part01
part02
kryesore historiku aktivitete gazeta botime tetjera

69

RRETHERROTULL RRETH VETVETES

Kryeshyt u zhyta ne detin e vetëdijes me lype guaskën e Soreskut me dëshirën e madhe për ta thye e me gjete vetveten ne ketë vend ku trumpirja ka shkaktuar katastrofën ekologjike te molisjes njerëzore. Atëherë kur kambet tona e barten korpin, menduam se toka asht gjithkund e njëllojtë dhe do ta shkelnim atë sipas dëshirave dhe interesave ne zhvillim. U takuam rrugës me thanien e apostullit te pantonimës Çarli Çaplin: “Unë jam qytetar i botes”, dhe entuziazmi na u shtua pasi menduam se te tille jena edhe na. Por si rrase e lame ku nuk te ngjit kamba rrëshqitëm ne humnerat e zhgënjimeve te mëdha.
Bij e bija te natyrës e gjymtyre te saj nuk ditëm te knellim atë me duar njerëzore. Produkt i frymës se shenjte, por nuk përsosem virtytin dhe administruem keq mbretnin e shpirtit tanë. Te fiksuar ne nji vetëpërshtatje dhe tkurrje te kërkesës për rritje dimensioni nuk arritëm te prodhojmë realitete te reja qe nga viti 1991. Nji shoqni qe nuk prodhon realitete te reja nuk ecën. Mungesa e zotësisë për me ba pune qe mos te na i shajnë brezat qe do te vijnë, çjerrja e zanit për t’i thirre te ardhmes dhe vetepranimi i formacioneve te vjetra(stertiotipe te gatshme) e ka barabite hapin tanë me hapin e breshkës. Fundësisht rruga e prangave ka lëvizë ne mënyrë perfeksioniste deri ne padukshmëni reale, por me shtrëngice ne rrugën e ideales.(Pune e zorshme kjo për me u kuptue nga formacione fodulle).
Dilema e lidhun nyje ne molle te Adamit kërkon me gjete se ku asht ferri: “Ferri janë te tjerët” apo “Ferri asht brenda nesh”!? Ajo bote e imagjinueme me u shkele nga kambët tona e për me u pa nga sytë tanë tashme asht thermue nga kohëzgjatja e pritjes e kthye ne palitje stresante. Gjynahun e vdekjes se kohës e ndjejnë pak njerëz, pasi shumica e tyne jo vetëm i bajne sehire por u thurin edhe lëvdata atyne qi e vrasin çdo dite, çdo ore e çdo minute. Përçudnimi i themelit te faltores po kthen kusuret mbi shpinat tona te buta, te dajakosuna barbarisht ne rrugën e shekujve te historisë tanë. Te mbledhun shuk sa afër aq edhe larg Europes, dremitim te mbyllur ne thark, te kalamendun me dehjen e ideve te pista shkojmë nji hap përpara e shkasim dy hapa prapa.
Te vërtetat i maskojmë duke i mbështjelle me petka te errta e te verbëta, ndërsa gënjeshtrat i zbukurojmë duke i llustrue me tejdukshmeni rubini fallco. Ky deformim i origjinales shqiptare kënaq shijen humoristike te Europes me spektaklin megashou allashqiptarçe ne skenën e saj.
Gjithnji siameze me te perjashtuemit nga tryeza e bashkëkohësisë tashma na asht kthye ne norme te pranueshme brenda vetëdijes tanë te cunguem thuajse rrafsh me vdekjen.
Kësaj bote te vogël qe gatuajmë çdo dite pinjollët e kupolës do ti korrespondonte ma se miri nji shoqni xhuxhmaxhuxhësh me sy si te lakuriqit e te orientoheshin përmes valëve, mundësisht vetëm me nji vesh sa për te degjue te vërtetat e pakta ose gënjeshtrat e shumta, nji dore me dy-tre gishta sa për te diftue vrasësit e kohës, dy kambe te shkurtra vetëm nga nji pëllëmbe e gjysme e mundësisht ide e vetëdije te cungueme sa për te mbajt mend emrin e vet: Xhuxh!!!
Ne nji vend ku shitet lëkura pa u vrare luani, idetë e mëdha kthehen ne fosile dhe burrat e mëdhenj kërrusen. Epokat e mëdha e kane pas fillimin nga zgjimi i vetëdijes dhe emancipimi i koncepteve qe janë prone e intelektualeve dhe jo siç ndodh këtu me kositjen e tyne me mënyrën ma barbare nga te “sëmuret” e ardhmënisë se këtij vendi.
Këtu duhet nji zgjim! Po cila asht fjala qe e ban atë? Kush do te jete njeriu apo grupi i njerëzve qe do ta shkundin atë pluhen qe i ban prite diellit europian e nuk ngroh mbretnite tona te shpirtrave te shumevuejtun? Nji bime e re duhet me mbi brenda secilit prej nesh. Formën e kena si gjithë te tjerët! Atëherë na mbetet përmbajtja. Pa i kuptue realisht përmasat tona njerëzore nuk mund te bindemi për te drejtat qe na takojnë. Ky asht i vetmi mekanizëm qe na lëvizë nga vendi.
Sot, fatkeqësisht jemi kthye ne nji cung! Po nuk leshuem filiza do na kalbet edhe rraja ne dheun e te pareve tanë besnike, thelle ne dheun e identitetit tone fisnor e kombëtar. Thirrja e vetvetes duhet tani sepse nesër asht shumë vone!!!
Lazër Kodra

