part01
part02
kryesore historiku aktivitete gazeta botime tetjera

89

Shoqata "Martin Dreshaj" lartësoi kujtimin për Dedë Gjon Lulin, Hero i Popullit

- Prezantim i denjë i vlerave kulturore të nacionalitetit tonë -
Shoqata e Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe "Martin Dreshaj" ka organizuar Manifestimin "Zëri i Vëllazërisë-2011" për 100 vjetorin e Kryengritjes në Malësi, me qëllim që mesazhi për unitet dhe dashuri ndaj nacionalitetit të përcillet nga Malësia në trojet e tjera. Me këtë festë të madhe edhe Kosova kujtoi me respekt heroin e Nacionalitetit tonë Dedë Gjon Lulin dhe trimat e tjerë në 100 vjetorin e kryengritjes në Malësinë e Madhe.
Festa ka filluar në Prizrenin e historisë sonë krenare, për të vazhduar pastaj në Gllogjan, Deçan, Istog e në shumë pjesë të tjera të Kosovës. I bukur ishte ky Manifestim, sepse e nderuan me pjesëmarrje artistë, veprimtarë, këngëtarë e valltarë nga Shkodra, nga diaspora, Plava e Gucia, Malësia e Madhe, Medvegja e Kosovës Lindore dhe nga shumë trojet tjera shqiptare.
Nisi bukur në Prizren!
"Përgjatë shekujsh, në trojet e Nënës Shqipëri, kushtrimi për liri u pri nga Flamuri ynë Nacional, legjendarët e të cilit, u përkulen para tij dhe e bënë jetën fli për të. Jo rastësisht organizatorët e filluan pikërisht këtë manifestim ne qendrën e lavdisë nacionale, në Prizren.
Kanë kaluar më tepër se 130 vjet që nga dita e Lidhjes se Prizrenit, por themelet e kësaj shtëpie qe ndodhet pranë nesh, qëndrojnë të forta idealet e Filozofit Avdyl Frashri; atdhetarizmi i Sulejman Vokshit; vendosmëria e Ymer Prizrenit; urtësia e Mark Lules se Shalës e baruti i thate i Gjek Geges se Shllakut, si dhe shume e shume burrave te tjerë me gen shqiptari. Përkulemi sot para veprës se tyre, përkulemi sot para këtyre korifenjve të Nacionalitetit tonë, para këtyre legjendareve të përjetshëm, të cilët ndonëse ndodheshin nën thundrën e Perandorisë Osmane, bënë çmos për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare.
Flaka e ndezur në Prizren, ndonëse nuk e ngrohu nacionalitetin tonë për momentin, por ajo nuk u shua. Ajo qëndroi si shkëndijë shprese për 33 vite radhazi, derisa me 6 prill 1911 flakëroi në qiellin e Shqipërisë si një Fanar ndriçues nga Mali i Deçiçit. Kjo ishte ngjarje shumë e rëndësishme ne historinë e nacionalitetit tonë, pasi kishin kaluar 432 vjet robërie otomane pa Flamurin e Gjergj Kastriotit, dhe atë ditë nga kujtesa e thellë e brezave te këtij vendi u shpërfaq emblema e identitetit shqiptar, Flamuri Kuq e Zi, dhe njëkohësisht u piketua kahja evropiane e shqiptarëve si një nder nacionalitetet me të vjetra të saj me pozicion kulturor e gjeografik thellësisht të trungut te saj", ka thënë veprimtari Ndue Sanaj, teksa po përshëndeste në emër të pjesëmarrësve nga trojet etnike.
Veprimtari Besnik Krasniqi dhe institucionet komunale të Prizrenit kishin pranuar me kënaqësi propozimin e Shoqatës "Martin Dreshaj" që Manifestimi të fillonte pikërisht te Kompleksi i Lidhjes Shqiptare. Ansambli "Lidhja e Prizrenit" me valle të bukura dhe Niazi Krasniqi, drejtues i Kuvendit Komunal të Prizrenit kishin përshëndetur ngrohtësisht pjesëmarrësit nga trojet etnike në këtë festë.
"Prizreni është një fragment i bukur e krenar i historisë sonë. Në Lidhjen Shqiptare kishin marrë pjesë atdhetarë nga të gjitha trojet etnike. Edhe sot këtu po shoh pjesëmarrës nga këto troje dhe për ne kjo është një ndjenjë e veçantë. Zërin e Vëllazërisë vazhdoni ta shtrini kudo ka shqiptarë", është shprehur në fjalën përshëndetëse Krasniqi në emër të kryetarit Ramadan Muja dhe gjithë institucioneve e qytetarëve të Prizrenit.
Shoqata e Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe "Martin Dreshaj" ka falënderuar mikpritësit dhe pjesëmarrësit në fillimet e Manifestimit. Pas programit të bukur artistik pjesëmarrësit bashkë me mikpritësit janë gjendur në një tervesë të përbashkët dhe kanë vazhduar me bisedat vëllazërore. "Duke parë këtë pritje të Ju dhe në gjithë qytetet tjera po marrim forcë që ta mbajmë premtimin dhënë Malësisë se do ta bartim këtë zë në gjithë qytetet dhe trojet etnike", ka thënë duke u falënderuar për pritjen e ngrohtë, Ukshin Jashari, kryetar i Shoqatës "Martin Dreshaj".

Në Gllogjan lartësohet kujtimi për Shkëlzen Haradinajn e trimat e tjerë!
Kanë vazhduar rrugëtimin pjesëmarrësit e "Zërit të Vëllazërisë" për t'u gjendur në Gllogjanin e historisë e për të lartësuar kujtimin për heroin e nacionalitetit tone Shkëlzen Haradinaj pikërisht në 12 vjetorin e rënies së tij heroike për të mos vdekur kurrë. Pas homazheve dhe fjalëve përkujtuese që u thanë me aq krenari nga veprimtari Naim Martini, pjesëmarrësit janë ndalur në një bisedë të lirë me gjeneralin Daut Haradinaj. Ai ka shprehur respekt të lartë për këtë Manifestim ngase, si tha edhe ai, kështu po bëhen bashkë vëllezërit nga trojet etnike për t'i falënderuar pastaj që po lartësojnë kujtimin për Shkëlzenin dhe trimat e tjerë të lirisë. Nga ky vend i lavdisë nacionale, "Zëri i Vëllazërisë" është gjendur mes qytetarëve të Deçanit. Janë hedhur valle të bukura e të përbashkëta në rrugët e këtij qyteti për të vazhduar pastaj festa me shpalosjen e një programi të pasur artistik me këngë e valle nga të gjitha trojet etnike.
Befasi e bukur e kësaj feste ishte edhe pjesëmarrja e duetit të njohur Hana e Kolë Nikprelaj, të cilët kanë ngritur në këmbë publikun me paraqitjet e tyre të shkëlqyera. Ishin të shkëlqyer në këtë mbrëmje feste edhe këngëtarët nga Shkodra Ndue Shytani, Bardhok Prebibaj, Agustin Preka, Petrit Gjinaj, Pëllumb Vrinca dhe Ansambli i Valleve i udhëhequr nga koreografi i njohur Aldo Nika. Bukur janë paraqitur edhe Ismajl Balidemaj dhe Ansambli i Valleve "Majat e Karanfilave" nga Plava e Gucia, Mhill Krasniqi dhe Grupi "Bijtë e Marash Krasniqit, Ismet Demaj, Faton Bytyri e Islam Haskaj nga Ansambli "Selman Kadria, Grupi "Shpëtimi " nga Medvegja e Kosovës Lindore, po edhe Ansambli i Valleve "Flutura" nga Gjilani nën përkujdesjen artistike të Xhemajl Berishës. Veprimtari Ali Geci ka lavdëruar veprimtarët e Shoqatës "Martin Dreshaj" dhe gjithë pjesëmarrësit duke cilësuar se me angazhime të tilla bëjmë që shqiptarët të jenë bashkë dhe t'u këndojnë trimave e ta lartësojnë kujtimin për ta. Kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj ka pritur pastaj në trevesën e mikpritjes dukagjinase pjesëmarrësit e Manifestimit.

Mikpritje e ngrohtë vëllazërore edhe në Istog!
Dita e dytë e Manifestimit "Zëri i Vëllazërisë-2011", për 100 vjetorin e Kryengritjes në Malësi ka kaluar bukur e me aktivitete në qytetin e Istogut. Qytetarët atje ishin mbledhur buzë rrugëve për të përshëndetur vëllezërit nga trojet etnike e për t'u bërë pjesë e festës dhe valles së përbashkët. Atmosferën festës ia ka shtuar Ansambli "Rugova" duke prezantuar me mjeshtri të rrallë ato vallet e bukura e epike të bjeshkëve të Rugovës.
"Ardhjen Tuaj mes nesh, Istogu e konsideron si festë të bukur dhe ndjehuni si në shtëpinë tuaj sepse në shtëpinë tuaj edhe jeni. Ngjarje të tilla kulturore kur shqiptarët janë bashkë në një këngë, valle e në një trevesë duhet të ketë edhe në të ardhmen. Ky Manifestim për ne është tradicional dhe do ta ndihmojnë organizimin e tij edhe në të ardhmen", ka thënë kryetari i Istogut, Haki Rugova. Pas kësaj është shpalosur një program i pasur artistik me prezantimin e vlerave të mirëfillta të kulturës sonë. Pjesëmarrësit janë gjendur në ditën e dytë edhe në trevesën e mikpritjes shtruar nga kryetari i këtij qyteti, Haki Rugova.
Në përmbyllje të kësaj feste organizatori ka ndarë edhe tituj, çmime e mirënjohje. Me titullin e lartë "Pishtar të Unitetit Kombëtar" janë nderuar shkodrani Ndue Sanaj e malësori në SHBA, Gjon Pashk Dedvukaj. Me titullin "Martin Dreshaj" janë nderuar Ramadan Muja, Rasim Selmanaj, Haki Rugova, Avdyl Mushkolaj, Rexhep Abazi, Naim Martini, Shoqata Atdhetare-"Dedë Gjo Luli dhe dueti Kolë e Hana Nikprelaj. Janë ndarë mirënjohje të veçanta nga Kuvendi komunal i Istogut dhe Shoqata organizatore e festës edhe për "malësia.org" dhe Radio "Fontana" për kontribut të lartë në prezantimin e aktiviteteve të gjithë "Zërit të Vëllazërisë". Shoqata "Martin Dreshaj" shpreh mirënjohje të veçantë për institucionet komunale të Prizrenit, Deçanit, Istogut, për Shoqatën Atdhetare "Dedë Gjo Luli", veprimtarin Gjon Pashk Dedvukaj, Besnik Krasniqi, Avdyl Mushkolaj, Faton Bytyqi e ca të tjerë, që e ndihmuan në nje mënyrë apo ne nje mënyrë tjetër, por me zemër te madhe, organizimin e mbarë të kësaj feste të madhe.
"Ka pasur prezantime të shkëlqyera artistike në këtë festë të madhe. Ishte kënaqësi të jesh pjesë e këtij Manifestimi. Ansambli autokton "Rugova" u gjend në një këngë, në një valle e në një trevës me artistë e këngëtarë nga Shkodra, Plava, Gucia, Kosova Lindore e trojet tjera etnike dhe kjo për ne ishte një kënaqësi dhe dhuratë e madhe. Urojmë të jemi bashkë edhe në festa të tjera të kulturës sonë të bukur kombëtare", është shprehur udhëheqësi artistik i këtij Ansambli të njohur, Vesel Nikçi.

Nga Rrahman Jasharaj , zëdhënës dhe koordinator i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe "Martin Dreshaj"

***
Mundësoi pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Shoqatës "Atdhetare Dukagjini", Ndue Ftoni, Mhill Prroni, Sokol Cubi, Gjovalin Kodra, Parid Gjeka e Keti Bazhdari.

