part01
part02
kryesore historiku aktivitete gazeta botime tetjera

ZËRI I VËLLAZËRISË-2012: “100 VJET PAVARESI E SHTETIT SHQIPTARË”

Nga Albert Marku

Me këtë moto, “Zëri i Vëllazërisë-12012”, në bashkëpunim me Shoqatën “Martin Dreshaj”, e cila ka zhvilluar një varg manifestimesh e veprimtarish të bukura, kushtuar 100-vjetorit të pavarësisë, me moton “100 Vjet Rrugëtim drejt Bashkimit Kombëtar”. 
Në fillimin e këtyre veprimtarive, u nis në Shkodër më 21 prill dhe u kurorëzua në Deçan më 24 prill 2012. Shoqata Atdhetare “DUKAGJINI” priti miqtë e saj ne  “Fshatin e Paqes”, përballë kështjellës “ROZAFA”.
Ne mesditën e datës 21 prill 2012, miqtë pjesëmarrës ne këtë veprimtari, nga Kosova, Kosova Lindor dhe shqiptaret ne Mal te Zi, u priten ne Këshillin e Qarkut Shkodër, nga Sekretari i tij, Pjerin Raboshta, i cili pasi ju uroj mirëseardhjen dhe suksese ne realizimin e qëllimit te këtij manifestimi te pagëzuar “Zëri i vëllazërimit-2012”, qe zhvillohet ne kuadrin e 100 vjetorit te Shpalljes se Pavarësisë dhe qe shtrihet ne një hapësirë mjaft te madhe, Shkodër dhe deri ne Rrafshin e Dukagjinit; i njohu me përbërjen e Qarkut te Shkodrës, punën qe behet dhe perspektiven e tij.
Miqve, kryesia e shoqatës “Atdhetare-Dukagjini”, ne “Fshatin e Paqes” ju shtron një dreke ashtu siç pritet miku, siç e ka ne tradite dukagjinasi.
Manifestimi vijoje me Konferencën përkujtimore, me teme: “Ndihmesa e Kryengritjeve Antiosmane te malësorëve te Veriut ne arritjen e Pavarësisë”.
Këtë konference historike dhe përkujtimore e drejtoi Ndue Sanaj, Kryetari i Shoqatës “Atdhetare-DUKAGJINI”, i cili pasi beri prezantimin e konferencës, falënderoj pjesëmarrës, miqtë nga Kosova, Kosova Lindor, shqiptaret ne republikën e Malit te Zi; perfaqesues te pushtetit vendor, si: nga Prefektura e qarkut Shkodër, sekretari i saj Bardh Sheqi dhe N/prefekti i Malësisë se Madhe, Sytki Ndreca, përfaqësuesve te komunave Rrethina, Temal, Shalë, Pult e Shllak si dhe shume personalitete të tjera brenda e jashtë vendit. Një falënderim i veçante ishte për Pal Dreshajt, vëllai i te ndjerit Martin Dreshaj, emrin e te cilit mban Shoqata e Miqësisë Kosove-Malësi e Madhe, me qendër ne Peje.
Me kumtesa shkencore në sesionin kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Shkodër, u paraqitën dhe referuan: Autorët Shkodranë Prof. Dr. Romeo Gurakuqi, me teme: “Organizimi i kryengritjes se malësisë Mbishkodrës e vitit 1911”; Dr. Simon Lufi, me teme: “Pavarësia e Shqipërisë. Politika e Fuqive te Mëdha”; studiuesi e publicisti Luigj Shyti, me teme: “Djelmnia e Shalës, organizim rinor perparimtar”; Publicisti, poeti dhe historiani Prelë Milani, me teme: “Luftërat e dukagjinasve për Liri dhe Pavarësi dhe roli i tyre ne Shpalljen e Pavarësisë se vendit”; profesor Rexhep Abazi nga Medvegja, me teme: “Nga Isai e deri te Ademi, 100 vite rrugëtimi drejt Pavarësisë” dhe studiuesi publicisti Ndue bacaj, me teme: - Ne gjurme te historise ku e ndez flaka e lirise dhe flamurit 101 vite me.
Pas prezantimit të këtyre momenteve historike shumë të rëndësishme për historinë e Shqipërisë, dhe një pushimi kafeje për pjesëmarrësit, vijoje veprimtaria me një program te pasur artistik, me këngë dhe valle nga te gjithë trojet etnike te Veriut te nacionalitetit Shqiptar, nga këngëtar te grupit folklorike “Treva” i Dukagjinit, si: Gofile Papleka, Prek Mrisha, Fran Kodra, Bardhok Prebibaj e Sander Gurra; nga Shoqata Kulturore-Artistike “Dedë Gjon Luli” nga Tuzi, nga Shoqëritë Kulturo-Artistike të Deçanit, te Istogut, te Ansamblit “RUGOVA”, si dhe i veçante ishte pjesa skenike qe luajt nga aktori prej komunës se Klinës, Ismest Krasniqi e që iu kushtua luftërave për liri. 
Një falënderim i veçantë shkon për biznesmenin e Dukagjinit ne Miçigan, Ndue Ftonit, që nuk kursehet asnjëherë për ndihmuar financiarisht ne realizimin e misionit te Shoqatës “Atdhetare-DUKAGJINI”, në të mirë të kulturës, traditës së Dukagjinit në veçanti dhe Shqipërisë në përgjithësi. Gjithashtu ky falënderim është edhe për Sokol Cubin-kryetari i komunës Pult, Klevis Muja-kryetari i komunës Rrethina, Mark Zhuri-kryetari i komunës Temal, te cilët jo vetëm mbështeten financiarisht realizimin e kësaj veprimtarie, por ne vijimësi janë treguar dhe tregohen bujar ne mbështetjen e shoqërisë civile ne realizimin e misionit te tyre dhe ne veçanti te shoqatës “Atdhetare-Dukagjini”. Te gjithë, kryetari i shoqatës i uroj: “Paçin e dhënçin”.
Rrugëtimi i këtyre Shoqatave nga Shqipëria, Tuzi, Malësia e Madhe, Kosova e Medvegja, vazhdoi për dy ditë me radhë nëpër Kosovë, ne Rrafshin e Dukagjinit, ne komunën Peje, Kline Istog dhe Deçan. Ndalesa e parë ishte në qytetin e Pejës, qe pas një lëvizje nga pjesëmarrësit neper këtë qytet te bukur me veshje tradicionale, me muzike e valle popullore, u nisem për ne komunën e Klinës.
Manifestimit kulturor mbarëkombëtar i shoqatave dhe grupeve kulturore nga trevat shqiptare me moton “100–Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë” i bashkëngjitet edhe grupi i rapsodëve te shoqatës Kulturore-Artistike “Jehona e Dukagjinit” nga Klina.
Në ora 15.00 filloi lëvizja i këtyre grupeve artistike drejt qendrës së qytetit, duke u ndalur para objektit të ri të Komunës për të vijuar te Sheshi “Mujë Krasniqi” ne te cilin një përfaqësi e pjesëmarrësve vendosi buqetë lulesh, ndërsa grupet artistike hidhnin valle. Vazhdon lëvizja e pjesëmarrësve drejt sheshit”Nëna Tereza”. Pranë momentit te Nene Terezës, përfaqësues te pjesëmarrësve vendosen buqete me lule.
Vijon lëvizja drejt sheshit te “Muje Krasniqit”, ne te cilin u dha një program i pasur artistik nga folklori i gjithë trojeve etnike shqiptare pjesëmarrës ne këtë manifestim. Kështu para qytetarëve klinas dhe të ftuarve u dha një program artistik, këngë e valle, u paraqiten këto grupe dhe shoqata kulturore: Shoqata “Atdhetare-DUKAGJINI”, me këngëtarin e mirënjohur Gjovalin Prroni si dhe me grupin artistik te valleve te koreografit te mirënjohurin Aldo Nika; Ansambli”Dedë Gjon Luli” qe përfaqësonte Hotin e Grudë, Triesh, Kojë e Rrozhajë; Ansambli “Shpëtimi”- Medvegjë; grupi folklorik ”Jehona e Dukagjinit”- ne Klinë; Ansambli “Majat e Karafilave” ne Plavë e Guci; Shoqata “Drini” ne Shkodër; Ansambli “Shqiponja e Dukagjinit” ne Gjakovë; Trupa e Teatrit “Osman R. Gashi” i cili dha pjese skenike nga filmi “Nëntori i dytë”.
Moderatori, Rrahman Jashari përshëndet të pranishmit dhe fton Kryetarin e Komunës, Sokol Bashota për ta hapë manifestimin. Pjesëmarrësit i përshëndeti dhe kryetari i shoqatës “Atdhetare-Dukagjini”, Ndue Sanaj, i cili i shoqëruar nga anëtarja e shoqatës-Dukate Bregu, kryetarit te komunës Kline, Sokol Bashotes, i dorëzuan logon e Shoqatës. Pastaj me program te përgatitur nga koordinatori Rrahman Jashari, vijoje paraqitja e grupeve artistike pjesëmarrëse në manifestim.
Dita e librit- Malësi, Shkodër e Dukagjin zbresin në Klinë
Një manifestim që ishte ne Ditën e Librit. Pas përfundimit të manifestimit kulturor mbarëkombëtar i Shoqatave dhe grupeve kulturore nga trevat shqiptare me moton “100 – vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë”, veprimtaritë vazhduan me promovim libri e orë të përbashkët letrare në sallën e Kuvendit Komunal me shkrimtarë shqiptarë nga Mali i Zi, Shkodra, Peja, Medvegja e Klina. Orën letrare e drejtoi kryetari i Klubit të shkrimtarëve “Vorea Ujko” Klinë, poeti Gjon Gjergjaj. Orën letrare e shpalli të hapur drejtori i Drejtori i Drejtorisë se Kulturës Rinise dhe Sporteve te Komunës, Ahmet Krasniqi. Në Pjesën e parë të orës letrare u promovua libri “Dosja e tmerrit” i autorit Fran Camaj ngaTuzi ne Malësia te Madhe, me kumtesa u paraqiten: Publicisti, poeti e kritiku letrar Prend Buzhala me një kumtesë për romanin “Dosja e Tmerrit”; Dr. Asllan Krasniqi me temën “Kryengritja në Malësi të Madhe para Pavarësisë së Shqipërisë” dhe poeti Hajdin Morina, me teme: “Krijimtaria Letrare e Krijuesve Shqiptar në Mal të Zi”. Aktori Ismet Krasniqi deklamoi pjesë nga libri “Dosja e Tmerrit” të autorit Fran Camaj, i cili atë ditë luajti edhe një pjesë skenike kushtuar shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Autori i librit “Dosja e tmerrit” Fran Camaj i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në promovim dhe veçmas shprehi respekt për organizatorin e këtij Manifestimi kulturor gjithë nacional, i cili para dy dite filloi në Shkodër e sot po mbahet në Klinë. Në pjesën e dytë u lexuan poezi të krijuesve nga Shkodra, Malësia e Madhe, Peja, Medvegja, Rozhaja, Plava, Gucia e Klina. Poet e shkrimtar i dhuruan libra bibliotekës së qytetit “Kongresi i Manastirit” në Klinë. Një dhuratë simbolike iu nda shkrimtarit Fran Camaj, nga Klubi i Shkrimtarëve “Vorea Ujko” në Klinë.
Poetët nga Shkodra: Luigj Shyti, Prelë Milani, Lulash Brigja, Albert Marku, Drita Shyti recituan pjesë nga poezitë e tyre, te cilet u priten dhe u duartrokiten nga të pranishmit në salle.
Shkrimtarët nga Malësia e Madhe e Tuzi: Fran Camaj, Ali Daci, Naim Martini 
Nga Kosova Lindore: profesor Rexhep Abazi
Poetët nga Peja: Skënder R. Hoxha, Hasan Gjonbalaj e Agim Desku
Poetët nga Klina: Gjon Gjergjaj, Hajdin Morina, Ismet Krasniqi, Vilson Culaj, Mahir Morina, Haki Morina e Arbërore Abazaj, 
Pas përfundimit të orës letrare, të pranishmit kaluan çaste te bukura në një koktej rasti, kontribut i familjes CAMAJ nga Klina e Tuzi dhe në darkën e shtruar për miqtë nga Kuvendi komunal. Prezent ishte dhe kryetari i komunës se Klinës, Sokol Bashota. Nga Drejtoria e Kulturës Rinise dhe Sporteve ndahet një dhuratë-pikturë e punuar nga piktori i mirënjohur klinas, Idriz Berisha, e cila iu dhurua ansamblit artistik “Dedë Gjo Luli” Malsi e Madhe.
Pas darkë pjesëmarrësit te shoqëruara në çdo moment nga makinat e Policisë së Kosovës, të cilët meritojnë falënderime të pafundme për gatishmërinë dhe ndihmën e tyre në mënyre që i gjithë programi e përcaktuar të zhvillohej në mënyre korrekte, u vendosen ne hotel Banja te Pejës dhe ne këtë mënyrë mbyllem kështu ditën e parë të manifestimit ne Rrafshin e Dukagjinit.
***
Me datën 24 Prill 2012, pjesëmarrësit e pranishme udhëtuan drejt Istogut. Ne këtë qytet pjesëmarrësit u priten nga N/kryetari i komunës Agim Ademaj dhe pastaj të gjithë se bashku me veshje tradicionale, me kënge e valle bëmë lëvizjen neper qytet, neper rrugët kryesore të qytetit, u vendosen buqeta me lule tek Monumenti i Dëshmorëve. Më pas u bë një vizite në Muzeun Historik të Istogut. Në këtë muze të pasur me veshje të vjetra të krahinave të ndryshme të mbare Shqiptarisë, mjete pune dore, mjete pune krahut, objekte të vjetra të gjetura në vende të ndryshme, minerale të ndryshme e te tjera. Rreth orës 11:00 u dha një koncert i përbashkët artistik në Qëndron Kulturore të Istogut. Pas koncertit, te shoqëruar nga autoritet komunale, ne bar-restorant “Freskia” u kaluan çaste te kënaqshme ne një dreke, e cila ishte dhe dreke pune. U shkëmbyen mendime për kohen, për kulturën dhe artin, duke u sjelle ne çdo çast drejt mundësive te pjesëmarrësve dhe te tjerëve për tu paraqite ne vijim, ne vitet e ardhshme dhe rolin e padiskutueshëm ne mbështetjen e pushtetit vendore si ne Shqipëri dhe ne Kosove se, këto veprimtari janë ingranazhet me te mundshme te integrimit nacional te shqiptareve kudo qe jetojnë.
Rreth orës 15. 00 udhëtojmë drejt Varrezave te Dëshmorëve “Kullat Haradinaj”, ne Gllogjan. Këtu u bene nderimet për të rënët në krye të detyrës për Çlirimin e Kosovës nga trupat Serbe. Me anë të ciceronit të Varrezave të Dëshmorëve, u pasqyrua e gjithë historia, lufta, guximi, forca, gjaku i derdhur për Çlirimin e Kosovës nga Serbët. U vizitua edhe Kulla e varrezave te dëshmorëve, e cila ishte katërkatëshe dhe ende e pa përfunduar plotësisht së kompletuari në formë muzeu. Rreth orës 16. 30 po të kësaj dite, ZËRI I VËLLAZËRISË udhëtoj për në Deçan. Grupet u mirëpritën dhe u përshëndeten nga Kryetari Komunës Rasim Selmanaj, i cili në përgjithësi foli për historinë e qytetit të Deçanit, sfidat dhe arritjet e qytetit deri më sot. Siç është e zakonshmja, që ëmbëlsira lihet për në fund, po ashtu ndodhi edhe në këto veprimtari. Shoqatës “Atdhetare-DUKAGJINI”, iu dhane dy tituj të larte, njeri nga Komuna e Deçanit, me motivacioni “Ngritjen, ruajtjen, shpërndarjen e kulturës, traditës së Shqipërisë ndër breza” që iu dorëzua Sekretarit, Luigj Shyti, dhe një tjetër titull nderi u dha nga Shoqata “MARTIN NDRESHAJ” dhe që iu dorëzua kryetarit te Shoqatës, Ndue Sanaj. Koncerti i dhënë në Deçan, mbyll programin e këtyre veprimtarive te manifestimit “Zëri i vëllazërimit-2012” në kuadrin e “100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”, me vallen e madhe, vallen e “Lekeve” luajtur me mjeshtëri nga grupi valleve te koreografit Aldo Nika.
Për të pranishmit dhe për të gjithë të ftuarit u shtrua një darkë madhështore nga Komuna e Deçanit. Rreth orës 19:30 bëhet përshëndetja e fundit për këtë vit më shoqatat pjesëmarrëse me urimin “E PAÇIM SHQIPËRINË NATYRALE, ME LULE SHUME” si dhe ne vitin 2013 te jemi me shume dhe ne një bashkim Nacional, ne veçanti Shqipëri e Kosove. 
Shoqata “Atdhetare-DUKAGJINI” niset nga Deçani i Kosovës rreth orës 20:00 për në Shkodër, duke marrë me vete vlerësime, kujtime, si dhe motivacion për të qenë sa më afër gjithmonë kulturës, dijes, traditës, historisë, bujarisë dhe dashurisë për bashkëpatriotët, me moton: “Qajmë dhe gëzojmë se bashku!”.