Letërsia e gjuhës së ndaluar

Shkrimi i ndaluar në pesëqind vjet pushtim osman dhe krijimi i një race shkrimtarësh nën komunizëm që mbajti në këmbë metodën e realizmit socialist. Ja dy ndodhitë fatale kur autoritetet kanë vepruar kundër letërsisë.
Kjo është një lectio magistralis, “Letërsia e gjuhës së ndaluar”, që shkrimtari Ismail Kadare lexoi pak kohë më parë në Universitetin e Palermos, me rastin e dhënies së titullit Doctor Honoris Causa
Për një shkrimtar që vjen të marrë titullin “Doctor honoris causa”, gjëja e parë që i vjen ndër mend është se, në qoftë se është i detyrueshëm një fjalim, ai duhet të përshkohet nga filli i një argumenti shkencor. Nuk besoj se them ndonjë gjë të re, po të theksoj këtu se një gjë e tillë është jo fort e lakmueshme për mjeshtërinë tonë.
Kam vënë re se sivëllezërit e mi nga ish-perandoria e përmbysur komuniste, në raste të tilla kanë folur për shtypjen ndaj letërsisë. Thënë ndryshe, një temë që duhej t’i përkiste publicistikës, madje do të shtoja, kujtimeve emocionale, ka marrë statusin e argumentit shkencor.
Në thelb nuk ka ndonjë gabim kushedi çfarë. Shtypja e letërsisë dhe arteve në botën komuniste u ngrit në rangun e një shkence. Rrjedhimisht, trajtimi i kësaj shtypjeje mund të bëhej në të njëjtin stil.
Të gjitha rendet autoritare në botë kanë patur probleme me letërsinë. Në të gjitha rastet është letërsia që, në fund të fundit, ka ngadhënjyer. Ndërkaq, duhet thënë se nga të gjitha rendet, i vetmi që iu afrua fitores kundër letërsisë ka qenë komunizmi. Është folur shumë për këtë, ndaj nuk do të zgjatem.
Do të kujtoj vetëm pyetjen që është bërë shumë herë: a ka shpikur komunizmi ndonjë armë të re, një armë që do të ishte fatale kundër letërsisë?
Përgjigja është po. Është përdorur vërtet një shpikje e re. Komunizmi ishte i pari rend në botë që e kuptoi se letërsia e madhe nuk pësonte asgjë, as prej censurës, as prej burgjeve e as prej tmerreve të tjera. Për ta vënë në gjunjë përfundimisht duhej diçka tjetër.
Kjo shpikje e re ishte krijimi i një race të re shkrimtarësh, një racë që me duart e veta do ta prishte artin e fjalës. Me fjalë të tjera, për të perifrazuar Josif Brodskin, nuk ishte e nevojshme të rrënohej drejtpërdrejt ngrehina e letërsisë, mjaftonte të prisheshin tullat, pra lënda me të cilat ajo ishte ngritur. Kështu, me tulla të sabotuara, ngrehina vetvetiu do të binte. Kjo zgjidhje radikale u arrit vetëm pjesërisht, nëpërmjet atij që u quajt “realizëm socialist”.
Përse nuk triumfoi përfundimisht? Çfarë nuk mjaftoi? Mosha e sistemit, ndoshta?
Ka gjasë të ketë qenë kjo e fundit. Komunizmi, dihet, ka pasur dy mosha, njëra 70-vjeçare, që e arritën vetëm dy shtete, Bashkimi Sovjetik dhe Mongolia dhe drejt së cilës po ecën Kuba me Korenë e Veriut. Dhe mosha tjetër 45-vjeçare, që është pak a shumë ajo e vendeve të Europës Lindore, ku hynte edhe vendi im, Shqipëria.
Në historinë e njerëzimit, ajo që e përmenda si “zgjidhje radikale për letërsinë”, ka pasur edhe një version tjetër tepër të rrallë e tepër të lemerishëm. Ky version nuk ka lidhje me komunizmin, por me një tjetër fatkeqësi: sundimin osman.
Ju e dini këtë sundim. Ai u shtri mbi krejt Gadishullin Ballkanik. Ai vuri nën vete dhjetëra popuj, gjuhë, kultura. Ai e shkëputi Ballkanin nga Europa, synoi pushtimin e qendrës së Europës në veri dhe gadishullin tuaj italian, në perëndim.
Ashtu si në rastin e komunizmit, edhe në rastin e pushtimit osman, vendi im, Shqipëria, kurrsesi nuk mund të pretendojë se ka qenë një viktimë e vetmuar. Ajo ra nën atë sundim bashkë me gjithë popujt e Ballkanit.
Ajo vuajti të njëjtin ferr. Meqenëse e përmenda moshën e komunizmit, po theksoj se koha e sundimit osman për nga gjatësia mund të quhet pa frikë infernale: pesëqind vjet.
Tingëllon e pabesueshme, dhe është vërtet aq e pabesueshme, saqë kohët e fundit, revizionistët e historisë kanë ngritur tezën se një pushtim kaq i gjatë nuk mund të quhet pushtim. Ata janë duke kërkuar një emër tjetër, më të ndryshëm e, sidomos, më të përshtatshëm me vizionin e sotëm europian për pajtimin e popujve.
Me gjithë përpjekjen për mirëkuptim, personalisht nuk besoj se do të gjendet një tjetër fjalë për të zëvendësuar fjalën pushtim. Ashtu siç nuk ka ndodhur për fjalën “vdekje”, e cila ndonëse është shumë më e gjatë se çdo pushtim, vazhdon të quhet, ashtu si dhe më parë, “vdekje”.
Tërhoqa vëmendjen tuaj për kohëzgjatjen pesëqindvjeçare të pushtimit osman, jo për të rritur dramacitetin e diçkaje, të cilit dramaciteti i del dhe i tepron, por thjesht për të ardhur prapë te problemi që përmenda më lart, ai i zgjidhjeve radikale të problemit të letërsisë. Është fjala për një tjetër zgjidhje radikale, dy herë, ndoshta dhjetë herë më të lemerishme: ndalimin e vetë shkrimit.
Po e them qysh në krye: nga gjithë gjuhët e Gadishullit të madh Ballkanik, gjuha shqipe, ajo që unë përdor, është e vetmja, shkrimi i së cilës u ndalua për pesëqind vjet.
Unë nuk di ndonjë vend tjetër në kontinentin europian, gjuha e të cilit të ketë pësuar një tmerr të tillë. Përse? Si u gjykua më pas, përse nuk ndryshoi me kalimin e shekujve, si vazhdoi gjer në fund, në çastet kur perandoria plakë po jepte shpirt?
Këtyre pyetjeve e kam vështirë t’u përgjigjem. Shqiptarëve u lejoheshin shumë gjëra: u lejoheshin kishat, pronat, gradat e larta në ushtri e në administratë, madje posti i kryeministrit perandorak, që ata e patën disa herë, por nuk iu lejua kurrë një gjë: shkrimi i gjuhës shqipe. Ky ishte një ndalim i vërtetë, dramatik e pa kthim.
Në kronikën botërore të arsimimit, nuk besoj se gjenden raste kur mësues e vocërrakë, të kapur tek mësonin në fshehtësi shkrimin e gjuhës, masakroheshin aty për aty pa mëshirë dhe pa pendim.
Çfarë mund t’i ndodhë një gjuhe që pëson një lemeri të tillë?
Ç’ndodh brenda saj, në thellësi, atje ku vërtiten mekanizmat? Si bashkëjetojnë veglat e gjalla me ato që njëra pas tjetrës vdesin? Vetë gjuha si mbahet në këmbë, si zbutet apo egërsohet? Ç’cilësi fiton, apo humb? Cilësi engjëllore apo më shumë demoniake?
Gjer më sot nuk kam ndeshur në studime që të merren me këto çështje. Thjesht mund të përsëris se jam njëri prej shkrimtarëve që kam përdorur këtë gjuhë.
Dhe tani më lejoni të flas diçka më tepër për të. Më saktë, të rikujtoj disa shënime që i kam marrë vite më parë, në një periudhë jo të lehtë, jo vetëm të jetës s’ime, por të gjithë popullit që i përkas.
“Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit.”
Kjo është fraza e parë e shkruar në gjuhën shqipe.
Nuk njoh tjetër gjuhë të nisë historinë e saj të shkruar me formulën e pagëzimit. Ngjan si e sajuar prej poetësh, ndonëse nuk ka kurrfarë sajimi. Fakti është më se i saktë, madje dokumenti ku kjo frazë është gjendur, një qarkore e shkruar në latinisht prej peshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, ka datën e lëshimit. Atje është 8 nëntor 1462.
Gati pesëqind vjet më pas, pikërisht në këtë ditë, 8 nëntor 1941, komunistët shqiptarë do të themelonin partinë e tyre, çka ngjan si një tjetër përkim. Por këtë herë në kahe tjetër.
Partia Komuniste do të luftonte vdekshëm me fenë që ta shkulte e ta nxirrte jashtë universit shqiptar. Por ajo do të vërtitej, do të vërtitej pa pushim rrotull Shqipërisë, me shpresën e kundërt: të kthehej prapë atje.
Më 1555-ën, një murg katolik, Gjon Buzuku, botoi librin e parë në shqip, një përkthim lutjesh, duke bërë kështu për shqiptarët atë që kishte bërë pak a shumë për gjermanët tridhjetë vjet më parë se ai, i famshmi Martin Luther.
Në vitin 1592, Lekë Matranga, botoi “këngën e përshpirtshme”, vjershën e parë të letërsisë shqipe të kultivuar:
Gjithëve u thërres, kush do ndejese, Të mirë të kreshté, burra e gra. Mbi fjalë të Tinëzot të shihni meshe Se s’ishte njeri nesh që mkate s’ka.
Hijeshia e vargjeve njëmbëdhjetërrokëshe dëshmon për një traditë më të hershme vjershërimi, pa llogaritur dhënesën gojore shumë më të vjetër.
Por, gjatë ikjes së madhe të shqiptarëve, asaj ikjeje të pikëllueshme, që duhej të ketë qenë brenga më e hidhur e këtij kombi gjatë dy mijë vjetëve, shumë libra e dorëshkrime duhet të kenë humbur.
Dëshpërimi i zi, nxitimi, trandja nervore, arkat e harruara, balta, hendekët e rrugës, ujët e detit, të gjitha këto gëlltitën pjesën e tyre nga arkivat e princërve e të baronëve, nga kambanat që ngarkoheshin nëpër anije, nga ikonat e kishave dhe stolitë e zonjave.
Shumë kambana ranë e u mbytën në det. Ende dergjen atje, në terr e në ndryshk. Me gjëmimin që e ndrynë përbrenda përjetë, E q’ ashtu që së brendëshmi i gërryen e i ha.
Por kambanat e tretura mund të derdheshin sërish në trojet italiane, ku ata u mërguan. Do të tingëllonin ndryshe pa dyshim, dhe do të gjendeshin gjithfarë shpjegimesh për këtë: ajri që s’është po ai, mungesa e bjeshkës aty pranë që kthen jehonën dhe trajta e luginës ose metali që s’qe i njëllojtë, gjersa të gjendej dikush që të thoshte se kambanat ishin po ato, por qenë ata që s’ishin më ata që kishin qenë. Pra, mund të zëvendësoheshin njëfarësoj kambanat dhe stolitë e grave dhe shumë gjëra të tjera, veç dorëshkrimet e tretura s’ribëheshin më.
Shqipërisë i ndodhi diçka që rrallë i kishte ndodhur ndonjë vendi. Kur elita e vendit, kryezotët, oficerët, njerëzit e letrave, të arkivave, diplomatët, kontët, dukët, shkronjësit e manastireve, duke mos e menduar dot jetën nën shenjën e islamit, ikën përtej detit, u duk se bashkë me arkat e rënda morën me vete edhe trurin e kombit. Dhe, në njëfarë mënyre, ashtu ishte. Gjithë rrafshnalta shqiptare ra në mpirje e në zi. U duk se vendi, si i goditur në kokë, do të mbetej i gjymtë përgjithmonë. Por, pikërisht në atë kohë, shtysa e vetëruajtjes rivuri në veprim një mekanizëm të vjetër: letërsinë gojore. Lart në male, atje ku kishte mbetur ende një mugullim drite, makina e lashtë u trand përsëri.
Kishte qenë përherë aty, por disi jashtë vëmendjes, sidomos qysh nga koha që shqiptarët kishin mësuar të shkruanin, madje të botonin edhe libra në gjuhën latine, si gjithë evropianët e ditur. (Njëri prej tyre, prifti shkodran, Marin Barleti, qe përkthyer ndërkaq në krejt gjuhët e Evropës.) Pra, makina kishte qenë aty, veç tani, në ditët e apokalipsit, u duk se sa shumë i duhej këtij vendi.
Por ajo, si çdo makinë e këtij lloji, kishte teknologjinë e saj trillane: nuk punonte dot veç me brumë të lashtë. Ishin ligje misterioze të trashëguara që në kohërat homerike. Sytë e rapsodëve, ndërsa qenë të veshur për gjashtëqind-shtatëqind vjetët e afërt, shikonin shkëlqyeshëm, përtej tyre: shtatëqind e pesëdhjetë, tetëqind, një mijë vjet. Dhe kështu, ndërsa Shqipëria po jetonte një tragjedi të re, ata, të verbër ndaj saj, iu rikthyen një tragjedie të kryehershme, dyndjes sllave.
Poshtë në rrafshulët, ndiheshin ndërkaq tek-tuk ca kambana të rralla, regëtinin ca zjarre, një këtu, një aty, nëpër famullitë gjysmë të shkreta.
Diku midis viteve 1566-1622, një tjetër prift katolik, Pjetër Budi, shkruante vargjet: Ku janë ato gra e vash nde sqimë e nde madhësht me petka të mëndafshta nalcuom mbë zotërij? Gjithë mortja i rrëzoi Sikur i pret me shpatë... Ato të kujtonin çuditërisht vargjet e François Villonit: Ku janë zonjat e dikurshme Ku është bora e vitit që shkoi?
çka dëshmonte se ciklonet poetike e kanë përshkruar rruzullimin tokësor edhe atëherë kur dukej se gjithçka ishte ndarë dhe se ndërkomunikimi midis poetëve ishte i pamundur.
Pas Pjetër Budit, në letërsinë shqipe erdhi Pjetër Bogdani, një nga mendjet më të gjera e të ndritura të botë shqiptare.
Ai ishte poet, filozof e dijetar i madh. Në gjithë veprën e tij ndihet mundimi, lodhja e një titani. Ka gati dyqind vjet që Shqipëria ndodhet në natën osmane. Pra ajo është ende afër mesnatës (ora e mesnatës duhet të bjerë pas pesëdhjetë vjetësh, përderisa nata e gjithë do të jetë e gjatë pesëqind vjet). Pavarësisht se askush nuk e di se në ç’pjesë të natës ndodhet vendi, poeti e ndien.
Ai e ndien se nën peshën aziatike, bota shqiptare jep çdo ditë krisje e pëson shembje. Feja është një nga ledhet e para që trandet. Për një habi të pashpjegueshme qartë, dy nga popujt më të moçëm e kokëshkretë të rajonit, shqiptarët në veri dhe kretasit në jug, bëjnë kthimet e para në fenë islamike.
Janë tepër të vjetër dhe janë lodhur nga krishterimi? Ashtu siç qenë ndër të parët që të lodhur nga paganizmi kishin marrë krishterimin? Askush s’mund ta shpjegojë gjer në fund enigmën.
Pjetër Bogdanit, që është peshkop katolik, i dhemb pa dyshim kjo çarje. E bashkë me të i dhembin shumë gjëra të tjera, krejt universi shqiptar që shkon drejt teposhtës.
Ai e ndien se po irnosen ngjyrat e veshjeve, po zvarget si e damllosur muzika, madje lëvizjet e shqiptarëve po flashken edhe në trutë e tyre pikë-pikë po depërtojnë përftimet orientale: “javashllëk” dhe “kismet”.
Ai e ndien madje se edhe gjuha shqipe, sado sipërane e tigreshë të ishte në krahasim me turqishten, po lodhej prej goditjes së shurdhër të bishtit të tjetrës.
Ai i ndien të gjitha këto, ndaj vendos të ndërmarrë diçka titanike: t’i vërë supet botës që rrezikon të shembet. Kjo kushtëzon përftimin si prej galaktike të veprës së tij, universalizmin e saj, vizionet planetare dhe sidomos motivet kozmogonike.
Këto të fundit e mahnitnin veçanërisht Lasgush Poradecin. Duke kujtuar njohjen e tij të parë me veprën e Bogdanit, ai shkruan: “Kam kopjuar një poezi kozmogonike, e cila nga pikëpamja e koncepcionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj, jam i mendimit se duhet konsideruar si një monument letrar, jo vetëm i gjuhës shqipe, por i republikës së letrarëve përgjithësisht.
Kozmogonia e të Madhit Shqiptar u bën ballë, me cilësitë e veta, kozmogonisë asiriane (babilonase), ashtu sikundër këtë e shohim në Biblën hebraike dhe kozmogoninë indike, ashtu sikundër këtë na e shfaqin Vedat e Shenjta”.
Titanizmi, ashtu sikurse dhe katastrofa, do të shfaqen herë pas here në letërsinë shqipe, njëlloj si ciklet kozmike. Ato do të shfaqen gjatë Rilindjes Kombëtare me Naim Frashërin. Ato do të rishfaqen në fund të shekullit XX gjatë dramës së Kosovës, që ende mban erë shkrumb.
Pjetër Bogdani është nga Kosova, por s’është kjo arsyeja kryesore, që vepra e tij është studiuar më mirë atje. Arsyeja e thellë është se pikërisht atje u përsërit tragjedia e vjetër. Ashtu si në epikën gojore shqiptare makthi turko-osman ringjalli dyndjen sllave, ashtu në letrat kosovare, makthi sllavo-serb ringjalli dyndjen osmane.
Shkreptima idesh i karfosnin harmonikisht letrat shqipe, ato që duke lindur me formulën e shenjtë të pagëzimit kanë mbyllur ciklet e ringjalljes me një tjetër formulë të shenjtë: Shqipëria u ngjall së vdekurish.
Në mbyllje të kësaj fjale do të doja të kthehesha përsëri te fillimi i saj: ndalimi i shkrimit të gjuhës shqipe.
Ç’do të bënin shkrimtarët e mundshëm (potencialë) shqiptarë me një gjuhë të tillë? Zgjedhjet nuk ishin të shumta. Dhe, veç kësaj, të gjitha ishin të trishtueshme.
E para gjë që të vjen ndër mend në kësi rastesh është heqja dorë prej një prej pasioneve më të vjetra të njerëzimit: krijimit letrar.
Dhe, shumica e shkrimtarëve të mundshëm shqiptarë bënë pikërisht këtë: e braktisën artin e të shkruarit. Ne nuk e dimë dhe as mund ta dimë numrin e tyre. Ne dimë me saktësi vetëm një gjë: që humbja e kulturës shqiptare ishte e pandreqshme.
Një zgjedhje tjetër, më tepër iluzore se e vërtetë, ishte rikthimi i shkrimtarëve në traditën e vjetër rapsodike të letërsisë gojore. Ndërkaq, duhet thënë se, pavarësisht glorifikimit që i bëhet shpesh kësaj tradite, ajo mbetet përherë e mangët në krahasim me letërsinë e shkruar.
Një zgjedhje e tretë, në thelb e pikëllueshme, ishte përdorimi i gjuhëve të tjera për t’u shprehur, kryesisht latinishtja e pas saj, gjuhët e tjera europiane.
Një pjesë e shkrimtarëve shqiptarë u strehua kështu në gjuhë të tjera, duke i dhënë fjalës emigrim një tingëllim dyfish dramatik. Një letërsi e tërë u krijua kështu nga ata që u cilësuan si shkrimtarë katolikë të veriut, letërsi e fuqishme, brenda kostumit latin të së cilës ndihej drama shqiptare.
Konformizmi me një sajesë letrare turko-osmane, një farë letërsie e lejuar, madje e nxitur nga pushtuesi, ishte një zgjidhje jo vetëm iluzive, por edhe me pasoja fatale në qoftë se do të zinte rrënjë në kulturën shqiptare. Veçantia e parë e kësaj sajese ishte të shkruarit e shqipes me shkronja arabe. Veç kësaj, më e rëndë se kjo ishte brumi gjuhësor me të cilin ngjizej kjo kinseletërsi.
Në këtë brumë, gjuha shqipe zinte një vend minoritar. Si në një pasqyrë dukej qartë se si ajo po jepte shpirt e asfiksuar prej shtrëngimit të një tjetër gjuhe që, jo vetëm ishte gjuhë e pushtuesit, por që nuk ishte as e familjes indoeuropiane.
Në kushte dhe dilema të tilla, shkrimtarët shqiptarë u vërtitën një kohë tepër të gjatë, si tigrat në kafaz.
Një zgjidhje të fundit, nga ato që krijon vetëm dëshpërimi, do të merrte shkas ndoshta nga një model i vjetër, dhe pikërisht nga fraza e parë e gjuhës shqipe të shkruar, formula e pagëzimit, që përmenda në pjesën e parë të fjalës s’ime. Kjo formulë, e hartuar, siç thashë, më 1462-shin prej peshkopit shqiptar të Durrësit, gjendet brenda një teksti latinisht.
Shkrimtarëve shqiptarë nuk u mbetej veçse ky model: të strehonin tekste të kursyer shqip, brenda teksteve të gjuhës latine, të cilën nuk e kapte dot ligji osman. Me fjalë të tjera, të shpresonin që ca modele të gjuhës së tyre të rrezikuar, t’i strehonin për mbrojtje në trupin e ftohur të një gjuhe që nuk frymonte më.
Më lejoni ta mbyll fjalën time me këtë përfytyrim, që sa ç’duket tragjik, aq është edhe mallëngjyes në simbolikën e vet.
Simbolikën e shpëtimit që gjuha e popullit tim ka kërkuar te gjuha, që vërtet nuk ishte më e gjallë, por pa të cilën nuk mund të përfytyrohet qytetërimi europian.
Ju faleminderit.
Ismail Kadare
Marre nga revista “Hylli i Dritës”, gusht 2009