ATY KU KUJTESA TAKOHEJ ME DHIMBJEN
RRETH PROMOVIMIT TE LIBRIT "…DHE KITARA HESHTI" TE AUTORIT LAZER KODRA

Ishte perseri, tashme i njohuri në fushen e poezizë e publicistikes, Lazer Kodra që na bashkoj në një promovim sa interesant për nga lloji i librit aq edhe nga menyra e organizimit të këtij promovimi. Këtë radhe Kodra nuk u paraqit para nesh me një liber poetik, siç jemi mesuar ta shohim herët e tjera, por me një liber monografik te titulluar"…Dhe kitara heshti", kushtuar Gac Çunit, ketij kompozitori te vdekur në burgun e Burrelit në vitin me 24 prill 1956.
Harresa me sa duket e ka mbuluar këtë vend në menyren më të çuditshme, nderkohë që etja për pasurim të shpejtë është kthyer në menunë parësore të mendjes së secilit. E them këtë pasi autorit të librit iu deshen disa vite që të "udhetonte" lart e poshte vetem për të gjetur material për këtë liber, pasi "varferia" arkivore e shoqates së persekutuarve politikë ishte në maksimum, po keshtu edhe insitutucionet e tjera të kujteses së këtij kombi sa fatkeq aq edhe në krizë politike, ekonomike, identitare etjere.Vlen për t` u permendur se vitin e kaluar po ky autor,Lazer Kodra, në të njëjten date dhe për konçidence pikerisht në diten e festes së Shtunes së Madhe na kishte promovuar librin e tij të fundit me poezi "Vikamat e heshtjes" dhe keshtu ndodhi edhe këtë vit, pasi në të njëjten date e festë na dhuron këtë liber mongrafik të shumëvlefshem.Kjo verteton se pena e Lazer Kodres ka vendosur të mos heshtë për asnjë çast, por të vegjetojë përherë."Miqtë" e bibliotekës "Marin Barleti" si rrallëherë qenë jo vetem të shumtë, por edhe kualitete intelektuale të spikatura të të gjitha fushave, e gjitha kjo falë një organizimi të shkelqyer nga regjizori i ketij promovimi-spektakel, Aleks Dushi, falë Shoqates "Atdhetare-Dukagjini" dhe interesit që artdashësit shkodranë paten për këtë liber. …Dhe e gjitha kjo ndodhi me daten 23 prill 2011, ne oren10,00. Ajo që ra në sy që në fillim ishte prania e një grupi artistësh ku perfshiheshin, violinçelisti Fatos Brahimaj, kitaristi Oltion Qamili , kengetari i njohur Luigj Alia, prezantuesja Laura Plishta, studenti i Akademise se Arteve në degen e dramaturgjisë Emiliano Palali dhe recituesja Valentina Plishta, të cilet nën "dirigjimin" mjeshtëror të Aleks Dushit sollen në sallen e bibliotekes një atmosfere rralleherë të perjetuar.I pari që mori fjalen ishte drejtori I bibliotekes "Marn Barleti", Gjovalin Çuni i cili falenderoj autorin për librin e paraqitur, falenderoj të pranishmit dhe deklaroj se ky promovim konçidon të behet në diten Botërore të Intiligjences. Në vijimesi u interpretue kënga e njohur "Kaçurrelat e tu" me tekst dhe muzikë të Gac Çunit nga Luigj Alia, e cila solli në sallë emocione të shoqeruara me lot të shumtë nga të pranishmit.Në fjalen e tij autori u shpreh:"Shumë vite më pare im atë më thoshte se e kemi pasë një kushëri me emrin Gac Çuni që ka pasë kendue shumë bukur dhe ka vdekë në burg aty rreth viteve 1955.Ndoshta kjo ka qënë shkendija e pare që ka sherbye për të mbetë tek unë për shumë kohësi një deshirë e pashmagshme që një ditë të bëja një liber per Të.Zoti e deshti dhe sot ky liber është në duart tuaja!...Të jetosh është e lehtë, por të lundrosh është e veshtirë.Ta presesh vdekjen në shtepi do të thotë të fshihesh nga "beteja" e jetes, të vdesesh në udhetim është vlerë dhe e meriton të quhesh "Dikushi".Gaci vdiq në udhetim!Unë mendoj se Shkodra duhet të rikrijojë identitetet kulturore e artistike që ka pasë.Fuqitë e së mires i kemi brenda vetes.Atëherë le t`i shfaqim ato."-perfundoj autori i librit. Gjate fjales së tij pati edhe falenderime per Keshillin Bashkiak Shkoder që vetem një ditë më pare Gac Çunit i akorduan çmimin "Qytetar Nderi i Shkodres", çmim që iu dorezou mbeses së tij, Roza Shkrivanit, nga kryetari i ketij keshilli Z.Bardh Lohja.Nje falenderim i veçante edhe per të gjithë trupen artistike të drejtuar nga Aleks Dushi dhe për sponsorin e librit, Dedë Kodra,vellai i autorit dhe njekohsisht vellait tjeter Gjergj Kodres i cili e sponsorizoj kete aktivitet. Pastaj aktiviteti promovues vazhdoj me recitime nga poezite e shkruara per Gac Çunin si ajo e Arshi Pipes "Elegji për Gac Çunin" dhe poezin e vetë autorit,Lazer Kodres, me titull"Ferri i Dantes" të interpretuara me shume mjeshtri nga Emiliano Palali dhe Valentina Plishta. Mjeshtri i Madh, dramaturgu Fadil Kraja në fjalen e tij vleresoj figuren e Gac Çunit duke thene se qendresa e këngëve të Gac Çunit në formatin e një anonimati për më shumë se gjashte dekada tregon vleren artistike të tyre, ashtu siç mund të thuhet për anonimatin e Eposit të Kreshnikeve, pastaj një vlersim të veçantë bëri edhe per autorin e librit. Mjaft prekese ishte edhe prania e rastesishme e bashkevuajtesit të Gacit, Viktor Martinit i cili nepermes një pershendetje shume emocionuese dhe interpretimit të kengeve të Gacit solli tek te pranishmit në sallë një gjendje shoku emocional te shoqeruar me lot.Edhe bashkekohesi i Gacit, Anton Benusi solli grimca trishtuese te asaj kohe dhe detaje nga koha kur Gaci ndodhej ne burgun e madh te Shkodres.Te pranishem në këtë aktivitet ishin edhe drejtuesit e pushtetit lokal,Prefekti Maxhid Cungu, Kryetari i Bashkise Lorenc Luka dhe Kryetari i Keshillit Bashkiak Bardh Lohja. Në mbyllje të këtij promovimi, shumë të rrallë për nga menyra e oerganizimit dhe prurjes monografike ,të gjithë të pranishmit në salle u ngriten në këmbë dhe interpretuan bashkarisht këngen-himn të dasmës shkodrane "Kaçurrelat e tu" që mban për autor të tekstit dhe muzikës Gac Çunin. Si gjithnjë kryetari i Shoqates "Atdhetare-Dukagjini", Z.Ndue Sanaj i ftoj të gjithë të pranishmit në një koktej shumë bujarë.Edhe gjate koktejt u bisedua gjersisht mbi këtë figure të çmuar të Shkodres me origjinë nga Temali i Dukagjint.Libra të tillë dhe promovime të tilla mbeten në kujtesë shumë gjatë e aq më teper kur kujtesa takohet me dhimbjen, duke prodhuar keshtu esenca kulturore të qendrueshme.
Prelë Shytani

Me mujtë me u zgjue … me kthimin e Ledias

Leçitje e përgjithshme

Poezitë e vëllimit Me mujt me fjet'... me kthimin e shpendve, në të cilat, së pari, merr pjesë simbolika numerike (33 poezi, pa tituj), aq sa kanë karakter organik mes poezisë me poezi, kanë edhe karakter mëvetësor.
Autorja, në këtë libër ka kërkue mënyra të reja shprehëse, tue mos përdorë kësodore shejat e pikësimit, të cilat shërbejnë si efekt receptiv dhe kah ana tjetër na thonë se akti i krijimit ma fort asht i interesuem për ekzistencën kumtuese të tij, sesa për ndërgjegjësimin gjuhësor.
Shpeshherë këtu ndeshim nji sintaksë të çlirët nga tradita, pra ku rendi sintaksor nuk barabitet me natyrën tradicionale, por i nënshtrohet vullnetit të autores. Paraqitja a dukunia sintaksore e vëllimit në fjalë, sinkronizohet me të njeten mendësi, që përshkonte etënit e modernizmit në letërsi.
Tek Ledia, sikundërse edhe në veprat e tjera të saj, vihet re nji gegënishte e traditës, në të cilën kemi ruejtje të dukshme leksikore, të trajtës së shprehjes, përemnave, mospalatalizimin e grupit kj në q 'me kja' apo bashkëtingëlloren k tek emni 'kenie' etj., gja e cila – simbas mendimit tim – paraqet anën stative e jo evolutive të gjuhës gege. Por qyshdoqoftë kemi të bajmë me nji zgjedhje vetjake!
Përsëritja për efekt stilistik por edhe për efekt psikik tek lexuesi, asht nji përbamës tjetër i këtij vëllimi. Gjithashtu edhe përdorimi i figurave të ndryshme letrare, asht tipar dallues i vëllimit.
Pos këtyne, ajo çka tjetër të bjen në sy asht:
· shpërbamja dhe përftimi i nji natyre të re të vargut – kajherë – tepër i errët
· uni poetik që qendërzohet
· thuktësia e vargut, për rrjedhojë dendësimi maksimal i mendimit
· raporti i individit kundrejt realitetit
· gjuha simbolike
· përjetimi i individit, që mbrendësohet në njisinë ligjërimore: analogjizëm përmjet imazheve poetike etj.
P'r'i pare me sa u tha, kemi të bajmë edhe me dukuni post-hermetike, por kjo gja për me u pohue si duhet, kërkon nji punë ma serioze se kaq: fillimisht kjo rrymë letare lypet të përvetësohet bindshëm teorikisht, e ma pas të kalohet konkretisht në sistemin poetik të autores.

Nocioni i 'ujit': rrafshi disakuptimësh i tij
Po të vemë re këtu (pra, në këtë vëllim), fjala 'ujë' përdoret dendësisht: mbi 20 herë (duhet kuptue se kjo fjalë në rasë, numër, trajtë asht e ndryshme; po ashtu krijon edhe nji kompozitë të vetme: hedhaujë).
Nocioni i 'ujit', asht nji kod, i cili i përçohet lexuesit polisemisht dhe me nji bazë filozofike, e cila – do ta shohim ma poshtë – del edhe si nji kundërvumje ndaj traditës së kryehershme filozofike.
Lema 'ujë' përpos se shërben me ndërtue mbartjen e nji dukunie mbi nji dukuni tjetër, simbas përthyemjes imazheske të poetes, ajo ka edhe nji kryekod përshkues, të cilin do të përpiqemi ta zbërthejmë.
Vargjet: 'ujnat e përshkënditun / t'kupës yjelëshue', me njisi ndërtuese fjalën 'ujë' njiherazi kanë kahjen metaforike dhe domethanien përjetuese të individit, i cili shpreh edhe nëntekste mistiko-filozofike: botëkrijimi, drita, jeta.
Poezitë pasuese, nocionin 'ujë' e japin të ndërtuem figurativisht dhe e paraqesin në gjendje dilematike aspektin përbamës të kësaj lande, që mishnohet në ide e fjalë.
Tash vjen çasti kur poetja thotë: 'prej ujit asgja s'vjen', tue thye kryefillin e mendimit filozofik, që e shihte ujin si landë burimore të sendeve. Ky varg anti-thalesian, asht dëshmi e përjetimit vetjak në nji realitet të caktuem dhe imazhet analogjike, na krijojnë idenë e nji situate pesimiste. Pra, nga uji nuk përftohet jeta, por situata kaotike e paralizuese der' në mëdyshjen ekzistenciale, e përfundi der' në vdekje; sikurse na thotë edhe vargu: 'zhytena kthjellët ndër ujna t'errët e zhdukena thellë n'askund'.
Ndërsa kryekodi me bazë lemën 'ujë' vjen në poezinë, që përmbajtësisht ka frymë biblike e mistikë religjionale. Ajo nis me vargjet: 'prej prrojesh e gurësh mbas dielli ndritun / do Zotash pa prehën rri tue iu lutë / m'i mbyllë sytë Vdekja me m'marrë / do djega nisë e m'shtihet Burrë... / n'çka me e ndalë mendjen kur je kso ujnash' – pyet autorja, në mënyrë jografike. Pra, asht 'ujnave' të trysnisë medituese, çka i falin imazhe të përhime, të cilat përkthehen në vargje. Sidoqoftë, përderisa uni poetik mbi nocionin 'ujë', prodhon nji situatë përjetuese, që shkapetet skutave të mendimit, kemi të bajmë me nji koncepsion t'ekzistenciales, mbasi përudhet nga racionalizmi.
Në kohën, që gjendemi përballë vargut: 'ujit shelbues liqenit kaluer', poetja na fut në nji leksik, i cili na shpie në aureolën fetare, por që vargu ka qëllim vetvetor: pra, i shërben konceptimit poetik, pa marrë parasysh mistifkimin, që na fal përcaktori: shelbues. Po e njejta gja ndodh edhe me vargun: 'kundruell këtij uji t'lum' që vjen bashkë me qiell', e përveç kësaj, krejt vargjet që ndodhen në poezinë ku ndodhet ky varg, janë të ndërtueme mbi besëtytninë tonë ndërthuer me trillin poetik.
Kryekodi rishtas lidhet me poezinë e mbrame të vëllimit, ku 'uji' vjen m'e marrë unin krijues për m'e çue o kah jeta, o kah vdekja.
Së fundi, duhet kuptue që ky kryekod me qendër lemën 'ujë' përshkon tanë librin dhe dëshmon frymën nëntekstuale të tij: konceptimin ekzistencial, që buron nga t'menduemit paçka pasqyrimit analogjik të gjendjes përjetuese, që shkrihet ndër vargje.
Nga Lisandri Kola

"ZONJA" QEVERI, KUR DO T`I FESTOJ PASHKET?

refleksion

Kohë më pare, ne regjimin e Partisë së Punes, me kujtohet kur të "Diellen e Pashkëve" rreshtoheshim njeri pas tjetrit me urdher nga lart dhe hapnim transhe me gjoja për të luftuar armikun.Ky "armik" ishte gjithnjë në perfytyrimin tone, në imagjinaten tone dhe perhere i tillë ka mbetë, imagjinar!Me kujtohet se kur dilnim në ato aksione të asaj kohe vishnim ato pak rroba , të cilat i quanim më të mirat. Njerzit pershendeteshin ashtu në heshtje e nganjehere edhe nën zë:"Me shnet Pashka"!Shikonin njëri-tjetrin sy ne sy dhe fuqia e shpirtit që reflektohej nepermes atyre shikimeve shprehte në heshtje urimin për këtë festë të veçantë të religjinit katolik. Ishte një gëzim i cunguar, por gjithsesi ishte gëzim.Kohët rrodhen me ritmin e tyre dhe e Diella e Pashkeve u "çlirua" nga "prangat". Sa mire që u bë!Ne e kishim zakon që vizitat t`i bënim sidomos të Hanen e Pashkeve dhe të prisnim njëkohsisht vizitorë.Sa bukur që ishte kjo! Kjo zgjati për disa vite radhazi, por në vendin tim dhe në vendin tuaj brengat nuk mbijnë nga tokat, por nga kokat!Para një viti "zonja" jonë qeveri bëri një ligjë ku sipas brinjëve të tij të shkallmuara as të Hanen e Pashkeve ne nuk kemi pushim! E kur do t`i presim vizitoret o "zonja" qeveri?! Sa për pushimin e dites se diell…dreqi ua rritte nderin! "Zonja" qeveri, vertete se Krishti u ringjall te Diellen, por njerzit e moren vesh të gjithë të Hanen. Po vizitoret…vizitoret kur do t`i presim, o ti e paudhë! Se si më erdhi në mendje ajo transheja e fundit që e hapa të Diellen e Pashkes në vitin 1990 dhe po keshtu edhe ai armiku imagjinar i asaj kohe dhe si për çudi në atë transhe keni rënë ju "zonja" qeveri dhe jo më si armik imagjinar, por si armik real i festes së Pashkëve! Po si arritet ta ndani kaq proporcionalisht "tortën helmuese" të Pashkeve me ata që ishin dje…me komunistët, o "zonja" qeveri! Thuani tani që nuk jeni amalgama të mirfillta të asaj kohe dhe të pushtuar deri në gen nga doktrina sa të turpshme aq edhe penguese në rrugen drejt Evropës! Si moj "zonja" qeveri… e ke llogaritur që të shkosh në Evropë pa të Diell Pashkësh?!! Sa injorante do të ishte kjo e sa kosto do të kishte për këtë popull thellësisht evropian në identitetin e tij?!! Ti mund të pergjigjesh se keshtu ke vepruar me të gjitha festat e tjera, por kjo të thellon më tepër në batakun ku je zhytur, për faktin se e Diella e Pashkes nuk mund të bjerë kurrë as të martë e as të të merkurë e aq më pak ditë të "Xhuma" ose e përkthyer në shqip ditë të Premte!