Përshëndetja e Konferencës, mbajtur nga Kryetari i Shoqatës Atdhetare Dukagjini, z.Ndue Sanaj

Te nderuar Pjesëmarrës!

Zonja e zotërinj!
Me nismën e Shoqatës se Vëllazërisë Kosove-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”, me qendër ne Peje dhe mbështetjen e shoqatës “Atdhetare-Dukagjini”, me qendër ne Shkodër, organizohet Manifestimi i pagëzuar me emrin: “ZËRI I VËLLAZËRIMIT – 2012!
Ky manifestim zhvillohet ne çdo vit dhe secili vit ka veçorinë e vet, por ne këtë vit ky manifestim ka një veçori qe përsëritet vetëm një here ne një shekull, zhvillohet ne kuadrin e 100-vjetorit te Shpalljes se Pavarësisë se Nacionalitetit Shqiptar.
Ne Shkodër e kemi emëruar Veprimtaria “Zëri vëllazërimit-2012”, i cili ka dy pjese: Pjesa e pare është Konferenca Përkujtimore, me teme: “Ndihmesa e kryengritjeve antiosmane te malësorëve te Veriut ne arritjen e Pavarësisë” dhe pjesa e dyte është një koncert qe do te jepet pas Konferencës. Ne ditën e hënë e te martë manifestimi “Zëri vëllazërimit-2012” do te vijoje ne Rrafshin e Dukagjinit, ne Deçan, Peje, Istog dhe Kline.
Falënderoj jo vetëm ju qe jeni prezent ne këtë Konference, Shoqatën “Integrimi ne Evrope” me kryetar Gjergj Perluca, i cili për arsye familjare nuk ndodhet prezent, e cila është bashkëpunuese e kësaj Konference, por ne veçanti Shoqatën e Miqësisë Kosove-Malësi e Madhe, e pagëzuar me emrin e një prej heronjve ne ndihme te popullatës se Kosovës, një pjese e se cilës gjate luftës u vendos përkohësisht ne Republikën e Malit te Zi, ne shërbim se cilës ishte dhe djali prej Malësisë qe quhej Martin Dreshaj. Martin Dreshaj ne shërbim te tyre dha jetën. Por djemtë e vajzat e Kosovës, atë e bene te pavdekshëm duke e pagëzuar këtë Shoqate te Madhe, e cila shtrihet nga Malësia, ne gjithë hapësirën e Kosovës dhe deri ne Kosovën Lindor me emrin e tij, Martin Dreshaj, vëllai i te cilit ndodhet ne mes nesh-Pal Dreshaj.
Ne kujtim te jetës se këtij heroi, dhe te gjithë atyre qe dhanë jetën ne luftën shekullore kundër pushtuesit otoman dhe atij serbo-malazez, me lejoni tu ftoje te ngriheni ne këmbë për një minute heshtje: ........ “I përjetshëm qofte jeta e vepra e tyre”.
Gjithnjë do te hulumtohet, do te studiohet, do te shkruhet dhe do te referohet për historinë e popullit tone, ne veçanti për Shpalljen e Pavarësisë se Nacionalitetit tone. Edhe ne këtë 100 vjetor me historian si: profesor dr. Romeo Gurakuqi, dr. Simon Lufi, Prele Milani, Ndue Bacaj e Luigj Shyti kemi bere përpjekje te sjellim para jush historinë e malësorëve tanë ne luftën e pa ndalur te tyre shekullore kundër një nder pushtuesve 5 shekullor, te atij osman dhe ne veçanti ne periudhën e Shpalljes se Pavarësisë.
E nderojnë këtë Konference personalitete te qytetit Shkodër, te Malësisë se Madhe, autoritete te pushtetit vendor te qytetit Shkodër, te qytetit Koplik, te komunave te Dukagjinit dhe ne mënyrë te veçante, marrin pjesë veprimtarë, këngëtarë e valltarë dhe zyrtarë të qyteteve mikpritëse të Manifestimit në Kosovë, nga Klina-Ahmet Krasniqi, nga Istogu-Faton Bytyçi, nga Deçani- Mustaf Rama dhe anëtarë te Ansamblit “Dedë Gjon Luli”, nga Malësia Shqiptare ne Republikën e Malit te Zi, me ne krye N/kryetarin Pal Dreshaj.
Kjo veprimtari e ndjenë veten me mire, kur ne gjirin e saj është Sekretari Prefekturës se Qarkut Shkodër, Bardhyl Sheqi dhe N/prefekti i Malësisë se Madhe, Sytki Ndreca. Veprimtari, shkrimtari Fran Camaj, Tahir Tahiri, kryetari i këshillit nacional Shqiptar ne republikën e Malit te Zi.
Me lejon te bej me dije, ata qe mundësuan financiarisht realizimin e kësaj veprimtarie, te cilët janë biznesmeni ne Miçigan Ndue Ftoni, komuna Pult, me kryetar Sokol Cubi, komuna Rrethina-me kryetar Klevis Muja dhe komuna Temal –me kryetar Mark Zhuri, te cilët i falënderojmë
Te gjithëve ju urojme mirëseardhjen!
Konferencën e deklaroj te hapur!