KODI I JUSTINIANIT “SINTEZE” E DREJTESISE ROMAKE

(Perandori Romak, me origjine Ilire i dha shkëlqim njëzimit)
“Vullneti i Justinianit,-shkruan historiani i shquem francese Charis Dietri,- ka përfundue nji nga veprat ma te frytshme qe i kane sherbye njëzimit ne përparimin e tij”. Tue dite se kontinenti Europian asht i ndërtuem mbi tri kolona te fuqishme qe janë: Kultura Greke, E drejta romake dhe Krishterimi, duhet pranuar se dy kolonat e fundit, drejtësinë dhe krishterimin i ka “dhurate” prej Kostandinit te Madh, dhe prej Justinianit(te dy Iliro-Dardane). Pa dyshim, vepra ma e çmueshme e Justinianit, asht kodifikimi i ligjeve te Romes se Vjetër. Ai mendonte se Perandori duhet jo vetëm te triumfoje mbi armiqtë e tij, por duhet te jete edhe mbrojtës i drejtësisë ne kohe paqeje. Ai besonte, se bashke me pushtetin suprem, Zoti i kishte dhanë te drejtën me veprue si ligjevendës dhe si interpretues i pa kontestueshëm i ligjeve ne fuqi. Puna për tu kryer ishte vërtetë kolosale, mbasi ligjet e Romes ishin ne nji gjendje mjaft kritike. Mbas krizës se shekullit III, jurispodenca Romane kishte ra ne dekadence. Gjykatat vendosnin ne baze te precedentëve qe kishin krijue predecesoret e tyre, te cilët kishin zbërthye nji çështje ligjore për herën e pare. Ne vitin 528, Justiniani krijoj nji komision prej dhjete vete, te gjithë eksperte tue përfshi dhe juristin e famshëm, Tribonin, i cili u ba frymëzues dhe realizues i vërtetë i veprës legjislative te atij shekulli.
Mbas 14 muajsh te krijimit te komisionit doli ne drite “Kodi i Justinianit“, qe përmbante gjithë ligjet, ose statutet speciale, te cilat ishin shpallur tue fillue nga koha e Adrianit, katër shekuj me pare. Kodi i Justianit u ba sistemi ligjor i vetëm dhe i detyrueshëm ne te gjithë hapësirën e Perandorisë. Mandej, komisioni punoi edhe tri vjet te tjera për te studiue dhe për te nxjerre substancën ma te vlefshme te afro 2000 vëllimeve mbi jurisprudencën dhe ligjin tradicional qe kishin hartue juristet Romake gjate shekujve. Ideja qe kishte mbi karakterin absolut te pushtetit Imperial pasqyrohet ne fjalët e tij, qe ne mes te tjerave theksonte: “Kush mund te ketë guximin te përçmojë gjykimin e Princit kur vete themeluesit e drejtësisë kanë shpall se vendimet e Princit kane “fuqi ligjore!?”. Mbas këtij koncepti despotik te pushtetit, si nji dhurate, ose ma mire me thane, si nji mision i ngarkuem prej vete Zotit, asnji njeri nuk mund te vinte ne dyshim vullnetin e Princit. Por, Justiniani ishte prej natyre zemër mire dhe kishte ndjenjën e detyrës pra brezave te ardhshëm, prandaj nuk degjeneroi ne nivelin e nji tirani qe ti bante njerëzit me vuajte e me vdekë për te kënaqë instiktet barbare apo pasionin e hakmarrjes. Krahasojeni këtë dardan fisnik te shekullit te V-VI me kriminelin dhe sadistin e shekullit XVIII, Ali Pashe Tepelenen! 1)
Nuk besoj se mund te ketë “leksion” ma te fuqishëm për te gjitha barbarizmat qe u kryen gjate shekullit te XX nga diktaturat dhe diktatoret e atij shekulli. Ketë ndjenje ia forcon ma tepër edhe besimi fetar dhe bindja, se duhet te vepronte ne toke si shërbëtor i Zotit, përpara te cilit e ndjente veten përgjegjës për çdo minutë te sundimit te tij. Orvatjen e tij për te ripushtue tokat e humbura te Perandorisë, ai e shihte si nji “kryqëzatë” për te sjelle ne gjiun e Kishës se Zotit popujt barbar dhe te verbuem. Këtë qellim ai u mundua ta përmbushë jo vetëm me ane te forcës ushtarake, por tue dergue edhe misione fetare ne mes te popujve pagane dhe heretike për me i kthye ne fenë Kristiane.
Veprat mbrojtëse qe u ndertuen gjate periudhës 38 vjeçare te sundimit te tij si Perandor i Romes, janë nji kapitull i veçante dhe qe duhen pare me shume përparësi sepse ato mbushin me lavdi Perandorin e fundit Romak me origjine Iliro-Dardane: Prokopi, - biografi dhe historiani i kohës se Justinianit, ka lanë nji libër te posaçëm mbi ndërtimet e Perandorit me origjine Iliriane. “Duhet ta filloi përshkrimin tim,-thotë Prokopi,- nga ajo krahine e Perandorisë qe quhet Iliri dhe qe duhet te zeje vendin e pare për nji kallëzim te tille, sepse asht e vetmja qe ka te drejte te jete krye naltë dhe e gëzueme, mbasi  ka dhanë romakeve nji Perandor, veprat e te cilit asht e pa mundun me i tregue me fjale. Kjo asht krahina e Dardanisë dhe katundi i saj,- Taurisium, ku u lind dhe u rrit Perandori Justiniane, themeluesi i qytetnimit te sotëm”.
Ne vendlindjen e tij, ai ndërtoi nji mur te madh ne trajtën katrore me nga nji kulle ne çdo qoshe dhe e quejti- Tetrapirgjia(katër kulla). Jo shume larg atij vendi, ai ndërtoi nji qytet te madh, te cilit i a vuni emnin- “Justiniana Prima”. Me këtë gjest mirënjohës u bashkuan te gjithë romaket, mbasi ajo toke kishte rrite shpëtimtarin e tyne. Nuk asht pune e lehte me pershkrue ndërtesat e shumta qe zbukuruan qytetin e Justinianit, akuaduktin, kishat, pallatet e administratës, banjat publike e dyqanet. Qyteti arriti edhe nji shkalle nderimi ma te nalte tue u ba Selia e Kryepeshkopit Ilirian (Illirycum). Qyteti i vjetër, Ulpiana, qe ishte ndertue ne kohen e romakeve, ne Jug-Perëndim te Shkupit, Justiniani e përforcoi me mure te reja dhe e zbukuroi me shumë ndërtesa te reja, tue i dhanë emnin “Justiniana Seconda”.
Gjithsejtë ne Dardani u ndertuen tete fortesa te reja dhe u riparuen gjashtëdhjetë e dy qe ekzistonin ma pare. Justiniani restauroi dhe ndërtoi te reja ne Epir 44 fortesa, tue përfshi edhe kështjellën e Durrësit. Ne Iliri u ndertuen 26 kështjella, nder te cilat u restaurue edhe fortesa e Shkodres, ajo e Sirmiumit. Veprat madhore te ndërtuara ne Europe, ne Siri e Afrike, dëshmojnë edhe sot orvatjen njerëzore te Justinianit për te sigurue Perandorinë Romane ndaj dyndjeve barbare. Përveç sigurimit te sistemit te mbrojtjes me gurë e gëlqere te kështjellave, ai aplikoi me shumë mjeshtri edhe “armen” e mprehte te diplomacisë. Prestigji i diplomacisë se Perandorit Justinian ne sytë e popujve barbare ishte shumë i madh. Adhurimi dhe respekti gati mistik qe impononte dhe inspironte shkëlqimi i Kostantinopulit i ndihmuan Justinianit për te zgjanue influencën politike te Perandorisë, per t’i kthye paganet ne fenë kristiane, dhe për te qytetnue popujt barbare. Ky, pra ishte Justiniani, Perandori i fundit i Romak, me origjine Iliro-Dardane, qe i dha shkëlqimin dhe drejtësinë, jo vetëm Perandorisë Romane por mbare njerëzimit. Jam i mendimit, qe diplomacia shqiptare duhet te jete sa ma pranë historisë, se vetëm kështu do te dimë te formuloje kërkesat pranë kancelarive te europes dhe forumeve ndërkombëtare.
Ishte pikërisht kjo arme e fuqishme qe i bante te shkëlqejnë ne çdo ballafaqim ndërkombëtar Konicen, Bumçin, Nolin e Gurakuqin, sa here do ta kërkonte nevoja dhe interesat e Atdheut.
Kostandini i Madh, Justiniani i Madh, Gjergj Kastrioti i Madh e Nane Terza e Madhe, janë katër “kolona” te fuqishme, te “betonuara” me gjak Iliro-Arbërorë, dhe qe i shtynë shkëlqimin kësaj toke. Politikanet tanë, a duhet te ballafaqohen me punën e këtyne personalitet te historisë se kombit tanë, dhe për te nxjerre mësime, se ne Europen e Bashkuar nuk shkohet duke lypur, duke kërkuar lëmoshë, por duke punuar për te arritun standarde kulture dhe jetese, duke u formuar me mentalitete te nji shoqërie demokratike, te nji shoqërie emancipuese dhe te hapur, ne themelin e se cilës janë vlerat e individit, duke punuar për edukimin e shoqërisë me mentalitetin e shtetit ligjor dhe shtetin e se drejtës ne lufte te pamëshirshme me mentalitetet e nji shoqërie primitive, e cila vijon te na mbërthej keqas?!
------------
1) Referenca: Historia e Shqipërisë(Mendimi shqiptar), Tajar Zavalani, Tirane, v 1998
MARK BREGU