Lazer Kodra

SHALA DHE SHOSHI - DY DUAR TË NJË TRUPI

LUIGJ SHYTI

Vite më parë, tregojnë se, në një fshat të Dukagjinit vdes një njeri. Ashtu si është traditë, shkojnë shumë njerëz për ngushëllime. Pas varrimit organizohet darka për të respektuar pjesëmarrësit. Nuk e di saktësisht se ishte me qëllime serioze apo ishte një shaka, por qe përhapur fjala se Shala dhe Shoshi nuk do të ftoheshin (thirreshin), si zakonisht njeri pas tjetrit, por do të ftohej (thirrej) për tu futur brenda dhe për tu ulur në sofër dikush tjetër midis tyre. Kjo gjë nuk ishte normale në pikëpamjen tradicionale, gjë që ruhej dhe respektohej që në kohë të hershme. Në këtë ceremoni mortore ishte i pranishëm edhe Pjetër Ҫuni, një burrë në moshë, gojëtar, i zgjuar dhe i vendosur, nga Nënmavriqi. Ky e kishte marrë vesh veprimin që mendohej të bëhej nga organizatorët. Me qetësi fton pranë vetes një burrë nga Shoshi. Edhe ky e dinte planin që ishte bërë. Pjetri i thotë mikut të vet që e thirri pranë, që kur të më ftojnë (thërrasin), si i shaljanë, për të hyrë brenda eja me mua edhe në qoftë se nuk të ftojnë (thërrasin). Ashtu vendosin dhe ashtu bëjnë. Sipas traditës ftojnë (thërrasin) dikë nga Shala dhe shkon Pjetër Ҫuni. Menjëherë pas tij shkon edhe miku i tij nga Shoshi. Kur Pjetri shkon në vendin për të larë duart sipas traditës, shtrinë vetëm njërën dorë për ta larë. Ai që po i hidhte ujin e pyet: "pse po lanë vetëm njërën dorë". Pjetri vendosmërisht, por edhe me zë të lartë që ta dëgjonin sa më shumë njerëz, i përgjigjet: "dorën tjetër e kam këtu afër vetit" dhe i tregon mikun nga Shoshi. Nuk u diskutua më tej kjo punë. Ata zunë vendet që u takonin tradicionalisht në sofër midis bashkë krahinarëve të tyre.
E tregova shkurtimisht këtë ngjarje, siç ma kanë treguar edhe mua, jo se jam apo dua që organizimet, titujt dhe gradat e pushtuesve shekullorë të vlerësohen apo mbivlerësohen në kohën moderne, në kohën tonë. Titujt dhe gradat e së kaluarës kanë vendin që u ka dhënë koha, historia, dhe nuk mund të ndodhë ndryshe. Pushtuesit dhe pushteti i së kaluarës kanë ikur, kanë rënë. Edhe në shtetin amë të tyre nuk ka tituj dhe grada që kanë pasur para një shekulli. Koha ecën, shkenca edhe në organizimin e shoqërisë kanë bërë hapa kolosal përpara. Ajo e kaluara e dikurshme nuk mund të kthehet më. Ajo i përket historisë së shkuar.
Me ngjarjen e treguar më parë dua të dal, në mënyrën time, te një problem shoqëror, bashkëkohor, që nganjëherë shfaqet brenda komunitetit tonë, brenda Dukagjinit.
Në trajtimin e këtij problemi, nuk do gjykoj asnjeri me emra të përvetshëm, sepse mendoj se është mirë të mos gjykosh njeri. Këtu dua të ndalem në dukuri që shfaqen, e që mendoj se ja vlen të diskutohet. Në diskutime të tilla në takime shoqërore, në takime apo tavolina zyrtare, por edhe me gjerë mund dhe duhet të marrin pjesë sa më shumë njerëz, por veçanërisht ata që nuk ju mungon niveli kulturor dhe arsimor, pra intelektualët, heshtja e të cilëve bën që shoqërisë ti mungojë vizioni për të ardhmen. Është më mirë të kërkosh vlera pozitive, të gjesh tjetrin duke bërë punë të mirë dhe ta përgëzosh, se sa të kërkosh vetëm anë negative e ti përdorësh si flamur. Pozitivja edukon pozitivisht, mobilizon për më tej, ndërsa rendja pas negatives bën të kundërtën.
Shala, Shoshi dhe Pulti që përfshihen nën emrin e përbashkët Dukagjin, janë shumë të vjetër. Nuk po ndalemi në popullimin dhe shpopullimin e këtyre zonave në shekuj dhe mijëvjeçarë, në zbulimin dhe vërtetimin e vendbanimeve 3000 vjeçare, në kalatë që "flasin" fuqishëm edhe sot, në toponimet, legjendat, folklorin, gojëdhënat, etj.
Popullsia e sotme e Shalës, Shoshit dhe Pultit, në rreth 95 % të saj është relativisht e re.
Në historinë e ardhjes, zhvillimit dhe jetës së kësaj popullsie, nuk kemi dokumente të betejave frontale, të mëdha, gjakderdhje të shumtë, midis zonave. Kjo shërben për të vërtetuar bashkëjetesën normale për kohën, sepse po të kishte ndodhur përplasje masive dikush do t'ia kishte lëshuar tjetrit. Gojëdhënat, që natyrisht kanë vlerën e gojëdhënës, flasin për ndonjë përplasje midis ndonjë grup popullsie me ndonjë tjetër, por edhe këto janë shuar shpejt e jeta ka vazhduar rrjedhën normale të saj. Askush, normalisht, nuk mund të thotë se nuk ka pasur mos marrëveshje, grindje, hakmarrje, vrasje e gjakmarrje, si brenda zonave e fshatrave ashtu edhe midis zonave. Kështu ishte koha dhe ajo bën të vetën. Nga hulumtimet gjenealogjike që kemi mundur të bëjmë, vërehet se Shala, Shoshi dhe një pjesë e Pultit kanë prejardhje të përbashkët. Këto zona kanë të përbashkët mënyrën e jetesës, doket e zakonet, gjuhën, fenë, folklorin, legjendat, etj. kanë të përbashkët të kaluarën me të mirat dhe vështirësitë e saj, por edhe të sotmen, megjithëse janë shpërndarë në të gjitha anët e botës, por bëhen përpjekje që traditat e mira të ruhen dhe transmetohen brezave që vinë. Edhe ato grupe popullsie, relativisht të vogla, që nuk kanë lidhje gjaku me shumicën, e kanë gjetur veten në këtë mjedis, është pranuar ndër shekuj bashkëjetesa nga të dy palët, janë përfshi në gjithë jetën shoqërore, politike, organizative, luftëtare etj. pa më të voglën shmangie.
Në ecjen shekullorë të popullsisë së këtyre zonave, secili me mundësitë e tij ka formuar personalitetin e vet në shoqëri e histori, sipas punës dhe rezultateve dhe kjo është pranuar shoqërisht, ju kanë njohur cilitdo, ju ka dhënë merita e është respektuar. Kjo nuk duhet ngatërruar e barazuar me titujt e gradat orientale që shpesh tentohet që të dalin në sipërfaqe, të lëvizin dhe jetësohen.
Ne, dukagjinasit, kemi cilësi shumë të mira, kemi tradita të lashta, kemi kulturë në marrëdhënie me njëri tjetrin dhe më gjerë, i japim rrugë kuvendit, gjejmë rrugëzgjidhje, dimë të falim, etj. Por duhet të dimë e pranojmë se nuk jemi pa të meta, jo radhë edhe të rënda siç është p.sh. vrasja dhe gjakmarrja, e aq më tepër duke i veshur me vellon kanunore.
Ne jetojmë me të tjerët, jetojmë pranë tyre, aq më shumë sot që kohët moderne të sjellin pranë, në çast, çdo cep të botës. Ne kemi jetuar dhe jetojmë se ka jetuar dhe jeton Shqipëria.
Diskutimet sjellin zhvillim dhe kanë vlera pozitive, veçanërisht kur bëhen përpjekje për të qenë të arsyeshme, me sa më shumë fakte, ose të paktën sa më afër tyre, dhe, që mendoj se ka shumë rëndësi, që ato të jenë me frymë dashamirësie, pa smirë, ego negative, ngarkesa emocionale, fyese, uljesh e humbje të vërtetës me qëllime dashakeqe. Kur bëhen veprime të tilla direkt ose indirekt cenojnë bashkëjetesën, lindin inate, grindje, ka përbaltosje, por duhet kuptuar se kush gjuan me baltë humb tokë mbi të cilën kemi nevojë të mbështetemi fort e gjithmonë.
Shikohen raste që grumbullojmë pranë vetes aq shumë merita sa nuk lejojnë që të shikohet më larg. Ky grumbullim ka edhe një të keqe tjetër. Nga "pesha" e këtij grumbullimi mund të formohet një gropë që rrezikohemi të biem vetë brenda. Asnjëra nga këto që mund të ndodhin nuk janë pozitive. Është e nevojshme që t'i ruhemi këtij fenomeni i cili nuk na qet në anë. Dukagjini dhe dukagjinasit, kudo që ndodhen, janë aq të mëdhenj sa nuk lind nevoja për zmadhime dhe zbukurime. Atyre u mjaftojnë meritat që kanë. Duke u mbështetur në të dhënë gjysmake, në të pa vërteta, dhe këto duke u përsëritur gjatë, do të vijë koha që edhe vete personit që i përdorë do ti duken të vërteta. Kjo jo vetëm nuk është e mirë, por është me pasoja në histori dhe shoqëri.
Po bëhen emisione televizive, po shkruhet e thuhet për bëma e ngjarje interesante, po bëhen përpjekje për hulumtime luftërash, organizime shoqërore, emra e figura e për ti trajtuar e publikuar. Në parim jam dakord dhe duhet të vazhdohet, por mendoj se në këtë drejtim të qëndrojmë me këmbë në tokë, të jemi sa më afër realitetit, të jemi të besueshëm. Është shumë e vështirë të trajtosh një problem historik vetëm mbi bazën e gojëdhënës dhe, aq më tepër, të këmbëngulet se është e vërtetë. Kjo, gojëdhëna, është e fundit në rendin e dokumentimit të një ngjarje apo fenomeni, veçanërisht kur nuk je dëshmitar okular, pra, nuk e ke parë me sy. Flitet për luftëra e përpjekje të përgjakshme, por nuk dalin organizatorët, drejtuesit, komandantët, pasi dihet se çdo veprim i tillë ka një prijës, drejtues, komandant, se përndryshe nuk është e organizuar, por bjeri kush të mundet kujt të mundet. Në çdo betejë prijësit, komandantët janë mbajtur mend, bile më shumë së luftëtarët e zakonshëm edhe pse këta të fundit mund të jenë vrarë në ato përpjekje. Për komandantin janë thurë edhe këngë e deri legjenda. Mos publikimi i tyre tregon mungesë njohjeje të këtyre problemeve.
Në jetën tokësore askush nuk është mirë të mendojë se "unë jam e vërteta". Duhet respektuar ai që shkon nga e drejta, që i afrohet më shumë. Dëshira për të mos pranuar mendimin ndryshe nuk është e mirë. Ka ardhur ajo kohë ( dhe është bërë shumë mirë) që duhet të respektohet mendimi ndryshe. Jo gjithçka është vetëm bardh e zi, nuk është më "ose me mua ose kundër meje". Nuk është mirë që ish nxënësin tonë ta mendojmë e trajtojmë gjithmonë si të vogël, të ndrojtur, gjithmonë vetëm nxënës. Duhet ta kemi parasysh se vërtetë dikur e kemi pasur nxënës, por edhe nuk duhet harruar se atëherë i kemi thënë që të mësojnë se janë për një kohë më të gjatë se ne. Sot njerëzit kanë dalë nga rreshti, nuk janë më "ushtarë të bindur", nuk janë më punëtor apo vartës nga mendimet e "shefit", kryetarit, komandantit, eprorit. Në kohën e sotme ka pak njerëz, që marrin mendimin e "shefit" në se 2+2, bëjnë katër apo pesë, dhe, sa më pak duhet të ketë të tillë.
Historia shkruhet për atë çfarë ka ndodhur e jo për çfarë dëshirojmë të kishte ndodhur. Konkluzione bëhen gjithmonë dhe secili ka të drejtën dhe mënyrën e tij, por konkluzionet janë të qëndrueshme pasi janë analizuar disa fakte e ngjarje, janë bërë krahasime e diskutime.
Po shikohen dhe shfaqen nganjëherë prirje që ne, pjesëtarët e komunitetit dukagjinas, të kemi dëshirën që të integrohemi brenda për brenda vetvetes. Kjo ngjason, skematikisht, me një "rreth", i cili përfaqëson shtrirjen e komunitetit tonë, e ku shigjetat e kahes së integrimit drejtohen nga brenda tij. Ky drejtim ruan traditat, kulturën dhe historinë tonë të mirë, pa çka se ruan edhe element negativë të kohës, të trashëguara.
Kjo, mendoj, ka edhe një të metë tjetër, se na pengon, na mbyll disi sytë, që të shikojmë çfarë ka dhe çfarë bëhet rreth e rrotull, jashtë, si është jeta përtej "rrethit" tonë.
Mendoj se kjo mund të shikohet dhe preket në dëshirën për ti bërë analiza njeri tjetrit, kritika për çfarëdo, cikërrima, bubërrime, shikimi i qimes në syrin e shokut, mikut, tjetrit, e ndoshta jo traun në syrin tonë, ulje e qëllimshme e bashkëpunëtorit, mikut, kojshisë, zonës me qëllim për të dalë vetë, familja, fshati, zona, etj. më në kodër, për tu dukë më shumë. Të ngjason me fenomenin e prerjes së një peme për të lëshuar të shikohet një tjetër. Sidomos në kohën e sotme është fituar e drejta e qytetarisë që secili të thotë: "unë jam i mirë", "unë jam më i miri", "si unë s'ka", etj. por nuk është e udhës të ulësh, denigrosh, shmangesh vëllain, kojshinë, apo zonën me të cilën nuk të ndan vetëm një vijë lapsi.
