part01
part02
kryesore historiku aktivitete gazeta botime tetjera

LIBRI “MAJAT E SHALËS” U BËN NDERË SHQIPËRISË DHE SHQIPTARËVE

Vendi më i bukur dhe më i pa lumtur në botë
Rose Wilder Lane, është amerikania e parë që vizitoi malet e Shkodrës, kryesisht (Dukagjinin), por edhe Matin, Tiranën dhe Durrësin duke kaluar rreth gjashtë muaj në kohën kur shumica e bashkëkohësve të saj përtej Atlantikut nuk e dinin fare se ekziston një vend me emrin Shqipëri. Zonja Lane, sikurse ka deklaruar vetë me sinqeritet, udhëtimin në Shqipëri e bëri pa e njohur fare këtë vend, madje fillimisht edhe pa dëshirën e saj pasi ishte duke udhëtuar nga Mali i Zi në Stamboll, kur një zonjë e Kryqit të Kuq amerikan (një mike e saj Franceska Hardi ) e bindi të vijë e të shohë Shqipërinë.
-Ju nuk duhet të humbisni këtë rast që ndodheni kaq afër atij vendi aq të largët në kohë. Është një rast sa nuk gjendet lehtë e nuk sheh njerëz aq të çmuar si arbëreshët. Çdokush vete në Kostandinopojë e nuk sheh Shqipërinë, ke lëshuar rastin jetësor. Atje lart në male, një ditë udhë përtej këtu njerëzit jetojnë siç kanë jetuar para 20 shekujsh para se të dinte kush për grekët, romakët apo sllavët.
Pas kësaj ftese surprizuese të mikes së vet, Zonja Rose Lane, e tërhequr prej kureshtjes të takohej dhe të njihej me një popull primitiv, shumë interesant nga pikëpamja sociologjike dhe historike, ndërmori aventurën e saj në malet e Shkodrës. Kur u nis drejt maleve, nuk e kishte parashikuar se, do të impresionohej sa të botonte një libër. Ajo ideonte se do të gjendej përpara një race primitive mbeturinë, më pas se të gjitha racat e Evropës, një popullsi që më kokëfortësi noton në kahun e kundërt të rrjedhës së çdo përparimi, mbeturinë e kohërave barbare mesjetare, madje ndoshta edhe e epokës prehistorike. Por, që në hapat e parë të turnit të saj spektakolar, ajo fillon të ndjejë një simpati për kombin “e egër” (fq. 20), madje bën të thotë një mikën e saj: - Sa gënjeshtarë, këto i bën propaganda e huaj. Si mund të thotë njeriu se, shqiptarët rrinë kundër qytetërimit?!
Do thonë se kanë kundërqëndruar një mësymje me armë mijëra vjetësh se, u kanë vënë kraharorin, perseve, grekëve, romakëve, mongolëve, serbëve, turqve dhe kanë mbajtur gjuhën dhe zakonet e tyre të hareshme. Autorja, me sinqeritet ka shkruar të zezën mbi të bardhë kur nënvizon: “Do ishte e padobishme edhe sikur të ishte e sinqertë po të pohoja se shoh Shqipërinë me sy të paanshëm. Por duhet thënë këtë sikur ndjej dashuri për këtë vend të vogël që mbase trazon gjykimin e qartë, kjo dashuri është krijuar duke njohur Shqipërinë. Erdha në të me paragjykime ...
Zonja Lane, në librin e saj nuk ka dashur të bëjë përpjekje për një studim mbi një popull primitiv siç i ideonte në fillim shqiptarët. Udhëtimi i saj nuk kishte asnjë suport politik, as ideologjik. Ky libër, nuk ishte përpjekje për zgjidhjen e nyjës së ngatërruar ballkanike. Ai është një libër i këndshëm udhëtimesh shkruar me plot ndjenjë e sinqeritet ashtu siç i ka përjetuar aventurat e hareshme në shtigjet e panjohura me një kënaqësi për të papriturën. Libri ‘’Majat e Shalës” është një fotografim autentik i një kohe të cilën Evropa dhe Amerika kishin shekuj që e kishin lënë pas. Autorja na jep vetëm ato që ka parë, ndjerë e mësuar nga bujtja në vatrat tona malësore.
Zonja Lane, ka shfaqur në mënyrë lakuriqe ndjenjat e zhdërvjellëta artistike, stilin elegant e lakonik të përshkrimit, të bukurive natyrore të mrekullueshme. Në takimin me banorët e Thethit, zonja Lane i thotë përkthyesit dhe shoqëruesit të vet Perollit:
-“... U thuaj se, vij nga Kalifornia, pjesa me e bukur e Amerikës, edhe unë kam parë malet amerikane dhe malet zvicerane të njohura në botë dhe kurrë nuk kam parë male më të bukura se këto të vendit të shqiptarëve”. Shtegtaren amerikane e magjepsi bukuria fizike e racës sonë, ndaj vrojtoi me kënaqësi hollësirat e tipit, karakterin inteligjencën. Ajo ka vizatuar në mënyrë të shkëlqyer shumë portrete, madje karaktere njerëzore autentike surprizuese, të cilat evolucioni natyror i zhduku, gjë të cilën autorja nuk e dëshironte, por mbetën në kujtesën tonë historike nga penda qëndistare e zonjës Lane.
“Njëra ishte plakë, plot rrudha me një shprehje të çuditshme dhe të mprehtë, tjetra sapo shkarkoi barrën e druve dhe drejtoi shpinën, tregoi një fytyrë të bukur, poezia e kokës së saj ishte mbretërore, balli i saj, sytë dhe goja, na therën zemrën me përkryerjen e tyre të bukurisë dhe pikëllimit!”

Një amerikane shtegtare në Dukagjin!
Rosa Lane shtegtimin e saj e filloi nga Shkodra, drejt Qafës së Beshkasit, aty mahnitet nga peizazhi natyror, zbret nga mushka dhe shkruan në bllokun e shënimeve: “Kurrë nuk kisha parë apo ëndërruar male të tilla”. Prej aty, zbret siç i quan ajo në tokat e bajraqeve të fshehura të Pultit, në qytetin historik të Pogut: Në shtëpinë e Marka Gjonit në Plan aty “dëgjon zërin e një ore, shpirti roje i shtigjeve”
Hidhet mbi një qafë tjetër, ne atë të Boshit dhe pastaj ulet poshtë Varoshit të Shalës, ngjitet në Thethin e bukur, në shtëpinë e At Marjanit, shkon për vizitë në shtëpinë e Sadri Lukës me kureshjlën:- (Si mund të jetë njeriu më i pasur në të pesë bajraqet? nënvizimi im, P.M )
Në shtëpinë Kryetarit të Thethit, Lulashit, zonja Lane befasohet duke thënë:
-“Ja, kjo është shtëpia ime”(i kujton shtëpinë e vet në Sanfrancisko nënvizimi im P. M.) Në Thethë, amerikania me pantallona (e para femër e tillë në ato male), u takua pa dyshim me burrin më të bukur (Lulashi) që kishte parë në jetën e saj. Pasi la perlën natyrale e ndjenjave të Thethit, nga njëra anë dhe zhelerinën e mjerimin e thellë të njerëzve të thjeshtë nga ana tjetër, përmes një kohe me shi zbret në Shalë. Diku tek një guvë afër lumit të Shalës takohet me një kaçak këmbëzbathur, leckaman, jashtëzakonisht mustaqemadh, me mjekër si krifa e luanit, të cilit Turgut Pasha i kishte djegur shtëpinë, dhe vrarë gruan e fëmijët. Atëherë, ky trim i çartun hodhi pushkën krahut, i dha besën vetes se, nuk do ta hiqte pushkën krahut dhe nuk do ta rruante mjekrën përderisa Shqipëria të mos ishte e lirë. Ishte një kaçak romantik, që i këndoi me lahutë udhëtares amerikane, një këngë qindra vargjesh që i kushtohej luftës me Turgut Pashën. Udhëtimi i zonjës Lane vijon nga Lotajt në Shosh, këtu fle një natë në kullën e Gjelosh Kolës, ne atë kohe bajraktari i Shoshit, pastaj niset drejt Prekalit dhe Shkodrës. Kthimi nga Shoshi në Shkodër ka qenë vuajtja e saj më e madhe, gjatë atij udhëtimi të pazakontë, frikësohet se, mos e zë pneumonia. Mezi gjen një mushkë, ndërsa udhërrëfyesi i saj refuzon të arrijë natën në Shkodër, por punon dhe intrigon që të shkojë natën në një katund nga shkaku se është në gjak me njerëzit e Kirit. Por, malësori nuk ka se ç ‘bën veç ti bindet një dëshire stoike femërore. Natën vonë, në dritë të hënës, hipur mbi një mushkë të vogël të bajraktarit të Shoshit, le pas malet madhështore, nga më të bukurat male të dheut (fq. 210), për ta vazhduar aventurën e saj edhe në Mat, Durrës e Tiranë.
Zonja Lane, mahnitet nga kreshtat gjigande, horst-grabenet me morfometri të çuditshme, vëzhgon me sytë zhbirilues shqiptarë e shqiptare, varfanjak e të kamur duke mbledhur lëndën e nevojshme për të gatuar brumin e begatshëm të veprës së saj, në të cilën ka dekoruar pamjen fizike, morale dhe psikologjike të shqiptarëve të maleve (kryesisht dukagjinasve). Ja, si e përshkruan një fëmijë malesh të rreckosur mes shiut.
-“Ai i ngjante më shumë një fantazme se një fëmije, llërë e këmbë i çveshur, mbështjellë me një copë lëkurë delje, me sy egërsisht të mbërthyer, të ndritshëm dhe të egër”
Zonja Lane, fillimisht e pranon se e ka pasur te vështirë të bëjë malësorët të kuvendojnë lirshëm . Por, ajo dinte të rrinte pranë vatrës dhe të kuvendonte bukur me malësorët, duke pirë duhan, kafe, raki, “kënaqet” duke fjetur si ata, duke ecur në këmbë, madje një herë edhe me opinga me lëkurë lope. Gëzohet, kur sheh e dëgjon gjëra të panjohura kurrë më parë, nuk qahet fare për vështirësitë (vijon në faqe 6)
(vijon nga faqe 2)
e udhës së gjatë ku moti me shi nuk iu nda, duke marrë çdo send me humor.
Autorja është befasuar nga inteligjenca, oratoria, mënyra e mendimit të tyre për gratë, për dashurinë, martesën, lumturinë e te tjera ... Pa dyshim shprehet autorja, ne ishim në mesin e njerëzve më të sjellshëm në botë.

Qafë e Bishkasit
Kurrë nuk kisha parë apo ëndërruar male të tilla. Shkëmbej me fashë të hollë e të mprehtë, mbulonin qindra milje ... Thellësitë mes maleve kishin kaltëri të mjegullt, nga kaltërija shkëmbinj të mprehtë dhe shpatije të mëdha të sheshuara sulen përpjetë, të përshkuara nga kreshta të lëkundura ngjyrë të kuqe, të kaltra dhe gjelbëroshe, kurse nga majat e tyre mijëra përrenj rridhnin tatëpjetë duke të rrethuar me një të bardhë argjendi. (fq. 21)

Vendi më i bukur dhe më i pa lumtur në botë
Pyes nga njëherë vetën, pse nuk më lindi Perëndia në një vend më të lumtur, tha: Perolli, ndërsa po shikonim me dhjetëra lugina të rrethuara nga male qiellprekse. Por prapë mendoi ai, më ka bërë shqiptar dhe më ka dhënë vendin më të bukur dhe më të palumtur në botë për ndonjë qellim të vetin.
Në shaljane e martuar në Shosh:
“Fytyra e saj pak si e djegur nga dielli, me dy sy të mëdhenj, me formë delikate, që më të bukura nuk kam pa gjer më sot ... Zëri i saj qe i ëmbël dhe duart e këmbët e saj sikur t’i kishte një skulptor do të marroseshe. Në çdo restorant të Parisit gishtat e hollë të saj, thonjtë delikat, belikët e hollë aristokrat do të tërhiqnin vrejtjën e gjithë botës”( fq 20)
Në shtëpinë e Kryetarit të Shoshit (Gjelosh Kolës)
Shtëpia kishte disa dhoma që ndaheshin nga dhoma e madhe me mure të bëra me thupra, kurse nga dhoma me e madhe një portë harkore e lartë në mur të çonte në dhomat e tjera.
Të paktën 40 burra, gra e fëmijë, pesë breza ishin mbledhur rreth vatrës ...
Shumica e tyre rinin ulur në stola të ultë, duke qëndisur e bërë opinga, ndërsa burrat, të veshur me të bardha çlodheshin tek këmbët e tyre, pranë vatrës të mbështetur në bërryla duke pirë duhan ...
Pastaj u shtrue darka e shërbyer në disa tryeza të vogla, që të mund të hanin të gjithë në të njëjtën kohë, dhe burrat dhe gratë hanin bashkë, por vetëm gruaja më e re dhe më e bukuar hante në tryezën e bajraktarit, e heshtur, e respektuar, duke ngjyer gishtërinjtë e saj të gjatë dhe aristokratik druajshëm në pjatë. Mendova se ishte e shoqja e bajraktarit, por Rexha më tha; se ishte nusja e të birit, ende në gjashtë muajt e parë kur nuk duhet të flasë, pa i folur dhe se bajraktari e kishte shumë për qefte dhe dëshironte ta ndjente vetën si në shtëpi, meqë mërzitej për fisin e vet.
(vijon ne numrin e ardhshem)

Nga Prele Milani

Stema heraldike e një familie mesjetare shkodrane e shek XII dhe lidhja me folklorin e popullit tonë

Agron Luka, Studiues
Ervin Gjini, drj. Monumenteve të kulturës

Tradita e lashtë me simbolet me shqiponjat e zeza dhe me luan, imituar nga Aleksandri i Madh, në objekte të ndryshme.

