tij mbi dallimet thelbësore te "kulturave" aziatike dhe evropiane, Ai, do te dilte ne përfundimin: "… Ne do te fitojmë vetëm atëherë kur shumica te mendoje e te veproje sipas nje kulture te vetme. Për ndryshe kurrë s'ka me u vërtetue nji bashkim kombëtar ndërmjet shqiptareve …". Tepër aktual tingëllon mendimi filozofik i Fishtës edhe sot, ne dhjetëvjeçarin e pare te shekullit XXI! Shpesh here kemi pare dhe ndigjuar ne ekranet televizive, historiane, madje dhe me grade shkencore, te bajne deklarata absurde dhe krejtësisht te papërgjegjshëm, kur shprehen se ne zonat urbane ku u vendos administrata osmane, ishte fat i madh sepse ata na sollën zhvillim dhe kulture …! Ky mendim antihistorik i pseudohistorianeve te sëmure, te cilët edhe ne mes te ditës shohin anderra stepash, nuk ka asnji argument historik. Për antikulturen e hordhive aziatike kemi me dhjetëra dhe qindra shembuj, dhe qe mund te shkruhen volume, por ne ketë shkrim mund te citojmë ndonji shembull tipik te dukurive te asaj kulture qe reflektohet edhe ne kohen qe po kalojmë. Kulture kjo qe mund t'ju shkoje për shtat vetëm "instinkteve" te sëmura. Po te vështrojmë me kujdes ato zona rurale, ne te cilat pushtuesi osman instaloi strukturat e tij dhe qe bani dhe procesin e islamizmit sipas metodave te tij te njohura, me dhune dhe mashtrim, fare thjeshte ketë "kulture" e shohim te shprehura ne kangët tipik-erotike.
Edhe sot, ne këto zona kndohet kanga "Rusha e Rexhes". Po citojmë disa vargje: "Rushe Rexhja pashe Imane / se jarana ke pas xane / Me deftere njizete e nande / Zek Jakinin nuk po e xame". Pra, lehte nxjerrim përfundimin, se imoraliteti ngrihej ne piedestal, madje himnizohej ...! Po, ne këto zona: "Jam tuj t'prite mbrapa qilerit / Tuj ra bore e tuj fry veri / tuj fry veri e tuj ra bore / ngri m'u ka manzerja n'dore / N'dore manzerja m'u ka ngri / Çilma deren ne qofsh turkine ..." Mesazhi i kësaj, te ashtuquajtur "kulture", duhet te "trokase" fort ne ndërgjegjen e pandërgjegjshme te historianeve fanatik dhe nostalgjike te kaluarës se erret te pushtimit pese shekullore-osman. Janë pikërisht këto zona, te cilat ne kohen qe po kalojmë, do te jene te parat qe mund te bahen "pre" e prostitucionit, drogës dhe veseve qe po na afron koha.
Kemi pas zona te thella, ne te cilat asnjëherë turku nuk i nënshtroi dhe pak mos me thane aspak qëndroi ne to, dhe janë pikërisht ato male "virgjëresha", banoret e se cilave, pseudohistorianet dhe pseudoshqiptaret i quajnë "malokë" ...! Dhe janë pikërisht këto zona, te cilat kultivuan virtytin dhe cilësitë me te nalta te Arbrit. Edhe këto i knduan dashurisë, por me "nota" te tjera. Poeti-popull-vajzën e krahason me "zanën e malit", me bardhësinë e "bores". Këtu erotika dhe lirika shkrihen ne epike te vërtete. Ja disa vargje te nje kange: "Moj e mire qe shkon me gja / shpat ne shpat te njofta n'za / n'za te njofta shpat ne shpat / per nji gjak, pa t'marre s' t' la ...". Mesazhi asht mjaft i kjarte, morali ne shkallen ma te nalte. Kjo asht kulture Arbënore e pa cenuar nga pushtuesi. Dhe nji kange tjetër: "Moj e mira qe more bjeshken / ku ma le lum dada besen / M'ke pas thane: do t'dua t'gjith jeten / M'ke pas thane se bashke do t'vdesim …"
