part01
part02
kryesore historiku aktivitete gazeta botime tetjera

gazeta 40

MES DHIMBJES DHE PËRGJEGJËSISË

Duke përjetuar dhimbjen: Tashmë emërtesa : “Karma e Kirit” fare mirë mund të quhet “varri i komunitetit të Dukagjinit”. Kjo gjë u vërtetua edhe me ngjarjen tragjike të 12 marsit ku nga rrëzimi i një fugoni me pasagjerë gjetën vdekjen 10 persona dhe tre u plagosën. Ky segment rrugor duke filluar nga Prekali e deri në vendin e quajtur Ura e Marknonat nuk është më i gjatë se  5 km, por për nga tragjeditë që ka mbjedhur mund t’ia kalojë çdo segmenti rrugor në botë me të njëjtën gjatësi. Vetëm në dy dekadat e fundit në ketë segment të “zi” rrugor kanë gjetur vdekjen mbi gjashtëdhjetë persona, të gjithë dukagjinas. Të gjithë këta ishin vëllezër, motra e baballarët tanë, të gjithë këta mbollën nga një breng të pashlyeshme përjetësisht në kujtesën tonë. Gjashtëdhjetë veta që falen frymën e fundit në ketë luginë në mes së cilës gjarpëron lumi i Kirit. Nga një përllogaritje e thjeshtë i bie që në çdo 80 m gjatësi rruge të ketë një të vdekur aksidentalisht. Tashmë lulet e vendosura në shenjë kujtimi nga të afërmit e tyre dhe përmendoret me kryqe e emra të gdhendur mbi ta përbëjnë dekorin e dhimbjes së madhe që  afron kjo rrugë për çdo udhëtar të saj. Numri i viktimave thuajse është i barabartë me të gjithë të rënët për liri në betejat e Qafës së Agrit, Qafës së Boshit dhe të Gurit të Kuq kundër ushtrive që donin të pushtonin zonën e Dukagjinit. Kjo rrugë thuhet se është hapur në mënyrë vullnetare dhe pa bukë në bark, dhe me sa duket kërkon të bëjë kurban të madh, por sidoqoftë puna, kjo që ka rrëmbyer deri tani ka tejkaluar çdo përmasë, ndërkohë që e dimë se një kala e tërë qëndroj në këmbë vetëm me kurbanizimin e një gruaje. Brigjeve të këtij lumi kanë mbetur skeletet e makinave të rrëzuara si dëshmi e asaj çfarë ka ndodhur. Është e vështirë që në ketë rrugë të kalojë ndonjë fugon me pasagjerë dhe në sytë e tyre të mos shikosh lot e të dëgjosh ofshama. Të aksidentuarit në ketë segment rrugor u përkasin të gjithë grup-moshave. Kanë mbetur prindër pa bijtë e bijat e tyre, motra pa vëllain e tyre, vëllezër pa motrën e tyre, nuse pa burrin e tyre e anasjelltas. Në Dukagjin nuk ka asnjë të shpëtuar nga “racioni” i dhimbjes dhe i tragjedive të herëpashershme në ketë segment rrugor. Po deri kur do të vazhdohet kështu? Njerëz të mbështjellur nga “petku i halleve” çdo ditë udhëtojnë në ketë rrugë me “shpirt në grusht” në kërkim të përmbushjes së nevojave më minimale për të jetuar apo mbijetuar me familjet e tyre, ndaj urojmë që tragjedi të tilla të mos përsëritën më, urojmë që ky segment rrugor të mos e çel më “gojën” gëlltiste të shpirtrave.
- Duke parë përgjegjësitë: Të vdekurit nuk paragjykohen. Llogaritë dhe përgjegjësit i mbajnë të gjallët. Memoria kolektive e dukagjinasve çdo ditë po i bën pyetje vevetës: Dukagjini a përfshihet në hartën e shtetit shqiptar? A përfshihet në hartën e interesimit të qeverive të këtij vendi për ketë komunitet? A ekziston Dukagjini përhershmërisht apo vetëm përkohësisht në periudhën e fushatave elektorale? Dhe faktet janë aq tronditëse saqë sjellin hije dyshimi për ekzistencën integrale në ndonjë mekanizëm që rëndom quhet “shtet” që në ketë vend për fatin tonë të keq fare pak ka ekzistuar. Të thuash të vërtetën nuk është gjithmonë fitore dhe ajo çfarë është më e pamoralshmja qëndron në faktin se kur në media e podiume trumbetohet fuqimisht për një liri të shumë dëshiruar, në realitet po aq fuqishëm ndjehet mungesa e lirisë së fjalës, pasi fjala e thënë me vërtetësi mund të kushtojë fare mirë si në kohën e sistemit të dhunës, por sot me një sofistikim më të tagentuar, por gjithsesi që kushton jo pak. Është ai komunitet dukagjinas që është ngopur me premtime boshe e mashtrime të të gjitha llojeve, të cilat përsëritën në mënyrë ciklike sapo fushatat elektorale trumbetojnë me borijet e tyre shurdhuese. Ai komunitet ka të drejtën të thërrasë “SOS”!
Është fakt i pakundërshtueshëm se njerëzit e këtij komuniteti paragjykohen në raport me shtetasit e tjerë të këtij vendi, ndërkohë që ata kanë të njëjtën vlerë si shkodrani, tiranasi, vlonjati, durrsaku apo korçari, e të tjerë. Njerëzit e komunitetit dukagjinas nuk janë eremit, nuk janë as shpellarë, por janë njerëz mjaft vital me bujari të pashoqe, me dëshirë të zjarrtë për të ardhmen, me krahë të fuqishëm për punën. Ata jetojnë në sipërfaqe tokash të matura me pëllëmbë, me një tufë bagëtish sa për të mbijetuar, me një asistencë sa qesharake aq edhe të vonuar, e cila në shumicën e rasteve nuk përballon as bukën thatë, me një sistem arsimorë tërësisht të shkatërruar, me një shërbim shëndetësor që nuk ekziston fare, madje aspirinat e analginat blihen në Shkodër sipas porosive që u lenë atyre që zbresin për të blerë miellin për bukë. Është shumë e vërtetë se ne këto komuna ka vite të tëra që foshnjat e lindura nuk vaksinohen sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, kështu që prania e sëmundjeve shfarosëse për foshnjat e këtij komuniteti është gjithnjë evidente.
Qindra fonde thuhet se kanë mbërritur në ketë zonë gjatë këtyre viteve, por efektiviteti i tyre nuk është parë, pasi ato janë përvetësuar nga pak duar të veshura me dorezat e ngjyrimeve politike. Sikur këto fonde të ishin shpenzuar për të bërë prita betonarmeje në Karmën e Kirit., atëherë ky komunitet do të kishte edhe gjashtëdhjetë njerëz më shumë dhe shumë e shumë dhimbje më pak në vatrat e tyre familjare.
Këto familje që aktualisht jetojnë në ketë zonë kanë dëshirë për të zbritur si të tjerët në drejtim të zonave fushore, por mundësitë e tyre ekonomike ua kanë kufizuar në maksimum mundësinë, prandaj nuk është e drejtë të thuhet: pse nuk kanë bërë si të tjerët? Në ditë votimesh është për tu ardhur keq tek shikon dhjetëra furgonë të veshur me flamujt përkatës të partive politike që presin në “Fermentim” e ngarkohen me simpatizantë përkatës për të dalë në Dukagjin e për të dhënë votën për ata që tash sa kohë u servirin këto shanse makabre për jetën e tyre. Duhet pranuar se për sa i përket shtetit ky komunitet është jetim për shtetin që ka. Pazaret e ekonomisë së tyre bëhen në Shkodër nga komunarët në emigrim, ndërsa fatet e tyre përgjaken atje midis shkëmbinjve të thepisur.
Një ditë e një kohë u vendos një kullë për sinjalin e vodafonit dhe më falë Zot veshë për të dëgjuar mburrjet si një arritje e tej e madhe, por çe do se sapo shpërlau me valët e para zonën e Dukagjinit u tha: “lamtumirë se ika” dhe gjithë zona mbeti përsëri në një izolim të plotë informativ. Kjo brengë u vërejt sidomos ditën e tragjedisë së 12 marsit ku në një largësi jo shumë të madhe nga Shkodra fugoni i rrëzuar me pasagjerë, rrinë rreth shtatë orë i pazbuluar pas ngjarjes tragjike. Ku qëndron forca dhe morali i një shteti që në një lumë shumë të vogël e me kthjelltësi të plotë viktimat nuk nxirren deri mbas 24 orëve., bile edhe atëherë ato nxirren me mjete personale nga të afërmit e tyre. Pamjet televizive besoj se  bindin gjithkënd. A është dinjitoze për një shtet që në ketë tragjedi të mos marrë  mundimin qoftë edhe një ministër i thjeshtë për të ardhur në Shkodër e për të ngushëlluar të afërmit e viktimave?! Si mund ta shpjegonte ketë fakt një politikan i përgjegjshëm? Dua tu them politikanëve shqiptarë se shpirti nuk shitet për para dhe dhimbja nuk tkurret me shpërblime.
Policia rrugore kontrollon furgonët e linjës Shkodër-Dukagjin vetëm pasi ndodhin tragjeditë duke ngjallur kështu një lloj përqeshje mbi dhimbjen pakufi. Politika shqiptare duhet ta dijë se mes viktimave pati një nënë që la pas gjashtë fëmijë shumë të vegjël, pati nënë e bijë, pati nxënës shkolle, pati nip e axhë, pati prind që la tre fëmijë të vegjël e nusen e re, pati nga të gjitha dhimbjet njerëzore, prandaj reflektoni sepse Karma e Kirit është prapë aty me atë rrugë po aq të ngushtë e të pa mirëmbajtur, me ata shkëmbinj po aq të thepisur, me ato kthesa shumëgradëshe e pa asnjë lloj prite, me atë lumë përfund që vetëm në pak kohë ka larë trupat e gjashtëdhjetë vetave në largim të frymës së fundit. Zoti e dhashtë që tragjedi të tilla të mos përsëritën! Zoti e dhashtë që ky apel për reflektim nga shteti të mos bjerë në vesh të shurdhër e të hollojë sadopak cipen e përgjegjësisë! Amen!