Në traditën e lashtë të popullsive të gadishullit tonë, si simbole totemike pellazgjike ishin të njohura, sidomos shqiponja e zezë dhe një lloj luani, të cilët rriteshin në teritoret tona. Simbolet e bazileusave të lashtë kishin shqiponja, në imitime të kryezotit Zeus, bazileusat quheshin edhe si shqiponja, konsideroheshin burra duke u ndeshur me luanë, kishin kuaj fluturues etj. Këto simbole si arte riprodhime piktografike dhe si ideograma, i gjejmë në skalitiet e portave te strehimeve të fortifikuara, në pikturimet në enë të pjekura, në tempuj e objekte banimi, e deri edhe në objekte të ndryshme, në numizmatikë.
Simbas Aristotelit dhe Herodotit, kur mbreti persian Kserksi, po marshonte në një fushatë në territorin e brendëshëm të gadishullit tonë, me një karvan gamilesh transporti, këto të fundit u sulmuan nga një tufë luanësh. Lukiani i shek II, përmend se, simbas një kulti të Nënës së Madhe Cibelës, me prejardhje frigjiane-anatoliane, dy luanë mali u hodhën në lumin Istër/Danub dhe barbarët gjermanikë, duke i pandehur si qenë-ujq të një rrace të panjohur, i vranë me shtiza e topuza. (Lukiani, “Vepra të Zgjedhura”, bot. 1979, f 372)
U ndalëm pak si më specifikisht për luanin edhe si kuriozitet, sepse shkencërisht vërtetohet se, luanët kanë ekzistuar edhe si një specie natyrore, disi e veçantë, në gadishullin tonë (“Panthera leo europeo”). Mendohet se, luanët u zhdukën nga gadishulli ynë aty rreth viteve 80-100.
Kështu kur Homeri përshkruante skena me luanë, që mësyjnë vathat e bagëtive që ruhen me qenë, apo kur luanët e uritur sulmojnë drerët dhe përleshen edhe midis tyre për prenë, ka arësye të besojmë se, kemi skena origjinale nga natyra e gadishullit tonë dhe e atij anatolik dhe jo importe afrikane apo aziatike të largëta. (Iliada, bot. 1979, K. XVI, v 935-943, f 300)
Ndërkaq, padyshim ekzistenca e luanëve të sjellur nga vise të tjera, duhet të ketë ekzistuar edhe më vonë nëpër amfitetrot me ndeshjet me gladiatorë.
Motivi i shqiponjave të Zeusit pellazgjik, ndeshet qysh herët në vargjet homerike: “Po qe se fisin tim ti kërkon t’a njohësh… pushtetin me skeptrin me shqiponjë Zeusi ia dhuron; Mbretin e shpesëve, lajmëtaren, më ogurmirën, t’murrmen gjahtare që e quajnë edhe zeshkane, me krahë të hapur cep më cep, Zeusi e don me shpirt më fort se çdo shpes tjetër”; Zeusi i prekur bëri me shenjë që populli i tij s’do të shuhej: vrik shqiponjën dërgoi, mbretëreshën e të gjith shpezëve… etj. (Homeri, “Iliada”, përkth. shqip, K. VI, v.184-194. f 103-105; K. XXIV, v. 359-394, f 436-437; K. VII, 287-289, f 134)
“Edhe luanin e rreptë, bishën e tërbuar që e s’filit uria; zemra e të cilit s’njeh frikë as lebetitje”, shpesh e hasim në vargjet homerike, në krahasime e epitete të ndryshme. (K. XI, v. 688-691; K. XII, v 48-55, f 206 etj)
Aleksandri i Madh jo vetëm ishte ndeshur me luanin, por e mbante atë edhe në helemetën/përkrenaren e tij, po ashtu siç e kishte patur Herakliu i pari i fisit të tij. Në sarkofagun e monumentit mortor, Aleksandrit ia vendosën helemetën me luanin në kokë. Në profetizimet e orakulltoreve gadishullore emrin e Aleksandrit, e mbanin si një orë rojtës/mbrojtës të ujrave, si kompozitë aleks + an + dria. Simbas shkrimit piktografik dhe ideografik egjiptian emri i Aleksandrit/Iskender, shkruhej si më poshtë, ku dy germat e para simbolizonin Aethos = shqiponjë; L= luan etj, simbolika epitete. Me sa duket mbi vargjet homerike bazoheshin edhe disa monedha të Aleksandrit të Madh, me shqiponja e me luanë, të gjetura në Shkodër dhe në qytete të tjera si në Apolloni etj.
Simbas historiografit mesjetar alban-epirot M.Barleti, shqiponjat mbi shtiza dhe në flamuret e popullsive albane-epirote e maqedone albanishte-shqipfolëse ishin të njohura prej kohësh. (HS, bot. 1968, f 93)
Gjithnjë simbas Barletit ishte edhe si një farë tradite që qytetet tona të fortifikuara, ishin të ndërtuara në maja të larta si fole shqiponjash. (HS, f 81) Më në veçanti si “fole e popullit të zogjve të shqiponjës, të Aleksandrit”, Sulltan Mehmeti II, Botëpushtuesi, do të quante Shkodrën, duke e mbiquajtur njëkohësish Iskenderie/Aleksandri. (Rr.Sh, f 56) Pothuajse të gjithë kronikanët osmanë e përmendnin veçantinë se, Shkodrën e kishte ndërtuar Aleksandri i Madh.
Sot, në saje të zbulimit shumë të rëndësishëm të prof. L. Nadin, mundemi të themi se, ky lloj informacioni kishte një bazament vendas, bazuar te një lloj Testamenti dhe disa Privilegje, që Aleksandri i Madh u kishte akorduar ilirëve, gjetur në Statutet e Shkodrës. Në këtë tekst, “Biri i Zeusit dhe dominatori i Botës në të katër kordinatat, Aleksandri i Madh, e mbante veten edhe si pinjoll i farës së shquar të popujve ilirikë edhe si folës i së njëjtës gjuhe të përafërt me këta popuj”.
(“Statuti di Scutari, della prima metà del secolo XIV con le addizioni fino al 1469”, a cura di Lucia Nadin, giugno 2002, Roma. Ky tekst i klasifikuar si apokrif, ka shërbyer si Preambul e Statuteve të Shkodrës)

Një zbulim i ri në Itali: Stema heraldike e një familie mesjetare shkodrane

Ndërkaq, duke kërkuar në internet, hasëm në një surprizë gati të pabesueshme. Gjetëm dy stema heraldike, që i përkasin një fisi e familie, në Manfredonia, afër Napolit, ky kryet e gjenealogjisë e ka patur njëfarë konti Galeoto Franco Florea. Mendojmë se kjo ish familie lidhet me “Baladën e Lule Frangut”.
Po citojmë: “Famiglia di origine albanese detta de Florea che ha come capostipite Galeotto Franco Florea di Scutari signore d’Albania, i suoi discendenti dovettero riparare in Italia nel XII secolo...
Giorgio Franco (+1252) signore d’Albania (de Florea) al seguito dell’imperatore Federico II si stabilì nel Napoletano, furono suoi eredi Andrea e Galeotto, quest’ultimo barone di Terra del Lavoro e giustiziere del Contado del Molise e di Terra del Lavoro; Tommaso barone di Roccaguadagna regnando Carlo I d’Angiò; ... etc.
Arma: interziato in fascia: nel 1° d’argento all’aquila bicipide di nero, nel 2° d’azzurro al leone uscente d’oro caricato da un lambello a quattro punte dello stesso, nel 3° di rosso alla fascia d’oro dalla quale partono tre bande dello stesso”.
(Nxjerrë nga interneti)
Mbi këtë bazë mendojmë se, ka një lidhje edhe me folklorin e konservuar nga populli ynë në të dy anët e Adriatikut.

Ballada e Lule Frangut

Studiuesi shkodran, albanologu i njohur Kolë Luka, në vitin 1974 boti një studim të gjatë, të kompletuar dhe model për nga analiza shkencore, të titulluar “Balada e Lule Frangut”. (“Etnografia Shqiptare”, 1974, f 59-114; “Çështje të folklorit shqiptar”, I, f 175-241; po ai te “Çeshtje të Folklorit shqiptar”, II, “Epet shqiptare dhe frënge në rrafsh krahasimor”, f 407-432, ku e ritrajton shkurtimisht.)
Kjo baladë fillimisht ishte hetuar te arbëreshët, më pas u mblodh më e kompletuar nga J. De Rada më 1866 dhe në një varjant tjetër nga Anton Skura, më 1912. Qysh nga viti 1908 nga Mirash Ivanaj, pastaj 1921, kjo baladë u gjet dhe u mblodh edhe në Shqipëri, në gjashtë gjinikime/motërzime ose variante të ndryshme. Varjanti më i madh u mblodh në Pecaj të Dukagjinit më 1955, nga folkloristi i shquar Q. Haxhihasani
Lule Frangu, simbas interpretimit të Kolë Lukës, na kishte qenë një ish person me prona në qytetin e Shkodrës dhe në rrethinën e tij. Pronat përfshijnë, shtëpi banimi, dyqane në tregun e Shkodrës, dajlane peshku në liqen e Bunë, kosë-livadhe e metohe, Fushën e Bushateve, ditar qeshë e tokë buke grunore, mullinj, dërstila, kope me bagëti, kuaj, deri edhe anije e gjemi.
K. Luka mendonte se, ky Lul/Flore Frangu, që del edhe si Lul Llatini/ Frang Kaurri, mbase ishte ndonjë fisnik kalorës me origjinë frange/anzhuine, por nuk e ka përjashtuar as rastin që një feudal vendas të ishte fisnikëruar disi me ngjyrime anzhuine. Përshembull, historikisht e njohim rastin e Karl Topisë, i cili e quante veten “me gjak francez”. K. Topia kishte imituar edhe një stemë heraldike anzhuine me luan, sepse i ati, i famshmi Tanush Topia, zot i Durrësit, kishte grabitur vajzën ilegale të Mbretit të Albanisë, Karlit I Anzhu, e cila shkonte për t’u martuar në Konstandinopol. Nga këto moda anzhuine e frange gjejmë edhe te Dukagjinët, si luftëtarë në Kryqëzata, për çlirimin e varrit të Krishtit në Jeruzalem, etj.
Lule Frangu vën një bast/n’kusht në varjantet tona, me një feudal tjetër të madh rival, i cili quhet Osman Dugajxhia-Shkodrani (ose Aga Turku, në varjante), se kush e përshkon distancën Shkodër-Vlorë e kthim me kalë, brenda një afati kohor, me kusht për të lënë të gjitha pasuritë bashkë edhe me zonjën e bukur. Edhe Osmani ka nga ato prona që i thamë për Lulin. Koha e përshkimit të kësaj distance me kalin/gjogun, siç e vërente K. Luka, ishte jashtë mundësive normale, mirëpo meqenëse jemi në folklorin legjendar dhe kur bëhej fjalë për kuaj thuajse fluturues/Pegasus, kjo ishte e kuptueshme.
Kolë Luka gjithashtu ka vërejtur me mprehtësi se, kemi të bajmë me prona private të trashigueshme të tipit evropian dhe jo me prona timari. Pra, do thoshim, edhe pse koha e sipërshtresa turko-osmane ka ardhur, ende nuk kishte prekur në thellësi. E dijmë nga Barleti se sa e papranueshme ishte prona timar e pa trashigueshme, sepse përbënte një nivel feudal primitiv e regresiv për qytetarët dhe fshatarësinë tonë. Me rastin e parë që iu paraqit me çliruesin Gj. Kastriotin, masat e gjëra, simbas tregimit të Barletit iu turrën atij, për të rimarrë teloznat e bashtinave, ish pronat e trashigueshme etj. (HS, f 85-86)
Nganjëherë nëpër varjantet e ndryshme, aty ku ka edhe shtresa me moskonkordanca e me diferenca në fazat kohore, diku herë njëri e herë tjetri, nga dy rivalët na quhet edhe si baloz,. Kjo paraqitje, na shtyn të mendojmë edhe për ndonjë rivalitet akoma më të hershëm në kohën dyndjeve saraçene, si balozë-harapë belaxhinj që vijnë nga deti.
K. Luka ka sjellë shembuj përkimesh e krahasimesh në këtë temë edhe me epet franceze të ciklit të Karlit të Madh, citon edhe një roman aventurash kalorsiake mesjetare, “Floire et Blanchefleur” të shek XIII, me motive të marra nga trevat bizantine. Ndër hipoteza, ai madje nuk e përjashtonte që edhe vetë frëngët ta kishin huazuar motivin nga trevat tona. (f 217-218 cit.)
Shkodra kishte arritur në mesjetë një pamje gati-gati si qytet-shtetet republikane me një Komunë Autonome Qytetare me të drejtë të mbante edhe një ushtri etj. Statutet e Shkodrës, Privilegjet dhe aktet e tjera të rëndësishme juridike e historike të qytetit e ruheshin në një arkë me tre çelësa dhe e administronin tre gjyqtarë etj. (Neni 88)

Grupi i Veprimit Lokal “Bjeshkët e Namuna”, instrument i rëndësishëm i zhvillimit Rurale

Me datën 8 dhjetor 2011, ne hotel “Sheraton”, ne Tirane u zhvilluan punimet Konferences Kombëtare, me teme: “Grupi i Veprimit Lokal si instrument integrimi të komuniteteve rurale në Procesin e Zhvillimit”, me nismën e Organizatës Holandeze për zhvillim (SNV), Ministria e Mjedisit, Pyjeve e Administrimit te Ujerave dhe Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe e Mbrojtjes se Konsumatorit.
Ne këtë konference morën pjese: Përfaqësues te komunave Shale, Shosh, Pult, Temal, Kelmend, Shkrel, Bujan, Tropoje, Margegaj dhe Lekbibaj; përfaqësues te Qarkut Shkodër dhe Kukës; përfaqësues te OJF-ve, si: Ndue Sanaj për shoqatën “Atdhetare-Dukagjini”, Gjelosh Kroni për drejtorinë pyjore te Malësisë se Madhe, Ndoc Bashota, biznesmen për bimët medicinale, Sokol Guri për federatën e pyjeve për Qarkun e Shkodrës, Pjeter Shytani për shoqatën e pyjeve komunale te komunës Shale; Mirjeta Gjongecaj-kryetarja e Grupit te Veprimit Lokal “Bjeshkët e Namuna” se bashku me N/kryetarin Kole Ndrevashaj dhe Sekretarin Islam Laçaj. Gjithashtu mori pjese Elvana Zhezha-SNV , Drejtore për Shqipërinë dhe Kosovën, Jetona Myteveli-SNV-koordinatore e projektit “Bjeshkët e Namuna”; përfaqësuesi i Ministrisë MPAU-Sajmir Hoxha-Drejtor i Biodiversitetit; përfaqësuesi i MBUMK-Grigor

Gjeci-Drejtor i politikave rurale dhe përfaqësuesi i MADA-Fatmir Voci-specialist për zhvillimin e programeve strategjike ne TSS/MADA.
Punimet e Konferencës i hapi Jetona Myteveli, e cila prezantoi rendin e kësaj Konference dhe ju uroj mirëseardhjen pjesëmarrësve. Përshëndeti Elvana Zhezhes-SNV-se- Drejtore për Shqipërinë dhe Kosovën; Sajmir Hoxha ne emër te MMPU; Grigor Gjeci ne emër te MBUMK dhe Fatmir Voci ne emër te MADA-s.
Ne këtë konference u referuan këto tema:
1-Mjedisi për popullatën e Harkut Dinarik”, Jetona Myteveli- Koordinatore projekti;
2- Grupi i Veprimit Lokal “Bjeshkët e Namuna” dhe roli i tij në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të zonave rurale, Mirjeta Gjongecaj- Kryetare e GVL
3- Zhvillimi rural në Shqipëri sipas kontekstit të BE-së. Grigor Gjeci-BUMK;
4- Parku i Alpeve të Shqipërisë - Mundësi dhe Sfida, Sajmir Hoxha –MMPAU:
5- Strategjia e përfshirjes së komunitetit në zhvillimin e zonave malore,MADA- Fatmir Voci
Pastaj nga pjesëmarrësit, pati pyetje dhe diskutime, qe jo vetëm i dhanë gjallëri punimeve te konferencës, por e bene atë dhe me interesante.
Pas mbylljes se punimeve te Konferencës, organizatoret e saj, pjesëmarrësit i ftuan ne një dreke. Ndue sanaj