Alibia e familjeve te mëdha

Ka ndodhur tashme qe ne një atmosfere te ndezur politike ka lançuar ne publik edhe ideja e familjeve te mëdha. Një opinion i paidentifikueshëm publik e ankon hidhur shtyrjen ne periferi te jetës politike dhe shoqërore te pasardhëseve te këtyre familjeve dhe anatemon kujshëm, me te drejte, goditjen e tyre nga sistemi makaber diktatorial qe përjetuam. Ky opinion e konsideron si vetëkuptueshmëri t’i pranosh ato si burim te pashtershëm vlerash dhe personalitetesh dhe e stilizon raportin e dikurshëm te shoqërisë shqiptare ndaj tyre gati si domosdoshmëri. Edhe presidenti Topi rezonon me këtë ide dhe me përpjekje patetike synon te vendose akcente qe nuk rimojnë asfare me paradigmat kulturore, europiane. Ne këto akcente shihet dukshëm, se ai është tejet i intimiduar për te shprehur ne mënyrë eksplicite fajësimin e shoqërisë shqiptare për qasjet e saja ndaj këtyre familjeve, por tek ato tingëllon qarte toni, qe demonstron pakeqkuptueshëm ambivalenten e raporteve te tija  me kulturën europiane. Pritshmërite e presidentit Topi për këto familje janë tejet te ngarkuara dhe kane karakter pothuajse mitologjik dhe totalisht grotesk. Përveç kësaj ato bartin edhe elemente tensioni ne shume rrafshe dhe dimensione. Para se gjithash ne rrafshin e përpunimit te kaluerës sonë historike ato kërkojnë te vendosin një asimetri vlerësuese ne dem te atyre, qe nuk e pushuan asnjëherë rezistencën kundër pushtuesit osman. Pogrome dhe diskriminime, shpërfillje dhe nëpërkëmbje mbeten shoqëruesit e tmerrshëm dhe te vazhdueshëm te ekzistencës se tyre gjate këtij pushtimi dhe ata  investuan për te ardhmen duke ruajtur gjuhen dhe stilin e komunikimit racional, i cili sado qe u strapacua me pasoja gati rrënimtare mbeti elementi ripërtrities i shoqërisë shqiptare.
Familjet e mëdha si produkt esencial i pushtimit osman përcaktuan ne një periudhe te gjate rrjedhën e historisë te shqiptareve, fatet e tyre. Sado qe, ndofta, ne mungese te ndonjë alternativave me te mire ato bashkëpunuan me pushtuesin osman, nuk mund te mbyllen sytë për te mos pare profilin gri te rezultatit te këtij bashkëpunimi. Për një kohe te gjate dhe decizive ato ndan me pushtuesit osman te njëjtën shpërfillje kundërvenëse, përbuzje denigruese madje dhe armiqësi virulente ndaj se drejtës te shtetit sekular, laik dhe se bashku  ndërtuan një barriere për kulturën europiane dhe përpunuan mentalitetin e vetizolimit, pasojat rrënimtare te të cilit do te ishin tejdimensionale. Kjo ishte kurtha e rrënimit kulturor dhe ekonomik, e cila u be kryekëput kurtha e një recensioni fatal te shqiptareve, gati kurtha e vdekjes. Për shkak te alternatives te adaptuar çdo lëvizje te shqiptareve e inspiruar nga era e ndryshimeve europiane ata e konsideronin si kërcenim ekzistencial, madje si tradhti. Dhe nuk mund te ndodhte ndryshe. Çdo pritshmëri tjetër do te ishte një utopi e mirëfilltë. Produkt i një klime politike te caktuar, qe iu kishte krijuar privilegje dhe te drejta pothuajse te pakufizuara, ato luftonin për ruajtjen dhe përjetësimin e kësaj politike, e cila legjitimohej nga një kushtetute qe nuk u pastrua asnjëherë nga paragrafët e diskriminimit, te denigrimit dhe te mohimit te të drejtave njerëzore te përkatësive dhe grupimeve te ndryshme te shoqërisë shqiptare. Për mekanizmin e shtetit osman testi i luajalitetit ndaj kësaj fryme politike  mbetej një kërkesë konstante dhe permanente dhe këto familje e kaluan atë kurdoherë me bravure. Trauma qe përjetuam nga shkëputja e ndryshimeve zhvillimore europiane ka lenë gjurme te thella ne shoqërinë shqiptare dhe asnjë akrobaci verbale nuk mund ta lehtësojë barrën e përgjegjësisë historike te këtyre familjeve për këto pasoja.
Veçanërisht i rrepte është verdikti i tribunalit te historisë për vizionin tmerrues, qe ata predikuan kundër dominances se pacenueshme dhe totale te racionlietit europian dhe  shpalljen e paradigmave kulturore, europiane herezi ne emër te ruajtjes se identitetit kombëtar. Sepse ato predikuan cilësi nacionale, ne te vërtetë paragjykime te detyrueshme, panegjirike te popullit për veten e tij, fiksuan referenca dhe paradigma irracionale për interpretime  spekulative, stimuluan një letërsi sterile me modele karrikatureske te të menduarit. Te pakursyer ne mbështetjen e mistikes për te triumfuar mbi racionalen, qe e shpallte primitivizmin me te moralshme se modernen, denigronte qëndresën ndaj pushtuesit si anomie (paaftësi totale integruese) dhe bashkëpunimin me pushtuesin shpëtim për ruajtjen e identitetit kombëtar, ne te vërtetë një identitet qe u formësua ne procesin e gjate te pushtimit osman dhe qe u përkiste kryesisht atyre. Motivi dominant ne ansamblin e motiveve kontroverse i këtyre familjeve ishte tabuizimi i një  identiteti kombëtar, qe legjitimonte bashkëpunimin e tyre me pushtuesin osman, një korsetë i ngurte qe e mbante mendimin ne një vorbull irracionale dhe mbyste ne embrion çdo vizion për te ardhmen, sepse do te mbetej masshtabi kryesor për te përcaktuar dhe te analizuar gjithçka. Ai e mohonte faktin, se biografitë e krahinave te Shqipërisë nuk ishin kurrsesi te njëjta, përkundrazi tejet te diferencuara, si pasoje te tilla ishin edhe reflekset, paradigmat kulturore dhe kultura politike. Multikulturizmi shqiptar ishte fare evident dhe kush ishte i ndryshëm dhe detyrohej te falej para këtij identiteti kombëtar ai pëshpëriste një lutje për paqe sociale, por për një paqe aspak me te mire se moslufta ne kohen e pushtimit osman. Ne këto kushte lidhja rinovuese e te gjithëve ne vlera te përbashkëta rezultonte një utopi e mirëfilltë. Kjo e pamundësonte një shoqëri te civilizuar, ku te ndryshmit jetojnë pa frike njeri nga tjetri, pa frike, se mund te mos jene shansenjëjtë për kualitete intelektuale, profesionale  dhe vlera morale te njëjta. Ato plazmuan atë armiqësi virulente ndaj Europes, atë përmbajtje konvencionale te menduarit, me elemente mistik dhe inkuizicionar, qe instaloi një konformizëm tiranik tej regresiv, konvertimin e meditimit racional ne një proces te ritualizuar, steril, e cila krijonte një atmosfere, ku asfiksoheshin brutalisht ambiciet për kualitetin e argumentit. Kjo jo vetëm pamundësoi përpunimin e se kaluarës sonë, por edhe ritualet lavdëruese për te u bene  test luajaliteti për patriotizëm. Është tashme një fakt i njohur dhe gjithsesi lehte i verifikueshëm, se te gjithë pasardhësit e këtyre familjeve nuk u angazhuan ne përpunimin e se kaluarës te familjeve te tyre. Mosharresa është një nga faktorët me relevant për popujt qe mos te mund te jetësohen ato situata, qe nuk mund te durohen. Ajo duhet te përfaqësoje refleksione selektive te analizave racionale dhe objektive te se kaluarës ne përputhje me standardet europiane. I vetmi borxh qe u kemi bindjeve tona është te verifikojmë çdo dite te vërtetat mbi te cilat ato mbështeten. Ç’fare ne përheshtim nuk është thënie, por veprim, një aforizëm europian, i cituar dendur, mund te përkthehet ne kontekstin përkatës, se ata u pajtuan me prominencen fiktive qe u garantonte prejardhja e tyre. Te gjitha këto, qe përfaqësojnë dimensionin e fshehte te historisë sonë, një sistem paradigmash kulturore, qe e bënin te pamundur formulimin e sfidave tona reale dhe jetike, sepse metoda racionale europiane konkludonte ne verdikte ndëshkuese për te kaluarën e tyre, prandaj mosafirmimi i kësaj metode për shqiptaret konsiderohej nga këto familje një privacion i bekuar.  
Qysh nga fundi i shekullit te XIX  kriza ndërkombëtare rrokullisej ne mënyrë te pazbutshme drejt luftës. Ajo kërconte edhe perandorinë osmane për ta tkurrur skajshëm dhe sfida për pavarësi e kishte tronditur autokracinë shqiptare (familjet e mëdha) dhe nuk e lëshonte atë deri ne dorëheqjen përfundimtare nga pozicioni i saj proturk.  Pretendimi grotesk i kësaj autokracia, se vetëm ne suazën e perandorisë osmane populli shqiptar do te mund te ishte i forte demonstronte qarte se ata nuk ishin ne anën e historisë, sado qe zhvillimet politike te fillimit te shekullit te XX u vinin parasysh brutalisht absurditetin e këtij pretendimi. Paniku latent, por kurdoherë i pranishëm qe i kishte mbërthyer se prania e Turqisë ne Ballkan ishte një histori e mbyllur, por edhe qe bashkëpunimi i tyre me te do te mallkohej, përcaktoi qëndrimet e tyre tejet te rezervuara duke pritur te luajnë ne lojën e re sipas stilit te vjetër dhe ia dualën mbanë. Këtë ato e stilizuan si aftësi fenikse te tyre për te rifituar shumëfish atë qe duhet te ishte toalisht e humbur, ndërsa historiografia europiane nen siglën e metaforës proverbiale  “shqiptaret e shemben pushtimin osman, por mbeten nen gërmadhat e tij” e interpretoi atë si preludi i një kronologjie te shpresave te zhgënjyera te shqiptareve, si një triumf  barbar te padrejtësisë. Sepse, pas kësaj, falsifikimi dhe deformimi i te vërtetave do te kulmonte jo rralle deri ne përversitet dhe referenca shkencore tek teza ”dimensioni i fshehte i historisë” për te interpretuar brutalitetin antihuman te veçante te komunizmit shqiptar do te rezultonte për analizën europiane një përzgjedhje e pakonkurrueshme për t’i rene ne gjurme te vërtetës.
Shpallja e pavarësisë fatkeqësisht nuk qe stacioni i fundit i rolit te tyre ne te njëjtin kah, sepse goditja vazhdonte ne te njëjtin vend dhe me te njëjtën force. Gjate kohës osmane konflikti ziente ne mënyrë latente; pas pavarësisë ai u be akut. Luftëtarët e lirisë kundër pushtuesit osman u ofruan këtyre familjeve miqësi, barazi dhe bashkëpunim duke deklaruar se ata luftuan përderisa nuk kishte shanse për paqe, por kjo nuk u mjaftonte atyre. Ç’fare ata donin ishte ne thelb qe ata te hiqnin dore nga pretendimi për te qene te barabarte dhe ne rastin me te mire statusi ne minorance politike, ekonomike dhe shoqëror te tyre. Por ata me shtytjen europiane ne vetëdije dhe mbështetje konkrete ne konstelacione te caktuara politike, nuk e pranonin një dorëheqje te tille. Ne këtë rreth vicioz lëvizi konflikti disa dhjetëra vjet dhe ky, jo siç pretendojnë një pjese e paanshme me një dashamirësi naive, se te dy palët nuk ishin mirëkuptuar; përkundrazi konflikti ishte tejet brizant, sepse te dy palët e kishin kuptuar mire njeri tjetrin. Pjesa intelektuale, kryesisht pasardhës te luftëtarëve te lirisë e dinin, se pjesa dërmuese e këtyre familjeve e kishte prejardhjen nga nacionalitete te ndryshme, jo shqiptare, qe përbënin perandorinë, por ajo i shihte ato te lidhura ne mënyrë instiktive dhe ekzistenciale me Shqipërinë. Mesazhet e rilindjes europiane dhe veçanërisht paradigmat e iluminizmit dhe te racionalizmit europian për domosdoshmërinë e krijimit te një klime sociale, ku stili luftarak për jetën nuk duhet te kishte elemente mitizues për prejardhjen familjare apo përkatësitë nacionale, krahinore, fetare ndeshen ne barriera te pakapërcyeshme, qe kishin ndërtuar ne shekuj këto familje se bashku me pushtuesin osman. Vetëm kjo do te mjaftonte për te konkluduar sesa e pabazuar, e papranueshme, madje indinjuese dhe groteske është pretendimi, qe i stilizon ata si patriarkët e salikuar te kombit dhe mundohet t’i etabloje si instance morale. Ato urrenin, ç’fare nuk donin dhe nuk donin, ç’fare nuk mundnin. Ato nuk mund te përfytyronin një situate te re dhe te involvoheshin ne te, një shoqëri te civilizuar, ku tek individi stimuloheshin vullnetet e reja për jetën, qe garantonin transformimin e vrullshëm te shoqërisë. Vendosja e njeriut ne qendër te zhvillimit shoqëror ishte teza kardinale e revolucionit te madh Francës, por reagimet e këtyre familjeve ndaj kësaj filozofie ishin vetëm gjeste patetike. Ne konsensin themelor social te shoqërive te civilizuara rezultojnë te përjashtuara oazet e përkatësive familjare, te cilat konsiderohen si burim i vetëm vlerash dhe kontributesh për zhvillimin shoqëror. Prandaj pyetja tronditëse (sepse përgjigja është tronditëse), se ç’fare synon sot ky modus karrikaturesk i te menduarit përballë moduseve europiane qe kane mundësuar një realitet, ku është shteruar rezervuari i çudirave për forcën krijuese te mendimit njerëzor si pasoje e idesë brilante te rolit te individit është tejet difamuese për mentalitetin shqiptar. Sepse ideja e familjeve te mëdha demonstron koncepte dhe perceptime sterile dhe groteske si dhe zgjimin e nostalgjive te vjetra historike, kur një pjese e shqiptareve silleshin ne trojet shqiptare e me gjere si xhandarët e frikshëm te sulltanit. Ne këto kushte ato u vetemitizuan dhe u mitizuan si burim i vetëm vlerash dhe kualitete  njerëzore, por hendeku ndërmjet mitit dhe realitetit do te torturonte gjenerata te tera. Për këto familje pushtuesi osman ishte një madhësi abstrakte si armik, ai nuk urrehej e as nuk luftohej, përkundrazi. Krahina te tera shqiptare, ku prindërit shekuj te tere te pushtimit osman kane qene te detyruar te varrosin djemtë e tyre te vrare, apo te përjetojnë braktisjen e detyruar te atdheut nuk ishin asnjëherë ne radarin e simpatisë, apo te bashkëdhembjes se tyre, sepse nuk rezulton asnjë projekt real dhe efektiv i iniciuar nga ato për t’i nxjerre këto krahina nga një fare prapambetje relative. Ky deficit i madh nuk kishte sesi te kompensohej  me deklarata patetike për vlera morale dhe kualitete shpirtërore e banoreve te këtyre krahinave, qe ne kontekstin e statusit te tyre social tingëllonin si ngushëllime irracionale, perfide. Por kjo nuk do te thotë kurrsesi, se duhet te mungoje bashkëdhembja njerëzore për vuajtje te padrejta, diskriminime dhe përndjekje te pamerituara. Justifikimi barbar i përjetimit te schadenfreude (gëzim për dem) e brutalizon shoqërinë dhe i sheston varrin demokracisë. Dhe këto krahina nuk patën asnjëherë mundësinë te ankoheshin për ofendimet e bëra. Ne këto rrethana kufirit ndërmjet empatisë se munguar dhe një armiqësie virulente behej gjithnjë e me i ngushte. Besimtaret prisnin me pasion dhe ne mënyrë fataliste mesian për t’i çliruar nga vuajtjet. Laicistët, brezi një gjenerate larg brezit religjioz, e sekularizuan këtë pritshmëri mesianike. Mesia e tyre ishte revolucioni, sado qe ata mundonin ta fshihnin atë nen eufemizmin; ndryshime radikale me dhembje dhe lot, por mbetej te përcaktohej se cili. Qe tek ne u instalua një situate e tille, e cila solli me pas një revolucion dhe një diktature makaber, ishte rezultante e shume faktorëve, ku pothuajse komponentja vendimtare ishte mossinkronizimi ekstrem i këtyre familjeve me vrullin rasant te ndryshimeve, qe përjetoi Europa e me gjere ne gjysmën e pare te shekullit te kaluar.
Shoku i sundimit komunist nuk mjafton për te na çuar tek familjet e mëdha si alternative për zhvillimin e shoqërisë dhe aq me pak si instance morale. Po aq i pabazuar është demonizimi i tyre për te justifikuar përndjekjen e pasardhësve te tyre, siç veproi diktatura komuniste. Arma e kritikes racionale dhe objektive duhet te jete instrumenti i vlerësimit dhe jo te zëvendësohet me armen e zjarrit apo me panegjirizmin provokativ dhe gjithsesi grotesk. 
Presidenti Topi me panegjirizmin ekstrem ndaj këtyre familjeve mendon, se kështu i servir publikut shqiptar, por edhe me gjere, testamente te  pakonkurrueshme politike, te cilat duhet t’i japin vulën e fundit historisë se këtij vendi. Askush nuk mund te zgjedhe datën apo vendin e lindjes, por as edhe prindërit e tij, pavarësisht se nuk do te dëshironte t’i ndërronte ata me asnjë çift prindërish te tjerë. Përkatësia nacionale, krahinore, fetare, apo prejardhja familjare nuk thotë asgjë për identitetin askujt. Te qenurit anëtar i këtyre përkatësive, apo pasardhës i një familje te caktuar nuk është as merite, por as mangësi. Ajo nuk i garanton askujt automatikisht kualitete te posaçme njerëzore, por as inferioritet dhe erozion moral.
Kjo do te mjaftonte për te dalluar profilin gri te rezultateve, qe sjell angazhimi i presidentit Topi për te rimëkëmbur idenë e familjeve te mëdha. Problemi i kësaj strategjie është kompleksi i tij. Ajo nuk përmban asnjë vizion për një bashkëpunim bashkëkohor rajonal dhe nuk ofron asgjë për te mundësuar një mbështetje te brendshme politike. Çdo popull ia ka borxh popujve te tjerë falënderimin e thelle për kulture e tij, veçanërisht ne kohet moderne, te një komunikimi intensiv me përfitime te ndërsjella. Integrimi europian si një proces i lidhjes rinovuese te të gjithëve ne vlera te përbashkëta ia zvogëlon çdo dite domenin kulturës kombëtar, madje e relativon skajshëm këtë koncept. Ne këtë kontekst ideja e familjeve te mëdha si embleme e kulturës sonë kombëtare tingëllon grotesk, arrogant, provokativ, por mbi te gjitha tejet deficitar ne te gjitha rrafshet dhe dimensionet. Por qe një koncept i tille anakronik, element i një zhargoni provincial mesjetar stilizohet si element i rëndësishëm për këndvështrime aktuale nga presidenti Topi është tejet deprimues, sepse demonstron qarte paaftësinë e shoqërisë shqiptare për te përzgjedhur një elite politike, shoqëri e cila vazhdon te qëndroi ne rrjedhën e rastësive, te cilat, e thëne ne mënyrë paradoksale, i nënshtrohen një disipline te rrepte te paradigmave skurile, qe i fiksoi tek ne pushtuesi osman nëpërmjet këtyre familjeve.
Ne cirkun permanent te show televiziv, ne TV CLAN, te misioni “E diela shqiptare” për familjet e mëdha pasardhësit e këtyre familjeve demonstrojnë kënaqësinë e shijimit te ”prominences” se tyre dhe te ankimit te hidhur te nëpërkëmbjes kohëgjatë te saj. Drejtuesit e këtij show televiziv  me zellin pothuajse e një misionari përpiqen te krijojnë një atmosfere emocionale dhe herë pas here stilizojnë aspekte te deklaratave te tyre si element te fuqishëm për efekte meditative, qe mund te sigurojnë analiza te thella, por edhe prognoza profetike. Duket qarte se te dy palët janë te dashuruar ne rolet e  tyre butaforike, provokative dhe difamuese për shqiptaret.
Ne te gjitha vendet europiane e me gjere nderohen dhe përkujtohen personalitete te shkencës, artit, kulturës dhe te politikes, qe me kontributet e tyre transformuan boten dhe fonduan themelet e përparmit te të gjithë njerëzimit. A e dine  këta pasardhëse dhe moderatorë se nga vinin këta njerëz, qe janë ndërgjegjja e njerëzimit, sepse lanë vepra brilante me një jehone te pashuar për te gjithë gjeneracionet e ardhshme. Përgjigjja korrekte e kësaj pyetje zbulon qarte, se ideja e familjeve te mëdha, ideja për te pare tek ato oazin, ku zhvillohet dhe lulëzon përparimi i shoqërisë shqiptare rezulton një alibi e mirëfilltë.
Besoj se jam ne një terren te sigurte po te supozoje, se pasardhësit e këtyre familjeve dhe mbështetësitë e tyre duan te dine, se nga vjen autori i këtij artikulli me shpresën e gjetjes se një albifunksioni për interpretime spekulative rreth motive te tija për këtë shkrim. Ai rrjedh nga një familje me kontribute te shquar ne historinë e Shqipërisë. Babai i gjyshit te tij ka qene gjenerali legjendar i kryengritjes te vitit 1911, siç e ka cilësuar Fan Noli ne fjalimin e tij te mbajtur para shqiptareve te Amerikës ne Boston, ne vitin 1911, duke apeluar tek ata te jepnin për nënën, ndërsa vëllai i gjyshit te tij themeloi veprën e paqes nëpërmjet pajtimit ndërmjet shqiptareve, e cila pati një jehone te madhe ne Shqipëri, por edhe ne Europe. Te gjitha këto, por edhe te tjera, janë arkivuar ne vetëdijen e tij nga mjedisi familjar e me gjere, por kërkesa themelore e këtij mjedisi ndaj tij ka qene aklimatizimi me metodën e te menduarit racional, europian, prandaj, beson ai, se flet ne një format te ndryshëm nga formati konvencional për aspekte te caktuara te se kaluarës tone historike.
Gjergj Perluca
Kryetari i Shoqatës “Integrimi ne Europe”-