Nuk mund të ngrihet një person, fshat apo zonë duke ulur të tjerët. Ai le të shpallë meritat e veta por mohimi i të tjerëve nuk na ndihmon. Ne jetojmë se jetojnë të tjerët.
Komuniteti ynë ka më shumë nevojë që kahja e integrimit të drejtohet nga jashtë atij "rrethit" që përmendëm më parë, të shikohet çfarë ka dhe çfarë bëhet rrotull. Këtu kemi nevojë për integrim, diskutim, analiza dhe të gjenden mënyrat më te mira të përshtatjes e bashkëjetesës duke marrë eksperiencë e kulturë dhe po kështu duke dhënë eksperiencë e kulturë.
Ne, dukagjinasit s'kemi ç't'i tregojmë njëri tjetrit sepse e njohim mirë njëri tjetrin, sepse kemi qenë dhe kemi jetuar ngjitur me territor, kemi qenë bashkë në punë e luftë, në dasmë e mort në këngë e legjenda kemi të njëjtën veshje e fjalor, kemi afërsi gjaku, kemi miqësi e kumbari ndër shekuj, kemi të njëjtat doke e zakone, kemi të njëjtin organizim tradicional. Personalisht, jam përpjekur për hulumtimin e gjurmëve etnografike, kulturën materiale e shpirtërore dhe mënyrën e jetesës në territorin e Dukagjinit dhe nuk kam mundur të gjej ndryshime për tu shënuar. Nuk mund të bashkohem me ato mendime që traditën tonë në shekuj, qoftë ky edhe Kanunin, ta fyejnë, ta përdhosin, ta quajnë si diçka pa vlera. Kjo nuk na bën nder ne as gjithë vendit. Me kësi mendimesh e veprimesh fyejmë veten tonë, të parët tonë, kulturën dhe historinë tonë. Për ato ka shkruar historia. Ato kanë pasur kohën dhe vendin e tyre, që, ne nuk mund ti ndryshojmë, por nuk është mirë as të tentojmë një gjë të tillë. Traditat tona dhe bashke me to edhe Kanuni, e kanë vendin që u ka dhënë historia. Mua më dhimbsen shumë kur i akuzojnë, i keqpërdorin e i keqinterpretojnë. Çdo gjë ka kohën dhe lulëzimin e vet dhe nuk ka se si të jenë ndryshe. Koha ecën, e reja ka të ardhmen. Sot është koha e librit, kompjuterit, fluturimeve kozmike, e këto nuk mund të vizatohen në hirin e vatrës, të bëhen me hamendje, të matën me pëllëmbë apo me pash. E kaluara ka mbetur pas. Ajo duhet të vendoset në muze dhe të ruhet me shumë kujdes, në biblioteka, apo në tavolina studiuesish, që tu tregojmë brezave nga kemi ardhur e ata të dinë ku të shkojnë, sepse po nuk dite nga vjen nuk di ku shkon dhe çfarë kërkon.
Ne kemi nevojë për të gjetur pika të përbashkëta që na lidhin, na afrojë, të cilat i kemi me shumicë. Nuk kërkoj që të mbulohen të metat, por ka mënyra e mënyra për ti vënë në dukje e korrigjuar. Tjetër është një diskutim, bashkëbisedim, qortim, etj. kokë më kokë bashkërisht, shoqërisht, dashamirësisht, e tjetër është të shkruash në gazeta, libra apo të bëhen emisione televizive ku duken pasaktësi e të pavërteta, që behën nga mosnjohja, apo edhe të qëllimshme. Dhe këto nuk janë të ndaluara, por nuk është mirë, aq më tepër se këto mbeten dhe bëhen objekt bisede gjatë, ngjallin shqetësime, ftohje, nxitin ndarje, largime, reagime, etj. Shikohen jo pak raste që edhe brenda për brenda komunitetit tone intelektual që gjatë diskutimeve shoqërore apo edhe zyrtare folësit përsëritin thuajse të gjitha ato çfarë thotë parafolësi ndoshta i paraqet edhe si propozime të tija pa marrë mundimin më të vogël për ti thënë parafolësi se fole mirë, ose jam dakord me mendimet e tua, të paktën sa për respekt shoqëror.
Është e vërtetë se për Dukagjinin nuk është shkruar sa duhet, sepse kushtet, koha dhe interesat të tilla kanë qenë, por nuk duhet të themi se vetëm ne, brezi i sotëm po shkruajmë histori. Nuk duhet të harrojmë se gjatë shekullit te XIX dhe në vazhdim ka dhe jo aq pak shkrime. Po përmend disa si J.V.Hahn, A. Baldaçi, E. Durham, F. Nopça, R. Lane, I. Montaneli, M. Shuflai, At Z. Valentini, Zh. K. Flaverian, D. Pazzi, B. Palaj, Rr. Gurashi, K. Libardi, Padre C. Cani, At D. Gjeçaj etj. pa folur për dokumentet arkivore që nuk e dimë numrin e tyre, një pjesë, veçanërisht për gjysmën e parë të shekullit XX janë publikuar në një vëllim të veçantë. Këto dokumente e botime kanë cekë pjesën më të madhe të historisë e kulturës së Dukagjinit, sidomos ato pikantet, të veçantat, të rëndësishmet nga afër apo nga larg, janë pasqyruar, e këto mund të përdorën si referenca. Prandaj tendenca ose vrapimi për të shkruar vetëm mbi bazën e gojëdhënave të trashëguara pa u konsultuar me shkrimet e kohës vështirë se mbijetojmë.
Poeti i rilindjes Risto Siliqi shkruante me dëshirë të zjarrtë për Mehmet Shpendin. Ai e njihte sepse ishin bashkëkohës, dinte bëmat e tij. Poeti e gjen trimin në Qafën e Agrit ku thyhet ushtria turke (dhe nuk është mirë të largohet në kohën tonë, pas një shekulli, me një fjalë goje, nga fronti, dhe të vendoset diku tjetër), e ka parë në Deçiç, e ka parë sa herë ka pas nevojë vendi me pushkë për faqe i gatuar për pritë.
Djelmnia e Shalës është një organizëm i ri unikal në tokë të Shqipërisë. Ajo mblodhi rreth vetës djem të vendosur për të mirën e krahinës dhe vendit. Ajo ka hyrë në histori bashkë me prijësin e saj Mehmet Shpendi. Ajo është e pashoqe për kohën në të cilën veproj. Ky organizëm i ri, me pikëpamje të reja por dhe me mosha të reja e tregoi veten si brenda Shalës dhe jashtë saj me ndikimin, arsyen, fjalën dhe forcën e saj. Ajo bëri përmirësime edhe në ligjin e kohës – Kanunin.
Po thuren këngë, kompozohen e regjistrohen, që është vështirë tu mbahet mend edhe vetë titulli, dhe i dëgjojmë, ndoshta, vetëm kur i kërkojnë vetë autorët ose familjarët e tyre. E qëndrueshme, e fuqishme, e vlerësuar është ajo punë, ai heroizëm, ai akt, ajo këngë, ajo vepër që i reziston kohës. Ka mbi dy shekuj që këndohet kënga e shtatë Shaljaneve të cilët u besatuan me njëri tjetrin për të dhënë edhe jetën në mbrojtje të të drejtave të tyre. Ka mbi dy shekuj që këndohet kënga e Pal Gjokës e Marash Tucit për vetëmohimin e tyre. Këto janë element që tregojnë besën e mbajtjen e fjalës së dhënë. Edhe kënga, folklori, ndihmojnë në vërtetimin e fakteve historike. Në çdo kohë, në çdo luftë apo përpjekje shoku, bashkëluftëtari nuk e ka lënë shokun e tij të plagosur të bien në dorën e kundërshtarëve bile jo rrallë edhe të vdekur. Në çdo kohë, në çdo luftë apo përpjekje shoku, bashkëluftëtari, është përpjekur që të mos e lënë shokun e tij të plagosur të bien në dorën e kundërshtarëve bile jo rrallë edhe të vdekur. Kjo në malet tonë ka qenë si një gurë prove. Në lidhje me besën profesor Shaban Sinani thotë " Besa është një kategori historike, që u shfaq te shqiptarët në një kohë kur lindi vetëdija e tejkalimit të kufijve të zotërimeve familjare patronimike".
Ne e duam Dukagjinin, por nuk jemi vetëm ne që shkruajmë Dukagjini, ai është i madh në kohë e hapësirë, ne jemi vetëm një pjesë e tij dhe aspak më tepër, që me gjithë punën që bëjmë nuk bëjmë vetëm detyrën, dhe atë në qoftë se e bëjmë mirë. Vërtetë ne e kemi pranuar Dukagjinin por kjo nuk është e gjitha. E rëndësishme është që të na pranojë Dukagjini ne. Është shumë e nevojshme për ta parë shokun, mikun, bashkëbiseduesin sy në sy, kur takohemi apo flasim, jo të shikojmë këpucët e njëri tjetrit. Sytë janë dritaret e shpirtit dhe shmangia e tyre fsheh diçka.
Malësorët e Shalës, Shoshit dhe Pultit kanë vepruar në shekuj si një trup i vetëm sa herë ka qenë e nevojshme, sa herë është lëshuar kushtrimi. Asnjë i jashtëm nuk ka mundur ti ndajë e aq më pak ti vejë kundër njëri tjetrit këto zona. Përpjekje të paarsyeshme për ti ndarë për ti vënë përballë njëra tjetrës, për të ndryshuar krahun e peshores artificialisht e për gjëra anësore nuk i shërbejnë çështjes dhe nuk kanë gjasa të kenë rezultat as në të ardhmen.
Është bërë e modës në kohën e sotme, të flitet më përemrin në njëjës "unë", ose "e imja", apo "i imi" dhe po vjen duke u ulur përdorimi i përemrit në shumës,"ne". Kjo po formësohet edhe në komunitetin tonë dukagjinas, duke bërë përpjekje për personalizime edhe të paqena, që vetëm dëmtojnë marrëdhëniet dhe bashkëjetesën.
Veprimtaria e Shoqatës "Atdhetare Dukagjini" është vërtetë shumë e madhe. Me punën edhe gazetën e saj "Dukagjini" ka zbuluar e publikuar vlerat dhe virtytet e malësorëve tonë në shekuj. Këtë veprimtari e vazhdon edhe aktualisht, por mendoj se ne redaktorët e kush merret me këtë punë, të kërkojmë më shumë për rritjen e cilësisë, pasqyrimin sa më mirë të veprimtarive, korrekte dhe të pasur. Nuk është e udhës të pasqyrohet një veprimtari serioze shkencore, në atë mënyrë që fjala hyrëse të zërë 202 rreshta në gazetë dhe 7 referues me tema serioze dhe të përgatitura me përkushtim, të zënë të gjithë së bashku 62 rreshta. Llogarinë ta bëjnë gjithsecili vetë. Kjo nuk flet për vlerësime serioze dhe normale të bashkëpunëtorëve, shokëve por edhe audiencës që dëgjon apo lexon. Shikohen jo radhë botime që vështirë të dallohen nëse janë poezi, bejte apo çfarë janë. Këto ja ulin vlerat gazetës dhe shoqatës. Është thënë edhe herë të tjera se gazeta "Dukagjini" nuk është e pavarur, as private dhe nuk mund të personalizohet. Shoqata dhe gazeta kanë një program të përcaktuar.
Dëgjohen nga një herë ankime midis shokësh të natyrës si "... shokët nuk po mundohen të më kuptojnë..." ose "... mbushen me dhjetëra faqe gazete e libri për traditat e të parëve tonë, dhe deri sa arrijmë në atë pikë që të gënjejmë vetveten...", "...jam lodhur për të bindur ...", etj. Në qoftë se nuk kuptohemi duhet të bëhemi më të kuptueshëm, kur dihen gënjeshtrat duhen zbuluar dhe korrigjuar konkretisht duke shpjeguar edhe arsyen, e nëse njerëzit nuk binden duhet të bëhemi më të bindshëm dhe të krijojmë besimin reciprok.
I vura këtë titull, këtij shkrimi, i nisur nga një ngjarje e disa viteve më parë, por kurrë dhe në asnjë rast nuk kam dashur, nuk dua dhe nuk do të dua, të vë kufij ndarës, gardhiqe apo perde ndarëse ndërmjet Shalës, Shoshit, Pultit apo në tërësi Dukagjinit. Por mendoj dhe bëj thirrje që të gjithë duhet ta kemi parasysh këtë. Edhe në mos qofshim të gjithë më prejardhje të përbashkët, duke jetuar me shekuj ngjitur me njëri tjetrin, kemi lidhur miqësi, kumbari e probatini të gjithanshme dhe jemi njëjtësuar pothuajse totalisht. Këto t'ua tregojmë brezit të ri dhe atyre që vinë.
Jeta ka shumë vështirësi, kërkon punë, iniciativë, këmbëngulje, dhe vizion për tu jetuar. Është lehtë të qëndrosh në vend, të mos lodhesh, të mos interesohesh për vete, për komunitetin tënd dhe për vendin. Kujtoj këtu fjalët e një poeti rus i cili thotë se nuk është vështirë për të vdekur, vështirë është për të jetuar.
Ne duhet të kërkojmë dhe gjejmë sa më shumë lidhje me njëri tjetrin, pika që bashkojnë. Ne jemi pak për tu shtyrë, për të bërë përpjekje për të zhvleftësuar njëri tjetrin, për tu ndarë nga njëri tjetri për të dëmtuar sado pak njëri tjetrin, siç thonë mësimet shenjte "me mendime, me fjalë e me vepra"
Të bashkuar do të ndjehemi më mirë, do të jemi më të mirë.