VLERËSIME TË PËRKUSHTUARA PËR NJË PENË TË SUKSESEVE

“BLERIMI I NJË FUSHE ME KRIJIME TË BUKURA”, Përmbledhje artikujsh studimor, kritikë dhe vlerësime për krijimtarinë letrare të shkrimtarit Viron Kona, botoi SHB “WEST PRINT”-Tiranë, 2010
Vjen tek lexuesi një përmbledhje voluminoze me artikuj studimor, kritika dhe vlerësime mbi krijimtarinë e shkrimtarit Viron Kona, të realizuar me përkushtim nga Ibrahim Hajdarmataj, krijues, pedagog dhe publicist, që tashmë ka zënë vend meritor tek lexuesi dhe studiuesi i apasionuar nga kjo fushë veprimtari krijuese, duke shpërndarë rrezet e dijes e të shkencës që ngërthen brenda kopertinave të saj.
“Nëpërmjet këtij libri, shpreh dëshirën dhe kënaqësinë t’i paraqes lexuesit një sërë shkrimesh dhe artikujsh studimorë rreth krijimtarisë letrare të Viron Konës, shkrimtar i njohur i letërsisë për fëmijë dhe të rritur. Qëllimi dhe dëshira për këtë botim, nuk është vetëm për të bërë më të njohura vlerat e këtij krijuesi, por për të treguar se letërsia shqipe, veçanërisht në vitet e demokracisë, përfshin një hapësirë të gjerë, ku shkruajnë dhe botojnë shumë autorë, e midis tyre, edhe mjaft emra që tashmë kanë zënë vendin e merituar në këtë letërsi. E them me bindje se, Viron Kona, tashmë është një autor, i cili është fokusuar dhe përbën një objekt studimi për penën e studiuesve dhe të lexuesve të shumtë të letërsisë”,-shprehet autori, në Hyrjen e këtij libri studimesh, ku spikat dëshira dhe guximi i qasjes së kësaj tematike, duke mbledhur këtu mbi gjashtëdhjetë emra studiuesish, me më shumë se tetëdhjetë njësi tematike për librat e shumtë që janë shqyrtuar në mënyra të ndryshme, sipas afiniteteve dhe interesimeve të autorëve të ndryshëm, për t’u afruar një pasqyrë sa më të kënaqshme dhe reale të gjithë adhuruesve dhe lexuesve të veprimtarisë letrare të Viron Konës.
Përmbledhje tematike mbi krijimtarinë për fëmijë
Kryesisht, e tërë krijimtaria e Viron Konës, që shqyrtohet këtu i përket letërsisë për fëmijë, dhe marrë në tërësi këtë libër, vjen si një monografi e autorit, duke shtjelluar dhe shkoqitur në mënyrë studimore shkrimet dhe temat e librave të tij, gjithnjë duke përcjellur edhe me informacione tjera për jetën dhe aktivitetet e autorit që studiohet këtu. Është një përmbledhje me elemente të monografisë dhe studimit gjithëpërfshirës në fushëveprimtarinë e tij për fëmijë, duke dhënë mundësinë e shtjellimit të temave nga shumë krijues e studiues, njohës të veprës letrare të Viron Konës, emri i të cilit tashmë zë vend meritor në letrat shqipe, si njëri ndër krijuesit meritor dhe të suksesshëm.
Në këtë libër voluminoz të mbi gjashtëdhjetë autorëve, si: Gjovalin Shkurtaj, Koço Bihiku, Shefik Osmani, Pajtim Bejtja, Hektor Veshi, Murat Gecaj, Qazim Dushku, Pandora Dedja, Hyskë Borobojka, Dallan Shapllo, Ndoc Gjetja, Vjollca Spaho, Lule Shameti (Dhromi), Merita Thartori (Kuçi), Çelik Petriti, Petrit Malushi, Fatmir Terziu, Kadri Tarelli, Agim Cerga, Koço Kosta, Ibrahim Hajdarmataj, e të tjerë që prezantohen në këtë libër, gjejmë shkrime e studime të shumta për veprat letrare të Viron Konës. Nga biografia e autorit mësojmë se deri tash ka botuar mbi njëzetëekatër vëllime me tregime e romane për të rritur e për fëmijë: “Etja që shuhej”, “Pëllumbat”, “Mos m’i zbukuroni plagët”, “Pulëbardhat përbindëshe”, “Ujkonja”. “Bubulinoja çamarrok”, “E fsheta e pyellit”, “Dardi”, “Dardi në gadishullin e vetëtimave”, “Bubulinoja dhe Dardi në kryeqytetin e amantëve”, “Dëgjoma zemrën, Budapest”, “Drithërimat e yjeve”, “Delfini i dy deteve”, “Një udhëtim i çuditshëm”, “Yje mbi Bosfor”, “Aventurat e Korabit”, e të tjera.
Emra të këtillë të lartëpërmendur dhe të tjerë që aderojnë këtu me shkrimet dhe analizimet e tyre për veprat letrare në prozë të shkrimtarit për fëmijë dhe të rinjë Viron Kona, dëshmojnë për rëndësinë e vlerave të kësaj krijimtarie, sa provokuese dhe pretendente e një vlere të pakontestueshme, aq edhe për mesazhin e fuqishëm tek lexuesi i tij i vullnetshëm dhe me mjaftë admirim. Shprishja në fije të holla studimi e zbërthimi e vlerave të mbrujtura brenda kopertinave të këtyre librave, që me një fjalë nënkuptojnë hapjen e një thesari të mbledhur gjithandej trojeve shqiptare, nëpër vendeve të ndryshme të botës, deri në fshehtësitë e detit dhe të legjendave të shumta, për të mësuar sa më shumë nga fshehtësitë e botës, ku imagjinata e fëmjëve gjithnjë është ndër absorbueset më të fuqishme dhe mbamendja më e gjatë e këtyre vlerave të transponuara në vlera arti e kulture.
Përveç analizave, mbresave dhe shqyrtimeve të shumta të bëra nga studiues të shumtë, nuk mungojnë edhe vlerësime e rrjeshtime të reja për vlerat dhe karakteristikat e autorit, si: “Shkrimtar i vëmendshëm ndaj jetës dhe karaktereve” (Dalan Shapllo), ‘Shkrimtari dhe publicisti Viron Kona në krye të krijimtarisë letrare për fëmijë” (Pandora Dedja), “Një cilësi e re në letërsinë shqipe” (Agim Qoku), “Thellësia e shpirtit njerëzor” (Bashkim Minga), “Subjekte të thjeshta të ndërtuara me origjinalitet” (Bardhyl Dake), “Vërtetësi dhe gjetje psikologjike interesante” (Agim Cerga), “Shkrimtari Viron Kona, në kufijtë e legjendes dhe të së ardhmes” (Sejdo Harka), “Krijimtarinë e Viron Konës e shikojmë si krijimtari dramatike” (Përparim Kalemi), “Një prurje e re në letërsinë tonë” (Lule Shameti-Dhromi), “Gërshetimi i realitetit me fantazinë shkencore ka rrëmbyer mendjet e fëmijëve” (Petrit Malushi), “Viron Kona: Njeri i mirë e i dashur dhe shkrimtar i talentuar” (Csaba Balkus-kritik hungarez) e shumë vlerësime të këtilla që mund të takon lexuesi këtu, për të dhënë një pasqyrë të gjërë interesimesh nga njohës dhe studiues të ndryshëm të kësaj krijimtarie.
Evokime dhe mbresa nga lexuesit
Derisa vështruam pjesën e shkrimeve analitike nga studiues të fushës së letërsisë, që mund të konsiderohet kapitull i veçantë, që në fillim hetohet edhe pjesa tjetër e shkrimeve me synim komunikimin e lexuesit me librin e Vironit, qoftë nëpër shkolla, biblioteka, tek lexues dhe adhurues të shumtë, që nuk hezitojnë të japin përshtypjet, mbresat dhe të insistojnë secili në mënyrën dhe mundësinë e vet të prekjes së vlerave dhe ndiesisë së fjalës artistiko-letrare dhe mendimit filozofik të shkimtarit të frytshëm dhe serioz në letrat shqipe të profilit letrar për fëmijë dhe të rinjë, Viron Konës. Vetë mënyra e shtjellimit të temave dhe takimeve me lexues e pasionant të kësaj krijimtarie, gjithandej nëpër shkolla, biblioteka, institucione kulture e arti, nëpër qytete e lokalitete të ndryshme, dëshmon bindshëm për interesimet e mëdha të lexuesve të shtresave të ndryshme në mësimin dhe kuptimin e vlerave dhe mesazheve të fuqishme dhe plot dritë ardhmërie të krijimtarisë së Viron Konës.
Përcjellja e krijimtarisë së Viron Konës edhe në qarqet shkollore, duke e lexuar, duke shtjelluar tema të reja për veprat e botuara, duke dhënë vlerësime, mendime nga më të ndryshmet e deri tek pëlqimet e nxënësve, që konsistojnë në mishërimin me këtë literaturë, vlerat e të cilës vijnë edhe si shprehje artistike, letrare dhe mesazh i qartë për ngritjen edukative dhe përkushtimit për një jetë të re në frymën e civilizimeve të botës së zhvilluar. Emrat si: Murat Gecaj, vlerësimi i të cilit ka qenë edhe pagëzori i titullit të këtij libri, pastaj Andon Andoni, Vjollca Spaho, Merita Thartori-Kuqi, etj. flasim hapur për evokimet dhe kontaktet miqësore me autorin dhe veprimtarinëe tij letrare për vite të tëra Pastaj përshtypjet nga lexuesit e vegjël dhe mësuesit e tyre nëpër shkollat e vendit dhe në bibliotekat e qyteteve dhe shkollave gjithandej, që dëshmon edhe ky citim nga një pjesëmarrëse e këtyre diskutime dhe promovime të librave të autorit, Xhemile Hilaj: “Unë jam shumë e lumtur që kam librin: “Delfini i dy deteve drejt aventurave të reja”…Ai na mëson se nuk duhet të jemi egoistë dhe nuk duhet të shpërfillim njëri-tjetrin…” Edhe kjo pjesë e lexuesëve dhe analizuesëve në mundësinë e vet të shtjellimit shquhen për angazhimet e tyre në forma të ndryshme të prekjes së lëndës artistike të kësaj krijimtarie, dëshmojnë interesimet e nduarenduarta për ta përvetësuar këtë vlerë, si dhuratë nga entuziasmi i përkushtuar i penës së Viron Konës.
Vazhdimi pas tri pikave
Nga nëntitulli nënkuptohet se gjithë lënda e përfshirë në këtë libër do të shqyrtohej pa ndonjë vështirësi, pa marrë parasysh shtjellimin e temave nga studiues dhe njohës të letërsisë, por nuk do të kishte asnjë arsye pastaj që lexuesi të bridhte nëpër gjithë ato shkrime e tema të larmishme që vijnë njëra pas tjetrës si buqeta lulesh në ndonjë datë a festë të shënuar, për të shprehur falënderimet dhe urimin për një rrugëtim të pandalshëm tutje nëpër labirinthet dhe krajatat e fushë-hulumtimeve dhe fushë-gjetjeve të reja për ndërtimin dhe shtjellimin e prozës së autorit.
Një libër i vëllimshëm që synon të përmbledh gjithë atë lëndë të publikuar e të zhvilluar në kohë të ndryshme, me qëllim të paraqitjes sa më komplete dhe të argumentuar me shumë pamje nga takimet e ndryshme të opinionit dashamirës të autorit dhe krijimtarisë së tij, bën të kuptohet se kemi të bëjmë me një paraqitje të mirë dhe objektive të kësaj krijimtarie të dëshmuar prej vitesh.
Sajimi i kësaj përmbledhjeje shkrimesh autoriale nga më të ndryshmet, e preokupojnë hartuesin e saj, Ibrahim Hajdarmatajn edhe për faktin se ky libër mund të shfrytëzohet edhe nga studiues të letërsisë, veçanërisht të asaj për fëmijë, ku Viron Konës i takon një vend meritor. Poashtu janë tri arsye që të bëhet ky organizim i këtillë, dhe atë nga nevoja që të paraqitet një autobibliografi më komplete, pastaj mendimet dhe analizat e shumë studiuesve dhe njohësve të mirë të kësaj krijimtarie dhe e trea, pjesa promovuese nga masat e gjëra të lexuesve, duke e bërë komplete njohjen dhe publikimin e krijimtarisë së tij. Ky libër do t’i paraprinte bindshëm edhe një prezantimi komplet të krijimtarisë së Viron Konës, duke e ndihmuar lexuesin ta kuptoj dhe ta njoh më gjerësisht tërë veprimtarinë e tij shumëvjeçare. Gjuha e rrjedhshme e komunikative, pastaj mjetet përcjellëse, kryesisht fotografi të portreteve të autorëve, pjesë nga takimet e lexuesve dhe kopertinat e librave që janë shqyrtuar, janë edhe një shembull se sa e afërt është kjo përmbledhje artikujsh studimor, kritikë dhe vlerësimesh për krijimtarinë letrare të shkrimtarit Viron Kona për lexuesin e saj.
Mbyllja e këtij shkrimi, ka për qëllim vetëm një informacion sa më të shkurtër rreth asaj që është prezantuar këtu, për të hapur rrugën për të lexuar e mësuar më shumë për atë që shtjellohet rreth veprimtarisë krijuese të Viron Konës. Shenja e pikësimit prej tri pikave, paralajmëron vazhdimin e mëtutjeshëm të rrugëtimit nëpër librin e prezantuar dhe për të absorbuar nektarin e vlerave studiuese, mbresave dhe kujtimeve të lexuesve dhe studiuesve të brezave dhe moshave të ndryshme.
Nga Ibrahim Hajdarmataj