Shpallja e Pavarësisë dhe politika e Fuqive të Mëdha. Italia dhe Austria

Nga dr. Simon Lufi

Në vjeshtën e vitit 1911 situata politike në Ballkan paraqitej komplekse dhe e ndërlikuar. Në fund të shtatorit Italia i kishte deklaruar luftë Perandorisë Osmane për të zgjidhur problemin mbi Libinë. Ky konflikt i ri që e angazhonte Turqinë ngjalli shpresa tek popujt ballkanikë duke parë një mundësi tjetër në dobësimin e mëtejshëm të fuqisë osmane nëse jo të nxjerrjes jashtë përfundimisht nga konteksti ballkanik. Shpresat e tyre janë sintetizuar nga deklarata që Krajl Nikolla i Malit të Zi (tetor 1911) i bëri baronit Squitti, ministër i plotfuqishëm i Italisë në Cetinë, sipas të cilit kishte arritur momenti për veprim “të njëkohshëm të gjithë shteteve ballkanike me Italinë”.
Shpresa të tilla në pjesën më të madhe u shuan nga drejtimi i operacioneve ushtarake kur Italia-sipas vlerësimit të politikanëve bullgarë e malazezë-mund dhe duhej të shkatërronte flotën osmane. Kjo nuk ndodhi qoftë për motive të karakterit tekniko-ushtarak, qoftë sepse nuk hynte në interesat e politikës italiane të epokës-nuk do të tolerohej nga fuqitë tjera evropiane destabilizimi përfundimtar i Perandorisë osmane.
Kritikat ndaj politikës italiane nuk lindin nga analizat sipërfaqësore të qarqeve politike ballkanike të cilat janë plotësisht të vetëdijshme që shkatërrimi i një flote nuk sjell sa hap e mbyll sytë shkatërrimin e një Perandorie; ato theksojnë që një ngjarje e tillë do ti jepte një goditje të madhe morale dhe materiale armatave të sulltanit duke favorizuar krijimin e një aleance ballkanike në funksion antiturk.
Jehona dhe përhapja e këtyre opinioneve shkaktoi, pikësëpari në Shqipëri, një ndjenjë pasigurie mbi fatet e ardhshme të Perandorisë dhe një grup deputetësh shqiptarë, nën drejtimin e Ismail Qemalit, kryetar i parlamentit osman për pak kohë gjatë tentativës “kundërrevolucionare” të vitit 1909 i kërkoi me vendosmëri parlamentit të Stambollit për të njohur të gjitha të drejtat e kombit shqiptar me dhënien e menjëhershme të autonomisë administrative.
Revolta e vitit që po mbyllej, dalja e liderëve nacionalistë shqiptarë, operacionet ushtarake nga ana e Otomanëve, e forcojnë në mënyrë objektive kërkesën ndërsa deputetë si Hasan Prishtina e rrisin nivelin e debatit duke akuzuar në Parlament Turqit e Rinj se po vepronin sipas një skeme politike “reaksionare” që ka provokuar revolucionin në Shqipëri (11 janar 1912).
Pikërisht në këtë moment Turqit e Rinj me gjasë bënë një prej gabimeve të tyre më të mëdha; me 18 janar shpërndanë parlamentin me shpresën që zgjedhjet e reja të sillnin deputetë më të thyeshëm dhe më pak të vendosur në opozitën ndaj qeverisë.
Por kështu nuk ndodhi të paktën në Shqipëri. Ismail Qemali, Hasan Prishtina dhe udhëheqës të tjerë nacionalistë vendosën mbi bazën e vlerësimit të situatës politike ndërkombëtare, ta çonin deri në fund luftën për sigurimin e pavarësisë së plotë duke realizuar atë që për disa kishte qenë një ëndërr.
Mund të pohohet që kurrë si në këtë rast tërësia e gabimeve të një pushteti të centralizuar me projekte, ndoshta të kota, me karakter reformist-si ajo e Turqve të Rinj-nuk kishte arritur të shndërronte një rebelim në një lëvizje me një përmbajtje dhe një projekt politik realizimi i të cilit bëhej imperativ që vepronte si bashkues i grupeve dhe fiseve të ndryshme në procesin e pandalshëm të emancipimit kombëtar.
Fushata elektorale i dha mundësi udhëheqësve shqiptarë për të mbështetur kandidatët nacionalistë dhe njëkohësisht për përhapjen e parullave për organizimin e një kryengritje të re të armatosur në pranverën e vitit 1912.
Në këtë pikë motivet e bashkimit mes shqiptarëve janë të shumta, por ai më i rëndësishmi ofrohet sërish nga gabimet e Turqve të Rinj të cilët përdorin me brutalitet xhandarmerinë për të penguar fushatën elektorale dhe ushtrimin e së drejtës së votës. Për Ismail Qemalin dhe Hasan Prishtinën më tepër se zgjedhje ky takim bëhet një plebishit; Turqit e Rinj u përpoqën atëherë të ndryshonin rezultatet e zgjedhjeve dhe nga fundi i prillit ngre krye Gjakova, në maj Kosova, në qershor kryengritja përfshin veriun, qendrën dhe jugun e Shqipërisë.
Për herë të parë kryengritja e një province të Perandorisë gjen mbështetje në Stamboll në ata grupe (partia e Itifalit dhe një pjesë e trupave ushtarake) që i kundërviheshin politikës së Turqve të Rinj.
Kryengritja e armatosur njeh suksese kudo: Isa Boletini çliron Vuçiternin dhe Bajram Curri i shkakton humbje të mëdha turqve në Qafën e Prushit; trupat e Themistokli Gërmenjit në Korçë, të Sali Butkës në Kolonjë, të Elmaz Xhaferit në Vlorë, të Aqif Biçakut në Elbasan, të Abdi Toptanit në Tiranë, të Ded Gjo Lulit në Shkodër sigurojnë suksese ushtarake dhe konsensusin e popullsisë,që u lehtësuan edhe nga faktorët e rinj të njëkohshëm. Një prej këtyre ka të bëjë me rebelimin e trupave që dërgoheshin kundër kryengritësve ndërsa opozita e oficerëve turq, kundër politikës së ministrit të luftës, mori karakterin e një mosbindjeje të vërtetë. Në të vërtetë këta oficerë, opozitarë ndaj lëvizjes reformiste të Turqve të rinj, e përdorin dhe e instrumentalizojnë lëvizjen e kryengritësve për të siguruar ndryshimin e qeverisë, pra një kthim në traditat politike të Portës së Lartë.
Paria e qytetit të Durrësit, mbështetësit më të mëdhenj të pushtetit osman, si pasojë e këtyre ngjarjeve, zgjedhin rrugën e mbështetjes së kryengritësve dhe tërhiqen me ta në male ndërsa studentët shqiptarë largohen nga Kostandinopoli.
Me 12 korrik forcat shqiptare po rrethonin Prishtinën kur qeveria e Sait pashës dha dorëheqjen. Me 22 korrik kryengritësit shqiptarë futen në Prishtinë, ndërsa në Stamboll qeveria e re, e kryesuar nga Ahmet Myftar pasha i partisë Itifal, bëhet nismëtare e një projekti për krijimin e një “Shqipërie të madhe” në një provincë të vetme që do të përfshinte edhe sanxhaqet e Shkupit dhe Manastirit. Në këtë mënyrë provinca e ardhshme e Perandorisë osmane-me autonomi administrative-do të kishte pasur si kufi lindor lumin Vardar dhe do të kishte zgjidhur detyrën për të ngritur një barrierë efikase kundër “depërtimit” austriak drejt Selanikut.
Shqiptarët nuk i besojnë më deklaratave dhe premtimeve që vinin nga kryeqyteti. Kërkesa për ti dhënë fund veprimeve luftarake nga ana e autoriteteve për të mundësuar fillimin e bisedimeve me delegacionin e krijuar për këtë qëllim dështojnë nga përpjekja për të dobësuar frontin e kryengritësve me përfundimin e marrëveshjeve të veçuara me vilajetet e ndryshme. Autoritetet osmane tregojnë kështu se nuk i kuptonin plotësisht transformimet e thella që kishin ngjarë në harkun e pak viteve: me gjithë ekzistencën e shumë elementëve tradicionalë, si autonomia e shumë fiseve, edhe në Shqipëri ishte rritur dhe konsoliduar lëvizja për identitetin kombëtar. Shqiptarë vazhdonin të përqendronin forcat e tyre në fushën e Kosovës; ndërkaq në Shqipërinë veriore e qendrore autoritetet qeveritare janë të shtrënguara të braktisin postet e tyre ndërkohë që lëvizja kryengritëse shtrihet në jug.
Lëshimet që bëri qeveria osmane krijojnë pasiguri për momentin mes krerëve kryengritës, që mbështeteshin fshehurazi në veprimet e tyre nga Austro-Hungaria, e cila ndiqte me një vazhdimësi koherente një politikë që synonte një rol vendimtar në Gadishullin ballkanik. I ashtuquajturi orientim i Austrisë drejt Ballkanit i përgjigjej, përveç kësaj, një nevoje politike të evidentuar pas unifikimit të Italisë. Për Perandorinë Habsburge nuk bëhej fjalë vetëm për humbje territoresh të rëndësishme nga ana strategjike por mbi të gjitha për një ridimensionim të qëndrueshëm politik të funksionit të saj më se evident në Europë nëse merret parasysh roli që kishin luajtur Franca dhe Anglia në këto ngjarje.
Edhe në këtë rast vijnë në ndihmë analizat që përcaktojnë me qartësi të madhe edhe prapaskenat e kryengritjes së re shqiptare, baza nacionaliste dhe autonomiste e së cilës favorizonte faktikisht politikën austriake: një Shqipëri e madhe, autonome ose provincë otomane, do të bënte të dështonin pretendimet e Bullgarisë, që ishte ndër fuqitë ushtarake më të mëdha në Ballkan. Po kjo lëvizje kryengritëse e zhvilluar në drejtimin Dibër-Prishtinë-Mitrovicë, në një zonë me shumice shqiptare, zhvendoset më vonë në një zonë ku shqiptarët nuk janë shumicë por që Austria sigurisht nuk donte t’ia jepte as serbëve dhe as bullgarëve.
Më duket me vend të citoj disa konsiderata të një vrojtuesi të vëmendshëm Italian të periudhës, kolonelit Enrico Merrone, atashe ushtarak në Sofie nga 1911 deri në 1914:
“… Puna e vazhdueshme dhe inteligjente e Austrisë në Shqipëri dhe në Maqedoni është favorizuar nga karakteristika e re me bazë nacionaliste dhe autonomiste e revoltës shqiptare të këtij viti […]”.
Austria, që synon Selanikun, ka interes të ndërtojë “rrugën më të lehtë të mundshme, pra mbi zonën që nga sanxhaku i Novi Pazarit zbret në bregun e djathtë të Vardarit, ku nuk duhej të kishte kërkesa të tepruara Bullgaria, fuqia më e madhe ushtarake e Ballkanit. Nëse kjo zonë do të ishte plotësisht e Shqipërisë, mbi Shqipërinë, një provincë e thjeshtë turke, Austria do të mund të vazhdonte të punonte me propagandistët dhe paratë e saj, mbi Shqipërinë ndoshta një ditë autonome nga ana administrative por akoma provincë turke, Austria do të punojë më mirë me agjentët dhe paratë e saj, me tregtinë,me industrinë e saj…mbi Shqipërinë ndoshta një ditë autonome nga ana politike, Austria do të përkujdesej me mbrojtjen e saj të hekurt […].
Me 12 gusht osmanët pësojnë humbje në Shkup, kryengritja shtrihet në territorin që përfshin hapësirat mes kësaj qendre dhe Novi Pazarit (Maqedonia aktuale), që ishte objekt i qëllimeve të serbeve dhe bullgarëve. Në fushën e Kosovës shqiptarët përqendruan armatën e madhe kryengritëse, Prishtina përfaqësonte kryeqytetin moral dhe Shkupi fazën e fundit të kryengritjes. Për trupat osmane Shkupi nuk përfaqësonte vetëm një humbje ushtarake, një betejë të humbur; në sfond po shfaqeshin elementë të tjerë me rrezikshmëri të lartë, në mënyrë të veçantë ngjizja e një aleance midis disa shteteve ballkanike që shumë shpejt (tetor 1912) do ti shpallnin luftë Portës së Lartë.
Një ngjarje e tillë do të ishte një hipotekë e rëndë mbi aspiratat e shqiptarëve. Këta do ta kishin paguar më tepër se kushdo tjetër një humbje osmane dhe reduktimin e pranisë së Perandorisë në Gadishullin Ballkanik. Sigurisht që Perandoria nuk do të ishte shembur përfundimisht, por përjashtimi i saj nga Europa do të hapte orekset e Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë mbi territoret e Shqipërisë e cila nuk kishte siguruar akoma një status ndërkombëtar.
Kjo konsideratë, elementare por thellësisht reale, i kishte shtyrë krerët shqiptarë ti kundërviheshin projekteve të ndryshme, megjithëse teorike, për një federatë ballkanike; projekte të përsëritura herë pas here në debatet politike të finalizuar me ndërtimin e hipotezave për një rend të ri dhe të qëndrueshëm në Gadishullin Ballkanik pas përmbysjes së perandorive të mëdha shumëkombëshe. Shqiptarët ishin të vetëdijshëm se përfaqësonin një hallkë të dobët në raport me fqinjët që kishin filluar shumë më përpara procesin e emancipimit kombëtar. Pikërisht ky element kishte motivuar të ashtuquajturën “besnikëri” gjatë kësaj periudhe ndaj strukturës perandorake osmane.
Në tetor 1912, me gjithë kundërshtimin e Fuqive të Mëdha, serbët, bullgarët, malazezët dhe grekët të bashkuar në Lidhjen ballkanike nisin luftën kundër Portës së Lartë. Në fillimin e konfliktit, pikërisht për shpjegimet e bëra më sipër, mbajnë një qëndrim të kujdesshëm neutraliteti, me përjashtim të luftimeve në Prizren dhe Shkodër si shenjë konkrete dallimi nga trupat osmane.
Ecuria e konfliktit i bindi krerët shqiptarë që të shpejtojnë dhe me 28 Nëntor 1912 Kuvendi Kombëtar Shqiptar, i mbledhur në Vlorë nën kryesimin e Ismail Qemalit, shpall pavarësinë e Shqipërisë.
Përmes këtij akti, formalisht impenjativ, synohej të krijohej një situatë faktike për të shmangur që depërtimi i ushtarëve serbë, malazezë dhe grekë në territorin shqiptar për të luftuar osmanët të shndërrohej në pushtim, si paralajmërim i një copëtimi territorial të vetë Shqipërisë.
Mali i Zi ka pushtuar Shkodrën dhe kërkon ta aneksojë këtë territor deri tek lumi Drin; Serbia kishte si objektiv të arrinte në Durrës për të pasë një korridor me dalje në Adriatik; Bullgaria është shumë e interesuar për një pjesë të territorit të Ohrit, si pjesë e Maqedonisë; Greqia në fund aspiron për gjithë Shqipërinë jugore deri tek lumi Seman.
Fuqitë e Mëdha, në veçanti Italia dhe Austria nuk mund të lejonin realizimin e një plani të tillë dhe vetë Ismail Qemali ishte i shqetësuar-para shpalljes së pavarësisë-të vërtetonte personalisht qëndrimin e Vienës duke i bërë thirrje për mbështetje anëtarëve të Shoqërisë patriotike të Shqiptarëve në mërgim. Vetëm pas takimeve me ministrin e jashtëm austriak dhe ambasadorët e Fuqive të Mëdha iu vu punës për organizimin e kuvendit së Vlorës që përfaqëson siç e thamë, aktin e parë me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare edhe pse rruga për ndërtimin e një shteti plotësisht sovran ishte akoma e gjatë dhe plot vështirësi. Në këtë situatë ishte e nevojshme të lëvizej me kujdes në hapësirën e interesave të kundërta të Fuqive dhe të fqinjëve ballkanikë.
Vëmendja e Italisë dhe e Austrisë zhvendoset nga lufta e shteteve ballkanike kundër Perandorisë osmane tek e ardhmja e Shqipërisë duke pas një interes të përbashkët, megjithëse me motive krejtësisht të ndryshme, për krijimin e një Shteti të pavarur, ashtu siç u pranua në marrëveshjen e Monzës të vitit 1896 kur Visconti Venosta, për Italinë, dhe Goluchoëski, për Austrinë, ishin angazhuar për ruajtjen e status quo-së, ose në pamundësi, për autonominë e plotë të vendit.
Kështu nga fundi i vitit 1912 vërtetohen shumë prej kushteve të parashikuara nga marrëveshja; status quo-ja nuk mund të ruhej, vendet e Lidhjes ballkanike rezultojnë në këtë moment më të forta sepse duke qenë fitimtarë në planin ushtarak përgatiten për të marrë frytet e politikës së tyre ku përfshihen edhe territoret e Shqipërisë, provincë e Perandorisë së sapo mundur. Austria dhe Italia-së bashku në Aleancën Tripalëshe që nga 1882-qëllimet e të cilave përputheshin në këtë çast-përfundojnë duke sulmuar njëra tjetrën përmes organeve të shtypit me akuzën reciproke për qëllime ekspansioniste në territorin shqiptar. Në të vërtetë shtypi Italian përfiton edhe nga rasti për të stigmatizuar qëndrimin e qeverisë italiane, e cila përballë politikës së depërtimit austriak (hapje shkollash, zyrash postare, mbrojtje të katolikëve, propagandë mes intelektualëve dhe ndihma për më të varfrit) është treguar plotësisht e plogësht. Si demonstrim Resto del Carlino publikon në nëntor 1912, dy letra të shkruara në 1900 nga Crispi (Krispi) Giovanni Codronchi (Gjovani Kodronkit) në të cilat ish kryeministri zbulon një prapaskenë interesante që i përket pikërisht Shqipërisë; në 1877, në kohën e kryeministrit Depretis kjo i ofrohet Italisë si kompensim për pushtimin austriak të Bosnje-Hercegovinës. Bisedimet u ndërprenë nga Cairoli (Kairoli), pasuesi i Depretis, dhe në Kongresin e Berlinit, Italia humbet sipas Crispit, një rast të papërsëritshëm për të afirmuar praninë e saj në Gadishullin Ballkanik në mbrojtje të interesave të veta politike dhe ekonomike. Nëse këto deklarata janë funksionale për polemikën e momentit është më e vështirë të imagjinohet një zbatim konkret i projektit; artikujt, analizat dhe polemikat tregojnë, sidoqoftë, interesin e lartë të opinionit publik për ngjarjet ballkanike.
Ndërkohë konflikti vazhdon, vendet e Lidhjes ballkanike pushtojnë gjithnjë e më shumë territore dhe Turqia detyrohet të kërkojë ndërmjetësimin e Fuqive të Mëdha për përfundimin e një traktati paqeje. Përballë futjes së grekëve në Selanik dhe serbëve në Durrës tri Fuqitë e Lidhjes Trepalëshe nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët dhe vendosin që serbët duhej të hiqnin dorë nga çdo projekt mbi territoret e Shqipërisë, pra edhe mbi korridorin në Adriatik; pohimet serbe rreth mosekzistencës së një kombi shqiptar (raca, gjuha, kultura dhe feja e përbashkët) hidhen poshtë si të pabaza.
Me 1 dhjetor Turqia shpall armëpushimin që firmoset me 3 nga Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi. Greqia, që ndërkohë ka pushtuar ishullin e Sazanit duke provokuar reagimin e qeverisë shqiptare të sapo formuar, refuzon ta firmosë megjithëse deklarohet e gatshme të marrë pjesë në bisedimet e paqes. Një qëndrim i tillë provon se lidhja midis aleatëve ballkanikë ishte e paqëndrueshme ashtu siç do ta tregojë rasti i luftës së dytë ballkanike.