NJË NGJARJE TRAGJIKE

ZEF NIKA
Fugoni tip “benz”, është nisur në orët e para të mëngjesit të datës 12 mars 2007, ditë e shtune, nga qendra e komunës Shalë-Breglumi. Ai ka pasur vetëm gjashtë pasagjer. Rrugës, në fshatin Kir ka marrë dhe pasagjerë të tjerë për t’i ulur në Shkodër. Gjithsej 13 pasagjer, me gjithë shoferin.
Por, rreth orës 10.30, në rrugën automobilistike Shalë-Shkodër, në vendin e quajtur Shkëmbi i Thethit, afër mëhallës Marknona, në fshatin Kir, fugoni, që bënte ketë linjë përditë dhe drejtohej nga shoferi Gjok Uka, për shkak të një kthese të fortë, është shkaktuar një difekt, ka humbur kontrollin e drejtimit të automjetit, duke rënë në greminë, rreth 120 metra poshtë, në ujërat e ftohta të lumit Kir. Sipas dëshmive, kur fugoni ka rënë në ujë, prej tij kanë dalë menjëherë tre persona: 15 vjeçar Gëzim Cerina dhe 13 vjeçar Marketing Kola-prej fshatit Xhan i komunës Pult, si dhe 55 vjeçar Fran Çuni-prej Breglumi të komunës Shalë. Cerina ka notuar disa metra dhe ka dalë nga uji. Sipas tij, ai nuk e mban mend sa kohë ka notuar dhe sa kohë ka ecur në këmbë, por kujton vetëm momentin kur ka takuar kushëririn e tij Marashin. Ai i ka dhënë ndihmën e parë duke e dërguar në Prekal. Ka qenë Gëzimi që ka lajmëruar për tragjedinë dhe vetëm në orën 17.20 është bërë e mundur që policia dhe strukturat e tjera të shtetit të jenë në vendngjarje. Me ardhjen e forcave të policisë ka qenë e mundur nxjerrja e 10 personave nga ujërat e lumit Kir. Për shkak të errësirës, atë natë, policia ka bërë të mundur vetëm dërgimin e të lënduarve në spitalin rajonal të Shkodrës. Në vendngjarje gjatë gjithë natës kanë qëndruar të afërmit e viktimave, forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe të ushtrisë në pamundësi për të bërë asgjë për nxjerrjen e viktimave. Vetëm me zbardhjen e ditës, rreth orës 05.30 është bërë e mundur nxjerrja e trupit të parë të pajetë të Pjetër Lekës nga fshati Nenmavriq, të komunës Shalë. Më pas një grup polumbarësh nga Ministria e Punëve të Brendshme, kanë mbërritur në vend. Në ora 06.20, të ndihmuar edhe nga të afërmit e viktimave, polumbarët kanë filluar nxjerrjen e trupave të tjerë. Operacioni ka përfunduar rreth orës 10.00. Janë nxjerrë të 10 trupat e viktimave. Sipas polumbarëve disa kanë gjetur vdekjen e menjëhershme dhe janë gjetur në brendësi të fugonit, në vendosjet e para të tij, ulur në sedilje dhe të vdekur; ndërsa të tjerë janë gjetur në një distancë rreth 50 metra larg fugonit. Ata, kanë bërë të ditur se operacioni ka qenë i shpejtë për shkak se ujërat e Kirit janë të kthjelltë dhe shikimin e kanë pasur të qartë gjatë gjithë punës. Gjashtë nga viktimat e kësaj ngjarje tragjike janë nga fshatrat e komunës Shalë: Pjetër Leka dhe Gjok Uka-nga fshati Nenmavriq, Mark Ndrethi, me të renë Zojen dhe Gjergj Lulashi, djali i të vëlljt-nga fshati Nicaj, dhe Shkurte Bregu-nga Breglumi. Katër janë të komunës së Pultit: Kole  Doda, Kushe Doda, me vajzën Elsa-13 vjeçe dhe Kristian Bregu-nga fshati Xhan.
Në vendngjarje ishin të pranishëm kryetari i komunës Pult- zoti Sokol Cubi, i komunës Shalë- zoti Dedë Tonaj, i komunës Shosh-zoti Mark Kulla, deputeti i zonës-zoti Astrit Bushati, prefekti i qarkut Shkodër-zoti Maxhit Cungu, drejtori i policisë së shtetit-zoti Bajram Ibraj dhe drejtori i policisë së qarkut Shkodër-zoti Ahmet Premçi.
Ngjarje e jashtëzakonshme, tragjedi e madhe, plagë që vështirë se mbyllen ndonjëherë, megjithëse dukagjinasi e ka në traditë të dijë të bajë gajret, por të dijë edhe të jetojë e mbijetojë, se vetëm kështu gëzohet jeta dhe vetëm kështu jetohet duke shikuar përpara, por pa harruar kurrë njerëzit e zemrës.
Krysia e shoqatës “Atdhetare-Dukagjini” dhe redaksia e gazetës, familjeve të viktimave në ketë tragjedi, ju shprehim ngushllimet tona, Zoti ju forcoftë për të bërë ballë ketë dhimbje kaq të madhe, dhe mos ju takoftë ti harroni për jetë. Zoti ju bekoftë.

PËR TË MOS SHUAR “BUZËQESHJEN” E TË RINJVE TANË

Tragjedia e pak ditëve më parë, ku kanë humbur jetën 10 persona nga Dukagjini, ka bërë që të qajnë shumë vetë: në ujërat e Kirit janë shuar shumë buzëqeshje adoleshentësh, të rinjsh dhe të rriturish. Por sa buzëqeshje ende vazhdojnë të shuhen në Dukagjinin tonë! Mallëngjehemi për ata që na kanë lënë në mënyrë tragjike, por mallëngjehemi edhe për ata që ka mbetur gjallë dhe nuk do të donim që të shuhej edhe buzëqeshja e tyre.
Prej 12 vjetësh punojmë në zonën e Dukagjinit dhe vëmë re se populli është gjithnjë e më i braktisur dhe nuk dëgjohet në nevojat e tij themelore. U janë bërë shumë premtime, por faktet…
12 vjet më parë, ne Motrat bënim rreth një orë e gjysmë me makinë 40 km që ndajnë Shkodrën prej Kirit dhe ishin shumë: sot që Shqipëria ka përparuar më shumë, bëjmë rreth dy orë e gjysmë (gati dyfishin) për të bërë të njëjtën pjesë rruge, pse? Dhe pse pas çdo udhëtimi mjetet që përdorim për transport duhet të çohen vazhdimisht tek mekaniku? Edhe sa kohë duhet të presim para se rruga të rregullohet?
Është thënë se zona është pak e banuar dhe se trafiku është i paktë. Por nuk është thënë se vendi është i mrekullueshëm, ende i paprekur, natyror. Ka një ajër të pastër, që e kanë zili edhe qytetet më të mëdha të botës, një ujë të pastër dhe të freskët edhe në muajt e thatë. Një vend që, nëse do të vlerësohej, do të duhej të bëhej, në një të nesërme jo të largët, pikë turizmi, pushimi dhe kurimi.
Gjatë këtyre viteve kanë ardhur mjaft turistë. Prej disa vitesh, çdo verë kanë ardhur vozitës austriakë apo zvicerianë që zbresin përgjatë rrëmbesave të Kirit, si edhe turistë polakë që na kanë kërkuar t’i mikpresim edhe pse nuk i njihnim dhe të rinj italianë që bënin shëtitje me biçikleta. Por si mund të ketë zhvillim nëse rruga mbetet kjo që është? Si mund t’i shesin prodhimet e tyre njerëzit tanë nëse vazhdohet të kihet vështirësi për t’u zhvendosur? Si mund të buzëqeshin të rinjtë tanë nëse i shohin të mbyllura të gjitha mundësitë për një rritje ekonomike? Dikush thotë: “Atëherë ulini!”. Dikush tjetër thotë: “Pse s’keni qëndruar atje ku ishit, të paktën kishit patate dhe një copë djathë!”. Do të ishte mirë t’i jepej këtij populli mundësia për të përmirësuar jetën e tyre aty, në tokën e tyre dhe për të mos shtuar numrin e të varfërve në qytet. Dhe si arrihet kjo? Duke filluar përmirësimin e shërbimeve elementare si p.sh. rruga, shkolla, shëndetësia...
Pastaj është komunikimi telefonik. Pse disa në Shqipëri mund ta shohin personin me të cilin flasin në celular dhe ne në Kir nuk mundemi as t’ia dëgjojmë zërin familjarëve apo bashkëmotrave që jetojnë në Shkodër? Nëse neve na ndodh diçka, si mund t’i lajmërojmë ata? Na kanë thënë se një herë e një kohë këtu ekzistonte një telefon publik. Kurse sot nuk arrihen të vihet në punë celularët, sepse mungon një antenë e fuqishme. Kanë premtuar se do ta vënë: edhe sa kohë duhet të presim? Ende duhet të qajmë?
Shpresojmë që jo. Ndërkohë vazhdojmë t’i qëndrojmë afër popullit tonë të Pultit duke u ngjitur çdo të shutën e të diel, duke qëndruar së bashku me ta gjatë gjithë verës, dhe përpiqemi t’u japim shpresë edhe fëmijëve e të rinjve të shumtë që ende banojnë në zonën e Dukagjinit, me qëllim që ata të vazhdojnë të buzëqeshin dhe të mos shuhet siç janë shuar ato të Elsës, të Kristianit, të Shukes… Por që një gjë të tillë të arrihet secili duhet të bëjë punën e vet, dhe jo nesër, por sot, tani. Sepse nesër mund të jetë tepër vonë, dhe Zoti do t’i kërkojë llogari secilit prej nesh për atë që ka bërë dhe për atë që nuk ka bërë, edhe pse duhej ta bënte.
Motër Sandra dhe Motrat Françeskane të
Krishtit Mbret në Shqipëri

Alpet Shqipatare në penën e Aleksej Zhallov

Kohët e fundit, në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofie, doli në qarkullim libri i autorit Aleksej Zhallov, sekretar i përgjithshëm i federatës Bullgare të speleologjisë, si dhe të asaj Ballkanike, me titull “Podzemen Belezhnik” (Shënime të udhëtimeve nëntokësore), botim i shtëpisë botuese “Pal” të Sofies-2005.
Ky libër hapet me parathënien e presidentit të Federatës Bullgare të speleologjisë, Prof. Dr. Peter C. Beron, nënkryetar i parlamentit të sotëm Bullgar, i cili ka bërë disa vizita në vendin tonë, por ka bërë edhe shumë studime e zbulime të rëndësishme shkencore në fushën e biospeleologjisë për Shqipërinë dhe veçanërisht të Alpeve Shqiptare.
Në veprën e tij zoti Aleksej Zhallov shprehet me shumë konsiderata për banorët e maleve tona, në mes tyre komentet për Thethin dhe malësorët e këtij vendi zënë një vend të veçantë. Autori i librit është marrë mirëfilli me studime speleologjike në këtë vend, që ai e quan nga më të mrekullueshmit e Europës. Ai, në Theth, ka shumë miq dhe të njohur të cilëve nga dashuria dhe respekti që ka për Shqiptarët u deklaron “... unë jam shqiptar, unë flas shqip.”
Aleksej Zhallov i njeh mirë doket dhe zakonet e Dukagjinit, folklorin, etnografinë etj. Por ai është si i çmendur pas Kanunit të Lek Dukagjinit, për të cilin është unikal dhe të cilin e vlerëson si një pasuri të madhe të kulturës dhe të së drejtës zakonore shqiptare. Për këtë ai ka referuar në shumë seminare të ndryshme ndërkombëtare , por edhe në ato shqiptare si “Shkodra në Shekuj”.
Mr. Aleksej Zhallov ka shumë miq në Shkodër edhe në Theth, Bogë, Bajzë, Shegan, etj. si Prof. Mahir Hoti, Prof. Gjovalin Gruda, Ahmet Osja, Mentor Quku, Mithat Dibra, Fran Ujka, familjen e Kolë Mark Kronit, Gëzim Kodra, Gjon Dedë Ndoja, si dhe është mik i shtëpisë së Mark Prelë Çarkut dhe shtëpisë së Bajraktarit të Bogës. Ai ka shume kujtime interesante dhe të bukura që nga viti 1992, kur ai shkeli për herë të parë në këto vise mitologjike.
Zoti Zhallov ka hapur disa ekspozita fotografike shumë interesante për Thethin e thethjanët, me pamje nga jeta dhe natyra e këtij vendi të mrekullueshëm, por e pasur edhe në botën shpirtërore të tyre, me një etnografi shumë të pasur që i përshkruan aq bukur, duke i lidhur me eksplorimet e shumta speleologjike në këtë krahinë e ku Shpella e Harapit është një perlë enciklopedike e speleologjisë, shumë interesante dhe me shumë të papritura shkencore dhe turistike të cilat prej vitesh po i prezanton në arenën ndërkombëtare duke u rradhitur përkrah studiuesve më të njohur të botës, për këtë treve; të tillë mund të përmendim Baldaçi, Nopça, Gilione, Durham, R.Lane, Beritë Backer, Antonja Jong e të tjerë. Për këta dhe të tjerë do të flasin më konkretisht në të ardhmen, si dhe për shumë shkrime deri tash të pa publikuara për këtë rajon.
Libri i Aleksej Zhallov  me shënime udhëtimi  ka vlera jo vetëm për Thethin, por për gjithë shqiptarët.
Uroj që së shpejti të kemi një përkthim të tij në gjuhën shqipe.
Prof. Honoris  GËZIM MY URUÇI
President i qendrës nacionale
të speleo-alpineve të Shqipërisë