TOMË ZEF SHYTANI, MALËSORI TRADICIONAL BASHKËKOHOR

Shpesh shikohet nëpër rrugët e Shkodrës një burrë i moshuar, një malësor tipik, që asnjë i panjohur i tij nuk mund të afrohet në përcaktimin e moshës së tij, shtat lartë, trupdrejtë, vetullzi por flokët ju kanë radhuar pak dhe zbardhur. Në kokë mban kapuç të bardhë si bora e bjeshkëve ku është lindur, rritur dhe jeton, gjithmonë të mbështjellë me një shami të pastër e me ngjyra. Veshur me një këmishë të bardhë si bora, xhaketë nga ato që u thuhet “qyrk”, pantallona të zeza e te tjera. Të bie në sy pastërtia e plotë e veshjeve të tij. Ecja e tij është e qetë, ritmike, hapi i sigurt, nuk mban shkop, nuk është aspak i habitur për çfarë shikon rreth e rrotull, i kujdesshëm në rrugë, me shikim të qetë dhe të thellë.
Ky është Tomë Zef Shytani.
Toma jeton në shumicën e kohën në vendlindje, në fshatin Nënmavriq, por jo radhë zbret edhe në qytet te djali, Prelë, vajza Katrinë dhe të afërmit e tjerë të shumtë që i ka këtu. Është interesant përshtatshmëria e tij mjaft e mirë edhe me jetësen në qytet, nuk ka nevojë për shoqërues, dhe është interesant fakti, siç thonë edhe të afrimit e tij se, një rrugë që e bën një herë nuk e harron më.
I lindur në fshatin Nënmavriq të komunës Shalë, në prag të revolucionit të Qershorit 1924, me 10 maj 1924. Në këtë revolucion, axha i Tomës, Marash Sokoli, ka qenë aktiv në mbështetje të opozitës së asaj kohe me Luigj Gurakuqin në krye. Shumë aktiv ka qenë qëndrimi i familjes së tij edhe pas këtij revolucioni duke mbështetur rezistencën kundër regjimit të Ahmet Zogut, veçanërisht kundër reprezaljeve për të nënshtruar Dukagjinin. Për këtë xhandarët dhe ushtria që mësynë Dukagjinin i djegin shtëpinë Marash Sokolit. Sipas burimeve, ne familja e Tomës, Franc Nopça ne vitin 1907 është bere kumbare për Sokol Shytanin (Udhëtime neper Ballkan-kujtime nga jeta e Franc Baron Nopça, botim i vitit 2007, fq. 137), si rezultat i lidhjes dhe mirëkuptimit të tyre gjatë lëvizjeve të këtij të fundit nëpër Dukagjin.
Duke qenë një familje e mbrujtur me tiparet e atdhedashurisë, lirisë dhe përparimit kombëtar, edhe në periudhën e Luftës Nacional-Çlirimtare familja e Tomës ndihmoj me mundësitë që kishte, materialisht dhe fizikisht, këtë lëvizje. Babai i Tomës është anëtar themelues i çetës partizane në Pepsumaj dhe me vonë pjesëtar me armë në dorë në batalionin partizan “Perlat Rexhepi”. I rritur në këtë mjedis patriotik dhe me dëshirën për përparim kombëtar dhe shoqëror, edhe vetë Toma në fillim të vitit 1944 rreshtohet në radhët e lëvizjes për çlirim si korrier partizan, për të cilën ka statusin e veteranit dhe merr pensionin.
Toma qe gjithmonë një njeri pa pretendime, pa mburrje, i kudo ndodhur për të punuar, kudo që e kërkonte nevoja, kryesisht në ekonominë bujqësore të kohës, por edhe në ndërmarrje shtetërore si në shfrytëzimin pyjor në Fushë të Zezë, Cukal dhe vende të tjera. Puna dhe shembulli i tij, për rregull dhe cilësi qe gjithmonë shembullore. Ai asnjëherë nuk “dinte” të punojë pa cilësi, deri sa doli në pensionin modest që i vinte nga puna në ekonominë bujqësore, në vitet ’80. Ai mendon se “duhet të marrë atë çfarë më takon dhe jo më tepër”, siç mund të mendojë ndonjëri.
Edhe pse në pension, dhe mund të mendonte “se unë e kreva detyrën” asnjëherë nuk e ka lënë punën. Dora e tij e artë veçanërisht në pemëtari, që ka mbjellë e shartuar me qindra pemë të llojeve nga më të ndryshmet, por edhe në të gjitha llojet e punëve të tjera në bujqësi dhe blegtori. Ka qenë një agronom i vërtetë pa shkollë. Ish nxënës të shkollës së mesme bujqësore në Breglumi, tek e shikonin Tomën kur punonte në pemëtore e sidomos në vreshta që ishin atëherë, thoshin se në shkollë kemi mësuar ato metoda që përdorë Toma.
Në jetën e tij nuk ka përbuzur asnjëherë asnjë punë që mund të bënte ndonjë njeri në fshat e krahinë. Puna e tij kurrë nuk ka “qarë”. Ai shprehet shkurt dhe prerë se, po të mos kisha punuar ka herë do të kisha shkuar te të shumtët. Malësori mbi 87 vjeçar Tomë Zefi jetë gjatësinë e tij e lidhe edhe me faktin se asnjëherë nuk e ka tepruar me alkool, nuk ka pirë asnjëherë duhan, është ushqyer mirë në kushtet e kohës, por të paktën këto ushqime kanë qenë të pastra biologjikisht. Kësaj i shtohet edhe jetesa në mjedisin e pastër të maleve. Toma, por edhe të afërm tregojnë se nuk bëhej nervoz, nuk mban inat, është i hapur në mendime dhe shumë i qetë e i duruar në çdo situatë. Ai ka një mendje shumë të kthjelltë, humor të hollë, ja ka qejfi që të përdorë gjuhën lakonike, e te tjera. Këto cilësi të këtij burri të nderuar janë një shembull i shkëlqyer jo vetëm për të afërmit e tij, por për të gjithë njerëzit që e njohin apo që mund të lexojnë këto radhë që po shkruajmë. Është shumë kënaqësi kur dëgjon nga goja e tij, që megjithëse po shkon nëpër 88 vjet nuk njeh ndonjë sëmundje në trupin e tij, siç thotë ai, s’ka bërë kurrë injeksione, nuk ka qëndruar asnjë orë në spital, një herë në disa vjet mund të sëmuret nga gripi, për mjekimin, prej tij, ka përdorur gjithnjë mjekësinë popullore, veçanërisht çaje nga bimë të ndryshe si lule blini, çajë malit, ën sane e te tjera.
Është shumë interesantë fakti se, edhe në këtë moshë ka shumë dëshirë për të lexuar dhe mësuar të reja nga të gjitha fushat, ka të dëgjuarit e të shikuarit shumë të mira. Është për tu pasur zili edhe nga moshat e reja dëshira për të qenë kërkues ndaj vetes për tu veshur mirë dhe pastër, mbahet shumë mirë, kurdoherë i rruar dhe i qethur. Është me vend të shënojmë këtu se mbajtja mirë e plakut është meritë e padiskutueshme e familjes së tij, djemve, vajzave, por shumë edhe nuseve të djemve, gjë e cila Tomës nuk i ka munguar.
Toma nuk qe kurrë në bankat e shkollës, por din të shkruaj dhe të lexojë mirë, siç e përmendëm edhe më parë, ka dëshirën për të lexuar ndoshta më shumë se shumë të rinj.
Toma, ka qenë dhe është një prind dhe familjarë shumë i mirë. Ai në marrëdhëniet me fëmijët e tij kurrë nuk ka qenë i dhunshëm, por fjala e tij ka qenë shumë e goditur, e cila ka dhënë rezultatin e dëshiruar. Ai me qëndrimin, edukatën e tij dhe dashurinë për dije dhe kulturë ka ndikuar pa masë në edukimin e fëmijëve të tij që të arsimohen, duke sfiduar kushtet e vështira të kohës. Toma ka një familje që pa më të voglën vështirësi mund të themi që është shembull për nga paraqitja, kultura, arsimi, marrëdhëniet shoqërore, puna, e te tjera. Ai është i lumtur me familjarët e tij, por në krijimin e një familje të tillë ka pasur një ndihmës jashtëzakonisht të mirë në të gjitha drejtimet, gruan e tij, tashmë e ndarë prej disa vitesh nga kjo jetë, Sose Nika.
Toma është mjaftë i ndjeshëm për shumë nga ngjarjet e mbas viteve ’90, veçanërisht plaga e hakmarrjes dhe gjakmarrjes. Edhe pse në moshë të madhe e që rrjedhë nga një familje që tradicionalisht ka qenë me emër dhe e respektuar, e që ishte familje e parë e fshatit për kohën, mendon se veprimet kanunore në kohën e sotme pengojnë ecjen e krahinës dhe vendit përpara. Sot jemi në tjetër kohë, mendon ai, jemi në kohën kur shteti dhe ligji duhet të zgjidhin problemet, pasi mungesë e veprimit të tyre çon në kërkimin dhe gjetjen e rregullave të tjera të cilave u ka kaluar koha.
Malësorin Tomë e shqetëson shumë edhe largimi, veçanërisht i rinisë nga vendlindja, nga Shqipëria për jashtë shtetit. Me sytë e tretur diku, që duket sikur po shikojnë larg-larg, duke bërë një lëvizje të lehtë të dorës, thotë se do të doja që në këto vite që më kanë mbete ti kisha afër.
Është krenari kur një familje, fshat, zonë apo krahinë të kenë njerëz të tillë, si Toma, njerëz pa pretendime, pa pompozitet, të thjeshtë si e vërteta, bashkëpunues si me të riun ashtu edhe me të vjetrin, fjalë ëmbël, por i fuqishëm në mendime, pa autolëvdata, i drejtë dhe i drejt për drejtë, por edhe i rreptë kur e lyp nevoja.
Në këtë fund viti, me rastin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri 2012, i urojmë nga zemra Tomë Zef Shytanit shëndet dhe jetë të gjatë, gëzime personale dhe familjare të përhershme.
Nga LUIGJ SHYTI

Njeriu asocial

Natyrisht qe keni dëgjuar te flitet për njeriun asocial dhe për “ bëmat”e tij, ne te shumtën e rasteve, aspak te këndshme. Ne familje, ne shkolle, ne pune, ne tren, ne autobus, ne teatër, ne kinema, ne kafene dhe kudo tjetër, te gjithëve na ka qëlluar qe te shikojmë njerëz te pasjellshëm, brutal dhe te dhunshëm, madje dhe te përjetojmë, fizikisht dhe emocionalisht, efektet e brutalitetit te tyre.
Ky është njeriu asocial.
Ky njeri, karakterizohet nga mungesa e dëshirës për te njohur dhe zbatuar rregullat, normat e moralit dhe ligjet, kudo dhe për çdo rast. Ai është me te gjithë ne konflikt. Atij i interesojnë konfliktet pasi ka aftësi për ti shfrytëzuar ato për përfitime personale. Për fatin e keq te nacionalitetit, ne sot, e shikojmë njeriun asocial edhe ne politike, si ligjvënës dhe ekzekutues. Deri këtu arrin ai.
Njeriu asocial, ne veprimtarinë e tij jetësore, udhëhiqet nga truri emocional. Nuk ka aftësi te mendoje për plane afatgjata dhe as durim qe ti zbatoje ato. I mungon ndjenja e fajit dhe pendimit për sjelljet e tij antisociale. Edhe atëherë kur rrezikon ose merr jetën e tjetrit. Shkolla për atë është e tepërt dhe e padurueshme. Shpesh ndodhe qe e braktise atë, me shume vështirësi mbaron vetëm pjesën e detyruar me ligj. Edhe aq, me notat me te këqija.
Sipas studimeve te kryera, ne kërkim te këtij njeriu, numri i meshkujve asocial, është tri here me i larte se ai i femrave.
Kjo “sëmundje”e rende fillon qe ne fëmijëri. Simptomat me te zakonshme janë, injorimi I shkollës ,dhuna psikike dhe fizike ndaj te tjerëve, prishja e rendit dhe qetësisë publike,braktisja,vjedhja, alkooli, droga, shfrytëzimi seksual I femrave pa lidhje te qëndrueshme, e ndershmëria e paqëllimtë…
Mund te mendohet se, këto shenja janë tipike për një pjese te madhe te adoleshenteve. Natyrisht qe po. Por, kur këto bëhen udhërrëfyese te jetës se fëmijës, atëherë nuk duhet menduar me se kemi te bëjmë me një adoleshent ne kërkim te vetvetes, por me një adoleshent brenda te cilit po formohet njeriu I rrezikshëm, asocial. Këta janë socialrrjetecaresit dhe “banoret”e ardhshëm te burgjeve.
Njeriu I formuar si asocial, i shfrytëzon me shume kujdes përmbysjet apo përplasjet e mëdha sociale, si ndërrimin e sistemeve, luftërat, fatkeqësitë e natyrës e te tjera. Shpesh ndodhe qe asociali tiran, ne rrugën e tij për marrjen e pushtetit, krijon ushtrinë asociale me mashtrime për ta mbështetur deri tek kolltukë dhe pastaj i flake.
Megjithëse ne përgjithësi asocialit nuk i pëlqejnë rregullat, normat, morali dhe ligjet, kur bëhen pjese grupeve te caktuara janë shume te vëmendshëm dhe te kujdesshëm ne veprimet e tyre. Zakonisht te tille njerëz përbejnë familjen e mafies, familjen ku sundon një disipline e hekurt.
Ndodhe qe edhe ne “ekranin social”asociali te paraqitet “engjëllor” pasi ai e din se keqe-sjellja është e pakëndshme për syrin e njeriut normal. Qëllimi asocial dhe shpesh kriminal, ja imponon sjelljen normale.
Parimi baze nga i cili udhëhiqet njeriu asocial ne veprimtarinë e tije jetësore është: - Nëse mendon diçka, kryeje menjëherë, nëse te duhet diçka, rrëmbejë menjëherë.
Njeriu i vërtetë asocial, nder te tjera karakterizohet nga katër cilësi shume negative te cilat janë: mungesa e respektit për jetën, mungesa e fleksibilitetit te trurit, paaftësia kooperuese dhe mungesa e aftësisë për lidhje shpirtërore, emocionale dhe fizike me te tjerët. Kjo është tipike për fshatarin inteligjent asocial. Nëse një i tille do te arrije te behet udhëheqës i ndonjë nacionaliteti, i mjerë ai nacionalitet! Historia e njerëzimit ka njohur shume te tille. Kështu ka qene Stalini (nëntë here ne burg për vrasje, për terrorizëm dhe grabitje bankash), Hitleri (tri here ne burg për prishje te rendit dhe qetësisë publike), Sadami (diktator, i cili u dënua me vdekje), Sllobodani (i cili vdiq ne burg, i akuzuar për krime lufte), Gadafi (diktator, i cili u vra nga rebelet) … Te gjithë këta dhe shume te tjerë, kane qene fshatar asocial dhe paranojake.
Për fatin e keq te popujve, këta nuk kane qene dhe nuk do te jene kurrë te fundit.
Duhet vigjilence!
Zakonisht me i inteligjenti i bandës, behet gjithmonë udhëheqësi i saj. Madje edhe ne burg, kështu ndodhe. Grupimet gjithmonë i udhëheqin asocialet me inteligjente. Edhe ne politike kështu është.
Njeriu asocial nuk e duron dot rrjetën sociale. Ai mundohet qe, me çdo kusht dhe për çdo rast ta grise atë. Ai karakterizohet nga pabesia, paqëndrueshmëria dhe fjalëthyera. Nëse do ju duhet te keni te bëni me një te tille, për çdo rast duhet qe te mos i besoni, sidomos kur fjala është për gjera te rëndësishme. Ai ka aftësi manipuluese dhe korruptuese te të tjerëve. Nëse vjen puna qe te përballeni me atë, duhet te përgatiteni mire. Ne gjyq, jo gjithmonë fiton ai qe ka te drejte por, ai qe ka me shume prova. Asociali është ne gjendje qe te siguroje me shume prova. Si mjeshtër i gënjeshtrës dhe shpifjes qe është, ai ne sytë e te tjerëve, ka aftësi qe ta beje te zezën te bardhe dhe te bardhen te zeze. Ai është armiku i diturisë dhe i njeriut te urte dhe te ditur. Ai i thyen “pasqyrat” qe te mos e shikoje shëmtimin e vet. Me siguri ju ka qëlluar qe te dëgjoni te bëjnë moral ata qe nuk kane lexuar kurrë as abetaren. Asociali hiqet si besimtar i madh por ai ne te vërtetë nuk ka as Zot as fe.
Njeriu asocial është mjeshtër i “gjuetisë” se femrave. Kjo edhe për faktin se shume femra e shijojnë aromën e aventurave. Pjesa me e madhe e tyre përjetojnë lidhje te dështuara. Te suksesshëm janë vetëm me femrat e varura, ato qe për arsye te ndryshme, nuk kane mundësinë dhe kurajën qe ta marrin jetën e tyre ne duart e tyre. Me një fjale janë ato qe pranojnë vullnetarisht te skllavërohen. Jashtë vullnetit te tyre, shume nga ato, detyrohen nga njeriu asocial te bëhen pjesëmarrëse dhe autore te krimit.
Asocialet kure “mërdhinë“, ja afrojnë kurrizin njeri-tjetrit por, pa u takuar pasi, nëse takohen, eksplodojnë.
Literatura bashkëkohore, psikofilozofike, rekomandon qe njeriu normal te distancohet sa me shume dhe sa me shpejt nga njeriu asocial. Për çdo rast, ne pune, familje, shkolle, mjedis dhe kudo. Kjo nuk do te thotë qe njeriu normal ti shpalle lufte njeriut anormal. Përkundrazi, ne jemi te detyruar qe te bashkëjetojmë me njerëz te vështirë. Puna është qe te mësojmë se, si te bashkëpunojmë, si te bashkëjetojmë dhe si te distancohemi nga ata.
Shpesh ndodhe qe nga lart te përcaktohen vija-sjellje te gabuara ndaj njerëzve te vështirë. Dëgjojmë goje-shqyerit qeveritar duke u çjerr: - Tolerance zero kundër krimit! Ne thelb kjo do te thotë liberalizim te dënimeve. Do te thotë sa me shume ne burg qe qeveritaret ta bëjnë gjumin sam e te qete. Do te thotë terror për paqe ne kolltukët e qeveritareve. Do te thotë makiavelizëm-qëllimi shenjtëron mjetin.
Makjaveli ka thënë: -Ai qe arrin ti fusë friken popullit te vet, te paktën për disa kohe, nuk ka arsye te ketë frike.
Kriminologu gjerman, Michael Lindenberg, thotë se, ne Amerike, nëse do te vazhdohet me këtë ritëm dënimesh ,ne vitin 2050, gjysma e popullsisë amerikane do te jete ne burg dhe gjysma tjetër do tu beje roje atyre.
Thirrja e qeveritarëve tone te sotëm, për liberalizim te dënimeve, ne përmbajtje është e njëjtë me atë te njërit nga ministrat e brendshëm te diktaturës komuniste, i cili me një radiogram lëshuar te gjitha degëve te punëve te brendshme, urdhëronte shtimin e arrestimeve. Pjese nga teksti: Jemi prapa me planin e goditjeve. Kjo është forme terrori mbi popullin.
Dy burime janë ato qe e krijojnë njeriun asocial: -Trashëgimia gjenetike dhe mjedisi.
Ne një mjedis ku varka sociale lundron e qete dhe e sigurte, ku secili ka vendin e vet dhe mundësinë për te hipur e zbritur sipas nevojave dhe dëshirave, geni agresiv “dremite”. Nuk ka arsye te zgjohet. Te gjithë janë bashke dhe secili ne pune te vet. Ndërsa ne varkën sociale te çare, ku te gjithë shikojnë pasigurinë e jetës, ku për te shpëtuar kokën do te duhet ti rrëmbesh tjetrit mjetin e shpëtimit, geni agresiv zgjohet. Pushteti i tij i heshtur ven menjëherë nen-kontroll njeriun, qe deri dje ne e kemi menduar normal. Te gjithë kundër te gjithëve.
Ne Suedi nuk ka burgje, sepse nuk ka njerëz asociale. Nuk ka kriminele! Perse? Ky vend i ka te ardhurat vjetore për fryme te popullsisë 42 200 $, ndërsa ne i kemi 2900 $. Ne Norvegji, pas arrestimit te kriminelit, Anders Breivik, i cili me datën 22 qershor 2011 vrau 77 te rije, problem shtetëror ishte se, nuk kishin burg ku te mund ta siguronin. Perse nuk paska burgje atje? Norvegjia i ka te ardhurat vjetore për fryme te popullsisë 72 500 $, ndërsa ne i kemi 2900 $. Ne Gjermani një i papune, edhe nëse është lëkurë-erret, merr si asistence sociale rreth 700 euro ne muaj. Por tek ne një i papune merr rreth 4 euro ne muaj. Ne muajin nëntor lexova ne një gazete se, ne Gramsh, familjet me trajtim social kishin marre vetëm 200 lek për familje ne muaj.
Sipas shkencës se gjenetikes, 99% e geneve, tek te gjithë njerëzit, pavarësisht nga raca dhe ngjyra, janë te njëjta. Vetëm 1% e tyre janë te ndryshme, gjë kjo qe mjafton për ti bere njerëzit te ndryshëm nga njeri-tjetri. Sipas kësaj, norvegjezet apo suedezet, gjenetikisht janë shume te përafërt me ne. Ndryshimi është, ambient ku jetojnë ata dhe ku ,fatkeqësisht, jetojmë ne. Atje nuk ka burgje sepse ka jete, kujdes dhe respekt për jetën. Tek ne ka burgje, ndërtohen burgje, përforcohen burgjet dhe shpresa e paqes janë burgjet.
Atje ku shteti han fjalën, njerëzit do te hane njeri-tjetrin.