GJERGJ KASTRIOTI - SKËNDERBEU

Lexova me interes e vëmendje intervistën e Profesor Oliver Jeus Schmitt dhënë në gazetën “Shekulli”, e Martë 4 Gusht 2009 me titull “SKËNDERBEU ISHTE ARBËR” dhe pasi u njoha me librin si edhe me debatet e zhvilluara për figurën madhore të Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, dëshiroj të jap disa mendime duke shpresuar që ato mund të konsiderohen me vlerë e të dobishme. Në këtë kuadër, krahas kontributeve të njohura të Schmitt në adresë të historisë tonë, me keqardhje konstatoj se Kuvendit  të Lezhës, me 2 Mars 1944, i cili për herë të parë në historinë tonë shumëshekullore bashkoj forcat Shqiptare nën një udhëheqje të vetme dhe të aftë, nën drejtimin e Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, i është “hequr”, ndoshta pa dashje, data, muaji dhe viti me pretendimin se: “…Nuk ka asnjë njoftim bashkëkohës për këtë kuvend fisnikësh…”Faqe 77 Dhe vazhdohet:”…Në qendër të tyre pa dyshim është vetë Skënderbeu. Pa të lufta nuk do të kishte zgjatur 25 vjet të tërë. Kryengritja ishte lufta e tij vetjake kundër Sulltanit, të cilin e luftoi deri në fund…”, libri, faqe 111. Sigurisht, pa Skënderbeun lufta do të kishte qenë e shkurt dhe skllavëria shumë e gjatë. “Kryengritja ishte lufta e tij vetjake kundër Sulltanit..!” Për pasojë, përgjegjës për të gjitha fatkeqësitë e shkatërrimet e luftës nuk paska qenë Otomani por Prijësi i Shqiptarëve?! Ai e paska sulmuar Sulltanin?! Si erdhën kohët?! Edhe fëmijët do të qeshnin! Veçanërisht “Porta e Lartë” !
Schmitt këmbëngul që emri i babait të Skënderbeut nuk ishte Gjon por Ivan, formë e sllavizuar e shqiptimit të tij! Në këtë kuadër është mirë të nënvizojmë se shumë emra të Krishterimit të hershem  iu përshtatën kërkesave fonetike e drejtshkrimore të gjuhëve të popujve të ndryshëm. Trajtat e tyre nuk përcaktojnë kombësinë. “…E ritheksoj edhe një herë për gazetën, se emri Ivan dokumentohet jo vetëm në burimet serbe, të cilët- sidomos disa kronika të shkurta- janë të pakta dhe nuk janë kryesore për historinë e Skënderbeut, një fakt i njohur i gjithë historianëve profesionistë, por edhe në burimet greke (kronika e Laonikos Chalkokondyles-it) dhe latine (aktet të administratës venedike, e cila nuk kishte asnjë motiv për t’i sllavizuar emrat të fisnikërisë arbre)..”. Është e vërtetë që: “askund nuk thuhet se Skënderbeu ka qenë serb”. Megjithatë dikush shqetësohet nga prejardhja e Skënderbeut! Pyetja e gazetarit: Sipas librit tuaj, cila është prejardhja e Skënderbeut? Përgjigje: “Në radhë të parë, përfytyrimi ynë modern për përkatësinë tonë etnike nuk mund të transferohet në mesjetë. Së dyti, Skënderbeu është ndjerë arbër dhe kjo është vendimtare, pasi identiteti përcaktohet ashtu si ndjehet individit. Në të gjitha burimet arkivore, dokumentohet se ai është ndjerë si udhëheqës i Arbërisë dhe njëkohësisht ai ka qenë pjesë e aristokracisë ballkanike, duke qenë i miqësuar me shumë familje të rëndësishme të rajonit…”
Nga sa sipër duket sikur autori i librit na qenka “takuar” personalisht me shpirtin e heroit të pavdekshëm, i cili ka 542 vjet që flenë në gjumin e pafundësisë së kohës! “Skënderbeu është ndjerë arbër dhe kjo është vendimtare, pasi identiteti përcaktohet ashtu si ndjehet individi...”. Më tej: “…është absurde të thuhet që Skënderbeu s’ka qenë arbër, sepse për të ideja e besës shërbente edhe si motiv për politikën praktike,…”. Schmitt i kundërvihet Schmittit! Problem më shumë të panjohura! Nga ana tjetër faktet dhe dokumentet. Ato, për fat të mirë, nuk merren me ndjeshmërinë, por kryesisht me identitetet, vlerat e kontributet. Skënderbeu nga baba Gjon ka qenë me origjinë, gjak, fis, gjuhë, me mish e me shpirt arbër. Kjo është e vërteta. Ndryshe, si mund të udhëhiqte Arbërinë në betejat e saj legjendare për një çerek shekulli duke rrezikuar edhe jetën? Të gjithë njerëzit dinjitoz të kësaj bote i përkasin në radhë të parë familjes, origjinës, fisit, gjuhës amtare dhe karakteristikave të tjera të përbashkëta të kombit të tyre. Ndjeshmëria vjen pas, ajo është diçka subjektive dhe veçori e brendshme e njeriut, i cili mund të ndjehet edhe qytetar i të gjitha kombësive të botës. Kjo ndjesi, sado e fuqishme të jetë, nuk përcakton identitetin dhe shpirtin e vërtetë të tij.
Në librin Historia e Jetës dhe e Veprave të Skënderbeut e Marin Barletit, botim i vitit 1964, përkthyer prej origjinalit latinisht nga Stefan J. Prifti në lidhje me origjinën, emrin dhe kombësinë e heroit lexojmë: “Gjatë kësaj kohe, në Epir,- që të mos kujtoni se dëshiroj të zgjatëm fort qysh në fillim me historitë e huaja-, shquhej ndërmjet mbretërve të vegjël dhe princërve të tjerë emri mjaft fisnik i Gjon Kastriotit për sundimin e tij si në qytete të tjerë, si në Krujë veçanërisht. Dhe me qenë se nuk e quaj me vend që fisi i Skënderbeut të mbetet krejt i panjohur, por edhe s’kam ndërmend që të përshkruaj tërë vargun e të parëve të tij, do të jem i kënaqur të prek vetëm një gjë, se krerët e fisit të Kastriotëve kanë rrjedhur nga Mati prej një dere fisnike dhe se kanë sunduar në Epir njëkohësisht me lavdi e fatbardhësi. Mbi këta të gjithë, siç fillova të tregoj, ishte pikërisht Gjoni ai që spikati për urtësi, rëndësi e shpirtmadhësi të paepur, pastaj edhe për virtyte të tjera, si edhe për bukurinë e rrallë të trupit, në se në këtë rast vlen të përmendim edhe këtë veti…”, faqe 49-50.
Shkojmë edhe një herë te intervista e profesorit, “… Se ai (kupto Skënderbeu) ka qenë pjesë e aristokracisë ballkanike, duke qenë i miqësuar me shumë familje të rëndësishme të rajonit…”. Shumë mirë! Ndërkohë po vazhdojmë të lexojmë Barletin: “…Gruaja e këtij(kupto Gjon Kastriotit) e kish emrin Vojsavë, të cilën e bënin jo të padenjë për atë burrë më nj’ ane i  ati shumë fisnik, princi i tribalëve, m’ anë tjetër bukuria, sjellja dhe shpirti i saj i lartë për mbi natyrën e femrës. ... Tribalët është emri i një fisi, i cili në kohë antike, banonte në trevat e Maqedonisë dhe e Bullgarisë së sotme. Me këtë emër Barleti këtu dhe gjetiu quan banorët sllavë të këtyre vendeve.”, Përkthyesi.
Parathënia e librit fillon: “Kjo vepër është shkruar për lexues jo shqiptar. Ajo shpjegon shumë gjëra, të cilat duhet të jenë të njohura për lexuesin shqiptar”. Atëherë kujt i shërben ky libër me vlerë dhe voluminoz i përkthyer me aq kujdes e cilësi në gjuhen Shqipe kur shumë gjëra janë të njohura për…?! Me keqardhje konstatohet se është hiperbolizuar zakoni barbar i gjakmarrje deri në atë shkallë sa të gjitha betejat luftarake 25 vjeçare të popullit Arbër për mbrojtjen e atdheut qenkan zhvilluar si rezultante e “shkëndisë”, e cila ndezi “zjarrin”e urrejtjes e të hakmarrjes së  pashuar të Skënderbeut për vrasjen e babait të tij nga Sulltan Murati! Kjo insinuatë edhe pa dashje hedhë hije dyshimi dhe zhvlerësimi në vetëdijen shekullore të kontinentit plak për kontributin kolosal të Arbërisë e të Prijësit të saj në mbrojtjen e qytetërimit Evropian të shekullit të 15-të nga rreziku i invazionit të Perandorisë Osmane. Kalorësi i famshëm anglez Njupor me 1456 shkruante: “Invasioni i Evropës është i sigurte, sepse s’ka fuqi tjetër që mund ta bëjë këtë rezistencë, po të bjerë kështjella arbëreshe.”
Skënderbeu është i lavdishëm sepse udhëhoqi një popull trim e liridashës në luftën e tij heroike një çerek shekullore. Liria kurdoherë ka “faturën”e saj të shtrenjtë! Ajo fitohet me mund, gjak, vetëmohim e sakrifica. Arbëreshët  kontribuuan edhe për sigurinë e Italisë, Zvicrës dhe të stërgjyshërve të shkrimtarit të nderuar e te tjerë. Idriz Bitlisi, historishkrues i oborrit turk i fillimit të shekullit XVI shkruan: “Dihet, si një e një bëjnë dy, se midis popujve të Rumelisë asnjëri nuk është aq rebel dhe kokëfortë sa populli arbëresh…Arbëreshët, në sulm e në qëndresë, janë shumë të rrëmbyeshëm e të patundshëm. Shigjetat e shtrëngatës së vuajtjeve dhe të fatkeqësive, ata i presin me kraharorët e tyre të hapur dhe nuk vënë kurrë përpara armikut të tyre mburojën e dobësisë e të përuljes ... Vlera luftarake dhe trimëria e tyre tanimë është një fakt i provuar…”. Prononcimet e historianëve  edhe nga kampi i pushtuesve osman nuk kanë fund. Ibn-i Kemal: “Arbëreshët, këta tigra të luftërave malore… kanë për fe kryengritjen… Edhe luftëtari më i dobët i tyre është nga ma trimat në fushën e luftës tamam sikur të ishte kalorës i hipur në kalin legjendar. Ai nuk ka as kalë as edhe mjete lufte, por ka në vend të kuajve shtiza që flakërojnë si vetëtima, ka ushta maja e të cilave është plotë helm si thumbi i grerëzave, ka dhe një hark prej druri bashkë me disa shigjeta, por megjithatë ai është më i fortë se hekuri… Ata qëndronin në majat e thepisura dhe në luginat e maleve të gatshëm për të luftuar dhe vigjilentë për të vepruar në çastin e duhur.”
“Skënderbeu vdiq në janar 1468 në moshë 64 vjeçare, çka lejon të vendosësh lindjen e tij në vitin 1405…”, libër, faqe 48.  Përsëri i kërkojmë ndihmë Barleti: “…Po atë natë që ushtria turke dhe barbare mori arratinë, pas pendimit të shenjtë të rrëfimit dhe pas misteresh të tjera kishtare që i bëri me respektin e duhur vdiq duke  ia dorëzuar shpirtin Zotit të madh me 17 janar në vitin një mijë e 468 pas Krishtit...”. Mjeti justifikon qëllimin! Heroi s’duhet të këtë ditën e vdekjes dhe në qoftë se ajo ekziston patjetër duhen hequr! Edhe përkujtimi çdo vit i 17 janarit. Aq më tepër i ditëlindjes. Gjergj Kastrioti - Skënderbeu ka lindur me 6 Maj 1405, jetoj 62 vjet 9 muaj e 12 ditë dhe mban titullin Hero Kombëtar i Shqiptarëve që nga viti 1965.
Synimi final ...: “…Skënderbeu u kthye në një përmendore, në atë figurë të palëvizshme të hekurt, e cila vështron zymtë nga lartë poshtë prej monumenteve të shesheve të mëdha dhe prej sallave të pallatit presidencial…”, libër, faqe 492. Po përmendoret gjigante të Perandorëve Gjerman e Austriak e te tjerë nga ku dhe si vështrojnë? Mos vallë është projektuar të zëvendësohet Skënderbeun me Ballaban Pashën ose me ndonjë tjetër kolaboracionist të kallëpit të tij?!
Libri mbyllet me fjalët e një kozmopoliti, i cili shkruan me djallëzi se libri i shefit të tij për çudi ka bërë mrekulli!: “… heroi ynë tragjik nuk na është venitur ose tëhuajtur. Përkundrazi, ia ndjejmë edhe më thellë dramën gjigante, përpjekjen e dëshpëruar për t’iu kundërvënë me luftëtarët e tij malësorë perandorisë më të madhe të kohës…”.
Jo Zotëri, Heroi ynë legjendar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu nuk është tragjik por emblemë shekullore e historisë tonë të lavdishme, simbol uniteti dhe krenarie kombëtare.
Luigj Temali