Faleminderit!

ORGANIZIMI I KRYENGRITJES SE MALESISE SE MBISHKODRES NE VITIN 1911

Prof. dr. Romeo Gurakuqi

Jam i nderuar të flas përpara një auditori aq përfaqësues, të përbërë nga shqiptarë nga të gjitha viset veriore të Shqipërisë. Kjo më bën të kuptoj se fryma e vëllezërve Frashëri, fryma e Ded Gjo’ Lulit, e Isa Boletinit, e Mehmet Shpendit, e Ismail Qemalit, e Luigj Gurakuqit, Dom Nikollë Kaçorrit, Atë Gjergj Fishtës, Imzot Luigj Bumçit, Doktor Ibrahim Rugovës, e Adem Jasharit, fryma që krijoi shtetin shqiptar, të vitit 1912, 1918 dhe atë të përiudhës së Mbretërisë Shqiptare, është e gjallë midis jush. Është fryma që ka krijuar Shqipërinë, e fryma që e mban gjallë Shqipërinë. Unë jam shumë i gëzuar që jam në mesin tuaj. Është hera e parë që unë flas para një auditori të përbërë nga ta gjitha komponentet të Shqipërisë Veriore.
Unë kam studiuar në numër të caktuar tematikash, por fati më ka bërë të studioj edhe kryengritjen e vitit 1911, të cilën e kam pasur tezë doktorature. Studimin në këtë temë e kam filluar nga e para,  bazuar në një dokumentacion arkivor. Fillmisht kur kam filluar me e studiue, nuk ka pasur shumë dokumenta në Shqipëri. Para së gjithash kam filluar studimin bazuar në dokumentet arkivor austriakë, që ndodhen në Arkivin e Institutin të Historisë në Tiranë. Pastaj kam studiuar në Arkivin e Londrës (asaj kohe Public Record Office, sot National Archives) në të cilin, gjenden afërsisht 4 dosje për vitin 1911 dhe dosja e nenkonsullit Nikolla Summa. E mbi të gjitha arkivi më i pasur, pas Arkivit të Stambollit, është arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë dhe Arkivi i Ministrisë së Mbrojtjes së Austrisë, që gjendet në Vjenë. Për vitin 1911 në arkivin shtetëror vjenez ka një dokumentacion të pamatë.
Kryengritja e vitit 1911 na bënë të mendojmë për një ngjarje shumë të rëndësishme, jo vetëm për planin shqiptarë, por për një plan shumë më të gjerë ndërkombëtar. Bëhet fjalë për një kryengritje që do të destabilizojë të gjithë situcionin gjeopolitik të cepit veriperendimore të Ballkanit nën Perandorinë Osmane, që gjendej shumë afër Mbretërisë së Malit të Zi dhe Mbretërisë së Serbisë. Kjo kryengritje implikoi në disktutimet e krizës, në një farë mënyre, jo vetëm në shtetet ballkanike dhe Turqinë, por edhe fuqitë e Mëdha, të cilat në këtë kohë vazhdonin t’i përmbaheshin skemës së ruajtjes së Status Quo-së ballkanike. Kështu që ky dokumentacion kaq i gjërë, kjo ndjekje e përditshme e ngjarjeve të vitit 1911, tregon se bëhet fjalë për një ngjarje reale të përmasave të mëdha. Dhe ajo çfarë unë kam dëgjuar nga tregimet e më të vjetërve, ajo çfarë unë kam lexuar nga shkrimet e revistave të kohës, më del plotësisht e dokumentuar në një dokumentacion arkivor shumë të rëndësishëm.
Cila është rëndësia e viti 1911? Kryengritjen e viti 1911 duhet me e pa në disa plane. Unë kam paraqitur tezën para disa kohëve në Kosovë se Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 është një  segment shumë  i rëndësishëm i ndërlidhur i Revolucionit Nacional Shqiptar, (ngjashëm me çdo popull tjetër ballkanik më përpara), që ka filluar nga viti 1909, ka vazhduar në vitin 1910 në Kosovë, 1911 në Malësinë e Mbishkodres, dhe më pas me kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912 që përfshiu fillimisht Kosovën dhe më pas Malësinë e Veriut në përgjithësi. Kryengritja e vitit 1911 duhet me u kuptue si  një segment shumë i rëndësishëm i një revolucioni të pa ndërprerë. Nacional që pret një rezultat përfundimtar, shpalljen e pavarsisë së Shqipërisë me 28 Nëntor 1912 në Vlorë nga plaku i urtë, ai që e themeloi Shqipërinë dhe na e ka lanë amanet të gjithëve, edhe brezit tonë me çue përpara. Kjo ishte pjesa e parë që më duhej ta saktësoja.
E dyta ka të bëjë me destabilizimin që i solli situacionit gjeopolitik ballkanik dhe me tutje Kryengritja e viti 1911. Ajo destabilizoi të gjithë gjendjen ekzistuese në Perandorinë Osmane  politikën e Fuqive të Mëdha në drejtim të Perandorisë Osmane. Përgjithësisht politika e fuqive ka qënë ajo e ruajtjes së gjendjes ekzistuese, duke qënë se bëhej fjalë për një vatër shumë të rëndësishme. Por implikimi i Malit të Zi bëri, që kjo kryengritje në një mase, të ndryshojë edhe politikat ballkanike të Fuqive të Madha. Pas kryengritjes së vitit 1911 ka ndryshuar qëndrimi i Austro- Hungarisë, ka ndryshuar qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së madhe. Deri në këto momente ato kanë qënë për ruajtjen të status quo-së. Austro - Hungaria pas gushtit të vitit 1911 ka dërguar në terren rreth 20 ekspertë ushtarak për të parë mundësinë e ndërtimit të një shteti shqiptarë autonom nën Turqinë, por ky shtet teorik i projektuar nga perandoria dualiste, përfshinte jo vetëm 4 vilajetet, por më shumë se aq, dhe këtë e bënte për të ndalur përparimin e Serbisë dhe Malit të Zi në drejtim të jugut, si edhe përparimin e Greqisë në drejtim të veriut. Dokumentacionin ne lidhje me ketë projekt të Ballplatz-it tashmë e kam publikuar.
(vijon në faqen 8)
(vijon nga faqe 5)
Bëhet fjalë për një hartë të Shqipërisë së Madhe. Ajo është më e madhe se sa trojet etnike shqiptare mbasi përfshinte edhe territore, të cilat nuk banoheshin nga popullsi shqiptare. Ky projekt është ndërtuar në kuadrin e skemës gjeostrategjike që kishte Austria.
Së treti Kryengritja solli deri edhe ndryshimin e qëndrimeve të diplomacisë britanike. Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës dhe bashkimi me programin politik të Malësisë së Mbishkodres edhe të shqiptarëve nga Shqipëria e Jugut, në një program të njëjtë me programin e Gerçës, bëri që diplomacia britanike të identifikojë një çeshtje, e cila kishte  qënë e “fjetur” për shumë kohë; bëri që të identifikohej se ekziston një çeshtje shqiptare. Pas këtij momenti  mund të thuhet se çështja shqiptare u bë një çështje e identifikueshme dhe e dallueshme në diskutimet diplomatike  të Fuqive të Mëdha të kohës. Aq është e rëndësishme kjo, sa sikur të mos kishte ekzistuar në nivelin e trajtimit ndërkombëtar. Problemi shqiptar në vitin 1912 në diskutimet e Konferencës së Ambasodorëve në Londër, do të kishte mbetur një çeshtje e njohur jo thelbësisht, në qoftë se thellësia e krizës së Malësisë shqiptare më 1911 të mos kishte qenë e të tilla përmasave sa të shkaktonte një prishje të tillë ekuilibrash në Ballkan.
Kryengritja e viti 1911 ndër të tjera bashkoi Malësinë e Mbishkodres, Labërinë dhe Kosovën në një program të përbashkët. Shumë i rëndësishëm është procesi i bashkimit të krerëve të Labërisë me programin politik të Malësisë së Mbishkodrës. Zbulimi i një memorandumi të krerëve të Labëris është bërë në dosjet e Foreign Office. Labëria ka marrë Memorandumin e Gërçes dhe i kanë shtuar edhe dy pika, ka firmosur me Parësinë e vet dhe e ka dërguar si malësorët e Malesise se Madhe në ministrinë e jashtme britanike, gjegjësisht Sir edward Grey-, me fjalët hyrëse: “Ne krerët e Labërisë bashkohemi me të gjitha kërkesat, që kanë dërguar tej Ju malësorët e Malësisë së Veriut”.
Kryengritja ka përfunduar në gusht të vitit 1911. Autoritetet zyrtare  pranuar në mënyrën e tyre 12 kërkesat, por në fakt për kthimin e malësorëve në vatrat e tyre nuk është dhënë asnjë garanci ndërkombëtare. Në një farë mënyre fuqite e mëdha i kanë lënë gjërat të rrjedhin, ashtu siç kanë rrjedhur. E vetmja garanci mbrojtëse për familjet malësore në rrugën e kthimit të tyre ka qënë Miss Edith Durham, e cila ka ndërhyrë garant, që njerëzit të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
Përmbyllja e kryengritjes në fillim të gushtit 1911 ka qenë pjesë e një imponimi të fuqishëm ndërkombëtar mbi Turqinë, Malin e Zi, në rrethanat e shterrimit të skajshëm të rezervave humane, rezervave luftarake dhe atyre ushqimore të kryengritësve dhe të popullatës së Malësisë. Përmbyllja e kryengritjes nuk ka ardhur si pasojë e dorëzimit të malësoreve kryengritës, por për shkak të një vakumi të papritur mbështetës, të shkaktuar nga tërheqja dhe kthesa e papritur dhe inkoherente, dhe e pajustifikuar nga pozicioni mikpritës i Mbretërisë së Malit të Zi dhe nga mungesa e një konsensusi ndërkombëtar midis fuqive për të reformuar njëmendësisht situatën në krahinë dhe në Shqipëri.
Kryengritësit arritën të përfitojnë disa koncesione, të cilat në fakt kanë qenë më të mëdha se sa ato që përfituan kryengritësit e Kosovës në vitin 1910. Pavarësisht se ishte e qartë se turqit nuk do të mbanin të gjitha premtimet e shkruara në versionin e fundit, atë të datës 7 gusht 1911, dhe nuk i mbajtën, na duhet të nënvizojmë se ndaj malësorëve të Malësisë së Madhe ata u detyruan të kenë një nivel pak më të lartë plotësimi kërkesash, se sa kishin pranuar në pjesët e tjera të Shqipërisë. Arsyet e këtij niveli më të lartë plotësimi nuk mund të shpjegohen, por ata veç mund të merren me mend dhe mendoj se janë të lidhura me ndërkombëtarizimin më të madh të çështjes shqiptare që solli kryengritja e vitit 1911, shkallën tepër të lartë ballafaquese, implikimin e një shteti të huaj si Mali i Zi në krizë dhe përkeqësimin e pozitës ndërkombëtare të Perandorisë Osmane pas fillimit të Luftës Italo-Turke në shtator 1911.
Kryengritja e vitit 1911 pati rëndësinë e vet mbasi e detyroi qeverinë xhonturke që për herë të parë të ulej në bisedime me shqiptarët dhe të nënshkruante një marrëveshje mes të barabartësh, që përbënte një bazë të parë juridike për kërkesat e ardhshme autonomiste të patriotëve shqiptarë. Një fitore tjetër e rëndësishme e kryengritjes ishte themelimi i një ndërgjegjeje politike prej masave të gjëra të popullsisë shqiptare. Arritjet e kryengritjes krijuan në këtë mënyrë një bazë të rëndësishme për një kryengritje të re në të ardhmen dhe rrethet patriotike filluan të mendojnë seriozisht për organizimin e saj në përiudhën në vijim.
Faleminderit!