Nga Leke Imeraj
shkrimtar dhe përkthyes

LAMTUMIRË

Shoku ynë, njeriu i mirë dhe fisnik Nail Truma

Një dhimbje e thellë dhe e papërshkruar tronditi zemrat tona kur, ditën e Hënë, me 21 Nëntor 2011, i dhamë lamtumirën e fundit, si pasojë e një aksidenti fatal në rrugën e Nacionale Shqipëri-Kosovë, shokut tonë të dashur e të shtrenjtë, Nail Truma.
Nail, fatkeqësisht ike papritmas si një meteor i ardhur nga qielli për të kaluar drejtë pafundësive të tij, duke hedhur mbi ne një shkëmb të madh hidhërimi për largimin tuaj të parakohshëm nga kjo botë plot rreziqe e tragjedi.
Para varrit tënd mu dridh zemra dhe shpirti. Ti ishe dhe qëndrove deri në frymëmarrjen e fundit, si askush tjetër, simbol i përkushtimit, gatishmërisë, korrektesës dhe i vetëmohimit. Kush ma mirë se unë të ka njohur? Pas shërbimit të detyrueshëm ushtarak, për 36 vjet rresht, të gjitha forcat dhe energjitë tuaja i vure pa kursim në shërbim të Albtelekomit Shkodër, Pukë e Malësi e Madhe. Me Ty, punova për një çerek shekulli, në çdo kohë e situatë, duke kryer detyrën e Kryetarit të Degës së Financës. Ju ishit përgjegjës i zyrës P.T.T. Dajç, revizor dhe më vonë deri sa u largove prej nesh llogaritar-arkëtar i ndërmarrjes. Në pranverën e vitit 1997, atëherë kur sundonte si lubi anarkia dhe krimi bashkë me shefin dhe dy burra të tjerë trima e besnik Berhan Leka e Tonin Kasneci rrezikove disa herë jetën duke shoqëruar me makinë private qindra miliona lekë të ndërmarrjes nga kasaforta e financës së Telekomit Shkodër në Bankën Kombëtare Tregtare Tiranë.
Kujtimet e mia s’kanë të sosur. Ato janë shumë! Ju ishit një djalë, bashkëshort, prind dhe familjar i përsosur. Kujdesi dhe kontributi i juaj ndaj prindërve e fëmijëve ka qenë shembullor. Edhe ndaj shokëve. Nail, nuk e harrojë kurrë prezencën, ndihmën dhe shoqërimin tënd për disa orë së bashku me personelin e urgjencës të Poliklinikës Shkodër për në Spitalin Civil të Shtetit si pasojë e një goditje të fuqishme tensioni 200 gjatë kryerjes së detyrës me datën 4 Prill 1995.
Kolegu im i paharruar Nail Truma, kurdoherë në çdo moment qëndrove modest, i drejtë, dinamik, i papërtuar dhe fjalë pak. Me moralin, kontributin e karakterin tuaj të fort e të shkëlqyer do mbeteni për jetë nderi e krenaria e ndërmarrjes dhe e qytetit, sepse asnjëherë dhe në asnjë moment nuk u tundove, megjithëse i pate mundësitë, para parasë cinike e të pa besë dhe gjërave të tjera joshëse e intriguese të kësaj bote. Kam bindje dhe shpresë, e cila vetëm tek unë s’do të mbesë, që ju, si të thuash, e keni fituar “kandidaturën”e çmimit për titullin më të lartë të Universit, “Shenjtor”. Nuk e teproi, sepse sinqerisht besoi që atje në pafundësi, në “Panteonin e Mirësisë e të Shkëlqimeve pa Fund”një Karrige Prestigjioze është rezervuar për Ty, për njeriun e mirë fisnik, i cili kurrë s’u ndal as u tronditë, nuk u tërhoq dhe as u tund, por vetëm ndriçoi, duke mbetur përjetësisht një yll i pashuar i zemrave tona.
Këto fjalë kërkova t’i them atë ditë, por rrethanat s’ më lejuan! Sa keq për ata! U treguan mosmirënjohës! Gjithsesi, kam një porosi, më tepër si amanet: “Ju lutem mbani shënim, sepse atje tek pasuria juaj gjigande është edhe një pjesë, konsiderojeni si të dëshironi, e djersës, mundit dhe e kontributit prej disa dekadave e ish punonjësit të ndërmarrjes ekonomistit veteran Nail Truma. Të paktën një copë letër me pak rreshta për ndarjen e tij tragjike nga jeta ...! Kjo s’do t’iu kushtonte asgjë. Ajo do ishte në dobi të nderit e të prestigjin tuaj.”
Nail, pushofsh në paqe në përjetësinë e miliarda viteve.
T’u bëftë dheu që ke mbi trupin tënd sa më i lehtë dhe i ngrohtë, gjithë ar e flori.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
Lamtumirë!

Shkodër 18 Dhjetor 2011,
nga Luigj Temali

MJERE AI QE NUK E NJEH MADHESHTINE E SHPIRTIT-ARBER-DHE QE NUK GJUNJEZOHET PARA TIJ”, theksonte Gjergj Kastrioti

Po e filloj këtë shkrim modest me citatin e harruem nga drama “Shqiponjat” te dramaturgut te shquem te qytetit tone e te mbare Shqipënisë, Mjeshtrit Fadil Kraja. Me dramën e sipër përmendun jane dhanë disa shfaqje ne Shkodër, por edhe ne Tirane. Megjithëse ne kushtet e kohës, thellësisht te politizueme, ngritja e figurës se Gjergj Kastriotit ne majat ma te nalta te kohës se tij nuk mund te quhet “hiperbole” për vete faktin se, këtë “gjeni” te vërtetë te Arbënisë e kane vlerësue bashkëkohësit e tij, madje edhe kundërshtarët e tij. Jo për nacionalizëm folklorik, por si pasoje e nji realiteti historik, asht detyre dhe ndere për çdo shqiptar te vërtetë te mburret me veprën e pavdekshme te “Gjeniut” te Arbrit-Gjergj Kastrioti. Ndaj 28 nandori, dita e kthimit te Tij ne Kruje mbetet nji dite e Shenjte, ashtu siç mbetet 28 nandori 1912 dita e ngritjes se Flamurit dhe Shpalljes se Pavarësisë.
Vlen t’iu kujtojmë te gjith atyne, cilët do qofshin, qe me nji “nihilizëm” te theksuem, Xhonturko-Bizantin, kërkojnë te minimizojnë figurën e Kastriotit tue ja “faturue” Enver Hoxhës ngritjen e tij ne Piedestal. Ky soj nihilizmi vetëm e ndihmon dhe e nderon sistemin komunist (ndoshta asht e qëllimshme), por jo i pakuptueshëm ... Ne demokraci asht i lire shfaqja e mendimit, por kjo nuk don te thotë se, te gjith e “hajn” sapunin për djathë ... U kundërshtue deklarimi i etnitetit dhe besimit!? Po, kush e kundërshtoi? Pikërisht, e kundërshtuen ata me etnitet te dyshimte. Nuk mund te jete shqiptar i vërtetë ai person, i cili nga frika apo interesi mohon nacionalitetin apo besimin, qofte ky edhe ateist. Ateiste ka ne te gjith boten, dhe kjo nuk përbën asnjë turp (sipas mendimit tim), as dhe ndonji mëkat. Qe te mos i largohemi temës, vlen te theksojmë se, nder ata qe kane shkrue për Gjergj Kastriotin, Marin Barleti, asht ai, i cili e veshi me figura letrare nga me te larmishmet dha ma hiperboliket, por gjithsesi, njohja e thelle e latinishtes se tij te “kullueme” e bani figurën e Gjergj Kastriotit te njoftun dhe imponuese ne gjith Evropën.
Ne mes te autoreve qe kane shkrue për ketë dimension te madh te botes Arbënore, Dhimiter Frangu, mbetet ma i sakti dhe ma origjinali. Këtë version na e afron studiuesi dhe eruditi-Lek Pervizi (njohës i shkëlqyer i italishtes se vjetër), nga ku ka marre dhe burimin studimore mbi Gjergj Kastriotin. Askush nuk mund ta mohoje qe Kastrioti luftoi për Arbërinë dhe për Krishterimin, dhe kjo, pa dyshim e afroi me shtetet Perëndimore dhe me Vatikanin. Dhe asht pikërisht ky fakt qe i nxite fanatiket dhe nostalgjiket e sulltanëve për te ba analogji absurde mes Gjergj Kastriotit dhe Enver Hoxhës ...! Dhe padyshim ketë e bajne anti-evropianet (fluide) ... Ketë do ta ilustroj me nji shembull shum sinjifikativ: Ne vitin 2003, ne nji fshat te Sarandës kishin nderte nji kryq te madh. Mbasi e prishen, ne orët e vona te natës, natyrisht me dijeninë dhe urdhrin e pushtetit lokal te Vlonës, ne nji nga mediat televizive u dha njoftimi. Me ka ba shum përshtypje paraqitja e Sabri Godos, i cili u shpreh: “Atë kryqin e kishin vendosur me dijeninë e Fatos Nanos, qe ta shikonin grekërit nga Korfuzi, ... Vazhdon: këta mund te pretendojnë qe një dite ta vendosin edhe ne Kruje një kryq te tille ...!” Shtrojmë pyetjen: Çfarë pretendonte te shoh ne kështjellën e Krujës, Sabri Godo? Mos mendonte te shoh “gjysmën e Hënës” e sulltanëve? Me sa duket, Godo, kishte mbete te idhulli i tij Ali Pashe Tepelena. Megjithëse, ai shkroi romanin “Skënderbeu” dhe “Ali Pashe Tepelena”, duhet te theksojmë se, këto dy figura nuk kishin asgjë te përbashkët. Gjergj Kastrioti ishte biri i Princit-Gjon Kastrioti; ndërsa Ali Pashe Tepelena ishte kryetar i nji bande hajdutesh, dhe se titulli “Pasha” ja dha Sulltani për shërbimet qe i bani Perandorisë Osmane. Kokën e tij ne Stamboll nuk e dërgoi “patriotizmi”, por egoizmi, sepse Aliu deshi te bahej sulltan.
Urojme qe dita e shenjte e 28 nandorit t’iu ndriçoje ndërgjegjen intelektualëve dhe historianeve qe ti shërbejnë ma shum te vërtetës dhe historisë se, sa interesave meskine. Brezit te Ri, duhet t’i mëkohet Atdhedashuria dhe jo hipokrizia. Askush nuk mund te hedh balte mbi figurën ma te ndritun te tokës Arbënore.