SI E RISOLLA  MJEDËN DHE ANDRRËN E JETËS NË SHKODËR

Flet për gazetën “Dukagjini”, Dr. Dom Nikë  Ukëgjini,  producenti  i filmit dokumentar “Andrra e jetës”
Dr. Dom Nikë Ukëgjini, profesor i lëndës së historisë në Institutin Filozofik Teologjik Shkodër, studiues i zellshëm i historisë së trevave shqiptare, autor dhe redaktor i dhjetëra e dhjetëra botimeve shkencore, por edhe realizues i pesë dokumentarëve historik  në një prononcim për gazetën “Dukagjini” shpjegon motivet dhe punën e grupit  të tij për realizimin e të parit dokumentar -artistik për figurën poliedrike të poetit të shquar Nder Mjeda
Si ju lindi ideja e dokumentarit?
Edhe ky dokumentar është në vazhdën e idesë qe  kishte lindur që në vitin 2005, më rastin e 450 vjetorit të librit të parë në gjuhën shqipe “Mesharit” të Gjon Buzukut, me ç`rast  realizova dhe  filmin e parë dokumentar-artistik “Un doni Gjoni”. Ideja ishte paraqitja në mënyrë vizuale artistike para opinionit publik të figurave të rëndësishme të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ekranizimi i figurave të shquara apo të ngjarjeve të rëndësishme të kombit tonë, në krahasim më librin e shkruar, sot është mënyra më efikase për te informuar, edukuar popullin tonë, ku do që ata jetojnë dhe veprojnë.
Edhe pse kanë kaluar shtatëdhjetë e dy vjet nga ndërrimi i jetës së Ndre Mjedës, ai behët gjithnjë e më tepër figurë frymëzuese dhe intriguese për kulturën shqiptare. Kjo qe arsyeja që më nxiti mua dhe studiuesin e njohur të Mjedës, Mentor Quku që morëm iniciativën për të filluar realizimin e ekranizimit të jetës dhe veprës se tij.
Çfarë të rejash sjell ky film nga jeta dhe vepra e Mjedës në tërësi?
Filmat dokumentar  zakonisht nuk kanë si synim të vetin të sjellin gjëra të panjohura, por në limitin e tyre kohor, të paraqesin në mënyrë sa me të përmbledhur para publikut, jetën dhe veprën apo porosinë e autorit për të cilin behët fjalë apo të ngjarjes  të caktuar.
Filmi “Andrra e Jetës”  skenarin  të cilit e ka shkruar njohësi më i mirë në botën shqiptare i Mjedes, Mentor Quku, botuesi gjerë tani e pesë veprave të tija, për ata të cilët nuk i kanë pasur në dorë veprat e tija dhe për publikun e ekranit televiziv, më siguri sjell njohuri të reja dhe zgjon  një interesim të madh. Dom Ndre Mjeda, sipas skenaristit, del si  figurë e madhe e kulturës shqiptare: poet, përkthyes, poliglot, atdhetar, njeri me virtyte dhe karakteristika shqiptare, por mbi të gjitha meshtar i vyer, teolog i spikatur dhe bari i përshpirtshëm, mjeshtër i madh i vjershës dhe poemës. Ai me veprat e tija ka ofruar vargje të bukura më plotë ndjenjë e sharmë artistik,  duke përfshirë brenda tyre personazhe, situata, ngjarje historike të fokusuara nga jeta e përditshme e njeriut të thjeshtë.
Në çfarë raportesh qëndron fryma e dokumentarit në linjën artistike?
Filmi fillon me Mjedën në Kukël dhe po aty përfundon më vdekjen e tij në vitin 1937. Koncepti i filmit është Mjeda në retrospektivë. Ai, në moshën e thyer, në famullin e Kuklit, zgjon kujtimet e tija jetësore duke kontaktuar fizikisht më objekte të ndryshëm, si: fotografit, dorëshkrimet, botimet e librave e te tjera. Filmi, në kohëzgjatje prej 42 minutash, përveç frymës dokumentare, ka një linjë të rindërtuar me aktorë si, Tonin Gega, në rolin e Mjedës dhe figurantë të ndryshëm. Për të risjellë  edhe një herë në kohë, ngjarje të mëdha, jo vetëm në jetën e poetit, por mbarë vendit, është “sjellë në jetë” përmes aktorëve, jo vetëm Mjeda, por edhe At Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi e te tjere, si figura të shquara të Kongresit të Manastirit. Përmes aktorëve janë inskenuar disa momente të rëndësishme si: Femëria, përkushtimi si famullitar në Vig dhe Kukël, arrestimi nga Shaqir Pasha 1902, Kongresi i Manastirit, jeta e tij si poet, i cili ka lënë në letërsinë shqipe vepra të rëndësishme, krahas “Andrrës së Jetës”, edhe vepra të fuqishme, si poema “Lirija”, “I tretuni”, elegjia “Vaji i bylbylit” e te tjera.
Nëpërmjet linjës dokumentare, filmi paraqet shkollimin e tij nëpër qendrat e njohura evropiane, pjesëmarrjes në Kongresin e Orientalistëve në Hamburg në vitin 1902, rreth çështjes së gjuhës shqipe, zgjedhja deputet në vitet 1920-1924, kontributi në Komisionin letrare  të Shkodrës e te tjera.
Jeni të kënaqur nga puna e grupit realizues?
Grupi realizues i filmit, i përbërë nga Gjovalin Gjoni, regjisor; Tonin Gega, aktorë dhe Marina Jaku e cila është përpjekur t’i sjellë aktorin dhe figurantët sa më ngjashëm me figurat e vërteta. Ata, për disa muaj më radhë kanë punuar, në mënyrë intensive më një përkushtim të jashtëzakonshëm. Grupi realizues punën e kishte kuptuar më tepër si pasion se sa një detyrim, kjo gjë më bënte që të punoja me më shumë kënaqësi dhe entuziazëm. Gjithashtu jam i kënaqur edhe pjesën tjetër të grupit: Gjon Shllakun, formuluesin e  muzikës si dhe Drita Shytin, i cili  më mjeshtri të madhe dhe duresë e ka bërë  montazhin e filmit. Kam kënaqësi të përmendi dhe punën e bërë nga të dy grimierët ndihmëse, Vitore Gështenja dhe Arta Gjuraj, të cilat kanë ndihmuar tek organizimi i skenave masovike, si dhe grupin përcjellës të Motrave Engjëllore të Shën Palit. Kontribut të vyer kanë dhënë dhe figurantët e shumtë, të cilët kanë qenë angazhuar tek inskenimet  e skenave  masovike.
Cilat ishin vështirësitë e realizimit te filmit dhe si ia dolët?
Xhirimet e dokumentarit janë bërë edhe jashtë vendit ku Mjeda ka kryer studimet filozofike dhe teologjike si në Chatenau des Alleux, pranë Lavalit në Francë, ku ka studiuar për një kohë të shkurtër, për të vijuar në Kraljevicë të Dalmacisë, ku ka përfunduar studimet filozofike (1877-1887), pastaj në Krakova të Polonisë, ku kreu studimet teologjike (1887-1895) e te tjera. Ndërsa, brenda vendit xhirimet janë realizuar në Shkodër dhe ne rrethinat e tij. Ato më kryesore janë realizuar në famullinë e Kuklit, në komunën e Bushatit, ku Mjeda kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij klerikale dhe letrare (1906-1937), ku la gjurmë të dukshme edhe materiale. Për realizimi i një filmi të kësaj natyre, natyrisht se ka vështirësi të ndryshme, nga ato organizative deri tek mungesa e mjeteve financiare. Më mungesën e këtyre të fundit, na janë kufizuar disa xhirime jashtë vendit, zgjerimi i grupit të punës si dhe dhënia e një shpërblimi qoftë dhe modeste për ekipin që punuan e te tjera.
Filmat dokumentar si prodhim jofitimprurës për shkak të rëndësisë dhe shpenzimeve qe kanë, janë detyrim i institucioneve shtetërore, si: televizioni, Kinostudio dhe ministrit përkatëse! Por meqenëse këto institucione tek ne, janë shume pasive dhe të korruptuara atëherë i takon individit vullnet mirë që pa asnjë njëlloj përkrahje të bëjë punën e tyre. Flas nga përvoja disa vjeçare që kam më këto institucione.
Ju jeni producent edhe i pesë filmave dokumentarë të tjerë, cilët janë ata?
Po kam realizuar dokumentar: “Dorarti gojëmbël”, ne 2003( kushtuar dom Simon Filipaj); “U doni Gjoni”, ne 2005 (Gjon Buzukut); “Pak dritë në errësirë”, ne 2006 (Franga Bardhit); “Misioni i ringjallur”, ne 2007 (Jezuitet ndër shqiptar); “Heronjtë e Librit”, ne 2008 (Përkthimet biblike).
Çfarë projekte keni në të ardhmen?
Planet janë të shumta, por mundësit janë të vogla.  Duke pasur parasysh se filmat e kësaj natyre, kanë një rëndësi te madhe për kulturën shqiptare dhe se janë të mirëpritur tek shqiptarët kudo qe ata jetojnë dhe veprojnë,  unë, do gjejë kohë,  krahas punëve të mija klerikale, që për çdo vit të mundësoj realizimin një filmi dokumentar. Secili film do jetë i radhës, le të mbetët kjo gjë për tu zbuluar.
Prele Milani: Ju falënderoj për këtë interviste, për ekspozenë e punës se jashtëzakonshëm qe bëni ne shërbim te njohjes dhe publikimit te figurave klerikale qe i kane shërbyer me mish dhe me shpirte, me sakrifica te jashtëzakonshme komunitetit ku punuan dhe deri ne nivel kombëtar.