TAXHEDIN  SHEHU MIKU  I  PAHARRUAR  I  ALPEVE  SHQIPATRE

“Thethi është i veçantë për mua,
pasi kam shumë shokë e miq.
Në çdo derë që kam trokitur kam
gjetur njerëz mikpritës dhe shumë
të sinqertë.
Këtu në Theth, në Qafën
e Valbonës, Shtegun e dhënve etj.
jeta më shtohet.” 
Vërtetë Thethi është magjia jonë, porta e hapur për të gjithë e në veçanti për rrugëtarët dhe alpinistët, duke na pritur kurdo herë me shprehjen e veçantë proverbiale: “ hajde bujrëm e hoshgjelden, shpia e zotit dhe mikut” dhe brenda atyre shtëpive e konikeve, në bjeshkë e në vërri, ndahej bukë e kripë e zemër, me mikun dhe rrugëtarin e kurrë se gjetën mbyllur derën e Shaljanit.
Kush ka shkuar në Dukagjin dhe nuk është dashuruar me bukuritë e radha të këtij vendi të mrekullueshëm, plot legjenda dhe rite nga më të lashtat në Ballkan, me këtë vend të kreshnikëve dhe të zanave që ruajnë vendin e miqtë dhe shitojnë armikun. Një nga miqtë e këtij vendi është edhe Taxhedin Shehu ose Taçi siç e njohim edhe ne por edhe ato male e ata malësorë, alpinisti nga Peshkopia, i cili gjatë gjithë veprimtarisë së tij në këtë sport ishte miku i sinqertë i të gjithëve. Ai u lind në qytetin e Peshkopisë më 28 janar 1939 në një familje me tradita të shquara përparimtare. Pas mbarimit të shkollës tetëvjeçare u arsimua në ish teknikumin e fizkulturës dhe më pas mbaroi të lartën pa shkëputje nga puna. I kthyer në vendlindjen e tij, tash si mësues i edukimit fizik por edhe shumë veprimtar edhe për probleme të tjera shoqërore, i duhej të përballej me shumë probleme të kohës dhe prapambetjes ekonomike dhe shoqërore si në të gjitha fushat e tjera edhe në atë të sportit të cilat i përballoi me shumë sukses. Kudo ishte një shembull i shkëlqyer për të tjerët.
Duke jetuar dhe punuar në një qytet që shtrihej në këmbë të malit më të lartë të vendit tonë, Korabit- 2751.2 m lartësi, filloi të aktivizohej në të parët për të njohur dhe ngjitur në malet rreth qytetit të Peshkopisë dhe synimet i kishte edhe më lart, kështu fillon të merret seriozisht me alpinizëm, duke marrë pjesë ne veprimtaritë alpinistike që në atë kohë organizoheshin në Theth. Në vitin 1959 bëhet trajneri i parë i alpinizmit në Peshkopi. Që nga ky moment ekipi i alpinistëve të Peshkopisë prezantohet me dinjitet në të gjitha veprimtaritë kombëtare në këtë sport.
Dëshira më e madhe e Tij ishte të shkonte në Thethin e Dukagjinit, në atë vend të magjishëm te natyrës Shqiptare ku peizazhi dhe banorët shkrihen në një. Shumë shpejt Taçi u bë i njohur për çdo shtëpi të Dukagjinit, Kelmendit, Valbonës, Lekbibajve e deri te banorët e Malit të Çikës, Nemërçkës, ETJ.
Thethi ishte ëndrra e tij, i dukej se merrte fryme më lirshëm në këtë vend të bekuar nga vetë zoti, prandaj e donte dhe e adhuronte aq shumë.
Për më se 40 vjet bëmë ngjitje nga më mirat në majat e thikta, ku vetëm shqiponjat dhe sokolat kanë foletë e tyre. E ku nuk na zuri nata me Tazhedin Shehun ? Sa në faqen e Harapit, në thepat e Boshit, në Majën e Kakisë, Drënit, Shpellën e Bravnikut apo të Katverrit, Shpellën e Rrathëve apo të Harapit, Rrethin e Vizhnës e Majën e Radohinës, në Gropat e Mulit apo në Qafën ë Pejës, në Sheun e Bardhë apo Gropën e Bukur, Fushën e Runicës apo Majën e Proshit, Qafën e Lagojve apo Majën e Karafilit të Gucisë, Në Jezercë, Popllukë a Qafë të Valbonës, në Gaven apo Grykat e Hapta e shumë vende të tjera.
Udhëtimet dhe ngjitjet e shumta në miqësuan me shumë malësorë, me të cilët ndamë kafshatën e bukës së misrit, aty pranë vatrës së t’banit sa në një bjeshkë në tjetrën, në ditë të mira por më shumë në ditë më furtunë, shi, borë e breshër që ishin të shpeshta edhe në verë e, merret me mend, sa i tmerrshëm është dimri atëherë. Thethi tërë gaz na hapte dyert e kullave, na bënin vend pran vatrave të tyre, na sillnin ujin e ngrohtë për të përavullitë këmbët tonë të ftohura, të ënjtura, ngrira e të nxira nga të ftohtit, bora, rruga e gjatë etj. Nuk vononte dhe vinte një gotë me qumësht të ngrohtë dhe pas pak ndonjë kafe, që për alpinistët nuk mungonte edhe pse ishte me shumë mangësi edhe në qytet. Pa dyshim që një barrë e madhe i binte familjes të të ndjerit Mark Prela, me gruan, djemtë dhe vajzat e tij sojnikë, shtëpinë e të cilit e kishim pagëzuar “konsullata e alpinistëve”. Nuk mund të lëmë pa përmendë edhe përgjegjësit e Shtëpisë së Pushimit në Theth si Nduen, Mhillin, Tonen, Franin, por edhe veterinerin e mikun tonë Mirash Thana.
Alpinizmi ka shumë data e ngjarje por këtu po flasim për një rast të veçantë, thotë Gëzimi dhe vazhdon:.
“E premte 11 shkurt 1977.
Pasi janë bërë përgatitjet e duhura, kuptohet me një bazë të dobët materiale, çajmë një shtresë akulli e bore dhe nisemi për në postën kufitare verore që ndodhej në Sheun e Bardhë, përtej Qafës së Pejës. Pasi rreshtohet grupi dhe bëjmë kontrollin teknik, do të sulmonim Majën më të vështirë të Alpeve të Veriut, Majën ë Jezercës – 2692.0 m lartësi. Nata është magjike por shumë e ftohtë, minus 27 gradë. Hënë ndriçonte me një dritë shumë të fortë, sikur të ishte ditë. Qielli ishte krejtësisht i kthjelltë. Jemi pesë alpinist, Gëzim Uruçi udhëheqës i grupit, Taxhedin Shehu, Abdulla Merdini e Rushit Reçi të Korabit të Peshkopisë, dhe Vullnet Zylyftari i Tomorit të Beratit. Marshojmë drejt Majës së Jezercës, pa më të voglin problem. Dëbora dhe akulli na mbajnë për bukuri dhe na duket sikur ecim mbi një pasqyrë, mbi të cilën reflektonte drita e hënës si ndër përralla.
Ora 07.15.
Kemi arritur nën faqen veriperëndimore të Majës së Jezercës, një bllok shkëmbor gjigand, krejtësisht i veshur me një shtresë të trashë akulli, krejt transparent dhe i zbukuruar në shumë vende me hej akulli që shkonin 10-12 m. Në krye të grupit jam unë si udhëheqës grupi dhe pas meje është Rushit Reçi, të cilit i bëj një vërejtje sepse në litarin tonë jemi lidhur pesë vetë dhe ishte shkelje  e rëndë e sigurimit teknik. Nga poshtë më thonë që të vazhdoja drejt një faqeje të akullt krejtësisht vertikale. Në këtë kohë përsëri dëgjoj sinjalin “stop”. Unë isha pozicionuar në një të dalë shkëmbi të veshur me akull jo më të madhe se 30 x 35 cm, në të cilën kisha ngulur kthetrat. Isha vetëm 50 – 60 m larg Majës së Jezercës, të cilën e kisha pushtuar dhjetëra herë, si në dimër ashtu edhe në verë. Parashikonim një sukses të shkëlqyer që edhe pak e po i vinte fundi. Nën këmbët e mija rreth 8 m  vinte Rushit Reçi i cili më kërkon që të qëndroja në atë pozicion , pasi litari nga unë dhe deri te i treti ishte karikuar plotësisht. Grupi më kërkonte që unë të zgjidhesha nga litari për të vazhduar të tjerët. Unë pasi kundërshtova një herë u zgjidha. Në këtë moment Rushiti më tregon nga poshtë se kishte një dhimbje në stomak. Fytyra i kishte marrë ngjyrë të verdhë. Mundohem që t’i jap kurajë. Ai tenton që të më zgjasë dorën e tij drejt kazmës time alpine që i a kisha zgjatur, por unë isha shumë sipër dhe dora e tij nuk arriti që ta kapë kazmën. U thirra shokëve që ishin më poshtë por tash ishte tepër vonë sepse ai ishte shkëputur nga shkëmbi i thiktë, grupi poshtë tij bëri sigurimet me kazma në akull por ato nuk nguleshin në akull. Atëherë Taxhedin Shehu merr pozicion për ta pritur apo për t’ia amortizuar goditjen shokut që po fluturonte në ajër nga një lartësi rreth 22 m. Ai goditi me një fuqi të madhe trupin e Taçit, dhe kjo goditje bëri të mundur që të ndryshonte drejtimin që kishte marrë për në një humnerë gjigande ku as trupi nuk do të gjendej deri si të vinte vera, e duke e drejtuar për në lugun e Gropës se Jezercës. Ky mori me vete edhe shokët e tjerë që ishin lidhur në të njëjtin litarë.
Ora 08.20.
Katër trupa alpinistësh, katër trupa shokësh, rrëshqitnin me vrull si të pa jetë drejt asaj grope të Bjeshkëve të Nëmura. Vetëm 60 m më ndanin nga arritja në majë, por duhet të kthehesha për t’u ardhur në ndihme shokëve të mijë që nuk dija nëse ishte ndonjë gjallë. Përpara meje arritën shokët e tjerë alpinistë që kishin qëndruar në postën kufitare verore.
Ora 10.00
Bjeshkët ushtuan nga krismat e pushkëve. Doli kushtrimi në Theth dhe u ngritën pothuaj të gjithë për të shpëtuar bijtë dhe miqtë e tyre, alpinistët e ekipit kombëtar. Nga Porti i Marsejës u bë e mundur lidhja e me aerodromin e Rinasit për aksidentin tonë, por mjerisht helikopteri nuk mund të ulej në Qafën e Pejës për shkak të turbulencave ajrore në lartësinë rreth 3000 m ku duhej të fluturonte dhe të ulej në lartasin 2100 m. Në Gropën e Bukur të Qafës së Pejës. Malësorët dhe ushtarë të postës kufitare arritën shumë shpejt për të në dhënë ndihmë. Në qendër të fshatit Theth, në Zallë të Lumit zbriti më në fund helikopteri. Dhjetëra malësorë, ushtarë, mësues e nxënës kishin ardhur për të na ndihmuar, për të na përshëndetur e për t’u uruar të plagosurve shërim të shpejtë. Shokët e mijë u gjakosën e u copëtuan por jeta e tyre shpëtoi.”
Pas disa kohe këta alpinistë u kthyen përsëri në Thethin e tyre të dashur, në gjirin e alpeve magjike, pran vëllezërve të tyre të pandarë, e në mes tyre edhe Taxhedin Shehu, miku i tyre i mirë, për t’i falënderuar për ndihmën që u dhanë, që i shpëtuan jetën atij dhe shokëve të tij.
E sa e sa episode të tilla kanë malësorët e Thethit dhe jo vetëm të Thethit, me miqtë e tyre alpinistë.
Vitet kalojnë e kujtimet mbeten si relike të miqësive të vjetra e që populli i kthen ato në legjenda, në të cilat edhe miku ynë i paharruar, mjeshtri i merituar i sportit Taxhedin Shehu ka vendin e tij në zemrat e malësorëve të Thethit i cili i deshi dhe e deshën aq shumë.
Prof. GËZIM MY URUÇI
Mjeshtër sportit
LUIGJ  SHYTI, banor i Thethit

MARTINA

LUIGJ  SHYTI
Martina ka qenë një nga llojet e pushkëve me një fishek, e cila u përhap në Europë nga mesi i shekullit të XIX dhe konkretisht pas vitit 1841 kur u përdor për herë të parë në luftën midis Danimarkës dhe Bohemisë dhe konsiderohej si arma më e mirë që përdorej deri në fund të shekullit të XIX nga turqit dhe shqiptarët dhe prej këndej kaloi edhe te fqinjët tonë sidomos te malazezët. Në Dukagjin kjo lloj arme quhej “hutë” ose edhe “novicë”. Ishte më e fuqishme se armët e tjera të mëparshme që rrezikonte jetën e njeriut edhe pas trungjeve më të trashë se 7-8 cm që mund ta shponin armët e mëparshme. Kjo solli edhe ndryshimin në ndërtimin e banesave që deri në këtë kohë ndërtoheshin edhe më trungje. Martina ishte një nga modelet e para të pushkëve që mbushej nga pjesa e prapme e tytës.
Megjithëse më vonë dolën pushkë të tjera më të përsosura të pajisura me gushë dhe që mbanin më shumë fishekë, martinë vazhdoi të përdorej pjesërisht edhe gjatë kryengritjeve të viteve 1910-1912.
Armëtarët shqiptarë, sidomos ata të Elbasanit dhe Tetovës, filluan ta prodhonin martinën aty nga viti 1875 dhe vazhduan deri në vitin 1910, pavarësisht nga urdhrat e rrepta të turqve.
Martina (huta, novica) e vendit prodhohej në mënyrë artizanale, por bëhej edhe një farë ndarje punë sepse dikush bënte shpimin e tytës, dikush ndërtimin e çarkut, dikush merrej me pjesën e drunjtë etj.
Martina kishte këto të dhëna: Ishte e kalibrit 11.43 mm, pesha 4.1 kg, gjatësia 124 – 130 cm, pesha e plumbit 31,1 gram, shpejtësia fillestare e plumbit 416 m/sek. Fyelli i tytës kishte katër vjaska. Kjo pushkë pajisej më veglat e shënimit, me rrip, me thupër dhe me bajonetë.
Kjo lloj pushkë është shpikur nga Henri Pebodi, mirëpo u bë e njohur vetëm pas përmirësimit të mbushjes i cili u bë në Zvicër në vitin 1871 nga inxhinieri Martin fon Fridrih. Patenta e pushkës u shit fillimisht në Angli dhe u përhap në shumë shtete me emrin e Martinit ndërsa shpikësi i parë mbeti në harresë.
Në vendin tonë martina ( huta, novica) u bë e njohur dhe gëzoi popullaritet aq të madh sa që ka hyrë në thesarin e pasur, jo vetëm të kulturës materiale por edhe të asaj shpirtërore, në folklor, në këngët ë trimërisë etj.