Nga Mark Bregu

ARSIMI NA PERKET TE GJITHVE

Synime për rritje cilësore ne arsim –
Konferenca rajonale e arsimit me teme: - “Arsimi na përket te gjithëve”, u mbajt ne qytetin e Kukësit me pjesëmarrje te mësuesve, drejtoreve te arsimit te detyrueshëm nëntëvjeçar, drejtor gjimnazesh, përfaqësues te komunitetit, kryetar komunash e bashkisë, drejtues te OJF-se, nga Kukësi, Hasi e Tropoja, si dhe prefekti i Qarkut te Kukësit, Elez Maci, dhe Zëvendës Ministri I Arsimit e Shkencës, Halit Shamata.
Ne fillim, përfaqësuesja e MASH-se Znj. Nina Gjoci, prezantoi qëllimin e kësaj konference. Ajo u ndal ne punën qe duhet bere ne te ardhmen, për te rritur dhe edukuar një brez te devotshëm dhe te gatshëm për te çuar vendin tone ne arritje me te larta.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale te Kukësit, Ylli Metalia, u ndal ne arritjet e arsimit ne Kukës, Has dhe Tropoje, duke theksuar për zhvillimin e arsimit sa me cilësor.
Ne fjalën e Zëvendës Ministri I Arsimit e Shkencës, Halit Shamata, solli përshëndetjet e Ministrit te Arsimit e Shkencës Prof. Dr. Myqerem Tafaj. Unë, e njoh shume mire qarkun e Kukësit, vijoi Halit Shamata, sepse detyrën time si mësues e kam filluar ne një fshat te qarkut te Kukësit, ku kam mbresa dhe kujtime shume te bukura. Unë, ju kam ndjekur ne vijimësi dhe ne arritjet qe keni pasur dhe për këtë ju përgëzoj.
Ndërsa Dr. Mexhit Hajdari, Drejtues i filialit te Universitetit Shtetërore ne Kukës, theksoi vijueshmërinë e cilësisë se punimeve te reja ne këtë fakultet te studenteve te pranuar nga Kukësi, Hasi, Tropoja, Puka, Peshkopia dhe nga Kosova, kryesisht nga rrethinat e Prizrenit.
Për teknologjinë dhe informacionin Znj. Ardiana Sula, përfaqësuese e MASH-it, referoi një kumtese me mjaft kompetence profesionale dhe shkencore.
Znj. Dafina Cenaj, ne kumtesën e saj u ndal ne funksionimin e financave dhe planifikimin buxhetor ne arsim, e cila u ndoq me mjaft vëmendje nga pjesëmarrësit e kësaj konference.
Znj. Albina Buci, pati mjaft interes kumtesa e saj për projektet ne mësimdhënie.
Ne fund te konferencës folën për eksperiencën e tyre shume vjeçare ne fushën e arsimit dhe te edukimit, përfaqësues te komunitetit te prindërve shembullor, mësues dhe drejtues shkollash, përfaqësues te pushtetit vendor nga Kukësi, Hasi e Tropoja.

Nga Ibrahim Hajdarmataj

Gjakmarrja nuk është një problem i vërtetë në Shqipëri?!

Me nismën e Shoqatës “Komuniteti Papa Xhovani XXIII-Operazione Colomba“, 8 shoqata, qe janë kundër konfliktit, qe janë pro jetës dhe jo gjakmarrjes dhe kane dhënë një kontribut modest ne këtë fushe, janë bashkuar te koordinojnë veprimtarinë e tyre ne luftën ne përgjithësi kundër dhunës dhe ne veçanti kundër gjakmarrjes.
Pjese e kësaj nisme janë: Shoqata “Atdhetare-Dukagjini“, Qendra e gruas “Hapat e Lehte“, Komisioni Drejtësi dhe Paqe, Fondacioni “Jo Gjakmarrjes, Po Jetës“, Organizata “Word Vision Albania“, Shoqata “Internacionale për Solidaritetin“ (SHIS) dhe Shoqata “Ambasadoret e Paqes“.
Përfaqësuesit e këtyre shoqatave dhe organizatave janë mbledhur disa here dhe kane diskutuar për koordinimin e veprimtarive tona kundër dhunës dhe ne veçanti kundër gjakmarrje.
Me keqardhje evidentohet ende gjakmarrja. Ajo është prezent dhe një problem i vërtetë ne Shqipëri, e cila po shkatërron jetën e jo pak familjeve!
Me keqardhje po evidenton punën e pamjaftueshme e strukturave te shtetit për ndalimin e gjakmarrjes!
Me keqardhje, evidentohen jo radhe mashtrimet dhe abuzimet me gjakmarrjen!
Me keqardhje evidentohen jo pak fëmijë qe po rriten pa shkolle dhe po edukohen me mentalitete te një shoqërie primitive, me mentalitetin e vetëgjyqësisë!
Me keqardhje po evidentohen gra te lodhura deri ne ekstreme duke përballuar gjithë mundin për mbajtjen e familjes se ngujuar!
Me keqardhje evidentohen ngujime te familjeve nga frika e gjakmarrjes duke përfshirë disa breza!
Me keqardhje evidentohen jo ne pak raste humbje jete te pafajshme!
Shtrojmë pyetjen: Deri kur kështu? Deri kur strukturat e shtetit do te mbajnë qëndrim indiferent ndaj kësaj plage te tmerrshme për një shoqëri te emancipuar, për një shoqëri demokratike dhe te hapur, ne themel se cilës janë vlerat e individit.
Pas shume takimeve dhe diskutimesh, si hap te pare, dhe ne kuadrin e qëndrimeve te pamoralshme te disa strukturave shtetërore dhe shoqatave ndaj gjakmarrjes gjate hapjes se drejtës se lëvizjes pa viza jashtë kufijve te vendit tone; pra për lëvizjen ne vendet e Shegenit ne Evrope, vendosem te bëjmë publike qëndrimin tone ndaj dhunës dhe ne veçanti ndaj gjakmarrjes, me një deklarate ne Ditën Ndërkombëtare e te Drejtave te Njeriut, e cila është botuar ne disa media te shkruara, është dhëne ne disa media televizive dhe po e botojmë edhe ne gazetën “Dukagjini“.

Përgatitë nga Ndue Sanaj

DEKLARATË

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut 10 Dhjetor, 2011
Ne, disa organizata joqeveritare, të pranishme prej vitesh në Shqipëri e në kontakt te ngushtë me njerëzit, nevojat dhe problemet e këtij populli, duam që zëri ynë të dëgjohet fuqishëm në këtë ditë të posaçme për mbarë botën. Ne duam të jemi një zë për ata që nuk kanë zë, në mënyrë që secili të jetojë me dinjitet e të gëzojë të drejtat që i takojnë. Kjo përbën themelin e lirisë, drejtësisë e të paqes në botë. Ky është thelbi i një shoqërie të shëndoshë, pa të cilin nuk mund të ketë zhvillim shoqëror në një vend demokratik, sikurse Shqipëria dëshiron të jetë. Nuk mund te jemi realisht pjesë e Bashkimit Europian e nuk mund te gëzojmë as respektin e botës demokratike. Mbi të gjitha nuk do të kemi një të ardhme me shpresë. Po! Shqipëria ka të drejtën e vet si të gjithë popujt.

“Gjakmarrja nuk është një problem i vërtetë në Shqipëri?“
Ne, organizatat në fjalë, e konsiderojmë si të tillë mbi bazën e fakteve të vërtetueshme që disponojmë, prandaj duam që zëri ynë të dëgjohet përkundrejt nivelit të ulët të njohjes së problematikës si dhe mos angazhimit për zgjidhjen e saj.
A mund të bëjmë sikur nuk dëgjojmë britmat e personave të detyruar ta kalojnë jetën të ngujuar në shtëpi nga frika e vrasjes?! A mund të jemi moskokëçarës ndaj nevojës së fëmijëve për të shkuar në shkollë apo dëshirës së tyre për të luajtur lirshëm?! Po aspiratat e gjithë atyre të rinjve shqiptarë të shtrënguar të mos jenë pjesë e shoqërisë me gjithçka ajo ofron?! Ku janë të drejtat e këtyre personave? Këto britma duhet të na shurdhojnë sa të na e bëjnë të pamundur gjumin e natës, indiferencën shoqërore, qytetare dhe institucionale.
Nga ana tjetër, kundrejt abuzimit me gjakmarrjen me qëllim përfitim azili politik, po me një qëndrim të përbashkët, ne distancohemi nga abuzuesit, qofshin qytetarë, organizata apo institucione. Nuk bashkohemi me idenë e azilit politik, sepse besojmë në mënyrë të vendosur që nuk është zgjidhja më e mirë për këtë popull aq të dëshiruar për të gëzuar dinjitetin që i takon brenda e jashtë kufijve.
Sot ne shqiptarët kemi nevojë të besojmë në vetvete dhe në mundësitë tona njerëzore e intelektuale për të ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi vlerën e jetës e jo të vdekjes apo të një ligji alternativ.

Nënshkruesit:
Shoqata “Atdhetare – Dukagjini”
(NDUE SANAJ)
Komisioni „Drejtësi dhe Paqe“
(LUIGJ MILA)
Shoqata “Komuniteti Papa Xhovani XXIII” –
Operazione Colomba
(SIMONE MORI)
Shoqata “Internacionale për Solidaritetin” (SHIS)
(ALTIN NIKA)
Qendra e gruas “Hapa të Lehtë”
(ANA MILA)
Fondacioni „Jo Gjakmarrjes, Po Jetës“
(ELONA PRROI)
Organizata “Word Vision Albania”
(ARBEN SHALA)
Shoqata “Ambasadorët e Paqes”
(SANDER VLASHI)

Poezi

KALI
Le prapa trokitje te patkonjve
Ne asfaltin e lagur
Pikat e shiut rrëshqasin ne muskujt e tkurrur
Fishkëllima e kamxhikut te karrocierit
Duket se lëshon ritmin ne asfaltin e lagur
Hyj
Dhe ti kalë je o karrocier
Qe dikush si mua te ka mbërthyer
E ne te dy ecim ne rrugën e kamxhikut
Sot bota është e mbushur me kuaj
Me buze te thara e trup te dregëzuar
O zot sa keq është te jesh kalë
Qe te gjithë te godasin
Deri ne varr.

CIGANET
Erdhën ciganet, erdhën ciganet
Fëmijët këmbëzbathur pas tyre vrapojnë
Pluhuri i rrugës pudros fytyrat e tyre
Me zë te ëmbël ciganet këndojnë
Udhët e fatit ne këngë i kane
E se bashku me zogjtë cep me cep shtegtojnë
Vallëzojnë tango nen ritmin e dajres
Si një plep i thyer nga era përkulen
Shpirti ju vuan, por zemra ju këndon
Buzët me kallot e këngës i kane
Shtegtar te vjetër shtegtar te ri janë
Bredhin ciganet me këngën ne krah
Çdo hap qe hedhin tastierë muzike kane
Rruge te gjate, rruge ne pentagram
Këngë e bukur me flatrat e jetës
Dehet lumturia me tingujt e këngës
Vallëzojnë tango nen ritmin e dajres
Një këngë te re, një këngë te pafund
Erdhën ciganet, erdhën ciganet
Fëmijët këmbëzbathur pas tyre vrapojnë
Këndojnë ciganet, ne dajre hidhen parat
Pa këngë ciganet jetën se kuptojnë
Jo, jo ciganet s’ janë pasanik
Bryma hedh valle ne gjoksin e tyre
E shkrijnë mëngjeset e akullta te nëntorit
Ecin ciganet bashkudhëtar te këngës.

Nga Shyqyri Dushaj

URIME PËR SHTËPINË E RE, VILË
Çesku, urime për shtëpinë e re, vilë
Zani ynë u ngrit deri në Qiell
Si ti ka pak burra me namë
Sot mblodhe shumë vipa me famë.

Dikush tha: “i ka g-ja krejt të atit
Mjaltë për të djathtin, sheqer të majtit.”
Kurse një tjetër, ashik i lëngut të rrushit:
“I pari i Botës ka kenë Rrok Nushi!”

Dje shpirti i tij m’ la një amanet
Disa fjalë në poezi thur me lezet:
“Ju përshëndes dashamirës të djalit
Po çmallem me ju se m’ ka marrë malli.”

“Edhe atje në yje kam taku një shejtan!
Rini ecë përpara hovin mos e ndal
Mirë se erdhët, çoni gotat me raki
Dy pesëqindtësh bëjnë njëmijë.

Mos kurseni more shokë
Sepse vreshtat i këna plot
Edhe njëherë ato i mbushni
Për jetë do rroj Rrok Nushi.

Sapo zbulova një sekret
Do iu them shumë shpejt
Mos u mërzit ti nusja e Tinit
M’i ke flokët si fije floririt.

Dije mirë dhe mbaj shënim
Nga unë ka mësua shoku Abedin
Me miliona janë kope
Njerëz të shquam ka pak mbi dhe.

Sot pesë veta njihen në Botë
Sovrani në Qiell, Rrok Nushi në Tokë
Ka pas kenë edhe Lenini
Napoleoni dhe Kin Lin Cini.

Kam dëshirë me iu dhurue
Ujë burimi iu kam prue
Asht magji o vëlla
Nuk paguhet me para.

Disa pika nga ai me pi
Në tan trupin ka me hi
Kurrë s’keni me pas frikë
Nga ju ajo ka me ikë.

Do u mbuloi bereqeti
Për ne mendon Baba Dovleti
Ditë e natë ai rrinë pa gjumë
Tujë gjuajt peshk në Vilun!

Punova diku në Sarreq
Kjo botë qenka ndërtua për dreq
Deri në fund isha privat
Monizmi s’ më bëni zap.

Sot për ju do bisedoi
Në Parajsë të gjithëve t’iu çoi!
Prandaj mos u ankoni
Vij përsëri kur t’ më ftoni.

Të gjitha këto janë të vërteta
Nuk lëvizin sa të jetë jeta
Pranë zjarrit afër prushit
Bashkë me ju asht Rrok Nushi.”

Nga Luigj Temali

NJI GRUSHT DHÈ I VENDIT TIM
Nji grusht dhè i vendit tim
peshon ma randë se nji botë me filistin,
me ngjitet per qiellzë,
me ngjitet per shpirt,
me jep forcë, me jep besim.

Me etje për liri,
në të trishtueshmen tonen histori,
me të drejtën për liri,
edhe pse ne vishtirësi qëndrojnë burrnisht,
deri sa të sjellin të vërteten,
dhe drejtësi.

Unë e njoh mire ketë grusht dhè.
edhe po ta përzini me dhena të tjera,
e njoh nga ngjyra e forte, spërkat me gjak,
ne shekuj që për ne punuan mbrapsht,
e njoh nga aroma. Vetëm shqiptari i vërtetë,
dallon aromë të flamurit kuq e zi,
aromë e nji pranverë të largët, ende të pa ardhun
pranverë qe djeg me hitha e ferra,
ardh nga botë e vjetër, nga dhena të tjera,
botë gri pa mbarim, pa mëngjeze të zbardhun.

Nji grusht dhè i vendit tim,
ruan thesar shpirtin e shqiptarit, rrethue me pushkë, ruan nji betim,
nga malet ma të nalta deri ne detet tona,
ku shkëlqen fari dhe në ditët ma të vona.
Sa keq! Ne shekuj pate tradhtarë,
qe te shkelen, te mohuan, te shiten,
por nga shpirti flamurin nuk munden me ta heq,
nga maja e lavdisë kurr nuk të zbriten.

Për albanët e vërtetë asht ma me vlerë,
se nji botë me brilante ne gishta pashallarësh,
ma shumë se nji copë qiell me yje pa jetë,
asht nji botë me oksigjen, në ditë të asfiksume,
tepër të vishtira, me të madhen shpresë,
në këto ditë të zeza, vërtetë të tradhtueme.

Nji grusht dhè i vendit tim,
asht atdheu ynë, nji botë me martirë,
nji botë me sakrificë në shekuj pa fund,
me qindresë trimnie, ruan të madhen shpresë,
në ketë botë zhgenjimi të tradhtueme në besë.

Nji grusht dhè i vendit tim,
asht ma i lashti nder dhena të tjera,
asht nji grusht andrra që në pagzim,
nji grusht lot edhe me durim,
jo të pafund, deri nji ditë që dhamb për dhamb,
me të keqen do të përleshemi, me djallin anë e kandë,
për nji botë sigurie,
për nji botë mirësie,
për nji botë lumturie.

KRENARI
Në njehen anë, ca shpate mali,
plot shkambij, kaçube ferra,
lisa të medhej që prekin qiellin,
kafshe të egra, dhelpna, derra

Përballe tij shpat mali tjetër,
shpati shpati ballë për ballë,
ujku, dhelpna dhe çakalli,
ariu zot si në përrallë.

Në këto shpate këndojnë vasha,
vajza të bukura por si zana,
nimfa t’ bukura dalin nga deti,
që lakmi i ka dhe mbreti.