***
Kush është dom Nike Ukgjini?
Nikë Ukgjini, u lind më 19 janar 1957, në Dugojevë, Klinë-Kosovë. Mësimet fillore e kreu në vendlindje, ndërsa ato të mesme në Paulinum në Suboticë të Vojvodinës. Studimet pesëvjeçare filozofike dhe teologjike i ndoqi në Zagreb (Kroaci) gjatë viteve 1976 -1982.
Si  klerik shërbeu në famullinë malore të Gucisë (pjesa veriore e Malit të Zi), më pas në kishën e Shkrelit-Malësia e Madhe; në famullinë e Shën Gjergjit, buzë lumit Buna dhe nga 2006 është famullitar në Kishën e Kuklit komuna  e Bushatit.
Veprimtaria shkencore:
Në vitin 2003, pran Universitetit të Zagrebit, në Fakultetin e Teologjisë, dega e historisë,  mbrojti doktoraturën me titull “Shqiptarët katolikë në Shqipërinë e Veriut dhe në Malin e Zi të sotëm gjatë shek. XV-XIX”.
Është  docent i lëndës së historisë pranë Institutit filozofiko-teologjik në Shkodër dhe kryeredaktor i revistës “Kumbona e së Dielës”.
Autor dhe redaktor:
Autor i librit “Shkreli”, Shkodër, 1989, dhe “Shqiptarët katolikë në Shqipërinë e Veriut dhe në Malin e Zi të sotëm gjatë pushtimit osman ne shekullin XV-XIX”, Universiteti i Zagrebit, (gjuhën kroate) Zagreb, 2002.
Redaktor i librave: Nevila Nika, “Dioqeza e Shkodrës në shekullin XVIII sipas dorëshkrimeve arkivore”, Phoenix, Shkodër, 2001; Dom Ndoc Nikaj, “Kujtime të nji jetës së kaluese”, Plejad, Tiranë, 2003; Zef Mark Harapi, “Ditt e trishtimit n` Pejë e nder rrethe, 1912-1913”, Dukagjini, Prishtinë, 2004; Dom Mark Dushi, “Tirana dhe Rrethinat e saj”, Toena, Tiranë, 2005; At Benedit Dema, “Fjalë të rralla në gjuhën shqipe”, Toena, Tiranë, 2005; Lovro Mihaçeviq, “Nëpër Shqipëri”, Tiranë, 2006.
Bashkëredaktor i librave: “Krishterimi ndër Shqiptarë”,  Shkodër, 2000, dhe “Bibla Shqip dhe Tradita”, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë, 2004.
Bashkërecensent i librit: Romeo Gurakuqit, “Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës 1911”, Shkodër, 2002; Gjekë Gjonaj, “Prekë Cali, piramidë e gjallë e kufijve”, Gjergj Fishta, Tiranë, 2005; Tonin Çobanit, “Frango Bardhi dhe relacioni i tij”,  Zagreb, 2006.
Autor i shumë  artikujve studimorë dhe pjesëmarrës i dhjetave Konferencave Shkencore, brenda dhe jashtë vendit.
Bashkëbisedoi Prele Milani

MIGJENI “VRITET” NE PERVJETORIN E VDEKJES SE TIJ

Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni ishte thuajse i fundmi legjionar(brenda dheut te tij) ne Shkodër qe ndikoj fuqishëm ne pagëzimin e qytetit te tij, Shkodres, me emërtesën “Djepi i kulturës kombëtare”. Migjeni ose Meteori qe u shua ne rini, vdiq ne “Ospedale Valdese”, ne Tore Felice afër Torinos, ne te Premten e 26 Gushtit 1938. Ne shtypin e Tore-Pelices shkruhej për nekrologjinë e tij: “Ne spitalin Valdes vdiq te Premten qe shkoi djaloshi shqiptar qe ishte shtruar pak kohe me pare, Millosh Nikolla, vjeç 27. Shërbimi i varrimit, nen kryesine e pastorit sig. Giulio Tron, u krye te Shtunën pas mesdite ne prezence se motrës sig. Olga, e cila me dashuri e mallgjim i qëndroi pranë ne çastin me te fundit dhe fatal. I shprehim ngushëllimet tona”1) Si përgjigje te atyre ngushëllimeve lexojmë po ne atë fletore: “Motra Olga dhe kolonia shqiptare e Torinos, te prekur thellësisht nga nderimi i paharrueshëm qe iu be përdëllyerit Millosh Nikolles, falënderojmë nga zemra drejtorinë e spitalit “Valdes”, pastorin zotin Giulio Tron, drejtorinë dhe zonjat e “Villes Elisa”, e gjithë ata qe morën pjese ne varrimin e te përdëllyerit te dashur …”
Besoj se këto dokumente e shume e shume te tjera si këto mjaftojnë për te pase te qarte vlerësimin qe një vend i huaj si Italia i beri djaloshit e “dorës se arte te letrave shqipe”, Migjenit. Thirrja e tij: “Vetëm mos vdekça ne dhe te huaj” nuk u be realitet, kështu qe Migjeni iu shtua listës se shqiptareve te mëdhenj qe frymën e fundit e lëshuan poshtë qiejve te huaj siç ishin: Naum Veqilharxhi, Naim Frasheri, Filip Shiroka, Anton Zako Çajupi, e te tjerë.
I njohur për prozën e tij te shkurtër ne llojin e skicës ne rrymën e realizimit kritik, për poezinë e fuqishme e fshikullues, për fjalën e tij te afte për te biseduar me te ardhmen, për vizionin prodhues te realiteteve te reja, për gjetjen e personazheve përgjithësuese brenda pak metrave katrore Migjeni denjësisht do te vendoste një “gurë këndi” ne tempullin e kulturës se asaj kohe. Për faktin e mire ne kokat e njerëzve mendjekthjellëte vlerësimi për te qëndron i patundur edhe sot. Pishtolet e ngrehura nga njerëz anadollake ne mendime e veprime nuk mund ta vrasin kurrë fosforeshencën e krijuesit elegant.
Ne pasaportën qe pati marre ne Manastir tek konsullata shqiptare për te vajtur tek e motra, Lenka ne Tivar gjejmë te shkruar: “Shtati i larte, balli i rregullt, sytë gështenjë, hunda e rregullt, goja normale, flokët gështenjë, mjekra e mustaqet e rruara, ngjyra e bardhe, shenja te veçanta s’ka”. Ky ishte pak a shume portreti shpirtëror dhe ai fizik i djaloshit shqiptar qe mendja e tij ka gatuar: “Kanget e ringjalljes”, “Kanget e mjerimit”, “Kanget e perëndimit”, “Kange ne vete”, “Kanget e rinise” e “Kanget e fundit”. Por ne vendin e tij, ne Shkodër, si për çudi 71-vjetori i vdekjes se tij nuk përbën tashme ndonjë sinjal kujtese apo nderimi nga ata qe gjithë ditën e lume “pëllasin” me thënien ne goje “Shkodra ka qene djep kulture” dhe si antipode te saj gjithë ditën e lume e nëpërkëmbin kulturën e saj me amoralitetin me te skajshëm qe mund te mbart mendja njerëzore. Nuk është vetëm Migjeni qe anashkalohet ne këtë vend, por ka edhe te tjerë si Camaj apo Koliqi. Këto veprime e fundja dëshirojmë qe te jene produkt thjeshte i një injorance qe ka pushtua gjithandej dhe jo një strukture rrjetore ilegale qe vepron mbi baze urdhrash ilegale. Tempulli i kulturës, godina e teatrit, mban emrin e Migjenit dhe për këtë lutim Zotin qe ndonjë dite te mos ia shkrepe ne koke ndonjë neonazisti apo neofashisti për te propozuar zëvendësimin e tij me ndonjë emër horri te përmendur për hajdutëri pulash!!!
Vërtetë njerëzit e pyesin veten nëse ka seksion kulture pranë qarkut, prefekturës apo bashkise, nëse ne këtë vend ka universitet ku gatuhet e ardhmja duke respektuar edhe vlerat e se kaluarës, nëse ne këtë vend ka televizione lokale apo kombëtare qe i shërbejnë këtij komuniteti apo thjeshte servilosen duke ndërtuar buste heronjsh pushtetar me llafe qe i lëshojnë pa kriter si lopa bajgën.
A mund te injorohet një përvjetor i një njeriu te madh për te cilin Kadareja thotë: “Migjeni ishte kundërshtuesi i pamëshirshëm i çdo lloj konformizmi ne art, nga qe i dhimbset vendi i tij ai është kundër idealizmit te tij nga qe e do përparimin e vendit te tij ai është kundër traditave te ngrira, euforie, krenarisë boshe kombëtare, këto ganxha qe e mbajnë te mbërthyer Shqipërinë e nuk lenë te ece” 2)
Largpamës ne poemën “Te birte e shekullit te ri”, Migjeni do te shprehej :
“S’duem për hir te / te kalbsinave te vjetra qe kërkojnë  “shenjnim” / te zhytemi prapë ne pellgun e mjerimit / qe te vajtojmë prapë kangen e trishtimit / kangen monotone pa shpirt, te skllavnise / te jem’ një thumb i ngulun nder tru e njerëzisë / ... “.
Përvjetorë te tilla janë te pafalshme për tu kaluar ne heshtje ose heshtja për to është  një vrasje ne përvjetor.
Sikur te mos mjaftonte me kaq, tek disa gojëshqyer vesh me vesh dëgjon edhe paçavure thëniesh si: “Migjeni ishte komunist” e nuk meriton vlerësim!!!
Brava ju qofte ju bijve te shekullit te ri!!! A thua do tu shkonte për shtat një strofe fishtjane e pashkruar këtyre palo njerëzve:
“O shqiptar, o mendjemëdhenj / O shqiptar, o fukara / Pergjys kryet me jau nda / Copa copën ka me sha!”
Po te vritet Migjeni, dijeni se ka për tu vrare një cope nga trualli shekullor i Shkodres.
…………………………….
Referenca:
1 Skender Lucrasi, vepra “Migjeni”,
2 Ismail Badare, “Ardhja e Migjenit ne letërsinë shqipe”
LAZER KODRA

Në Europë duam të hyjmë kështu siç jemi…

Flet Kryetari i Komunitetit Mysliman të Myftinisë  Shkodër
Imam Ndriçim Sulejmani:

Bashkëbisedoi Prelë Milani
Kryemyftiu  i Shkodrës, Imam Ndriçim Sulejmani në një prononcim për gazetën “Dukagjini” parashtron arsyet e forta të kundërshtimit të ligjit për lidhjet martesore brenda llojit, duke e quajtur një nismë të tillë si deformim i ligjit themelor të familjes së shenjtë, gjë e cila fatkeqësisht do çonte në rrënimin e kodeve tanë më të mira morale dhe etike, me të cilat jemi lavdëruar si shqiptar dhe në se duhet të shkojmë në të dëshiruarën Europë, duhet të shkojmë në Europë si shqiptarë jo si turmë amorfe pa identitet. Imam Sulejmani thekson, se Shqipëria përbën një shembull tipik harmonisë fetare dhe këtë  solidaritet të fuqishëm tradicional do ta shprehim edhe në mbrojtje të familjes  si bërthama qelizore  e shoqërisë shqiptare
Imam Sulejmani,  si e vlerësoni nismën për miratimin e një ligji, i cili lejon miratimin e martesave mes personave të së njëjtës gjini?
Ç’është e vërteta jemi befasuar me lajmin, i cili ngriti peshë jo vetëm komunitetet fetare të Shqipërisë, por edhe shoqërinë civile me të gjitha shtresat e saj. Duke marrë të mirëqenë hapat për integrimin e Shqipërisë në BE-ë, ishte tronditëse për shoqërinë shqiptare por edhe për ne si komunitet fetar që të dëgjonim se ndër hapat e parë e pranimit të Shqipërisë të ishte martesa brenda një gjinie. Ju e keni vënë re se sa i papranueshëm është ky nocion për popullin shqiptar, i cili menjëherë shprehu rezervat e tij për këtë projekt-ide. Po ashtu edhe prononcimi i tre komuniteteve tradicionale të interesuar për mbrojtjen e familjes, çka lë të kuptohet se familja në Shqipëri zë një vend të rëndësishëm, dhe se akoma vazhdojnë të ruhen vlerat e saj dhe natyrisht që ky është një element pozitiv që na përket ne shqiptarëve dhe mënyrën se si shqiptari e përmbush detyrimin e tij ndaj familjes. Kjo nisëm është e papranueshme jo vetëm për shqiptarët por për të gjithë shoqërinë njerëzore. Në Europë, ne duam të hymë kështu siç jemi me besimet tona tradicionale që mbrojnë vlerat e shoqërisë njerëzore dhe korrigjojnë defektet e shoqërisë me optikën e arsyes dhe të udhëzimeve të shenjta të Zotit Fuqiplotë.   
Berisha, ka deklaruar se miratimi i këtij ligji është kusht i Bashkimit Evropian, i cili vjen si miratim i shoqërisë civile, sipas jush është i mjaftueshëm ky argument për një nismë të tillë?
Kam përshtypjen se duhet të ndreqim paksa terminologjinë e trajtimit të këtij problemi, sepse lidhja e dy personave nga e njëjta gjini nuk mund të quhet martesë në këndin fetar, por një sëmundje e lindur tek një grup njerëzish tek të cilët nëse u legjitimohet sëmundja e tyre dhe përhapin këtë sëmundje në mënyrë ligjore, do të rrezikojnë ata që përbëjnë shumicën e që janë familjet tona të krijuar nga martesa e rregullt e pastër dhe legjitime. Më shumë se sa argument unë mund ta quaj një pretekst për të ecur përpara me miratimin e ligjit në fjalë, sepse me këtë logjikë nëse jemi aq fanatikë në zbatimin respektimin e të drejtave duhet të parashikojmë edhe gjëmën e madhe se “diskriminimi” do të ndërrojë vend nga “pakica homoseksuale” në kurriz të shumicës që janë familjet tona të krijuara në mënyrën origjinale ashtu siç e ka dhënë vetë Zoti i Madhërishëm. Kështu argumentimi që prezanton idenë e hedhjes në projekt ligj, respektimin e të drejtave të kësaj shtrese minoritare (gjithmonë sipas variantit të paraqitur nga qeveria pasi ne nuk kemi parë ndonjë reagim të kësaj pakice të përmendur në Shqipëri që të mund të aludojmë) bie ndesh me natyrën patriarkale të shoqërisë shqiptare dhe mënyrën origjinale të shumimit të shoqërisë njerëzore. Dashje pa dashje logjika e kësaj “martese” kundërshton atë që Zoti e bëri ligj funksional për shoqërinë njerëzore martesa ne mes mashkullit dhe femrës. Sipas  librit të shenjtë të Kuranit, Zoti i Madhërishëm shprehet {O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë}. 49:13
Qëndrimi i besimit islam për homoseksualët është: kjo sëmundje është e hershme. Praktikimi i kësaj sëmundjeje në mesin shoqëror ndër kohëra ka qenë shkaku që ka sjell edhe hidhërimin e Zotit mbi njerëzit. Ja disa nga tekstet origjinale të Kuranit për popullin e të dërguarit të Zotit, Luti paqa qoftë mbi të {Përkujto kur popullit të vet Luti i tha: “A punoni të shëmtuarën, që asnjë nga popujt e botës nuk e bëri para jush”. Vërtet, ju të shtyrë nga epshet u afroheni burrave duke i lënë gratë. Po, ju jeni popull i shfrenuar”. (Kurani, 7-80,81)
27:54. (Përkujto) Lutin kur ai popullit të vet i tha: “A bëni atë punë të shëmtuar që edhe vetë ju e kuptoni (se është e keqe)?”
27:55. A vërtet, ju nga epshi kontaktoni me meshkujt, i braktisni gratë tuaja? Ju jeni popull injorant.
27:56. Përgjigjja e popullit të tij nuk qe tjetër vetëm se thanë: “Dëbojeni familjen e Lutit nga vendi juaj, sepse ata janë njerëz që ruajnë pastërtinë!”
27:57. E Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij, së cilës ia caktuam të mbetet me të dënuarit.
27:58. E kundër atyre lëshuam një shi (me gurë); i shëmtuar ishte ai shi për ata të cilëve iu kishte tërhequr vërejtja.
Argumenti i përdorur është se ai do mundësojë mos diskriminimin e personave homoseksual. Si e shikoni këtë argument dhe cili është qëndrimi juaj ndaj personave homoseksual?
Unë kam bindjen se kjo ide e cila u hodh për t’u shtjelluar në qeveri nuk do të realizohet dhe do të rishikohet edhe njëherë nga propozuesit, sepse besojme në atë që si shteti ashtu edhe besimet fetare ne vend janë të interesuar për të mirën e vendit dhe të shoqërisë. Imagjinoni për pak çaste sikur ky ligj të miratohej çfarë përplasjesh të mëdha do të sillte mes komuniteteve fetare tradicionale të Shqipërisë (myslimanë, të krishterë dhe ortodoksë) që çdo ditë me mish dhe shpirt mbrojnë vlerat e familjes dhe thërrasin për jetë të ndershme larg çthurjes së krijesës së të Madhit Zot dhe krijimit të organizatave apo shoqatave homoseksuale të mbrojtura me ligj që në anën e tyre bëjnë thirrje për të kundërtën kësaj. Në një anë, një kamp që thërret për martesën e natyrshme që Zoti i frymëzoi njerëzit drejt saj dhe në anën tjetër organizata që në emër të asaj që në gjuhën e sheriatit është sëmundje, do të kërkojnë të rekrutojnë të tjerë për të zgjeruar përmasat e tyre që detyrimisht zgjeron dhe infektimin e qelizës familjare të popullit Shqiptar.
Përfundimisht për këtë pyetje miratimi i këtij ligji për familjen shqiptare do të ishte një rrezik i madh dhe me pasoja të pa parashikuara.
Kundër këtij ligji kanë reaguar edhe besimet e tjera, a do të jeni të bashkuar në një sensibilizim shoqëror për parandalimin e një nisme të tillë që mund ta vërë shoqërinë përpara një fakti të kryer?
Edhe ne, si institucion fetar jemi prononcuar në mediat lokale të qytetit tonë në Shkodër për këtë problem dhe jemi solidarizuar duke sensibilizuar qytetarët e Shkodrës dhe të qarkut, besimtarët në ligjëratat e së premtes për këtë çështje. Për sa i përket vijimësisë gjykoj se nuk duhet të ngutemi për të marrë vendim se çfarë do të bëjmë nëse ndodh diçka. Ne po ndjekim me vemendje ecurinë e këtij procesi pas reagimeve të komuniteteve dhe shoqërisë civile. Besojmë se qeveria do të marrë në konsideratë vullnetin e popullit i cili i dha votbesimin për të gjykuar dhe punuar me drejtësi.
Ne komunitetet fetare këtu në Shkodër morëm një nisëm të shkëlqyer dy muaj më parë  përpara se të hapej ideja e këtj projekt ligji duke krijuar nje takim sensibilizues të përbashkët për rolin e familjes dhe vlerat e saj sipas librave të shenjtë dhe kjo pa dyshim që është një nisëm solidariteti për të mirën e përgjithshme të shoqërisë pa marrë parasysh diversitetet por që në vlera njerëzore jemi solidarë.
Prele Milani: Ju faleminderit per kete interviste dhe mendimet qe dhate per gazeten “Dukajini” ne lidhje me nje teme qe eshte objekt i tere shoqerise shqiptare.

Veprimtaria gjuhësore  e Martin Camajt është mjaft e pasur dhe më shumë interes, por jo shumë e njohur pasi është në gjuhë të huaj. Sot në Shqipëri po bëhen përpjekje më tepër që vepra e Martin Camajt të njihet nga lexuesi shqiptar më shumë në fushën e krijimtarisë së tij letrare se sa gjuhësore. Megjithatë vepa e tij edhe në aspektin gjuhësor paraqet vlera të veçanta. Ajo duhet të studiohet me përparesi të veçantë dhe që të mjihet më mirë nga lexuesit dhe studiuesit.     Prof.dr. Tomor Osmani

MARTIN CAMAJ
(vijon nga numri i kaluar)

Në shtratin e marimangës

Shtegu rranzë malit andej lumit të Kirit zgjatej nga skaji në skaj si rrjedhë gjelbrimi, mbulue me barna e lakna të egra. Ato atë vjetë nuk i kishte shkelë njeri, as prekë një buzë frymori dhe zbathë më mbërrinte bimësia deri në zokthin e kambës.
Në anën e epër të rrugës qiti përjashta laknishtja, që kishte erën e djathit të njomë, një krye gjallnese: ishte fryma e dheut tim në atë dhe një emën grueje, Dranja. Ecte me sy ndër rreze, lanë mbrapa nga dielli që kapej përmbi lisa mbas kohës së të cilave u fik mendimi i ditës punëtore në mue!
Dhe e ndoqa atij shtegu deri në fund ku mori fijet e shtratit të marinmangës me krye dhe i perzieu ndër gishta me dijen e grues vektare, tue i endë poshtë e perpjetë nëpër shkorre.
Ndër sy sa grimca në ballin e shemtuem të breshkës Dranja zhbërtheu hareja e një loje të fitueme.

Si gjarpni nën gurë

Ajo kërkonte hijen e dendun në vapë, nga se ende nuk dinte se pusi i ujit të cekët do t’ia kish freskue ma mirë skërfejzit e kambës sa një përçik fëmije.
Lushi, brac nga natyra e jo prej nevojës, sillej harami pyllit, pronë e mbarë katundit, e vidhte degë të njoma gjethi për edha në vathë. Faji i njenit-rreziku i tjerëve! Dranja zbuloi në çubë barrën e gjethit të vjedhun dhe, sikur të ish e bame për atë, futet mbrendë. Era ia përgdheli mishin e fortë; e gzhati me dhambë e trup njomzën dhe u shkarravend ndër fletë.
Kur i pari bulkth nate cicërroi, Lushi vuni barrën e gjethit në krah me breshkë përmbrenda dhe e shtiu në vath. Edhat vetëm mbas ngranies së fletëve u kujtuen në mëmgjes për Dranjen: tërfatnin në të, tue i ndejë largazi si një gjarpni nën gurë.
Breshka e vogël ende shkurt-pamës e ndjeu rrezikun vetëm nëpër rrymë të lëvizjeve  të sendeve përreth. Diçka si lojë fëmijësh-kërcimi i edhave rrotul që pluhnin e imët ia çuen ndër fejzat e hundës. Dranjes i plasi kolli e me atë edhe koka përjashta rrashtës.
Shtrëngue me qitë kryet, nxori edhe kambët përjashta e mori me ecë nëpër vathë pash më pash para edhave të trembun. Skajeve ata e këqyrnin me respekt kinse ndaj gjarprit me rrasën e gurit në krah!
Breshka tash nuk e solli ma kryet mbrapa deri në buzën e lumit dhe shpëtoi pa i hy therrë në kambë kësaj here.

Një gropëz për një drandofille

Dranja  nxirrte me duer e kambë dhé are të butë mes shtegut e murit që ndante rrezet e diellit të vjeshtës së vonë prej hijes së ftohtë. Vorrohej për së gjalli me atë natyrshmëni të bujkut që shtie kambët në këpucë mbas mihjes ose mbulon kryet prej një rigu shiu.
Lëvizte në ritëm sikurse me qenë tue ecë ashtu si përhera përkundshëm, pingul teposhtë. Ndjeva si me qenë tue më nxjerrë dikush mun prej parzmit kuptimin e vdekjes. Për t’u shlirue prej kësaj ndije, u largova andej me qëllim të ktheja ma vonë me tjera mendime. Ndërkohë kuvenda me njerëz me tingull ankues në za si me pasë vikend në grahmat e vdekjes në votër.
Kah ora dy mbasdreke ktheva e pashë  se i kish mbetë jashtë vetëm koka; në ora tre u zhduk. Mbi të dheu rrëshqiste si ujë që rrjedh i qartë, diçka si shorti e fshehtë. Në fund mbeti aty vetëm një gropëz me pluhën të imët si vend i gatuem për mbjelljen e një bime, ndoshta drandofille.

Fisi i panjoftun

Ka rrashtën e Dranjes simbol dhe rri pranë trojeve të rrënuese prore mbanesh. Këqyri si ngriten në bulshane qyteza, amfiteatra e tempuj me gur të nxjerrun nën kambët e tyne. Nalt në brija u kënaq ai fis tue kundrue dritën e anijeve si digjen e përvlohen në ranë. Dhe kur rrëzuan kështjella  e pirgje e sprap për të mos i ra këmbëve gungoret e mureve në rrënim.
Ai fis nuk pati nevojë për tragjedina dhe art skenik: lindja e jeta e popujve buzë detit qe për atë një lojë. Fëmijët në djep i mësuen me njohë dhe me emnue barnat mirëbamëse, yje e sheje në qiell për ndërrime stine e moti.
Ai fis zotave të huej u la emnin e vet për të mos e përlye gjuhën me ta! Më duket se përpara  se me hapë sytë ai popull përvetësoi parimin:
Me qenë gurë i latuem përgjysmë për mos me hy kurrë në shtylla madhështore për të mëkëmbë ndoj tempull, dhe fjala e tij vetëm tingull ndër dhambë të thyem për të mos lanë kund hije në  rrasë, as në pergamenë.
Ai fis ashtë i vetmi që shikoi diellin kokërr e pau një pikë të kuqe në një disk: dritëzën e syve të vet!

Një vete e dy vetë 

Kalon një njeri e shikon nën udhë Dranjen tue nga sa mundet nëpër dushk e therra. Njeriu asht frymor kureshtar! Ai ndalet e këqyr sikur të mos kish pa kurrë në jetë një gjasend të tillë derisa breshka zhduket.   
Po nëse kalojnë dy vetë, ndalen, i aviten breshkës e me një dru çfarëdo, e ngacmojnë para e mbrapa si me dashë ta nxjerrin prej rrashtës së vet, as me qenë rrashta një petk që mund të hidhet kurdo në truall, si me qenë tue e ndeshë për mirakande.
Dranja prandaj, kur i merr erë ajrit e ndien valën e hapave të disharmonishëm që bajnë dy vetë tue ardhë; nëse asht vonë me ikë, ndalet e këqyr përpara hundës dhenë mejtueshëm e gjallesa tjera si veten e vet tue rrëshqitë nëpër gjeth, si me dashë të mbajë çdo gja në kujtesë përpara  se të bjerrë terri mbi sytë e saj.
Ashtu e shtangueme, ngjan si me qenë gurë në sytë e çdo kalimtari.

Përgatiti për botim:
Lauzër Kodra
-------------------
Laknisht/a- arë e mbjellë me lakna,
Vektare- tezgjahiste,
Shkorre/a-shkurre.
Skërfejzit- gishtëzat, 
Përçik- bërçik, vockël,
Brac/i- vjedhës, 
Harami- kaçak,
Gzhati- përpiu,
Njomzë/a- filizë, njomishte,
Shkarravend- shkrra, kapërdis,
Tërfatje- turfullimë,
Kinse- gjoja, gjasmë
Vorrohej – varrosej,
Rigu – vesim siu,
Mun- pikërisht,
Shorti – hise, magji.         
Pror – gjithnjë , orë e çast,
Bulshanë/a - kodrina të buta,
Gungor/e - gurë me gunga, të çarë.    
Nga – vrapue, vrapuar,
Mirakanda – qejf, dëshirë

nëkryenumrat

part03