GËNJESHTRA E RRADHËS...

LUIGJ  SHYTI
Në një ditë dimri të këtij viti, që veç dimër nuk është,në harkun kohor prej 6 orësh zhvillohen tri protesta dhe mitingje në qytetin e Shkodrës. Protestojnë familjarë dhe të afërm të viktimave të 9 janarit dhe bëjnë mitingje dy demonët e politikës së sotme shqiptare, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.
Dikush manifeston apo proteston prej hallit e dikush prej qefti, sepse siç thotë populli “ ka hall hallit dhe hall ...... qefti”
Familjarët dhe të afërmit e viktimave të 9 janarit protestojnë prej hallit, se fëmijët dhe të afërmit e tyre janë kalbur në dhe’ e disa prej tyre nuk kanë as një varr për t’ua prekur a për t’u vënë një tufë me lule, e shpirti i tyre kërkon drejtësi, pa çka se një ish ministër rendi deklaron se i di fajtorët, por nuk tregon, i cili duhet tredhur (zhburrnua) ose të tregojë sepse e ka lanë fjalën peng, ose dikush përpiqet që me shpirtrat e tyre të hipë apo të shtrëngojë karrigen.
Manifestim prej hallit është edhe kur tubohesh e kërkon më shumë drita, ujë, rrugë, ulje taksash, rend e qetësi, që polici të mos rend pas gënjeshtrave dhe të mbyllë sytë para krimit etj.
Mitingjet e politikës në më të shumtën janë prej qefti, për të ruajtur apo për të hipur në karrige. Të gjithë “flasin” për popullin e në emër të tij, të gjithë e paraqesin veten shpëtimtarët e situatës, të gjithë paraqiten ndërtues e përparimtar, secili thotë “unë jam i mirë si askush. Ndoshta politikanët tonë vuajnë nga sëmundja e daltonizmit që nuk shikojnë vetëm bardh e zi. Pozita shanë opozitën e opozita shanë pozitën e në fund të fundit populli e ha. Ai e ha sapunin për djathë, ngopet me lugën bosh, e prapë beson në fjalët e bukura, premtimet me thes të politikanëve tonë.
A nuk u vërtetua, kur një ish kryeministër dhe ish kryetar partie thotë së kam folur tepër për kundërshtarin tim politik, se ai fitoren e ka merituar dhe e ka marrë me zotësi, pra d.m.th. “ ju kam rrejt (gënjyer)”. A dëgjuam kryeministrin që tha se mos i merrni seriozisht fjalët që kam thënë në fushata elektorale, që më shqip përkthehet “ ju kam rrejt”.
Një deputet, ish kryeministër, ish kryetarë partie, me ëndrrën për një karrige, u kthen ..... shpinën, i shet fare lirë, të gjitha ata që e adhuruan, që e mbajtën dhe e mbrojtën, që e ngritën, që vunë kokën në rrezik në jo pak raste, e gjithë ketë e bën vetëm e vetëm për tu bërë “një çik president”, ose të dëmtojë imazhin e partisë së vet e lidërshipit të saj, e kësaj i thonë “ për inat të s’ime vjehërr shkoj e fle me mullixhinë” ose akoma më keq  “për inat të s’ime re djalin tim e shtifsha në dhe”. Prapë të besojmë ? !
Kryeministri edhe pse nuk mban premtimin për drita 24 orë në 24 orë, përsëri del e premton se brenda vitit 2007 do plotësojë nevojat e vendit, por edhe do të eksportojë energji elektrike.  Prapë të besojmë ?!
Jo radhë kryetar partie ose drejtues në parti e shtet mbeten peng i marrëdhënieve sibiotike votë-karrige-premtime ndaj njerëzve që u rrinë afër, u bëjnë “fresk”, që muskuli i ngërdheshjes (qeshjes) së tyre është shumë i zhvilluar e buza u shkon te veshi, që u “fshijnë” pluhurin, apo u fërkojnë shpatullat, që u ngjiten “si.... balta pas këpucës”, shkurt që u “krehin bishtin”, e këta pa asnjë meritë personale e shoqërore, pa asnjë mendësi intelektuale përfshihen në projekte e kandidatura, marrin karrige e zënë vende ku merren vendime më shumë rëndësi për komunitetin. Kështu nuk është zgjidhje, kjo është thjeshtë zgjedhje, sepse manipulimet, turket, ekzaltimet, premtimet e bukura, presionet, përkëdheljet, e duke përdorur votën si fasadë, bëjnë që shpesh e drejta, zgjidhja të mbulohet nga zgjedhja, bëjnë që e drejta, e mira, përparimtarja, bashkëpunuesja të mos fitojë.
Duke parë se ç’po bëhet, pa tjetër që njeriu shtron pyetjen “ ku është e drejta”.
Jo rrallë, e tej masës, në fushata zgjedhjesh të çfarëdoshme, shikon e dëgjon një “unë” shumë të madh: unë jam i mirë e ai është i keq, unë jam i ndershëm  e ai është hajdut, unë jam zotëri e ai është i poshtër, e në një ditë të bukur, siç ndodhi para pak kohësh, këta të dy “puthen” e i “thonë” popullit “ ah sa mirë u kemi rrejt”.
Ka ardhur koha që komuniteti të shohë realizimet konkrete, veprimet praktike, “jo të tjera bën dhe të tjera thua”, të dallojë gënjeshtrën por edhe gënjeshtrën e gënjeshtrës.
Është e vërtetë se fjala nuk del ashtu kot, pa pasur një mbështetje të qëndrueshme dhe filozofia popullore me fjalë të urta e ka lënë në histori
Në malësitë tona, tregojnë, se një herë po dënonin një njëri pa të drejtë, e në një moment dëshpërimi ky njeri kthen sytë nga qielli e thërret: “ shiko more e drejta e zotit” atëherë, thonë, foli e drejta e tha: “ Besa e drejta po e shikon por i ka mbushë e shtrembra ..... prapanicën”. A nuk ka vend, jo rrallë, edhe në ditët tona kjo thënie – legjendë ? !
Të mbrujtur me idenë komuniste se Partia është e pagabueshme, se udhëheqësi di se çfarë bërë, se ata mendojnë vetëm për ne, se e bëjnë natën ditë për popullin, do na japin këtë e atë .... etj, populli bie në letargji, në ekstazë dhe beson, përsëri beson pavarësisht se vërteta del krejt ndryshe.
Po, po duhet besuar, por duhet besuar besnikut, ose të paktën ati që gënjen më pak.

VITORE NINO VDIQ PËR TË MBETË  E PAHARRUAR

Para pak ditësh në moshën 83 vjeçare u nda nga jeta,Vitore Nino “Artiste e Merituar”, aktore e shquar e Teatrit “Migjeni”, një nga themelueset e këtij teatri me një karrjerë artistike 40 vjeçare. Vitore Nino ( bija e Prekë Ujkës nga Gruda e lindur në Shkodër) ka qënë ndër të parat femra  që u ngjit në skenë që në vitin 1946, me një karrjerë të gjatë   Nino mbetet një ndër aktoret më të spikatura të teatrit shkodran, për larminë e roleve, për hijeshinë skenike dhe mbi të gjitha për talentin e saj . Në vitin 1946  debuton në teatër për herë të parë në pjesën teatrale “Portreti “ të regjizorit Andrea Skaneti. Në vitin 1949 së bashku me Ida Krajën,  Çezarina Çiftën dhe Aneta Nikajn janë femrat e para që morëm pjesë në teatrin profesionist të Shkodrës. Vitorja mbetet modele e artit skenik, ajo ka luajtur në komedi, në dramaturgji kombëtare dhe të huaj, konkuroi denjësisht në rrang kombëtar, krijoi figura të larmishme në rolet e saj  autentike duke kaluar nga komedia e gëzushme tek dramat me lot të thellë e idhnak. Një aktore e përmasave të tilla ka qënë fat për teatrin “Migjeni” duke kompletuar më së miri atë tablo shumëngjyrshe të aktorve shkodranë të dramës. Nga afro 80 role në teatër dhe 7 në kinematografi vlen të veçojmë “Portreti” 1946, “Çeshtje ruse “ 1947, ”Ata që nuk shlyhen” 1948, ”Ishulli i Paqës” 1949, “Toka jonë” (Lokja) “Agimi”, ”Zëri i Amerikës”, ”Nën okupacion”, “Njerz me vullnet të mirë”, ”Përtej prakut”, ”Shtërngata”, ”Nana” ,”Zekthi”, ”Këneta”, ”Kunora e Nuries”, ”Histori irkutase” ”Maskat”, “Përmbysja” 1950, “Vatra e huaj” 1951, ”Përkolgjinaj” 1967, ”Çifti i lumtur” 1974, “Shpartallimi”, ”Këshilli i Ndrikullave” “Baca i Gjetajve” 1981, Çeshtja e Blertës” 1984. Në kinematografi veçojmë inerpërtimet të  “Komisari i Dritës” 1966, “Çifti i lumtur” 1975 (në rolin e Hallës një nga rolet më të spikatura ), “Ditët që sollën Pranverën”(fshatarja) 1978, ”Qortimet e Vjeshtës “1981(malësorja) “Dora e ngrohtë” 1983(plaka), “Dasma e shtyrë” 1985(nëna), “Rikonstruksioni” 1989(gjyshja).(Nxjerrë nga arshiva e Teatrit “Migjeni”). Vitore Nino e denuar me vdekje si çdo qënje biologjike u shua nga kjo jetë, por mbetet e paharruar në panteonin e teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Gazeta “Dukagjini” i shprehë ngushllimet , familjes , miqëve dhe komunitetit  të  artistëve, për humbjen aktorës së mirnjohur Vitore Nino.                                   Prelë Milani