Prill - 2011

DËSHTIMI I NJË EKSPEDITE
STUDIMORE - SHKENCORE

PRELË GRIMA

U mbushen 16 vjet nga koha kur një grup historianësh dhe etnografësh të Universitetit "Karl Franzes" të Gracit, pas një ekspedite një mujore në zonën e Dukagjinit, shkruan librin me titull "SHQIPËRIA – DUKAGJINI". Libri kolektiv i autorëve u përgatit nën redaktimin e doktorëve të shkencave Helmut Eberhand dhe Karl Kaser. Pas një heshtje të gjatë të opinionit publik dhe shkencor rreth vlerave të këtij libri, unë, autori i këtij shkrimi, po paraqes mendimin tim modest.
Po të nisemi nga normat më elementare të etikës, shkrimi do të fillonte me vlerat dhe kontributet që sjell libri. Aq më tepër kur kemi të bëjmë me një rast unikal në historinë e Dukagjinit e të Shqipërisë, kur një grup kaq i madh prej 11 studiuesish të huaj vinë në një ekspeditë shkencore. Por për paradoks, rezultatet e studimit janë kaq minimale sa nuk ke çfarë të shkruash për to. Kjo do të bëhet e qartë gjatë shtjellimit të shkrimit.
Qëllimi i ekspeditës, siç shkruajnë ata vetë, ishte sqarimi i çështjes nëse "... diktatura komuniste i kishte dhënë fund një herë e mirë jetës tradicionale fisnore". Që këtu, sipas mendimit tonë, përcaktohet dështimi i temës studimore. Them kështu, sepse ajo mbetet pa objektin real ose me objekt inekzistent. Është absolutisht e sigurt që jo vetëm deri në vitin 1944, por prej shumë shekujsh më parë nuk ka ekzistuar jeta fisnore në malësitë tona. Atëherë shtrohet pyetja: Si është e munduar që një grup i madh studiuesish me kualifikim të lartë shkencor të hynë një "aventurë" të tillë studimore ?
Më poshtë po përpiqemi të analizojmë shkaqet e kësaj anomalie.
Që nga fundi shekullit të XIX në Europë ishte përhapur një literaturë antishkencore dhe antishqiptare me origjinë qarqet shoviniste të Ballkanit, e në mënyrë të veçantë ato Serbe, sipas të cilave shqiptarët paraqiten si fise primitive të prapambetura blegtorësh endacakë. Qëllimi i tyre ishte të justifikonin para Europës aneksimin e trojeve shqiptare, duke përfituar, duke përfituar nga dezintegrimi në të cilin kishte hyrë Perandoria Osmane. Se sa kishte zënë vend në qarqet politike dhe në jetën shkencore të Europës kjo propagandë na e bën të ditur veprimtari i shquar i lëvizjes sonë kombëtare Faik Konica i cili shkruan: "...pak vjet përpara Luftës Botërore, kur diskutohej në parlamentet e ndryshme, çështja e copëtimit të Turqisë Europiane, një deputet francez mbajti një fjalim të "fortë" kundër endacakëve vrasës të Shqipërisë". ( Faik Konica vepra 2, faqe 287-288). Këtë pikëpamje, thellësisht të gabuar, dijetari ynë e kundërshton kështu: " ... ata ( banorët e malësisë – shënimi im P.G.) janë jo vetëm popullsia më e ngulitur në botë me që kanë jetuar në trojet e veta prej mijëra vjetësh, e prandaj janë pikërisht e kundërta e endacakëve, por janë edhe tipi më i lartë i burrave dhe grave si nga pikëpamja fizike dhe ajo orale." (Po aty).
Teza mbi të ashtuquajturat fise shqiptare ( të cilën e quanin të mirëqenë) kishte ngjallur interes të madh shkencor tek studiuesit austriakë. Por për fat të keq, ata i kishin formuar pikëpamjet mbi bazën e literaturës antishkencore të përmendura më lart. Me këtë bagazh njohurish organizuan ekspeditën studimore në zonën e Dukagjinit. Një boshllëk i madh për ta ishte mungesa e plotë e kontaktit me historiografinë shqiptare. Me rëndësi do të ishte edhe njohja me dokumente të veçantë siç ishte "Defteri i regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485". Aty do të njiheshin me ekzistencën e pronës private mbi tokën edhe në Nahijen e Petershpanit (edhe Dukagjini i sotëm). Pikërisht këto dokumente do ti bënin studiuesit austriakë të kuptonin abuzimet me "lojën" e termave të shovinistëve sllavë. Thelbi i kësaj "loje" qëndron në interpretimin e saktë ose të gabuar të termit "fis". Tek ne termi "fis" përdoret vetëm në kuptimin e farë e fisit, që është origjina e përbashkët e një grupi njerëzish, por pa asnjë funksion të karakterit pronësor ekonomik. Ndërsa ideologët e shovinistëve sllavë e përdorin këtë term në këndvështrimin historik që lidhet më lashtësinë e njerëzimit, me rendin fisnor kur nuk kishte lindur akoma prona private. Këtu e ka bazën trajtimi antishkencor i të ashtuquajturave "fise" blegtorale endacake të Shqipërisë, që sipas tyre bazohet në pronën e përbashkët të fisit. Historiografia shqiptare e ka argumentuar shkencërisht se nga shekulli VIII-X bashkësia fisnore nuk ishte mbizotëruese në malësitë tona.
Ndërsa në shekullin e XV tipar karakteristik ishte bashkësia fshatare që bazohet ne pronën private mbi tokën ( Akademia e Shkencave e Shqipërisë - " Historia e Popullit Shqiptar" 2002, vëllimi I, faqe 212). Kuptohet qartë se që në mesjetë malësitë tona kanë pasur të njëjtën strukturë ekonomike sikurse pjesa tjetër e vendit e bazuar në bujqësinë dhe blegtorinë.
Është për të ardhur keq se pikërisht këto "teori" u vunë në bazë të të gjithë procesit studimor të studiuesve austriakë në zonën e Dukagjinit. Lexuesi nuk mund të mos habitet që edhe pas ballafaqimit të tyre me realitetin konkret, nuk vënë në pikëpyetje asgjë rreth pikëpamjeve të tyre të gabuara. Në çdo moment ata ishin në kontakt direkt me tokat e fshatarëve në pronësi private dhe kishin të gjitha mundësitë që të mësojnë vjetërsinë e tyre të paktën mbi pesëqind vjeçarë. Kanuni e shpreh qartë se luajtja e kufirit është baras me luajtjen e eshtrave të të vdekurve në varre. Dhe ky është kufiri pikërisht i tokës private. Të njëjtën siguri mund të merrnin edhe nga kishat. Vetë ata shkruajnë se Kisha e Shalës mund të jetë ndërtuar në vitin 1556. Ky është një konfirmim tjetër mbi vendbanimet e ngulura fshatare sepse kushdo e di se kishat nuk mund te ndërtoheshin atje ku popullsia është endacake. (Dokumentet tregojnë ekzistencën e kishave të Pultit të Madh e të Pultit të Vogël që nga viti 1343 - Dom Ndoc Nogaj, "Humbje e fitore 1990",fq 31).
Duke parë gjithçka me syzet e shovinistëve sllavë,studiuesit austriakë arrijnë në përfundimin se: "jeta këtu mbështetet në një ekonomi krejtësisht blegtorale ... Për shekuj të tërë ishin gjallëruar malet nga familjet e çobanëve me ... kopetë e dhenve e të dhive. Pjerrësia e maleve u hynte nomadëve në punë. Baza e ekonomisë së deles dhe kullotave është si me thënë alternimi i kullotave dimërore me ato verore... Fisi, është një organizim ekonomik e mbrojtës. Fise dhe organizata fisnore ekzistojnë dhe sot."(fq 6-8). Shihet qartë se pikëpamjet e të dy palëve ngjajnë si dy pika uji. Madje studiuesit austriakë shkojnë edhe me tej. Sipas tyre jeta fisnore mbeti e paprekur deri ne vitin 1944. Por nuk ndalen as këtu për arsye se diktatura komuniste nuk paska mundur ta zhduk,prandaj paska vazhduar deri ne vitin 1990. Këtu shpaloset "zbulimi" imagjinar i tranzicionit të jetës tradicionale fisnore drejt shoqërisë moderne. Të gjithë e shohin dhe e kuptojnë se për kurrfarë tranzicioni të kësaj natyre nuk mund të bëhet fjalë. Periudha e jetës fisnore në malësitë e veriut është mbyllur shumë shekuj më parë. Vetëm ky trajtim i gabuar antishkencor do të ishte i mjaftueshëm për ta konsideruar librin e botuar si një dështim të plotë. Por ai përmban edhe shtrembërime të tjera disa prej të cilave po i shkruaj më poshtë. Duke pasqyruar aspekte të ndryshme shoqërore, në çdo rast shkalla e prapambetjes paraqitet shumë më e theksuar se ç'është në realitet. Dukagjini del si një kënd i humbur i botës kur shkruajnë se që nga viti 1945, në këtë zonë nuk paska shkelur asnjë vizitor i huaj, në një kohë që kushdo e di që kanë qenë më dhjetëra e qindra,ose kur thonë se rrugët e Dukagjinit nuk panë prej vitesh të kalonte një makinë. Edhe kjo është një e pavërtetë e dukshme për çdo njeri.
Por më me peshë dhe që tërheqin vëmendjen e njerëzve, janë shtrembërimet dhe pasaktësitë për probleme te tilla si: mendësia dhe psikologjia e njerëzve, traditat e zakonet,familja e pozitat e gruas,niveli kulturor dhe arsimor i popullsisë etj. Po të njihet realisht fizionomia morale e dukagjinasve, nuk do te konstatohej ndonjë ndryshim esencial ne pjesën tjetër të popullit shqiptar. Virtyte te tilla si burrëria, besnikëria, mikpritja, etj, janë mbarë shqiptare. Në këtë pikëpamje evidentimi nga autorët e librit të normave të veçanta morale për dukagjinin si "miku","armiku", "nderi",etj nuk janë reale. Akoma më keq është kur arrihet në shtrembërime flagrante te realitetit. Ja disa formulime te papranueshme: "çdo i huaj është një armik potencial" (fq. 84).Nuk mungojnë as konstatimet me doza disi fyese si p.sh. vjedhja e gjësë së huaj "u konsideroka nga malësorët si akt trimërie"(fq 90). Çdo koment për këto falsifikime do të ishte i tepërt. Për mikpritjen shprehen në mënyrë kontradiktore. Nga njëra anë e cilësojnë atë si të jashtëzakonshme, nga ana tjetër bëjnë një "zbulim"sipas të cilit "diçka paska humbur nga ky virtyt i lartë"(fq. 29). Një gjë e tillë është krejt absurde jo vetëm për çdo dukagjinas edhe për çdo shqiptar.
I pasaktë është edhe trajtimi i familjes së madhe patriarkale. Ata i kundërshtojnë hapur etnologet shqiptar që theksojnë me te drejtë se familja e madhe patriarkale nuk ekziston më. Këtë e konsiderojnë gabim te madh (fq. 98) sepse koncepti i familjes patriarkale nuk vihet ne pikëpyetje (fq. 105).
Në libër shkruhet gjerë e gjatë për pozitën e gruas në familje. Sipas tyre gratë paskan jetuar në një sistem ekstrem patriarkal (fq. 33). Se sa e ekzagjeruar është kjo, mjafton të theksojmë vlerësimin e etnografes së njohur angleze E. Durham e cila ka kaluar periudha të gjata kohe në shtëpitë e malësorëve. Ajo 100 vjet më përpara ka shkruar se gruaja malësore në disa drejtime është më e përparuar se gruaja e Shkodrës. Lexuesi habitet edhe me interpretimin e gabuar të festave fetare. Ata shkruajnë se festat fetare me miq i kushtohen patronit ose stërgjyshit të fisit. Në të kundërtën të gjithë e dinë se festat fetare u kushtohen shenjtorëve të krishterë si Shën Gjoni, Shën Ndou, Shën Gjergji, Shën Mhilli, etj.
Siç shihet gabimet shkencore, shtrembërimet dhe pasaktësitë përshkojnë faqet e librit nga fillimi deri në fund. Në kuadrin e "prapambetjes" së skajshme në çdo fushë të jetës për emancipimin e përgjithshëm të shoqërisë që vjen nëpërmjet elektrifikimit te zonës përhapjes së radios, televizionit, filmit, librit, etj. nuk shkruhen më shumë se 5-6 rreshta. Ndërsa për zhvillimin e arsimit shkruhet akoma më pak. Nuk ishte arritje e vogël hapja e shkollave fillore ne çdo fshat që nga viti 1945, kalimi më vonë në arsimin e detyrueshëm 8 vjeçar dhe funksionimin e katër shkollave të mesme. Më realisht dalin arritjet në fushën e shëndetësisë duke vënë në dukje se në Dukagjin kishte spital, maternitet, qendra shëndetësore, farmaci, konsultore në çdo fshat, të drejtuara nga infermiere e mami, etj.
Në libër paraqitet edhe një historik i shkurtër i Dukagjinit në linjë kronologjike. Pasaktësitë janë të shumta sepse ato mbështeten kryesisht në të dhëna gojore. Por edhe kur dokumentet janë të bollshme çuditërisht disa çështje nuk pasqyrohen drejt. Tipik është rasti i Dukagjinit të sotëm (Pulti mesjetar) që paraqitet pjesë e principatës së Lek Dukagjinit kur dihet se Pulti ka qenë principatë me vete me princ Pjetër Spanin. Gjithashtu bajraqet nuk kanë qenë njësi administrative osmane siç shprehen ato por njësi të vetëqeverisura. Tepër i gabuar është pohimi se fuqia e shtetit Shqiptar nuk u shtri në territorin e fiseve deri në Luftën e Dytë Botërore. Por po aty në mënyre paradoksale shkruhet për kryengritjen e Dukagjinit ne vitin 1926 kundër rrëgjimit te Zogut. Veçanërisht e rëndë është fyerja e dinjitetit kombëtar të dukagjinasve kur deklarojnë se pushtimi fashist italian u prit me gëzim e festime,kurse pushtuesit gjermanë që erdhën më pas paskan gëzuar respekt të madh sepse luftonin komunistët. Akoma më keq tingëllon kjo kur dihet se forcat gjermane nuk u vendosën as edhe një ditë në territorin e Dukagjinit. Me këto deformime është i kuptueshëm fakti i mos përfshirjes në libër të kontributit te Dukagjinit në Luftën Nacional çlirimtare. Është i njohur fakti i formimit të çetës Partizane të kësaj zone në fund të vitit 1943. Dihet gjithashtu se dy dukagjinas, Mark Sadiku (Pecaj Shalë) u internua nga fashistët në Ventotene të Italisë, ndërsa Mirash Pal Biba (Lotaj Shalë) vdiq në kampet e shfarosjes në Gjermani.
I ashtuquajturi qëndrim antikomunist i Dukagjinit vazhdon me një falsifikim tjetër me gjoja pjesëmarrjen në betejën e Qafës së Kolçit e cila ndodhet thellë në territorin e Tropojës dhe ku Dukagjini nuk mori pjesë. Dhe për të mbyllur ciklin e të pavërtetave shkruhet se në vitet e regjimit komunist u bënë shumë kryengritje kur dihet botërisht se nuk u bë qoftë edhe një e vetme.
Me keqardhje shumë të madhe në vend te falënderimeve dhe mirënjohjes që do dëshironim t'u shprehnim miqve tonë historionë e etnografë Austriak jemi të detyruar të mbajmë qëndrim kritik të hapur për rezultatet negative të ekspeditës së tyre. Aktualisht në bibliotekat shkencore te Austrisë dhe Europës gjendet literatura më e hershme për të cilën kemi folur më lart edhe ajo më e fundit shkruar nga historianët dhe etnografët Austriakë që trajtojnë çështjen e fisit në Shqipëri. Është krejt logjike që kjo e fundit te konsiderohet nga opinioni shkencor eurpian si një rikonformim i gjoja "vërtetësisë" së tezave të vjetra antishkencore dhe antishqiptare të shovinistëve fqinjë.
Shprehim dëshirën dhe shpresën që institucionet tona shkencore të angazhohen në propagandimin e të vërtetës objektive historike duke e konsideruar si detyrë të rëndësishme të tyre.

NJË LIBËR ME MESAZHE FILOZOFIKE TË SHQIPTARIZMIT

Fehim Goxhaj

Vijon nga numri i kaluar.