Ne ketë "tablo", autori, rapsodi-Popull, na e përcjelle me te gjith madhështinë "kultin" e besës mes djalit dhe vajzës, dhe ne te njëjtën kohe, për mes nje sinqeriteti te dëlirte kulmor, virtyti i shpirtit Arbënor … Mbi këto fakte duhet gërmuar, dhe sa ma thelle te bahet gërmimi, aq ma i madh do te jete thesari i vlerave qe trashigojmë si Nacionalitet, aq ma solid do te dale bazamenti ynë Iliro-Pellazg, i cili sot po cenohet …Nuk ka peme pa rranje, nuk ka lis pa rranje e dege. Ne qofte se rrajet nuk do te ushqehen, trungu dhe degët do te thahen … Sa ma te thella rranjet, aq ma e forte bahet rezistenca ndaj «erozionit» te kohës. E njëjta gja ndodhe edhe me kulturën dhe traditat e popujve. Sa here u pushtuam, duke fillua me helenet, romaket, bizantinet, sllavet dhe se fundi osmanet, por asnji here nuk u shuam si nacionalitet. Për te shuar nji popull, ma pare duhet t'i hiqesh kulturën përmes se cilës ruhet GJUHA. Asht merite e pa mohueshme e Klerit Katolik Shqiptar ruajtja e Gjuhës Shqipe, qe mund te veçojmë «apostujt» e kësaj gjuhe, duke filluar me Pal Engjëllin, Beçikemin, Barletin, Buzukun, Budin, Bardhin dhe Bogdanin, për te mbërrite te Kazazi, Gjeçovi e Fishta. Ne, pa dyshim, jemi nder popujt ma te vjetër te Evropës, dhe sa do qe ndikimet qe na lanë pushtuesit, vijojnë te jene evidente. Gjithsesi këto fenomene mbeten te izoluara, dhe "bukli" mbetet i pacenuem. Diktatura pesëdhjetë vjeçare na pati izolue nga bota, por duhet pranue, se ky izolim pati dhe anën e tij pozitive. Nuk njohëm drogën, nuk u tha ndonjihere se martesa e mashkullit me mashkull asht pjese e te "drejtave te njeriut" ... Ndonëse u hoqën monumentet e kultit te fetare dhe u mohue Zoti, pederastia u dënua me ligj, dhe realisht ky ligj ishte plotësisht me ato "norma" qe ka caktuar vete Krijuesi. Personalisht jam kundër politikave servile qe aplikohen, duke pranue gjithçka qe na serviret nga te "mëdhenjtë". Ne qofte se, komunizmi, përmes diktaturës, na ktheu ne nji "parcele" eksperimentale, sot, ne demokraci nuk do te ishte e moralshme qe te "gëlltisim" çdo lloj ushqimi! Evropës duhet t'i marrim te mirat, te cilat i ka me bollëk, ndërsa te këqijat t'i mbaje për vete, ose t'i hedhe ne det ...
Ne aspirojmë për t'u ba pjese e "Bashkimit Evropian", por kjo nuk duhet kuptue si shpermbamje, por si solidaritet me bashke qytetaret e te njëjtit kontinent, ne te cilin kulturat janë njena pas tjetrës me shkëmbime te ndërsjella. Askush nuk duhet ta kuptoje hymjen tone ne BE-e, si nji humbje te identitetit, përkundrazi si nji SOLIDARITET, ne te cilin te gjith do te ndjehemi te barabarte, duke bashkue dhe integrue kulturat. Brigjet tona, qe na lidhin Adriatiku dhe Joni na lidhin me Italinë fqinje, duhen pare si "brigje te shpresës" se madhe, zanafilla e secilës i ka rranjet mbi pese shekuj me pare. Bashkatdhetarët t' ane arbëresh, te cilët emigruan qe ne shekullin XV janë dëshmia ma e gjalle, ku dhe mbas 550 vjetësh, ata ruajnë me ndërgjegje te nalte krenarinë, kulturën dhe gjuhen e te pareve. Pa dyshim, kjo merite i përket dhe kulturës italiane, e cila asnji here nuk insistoi ne mohimin e kulturës Arbëreshe. Arbëreshet, ndonëse janë nënshtetas italiane, asnjihere nuk e mohuan racën e tyne Arbënore. Krejt te kundërta kemi pare ne Shqipni, qe nji pjese e tyne qe ndërruan besimin u vetëquajtën turq! Ja ku te çon nji pushtues i pa kulture, deri ne mohim te identitetit. S'kam ndigjue ndonjihere ndonji shqiptar qe te thotë, se për hir te besimit, jam italian, jam spanjoll apo jam francez ... Besimi, mbi te gjitha besimet asht dhe duhet te jete "SHQIPTARIZMI". Me ketë "nocion" do te integrohemi ne kontinentin t'one Evropian, pa humbur asnji element te kulturës dhe identitetit t'one Nacional.