ATË ÇKA NDËRTON DASHURIA, NUK MUNDET KURRSESI TA PRISHË NJERËZIA

Është e rëndësishme të theksoj para jush të dashur lexues se familja është baza që ndërton shoqërinë. Në të zënë fill ndjenjat më fisnike. Në të zë fill vetë jeta. Familja është e shenjtë, sepse e ka shenjtëruar vetë Zoti.
Të gjitha familjet tona janë të krijuara nga dashuria. Të takon ty e dashur nënë që të jesh burim dashurie. Të takon ty i dashur baba që të jesh burim dashurie. Ju takon ju të dashur fëmijë  që të kryeni detyrëne shenjte  të dashurisë për prinderit tuaj dhe njëri – tjetrin..
Pjesa më e madhe që i lexojnë fjalët e mësipërme u  duken të parealizueshme. Sa herë ne bëhemi nervoz, me babain apo nënën, sa herë ata bëhen nervoz me ne? Ndoshta faji është i tyre, ndoshta i joni?
Jemi ne ata që dëgjojmë çdo ditë ngjarje nga më të llahtarshmet brenda familjes. Secili mund të pyes: Përse e gjithë kjo?
Kjo ndodh, sepse njerëzit e kanë harruarZotin. Njerëzit duke u larguar prej Zotit, bëhen më pak të dashur, më pak tolerantë, më pak të durueshëm. Ata bëhen pre e konflikteve kudo, madje edhe në familjen e tyre. Sa më afër Zotit të jetë familja, aq më afër do të jenë anëtarët e familjes me njëri- tjetrin. Ku është Zoti mbretëron dashuria dhe dashuria është zemërgjerë e cila din vetëm të falë.
Edhe pse familja në momente të caktuara ndoshta nuk e bën të ndihesh aq mirë, a nuk është ajo që na merr malli më shumë kur  të jemi larg? A nuk është ajo tek e cila na shkon më shpesh mendja? Familja  nuk është një bashkëjetesë midis njerëzve, ajo është një lidhje e përjetshme e zemrave. Ajo është një lidhje e kryer nga Zoti për njerëzit.
“Atë çka ndërton dashuria, nuk mundet kurrësesi ta prishë njerëzia”.
Jini sa më të durueshëm me të tjerët. Imagjinata juaj është e mrekullueshme prandaj në këtë imagjinatë bëhuni edhe ju prindër. Imagjinoni sa probleme ekonomike e sociale kanë prindërit. Mos jeni gjithmonë fëmijë, por bëhuni edhe prindër.
Të dashur prindër, ndoshta ju ka pëlqyer ajo që keni lexuar më lart. Janë të drejta që nuk mund t’i mohojë askush.
Të dashur prindër, ju shpeshherë kërkoni që t’ju zbatohen ato çka urdhëroni. Hyji ju ka dhënë një përgjegjësi; atë që t’i rritni dhe ti edukoni fëmijët. Mos mendoni se janë vetëm fëmijët tuaj, sepse ata i përkasin Zotit.
Zoti ju ka dhënë autoritetin. Autoriteti është një dhuratë e dhënë me qëllim  në mbarëvajtjen e fëmijëve. Shpeshherë ne dëgjojmë shprehjen: “Këtu komandoj unë dhe nuk diskutohet më!”. Në këtë rast autoriteto kthehet në censurë dhe për ta bërë këtë prindëriot ndjekin rrugë të tjera akoma më të gabuara që shkojnë deri në dhunë.
E dashur nënë, i dashur baba, ju kuptojmë situatën shumë të vështirë që keni në disa momente, por kjo nuk do të thotë të ushtroni dhunë psikologjike, apo keqtrajtim fizik të familjes. Dhuna nuk të bind,  por e bën fëmijën akoma më të pabindur. Edhe nëse bindet, ai bindet jo nga respekti, por nga frika e në këtë mënyrë kur të rritet ai është i përcaktuar të mos i bindet prindit për asgjë..
Ja, pra të dashur prindër pse autoriteti nuk imponohet, por fitohet. Për ta fituar këtë autoritet nevojiten 2 gjëra:
-Së pari duhet që ju nëna dhe ju baballarë të jepni shembullin tuaj personal tek fëmijët.
Nuk mund t’ i thuash fëmijës  mos pi pije alkolike, kur për vete pin tërë ditën.
-Së dyti duhet që prindërit të jenë të dashur me fëmijët.
Të dashur prindër, nëse e shihni fëmijën që nuk ec hapave tuaj, mundohuni që ta merrni për dore. Ti nënë para se ti thuash bëj këtë- bëj atë, mundohu që më parë të jesh shoqe për vajzën apo për djalin.
Zemra e njeriut bindet vetëm me dashuri. Në fillim, kjo mënyrë është e vështirë, por më vonë çdo gjë bëhet e mundshme.
Të dashur prindër, mundohuni që edhe ju të bëheni ndonjëherë fëmijë që të mund ti kuptoni dëshirat e fëmijëve tuaj....
Roza Pjetri

DASHURITË E MËDHA TË ARTSTIT TË POPULLIT PJETËR GJOKA:

Intimitete të pa njohura sipas rrëfimeve të djalit të tij
Duakgjini:Zoti Gjovalin , ku i ke rrenjet e fisit tend?
Përgjigje:Pa u thelluar shumë në histori po ju them se Gjyshi im Gjokë Pjetri (babaj i Pjetër Gjokës) ka lindur dhe është rritur në Malaxhi të Dushmanit në Dukagjin. Në vitin 1938 Simokovski Profesor i gjuhës shqipe  dhe indevropjan në Poloni  ka qënë në Shqipëri për studimin e gjuhës shqipe.Në vitin 1951 ka botuar një libër Mbi të folurit , leksikun  dhe toponimet e Dushmanit.
Porofesor Simokovski librin e pati botuar në frëngjisht, ky libër është botuar edhe  në Kosovë. Autori shkruan se ka punuar së bashku  me gjyshin tim nga tetë orë në ditë . Gjyshi  kishte edhe tre vëllezër të tjerë Hilën, Ndocin dhe Dedën .Për arsye të pa ditura nga unë rreth vitin 1850 janë largue nga vëndlindja  në drejtim të Bullgarisë. Njeri prej vëllezërve ka humbur jetën gjatë këtij shtegtimi. Nga Bullgaria janë kthye në Shestan, aty nuk kanë qëndruar gjatë, për arsye ekonomike prap  kanë shkuar në Ulqin, atje ka lindur babai me 3 gusht 1912 dhe është pagzue në kishën e Shën Jozefit. Babai ka qënë tre vjeç kur  erdhi  në Shkodër familja ime  pas atyre shtegtimeve të gjata të imponuara nga arsyet ekonomike të kohës. Gjyshi ka pasë tre profesione shumë të mundimshme, qymyrxhi, mjeshtër furrash dhe i hapjes së puseve. Dy herë ka shpëtuar mrekullisht ndonëse  e patën zenë shembjet e puseve brënda.Famullitari i sotëm i Ulqinit dom Marku mos u gabofsha  emrin më ka thënë se edhe sot në Ulqin thuhet se një i ardhur ka hapë dy puset më të mëdha të këtij qyteti.     
Vëllai  i gjyshit  Ndoci ka lënë dy vajza dhe një djalë Angjelinin, vajzën Hilë Pjetrit e ka pasë për grue Major Mark Mala nga Shoshi. Babai im Pjetër Gjoka ka pasë tre fëmijë ( mua Gjovalinin, Aleksandrin që vdiq 25 vjeç sapo u diplomua për fizikë bërthamore dhe Meritën që ka mbaruar për Histori –Gjeografi dhe sot ndodhet në SHBA).Djali im  quhet Pjetër ka mbaruar Akademinë e Artit në Itali,  tani po mbron gjermanishtën dhe italishtën. Emri Pjetër në familjen tonë eshtë përseritur nga gjyshërit tek nipat  në mënyrë perjodike djali im ështe i katërti ose i pesti Pjetër  në trungun tonë gjenetik. Baba kishte shumë nostalgji për Dukagjinin të cilin gjithmonë e konsideronte si  plazmën e shqiptarizmit
Duakgjini:Kush e propozoi emrin e djalit tuaj?
Përgjigje:Djalin tim nuk arriti ta shifte dot babaj, prandaj shkoi në atë botë  me një pëng në zemër. Kur më lindi djali dhe u mbush një javë i them nënës. Si t’ja vemë emrin  djalit se kaloi një javë dhe duhet regjistruar në gjëndjen civile? Qoftë jetgjatë more bir ! Pjetri kishte merak t’i vinim emrin e tij! E po e gëzoftë emrin Pjetër moj mama i thashë unë  dhe u nisa menjeherë për në gjëndjen civile !
Në zyrën e gjendjes civile më kundërshtuan duke më thënë se është emër i papërshtatshëm, madje më nxorën një listë të gjatë në të cilën mund të zgjidhja një emër tjetër. Lodheni kot fare u them punonjësve të gjendjes civile. Djali im nuk do të ketë emër tjetër përveç emrit të gjyshit të vet Pjetër Gjoka! Është amaneti i tij  dhe   mua nuk më shqetson asgjë, përveç se nuk e di a do bëhet i denjë biri im të trashëgojë këtë emër. Shkova në shtëpi, nxora çertefikatën dhe ia  tregova nënës. Nëna shumë e emocionuar  uroi që të bëhej 150 vjeç nipi. Mor bir edhe pse e ka të shkruar këtu Pjetër ju mund t’i thërrisni si të doni! Jo moj nënë  i them unë, ky emër është puro shqiptar , është  emblema dhe krenaria e fisit tonë. Djali im kurrë nuk është bërë pishman  që nuk ka  një emër që tingëllon pak më modern.
Duakagjini:E:Na rrefe diçka për fisin e nënës suaj?
Përgjigje: Nëna ime quhej Lizeta, bijë  shkodre e fisit të Kroqëve, konkretisht halla e Mark Kroqit. Kroqët janë me origjinë nga Kroqët e Nën-Shkodrës të  ardhur në këtë qytet rreth  250 vjet më pare. Edhe nëna në shkollën e motrave stigmatine  ka luajtur teatër,pas çlirimit  ka punuar vazhdimisht në Biblotekën Kombëtare me gruan e Eqerem Çabejt.
Dukagjini:A ka ndonjë histori dashurore lidhja martesore e prindërve tuaj?
Përgjigje:Eshtë një histori  e gjatë por meqë dëshironi po ua rrefej
Gjergj Nika ishte një mik i Pjetrit, luanin teatër së bashku në vitet 1937-38. Ata shkonin shpesh në kuvendin e motrave stigmatine qoftë për të pa qoftë, për të luajtur pjesë teatrale. Axha im Hila ka qënë kojshi me prindërit e nënës time. Me rastin e 25 vjetorit të Pamvarsisë Shoqëria “Rozafa” vuri në skenë  dramën “Kthimi i Skëndërbeut në Krujë”.