Së treti: Gjuha e përdorur nga autori i librit është shumë e shkoqur nga mbingarkesat dialektale. Ndoshta dialekti i Fishtës është një mozaik i gjuhës shqipe, por disi i vështirë për t'u kuptuar. Dhe autori në komentin e tij për veprat poetike të Fishtës pasqyron bukurinë e këtyre vargjeve të vështira me një gjuhë të shkathët, e tepër të kuptueshme, një gjuhë të pastër nga huazimet, që sot po përdoren në masë me tendencë prishjen e gjuhës. Gjuha dialektale është gjuhë shqipe, dhe nuk është e huaj. Ajo ka bukurinë e saj, ka madhështinë e saj dhe specifikën e saj. Vepra e Fishtës e shkruar në atë dialekt është më e bukur dhe më e madhërishme, se sa të shkruhej nga një dialekt tjetër, ashtu sikurse gjuha e Naimit ka bukurinë e saj dhe nuk mund të shkruhet në një dialekt tjetër. Por autori konsideron si domosdoshmëri unifikimin e gjuhës, që Fishta dhe Naimi të kuptohen nga të gjithë shqiptarët njësoj dhe pa vështirësi. Fishta dhe Naimi shkruajnë me dialekte të ndryshme, por përmbajtja kombëtare, shqiptarizmi i tyre është në themel të tyre dhe i kuptueshëm nga të gjithë.
Luigj Temali, në librin e tij shkruan një shqipe të pastër dhe të bukur dhe pa ngarkesa dialektale dhe huazime të tjera greke dhe sllave. Ai me këtë mënyrë tregon se është kundër tendencës për decentralizimin e gjuhës shqipe, në gegërisht dhe toskërisht, decentralizim i cili krijon premisa për humbjen graduale të gjuhës, gjë që po në mënyrë graduale mund të decentralizojë dhe shpirtin kombëtar te të gjithë trevave shqiptare. E përbashkëta e gjuhës gërshetohet dhe me të përbashkëtën e shpirtit kombëtar, të përbashkëtën e shqiptarizmit, që të mos krijohen premisa të rrezikshme asimiluese.
Duhet të dimë se gjuha unike mbarëkombëtare është platforma që kushteton vetë bashkimin e kombit. Ajo është emblema e bashkimit dhe jo e përçarjes. Sulmi kundër gjuhës së njehsuar është shprehje e teorisë së autodestruksionit të shqiptarëve. Gjuha dhe flamuri janë simbole më supreme, që na bashkojnë ne shqiptarëve dhe vetëm një fantazi diabolike mund të guxojë t'i kthejë në antisimbole, në burime të marrëzishme të ndarjes, të vetëvrasjes kolektive.
Së katërti: Lidhur me çka thamë më lartë, autori në librin e tij i vë në dukje lexuesit për të kuptuar drejtë dhe qartë edhe tendencën e intelektualofobis, që ka qenë dhe është edhe sot në rend të ditës.. Në asnjë komb të Evropës, ose edhe të botës nuk ka pasur në një kohë kaq të shkurtër sharje dhe hedhje baltë mbi intelektualët e mëdhenj, siç ka ndodhur tek ne në periudhën 50 vjeçare dhe sot. Dhe Serevantesi shprehet: "Sharjet janë arsyet e mëdha për ata që s'kanë arsye"
Dihet që intelektualët nuk bëhen as me dekrete dhe as me gradime oborri. Ata janë të tillë, ata janë të veçantë, sepse u ngritën mbi mediokritetin, u shquan, u vunë në piedestal me anën e një pune dhe vullneti të pazakontë me anë të talentit të jashtëzakonshëm.
Një popull që nuk i nderon intelektualët e tij, apo i politizon sipas tendencave politike ai ka vetëvrarë të ardhmen e vet. Dhe kështu ndodhi dhe tek ne. Intelektualët e mëdhenj nuk janë mbinjerëz, ata identifikohen pikërisht si njerëz të vërtetë. Dhe Fishta, Mjeda, Naimi, Migjeni, Fan Noli, e të tjerët, synuan dhe arritën në brendësinë e shpirtit të shqiptarit dhe nuk dolën asnjëherë jashtë saj.
Së pesti: Lind pyetja: A është shpirti i kombit shqiptar Pemë e Ndaluar? Ndalohet t'i provosh frutat nga kjo pemë? Dhe kjo ndodhi në të kaluarën dhe shpirti i kombit i trajtuar nga Fishta, Naimi, Migjeni, Mjeda, Fan Noli, Konica e të tjerë u keqtrajtua në periudhën e dikurshme, që solli vdekjen civile të këtij shpirti kombëtar. Por dhe sot, në proceset demokratike vazhdon e njëjta divizë. Madje sot po shuhet shpirti kombëtar, kultura shqiptare po tjetërsohet dhe në vend të saj po huazohet kultura më negative e huaj. Letërsia, muzika, kënga, arti kombëtar shqiptar po zëvendësohen nga kultura banale e jashtëqitjes botërore. Shpirti i kombit është tepër i lashtë, më e rëndësishme për të është jo të themi ishte dhe është, por dhe do të jetë. E tashmja ndërmjetëson të kaluarën dhe të ardhmen. Po çdo e ardhme bëhet e tashme dhe e kaluar, pra, në këtë triufirat të kohës përjetohen gjithmonë atributet e së ardhshmes.
Edhe Naimi, si Fishta shpreh diçka të pavdekshme nga identiteti ynë shekullor që s'vdes, që s'vjetërsohet. Dhe nga kjo pikëpamje ne të gjithë jemi naimian. Naimi është pasqyrues i fjalës së mjaltuar shqipe. Naimi guxoi të jetë shumë më tepër: ai është po aq i së ardhmes, sa ç'është i vetëm përpjekës i së kaluarës së paharruar. Nga ana tjetër Naimi e ndjeu si askush, apelin e historisë, kur kombi rrezikohej të shpërbëhej, të zhduket, atëherë lindi sozia e tij- pra Naimi është shumë më tepër se sa një njeri – është më saktë një qenie e pluralizuar: Ai është Njeriu popull. Naim do të thotë i fuqishëm. S'është e rastësishme kjo sematikë, s'është e pa kuptim metafora e emrit. Naimi është me të vërtetë i fuqishëm, sepse, ai krijoi kryeformulën e shpirtit tonë: "Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar ! Sa shumë shekuj, sa shumë dendësi ka në këtë varg, sa shumë tragjedi. Sa shumë kuptim ka ky varg absolutisht i papërsëritshëm, në aspektin historik të shqiptarizmit. Naimi konsiderohet babai i literaturës moderne shqipe. Por si pikë referimi ai është përfaqësues i madh i paraardhësve të mëdhenj. Pra, i një race të pavdekshme krijuesish kolosë.
Naimi është një novator i madh, ideja e kombit, ideja e pavarësisë, e lirisë, është në tërë kozmosin naimian. Me eposin e Gjergj Kastriotit, ai lartësoi tregimin epokal të Barletit, mesazh qytetërimi e krenarie për Evropën. Ai është shkrimtari dhe poeti që bashkon kulturat: Homerin, Virgjilin me Hugoin, Lamartinin, Bajronin me Firdusin e Sadiun. Ai i dha tërë atributet epokës tonë. Në qoftë se Naimi është formula artistike e Rilindjes Kombëtare, Migjeni formula artistike e Rilindjes shoqërore, Kadarea formula e madhe e kohës së sotme.
Dhe më tej: Në se përbërja gjenetike e diasporës arbëreshe dhanë emra të tillë si De Rada, Serembja, Skiroi, një përbërës i vogël shqiptarësh gjenetik të Ibrik Tepes dha gjeniun Fan Noli, i cili në të vërtetë është si një rezultante apo shumës personalitetesh brenda një njeriu të vetëm.. Fan Noli është Marathonamaku i fjalës martire shqipe. Por nuk është vetëm kaq. Analiza për këtë personalitet ka ende nevojë të plotësohet, jo thjeshtë në kuptimin e biografisë së tij, por me qenë se jetoi relativishtë gjatë përjetoi ngjarje të mëdha të shekullit të XX. Në këto ngjarje ai nuk është soditës, as një vëzhgues i një kabineti intelektual akademik. Jeta e tij është faustiane në kuptimin jo vetëm të kërkimeve sfilitëse në fushën e dijeve dhe të simboleve ekzistenciale të kombit shqiptar, por edhe të mundimeve të pareshtura të jetës vetjake, të dyshimeve, kundërthënieve, shpresës dhe vullnetit të pathyeshëm për të mbijetuar..
Noli si shkrimtar e poet bëri epokë në letërsinë shqipe. Cikli poetik i tij është kaq i veçantë dhe origjinal sa mund të quhet një nga subjektet më të veçantë të poezisë ballkanike dhe evropiane. Në poetikën noliane sqarohet koha, goditet tirania dhe diktatura dhe, ashtu sikurse Viktor Hugoi bëri librin "Ndëshkimet" kundër figurës xhuxhe të Napolonit të III, Noli me sarkazmën e tmerrshme të vargjeve goditi si askush mbretin Zog, despotin obskurantist. Fan Noli është një poet tribun. Substanca poetike e tij është prej diamanti: edhe ndriçon edhe pret.
Por Fan Noli shkrimtar, poet është i pashkëputur nga Fan Noli përkthyes- përkthyesi më i madh në kulturën tonë, mbase i të gjitha kohërave. Fan Noli ka merita të padiskutueshme institucionale të historisë dhe të estetikës. Ai si askush dhe patjetër më i madhi ngriti monumentin shkencor të historisë së Gj. Kastriotit. Ai si historian i kalibrit botëror shkroi dhe libra kaq të vlerësuara për Ludovik Van Bertohvenin, shkroi analizat brilante për Makiavelin, Monteverdin, profetin Muhamet; Toskaninin, Tolstoin, Omer Khajanin, Serevantesin dhe Shekspirin.
E kush ka bërë kaq shumë deri më sot në kulturën shqiptare? Shkenca e estetikës e nisur nga Barleti dhe e konstruktuar nga Faik Konica, me Fan Nolin gjeti kryemjeshtrin e saj. Analizat e tij janë sinoptike. Ato dallohen jo vetëm për erudicionin e pazakontë, por sidomos për sensin e drejtë dhe frymën emancipuese të tyre. Duke shqipëruar kolos të tillë të njerëzimit si Shekspirin, Serevantesin, Fan Noli bëri dhe shqyrtimin kritik të kryeveprave të tyre.
Është folur për Nolin si njeri i politikës. Në këtë fushë ai është konsideruar jo aq sovran dhe i paarritshëm si në fushat e tjera. Madje, janë mbajtur ndaj tij edhe qëndrime të skajshme politike që ai nuk i ka merituar asnjëherë. Njëkohësisht Noli është kampion i vërtetë i koncepteve demokratike, nga më të përparuarat, të lidhura ngushtë me emancipimin kombëtar dhe Rilindjen përfundimtare të Kombit. Ai shkëlqeu edhe si një Ciceron shqiptar, i jashtëzakonshëm. Dituria e Fan Nolit është shprehje e potencës intelektuale të popullit shqiptar.
Dhe pikërisht Luigj Temali ka arritur në librin e tij ta trajtojë shpirtin e kombit shqiptar me përmasat e të ardhshmes, që këtë rrugë kohore do ta thellojnë brezat e ardhshëm.
Së gjashti: Shovinistët e huaj, midis të cilëve dallohet shovinizmi serb e grek, kanë botuar libra, studime akademike, e te tjera, me të cilat kanë përvijuar teorinë e shkatërrimit të kombit shqiptar, në formën e një albanofobie të çuditshme dhe të një platforme konceptuale, të denjë për kanibalët kundër shqiptarëve. Të mos harrojmë se , një mitologji e tillë e egër, pseudoshkencore dhe politike, ka rënduar mbi mendësitë dhe mbi vetdijen e popujve ballkanik e evropian, duke përhapur paragjykime dhe teza nga më absurdet. Pikërisht në këto kohë intelektualët e mëdhenj të kombit shqiptar si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Migjeni, Naim Frashëri, Fan Noli e te tjerë, kanë luftuar me një dinjitet të veçantë, për të afirmuar të drejtën natyrore historike dhe kulturore të kombit shqiptar, duke rrëzuar çdo teori të shkatërrimit, apo të veteshkatërrimit për shqiptarët.
Dhe Luigj Temali, me fetishizimin e këtyre korifenjve në librin e tij "Buzëqeshja e Yjeve", ka përdorur të vetmen armë, që ka në duart e tij, atë të fjalës, atë "të forcës së tmerrshme të arsyes", siç thoshte filozofi Sokrati, të cilën e ka realizuar me sukses.
Së shtati: Dhe në vazhdim mund të themi, se në veprat e këtyre personaliteteve, zoti Luigj Temali, pasqyron dhe shikon testamentin e tyre për atdheun dhe kombin, për shqiptarizmin e tyre dhe këtë testament ata ia dhurojnë brezave në vazhdim, që ta ruajnë dhe ta zhvillojnë atdheun, ta rimëkëmbin dhe ta vendosin në vendin e vet në gjirin e Evropës. Por në këtë testament ata i tregojnë Evropës se nuk duhet të quhet më "Evropa kurvë". Ky testament i shqiptarisë thellohet në analizat dhe komentet e Luigj Temalit. Ai e përjeton më tej këtë testament dhe e çon më përpara. Dhe për Luigjin ky testament është gjaku dhe mendimi, jeta dhe pavdekësia e shqiptarizmit.
Si përfundim i këtyre arsyetimeve, Luigj Temali, me këtë vepër të tij merr pjesë në një betejë të llahtarshme dhe të çuditshme që bëhen në fushën intelektuale. Pa qenë i kompletuar me dituri dhe pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore nuk mund të bësh sfidë dhe të marrësh pjesë në këtë duel të përbindshëm. Është fjala për të përballuar, shpesh herë dhe i vetëm, një mitologji të egër të propagandave të ndryshme, që është krijuar për shqiptarët, mitologji, që vetëkuptohet ka kuçedra të gjalla politike, që e kanë persekutuar popullin shqiptar, e kanë konstruktuar për një ferr asgjësues dhe një strategji të destruktimit dhe të zhdukjes së njeriut shqiptar në përgjithësi.
Dhe unë i entuziazmuar nga ky libër, e uroj zotin Luigj Temali për këtë punë dinjitoze në shërbim të kombit dhe atdheut. Dhe ky libër, si dhe ky promovim i tij është dhurata më e bukur që Luigji na prezanton në jubileun e tij të 70 vjetorit. Të lumtë zoti Luigj! Ti, je dhe mbetesh një shqiptar i denjë, një atdhetar, që me punën tënde të vyer po vazhdon të kryesh detyrën tënde, si vazhdimësi të punës së lavdishme të atyre korifenjve.

