Gjakmarrja, plagë ende e pambyllur
Grupimi i disa OJF-ëve nën emërtimin “Aleanca për Jetën”, i cili ka 2 vite që operon në sferën sociale duke ngritur zërin në favor të viktimave të gjakmarrjes, më 8 Tetor 2012 organizoi veprimtarine e radhës të titulluar “Gjakmarrja, plagë ende e pambyllur”. Qëllimi i takimit ishte homazhi ndaj figurës së pastorit dhe thirrja për të ulur krah njëri-tjetrit të gjitha shtresat e shoqërisë sipas detyrimeve legjitime në front kundër dukurisë. Përmes vrasjeve intensive të muajve të fundit, kundrejt gjithë përpjekjeve tona si individuale ashtu edhe në grup, vdekja sikur po na qeshte në turinj duke na thënë se i kotë është mundi juaj, unë këta njerëz i kam në dorë dhe luaj si të dua me fatin e tyre. Por inkurajim i madh qe dekreti shembullor i Mitropolisë Katolike të Shkodrës, Sapës dhe Lezhës për shkishërimin e të gjithë atyre që vrasin apo marrin gjak. Kjo nxiti një a dy ditë më pas vetë kryeministrin e vendit të dënonte me fjalë vrasjet për gjakmarrje duke njohur më në fund indirekt dukurinë e mohuar dhe të minimizuar për hir të vitrinës që Shqipëria dëshiron t’i shesë Evropës.
Nderuan me praninë e tyre përfaqësues të Qarkut, Prefekturës, Prokurorisë, Gjykatës, Policisë, OSBE, EUIC, konsulli Italian në Shkodër, Roberto Andreotti.
Takimin e drejtoi Luigj Mila, drejtues i Komisionit “Drejtësi dhe Paqe”.
Në fillim u transmetua një video e pastor Dritanit gjatë shërbesës së tij fetare. Pastaj fjalën e mori bashkëshortja e tij, Elona Prroj. Me forcën karakteristike, ajo u shpreh se lufta jonë nuk është kundër njerëzve që vrasin në emër të gjakmarrjes, por kundër mendësisë mesjetare. Ajo shtoi se nuk duhet të ketë më fëmijë që jetojnë pa prindërit e tyre për shkak të gjakmarrjes dhe se askush nuk ka të drejtë të marrë jetë njerëzish. Zonja Prroj, duke iu drejtuar grave, shtoi se ky fenomen ju ka marrë gjysmën tjetrën të zemrës duke bërë që edhe fëmijëve t’u mungojë imazhi atëror. Arqipeshkvi Shkodër-Pult, imzot Angelo Massafra e ka quajtur dekretin e Kishës “thirrje për jetën”. Ai deklaroi se ne jemi të bindur se kemi bërë veprimin e duhur, por kërkojmë që shteti të bëjë detyrën e tij. Policia dhe shteti kanë një rol të pazëvendësueshëm ndaj duhet të marrin masa ndaj kësaj dukurie. Nuk duhet të lejohen të rinj e adoleshentë apo kushdo qoftë të lëvizin në qytet me armë zjarri. Duhet të vendoset pa hezitim dhe shume shpejt dënimi me burgim të përjetshëm për të gjithë ata që kryejnë vrasje të tilla. Pas tij, fjalën e morën edhe atë Nikoll Petani në emër të komunitetit ortodoks si dhe pastori Fitor Muça në emër të komunitetit ungjillor.
Në emër të grupimit e të Shoqatës ‘Atdhetare Dukagjini” fjalën e mori kryetari i saj, Ndue Sanaj. Statistikat që ai solli janë rrëqethëse: “Nga viti 1747 deri ne vitin 1909, gjatë 162 vjetëve kur trojet shqiptare vijonin të ishin nën Perandorinë Osmane, ne zonën e Dukagjinit ka pasur 82 vrasje; ndërsa në këto 22 vite në demokraci, në zonën e Dukagjinit kanë ndodhur 145 vrasje, nderta janë vrare 15 femra!”. Interesant vëzhgimi tjetër: “Edhe në kohën e monizmit veprohej në formë kanunore. Për një të dënuar merrte dënim i gjithë farefisi”. Ai pohon se, sikurse gjatë periudhës së Zogut e të Enverit, këtë mendësi jo rrallë e vërejmë edhe sot në tribuna politike. Në fund, ai shtoi: “Vrasjet që bëhen sot për gjakmarrje nuk janë kanunore. Në baze të kanunit, ai që nuk është në një tym me vrasësin, ai që është i ndamë me vrasësin, pas 24 orëve nuk mbetet në gjak. Edhe pastor Dritani, në bazë të kanunit nuk do të vritej. Atë e përjashtonin 7 nene të kanunit nga pagimi i gjakut. Vrasjet ndodhin se jemi në një periudhe anarkie, të cilën shteti, në analizën time, po e lë me dashje… Mund te thonë se njerëzit me halle qeverisen lehte! Shpresoj të mos jete e vërtetë”.
Mundësoi realizimin e kësaj veprimtarie: Komisioni për Drejtësi e Paqe, Shoqata “Atdhetare-Dukagjini”, Fondacioni “JO Gjakmarrjes, Po Jetës” dhe Ambasadoret e Paqes, te cilët i falënderojmë për kontributin e tyre.