PREJ ISA BOLETINIT DERI TEK ADEM JASHARI

Nga Prof. Rexhep Abazi,
Medvegje

Kauza kombëtare shqiptare, rruga dhe lufta e popullit shqiptarë për liri e pavarësi është e gjatë dhe e mundimshme. Është e përcjell me rreziqe e sakrifica të shumta, me humbje e ngritje të mëdha. Çdo kohë, çdo periudhë, madje edhe çdo decenie e vit i kësaj lufte dhe i kësaj kauze shekullore, pati, ka dhe do të ketë luftëtarët, heronjtë dhe personalitetet e veta, ashtu siç i pati, i ka dhe do ti ketë edhe secila pjesë e trojeve shqiptare njerëzit, luftëtarët dhe heronjtë, të cilët luftuan dhe ranë në altarin e lirisë me një të vetmin ideal: LIRIA E KOMBIT DHE E VENDIT.
Unë do të mundohem, shkurtimisht tu flas diçka për dy burra, për dy luftëtar, për dy heronjë të shqiptarisë të cilët tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtuan luftës për liri dhe pavarësi, e madje edhe familjet e tyre i flijuan për këtë qëllim, pa kursyer as jetën e fëmijëve në djep.
ISA BOLETINI
ADEM JASHARI.
ISA BOLETINI u lind në Boletin të Shalës së Bajgorës, më 10 janar 1864, në familjen atdhetare e luftëtare të Boletinëve. Që në rini qe i shtrënguar të hyjë në luftë të drejtpërdrejtë me forcat shumë më të mëdha turke të prira nga Hafiz Pasha, në qershor të vitit 1895. Vetëm me 20 luftëtar ia del të shpërthej rrethimin duke lënë të vrarë shumë ushtarë turq të Hafiz Pashës, i cili nga inati që nuk e nënshtroi Isën, ia dogji kullat e shtëpitë, ia plaçkiti bagëtinë e pasurinë tjetër. Vazhdon luftën me pashallarë e komandantë të tjerë të Turqisë, gjithherë duke dalë fitues. Ia del ta liroj nga internimi luftëtarin e lirisë Aqif Begun, nga Pazari i Ri, ta detyroj konsullin e Rusisë të ikë nga Mitrovica më 1902, të ndaloj futjen ilegale të armëve nga Serbia në kohën e Shemsi Pashës. Për të mirën e popullit dhe të vendit pranon edhe internimin në Stamboll, por Porta e lartë e tradhton, sulmon popullin dhe e sjell konsullin rus në Mitrovicë, të cilin një ushtar shqiptar i quajtur Ibrahim Halit Popovci ... “Ky zog shqiptari me zemër luani, me origjinë nga Leskofci ... djalë i vetëm i nanës e i babës, sakrifikoi jetën në rini, për vëllezën e atdhe, tue mos harrue se ku i ka ngelë Leskofci ...” 1*(“Kujtime” T. Boletini, Tiranë 2011). Nga internimi kthehet demonstrativisht në Kosovë, pasi situata atje, pas largimit të tij ishte përkeqësuar. Vazhdon luftën kundër pushtuesve pa u ndalë, deri në vdekje.
Lufta e Isa Boletinit kundër Turqisë filloi që nga viti 1886 dhe zgjati plot 30 vjet. Deri më 1912, ishte luftë njëkohësisht kundër Turqisë edhe kundër Serbisë, kurse më tutje kundër Serbisë e Malit të Zi, por edhe kundër forcave të Esad Pashë-Toptanit.
Krahas luftës bëri edhe diplomaci të brendshme dhe të jashtme. Bashkëpunoi me të gjithë krerët shqiptarë të cilët luftuan kundër armikut të përbashkët. Bëri luftë dhe diplomaci bashkë me Hasan Prishtinën, Idriz Seferin, Sejdë Selacin e Ismail Qemalin.
Mori pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë.
Ishte anëtar i delegacionit të Shqipërisë të prirë nga Ismail Qemali, në Londër, më 1913.
Pas pushtimit të dytë të Shqipërisë nga Serbia dhe Mali i Zi, më 1915, nga Shkodra, me ndërmjetësimin e Ambasadës së Francës, internohet në Mal të Zi. Pas gjashtë muajsh jetese të vështirë, më 23 janar 1916, ditë e diel pas dite, Isa Boletini së bashku me dy djem të tij, dy nipa, kushëririn, dhëndrin dhe nipin e dhëndrit, vriten në pabesi, në pritë në Podgoricë të Malit të Zi, nga ushtria dhe xhandarmëria malazeze.
ADEM JASHARI u lind më 28 nëntor 1955 në Prekaz të Drenicës legjendare. Në Drenicën e Ahmet Delisë, të Azem Bejtës, e të Shaban Palluzhës. Asnjë herë nuk u pajtua me regjimin pushtues të R S F J dhe të Serbisë, por gjithnjë përgatitej dhe priste ditën kur do të filloj lufta për çlirim. Ngjarjet dhe lëvizja studentore e viteve 1968 dhe 1981 i dhanë kahe të duhur kohës dhe veprimit çlirimtar. Por, prej viteve të *90-ta, kjo lëvizje dhe luftë e vazhdueshme, me një intensitet tjetër dhe me pjesëmarrjen e trimave shqiptarë filloi të bëhej lëvizje popullore për çlirimin përfundimtar të Kosovës nga Serbia. Tani kur filloi të shpërbëhej ish R S F J-a dhe Serbia e shtoi represionin mbi shqiptarët e Kosovës, atëherë ata e panë shansin dhe nevojën për përgatitjen e luftës për çlirimin e Kosovës.
Kjo kohë Adem Jasharin e gjene të gatshëm për luftë. Ai fillon të bëj përgatitjet për formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për fillimin përfundimtar të çlirimit të Kosovës. Mbanë lidhjet me veprimtarët dhe luftëtarët e lirisë. Shkon në Shqipëri për të bërë përgatitjet. Ven bazat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kuptohet se ky aktivitet dhe veprim i tij nuk kalon pa u hetuar nga forcat e xhandarmërisë dhe ushtrisë serbe, andaj në Prekaz, më 30 janar 1991 u bë sulmi i parë, përleshja dhe lufta ballë për ballë me ato forca. Fitoi Adem Jashari edhe në guxim edhe në intensitet të përgatitjeve për një luftë edhe më të ashpër.
Kështu ai, punoi pa u ndalë në formimin dhe forcimin e UÇK-së, e cila vepronte në ilegalitet, por kryente operacione të suksesshme. Mbase, në varrimin e mësuesit Halit Geci, të vrarë nga forcat policore serbe më 28 nëntor 1997, kjo ushtri i dërgoi përfaqësuesit e vet në këtë varrim. Përfundimisht doli në skenë. Komandant Adem Jashari në këtë rast ia bëri me dije edhe Serbisë edhe të tjerëve se UÇK-ja tani më është realitet dhe gjendet aty ku e ka vendin, në Kosovë. Por, as Serbia nuk rrinë ne vëzhgim. E përcillte çdo aktivitet dhe lëvizje të Komandant Adem Jasharit. Dhe, kështu duke e hetuar se ka ardhur në shtëpi, me forca të mëdha dhe me armatim të të gjitha llojeve e rrethon dhe fillon sulmin herët në mëngjesin e 5 marsit të vitit 1998.
Komandant Ademi e filloi luftën duke bërë rezistencë të fortë, së bashku me vëllain Hamzën, babai- Shabanin dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij. Lufta vazhdon ditën e dytë më 6 mars me një rezistencë të fortë, kur nga forcat serbe përdoret edhe artileria dhe armatimi i rëndë për të granatuar shtëpitë e familjes dhe lagjes së Jasharajëve. Në ditën e tretë të luftës më 7 mars 1998, kur vritet komandanti legjendar Adem Jashari, pothuaj se me tërë familjen e tij forcat serbe ia dalin të ofrohen dhe te identifikojnë të vrarët, në mesin e të cilëve nuk u kursyen as fëmijët, gratë dhe pleqtë.
Ishte kjo një luftë që nuk e njeh historia, kur një familje e tërë sakrifikohet për të mirën e popullit të vet. Doli në skenë një epope e luftës, një heroizëm i paparë, një qëndresë titanike, një sublim i të gjitha heroizmave të deritanishëm të Drenicës e Kosovës, e cila nuk e ndali kurrë luftën për liri. Kjo luftë deri në vetëflijim u bë simbol dhe frymëzim i luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Komandanti u vra me 20 anëtarë të familjes, për tu bërë legjendë dhe dritë e luftës së Kosovës.
Andaj, këto dy figura të lavdishme të kombit shqiptar jetuan dhe vepruan në kohëra të ndryshme, por për të njëjtin ideal: PËR ÇLIRIMIN DHE BASHKIMIN KOMBËTAR. Sakrifikuan jetën e vet dhe të familjeve të tyre, pa kursyer as fëmijët në djep. U bënë simbol i luftës, i rezistencës dhe i qëndresës e sakrificës. U bënë shembull i trimërisë.

LAVDI PËR JETË E MOT!
Faleminderit!

Dukagjini vatër e pa nënshtruar e qendresës anti osmane

PRELE MILANI
As një fis tjetër në Shqipni se ka pas Turkija ma fort maraz se sa atë të Dukagjinit, i cili jo vetëm nuk i ka dashtë kurrë brenda, as në shpirte, as në kanu, por madje dhunën, shpotinë e fjalës terse turk nuk e ka duruar i dukagjinasi as në qytet, as në qeveri, as brenda në Kështjellën e të Shkodrës, prandaj turku e ka quajtur krejt malësinë e Dukagjinit çerdhe grethash.Baroni F. Nopça nënvizonte se, në atë vrazhdësi malore gjejmë tipin ma bujar, ma fisnik e atdhetar të Ilirjanit e të Kombit shqiptar.
Edhe atëherë kur Turkia, i vente harçin të kshenit, i kqyrte me sy të shtrembëruem, i dukagjinasi i ka thanë, prerë e me vepra të veta, turkut e Turqisë:
-Unë jam shqiptarë e zot në vend tem, që e kam thirre e do i ta thërras Shqypni.
Mjaftojnë këto 2- 3 citime të cilat sipas vizionit tim, janë formula bazike e të thënave dhe të pa thënave rreth historisë të panjollë të Dukagjinit të Epërm në errësirën e zezë shumëshekullore otomane.
Kontributi historik i Dukagjinit në pak fjalë përmblidhet:
*Së bashku me Mirditën dhe Sulin janë trevat e fundit shqiptare që ranë nën zgjedhën otomane.
*Në Dukagjinin Epërm turqit as një herë nuk arritën të vendosin një pushtetit e tyre të plotë, lere pastaj tu imponohet në rite doke e zakone
*Osmanët u afruan shqiptarëve tre alternativa
1-Ndërrimin e besimit
2-Pagesën e harçit dhe
3-Luftën
Dukagjini zgjodhi luftën, ku me kokëfortësi dhe dinjitet shembullor nuk pranoj, as konvertimin, as të behej raja.
Dukagjini plot pesë shekuj jetoi pa besë me robëruesit më zi të vatanit.
Jetoi pa i bërë bashkë kurrë qoftë edhe një herë të vetme, bukën e kripën, çorapin e opingën, tlinat dhe këmishën, vajin dhe kandilin
Vuajti si gjarpri nën gurë, i mbërthyer pas shkëmbit të gjallë e megjithatë mbijetoi në saje vitalitetit fisnor, që i siguroi ekzistencën, larg diktatit oriental osman, por edhe i dënuar pamëshirshëm të shihte dritën aksidentale.