Pjetër Gjoka në atë dramë kishte rolin e Palit një nga përsonazhet kryesorë. Të pranishme në atë çfaqe kishin qënë edhe  dy vajza njëra që  më vonë do më lindte kokën mua dhe një kushërira e saj.
Lizeta i thotë kushërirës  së vet:A e dëgjove atë plakun çfarë zëri të mrekullushëm paska? Ai aktori më zë kaq të bukur është Pjetër Gjoka nipi i Hilës komshisë tonë ia ktheu e kushërira. Këtu lindi simpatia mes dy të rinjve që do të dashuroheshit si me magji. Aty tek rrethi i pusit në një vrimë muri këmbenin letrat e dashurisë pa e ditur njeri.
Babai kërkoi dorën e vajzës, por  hasi në kundërshtim të fortë nga prindërit e saj. Ata ishin në një gjëndje ekonomike me të mirë, mbaheshin me krenari si shkodran të vjetër dhe natyrisht babën tim e shifnin me një fare mospërfillje si bir malësori. Babai më ka thënë se një ditë kur po kthehej nga një dasëm hypi  qellimisht në një pajton në të cilin po udhtonte babai i Lizetës:”Aty në pajton i parashtrova kërkesën këmbëngulse për fejesë. I revoltuar nga ky shkak i kërkoi karrocjerit  që të më zbriste nga karroca. Ai nuk e dinte se  karrocjeri e kishte përgatitur këtë skenar së bashku me mua. Zotni tha karrocjeri unë do të çoj deri tek dera e shtëpisë .Edhe ky  djaloshi ka paguar paratë si ju dhe do ta çoj ku të dëshirojë”. Debati që i nxehtë por kur mësoi historinë e dashurisë dhe këmbnguljen e dy të rinjve historia dashurore që zgjati katër vjet u kurorzua me fejësë, ndërsa dasmën e kanë bërë në vitin 1943.
Duakgjini:E:Çfarë mund të na thuash ndonjë episod për vitet e rinisë së  artistit të  madh Pjetër Gjoka.
Përgjigje:Në fëmijri ka qënë djalë i shkathët dhe shumë lojcak i guximshëm dhe inteligjent. Ka  qënë nxënës i Kolegjit Françeskan. Fishta i ka dhënë mësim madje nga ai, mbante mend një shputë të fortë që nuk e  harroi gjatë gjithë jetës.
Duakgjini:Cili ishte shkaku i ndëshkimit fishtjan?
Përgjigje:Tek ura e Kirit ka pasë dy puse jo shumë të thellë  me gurë të rrezikshëm brenda për zhytsit aventurjer. Fëmijtë shkonin dhe laheshin aty  qysh në maj, një nga këta zhytsa ka qënë edhe babai, madje ai hidhej direkt edhe nga ura. Fishta kur e mësoi këtë gjë thirri kujdestatin e shkollës të cilin e urdhëroi që nxënësi Pjetër Gjoka të mos pranohej në mësim pa prindër. Pjetri i bije pakëz hilës dhe merr hallën Lizë me vete në shkollë. Kujestari i thotë vetë Fishta më ka porositë të vini me nënën apo babanë. Pjetri detyrohet të kthehet pas dhe të marrë me vete nënën. Kur shkoi në takim. Fishta e pyeti. Ku ke qënë dje? Kur ke ikë prej shkolle? Çfarë basti ke  vënë? Babai kujtonte se Fishta dinte gjithçka  nga aventura ime dhe nuk pata pike guximi as të flisja as të kundërshtoja isha zënë i tëri në faj si derri në dam. Fishta çohet nga karriga dhe i jep një shputë të forte. Ku don me shku t’i që ikën prej mësimit e hidhesh nga ura drejt e në Kirë, apo don me i shkue qyqe nanës tek shpia. Pjetër Gjoka as nuk do të ikte më nga mësimi, as nuk do ta harronte  kurrë këtë shputë që e bëri të zër mënd.
Dukagjini:E:Kur përkojnë fillimet e veprimtarisë artistike të Pjetër Gjokës?
Përgjigje:Që në vitet e shkollës ka pasë prirje në fushën e artit dhe ka qënë vazhdimisht  interpret i veprimtarive teatrale e muzikore. Është aktivizue qysh i njomë  në korin e kishës,  aty ka pasë solist Mikel Koliqin. Ka qënë pjestar i bandës së qytetit duke luajtur në instrumentin e kornerit. Babai ka kënduar bukur jaret shkodrane, madje kur e dëgjoi këngtarja e famshme Tefta Tashko Koço e  kërkoi  në takim  dhe duke e përgëzu për zërin e mrekullushëm i tha: Djalosh jeni shumë i talentuar! Do të ndërhyj unë tek qeveria shqiptare dhe italjane  për të sigurue një të drejtë studimi për në Itali. Të faleminderit zonjushe dhe të jam shumë mirnjohës, por prindërit e mij presin  me padurim të mbaroj shkollën që t’i mbaj me bukë. Në vitin 1930 del për herë të parë në skenë. Ka luajtur në shoqëritë teatrale “Bogdani”, “Rozafa”, “Antonjone” etj.
Duakgjini :Çfarë mund të na thuash për Pjetër Gjokën si sportist?
Përgjigje: Babaj ka ushtruar  futbollin, atletikën dhe notin. Si futbollist ka luajtur me “Vllazninë” B ka mbajtur numrin 4 si mbrojtës stoper. Në një ndeshje me Potgoricën një mbrojtës kundërshtar i nxitur nga vetë trajneri  malazez e ka goditur  brutalisht me shqelm në këmbën e djathtë duke e detyrue të linte fushën e lojës  dhe për 6 javë të mos ngrihej fare nga krevati. Pas 6 javësh ka shkue tek një kasap kurues popullor në Shkodër, i cili e uli në karrige dhe u tha dy shokëve që e shoqëronin ta mbanin për krahësh ndërsa befasisht kockën e nxierrë të gjurit ia çoj në pozicionin e vet. Dhimbjet qenë të tmerrshme por pas katër ditësh u ngrit eci vetë. Gjithsesi kjo traumë  ndoshta u bë shkas që im atë të mos vazhdonte më tej  me futbollin, pasi vazhdimisht gjatë gjithë jetës i ka ndjerë pasojat e  asaj goditje kafshërore. Në vitet tridhjetë në Lojrat Olimpike Ballkanike të drejtuara nga një instruktor italjan dhe trajneri Luigj Shala, mori pjesë në garat e kërcimit 1 hapsh, 3 hapsh dhe stafetën e madhe 100, 200, 400,  dhe 800 metra.Në këto gara vendosi një rekord  në kërcimin së gjati i cili qe  i paprekur për 34 vjet  deri me  1964.
Dukagjini: Pas shkollës se mesme  me çfarë u muar Pjetër Gjoka?
Përgjigje: Në vitin 1939 pasi kishte përfunduar shkollën e mesme ka punuar në Mifol të Vlorës si nënpunës i Gjendjes civile, në viti 1941 në Shëngjin dhe me 1942 po në të njëtën detyrë  transferohet në Orosh. Në dimer të këtij viti gjatë një udhtimi në karrocë  në shi dhe murla nga Mirdita në Shkodër  ftohet rëndë duke fituar një pneumani. Pas 6 muajsh kurim doktor Papavrami (gjyshi i Tedi Papavramit) e shëroi dhe e këshilloi të mos luajë kurrë më në skenë. Këshillë që nuk që nuk ia vuri veshin fare asnjëherë por që nuk kaloi pa pasoja.
Dukagjini: Kur e filloi veprimtarinë artistike pas çlirimit?
Përgjigje: Me rastin  e një vjetorit të çlirimit    me shoqerinë e vet artistike vënë së skenë melodramën “Juda Makabre” të Gjergj Fishtës. Prekë Jakova në atë kohë ishte i izoluar në shtëpi si tregtar, shokët e shoqërisë ndërhynë  për lirimin e tij dhe nga ky shkak ai lihet i lirë. Preka kompozonte natën, jepte mësim ditën dhe me rregji të Zef Zorbës u arrit brënda një kohe rrekord të përgatitet çfaqja, premjera e së cilës u dha  tek një sallë afër ish-shkollës 11 janari me 27 nëntor 1945. Rolin kryesorë e luajti babai, çfaqja u ndoq nga qindra e qindra spektator, madje për kurjozitet është dhënë tre herë rresht brënda një nate, por meqënse nuk ishte sipas frymës së kohës u anulua ndonëse  ishte programuar të jepej në disa qytete të tjera. Më 1 shtator të vitit 1946 babaj vjen në Teatrin Popullor në Tiranë, ndërsa familjarisht jemi vëndosur në Tiranë në vitin 1949. Për koiçidencë  që të tre fëmijtë kemi lindur në Shkodër, ndonse vëllaj dhe motra kanë lindur pas vitit 1949.
Dukagjini: Çfarë hobesh dhe preferencash kishte babaj  juaj?
Përgjigje:Gjyshe Dila (nëna e Pjetërit nënvizimi im), shkonte në Torobosh së bashku me disa shoqe të veta dhe ktheheshin ngarkur me shkurre të cilat i përdornin për ngrohje. Ngaqë rruga në këmbë ishte largët merrnin bukë, gjizë, pak djathë dhe ndonjë kokërr qepë me vete. Pasi hanin bukë gjyshja dridhte mirë e mirë cigarën e duhanit Torobosh e kallte  dhe tymoste  gjithë pasion. Shoqet i thoshin moj Dilë ne vimë prej hallit këtu e ngarkohemi me shkurre. Hamë pak bukë hallnisht dhe ti ia tufatë duhan ku ëshë më i miri . E moj motra bukën e ha me mbajtë frymën. Duhanin e pi për qef dhe do ta zgjedh ku të jetë më i miri! Qefi blihet dhe paret e duhanit nuk më dhimbsën aspak. O duhan të mirë o hiç fare. Edhe baba duket se në shumë sifate i kishte ngja nënlokës së vet. Duhanin e ka pi gjithmonë ku ishte më i miri i kohës  “Toroboshi” apo “Luks”. Kafën e pinte kafe të mirë, rakinë të mirë  ose fare dhe kurrë nuk e ka kaluar një dopjo e gjysmë, këtë gjë gjatë gjithë jetës e kishte ligj. Kur hapej ndonjë klub i ri thoshte shyqyr  se fillimisht i bënë kafet e mira, prandaj ishte ndër të parët që i frekuentonte. Kafën e pinte ngadalë më një delikatesë aristokratike, ulur diku në një qoshe me fletorën e skenarve përpara. Ka qënë shumë i pasionura pas leximit, muzikës , shetitjeve në natyre, peshkimit, sportit (tifozi përjetshëm i “Vllaznisë”), barcaletave, shahut  shijues i së bukurës dhe adhurues i çdo stine etj.
Prelë Milani    Vijon numrin e ardhshëm