Kam lexuar diku ne nji Ese te shkruar nga dr. Aurel Plasari, i cili ne nji moment shprehet: "Ne shekujt XII-XIII, kultura e Arbrit pati njohur kulmin e lulëzimit te saj", te "Vija e Teodostit". Duke qene, se kultura asht nji dimension i gjane, ajo duhet pare dhe trajtue ne hapsine dhe ne kohe për te gjetur shkaqet e luhatjes, ulje-ngritje. Ne shekullin e XIII, ne periudhën e pushtimit te Perandorisë se Anxhuino-franceze, kultura e jone, Arbërore, arrin ne piken kulmore te saj, duke i konkurrue edhe asaj italiane. Ne ketë shekull, ne vitin 1272 u krijua e ashtuquajtuna "Regnum Albania", qe do te thotë "Mbretëria Shqiptare", nen siglën e francezeve anxhuine. Perandori, Karl Anxhu, i cili kishte pushtue dhe nji pjese te madhe te Italisë, pushtoi dhe tokat shqiptare, dhe krijoj te parin shtet Shqiptar, me kryeqytet Durrësin. Ky akt politik ka qene gjithashtu dhe nji akt kulturor, dhe ka qene i pari,- Faik Konica, i cili me logjiken dhe intuitën e tij ka thëne: "... se pikërisht ne ketë kohe qe "Mbretëria Shqiptare" ka përdore ne korrespodencat e saj shtetërore dy gjuhe, domethënë edhe shkrimin SHQIP ..." Konica ishte i bindur, ne hipotezën e tij, se shkrimet shqip duhen kërkuar ne manastiret benediktiane dhe françeskane te shekullit XIII, ose ne arkivin anxhuine.
Nji nder kryeveprat e shekullit XIII, asht dhe kisha e "Shën Mërisë" ne Vaun-Dejës, e cila u hodh ne ere pas vitit 1967, kur "çmenduria" e Enver Hoxhës rrafshoi te gjitha monumentet e kultit fetar, duke shpallur Shqipërinë te parin shtet ateist ne bote ...! Asht vërtetue se kjo kishe ishte ndertue ne vitin 1282. Kjo kishe e stilit romano-godik, ka qene me tipikja dhe ma e veçanta ne Shqipenine e Veriut. Kjo nuk kishte vetëm nji vlere arkitektonike, por dhe nji thesar vlerash me pikturat dhe afresket madhështore te punuara nga duart e arta te piktoreve shqiptar. Me shembjen e kësaj kishe humbi nji nga dëshmitë e pa zëvendësueshme te pikturës ikonografike kishtare te shekullit XIII. Dihet se ne Shqipeni, piktura kishtare ka qene e zoterueme nga stili bizantin. Ne artin bizantin, dhe post-bizantin, Shqipenia ka nxjerre tri talente gjeniale: Onufrin ne shekullin XVI, Kostandin Shpatarakun dhe David Selenicen ne shekullin e XVII. Për afresket e stilit romano-godik kane fole studiues te huaj, si: Jereçek, Shuflaj e te tjerë, duke i quajtur si afreske me nivel shume te nalte artistik, me vlera te pa zëvendësueshme.
Ne afresket e kishës se Rubikut, ruhet edhe figura e "Shën Astit", nji nga martiret e pare te Krishterimit, qe u masakrua ne Durrës ne vitin 100, ne kohen e Perandorit Romak, Trojanit. Gjetja e dy afreskeve, te gjon Pagëzorit dhe Jezu Krishtit, pas shembjes se kishës se "Shën Mërisë" ne Vau-Dejës dhe vendosja e tyne ne "Muzeun Historik Kombëtar", asht merite e pamohueshme e ish Drejtorit te këtij muzeumi, profesor-etnolog, Moikom Zeqo. Si ndodhi kjo gjetje apo zbulim? Ja si tregon autori Zeqo: "Mbas hedhjes ne ere te kishës se Vau-Dejës, për nje rastësi ndodhi qe nje grup piktoresh te njohur, si: Sali Shijaku, Danish Jukniu dhe Buron Kaceli e te tjerë, se bashku me studentet e pikturës, ndodheshin ne nje ekspozite ne Veri. Me ketë rast, ata, vizituan dhe gërmadhat e kishës se "Shën Mërisë" dhe munden qe disa prej tyre mund te merrnin për kujtim ndonjë fragment. Para disa kohesh, njeri nga këta student, Zamir Mato, tashme me pune ne Parisë, i dhuroi "Muzeumi Historik Kombëtar", nje fragment afresku, qe tregon skenën e Krishtit te kryqëzuar, nje kryevepër e vërtetë artistike. Është nje nga kënaqësitë me te mëdha pre te gjithë n ...",- thotë autori Zeqo. Asht fjala për nji afresk me përmasa 30 x 29, ne te cilin paraqitet portreti i nji shenjtori, dhe ky asht Gjon Pagëzori. Këta janë heroi te vërtetë, te cilët me zbulimet e tyne, pasurojnë arkivin e kulturës t'one Nacionale, duke konfirmuar se Kultura e jone asht pjese e pandame e Kulturës dhe Artit Evropian. Mos përputhja e mendimeve ne politiken shqiptare asht pjese e mungesës se nji kulture unikale.
Nga Mark Bregu





 

numrat

part03