Dukagjini duke mos pranuar të paguante taksa nuk u inkuadrua në administratën osmane dhe nuk pranoj të luftonte për osmanët gjë të cilën shumë shqiptare, e kanë bërë me devocion dhe sot madje mburremi për këta mercenarë trima që i dhuruam Baba Dauletit
Dukagjini ka ndejë duke përgjuar ço batare, i gatshëm për t’ju bashkuar çdo kushtrimi anti osman, ndaj orientimi i tij ka qenë i drejtë dhe i pa as në mëdyshje në çdo kohë, që nga Kuvendet Ndërkrahinore Shqiptare dhe ato Ballkanike, në lëvizjet e viteve 1636-1639 e më pas.
Kur Kara Mahmud Pashë Bushtaliu, pat ndie vetin ngushtë prej ushtareve të Sulltanit, pat thirre në ndihmë dukagjinasit dhe këta i pat gati në atë kushtrim, ku thyen armikun e Shqypnisë, zunë rob ushtarët turq, tue çlirue rrugën e Keshtjelles, nënvizon Hekardi.

Dukagjinasit i prenë kokën Mahmut pashë Begollit, Vezirit të Pejës, sundimtar i urryer i Shkodrës

Mahmud Pashë Begolli, Veziri i Pejës, që kishte sundimin e Shkodrës, ka qenë vegël e mirë për qëllimet e Turqisë, i cili ëndërronte të fuste në sundim Dukagjinin dhe ta nënshtronte në mënyrë poshtëruese gjithë Shkodrën me Rrethina
Abdyl Agolli i Shkodrës që gjendej në armiqësi të madhe me Begollajt, ftoj për veti malësorët Një të ënjtë, me 5 shkurt 1739, duke dalë prej Hanit të Tophanës i shoqëruar prej disa zaptishë, tek shtëpia e Ali Kullit, ndeshi në pritë të dukagjinasve që e vranë, dhe për shenjë morën kësulën e tij e ia çuan Mehmet Agë Agollit të Shkodrës.

Vitet pasojnë njëri tjetrin, zgjedha osmane zgjatet pa mbarim, por edhe Dukagjini pasuron atdhetarizmin e vet luftarak si në luftën e përmendur kundër Hafiz Pashës me 1835, luftën e Taraboshit me 1840. Nuk është e rastësishme që në Kuvendin e Prizrenit u gjenden Mark Lula, Marsh Kola dhe Gjekë Gega, delegat me të drejtë vote ekzekutive, në opozicion të hapur me elementet turkoman të Lidhjes, të cilët kanë qenë gjithashtu anëtarë të Komitetit të quajtur Lidhja Shkodrës.
Nuk është aspak e rastësishme pjesëmarrja e qindra vullnetarëve nga të 9 flamurët e Dukagjinit për mbrojtjen e Hotit Grudës, Plavës dhe Gucisë, ndërkohë kur shumë krahina të tjera bënë prisnin se çdo te ndodhte ne favor te tyre për shfrytëzim.
Nuk qe e rastësishme thyerja e Turgut Pashës në Qafën e Agrit ne muajin korrik te vitit 1910, duke i shkaktuar Fatiut sfidën më të hidhur të marshimit të tij ndëshkues, ngjarje që akoma nuk artikulohet qartë në tekstet tona shkollore. Nuk qe as pak e rastësishme hyrja Mehmet Shpendit së bashku me bashkëluftëtarët vet në Shkup me 31 korrik 1912
Nuk ishte rastësi, por me vetëdije liridashëse rreshtimi masiv i qindra e qindra vullnetarëve dukagjinas në Kryengritjen e viti1911 ku populli shqiptarë për herë të parë pas 500 vjet robëri vuri këmbën në pragun e lirisë.
Nuk qe rastësishëm nënshkrimi i Librit të Kuq, ne te cilin krahas me firmetarët e Malësisë së Madhe dhe patriotët më të shquar Shqipërisë nënshkruan Mehmet Shpendi, Avdi Kola-Gimaj, Prelë Marku-Pecaj, Nikë Mëhilli-Shllak, Pep Çuni (Prekal Shosh), Bash Bajrami -ikaj, Bec Delija-Mertur, Binak Lushi-Toplan.
Pikërisht ku paria fanatike Shkodrës nxirrte tellallin, t’u biem rebelëve të pa fe, Bush Delia nga Shoshi, Prek Gjoni, Marsh Kola, Lekë Ndou nga Kiri dhe Gjelosh Uka nga Mgulla dhane jetën për lirinë e Shqipërisë
Në Kryengritjen e Malësisë Madhe u plagosën Gjelosh Kola-Kir, Gjelosh Ujka dhe Ndokë Martini-Plan dhe Pjetër Voci-Kir. Malsia e Madhe dhe Dukagjini ishin binomi i Kryengritjes së vitit 1911
Ka disa zëra pa pikë modestie me një romantizëm tipik folklorik që shpesh këtë ngjarje paraqesin vetëm si vepër e Malësisë së Madhe, e cila nuk diskutohet se ishte epiqendra sizmike e kësaj flakërime që shpërthej në rrethana të disfavorshme ndërnacionale, madje dhe vete kleri katolik mbajti qëndrimin tipik të një sanguini burracak.

Si kur Shqipëria të kishte një Pjeter Njegosh apo aq me tepër një Garibald, këto dy krahina, luftës për pavarësi minimalisht në çdo rrethanë mund t’i jepnin 6000-7000 pushkë.
Po sikur të ishin bashkuar me një drejtim edhe Mirdita, Malësia e Gjakovës, Kosova, Dibra dhe Toskëria, patjetër që historia do ishte shkruar ndryshe. Por fatkeqësisht as një herë nuk mund u ngritëm mbi barrierat ndarëse, gjeografike, fisnore dhe fetare për të unifikuar një lëvizje të qartë Nacionale, për të ju imponuar fuqive të mëdha e për të gjetur aleatë jashtë ombrellës Otomane.

Sulmi i Gurit Kuq 26 mars 1911

Kur në Malësi plasi lufta, pas kushtrimit të Mehmet Shpendit, gjithkush pati armë u nis drejt frontit
Dy dit ma vonë me 26 mars në Shalë rrethohet shtëpia e Mydyrit dhe të nesërmen, ky me gjithë Hasan Begun u përzunë dhe drejt rrugës së Prekalit, u nisën për në Shkodër. Duke kaluar në Gur të Kuq, këtu u zunë pritë malësorët të cilët u morën armët e municionet.
Nikë Sokoli duke debatuar me ta iu afrua Mydyrit, të cilin me ironi e përshëndeti me një “Tungjat jeta” dhe çoj dorën dhe e kapi për mustaqesh, dhe pasi e tundi mirë, i tha:
- Shqiptarët nuk rrahën me dadhe.
Ju turqit keni pas kujtue se keni kapë qellin me dorë.
Mos me kenë se jeni në drumin tonë pata me ta nxjerrë shpirtin njetash.
Shkoni e mos tu shohim ma bojën!

Qeveria e Përhershme, 24 prill 1911

Ditën e Shmarkut me 24 prill 1991, djali i Kryeparikut të Shalës, e të Shoshit, Grimc Ndou i Shoshit, Mirash Ndou i Shalës, dhe Sadri Luka i Thethit si dhe njerëzit më të rëndësishëm të Nikaj-Merturit udhëtuan drejt Fanit. Udhëtimi u bë duke iu shmangur hetimeve osmane të Kajmekamit të Pukës dhe të shumë mercenarëve mirditorë që shërbenin si zapti në ushtrinë osmane. Udhëtimi qe tepër i vështirë, natën për terr, në rrezik me u mbytë gjatë kalimit të Drinit derisa mbërritën në Fan, ku u bë përpjekje për krijimin e ashtu të quajturës Qeveria e Përhershme-Shqipëria e drejtuar prej italiano-shqiptarit Torenc Toçit. Krerët e Dukagjinit dhe të Mirditës me Torenc Toçin, pasi dështoi mësymja e Lezhës, u kthyen në Orosh dhe prej andej nga Iballja kaluan në Dukagjin dhe me kujdes të veçantë nga Dukagjini e përcollën në Mal të Zi Torenc Toçin.

Ditët e fundit të Turqisë

Në Korrik, 1912 në Shllak malësorët plagosin për vdekje Sulejman Efendinë bylykbash që kishte dalë me mbledhë paratë e xhelepit, Bylykbashin e Temalit e shpëtuan këmbët e lehta që iku.
Në këto ditë, Dom Loro Caka qiti trapin mes Shllakut ne Pukës për me vu në përpjekje Mirditën dhe Dukagjinin.
Në këto Rrethana Dom Loro Caka, Shtjefën Çuka e Simoin Deda i çuen fjalë Temalit, Shllakut, Shalës e Shoshit me u mbledhë në Mazrrek, ku do bëhej plani për me ditë sa fuqi ushtarake ka në Shkodër.
Për këtë, zgjedhën 75 djem ma të guximshmit dhe më të shpejtët të cilët nëpër terr zbresin në qytet të prire prej Shtjefën Çukës.
Ishte nata e 15 gushtit 1912 kur arritën në Kirë dhe u ndanë në tre grupe.
I pari, mori drejtimin e Keshtjelles, përball Tepës,
I dyti, zuri vend tek varret e Rmajve dhe i treti, nga Kazermat e Kirit.
Sinjali i fillimit të luftës, qe topi i Syfyrit.
Më një herë valoj pushka e topi rreth qytetit e me të zbardhur të dritës komita u mbraps e muer malin.
Malësorët lanë dhjetë të dekun e të varruem, ushtria turke nja 50.

Lufta Ballkanike
Me 5 nëntor 1912 drejt Dukagjinit niset një letër, e cila ishte edhe akti i fundit i sundimtarit turk të Shkodrës.
Është fjala për një urdhër që i dërgohej famullitarit të Shoshit me anën e Sokol Kolës prej Kirit, për tua komunikue Krerve të fiseve.
Kjo shkresë ka hyrë në fondin e dokumenteve historike dhe ndryshe nga herët e tjera qe shkruar në gjuhen shqipe
Titulli i origjinal i shkresës është:
Bajraktarit të Shoshit me gjithë Krenë!
Emri Esat Pashë Toptanit po të ban me ditë ti në besë të hyqymet je megjith krenë të 6 Bajrakve, deri të mërkurën duhet me ulun në Shkodër, e në paçi nevojë me të shti dorëzanë e më të ndihmue mund t’i nisi po të lypset nevoja deri në Boks tek Adem Haxhia ...
Bajraktar na ulni xhevapin me na çue një letër prej teje e gjithë parisë së Shoshit e Bajrakëve.
As një malësorë nuk lëvizi vendit me zbrite në Shkodër pasi nuk din gjë se çfarë po ndodhte në prag të asaj lufte të çmendur Turko Malazeze që shpërthej mbas katër ditëve, dhe nuk besoni se çfarë kurthi po u përgatiste Esat Pasha.
Malësorëve nuk ua bënte zemra të luftoni në hijen e flamurit turk të Hasan Riza Pashës. Dukagjini qëndroi asnjanës në këtë luftë aq të përfolur me pasoja rrënuese dhe që nuk pati as një fitues, luftë e cila akoma sot pas një 100 vjetësh vlerësohet në mënyrë pasionante dhe nga këndvështrime diametralisht të kundërta.
Gjithsesi, për mua është e pa pranueshme t’i kërkohet ndihmë ujkut për të shpëtuar nga qentë.
Ndërkohë, udha Prizren-Pukë-Lezhë ishte zënë nga forcat Serbe. Shqipëria e Jugut gjithkund, përveç Vlorës ishte në zotërimin e grekëve. Shqipëria ishte në ditë më të vështira të ekzistencës së saj. Mehmet Shpendi dhe patriotët e tjerë nuk kishin nga të lëviznin drejt Vlorës.

Ka ardhur koha ta vlerësojmë me vetëdije dhe mënyrë shumë kritike letargjinë e gjatë nën Perandorinë Osmane, devocionin dhe mercenarizmin e pashoq në shërbim të saj.
Përse defakto u natyralizuam me tepër se të gjithë ballkanasit e tjerë, deri në atë shkallë sa një ditë kur riceneronti aziatik u shkapërderdh si gavixhi kur i dalin rrathët, ne mbetëm të zbuluar dhe ramë prehe e sulmeve grabitqare?!
Pse patëm një zgjim jashtëzakonisht të vonuar të lëvizjes sonë nacionale, dhe nacionalizmin tonë foshnjarak që nuk arriti të siguronte (apo të impononte) as pavarësi të plotë, as bashkim nacional, as lindjen në kohë të një shteti të shëndetshëm nacional.
Larg çdo tendence cinike aq më tepër nihilizmi të nxirjes gjithçka shqiptare që manifestohet me dhimbje, me realizëm duhet vënë gishtin tek kjo plagë e vjetër e përgjumjes nacionale, haraçin e së cilës e kemi paguar shtrenjtë dje, dhe sot e kemi gurë nën rrota edhe për të ardhmen. Çfarë bënim ne shqiptarët me 1830 kur Serbia dhe Greqia fituan pavarësinë?!
Po me 1861 kur e fitoi Rumania?!
Ne e quajmë sukses të jashtëzakonshëm kërkesën për autonomi të Lidhjes së Prizrenit me 1878 kur fituan Pavarësinë edhe Mali i Zi e Bosnje Hercegovina.
Lëvizja jonë nacionale nuk doli jashtë caqeve të autonomisë edhe atëherë kur u shkëputën edhe bullgarët dhe në stanin turk mbetëm vetëm ne?!
Duhej të shpërthenin luftërat Ballkanike që të varrosin përfundimisht Turqinë, që të bindeshim se mund të ngrohemi nga ndonjë diell tjetër, përveç atij osman.
Na duhet një vetëvlerësimi kritik dhe çlirim nga etnonacionalizmi pozitiv i cili përpiqet të shpjegojë se çdo lëvizje kryengritëse ka pasur karakter nacional dhe se në çdo përudhë pas pushtimit turk, shqiptarët kanë vepruar të ndërgjegjshëm si nacionalitet.
Faleminderit!