VLADIMIR SOKOLI - NJË NGA EMRAT MË TË MËDHENJ TË ATLETIKËS SHQIPTARE

LAZËR KODRA
Vladimir Sokoli ka lindur me 23 qershor të vitit 1976, në Shkodër, në një familje me tradita të larta patriotike dhe me një koleksion të pasur familjar në fushën e sportit. Talenti i këtij kampioni të ardhshëm u duk që në moshë të re kur ishte akoma nxënës i shkollës 8-vjeçare dhe që në atë moshë u përfshi me klubin sportiv “Vllaznia”, me të rinjtë, pastaj me klubin “Studenti” për të vazhduar më vonë me ekipin “Partizani”.
Qyteti i Veriut, Shkodra, krahas figurave madhore, me të cilat përligj krenarinë e vet, ka edhe një figurë të tillë në sport, me emrin e të cilit i shtohet edhe një begraund krenarie, e ky emër  është Vladimir Kole Sokoli, emri i të cilit është shënuar në librin e artë të atletikës shqiptare.
Vladimiri është kushëri i njërit prej sportistëve më të njohur shqiptare, në sportin 10 garshë Toni Sokoli dhe vëllai i karateistit me ekipin e të rinjve shkodranë-Ilir Sokoli, i cili aktualisht është këngëtarë i grupit “Oxhiklen”, me pseudonimin – “XXEL”, përkrah këngëtarit shkodranë Rudi.
Studimet e larta, i përfundoi në  I.K.F “Vojo Kushi”-Tiranë. Vullneti dhe këmbëngulja, dëshirë dhe pasioni për sportin e bënë Vladimirin një nga emrat më të njohur në lobin sportiv duke krijuar kështu mundësinë për njohje dhe lidhje të qëndrueshme me emrat më të njohur të sportit shqiptar, si: Arben Maka, Sokol Shepateja, Vera Bregu, Laura Derhemi, eksperienca e tyre, thjeshtësia dhe modestia e tij për të mësuar e bënë që ai të realizonte ëndrrën e tij sportive për tu bërë kampion i vendit disa herë në hedhjen e shtizës. Shkolla dhe sporti bënë që Vladimiri të njihej me sportisten shumë të njohur Laura Derhemi, kampione dhe rekordmene në kërcim së gjati, fituese e shumë e shumë titujve, medaljeve e kupave brenda dhe jashtë vendit, si: në kampionatet ballkanike e ato evropiane, me të cilën lidhi jetën duke krijuar familjen dhe duke pasuruar më tej begrandin sportiv të familjes Sokoli nga fshati Lekaj të komunës Shalë.
Prirja dhe pasioni për sport, stërvitjet në natyrë, në Alpet e Veriut që kur ishte i vogël, pasioni për gjuetinë, që e trashëgoj nga i ati dhe gjyshi i tij, i falnin dhuntinë e lëvizjeve të shpejta, soditjen dhe njohjen e natyrës, të cilat i shërbyen shpërthimit fizik të energjive dhe lulëzimit të dëshirës për tu marrë me sportin e dashur të atletikës dhe veçanërisht me atë të hedhjes së shtizës.
Siç e theksuam edhe më lartë, Vladimiri, fillimet i pati që në moshën 8-9 vjeçare kur ishte nxënës i shkollës fillore, ku u duken vezullimet e para të një talenti që premtonte një të ardhme të begatë, gjë që më vonë nuk zhgënjeu, por u vërtetuan plotësisht. Me mbështetjen dhe përkrahjen e pakursyer të mjeshtreve të pasionuar të sportit shkodranë, si: Gëzim Mema, Nafeil Piraniqi, dhe të ndjerit Kujtim Trashani, të cilët pikasen këto cilësi tek Vladimiri. Me përkushtim e përkrahën dhe e frymëzuan, që në moshën 14-vjeçare, në vitin 1990, bën që Ladi të shpallej kampion për moshën e tij në Spartakiadën Kombëtare, në sportin e hedhjes së gjyles, trofe të cilin e mban vazhdimisht deri në përfundim të shkollës së mesme.
Studimet në IKF “Vojo Kushi”, në Tiranë, aktivizimi me klubin sportiv “Studenti” bën që ti përkushtohej në mënyrë të veçantë sportit të hedhjes së shtizës dhe në moshën 20-vjeçare shpallet kampion i vendit për të rritur, por Ladi nuk ishte përsëri i kënaqur pasi synonte thyerje rekordesh e për ketë ai derdhi shumë djersë, bëri shumë mund e stërvitje derisa arriti të thyente rekordin kombëtar dhe ta përsëriste herë pas here, duke qenë tashmë i aktivizuar në gjirin e klubit shumë të njohur “Partizani”. Mund të themi me plot gojën se Vladimir Sokoli është i vetmi atlet shqiptar që çdo gjë e ka arritur me mundin e vet, madje edhe në kushtet e mungesës së plotë të një trajneri për ta stërvitur, por kjo gjë nuk e pengoj atë që të bëhet plot njëmbëdhjetë herë kampion në njëmbëdhjetë vite radhazi dhe po kaq herë edhe fitues i kupës së republikës së Shqipërisë. Gjigand nga përmasa trupore dhe po aq “gjigand” nga gjerësia e shpirtit, i pasionuar për sportin, intelekt natyror dhe të kultivuar, i respektuar dhe i paqët në komunikim, i thjeshtë në shoqëri dhe i vlefshëm në zgjedhjen e problemeve përbëjnë kompozimin e këtij njeriu me emër në shoqërinë tonë. Kampion i vendit në radhët e klubit sportiv “Studenti”, më vonë karriera e tij sportive do të pasonte një kolpo kur u përfshi në radhët e klubit sportiv “Partizani” dhe kjo vërtetohet nga ato që u tha më lartë, sepse nga viti 1996 do të shpallej kampion kombëtar i padiskutueshëm dhe fitues i kupës së republikës për 11 vjet radhazi dhe vazhdimisht duke përmirësuar rekordet kombëtare të vendosura prej tij. Trofetë dhe rekordet e tij janë të pakrahasueshme me asnjë sportist tjetër të kësaj disipline sportive. Arritjet e tij për 11 vjet e kthyen atë në një “hegjemon” karrierash sportive. Kjo vërtetohet, se në vitin 1996 ishte i pari atlet shqiptar që do ta hidhte shtizën në largësinë e 66 metrave, ishte ky moment kur Ladi theu rekordin kombëtar që mbahej nga i madhi Spartak Kovaçi. Por, kjo ishte vetëm e para, pasi tre vjet më vonë do të thyente rekordin e tij, duke arritur në 67 metra dhe përfundimisht duke arritur në rezultatin që përbën rekordi aktual kombëtar me 67.32 metra, një rekord që është i vendosur në trofeun e “nderimit të Figurave”, në vitin 200.
Vladimiri ka qenë i pranishëm si përfaqësues i vendit tonë në aktivitete ndërkombëtare: në Selanik, në Athinë, në Ankara, në Stamboll, në Rumani, në Bullgari, në Beograd, në Bari e në Tivar. Pra një sërë aktivitetesh ballkanike e evropiane dhe duke arritur tregues mjaft të mirë duke fituar simpatinë e shumë sportdashësve vendas e të huaj, dëshmi e të cilave janë diplomat dhe medaljet e fituara. Ja si shprehet Sabri Bejleri për sportistin Vladimir Sokoli: “Është vështirë të flasësh për pak çaste për një sportist si Vladimir Sokoli! Ai është një nga figurat më të mëdha të atletikës shqiptare të ditëve tona dhe padyshim një nga  atletët më të kompletuar në të gjitha drejtimet. Është një njeri i respektuar dhe që vjen nga një familje shumë e respektuar dhe me tradita në sportin e atletikës. Është kushëri i parë i një atleti ndër më të njohurit e vendit tonë. Dua të theksoi se Vladimir Sokoli është personalitet i këtij sporti dhe mbi të gjitha një njeri me vullnet të jashtëzakonshëm. Ai është impenjuar edhe me aktivitete të tjera dhe megjithëse shumë i ngarkuar e gjen kohën e nevojshme edhe për tu stërvitur. Si të them ndryshe, Ladi ( i thërrasim shkurt) e ka në gjak atletiken. Jo më kotë është rekordmen i padiskutueshëm në hedhjen e shtizës në vendin tonë. Edhe për sa i takon jetës përtej sportit, ai është një person i rregullt që vjen nga familja e nderuar. Dua të theksoj se Vladimir Sokoli ka edhe meritën e madhe se të gjitha sukseset e tij i ka arritur duke u stërvitur pa trajner. Dhe mendoj se kjo ka qenë një pengesë për te, pasi nëse do të kishte një trajner pranë,  rekordi i tij, i hedhjes së shtizës do të ishte shumë më i mirë nga ajo çfarë regjistron tani. Të merresh me një sport të tillë shumë të vështirë është padyshim meritë, duke parë edhe kushtet në të cilat ai stërvitet, mungesën e bazës materiale dhe shumë gjëra të tjera, të cilat ndikojnë jo pak në rezultate. Së fundmi ka krijuar edhe familje me një sportiste kampione të padiskutueshme në vendin tonë, si Laura Derhemi. Pra një familje tërësisht sportive dhe e shëndoshë”
Mundësitë e këtij sportisti ishin edhe për më tepër, po të ishin kushte të tjera pune e stërvitje, por ai bëri atë që rrallë njerëz e bëjnë pasi u zotërues i kohës së tij, i prirjes së tij, i vullnetit e pasionit të tij, i fali sportit gjithë energjitë për të arritur aty ku është sot: njeri i respektuar, familjar i shkëlqyer, sportist i pasionuar e rekordmen i pakrahasueshëm dhe të gjitha këto falë një pune të pareshtur për t’ia arritur një qëllimi-të jetë dikush në jetë. Ai e arriti këtë dhe meriton falënderimet e thella për nderin që i ka bërë vetvetes, Shkodrës, Dukagjinit e sportit shqiptarë.

Kuriozitete: Origjina e tatuazhit!
Në ishullin Blinezisë, që gjendet në ujdhesat e Oqeanisë, afër kontinentit Australian. Ka lindur nga një popull i lashtë polinez, që ka jetuar në periudhën parahistorike. Ata përdoreshin për të dalluar të rijtë, të rejat që ishin në prag të pubertit dhe e shtresave të pasura nga të varfërit.

Njerëzit e lashtë nuk pinin qumësht!
Shkencëtarët anglezë kanë arritur në përfundimin se në kohët e lashta, banorët e Evropës nuk e kanë përdorur qumështin e bagëtive për t’u ushqyer. Analizat e eshtrave të periudhës së neolitit flasin se në atë periudhë të zhvillimit historik, njerëzit nuk ishin në gjendje ta tretnin qumështin, sepse iu mungonte një gen i posaçëm që është shfaqur në organizmin e tyre më vonë, përgjatë zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Tani, këtë gen e kanë 90 % e popullatës së Evropës. Megjithatë, edhe sot ka njerëz, të cilët qumështi i dëmton. Kjo ndodh pikërisht sepse atyre u mungon geni që prodhon fermentin lactase, pa të cilin përdorimi i qumështit iu sjell njerëzve shqetësime të mëdha, fryrje barku, spazma dhe diare.

Ushtarake!
* Mund të jetë 5 000 vjet (para lindjes së Krishtit) më parë të ketë filluar lufta. Në fillim lufta nuk kishte shumë pasoja. Ajo lindi nga vjedhja për të përfituar të mira materiale.
* 2 500 vjet më parë grekët e lashtë e bënë luftën ashtu siç e njohim sot.
* Ushtari mendohet të filloj të shfaqet para 3 000 vjet(para lindjes së Krishtit) me 35 kg peshë në kurriz. Edhe sot ushtari mbanë po të njëjtën peshë si para 2 500  e më shumë( p.l.K.) vjetëve më parë.
* 490 vjet para Krishtit, aemiku kryesor i grekëve ishte Persia.
* Fallanxha, d m th cilindrike dhe ecja përpara duhet të ishte në formë cilindrike, pa u ndalur, se po u ndale dmth humbje. E njëjta gjë. Asnjë luftë nuk mund të zhvillohet pa logjistikë e armë. Kështu edhe sot, edhe në Normadi- nën shembullin e Aleksandrit të Madh.

Humor
1) Administratori
Një administrator i sapo emëruar në detyrë kaloi kohën një javë në zyrën e re me parardhësin e tij. Ditën e fundit, para se të largohej përfundimisht nga zyra, ky i fundit lë ketë porosi: Në sirtarin e parë të tavolinës të kam lënë tre zarfa!
Nëse ndodhesh në një situatë të vështirë, kur nuk zgjidh do të lëmshin, hap njerin zarf të sirtarit, sipas radhës së vendosjes aty.
Tre muaj më vonë, situata po bëhej dramatike, çdo gjë po vete keq e më keq. Administratori po e ndjente veten realisht të kërcnuar në ruajtjen e karrikës së tij. Në ketë situatë tepër të vështirë ai u kujtua për fjalët e fundit të parardhësit të tij, dhe hapi menjëherë zarfin e parë. Mesazhi shkruante: “Fajësoni parardhësin tuaj!”. Ai shpejtoi të plotësonte ketë porosi dhe e “hodhi bumin” në atë fazë të parë të pasemërimit. Gjashtë muaj  më vonë, kompania po provonte vështirësi të reja të mëdha, qoftë në shitje-blerje, qoftë në pamundësinë dhe mangësitë serioze lidhur me prodhimin. Administratori u kujtua përsëri për zarfat dhe nxitoi të hapë zarfin e dytë. Mesazhi i shkruar aty ishte fare i thjeshtë: “Bëni reformë!”. Dhe ai filloi reformën “shkul e ngul” apo riorganizimin, deri duke zëvëndësuar pjesën më të madhe të personelit. Njerëzit duke u harruar pas këtij riorganizimi, i gëlltiten një pjesë të vështirësive sepse disa të tjerë dhe u “zbutën” fillimisht në ketë proçes riorganizimi ...
Por, përsëri, pas tre muajsh, kriza u rishfaq, mandje mjaft më e egër. Administratori vrapoi te sirtari dhe hapi  zarfin e tretë. Por tashmë, mesazhi i shkruar aty ishte mjaft i qartë: “Përgatitni tri zarfat”.

2) Shqiptari!
Në një simpozium ndërkombëtar në Japoni ishin mbledhur mjekë nga e gjithë bota, pasi do të raportohej për sukseset shkencore në fushën e mjeksisë. Kishte shkuar edhe një shqiptar. I pari e merr fjalën amerikani:
- Shkenctarët amerikanë kanë shpikur një mënyrë të re për qepjen e gjymtyrëve. Për shembull, një burrë, në një aksident automobilistik, preu fare njërën këmbë. Ia qepën me këtë mënyrë dhe ai tani është nisur për një eskursion më këmbë nëpër botë ...
Pas tij, e merr fjalën rusi:
- Eh, ajo metodë është e vjetër! Shkenctarët tanë zëvëndësojnë çdo pjesë të dëmtuar të trupit me dru. Ja për shembull, dikush në një aksident automobilistik nxorri krejt syrin. I vumë një sy të ri prej druri, ia ngjitëm me këtë solucion special dhe ai shikon më mirë se me syrin e vet ...
Shqiptari, mendueshëm, po kruante kokën. Më në fund, foli edhe ai:
- Shkenca jonë ka arritur të bëjë transplantimin e pjesëve të ndryshme të kafshëve ne trupin e njeriut. Ja, për shembull, një qytetari iu dëmtuan “hallatet”. Mjekët tanë ia zëvëndësuan sakaq me sisë lope të racës sllave të kryqëzuar me turke. Ai tani, jo vetëm që mban shtatë gra, por prodhon edhe 200 litra qumësht në 24 orë ...
- Profka! – bërtitën njëzëri amerikani me rusin. – E ku është parë kjo?
E kanë parë, e kanë parë! Ja, ata pacientët tuaj, ai amerikani me këmbë të qepura dhe ai rusi me sy prej druri ...

3) Bashkëshortët!
Dy bashkëshortë, shtrirë mbi krevat, pasi kanë bërë dashuri, bisedojnë me njeri – tjetrin. Gruaja thotë me një ton ëndërrues:
- I dashur! Sikur ti të kishe harem, ç’vend do të zija unë në listën e gjatë të grave tua? Cila do të isha unë për ty?
Ajo tha këto fjalë dhe po priste që i shoqi t’i përgjigjej me dashuri: “Ti do të ishe e para, më e dashura, më e bukura ...”, ndërsa ai ia preu shkurt:
- Ti do të ishe më dembelja ...
- Pse?!
- Po ku është parë dhe është dëgjuar që Sulltani t’i lajë pjatat vetë tri herë në ditë?