Dielli zbardh çdo mengjez,
shkrep rrufeja, lisi flakë,
qe baresha mbështet për gur,
dëgjon fyellin, fytyra nure.

Në këto male pushka krisi,
historia fletë qëndisi,
zanat thërrasin nëpër shpat,
vend shqiponje: Pse pa fat?

Prej parajse ik shqiptari,
me thes hallesh si i marri,
në pushtet n’ shekuj tradhtari,
vend të vet po e ndez flakë.

Jam krenar që jam shqiptar,
edhe pse me lot i lamë,
toka, lisat, qielli thërret,
Guri i randë ne vend te vet.

DRUNËT E KOPSHTIT MBAJNË SHPRESË
I këndoj pemëve edhe në dimnin e egër,
kur qajnë me dhimbje ashtu të zhveshuna,
kur era i fshikullon pa mëshirë,
kur bora i mveshe me rroba virgjinie.

Ti me durim i thua: Deri nji ditë,
pranvere me zemër mbaj,
që të gëzojmë ditë të vërteta lumtunie.

Nga Eduard Çiurçija

Së shpejti në dorën e lexuesit libri me titull
SHOSHI - gjeografia, gjenealogjia, historia

Për kënaqësinë e lexuesit, por japim një fragment të shkurtër nga kapitulli i parë i librit voluminoz, prej 526 faqesh, ku spikat, jo vetëm informacioni i bollshëm dhe i larmishëm, por edhe numri i madh i fotove, përfshi në fundin e librit si një album.

Lugina (Pellugu) Shalë-Shosh përbën bërthamën qendrore të Alpeve shqiptare dhe kufirin ndarës mes Alpeve perëndimore edhe Alpeve lindore. Ajo përshkohet nga lumi me të njëjtin emër që formohet nga dy degë kryesore, përroi i Kaprresë dhe perroi i Stupes. Nga fillimet, në gropën e Thethit, në lartësinë 1200 m deri në grykëderdhjen e Përrojt të Stupes, lugina ka pak a shumë drejtimin Veri-Jug, kurse prej këtej merr një kthesë të detyruar nga Juglindja. “Duke u nisur nga veçoritë e formave të ndryshme të relievit Lugina e Shalës nga ana morfologjike ndahet në tre sektorë:
Sektori i Thethit, i Shalës dhe i Lesniqës.
Sektori i sipërm (i Thethit) është nga burimet e Okolit deri në grykëderdhjën e përroit të Kaprresë. Ky sektor ka trajtën e një grope të thellë akullnajore ovale të rrethuar me male të lartë e vendosur në lartësitë 760-800 m mbi nivelin e detit. Në ballë të luginës në (Veri), mes Qafës së Pejës dhe të Vishnjes rrinë hijerëndë si pirg gjigand i mprehtë dhe krejtësisht i shveshur me ngjyrë të errët maja e Arapit 2217 m. Në perendim qendron i heshtur dhe krenar masivi i Radohinës në kuoten 2570 m. Në lindje, luginën e qarkon maja e Alisë që ndahet nga maja Plishit prej qafës së Valbonës. Vargmali pastaj vazhdon me majën e Grykës së Masçobanit, me qafën e Derzave, Dnellin dhe arrin në majën e Drenit. Gropa e Thethit ne drejtimin Veri-Jug, ka gjatësine 6 km dhe gjerësinë 1000 m.
Sektori i mesëm (Shalës) është nga fshati Ndërlysë deri në grykëderdhjen e përroit të Stupes dhe sektori i tretë (Lesniqes) është nga grykëderdhja e Stupes në Lesniqe, aty ku lumi i Shalës i bashkangjitet Drinit. Sektori i mesëm i luginës, merr tiparet e një pellgu, i cili tek Portat e Shalës (Rrasa e Tëngjonit) ndahet në dy pjese, në pjesën e krahines se Shalës dhe në pjesen e krahines së Shoshit. Pellgu i Shoshit gjeografikisht, nga këtu fillon duke koresponduar me ish-kufirin e vjetër, por jo të Shoshit të sotëm si njesi administrative në të cilin nuk bëjnë pjesë Lotajt. Pellgu i Shalës (më i madhi) i formuar në antiklinalin e Dukagjinit, në të cilin dallohen kater nivele taracash lumore, veçanarisht nga e djathta. Në dalje të Breglumit, kjo luginë formon një nga ngushtimet më të bukura e tepër origjinale duke e detyruar lumin të futet në një kllapë simetrike, që quhet me të drejtë Portat e Shalës. Ngushtimi ndodh për shkak se lugina këtu hyn menjeherë në formacione karbonike të vjetra dhe masive. Pas Portave të Shalës, lugina zgjerohet përseri duke formuar pellgun e Shoshit, i cili ndryshon mjaft nga ai i Shalës. Ky ndryshim eshte ne vendosjen e tij në dy zona tektonike në atë të Alpeve dhe të Cukalit. Pikërisht për këtë arsye shpatet e këtij pellgu ulen gradualisht dhe bëhen asimetrike. Kjo i detyrohet struktures mbyllëse të antiklinalit të Cukalit nga e majta e kësaj lugine dhe erozionit më të fuqishëm të lumit të Shalës nga ai i Kirit, për shkak të nivelit bazë më të ulët. Nga dalja prej Shoshit e deri në grykëderdhjen e Stupes lugina ngushtohet, merr formën e gërmës “V” dhe bën gjarpërime të shpeshta. Pas grykëderdhjes së përroit të Stupes formohet sektori i tretë i luginës, në formën e një harku të madh ne anën jugore nga verilindja midis malit të Cukalit nga e djathta dhe Toplanës nga e majta. Asimetria e theksuar midis shpateve të kësaj lugine i detyrohet përbërjes së ndryshme gjeologjike të tyre; shpati i djathtë ndërtohet gati tërësisht nga flishi, kurse i majti nga karbonikë. Fundi i luginës, i cili njhesohet me shpatin është i ngushtë dhe formon gjarpërime të shumta deri sa përfundon në lumin Drin. Pellgu i Shalës dhe ai i Shoshit janë dy pjesë të një të tëre (Antiklinalit të Dukagjinit), ato rrethohen nga dy vargje malore gjigande nga perëndimi. Vargu malor midis Luginës së Shalës dhe të Kirit dhe nga lindja me vargun malore Qafë Valbonë-Bosh- Ershellë-Toplanë, që e ndan me pellgun tjetër të Nikaj-Mërturit.
Vargu mes luginës së Shalës dhe të Kirit ka drejtim veri-jug, shtrihet mes Shalës në lindje dhe Kirit në perendim, nga rreza jugore e Bigës së Gimajve në veri deri në rrëzën veriore të malit të Cukalit në Jug. Tiparet e reljevit janë përcaktuar nga shtrirja e tij mes dy zonave tektonike të Alpeve në veri dhe të Cukalit në jug. Ky vargmal fillon me majën e Elbunit (1960 m) e cila shkëputet nga Biga e Gimajve në trajtën e një luspe gartitative. “Relievi shkëputet menjëherë sapo shkëputet nga krahu karbonitik i antiklinalit të Dukagjinit dhe futet në bërthamën rreshpore të tij”. Karakteristikë dalluese e reljevit në ketë sektor të ndertuar nga rreshporët është nderthurja e një seri majash relativisht të buta dhe qafash jo shumë të larta që lidhin luginën e Shalës me atë të Kirit. Midis majave të këtij vargu spikatë maja e Boshit, maja e Kurorës së Lotajve, kurrizi i Malit të Shoshit. Pamja e vargut ndryshon sapo hyn në karbonatikët e zones tektonike të Cukalit ku relievi merr karakter mjaft të ashpër në lartësinë e majës së Bigës (1314 m), dhe asaj të Buellit (1378 m). Shpatet e vargut malor që kufizon Shoshin nga përëndimi dallohen për bimësi të pasur që përfaqësohet nga brezi i dushkut dhe i ahut. Vlen të përmenden veçanarisht pyjet e ahut të Balzës dhe malit të Shoshit në sektorin e Shoshit deri në lartësinë 800-900 m shtrihen qëndrat e banuara si Nicajt, Dardha apo pjesa e sipërme e Palajve. Kordoni lindje-perendim i vargmalit që ndan Luginën e Shalë e Shoshit (Pellgun e Dukagjinit) nga Pellgu (lugina e Nikaj-Mërturit) ka si nyje hidrografike mes Shalës, Valbonës dhe Nikajt kupolën gjigande të majës së Boshit (2416 m). Në Veriperendim qendron blloku i Jezercës (2694 m) i cili ndahet nga qafa e Valbonës (1800 m) dhe kurrizi vazhdon pastaj në drejtim të jugut sipas zgjatimit Bosh-Ershellë-Toplanë. Duke u mbështet në veçoritë morfologjike ky vargmal ndahet në dy pjesë: Blloku i Kakisë, midis Qafës së Dnellit dhe asaj të Agrit, kurse vargu i Toplanës nga ky i fundit deri në majen e Toplanës varg që korespondon me shpatin lindor të Pellgut të Shoshit. Duke filluar nga Qafa e Agrit (1320 m), Kurrizi i butë flishor i Streziqes, Qafa e Streziqes, qafë Mjeti, Plishku, maja e Shkuqit, Skaku e deri në majën e Toplanës (1941 m) dhe përfundon me majën e Madhe (1250 m), e cila formon një rrëpirë 1200-1300 m mbi luginën e Lesniqës Shalës, nga më të rrallat dhe befasueset e Alpeve tona me pragje të shumta strukturore, të formuara në drejtim të kundërt me rënjen e shtresave gëlqerore të antiklinalit të Lesniqës, të cilat i kanë dhënë rrëpirës një formë tipike të shkallzuar, në këtë vargmal ndërthurën një seri majash dhe qafash me forma të buta. ”Këto tipare morfologjike i detyrohen strukturave dytësore antiklinale (karbonatike) e sinklinare (flishore) që kalojnë terthor krahut Verilindje të antiklinalit të Cukalit ku është formuar ky varg”. Mbulesa e këtij vargu malor vjen duke u bërë gjithnjë e më e pasur drejt jugut sidomos në sektorin e Shoshit. Brezi i dushkut arrin deri 900-1100 m, (Vuksanaj-Brashtë-Mollë-Lesniqe) ; kurse brezi i Ahut ka shtrirjën më të gjerë 1200-1800 m (Komplet) qafa e Ndërmanjës-Qafa e Agrit- Streziqja deri në rreth të Brashtës-qafë Mjet-Shkuqi-Komplet L”qeni i Mollës dhe zbret deri në Qafën e Lisit.

KLIMA
Shoshi, si pjesë përbërëse e Alpeve qëndrore, nuk bën perjashtim nga veçoritë e klimës mesdhetare malore (me një përiudhë të gjatë me ngrica, me reshje të pasura shiu dhe bore), por përgjithësisht meqënëse shtrihet në pjesën më të ulët të Pellgut të Dukagjinit, ku ndihet sadopak një hapje e luginës nga jugu sasia e reshjeve të shiut, borës dhe ditët me ngrica janë më të kufizuara se në sektorin e epërm Nderlysa-Theth, madje stina e verës është përgjithësisht e nxehtë dhe e thatë, tipike mesdhetare kodrinore dhe e kundërta ngjet në dimër, pasi nga jugu bllokohet prej masivit të Cukalit, depërtimi i erërave me ndikim zbutës. Masivi i Cukalit për pellgun e Shoshit ka ndikuar negativisht në dy stinët ekstreme të vitit. Në verë masat ajrore të lagëta në jugperendim me karakter zbritës nuk kanë mundësi të kapercejnë këtë masiv prandaj në shumicën e rasteve, bien në mënyrë sporadike në faqet Jugperëndim të tij, ndersa në dimër masat ajrore të tejngopura më lagështirë më karakter ngjitës e duke kapërcyer vrullshëm këtë masiv konfrontohen më temperatura të ulëta si rezultat i rritjes së lartësisë në mënyrë të menjëherëshme duke i shënderruar në reshje të dendura bore që shkarkojnë furishëm madje jo rrallë herë më densitet me të lartë në Luginën e Shoshit se në atë të Shalës. Temperaturat e ajrit ulën nga Jugu në drejtim të Veriut, po në ketë drejtim shtohen edhe reshjet sidomos ato të borës.
Temperatura mesatare vjetore lëkundet nga 10 gradë deri në 11 gradë në Kodër-Shëngjergj. Temperaturat e janarit përkatësisht 0 dhe 1, 5 gradë, pra me ndryshime të papërfillshme. Kurse temperatura mesatare e korrikut arrin në 19 gradë në Theth dhe 20, 6 gradë në Kodër-Shëngjergj, duke pasë një amplitude mesatare përkatësisht 19, 6 gradë e 18, 4 gradë, çka pasqyron karakterin malor të klimës. Vlera e temperatures minimale absolute në Theth (-19, 2 gradë), kurse ajo maksimale në Kodër -Shëngjergj (34, 5 gradë). Të dhënat meteorologjike të regjistruara në stacionin Kodër Shëngjergj-513 m mbi nivelin e detit, rezulton: Shuma e temperaturave aktive rezulton 3368, 2 gradë. Shuma e temperaturave efektive mbi 10 gradë për Shoshin është 1400, 9 gradë, ndersa mesatarja për gjithë zonën e Dukagjinit është 1360 gradë C. Temperaturat mesatare sipas muajve ne Kodër Shëngjergj në grade celcius rezultojnë,.

Për nga sasia e reshjeve lugina e Shalës (Pellgu i Dukagjinit) vjen menjëherë pas asaj të Bogës. Sasia e tyre lëkundet nga 2978 m m në Kodër-Shëngjergj deri 2921 m m në Thethë. Stina më e lagët është vjeshta në të cilën bien mesatarisht deri 1756 m m ne Kodër-Shëngjergj, pastaj vjen stina e dimrit me ndryshim fare të vogël (2-5% më pak, në stinën e ftohtë të vitit bie 70% e sasisë mesatare vjetore të reshjeve).
Karakteristikë për reshjet e vjeshtës është rënja e tyre kryesisht në formë shiu dhe më intensitet të madh, sidomos gjatë muaive tetor-nëntor, kurse gjatë dimrit zënë një vënd të rëndësishëm sidomos në sektorin e sipërm të luginës së Thethit. Stina e pranverës shënon fillimin e pakësimit gradual të reshjeve duke arritur në Kodër-Shëngjergj 563 m m, ndërsa arrin minimumin në stinë e verës ku bie vetëm 10% e shumës vjetore. Intensiteti maksimal i reshjeve për 24 orë për stacionin e Thethit është regjistruar me 25 Janar 1969 dhe është 294 m m që është edhe maksimumi shumëvjeçar i regjistruar i komplet zonës së Dukagjinit, kurse në Kodër Shëngjergj të Shoshit maksimumi shumëvjeçar është regjistruar me 5 dhjetor 1950 dhe është 270 m m. Intensiteti maksimal vjetor i regjistruar në Kodër Shëngjergj rezulton të jetë viti 1958 me një mesatare të habitshme 4774, 0 që përbën edhe intensitetin maksimal vjetor të Dukagjinit të regjistruar ndonjë herë. Mesatarja e reshjeve sipas muajve të regjistruara në Kodër Shëngjergj...