NË GJURMË TË HISTORISË KU U NDEZ FLAKA E LIRISË DHE FLAMURIT 101 VITE MË PARË

Nga Ndue Bacaj

101 vite më parë në trojet e Malësisë së Madhe krisi pushka e topi Malësorëve- kryengritës. Në ato ditë të zjarrta nuk kishte shtëpi, fis, katund apo mal të Malësisë e më gjerë që të mos i ngjante një vatre plot zjarre atdhedashurie, prej nga shpresohej të shpërndaheshin shkëndijat e kësaj vatre, për të ri-ndezur zjarre lirie në të gjithë Shqipërinë. Jehona e kësaj kryengritje ishte e menjëhershme, pasi këto troje për shekuj kishin qenë, streha e sigurt e amanetit dhe flamurit të rezistencës antiotomane të Krye-heroit legjendare Gjergj Kastrioti. Gjatë rreth katër shekujve e gjysme pushtuesit kishin shpresuar se, në mos qe shuar, kishin topitur shpirtin atdhedashës të shqiptarisë. Por fatmirësisht nuk kishte ndodhur kështu! Kjo qëndresë heroike shumë-shekullore është pasqyruar në dokumente e trashëgimi gojore, të cilat tregojnë për luftën, sakrificat, lotët e gjakun qe shkoj rrëke mbi këto troje në rreth 100 kryengritje antiotomane që e kishin vatrën këtu. Është kjo histori lavdiplote e kryengritjeve antiotomane që e kishte “frymëzuar” një ndër gazetat më prestigjioze, të Anglisë dhe Evropës së asaj kohe, “The Times”, që me 21 korrik 1911 do të shkruante: “... Kur të shkruhet historia e kohës sonë, lufta e Malësorëve shqiptarë do të kujtohet si një nga epopetë më të shkëlqyeshme të luftës moderne ...”.
Në Prag të Kryengritjes
Xhonturqit për të ardhur në krye të Perandorisë Otomane e kishin proklamuar veten si bartës të një politike më liberale e qytetare, por koha e tregoi shpejt se edhe xhonturqit e mbështetnin politiken dhe qytetërimin me bajoneta. Malësorët e Dukagjinasit kundërshtuan ketë politik ndër të paret në Shqipëri e më gjerë. Në këto kushte, Podgorica ishte bërë, streha (vorfënore) e shumë burrave dhe familjeve nga më qendrëstaret e atdhetaret e Shqipërisë. Në ketë gjendje të renduar, prijës, burra të urtë e trima të Malësisë, Dukagjinit, Shkodrës e më gjorë, organizuan Komitetin e Kryengritjes me ne krye, Sokol Bacin, Dedë Gjon Lulin, Gjon Nik Pllucin, Gjek Marash Gjeloshin, Nik Gjelosh Lulin, Tom e Lek Zolin, Luc Muç Elezin, Kol Marash Vaten, Nikoll Sokol Bacin, Mehmet Shpendin, Luigj Gurakuqin e tjerë anëtarë ndihmës, dhe degët në Rijek, Cetinë, Viripazarë, Tivarë, Kotorr e tjerë. Komiteti i Podgoricës kishte edhe një njohje ndërnacionale, ku deputeti italian Euxhenio Kieza do të vinte për të marrë kontakte me komitetin kryengritës të Shqipërisë së Epërme. Në Itali ishte formuar komiteti “Pro Shqipërisë”. Nga gazeta italiane “Il Messaggero” (e 11 qershorit 1911) mësojmë edhe emrat e 60 deputeteve italian që kishin formuar komitetin, me në krye Riçoti Garibaldit (Djali i Xhuzepe Garibaldit). Qeveria italiane nuk e dëshironte ketë organizim, por komiteti i benë thirrje popullit italian për të ndihmuar Shqipërinë. Njëra nga këto thirrje është ajo me “Titull” :
Popull i Italisë, Ndihmo, Ndihmo!: “Pro Shqipërisë, për token ku njerëzit vdesin duke belbëzuar emrin e bijve më të dashur, që nuk duan të jetojnë në skllavëri; për token ku luftohet në mbrojtjen e dheut të lindjes, të gjuhës, të traditës nacionale, për ata heronj … për ato gra, që presin në mes këngën e dashurisë, dridhen nga jehona e pushkëve, vrapojnë të lajnë me lot plagët e bijve, vëllezërve dhe burrave të tyre …”. Në fund të thirrjes shkruhet: Italia e popullit, për pionieret e lirisë shqiptare, Romë 22 maj 1911.
Politika hileqare e Malin të Zi (nën influencën e qarqeve të Evropës plakë ) i detyroi malësorët të fillojnë kryengritjen para kohe ..., por jo pa “dijeninë” e aleateve të përhershëm të Malësisë; Shkodrës, Nënshkodrës, Lezhës, Mirditës, Plavës, Gucisë, Kosovës kreshnike me në krye Isa Boletinin e veçanërisht Dukagjinit me në krye djelmnin e Shalës të udhëhequr nga Mehmet Shpendi , që gjatë gjithë vitit 1910 kishin mbajtur ndezur zjarrin e kryengritjes antiotomane ...

“K r y e n g r i t j a”
Me 24 mars 1911 (ditën e premte) legjendari Dedë Gjon Luli së bashku me trimat Kol Marsh Vata, Zef Lani, Gjon Pllumi, Pjeter Vogli, Prel Nika, Luc Nik Shabi, Prel Keri,Tom Llesh Dragu, Vat Gjon Gojçaj, Gjelosh Gjok Mihaj, Gjok Kol Shabi, Zef Marash Dojani, Vuksan Lek Alia, Nik Gjelosh Luli, Ded Elez Shabaj, Preç Lulash Lekaj, Tom Ded Gjo’Nishi, Gjon Ujk Miculi, Prek Gjeto Marku, Prek Gjeto Deda, Luk Nik Pllumi, e tjerë burra te Hotit e Malësisë ... do të mësynin si duhi mali, dy çibanët turke që rendonin mbi këto troje; posten e Grykës se Leqes dhe posten e Çemerrit, dhe njëkohësisht me ketë sulm do të jepnin edhe kushtrimin e fillimit të kësaj epopeja legjendare. Për ketë fillim kushtrimi të kryengritjes një zë i fuqishëm i Evropës së kohës do të shkruante: “Në pranverën e këtij pesëdhjetëvjetori (1861-1911), të traditave të lira të Italisë, në rikthimin e çdo entuziazmi për luftërat epike të mvetesisë, nga çdo shpirte shpërthen, i fortë dhe i kthjellet, Urimi i fitores së Shqipërisë ...
Me datën 25 mars “shkëndijat” e vatrës së zjarrit u përhapen nga Rapsha në Traboin ku kryengritësit moren me lufte dy posta të pushtuesit. Ketë ditë ranë duke luftuar trimërisht në Qepur (të Traboinit) nëntë dëshmorë, me në krye luanët e kushtrimit të 24 marsit Kol Marsh Vata e Zef Lani Ula, tashmë të përjetësuar në një memorial. Kryengritësit në mungesë të pushkëve ishin “armatosur” me sëpata e kmesa, por mbi të gjitha ishin “armatosur” me zjarrin e shpirtit ku ruajtën lirinë dhe amanetin e flamurit të Gjergj Kastriotit ndër shekuj. Vlen të theksohet se ushtaret e zëne robër, malësorët nuk i dëmtuan. Për ketë veprim human, konsulli Austro-Hungarez në Shkodër, Zambaur do të njoftonte autoritetet e tij në Vjene se kryengritësit malësorë janë ushtarë të mirë, që kërkojnë të drejtat e tyre historike, dhe jo kaçakë apo komitë qe duan te vrasin e plaçkitin. Me 26 mars malësorët e Grudës me në krye Kryetrimin e tyre Ded Nika, trimat Kol Zefi e Zef Miliqi, dhe të ndihmuar; nga Kelmendi me te flaktit Uc Turku, Fran Pali e Mirash Pali nga Trieshi me në krye trimat Lek Ivani Bekaj, Malot Gjeka, Nikoll Mirash Gjokaj e tjerë arritën të marrin Kaushen e Pikales dhe tri Kausha të tjera në kufi me Malin e Zi. Në këto luftime, kishin renë heroikisht në fushën e betejës: Mirash Luli Bojaj, Tom Prela, Tosh Luli, Mark Nika Bojaj, Has Mirashi, Sokol Dashi, Kol Doka, Zef Kurti dhe Martin Ujka, e tjerë. Kryengritësit kishin marr plotësisht postat apo karakollët e Omerbozhajve, Dinoshes, Pikales, Selishtit, Traboinit, Humit, Rapshes, Deçiqit dhe disa pozicione të tjera strategjike. Në betejën për marrjen e Tuzit, gratë malësore luftuan përkrah burrave ... Betejat dhe suksesi dy javor i kryengritësve kurorëzohet me ngritjen e Flamurit Nacional Shqiptar, me 6 prill (1911), pas 432 viteve “mungesë”...