Nje vajze e guximshme

Ajo quhet Nikki dhe banon ne rrugicën time. Prej vitesh jam i mrekulluar nga kjo vajze. Historia e saj me ka prekur thelle dhe kur kam ndonjë problem, i referohem gjithmonë shembullit te saj.
Gjithçka filloi me nje diagnoze, kur Nikki ishte ne klasën e shtate. Pikërisht ajo, nga e cila familja e saj kishte frike, ndodhi: Nikki ishte sëmurë nga leucemia.
U vu plotësisht nen pushtetin dhe kontrollin e mjekeve. Kontrollet mjekësore nuk kishin te sosur. Prova gjaku, mjekime, përsëri dhe përsëri. Pastaj kimioterapia, si pasoje e secilës, Nikki humbi flokët.
Para jetës, ndoshta kjo nuk ishte ndonjë gjë e madhe. Por, për nje adoleshente si Nikki, ishte e tmerrshme dhe do ti kushtonte shume.
Flokët nuk po i dilnin me dhe familja u vu ne pozita vuajtje.
Gjate pushimeve verore, para se Nikki te shkonte ne klasën e tete, vuri paruke. Megjithëse e mundonin shume, aq sa Nikki mendonte se nuk do te mund te mësohej kurrë me ato, vendosi ti mbante.
Para se te sëmurej, Nikki ishte shume e adhuruar nga shokët dhe shoqet e shkollës, luante nje rol drejtues te rëndësishëm dhe ishte gjithmonë ne qendër te vëmendjes se tyre.
Tani, gjithçka kishte ndryshuar. Ajo shfaqej shume rralle, duke menduar se, gjithkush e din se sa te pamend dhe brutal janë fëmijët, ashtu si dhe te rriturit, ne rastet e fatkeqësive te të tjerëve. Nganjëherë njerëzit bëjnë "shaka" me disa gjera, pa menduar se mund ti fyejnë shume rende te tjerët.
Gjate dy javëve te para te shkollës, me qindra here, Nikkit ja shkulen parukën nga koka. Ajo, si nje qenje plotësisht e pa pushtetshme ndaj këtij brutaliteti te bashkëshkollasve te vet, qëndronte e trishtuar ne këmbë, por përkulej, e merrte atë dhe e vendoste përsëri ne koke, duke u dridhur nga frika dhe zemërimi. Fshinte lotët e dëshpërimit, largohej nga vendi i "torturës" duke pyetur veten e saj: Si është e mundur qe asnjeri nuk me del zot!?
Kjo histori e dhimbshme vazhdoi për dy jave. Pastaj, Nikki ju tha prindërve te vet se nuk mund ta duronte me atë torture. Te dy prindërit i thane se ajo mund te qëndronte ne shtëpi, nëse ajo vete ishte dakord. Nëse vajza e tyre do te vdiste nga nje sëmundje vdekjeprurëse, çfarë rëndësie do te kishte nëse do te mbaronte nje klase me shume.
Për ata, kryesorja ishte qe ajo ta ndjente veten mire dhe te jetonte ne paqe, për aq kohe sa do te mund te jetonte.
Nikki, me tha njëherë se humbja e flokëve, për atë ishte nje gjë fare e parëndësishme dhe se do te mund ta përballonte shume thjeshte. Por, a mund ta marrësh me mend se sa tragjike është te humbasësh shokët? A mund ta imagjinosh nje sjellje me fyese se sa, kur ti kalon ne korridor dhe i shikon ata te ngjeshën pas murit, nga te dyja anët?! Ose kur shkon ne piceri për te ngrenë nje pice dhe te gjithë ngrihen e zhduken megjithëse pjatat e tyre janë gjysme plot?! Ata mund te thonë se u ngopem por, unë e dije shume mire se ata ngrihen vetëm se nuk duan te me shohin mua. A mund ta imagjinoni se çdo te thotë kur askush ne klase nuk te donë afër dhe te gjithë mundohen te largohen sa me larg meje, duke me kthyer shpinën dhe shtrembëruar fytyrën?! Ata edhe librat mundohen ti vendosin diku tjetër sa me larg vajzës me paruke, vajzës me sëmundjen vdekjeprurëse. Ata e dine shume mire dhe janë te sigurte se sëmundja e ime nuk është ngjitëse dhe se unë nuk sëmuri asnjeri.
Pyes vazhdimisht veten: - Si është e mundur qe ata nuk me kuptojnë se unë, pikërisht tani kam me shume nevoje se kurrë për shokët dhe shoqet?
"O Perëndi!", vazhdonte ajo. "A e din ti se te vdesësh nuk është asgjë!? Nuk është asgjë, ne krahasim me humbjen e shokëve dhe shoqeve. Kjo është e pazëvendësueshme, me e rende se çdo vdekje".
Por Nikki nuk kishte ndërmend te mposhtej, as nga sëmundja dhe as nga "vdekja e madhe".
Ditën e hënë, pas dy javësh lufte me sëmundjen dhe shpirtin, u vesh bukur dhe ju tha prindërve te saj: - Sot kam vendosur qe te shkoj ne shkolle. Kam nje ide dhe dua qe me çdo kusht ta realizoj atë.
Te dy nuk po kuptonin asgjë se çfarë kishte menduar ajo dhe u tremben nga me e keqja. Megjithatë, e hipën vajzën ne veture dhe u nisen për ne shkolle.
Me pare, kur prindërit e çonin atë ne shkolle, ajo sapo zbriste nga makina, i puthte dhe i përqafonte te dy, megjithëse nxënësit kur e shikonin shtrembëronin turinjtë.
Edhe sot kështu beri. Kur sapo zbriti nga makina, u kthye nga ata te dy dhe ju tha: - Mami dhe babi, a mund ta gjeni se çfarë kam ndërmend te bej sot?
Nga sytë e saj rrodhen lotët por, ishin lotët e gëzimit dhe te guximit.
- "Shpirt, çfarë ke ndërmend te besh sot?"- e pyeten te dy, thuajse njëherësh.
- "Sot do ta vërtetoj se kush janë shokët e mijë te vërtetë, shokët qe akoma me duan mua, kështu siç jam".
Hoqi parukën nga koka dhe e lëshoi ne ndejën e saje ne makine.
- "Ose ata do te me pranojnë mua kështu siç jam ose nuk do te me pranojnë kurrë me. Nuk kam me shume kohe. Sot me duhet patjetër ta vërtetoj se kush janë ata."
U nis drejte derës se shkollës, u kthye përsëri dhe ju drejtua prindërve: - Lutuni për mua!"
Kur ajo u fut ne mes te gjashtëqind bashkeshkollaseve, dëgjoi zërin e te atit qe tha: - Çfarë vajze kemi ne"!
Këtë dite ndodhi nje mrekulli. Ajo kaloi te gjithë oborrin e shkollës, me kokën lart dhe me hap te sigurt dhe askush nuk guxoi qe ti thoshte nje fjale fyese. Asnjë pipëtimë! Nikki fitoi mbi "vdekjen".
Qindra dhe mijëra njerëz mësuan nga guximi i saj se i vetmi art për te mbijetuar është te jesh vetvetja, duke e pranuar ne radhe te pare ti veten tende, ashtu siç te ka krijuar Zoti, pa frike, pa turp dhe pa ndrojtjeje.
Nikki e mbaroi shkollën dhe, ashtu siç nuk e kishte menduar askush, disa vjet me vone u martua dhe sot është nje nene krenare e vajzës se saj.
Për çdo rast, kur unë ndodhem para te papriturave, te pamundshme për ti përballuar, unë kujtoj Nikkin dhe me vijnë forcat.
Nga Bill Sanders, përktheu nga gjermanishtja Leke Imeraj