Kanë thënë
1) Ç’është toleranca? Është atribut i njerëzimit. Ne të gjithë jemi të gatuar nga dobësi e gabime. T’i falim në mënyrë reciproke budallaqet tona, ky është kigji i parë i natyrës.
VOLTALRE

2) Njeriu subdohet nga një ligj ku ka dashuri dhe urrejtje, ku ka respekt dhe përbuzje, ku ka admirim dhe zili. Është një ligj universal nga i cili nuk shpëtojnë as nënat.
GEORG GRADDECK

3) I lumtur është ai njeri që ka një gjykim të drejtë, i lumtur është ai që është i kënaqur me fatin e tij; gjithkush duhet të jetë i kënaqur me atë që ka; i lumtur është ai që arsyeja i sugjeron si t’i rregullojë punët e veta.
SENECA
Mblodhi Ndue Sanaj

KËSHILLTARI FRAN MOLLA

ZEF NIKA
Fran Molla, kryetari i degës së Shoqatës “Atdhetare-Dukagjini”, në Kurbin, fiton mandatin e anëtarit të Këshillit Bashkiak të Qytetit Laç, për të tretën herë.
Fran Molla, ka lindur me 19 mars 1951, në fshatin Sermë-Toplanë, të komunës Temal, në një familje me vlera patriotike dhe bujare. Kur e takon dh bisedon me te, të duket i ri, energjik dhe i shkathtë, orator dhe i vendosur në mbrojtje të mendimeve dhe ideve të tij me argumente bindëse.
Në moshën e shkollës dhe adoleshencës është dalluar në mësime dhe në marrëdhëniet me kolektivin nxënës, mësues dhe në fshat, për vendosmëri dhe i pa përtuar në dhënien ndaj moshatarëve të vet. Ka përfunduar mësimet e mesme dhe studimet e larta për agronomi, si dhe shkollën e lartë të Partisë Punës.
Karriera e tij është e pasur dhe e suksesshme. Ai nga viti 1968 dhe deri sot është ngarkuar me disa detyra, si: me punë rinie, brigadier në fshat, përgjegjës sektori në fshatin Ndreaj të kooperativës së Shoshit, ku punoj rreth 12 vjet. Në të gjitha këto detyra të rëndësishme është njohur jo vetëm në realizimin e tyre me mjaft sukses, por mbi të gjitha në marrëdhëniet e mira me komunitetin, duke u gjendur pranë secilit fshatar në gëzime dhe probleme, duke qenë aktiv në zgjidhjen e tyre. Për këto vlera është zgjedhur dy herë anëtar i këshillit Popullor të rrethit Shkodër. Edhe sot pas kaq vitesh, dukagjinasit që kanë punuar me te, që kanë komunikuar me te, e kujtojnë me respekt dhe e nderojnë. Për këto merita, është dekoruar dy herë me medalje, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Frani, në fund të viteve ’80, largohet nga vendlindja dhe vendoset në qytetin e Laçit-Kurbin. Edhe këtu, vazhdon po me ato vlera të larta të punojë në detyra të ndryshme shtetërore dhe shoqërore. Kudo suksese dhe respekt. Sot është kryetar i Partisë Socialiste për qytetin e Laçit, si dhe punon në një biznes të vogël për të mbajtur veten e familjen.
Për të gjitha këto vlera, veçanërisht në marrëdhëniet me njerëzit, qytetarët e Laçit për të treten herë i dhënë votën për anëtar të këshillit. Pra, me 18 shkurt 2007, ka fituar mandatin e anëtarit të Këshillit Bashkiak të Qytetit të :Laçit.
Ai ka një dashuri të veçantë për vendlindjen e tij, Dukagjinin. Kudo që ka shkuar në seminare, takime pune dhe shoqërore, si brenda vendit dhe jashtë vendit, me shumë krenari publikon veten dukagjinas.
Anëtarët e degës së Shoqatës “Atdhetare-Dukagjini”, e kanë zgjedhur kryetar të tyre dhe Konferenca e II e Shoqatës e ka zgjedhur anëtar të Kryesisë së shoqatës. Me përpjekjet e tija, me përkushtimin e tij, për dashurinë që ka për Dukagjini e dukagjinasit ka punuar që dukagjinasit në rrethin e Kurbinit, të gjejnë veten në statutin dhe programin e shoqatës dhe në veçanti të degës së Kurbinit.
I shkruam këto pak rreshta për djalin e Dukagjinit, Fran Molla, për vlerat e tij, se zgjedhja e tij për të treten herë anëtar i këshillit Bashkiak të qytetit Laç, është krenari për shoqatën “Atdhetare-Dukagjini”, dhe për dukagjinasit kudo ndodhur.
Redaksia e gazetës, Fran Mollës, i uron faqebardhë në ketë detyrë sa fisnike dhe aq të përgjegjshme para popullit që të ka votuar.

SHFAQJET E PARA KINEMATOGRAFIKE

GJERGJ DINELLI
Më 20 DHEJTOR 1895, Në Paris, vëllezërit Lymier(Lui dhe August) i dhanë botës artin e shtatë, kinematografinë. Njerëzit u befasuan; në perden e bardhë, ato panë figura që lëviznin. Ishin copëza jete të marra në lëvizje. Filmat e parë ishin shumë të shkurtë; zgjasnin veçse pak minuta. Shpikja mori dheun. Ajo u njoh edhe në Shkodër.
Në veprimtarinë e atdhetarit Kolë Idromeno, si piktor e arkitekt i talentuar, tërheq vëmendjen edhe fakti se ai solli i pari në vendin tonë aparatet kinematografike dhe provoi detyrën e kinomekanikut. Të moshuarit në Shkodër kujtojnë se Kolë Idromeno ka shfaqur filma pa zë në vitin 1908. Këto filma janë shfaqur në klubin “Gjuha shqipe” që gjendet në rrugën që sot mban emrin “Branko Kadia”. Ato nuk ishin filma me subjekt, por pamje të ndryshme të botës. Këto mund të quhen edhe sipas të dhënave tashmë të dokumentuara si shfaqjet e para të filmit në vendin tonë. Më vonë, në pjesën e poshtme të shtëpisë së tij, Kolë Idromenoja improvizoi një sallë për shfaqje filmi. Në vitin 1911 në kolegjin Saverian, shquar për veprimtari kulturore e artistike për rininë, u montuan një palë aparate kinematografike të cilat jepnin filma me përmbajtje fetare. Kolë Idromeno me shfaqjen e filmit synonte në zhvillimin kulturor të popullit, prandaj këtë veprimtari ai e zgjeroi më tej, siç vërtetohet edhe nga kontrata e lidhur mes tij dhe austriakut Jozef Stauber, në shtator të vitit 1912-1913 kopje e së cilës gjendet në arkivin Qendror të Shtetit ku flitet një dhënie me qira të lokalit mbi bazën e të cilit Idromenoja merrte përsipër shfaqjen e filmave. Në të parashikohej qiraja e lokalit 49 napolana ari se në ndërtesen nuk mund të bëhej asnjë ndërtim që dhoma e projektorit të ishte e veshur me llamarinë për t’u mbrojtur nag zjarri i mundshëm që shfaqjet mund të jepeshin deri 2 orë pas perndimit të diellit, etj.
Energjia elektrike sigurohej nga një gjenerator që punonte me benzinë. Lufta e Parë Ballkanike tetor 1912-prill 1913 qe pengesa për zhvillimin e këtij arti. Megjithatë kur qyteti bombardohej egërsisht, populli, si të donte të sfidonte vdekjen, ndiqte shfaqjen e filmave. Pas kësaj periudhe populli u njoh edhe me propagandën që i bëhej filmit edhe ndërmjet shtypit. Në tetor 1913, për shembull lexojmë në gazetën :Besa Shqiptare”, u shfaq filmi “:Mirasetaksiratesh” a “Shpirtën të këqinj”, etj. Filmi jepet dy herë në ditë dhe ishte pa zë. Në Verën e vitit 1914 Idromeno bëri një turne në Malin e Zi e në bregdetin e tij.
Me pushtimin austro-hungarez, janar 1916 kinemaja njohu një zhvillim të madh. Në qytet filloi nga puna kinema “Lovqen” pa lënë në harresë se vepronte edhe e ashtuquajtura kinema fushore e destinuar për efektivat ushtarake.
Pas Lufës së Parë Botërore e në vazhdim, këto salla shërbyen edhe për zhvillimin e mbledhjeve të karakterit politik, për shfaqje teatrale si edhe leksione për vjetërsinë e gjuhës shqipe.
Siç rezulton edhe nag dokumenta të kohës, ai pati lidhje me shumë firma të huaja të prodhimeve fotografike e kinematografike, si me firmën franceze “Pathe Cinema”,  e cila i shkruante z. Idromeno më 6 tetor 1924 se: “... do të jemi të gëzuar të hyjmë në marrëdhënie pune me shtëpinë tuaj të shquar ...”, është fjala për dyqanin e fotografisë. Firma “Pathe Cinema”, thekson se këto filma kanë qenë objekt studimi prej katër vjetësh dhe së shpejti do të hidhen në tregjet botërore. Nuk duhet harruar se ai ishte njëri nga pionierët e fotografisë shqiptare. Më 1895, siç shkruan në Anuarin statistkor të atij viti, ai figuron i regjistruar si fotograf.
Salla e kinemasë e ngritur nag austro-hungarezët qëndroi e mbyllur deri më 1926. Pastaj me emrin “Shkodra” vazhdoi punën me një aparat që manovrohej me dorë. Në vazhdim ajo u pajis me një motor që punonte me energji elektrike të siguruar me një gjenrator. Filmat merreshin me qira nga kinema “Nacional” i Tiranës. Më 1931 filloi punën kinema “Rozafa” me pronar Ndoc Prendushi dhe Tom e Luigj Dajçi. Tre vjet më vonë u përurua, me 1934 kinema “Kastrioti”, me pronar familjen Çoba, më 1935 edhe kinemaja tjetër “Gloria” me pronar Luigj Mjeda. Me perjashtim të kinema “Rozafa” dhe “Kastrioti” del edhe me emrin “Skanderbeg”, ish kinema verore, kinematë e tjera ishin improvizime, salla për shfaqje filmash nuk kishte kushte higjenike si dhe kishin humë mangësi. Për ketë arsye nuk kanë munguar kritikat në shtypin e kohës ku theksohej se pronarët marrin jashtë shtetit filma të vjetër pa kuptim dhe të shkatërruar se ata duan të harxhojnë pak dhe të fitojnë shumë, se në kinema s’ka ndriçim dhe tekstet bartin shumë fjalë të huaja të panevojshme. Megjithatë, ata patën një rëndësi të madhe për gjallërimin e jetës kulturore e artsitike të qytetit. Kinema “Rozafa” që ndodhej pranë  “Kafes së Madhe”, veproi deri në vitin 1950, kur u dogj. Ajo kishte plate, galeri e lozhe me 400 vende dhe vepronte pa ndërprerje. Për të qenë e pavarur nga rrjeti elektrik i qytetit kishte një motor dritash.
Pas Luftës së Dytë Botërore, më 16 prill 1947 të gjithë kinematë e qytetit u shtetëzuan pa asnjë shpërblim nga pushteti i kohës.
Ajo që i qëndroi më shumë kohës është kinema “Kastrioti”, sot kinema Verore. Ajo kishte 500 vende. Me 1984 asaj iu bë një rikonstruksion për 1300 vende duke ndërtuar edhe skenë me përmasa optimale për çdo lloj veprimtarie. Padyshim që ajo mbetët kinemaja më e mirë e vendit në llojin e vet. Më 1958 u përurua kinemaja e re që mori emrin “Republika”. Ka 600 vende dhe është e pajisur me sistemin e ngrohjes dhe ka platenë e galerinë. Ajo ka shërbyer edhe për veprimtari të tjera.
Ndërkohë në qytet kanë vepruar edhe kinema “Punëtori” deri në vitin 1990 për t’u rikthyer sot në destinacionin e saj, Kisha Françeskan, ajo e qendrës kulturore të fëmijëve, shtëpia e pionierit, kinema “Kufitari”, në qytetin e Koplikut, autokinematë më në zë të qytetit, si: Taip Bilali, Kolë Hila, Paç Mjeda, Ali Hajdari, Ahmet Boshnjaku, Mikel Ndreca, Nikolin Kabashi, si kinoteknik dhe kinomekaniket Zana e Anita Deliallisi e kinomekaniku Ali Golemi.
Ngjarje të rëndësishme në jetën e qytetit dhe për muzeologjinë kinematografike shqiptare ishte përurimi i Muzeut të Filmit në muajin nëntor të viti 1987 pranë kinema verores, ku nëpërmjet dokumentave, foto e apratura kinematografike, kujtimeve të ndryshme paarqitej ecuria e shfaqjeve të para të filmit në vendin tonë, në Shkodrën tonë. Koha e tranzicionit dëmtoi edhe muzeun e filmit si edhe kinema veroren e qytetit tonë.

part03
   
   
     
 

nëkrye

 
 
numrat