Siç u theksua edhe më lart, sasia e reshjeve në dimeër, në sektorin e sipërm të pellgut të Dukagjinit bie në formë bore, ku formon edhe shtresë të qëndrueshme në pjesën më të madhe të stinës së dimrit dhe pjesërisht të vjeshtës dhe pranverës. Mesatarisht zona e Dukagjinit ka 35 ditë me reshje bore në vit dhe 66 ditë me shtresë dëbore. ”Lartësia maksimale e shtresës së bores në Thethë ka arritur 280 cm”. Trashësia mesatare e borës në Shosh, në brigjet afër lumit dhe Stupes shkon 25-50 cm, në Ndreaj, Palaj, Celaj, Gurrë shkon ne 40- 65 cm. Në Nicaj, Çilkok, Dardhë, Pepaj, Brashtë dhe Mollë trashësia mesatare shkon 60-80 cm, kurse në mal të Shoshit, rreth të Brashtës, Livadhe të Pepsumajve të Mollës, Balza, Bualli të Palajve për shkak të lartësisë trashësia shkon nga 100-150 cm.
Lagështira mesatare e ajrit në janar (mesditë) në pellgun e Shoshit lëviz 70% në Koder Shëngjergj dhe 75 % ne malin e Shoshit. Ditë të vrenëjtura vjetore Shoshi ka 100 ditë, të kthjellëta 105 dite, me 2 240 orë diellore në vit.
Erërat lokale kanë drejtim dhe shpejtësi të ndryshme, për shkak të qëndrave barike, ciklonike, anticiklonike dhe coptimit të madh të reljevit. Në gjysmën e ftohtë të vitit mbizotëron ajri kontinental, që zbret nga Veriu në Jug, kurse në gjysmën e ngrohtë ajri detar që kalon nga Jugu në Veri. Murlani, Shiroku, Juga janë erërat më të njohura me periodicitet të rregullt vjetor të cilat pësojnë ndryshime të ndjeshme gjatë kalimit nëpër pjesë të ndryshme të Alpeve deri sa mbërrin në pellgun e Shoshit, por krahas ketyre vazhdimisht ushtrojnë ndikimin e tyre edhe juga, era e luginës dhe malit.
Murlani: (i quajatur në popull veri) është i dashuruar përjtësisht me stinën e dimrit, gjithmonë fishkëllon nga (Verilindja). Përgjithësisht ai ndjek format kryesore të relievit, veçanërisht luginat dhe qafat të cilat duke e futur si në ulluk i rrisin shpejtësinë penetruese. Duke kaptuar qafat, murlani pagëzohet me emrin e tyre në Theth, thuhet po fryn Peja ose Valbona; në Shalë po fryn Ndermaja, në Shosh thuhet po fryn Agri, i cili i vjen hakut Brashtës, Kodres së Shthiut, Kodrës së Martinit e te tjereve. Murlani, si erë tipike e thatë në shumicën e rasteve sjell mot të kthjellët me ngrica, por kur fryn njeherazi me jugen e përëndimin, rebeloset ndaj tyre duke shkaktuar mot të keq, të shoqëruar me reshje të pasura me borë dhe rebeshe breshëri, madje edhe gjatë stinës së verës në lartësi të mëdha (bjeshkëve). Murlani pritej si erë e dëshiruar vetëm në mesin e vjeshtës kur kishte reshje të shumta e të vazhdueshme shiut, dhe shfaqja e tij automatikisht sillte nderprerjën e tyre dhe për rrjedhojë krijimin e kushteve për vjeljen e misrit dhe bereqeteve të tjera të stinës.
Shiroku është erë e ngrohtë, gjatë verës e thatë, kurse nga fundi i vjeshtës, në dimër apo në pranverë, shkakton mot të vranët, që shpesh shoqërohet me stuhi, shterngata breshëri, por pse jo edhe borë në stinën e dimrit. Juga ndihet kryesisht gjatë pranverës. Në pranverë shkrin borën dhe sjell reshje shiu, kurse në verë reshje lokale, kryesisht bjeshkëve të shoqëruara me breshër.
Erërat e luginës dhe të malit ndihen më shumë në stinën e verës, gjatë gjithë luginës së lumit të Shalës dhe degës së tij kryesore Stupja, për shkak të diferencave të mëdha midis maleve për rreth dhe luginës. Kjo erë flladitë mikroklimën e cila ndikon pozitivisht tek kulturat bujqësore. Shoshi ka klimë të favorshme për kultivimin e një game të gjerë të kulturave bujqësore si misrit, fasules, grurit, patates, perimeve, drurëve frutorë mollë, dardhë, kumbull, qershi, gështenjë, arra, ftua, hardhi e te tjera. Duke pasur një numër të konsiderueshëm ditësh me reshje bore dhe ditësh me shtresë bore, duke i shtuar plus edhe siperfaqet e konsiderueshme me kullota alpine, ka kushte shumë të mira të turizmit të skive si në Balza, mal të Shoshit, livadhet e Brashtës dhe në mënyrë të veçantë sidomos në L’qe të Mollë-Pepsumajve.

UJRAT
Pasuria e madhe ujore e Shoshit buron nga reshjet e bollshme, përbërja e truallit ku alternohen strukturat karbonitike me ato flishore, coptimi i relievit dhe mbulesa e pasur bimore.
Arterja kryesore hidrologjike që përshkon mes për mes nga Veriu në Jug gjithë pellgun e Dukagjinit duke mbledhë njëri pas tjetrit një tufë përrenjësh të vrullshëm, është lumi i Shalës, i cili në sektorin e mesëm (të Shoshit) dhe të tretin (Lesniqe) arrin vlerat më të larta të prurjeve të tij.
Lumi i Shalës ose (Lesniqes) që thirret shpesh në literaturën gjeografike, ka një gjatësi prej 37, 6 km, pjerrtësi të shtratit 22 m/km, sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 269 km (katrorë), rreth 107 km (katrorë) i përkasin anës së majtë dhe 162 km katrorë i takojnë anës së djathtë, duke shënuar kështu një asimetri të pellgut prej 0, 21 m/km. Ka dy degë të rëndësishme: përroin e Kaprresë (Lumin e Zi më gjatësi 7 km) dhe të Stupes nga e djathta. Ama e lumit të Shalës është shkëmbi i bardhë i Bunit të Shtjerrave në rrezën jugore të majes së Arapit, që i ka dhënë edhe emrin lumi i Bardhë këtij lumi në sektorin e Thethit. Kjo pjesë është mjaft e gjerë, aq sa merr pamjen e një pellgu të vertetë. Shendërrimi i luginës së kushtezuar nga dalja e bërthamës së vjetër rreshpore e cila ka shkaktuar edhe thyerjën e menjëhershme të pjerrtësive të shpateve rrethuese”. Një rol të rëndësishëm në formimin e saj ka luajtur edhe akullzimi kuaternar që i ka dhënë trajtën e një korite. Këto burime gufojnë nga masivet gjigande karbonitike në tempratura shumë të ftohta 6-7 gradë C. Gjatë rrugës ecin me shumë shpejtësi përmes një shtrati të paformuar, duke mbledhur shumë rrëke të përkohshme, sezonale. Këta përrenj zbresin rrëmbyeshëm duke krijuar disa ujvara si stoli nusërore në gjokset e maleve rinore alpine. Materialet e shumta copëzore të sjella prej këtyre përrenjëve në fund të luginës, të cilat lumi i Thethit nuk është në gjendje t’i transportojë, për shkak të sasisë së pakët të ujit, i kanë dhënë asaj një karakter zallishtor dhe të gjerë (150-200 m). “Këtu takohet edhe një nivel tarace (nga e majta) në lartësinë mbi 4-5 m mbi shtratin e luginës”. Një nga ujvarat më të bukura te alpeve tona është ajo i Grunasit, uji i të ciles thyen qafën nga një lartësi 25 m duke u shpërndarë si re pluhuri në të cilën përthyhen rrezet e diellit sidomos gjatë orëve të pasditës duke formuar kolorin e pasur të ngjyrave të ylberit. Në Gjeçaj formohet një katarakt tjetër që njihet nga vendasit me emrin katarakti i Thanës së Dashit. Duke rrjedhur në mënyrë të thekshme merr me vete përroin e Sheut të Shllinave nga ana e majtë e tij dhe atë të Gjelajve nga ana e djathtë, më në jug merr përroin e Cam Dedës e në Lagjen Grunas lumi futet në kanjonin me të njejtin emer, i zënë ngusht si peri në vrimën e gjylpërës detyrohet të përshkojë një udhë me gjatësi 2, 5 km, vende- vende, gjerësia e luginës nuk është më shumë se 2 m; ndersa shpatet ansore që kllaposin arrijnë mbi 25 m lartësi. Pasi lirohet prej atij gazepi
Lumi i Bardhë merr frymë lirisht, kur zbret në zgjerimin e Nderlysës duke bërë pronë të tijat përrenjtë e vegjël si: Sheu i Dedë Lulës, i Dhive, i Gjarprit e te tjere. Zgjerimi, i cili është krijuar për shkak të një thyerje tektonike, që kalon tërthor saj dhe grykëderdhjes së përroit të Kaprresë. Dy shpatet e kësaj lugine janë pak a shum simetrike, veçse ndryshojnë nga shkalla e copëzimit. Në të dalë të Ndërlysës bashkohet me binjakun tjetër Lumin e Zi, (Kaprresë). Lugina e Kaprresë në pjesën e siperme ka tiparet e një pellgu ku përfundojnë cirqet e shpateve rrethuese midis majës së shtegut të Bigës së Gimajve. Kurse në pjesën e poshtme lugina vjen e ngushtohet duke marrë tiparet e një lugine tektoniko-erozive.
Lumi i Zi buron lart në Kaprre, poshtë qafës së T’thorës, në Blinishtë merr me vete edhe përroin e Blinishtës, ky lumë ka marrë ketë emër nga ngjyra tipike e kaltër e ujrave të tij. Nga bashkimi i lumit të Bardhë (Thethit) me lumin e Zi (Kaprresë), në Ndërlysa krijohet Lumi i Shalës dhe këtu fillon sektori i mesëm i tij, i cili rrethohet nga e djathta pothuaj terësisht nga rreshpe, kurse nga e majta nga rreshpe e karbonitik. Me këtë lidhet edhe asimetria e shpateve sidomos karakteri i shkallëzuar i shpatit të majtë që vazhdon edhe në në Pellgun e Shoshit. Të dy shpatet dallohen për një copëtim të madh horizontal (3-5 km katrorë). Duke ecur i shpenguar ( në një shtrat të gjerë 30-40 m në ketë sektor formon disa meandrime), mbledh pas vetës burimet e Palnës së Tasit, të cilat ndikojnë në shtimin e theksuar të masës së ujit. Më pas kalon Gagun, përshkon bregun e lumit, duke marrë dhjetëra përroska dhe përrenj në të dy krahët, pastaj merr vrull dhe pa trokitur “zhbuton” portat e Shalës, dhe kalon në Pellgun e Shoshit, herë duke u tkurrur e herë duke u zgjeruar pak, sipas formacioneve të shpateve rrethuese. Deri sa mbërrin në Portat e Shalës (Rrasa e Ton Gjonit), lumi i Shalës ushqehet ne dy krahet nga keta përrenj: Në pjesën perendimore përroi i Gagut i cili buron nga Biga, përroi i Gimajve edhe ky buron nga Biga zbret duke gurgulluar dhe bie në lumë poshtë fshatit Camaj, ky është përroi më i gjatë dhe më i madh i anës së majtë; përroi i Dakajve që buron nga qafa e Boshit, kalon nëpër Dakaj dhe në afërsi të Camajve i bashkangjitet atit të vet; përroi i Tajlanit nga Raja e Dakajve, kalon nëpër T’therme mes Lotajve e Nënmavriqit dhe derdhet në lumë; në Jugperendim vijon përroi i Lotajve-Gecajve, ky është përroi i dytë i këtij shpati, zgjerohet në Lotaj që vjen lart nga Suka e Kunorës dhe përfundon tek Ura e re; në faqën e djathtë lindore zbresin përronj dhe rreke të tillë si përroi i Dedë Nikajve që buron nga Qeta e Lekajve, kalon nëpër Pepnikaj dhe përfundon në shtratin kryesor afër shkollës së mesme në Breg Lumi; përroi i Mushit që buron nga Maja e Zezë, përroi i Abatit buron në majet mbi Abat; përroi i Hasanajve që buron afër qafës së Ndermajës, kalon përmes Nicajve dhe bie në lumë tek Rrasa e Ton Gjonit; përroi i Bobit buron nga maja e Rshellit; përroi i Thatë dhe i Mrizës (Pjolla -Vuksanaj) ; përroska e Thykës, Vala e Balit. Në të dalë të fshatrave Lotaj e Bob lumi tkurret shumë, pasi ndeshet befasisht me dy masivesh karbonitike mes fshatrave Pylaj dhe Kormës së Bobit, duke përshkuar një udhë të detyruar për rreth 2-2, 5 km deri në Vaun e Brashtës, ketu shtrati i lumit zgjerohet pasi shpengohet nga “toleranca” e masivëve karbonitike e të dy shpateve që ka një coptim të madh horizontal ( 4-5km/km katrorë). Në të dalë të fshatit Ndreaj nga shfaqja e një formacionit të ashpër karbonitik (një përthyerje strukturore) e detyron lumin për të dytën herë të futet në morsin e karbonitikëve të luginës që ka trajtën e gërmës “V”. Poshtë fshatit Pepsumaj lumi del në zgjerimin e tretë të sektorit të mesëm, zgjerim që tkurret në vendin e quajturt Vau i Ded Lekës. Nga vetë natyra konfigurative e shpateve të luginës i imponohet lumit të bëjë disa meandrime të detyruara. Nga Vau i Dedë Lekës deri poshtë Mollës Shoshit (Nën Mollë-Koteca-nën Shpellë) lumi futet në një kanjon shumë interesant rreth 450-500 m të gjatë, mbi 25 m thellë dhe 8-10 m i gjërë. Lumi këtu futet si ne një tunel, bazamenti i shtratit të lumit, duke qënë i rrafshtë dhe jo shumë i pjerrët sikur e qetëson pak trimoshin, i cili ka marrë vrull si rezultat i zbritjes nga lartësitë me përthyerje të mëdha. Pas grykëderdhjes së përroit të Stupes formohet sektori i tretë i luginës së lumit të Shalës.
Stupja bashkohet me lumin poshtë fshatit Guri i Lekës, masivi i Cukalit i del përpara dhe e detyron lumin te ndryshojë kursin nga drejtimi veri-jug në jug-lindje. Fundi i luginës pothuaj gjithkund njehsohet me shtratin e lumit, është i ngushtë dhe formon gjarpërime të shumta, poshtë staneve të Nën Plepit të Mollës lumi futet në Lesniqe të Toplanës duke përshkuar rreth 3 km dhe derdhet në Dri. Si përfundim mund të thuhet se shtrati i Lumit Shalë në sektorin e mesëm (të Shoshit) herë zgjerohet, e mëandron, herë tkurret midis kordoneve shkëmbore, shprehja më qartë është ekzistenca e shume puseve të thellë mbi 5-6 m në zonat e ngushticave dhe vave ( vëndkalime më të gjerë e të cekëta) të cilët alternohen njeri me tjetrin. Vau i Brashtës, i Ozmanit, i Gjonit, i Vojvishtës, i Dedë Lekës, Kotecit, Blinit, Zgiboxës, Nen Plepit, Lesniqës janë disa nga vanat kryesor të sektorit të mesëm dhe të tretë të Lumit të Shalës. Në sektorin e Shoshit në të majtë (P) lumi i Shalës ushqehet me keto burime hidrografike Sheu i Pepajve që buron prej Qafës së Listit përshkon Pepajt dhe Pylajt dhe then qafën në lumë në një ngushticë përballë karmës së Bobit. ... (Paraqitja e librit, nga REDAKSIA)

Mundesoi botimin e ketij numri, z. Prelë Kroj

numrat

part03