E JONA, HISTORI E PËRBASHKËT

Këto ditë mjeku në pension Gjergj Papleka ka nxjerrë nga botimi librin e tij "FAMILJA IME, HISTORI BREZASH". Është ky libër, dhurata shumë e veçantë, që më bëri Ai në këtë pranverë. Doktor Gjergji me shumë modesti ka kërkuar, që libri i tij të jetë vetëm për përdorim familjar.
Sapo libri më ra në dorë më imponoi për ta lexuar me pasion dhe pa ndërprerje, duke bërë shënime e nënvizuar probleme shumë interesante, pothuajse në çdo faqe. Dhe pasi kalova gjysmën e tij, kam bërë shënimin:"Vendimi juaj është i padrejtë. Ky libër nuk mund të burgoset".
Bazuar tek qeliza shoqërore, nisur nga familja e trungu i tij familjar, duke trajtuar historikisht me vërtetësi në gjithë dimensionet e marrëdhëniet e saj me shoqërinë, mjedisin jetësor, gëzimet, mundimet, përpjekjet, mbijetesa, dramaciteti, përplasja me pushtetet e lufta me pushtuesit e të tjerë, ka bërë një trajtim që mund të bëjë vetëm një intelektual me shumë kulturë e përvojë aq të madhe jetësore e shkencore, duke na krijuar ne të gjithëve mundësinë të gjejmë pothuajse në çdo faqe veten tonë, historinë tonë të përbashkët.
Duke lexuar atë, të merr me vete, të imponohet ta ndjekësh me "vrap" autorin, e nëpërmjet mendimeve të tij të hedhura në letër, lëvizim në shekuj, i përjetojmë ato kohë, "shkelim" vendlindjen, kudo trojet mbarë shqiptare, pjesëmarrjen në luftëra, në gëzime e hidhërime, luajmë e qeshim fort, por edhe na mbushen jo rrallë, sytë me lot. Duke lexuar, të lulëzon në shpirte respekti e simpatia, por me keqardhje duhet thënë se faktet e dhëna me aq vërtetësi, të bëjnë që në zemër e shpirte të ndiesh dhimbje të thellë, mëshirë, keqardhje, por edhe urrejtje deri në mallkim.
Libri, në tërësi, është një mësim i madh e shembull pozitiv, ku tregohet histori, traditë, zhvillim, mësim, punë e përpjekje titanike, individuale e shoqërore, kulturë e gjithanshme, sakrifica deri në vetëmohim, për të arritur deri të pamundurën në dukje, ku mesazhi jepet i plotë dhe shumë i qartë:-"Mos u dorëzoni, mos u thyeni, ecni me besim dhe shumë shpresë përpara, për të arritur më të mirën, e cila nuk ka kufi, duke furnizuar maksimalisht trurin, e plotësuar jetën tuaj me kulturë e dije sa më përparimtare e shkencore"-.
Kujdesi dhe përkushtimi ndaj familjes për një mbarësi të gjithanshme, për të pasur atë në harmoni të plotë, për ta mbushur jetën me sa më shumë dije e kulturë, me tolerancë, por edhe qëndrueshmëri maksimale, për t'i dhënë imunitet të plotë përballë çdo "virusi" të dëmshëm të çdo kohe është një fill i çeliktë, i cili përshkon librin nga fillimi e në fund.
Duke qenë hartuesi dhe personazhi kryesor i saj, Ai në mënyrë shumë reale, bindëse e dinjitoze të çon në përfundimin se idealistët në jetë janë ata, që japin gjithçka dhe sa pak mund të marrin nga jeta e shoqëria, por sado vonë pasuria më e madhe e botës do të vijë, ajo quhet "MIRËNJOHJE NJERËZORE", e cila është kënaqësia shpirtërore e përjetshme.
Po kush është familja Papleka dhe nga vjen?!....
Doktor Gjergji lindi në Gjakovë të Kosovës më 24 prill 1944. Ai erdhi në jetë nga dy prindër, të cilët u bashkuan nga troje të ndryshme shqiptare. I ati Pashk Sadik Papleka, djali i fshatit Lekbibaj, të krahinës Nikaj-Mërtur, dhe e ëma Hane Preka, e lindur në Koje e Kuqit të Malit të Zi, e që tre vjeçe, e vendosur familjarisht në Gjakovë. Vetë Pashku, babai i Gjergjit, ishte nip tek Vukajt në Serreq të Shkodrës.
Vetë fakti, që familja e tyre ishte me aktivitet të shquar patriotik, kishte bërë që ajo të lëvizte, e të banonte me dëshirë e detyrim në hapësirën Nikaj-Mërtur, Shkodër e Gjakovë. Gjyshi, Sadik Gjon Papleka, shok, bashkëkuvendar e bashkëluftëtar i elitës patriotike të kohës si Bajram Curri me shokë, ishte plagosur tre herë në luftë me serbo-malazezët. Ai ishte një burrë shumë i njohur e me zë, për urti e trimëri, i kërkuar sidomos në Kosovë, Gjakovë e malësitë e saj.
Djalin e tij të vetëm Pashkun, e dërgoi në shkollën e Krumës së Hasit. Aty Pashku, inteligjent nga natyra dhe i etur për dije, jo vetëm arriti rezultate shumë të mira në mësime, por edhe u lidh me një elitë luftarake e patriotike të së ardhmes, për rajonin, si Idriz Mulosmani, Jaho Salihi, Ymer Pula, Fadil Hoxha e të tjerë.
Pas kësaj, vazhdon gjimnazin e Shkodrës, ku edhe aty arrin rezultate të shkëlqyera në mësime. Djali i shkathët e i zgjuar, me prejardhje patriotike të veçantë, krijoi shoqëri të ngushtë me elitën anti-fashiste të kohës si "Heronjtë e Popullit" Hajdar Dushi, Vojo Kushi, Sadik Bekteshi e të tjerë. Gjatë periudhës së pushtimit fashisto-nazist ai zhvilloi një veprimtari të madhe si në ilegalitet e në radhët e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, në fillim me detyrën e komisarit repartet e Brigadës së 25-të Sulmuese e më vonë me BR7-të kosovare si komandant reparti, duke vazhduar luftën deri në çlirimin e Bosnjës.
Pashko Papleka është shquar si aktivist anti-fashist, si organizator i rezistencës së luftës. Është pjesëmarrës dhe diskutuesi më i ri i Konferencës së Bujanit në vitin 1943, e cila kërkonte të përcaktonte fatin e luftës e të Kosovës pas çlirimit.
Meqenëse familja e tij kishte aktivitet të veçantë anti-serb, në vitin 1946 detyrohet të lërë Gjakovën dhe të kthehet në trojet e të parëve në fshatin e origjinës, në Lekbibaj. Aktivizohet me detyra të ndryshme e të rëndësishme të pushtetit deri sekretar e kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit të Dukagjinit. Pikërisht në këtë kohë, kur diskutohej, me kërkesën dhe këmbënguljen e tij, ngritja e spitalit të Dukagjinit, filloi ndeshja fatale për të. Nisur nga interesat popullore të rrethit, ai ngulte këmbë, që ky objekt të ngrihej në qendër të rrethit, por servilet e intrigantët donin ta ndërtonin në Theth, në cepin e territorit administrativ, gjë për të cilën bindën edhe funksionaren e lartë të partisë Liri Belishovën, me të cilën Pashku ndeshet ashpër, ku me veton e tij u ngrit në qendrën e rrethit, Breg-Lumi, qe është edhe sot. Për këtë ai u thirr në raport tek kryeministri i kohës Enver Hoxha, qe me të drejtë para tij fitoi mendimi dhe argumentet e kryetarit Pashk. Por intrigantët duhet ta mundnin patjetër. Kështu duke qenë në detyrë, kryetari i komitetit ekzekutiv të rrethit në vitin 1950 ai arrestohet me akuzën "Armik i Popullit". Organizohet diskreditimi në popull dhe i konfiskohen edhe ajo minimum pajisjesh shtëpiake, që kishte. Paradoksale, por e vërtetë, që krevatin e çiftit dhe atë  të fëmijës i merr intriganti kryesor, të cilat i përdor në shtëpinë e tij, deri në vitet e fundit, ndërsa ora e murit, e sjellë nga Gjakova, qëndron e varur në korridorin e degës së brendshme në Shkodër, për shumë vite. Gjyqi i Pashkut u zhvillua me seanca të shumta, të cilat dështonin,  sepse dështonin dëshmitarët e rremë. Ish-sekretari i gjykatës së asaj kohe, shumë vite më vonë deklaron: "Gjyqi i Pashkos është mbajtur mend shumë gjatë në Shkodër. Jo vetëm si i pabazuar në akuzë, por se vetë ai, Pashkoja, me forcën morale, kulturën e argumentet që solli, la pushim avokatin më të mirë të Shkodrës dhe hodhi poshtë gjithë akuzat e dëshmitë".
Por duhej dënuar patjetër. Dhe iu dha një dënim ordiner me 10 vite burg për gjoja abuzim me detyrën në ndërtimin e spitalit e moszhvillim të luftës së klasave. Nga këto, bën vetëm 6-të vite. Për këtë gjyq, fakte dhe ndodhi të tjera edhe të sotshme, besoj se na jepet e drejta të arrijmë në konkluzionin se njerëzit e malësive tona kanë një traditë të mrekullueshme, që banoret e rinj jo-vendas, i respektojmë deri në admirim kulmor, ndërsa krejt e kundërta me njerëzit tanë, të cilët sado të arrirë qofshin, fillojmë t'u kërkojmë që ditën e parë njollat e zeza e mundësisht u vëmë stërkëmbësin.
Deri kur kështu mor njerëz të mirë?!...
Meqenëse dihej që u dënua padrejtësisht, me ndërhyrjet e shokëve të luftës, iu bë një rehabilitim i pjesshëm. Ai kreu detyra si sekretar lokaliteti në Lekbibaj, Nëndrejtor i tregtisë së rrethit Tropojë dhe anëtar i kryesisë së Frontit Demokratik të këtij rrethi.
Me gjithë kërkesat e tij të vazhdueshme, asnjëherë nuk iu bë rehabilitimi i plotë, ku shumë domethënëse është përgjigja e sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Hysni Kapo, e botuar në këtë libër se "Partia nuk kërkon falje.". Sa i rëndë e i dëmshëm ka qenë ky mentalitet partiak dhe shtetërorë.
Megjithëse ai pësoi zhgënjimin më të madh në jetë, në Dukagjin, duke pasur një respekt të madh për popullin e kësaj krahine, ai nguli këmbë, që djali i tij i vetëm, Gjergji, të bëhej dhëndër në këtë zonë, gjë e cila u bë realitet.
Burri i mençur, i urtë, me shumë kulturë, zotërues shumë i mirë i dy gjuhëve të huaja, shok i pandarë i librit, dashamirës dhe shumë i admiruar i njerëzve, u nda nga jeta, duke u përcjellë me nderime të mëdha, në vitin 1971. Ai la pas mirënjohje e respekt të madh dhe një familje me kulturë e harmoni, me forcë e besim për të ecur përpara e lartësuar emrin e tij.
Po, autori i librit, Gjergji, ...
Ai mbaron Politeknikumin Mjekësor në Tiranë në vitet 1958-62 me rezultate shumë të mira e kualifikohet si ndihmës-mjek. Nga viti 1962-1968 punon si ndihmës-mjek në krahinën e Nikaj-Mërturit, duke kryer edhe detyrën e mjekut, farmacistit, e mbuluar me shumë profesionalizëm gjithë shërbimin shëndetësor të zonës. Pas shumë kërkesash e vështirësish, në vitet 1968-1973 përfundon Fakultetin e Mjekësisë me rezultate të shkëlqyera, qe kërkohet ta mbajë me këmbëngulje pedagog, por drejtuesit e rrethit Tropojë nuk e lejojnë me pretekstin e mungesës të kuadrit mjekësor. Përsëri vazhdoi t'i shërbejë popullit të zonës së Nikaj-Mërturit me përkushtim dhe devotshmëri. Pas shumë vitesh mbaron specializimin si dermatolog dhe në vitin 1995 zgjidhet nën-kryetar i Shoqatës të Dermatologëve të Shqipërisë. Më 1996 merr pjesë në kongresin ndërkombëtar të dermatologjisë si anëtar i delegacionit shqiptar në Selanik të Greqisë, ne te cilën referoj dhe referimi i tij shkencor u mirëprit, ju bëri përshtypje të veçantë. Për këtë ai, u ftua për një specializim 3 mujor në Poloni, me perspektivë për një specializim tjetër 3-vjeçar në SHBA. Por këtë perspektivë fatlume, të doktor Gjergjit, e bllokoi e "zeza e 97-të shqiptare".
Karriera e doktor Gjergj Paplekës është realizuar rreth 30 vjet në krahinën e Nikaj-Mërturit, drejtor në spitalin rajonal në Fierzë, Tropojë, e vitet e fundit si specialist dermatolog në spitalin Rajonal të Shkodrës, e njëkohësisht pedagog në Fakultetin e Infermierisë po në Shkodër.
Si rezultat i një sëmundje, që nuk i dihet origjina, siç shprehet vetë doktor Gjergji, në fund të vitit 2004-r, shkëputet nga puna dhe në vitin 2005-të, del në KEMP. Që nga ajo kohë ai jeton familjarisht në Tiranë.
Populli i krahinës së Nikaj-Mërturit, i është përjetësisht mirënjohës, mjekut dhe birit të tij të devotshëm, që bërë aq shumë për shëndetin e përmirësimin e jetës së tij, doktorit Gjergj Papleka, për disa dekada në shërbim të tij. Aktiviteti i tij i madh shoqëror  në të gjitha fushat e jetës, në interes të këtij populli, ku investoi gjithçka me shumë dashuri, përkushtim maksimal, e shumë kulturë dhe rendiment të dukshëm e bën atë një personalitet me vend të veçantë në historinë e zhvillimit të kësaj krahine.
Sakrificat dhe vetëmohimi i tij në punë, janë deri akte heroike. Për shumë më pak rezultate, të tjerë, janë specializuar jashtë shtetit dhe kanë shëtitur botën që në atë kohë, për shumë më pak kontribute e sakrifica, të tjerë janë shpallur heronj e bërë personazhe librash e filmash. Por ato që bëri ai, i di shumë mirë populli i krahinës, në ndërgjegjen e të cilit, ai përjetësisht qëndron shumë lart.
Mjeku Gjergj Papleka me shumë kulturë profesionale e sukses të plotë përballoi në këtë zonë të thellë, të gjitha specialitetet e mjekësisë në rastet më emergjente si të gjinokologut, dermatologut, okulistit, stamatologut, pathollogut, kardiologut, e në shumë raste kur gjendja e koha nuk premtonin jetën e pacientit, edhe atë të kirurgut.
Duke përshkruar jetën dhe veprimtarinë e doktorit Gjergj Papleka, të kalon para syve dhe mendjes si në një film dokumentar, ndryshimi dhe përparimi i gjithanshëm i kësaj krahine, me një shpejtësi të pakrahasueshme, me ndonjë krahinë e komunitet tjetër në 3-4 dekada, duke lënë prapa shekujt, duke kaluar në epokën e dritës, kulturës e përparimit të gjithanshëm, deri tek moderniteti.
Gjergj Papleka në librin e tij është realist në pasqyrimin e së vërtetës, pa mohuar, duke vlerësuar gjithçka, edhe me sy kritik, por edhe krenarë për ato që në fakt janë realizuar në përmirësimin e ndryshimin e jetës sonë. Sa domethënës është fakti dhe sa paradoksal tingëllon me kohën e sotme, kur doktor Gjergji duke treguar raste shumë urgjente për jetën e pacientëve, krejt si pa e kuptuar, por shumë normalisht, deklaron rast pas rasti, që farmacinë e çantën e mjekut e kisha plotë me të gjitha llojet e medikamenteve. Po spitalet tona sot?!...
Ky libër meriton shumë të lexohet nga të gjithë, qytetarë të zakonshëm, intelektualë e profesionist të mjekësisë.
Duke përfunduar këto radhë shkrimi mirënjohës, i urojmë doktor Gjergjit përmirësime sa më të mëdha të shëndetit të tij dhe jetë sa më të gjatë.
Nga N/kolonel Dedë ZHIVANI, ne rezerve 

Nje proteste e veçante!

Sot, me datë 29 prill 2011, Sekretari i Komisionit për Drejtësi dhe Paqe, Luigj Mila, me njofton: Ne orën 13. 30, ne Shëtitoren e qytetit behet nje proteste e veçante kundër gjakmarrjes. Mora me vete anëtarin e shoqatës "Atdhetare-Dukagjini", mikun tim Gjergj Çuni dhe ne orën e caktuar shkuam ne Shëtitore. Posa dolëm ne fund te rrugicës se Bar-Restorant "Palma", nje vajze na jep dy fletushka me përmbajtje kundër gjakmarrjes! E pyesim: ku behet protesta? Ajo nuk flete, por me dore na tregon vendin e protestës. Kthehemi ne drejtimin e treguar dhe pak hapa para nesh, ishin ulur ndenjur drejt për se drejti ne kalldrëm rreth 20 vajza e djem ne forme rrethi, ne mes dy stolave te zakonshëm, dhe rrinin te heshtur me koke ulur. Ne te dy anët e kalimit ishin vendosur dy tabela, ne te cilat shkruhej: ne njërën ane: "Dhemb për dhemb Gjakmarrja, na ka hequr fjalën nga goja", dhe ne anën tjetër: "Nderi i Njeriut vlen sa jeta e nje Njeriu?!". Ne te njëjtën kohe, dy vajza te vendosura ne te dy anët e kalimit, përballë njëra tjetrës mbanin ne duar disa fletushka ne te cilat shkruhej: organizatoret e kësaj proteste ne heshtje dhe qëllimin e saj, te cilat jua jepnin kalimtareve.
Ne njërin nga stolat u ula se bashku me Gjergjin dhe po rrinim ne heshtje, ne pritje se çfarë do te behej. Dhe ne u bëmë pjese e protestës, por duke ndenjur pak ne kushte me komode ne raport me djemtë e vajzat. Pas nje ore ne heshtje, protestuesit u ngritën dhe po bëheshin gati te niseshin për ne vendin e tyre. Afrohemi me Gjergjin dhe pyesim për drejtuesin, i cili ishte nje Italian, dinte pak shqip, por komunikuam me përkthyes. U prezantuam dhe kërkuam te bëhemi pjese e projektit te tyre.
Për ti dhenë lexuesit njohuri për këtë projekt, po botojmë te skanuar ketë projekt, i cili quhet "Projekt kanun"

***
Refleksion:
1- Ashtu si dhe here te tjera, jo ne pak raste, po interpretojnë jo drejte te drejtën zakonore qe është e përmbledhur ne nje libër dhe qe quhet "Kanuni i Leke Dukagjinit", dhe ne emër te tij po ndodhin krime, po vriten njerëz, po merren jete njerëzish. Sa domethënës është slogani i publikuar ne këtë proteste: "Nderi i Njeriut vlen sa jeta e nje Njeriu?!". Mos valle e kemi te drejte konceptin ndaj nocionit "nder"?! Mendoj se jo. Ndoshta është e nevojshme te shkruhet ne veçanti për këtë nocion.
2- Mendoj, se përpjekjet për te justifikuar te drejtën zakonore, se ajo nuk është përgjegjëse për gjakmarrjen, nuk është e drejte. Gjakmarrja është pasoje e atij mentaliteti qe është ne te drejtën zakonore, ne atë te vetëgjyqësisë.
3- Ku jemi? Ne këtë proteste nuk pati mbështetës, nuk pati media te shkruar dhe as vizive! Pse? Fotot tregojnë indiferentizmin dhe habinë te qytetareve te qytetit Shkodër ndaj kësaj proteste, e cila ishte e veçante për nga lloji, nga qytetaret e qytetit te kulturës ... Ata kane te drejte, se këta qytetar dhe pse banojnë ne qytet dhe pse ndonjëri kur pyetet thotë: Jam qytetar i vjetër, nuk janë te qytetëruar!!! Si mund te jene te qytetëruar kur nuk kane ndjenjën e duhur ndaj këtij fenomeni arkaik, oriental dhe qe te shëmton, te bën te pavlere.
4- Ne këtë periudhe po mblidhen qindra e mijëra njerëz ne vende te mbyllura dhe te hapura ne mbështetje te njërit apo te tjetrit simpatizant për ne pushtetin lokal pa treguar asnjë nivel qytetarie, por duke kaluar ne ulërima histerike, nëpërmjet te cilave e shëmtojnë qytetarinë. Ndërsa për këtë fenomen te shëmtuar, qe shpesh po merre jete njerëzish te pafajshëm, nuk ndalen! Ky qëndrim është i pa pranueshme për nje qytetari.

Operacionin "Colomba" (Operacioni e paqes)-Komuniteti Papa Gjoni XXII, ne emër te shoqatës "Atdhetare-Dukagjini" dhe te redaksisë se gazetës "Dukagjini", i falënderojmë dhe ju premtojmë se do te kenë mbështetjen e duhur ne dënimin dhe ne parandalimin e këtij fenomeni arkaik dhe te papranueshme për shoqërinë tone.

Nga Ndue Sanaj, Kryetari i shoqatës "Atdhetare-Dukagjini"

Mundesoi botimin e ketij numri, z. Gjergj Leqejza

numrat

part03