ME 6 PRILL FLAMURI NË BRATIL TË DEÇIQIT
Në mes flakëve e tymit, atë ditë Leket e Hotit, Grudës, Trieshit, Kojes, Orahoves, Fundnave, Kastratit, Kelmendit, Shkrelit (dhe të mbështetur nga 250 trima dukagjinas të prire nga Mehmet Shpendi N.B.) e tjerë, mbas fjalës së Dedë Gjon Lulit: “Bini bini sokola, he në krajlni ju shkoft zani!”. Rrugën flamurtaret ja hapen vetes në mes flakëve të mitralozave e mauzerëve të turkut, sikur të ishin bademe derdhun mbi nuse e krushq ditën e dasmës, e jo plumba, që shkëpusin jetë e shtrijnë burra për tokë. Në pak orë u gjeten në maje të Deçiqit, dhe shpalosen në ajër të lirë të Malësisë Madhe at Rub të Kuqe me Shqipe të Zezë që tash 450 vjet kishte ndejë palua e diku edhe harrua, ndër skutat ma të fshehta të Shqipnisë robnueme”.
Kësaj dite fatlume, fetari, atdhetari dhe poeti i ëmbël malësore, dom Aleksandër Sirdani i kushtonte një poezi që i ngjan një buqete me lule të freskëta, që nuk vyshken kurrë, ”dëgjojeni”:
“Nalt Flamuri për hidhet, / Armikut s’i lëshon cak, / Me besë Abnori lidhet, / Me gjak mbrojt Atdheun me gjak, / Ngallnjyese kthen Malësia , / N’Deçiq Flamuri të valojnë, / Plot gjak e jetë i kushtojnë / Kuq e Zi Flamuri për hidhet, / N’dor Dedë Gjo’Lulit trim, / me Gurakuqin mblidhet , / Shqipnia me një kushtrim “.
Në atë ditë me 6 prill (1911) shqiptari i vërtet mbushi mushkëritë me frymën e lirisë, e brohoriti në Zemër të vet: “Rrnoft Shqipnia”. Ketë ditë legjendare ranë heroikisht (njëri pas tjetrit ) në malin e Deçiqit shtatë dëshmorë kojas, duke marrë fortesën turke ku u bënte karshillek prej shekujsh flamuri i pushtuesit otoman. Këta dëshmorë janë sot të skalitur në një memorial, emrat e të cilëve kanë fituar pavdekësinë: Dok Preç Kercaj, Tom Uc Ivanaj, Marash Luc Gjokaj, Cak Uc Ivanaj, Gjeto Tom Kolçaj, Kol Dok Marashaj dhe Gjeto Gjek Ivanaj. (Reth malit Deçiqit thuhet se ranë heroikisht edhe dukagjinasit trima Bal Gjoni e Bush Delia). Ndërsa Nik Gjelosh Luli, Gjon Ujk Miculi dhe Pjeter Zefi janë flamurtaret e paharruar të shqiptarisë ... Këto ditë heroike i përshkruan mrekullisht edhe poeti pogradecare, Lasgush Poradeci me vargjet domethënëse:
“Malësia që bënë sulm në zjarr / Porsi drangojë me fletë/
Siç bënte sulm ngadhënjimtar / Gjergj Kastrioti vetë ...
Ndërsa udhëheqësi legjendar i kryengritjes Dedë Gjon Luli do të thoshte: “Flamuri i ka të gjitha, ai ka besën, ka pushkën, ai ka brenda gjithë Shqipërinë. Atij i falen, atë e ndjekin mbrapa të gjithë ..., çka është shqiptarë i vërtet.”
Betejat antiotomane të malësorëve edhe pas ngritjes Flamurit në Deçiq nuk reshten thuajse asnjë ditë deri me 4 gushtin (1911) kur u vu në jetë “armëpushimi i planifikuar” me 2 gusht. Betejat kanë “emrat” e Sukave të Moksetit, Dragan, Qaf Ugel, Rraxë, Suk, Lemaj, Deçiq, Suk Mkushit, Katun Kastratit e tjerë ... ndaj trojet e Malësisë i ngjanin një vendi ku shkarkoheshin gjame, vërtetim e rrufe pa pushim. Ku të gjitha këto troje janë larë me gjakun e lotët e malësorëve e malësoreve. Këtu u këputen dhjetëra e qindra jetë në lulen e rinisë, këtu u shkretuan shume familje, këtu mbeten qindra jetim e u veshën qindra gra, nena e motra me të zeza, por këtu në mes gjakut e lotëve rilinden dhe u rriten edhe trimat e trimëreshat, dragoit e zanat e Malësisë e Shqipërisë. Ismail Qemali për kryengritësit do të shkruante: “Trima malësorë-shqiptarë që i zbardhen faqen Shqipërisë për gjithë jetën ...”. Kryengritësit shqiptare vetëm nga Malësia e Madhe (e Dukagjini N.B.) kapnin shifrën e 6000 luftëtarëve të lirisë, por edhe Perandoria Otomane kishte hedhur në fushën e luftimit 30–60 mijë trupa ..., me në krye gjeneralin famëkeq Shefqet Tergut Pashën të rikthyer në Shqipëri. Gjatë kësaj kryengritje, nuk ushtoje vetëm pushka “top”, por edhe mendja dhe penda diplomatike, që realizoi Kuvendin historik i Greçes (10 deri me 23 qershore 1911), ku u formuluan 12 kërkesat që kishin në themel, lirinë, mëvetësinë dhe flamurin, gjë që i jep kësaj kryengritje edhe përmasa programore nacionale. Në ketë kuvend historik morën pjese: Dedë Gjon Luli e Gjeto Marku nga Hoti; Ded Nika, Sokol Baci e Tring Smajlja nga Gruda; Gala Smajli e Gjon Gjeka nga Trieshi; Dod Preçi nga Kastrati; Tom Nika e Martin Preka nga Shkreli; Cal Dedli, Lul Rapuka e Prek Gjetja nga Kelmendi; Mehmet Shpendi nga Shala, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi dhe Risto Siliqi nga Shkodra; Sali Hoxh Hidri nga Elbasani (përfaqësuesi i Ismail Qemalit), famullitarët e Malësisë me në krye At Mati Prenushin, e tjerë. Kryengritja dhe Memorandumi i Greçes, gjeten përkrahje në shumë troje shqiptare. Kjo i kishte detyruar xhonturqit që (me 15 qershor) në Prishtinë të shkonte vetë Sulltani, për të shpallur faljen e kryengritësve kosovar të 1910-s, dhe dënimin e memorandumit autonomist të Greçes. Por Stambolli e mori përgjigjen nga Gjakova, Peja, Prishtina, Mitrovica e tjerë, që kishin vendosur të mbështesin malësorët kryengritës. Kontributi i malësorëve është i madh dhe rëndësishëm sa vetë historia e këtyre trojeve. Ata janë të shumtë dhe përfshijnë thuajse të gjitha fiset e familjet themele të Malësisë. Pa ta, historia e Shqipërisë nuk ka kuptim, por për të mos përsëritur shumë nga emrat që i cituam, po kujtomë fare pake nga kjo plejadë lavdi te plote, si: Marash Uci-ora e urtësisë, Tom Nikoll Hasani që nuk i binte një fjalë në tokë, strategun Mirash Luca, trimat Smajl Mustafa, Gjelosh Tom Bëkaj Islam Makalushi, Prel Kol Shyti, Gjelosh Doka, Dedush Marshi, Marash Gjek Mala, Luc Mark Gjeloshi, Gjergj Ded Gjo’Luli, Gjon Ujk Miculi, Pjeter Zefi, Pretash Nik Zekaj, Lek Shaba–Gojçaj, Pjeter Nik Daku, Kol Kurti, Dasha Nika, Dul Gjelosh Palushaj, Ded Preç Marashaj, Vat Marashi, Gjelosh Gjoka, Nik Lek Curraj, Dok Lani, Palok Traboini, Lulash Zekaj, Marash Delia, Çun Nika e tjerë dragoi e Zana të Maleve shqiptare, paraardhësit e racës autoktone e shumë krenare, që populloi e para Ilirin e lashtë. Sot Deçiqi ka mbetur jashtë kufirit politik të Shqipërisë, por jo kurrë jashtë kufirit etnik të shqiptarisë, ndaj tash 101 vite ky mal është Kulla e krenarisë sonë nga i cili ka dalë tymi i bardh i flamurit nacional, por edhe Kulla që shpërndau shkëndijat që fluturuan nga Veriu në Jug, duke ndezur në të gjithë Shqipërinë idealet e flamurit dhe mëvetësisë ... Kjo “Kulle” i shqiptarisë nuk u fik dhe nuk do të fiket kurrë ... Tash mbi një shekull në trojet tona bëhet be: pasha njatë flamur që u ngrit në Deçiq. Ngritja e Flamurit në Deçiq, dhe shpallja e pavarësisë në Vlore plotësuan etnikisht e politikisht themelimin e shtetit parë të pavarur shqiptare të shpallur me 28 nëntor 1912...
Faleminderit!

“DJELMNIA E SHALËS” ORGANIZIM RINOR PËRPARIMTAR

LUIGJ SHYTI

Po afron ajo ditë e ati “nëntorit të dytë”, që do të përsëritej pas një pushtimi të egër e tejet të prapambetur, prej rreth 450 vjetësh, kur plaku patriot Ismail Qemali, 100 vjet më parë, me trimat e urtë mbarë shqiptar,  do të rishpalosnin flamurin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, flamurin e kuq me shqipen e zezë në mes, atë flamurë qe u sulmua, u persekutua, u hoq dhe nuk u lejua të valëvitej në bedenat e kalave të tij, në tokën e tij, në qiellin e tij nga një tjetër flamur, nga flamuri i pushtuesit Osman. Me gjithë vështirësitë që nuk mund të përshkruhen ai flamur nuk u zhduk, nuk u harrua, u ruajt me dashuri në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, u ruajt në Kuvendet e tyre, u ruajt në pajën e nuseve, u ruajt në djepet e foshnjave, u ruajt në kujtesën e të moshuarve.
Në motet e fillimshekullit të XX “lirim, lirim bërtet gjithkah malcia”, e kërkonin lirinë malet e larta e fushat e pëlleshme, e kërkonte lirinë i madh e i vogël, e kërkonte lirinë toka që ruante në gjirin e saj eshtrat e të parëve trima e patriot që nuk reshtën me përpjekjet e tyre, e kërkonte lirinë gjaku që kishte vaditur çdo pëllëmbë të tokës shqiptare në luftëra e përpjekje për liri, barazi dhe përparim shoqëror.
Fillimi i shekullit të XX do të ishte kapërcyelli i një sundimi gati pesë shekullor i Osmanëve në Shqipëri dhe dalja e saj në vete, e pavarur.
Ky kapërcyell nuk qe i lehtë për tu kaluar, sepse, nga kohëzgjatja e pushtimit dhe propaganda e pushtuesit me te gjitha format, gati mendohej se ajo perandori ishte e pamundur që të shkërmoqej, se “të sëmurit të Bosforit” i kishte ardhur koha që të vdiste më në fund. Natyrisht ajo nuk do të dorëzohej lehtë. Ajo po vdiste, por bisha e plagosur bëhet me e rrezikshme, më shumë zhurmë bën një pemë që rrëzohet se njëqind që rriten, prandaj duhej urti, trimëri dhe vetëmohim për të fituar pavarësinë. Këtyre vështirësive u shtohej edhe kushtet politiko-socialekonomike në të cilën ishte vendi ynë, mungesa e përvojës, shpërndarja e këputja e organizuar e shumë hallkave të zinxhirit bashkues të kombit, krahinave, gjakut e pse jo edhe brenda familjes të cilat e kishin dobësuar shumë. Të gjitha këto, shumë të vështira për tu përballuar, e kishin lodhur, por, nuk e kishin zhdukur lidhjen e gjakut, dashurisë për atdheun, për gjuhën, për lirinë e pavarësinë. Ato u ruajtën në mendjen dhe zemrën e shqiptarëve me shumë dashuri.
Malësorët e Veriut, ndonëse të pa shkolluar, por me urtësinë dhe largpamësinë natyrore të tyre, ditën të rreshtohen në krahun e duhur për të mirën e Kombit Shqiptar. Ata ishin të ndërgjegjësuar se Perandoria Osmane duhej larguar nga trojet tona, duhej hedhur tej ajo zgjedhë disa shekullore në qafën e shqiptarëve e duhej kthyer sytë nga popujt e qytetëruar evropian së cilës i përkisnin.
Në rrokopujat dhe kushtrimin që lëshonte koha dhe Atdheu, në vitin 1890, shfaqet në Shalë një organizatë, një formacion që hyri dhe mbeti në histori me emrin “Djelmnia e Shalës”. Pa tjetër që në këto rrethana veprimtaria e kësaj organizate e përfshirë në lëvizjen e përgjithshme të malësorëve të veriut për Pavarësinë e Shqipërisë ka lënë të tilla gjurmë që sa më shumë kalon koha bëhen më të dukshme, më të qarta.
“Djelmnia e Shalës” u lind në atë tokë pjellore ku u lindën shumë emërmëdhenjë. Ajo u lind ku “Mark Lula i pari i Shalës / … aspak lak nuk i ban fjalës”.
Ajo u lind në ato male ku nuk dinë çfarë është tuta, që e bëjnë dekën si më le, e “drejt konopit shkojnë tuj këndue”. Ajo u lind aty ku më shumë shqetësohen për fukarallëkun, e që miku mund t’i  gjejë pa bukë, se sa vajtja drejt vdekjes në litar.
Ata vetë i a vunë emrin “Djelmni”, ata kishin ditë fort mirë që t’ia vinin emrin edhe “Pleqni”, “Ushtri”, “Luftëtarë”, “Çetë”, “Komitë”, etj. Por për vetë shtresën që përfaqësonin, për moshën dhe mendimet e reja që sollën, e cilësuan djelmni, emër, të cilin e mbajtën me nder, e shkruan në histori, e gdhendën në shkëmbinjtë ku u lindën dhe ku jetuan për të mos u fshirë asnjëherë.
“Djelmninë e Shalës”, baron F. Nopça do ta quante “opozita e parë shqiptare”, e cila, siç thoshte ai, “Në kundërshtim me pleqësinë aristokrate, djelmnia ishte demokratike”. Në krye të këtij organizmi politiko shoqëror u vu Mehmet Shpëndi dhe në përbërjen e së cilës u rreshtuan djem të gjithë të armatosur, të gatshëm kurdo dhe kudo e kërkonte e mira e krahinës apo vendit.
Kjo organizatë u bë shembull edhe për krahina të tjera.
“Djelmnia e Shalës” erdhi si domosdoshmëri e demokratizimit të jetës së vendit, si nevojë për zhvillimin e krahinës , si një e re përparimtare me tendencë për tu afruar me kombet e tjerë të qytetëruar. Ajo nuk u lind e u zhvillua në vend pa vend, në tokë të thatë. Ajo u lind në tokën pjellore të zhvillimit të mençurisë malësore shaljane. Popujt që duan dhe kërkojnë zhvillim dhe përparim, përpiqen dhe gjejnë forma të reja pune e organizimi më të përparuara. Për banorët e Shalës dalja në dritë e kësaj organizate ishte një hap i rëndësishëm përpara, ishte një zhvillim i fuqishëm për këtë krahinë dhe për më gjerë.
Duke komentuar “Djelmninë e Shalës” At Daniel Gjeçaj, nën pseudonimin Pal Dukagjini shkruante: “Ishte kjo e para lëvizje e vegjëlisë për të fituar të drejtat e barabarta me të mëdhenjtë, i  pari hap demokratik i të pambrojturve kundrejt të privilegjuarve, i pari tagër i fituem nga populli në dobi te të gjithëve. Me anë të kësaj organizate ligjore, vazhdon At Danieli, i vihej fre, sa ishte e mundur në rrethanat e kohës, korrupsionit, bëhej më i vështirë shfrytëzimi, pakësohej padrejtësia ... “Djelmnia e Shalës” ishte guri i parë i asaj demokracie e cila duhet të ketë por si bazë e parim jete, drejtësinë e lirinë”.
Ndërsa Ndoc Nikaj shkruante “Djelmnia e Shalës” ishte partia më e fortë popullore, pa të cilën as flamuri, as krerët nuk mund të merrnin vendime”,
Edhe Antonio Baldaçi shprehej: “Djelmnia është një shoqatë e formuar nga njerëz që mbajnë qëndrim të kundërt, gati revolucionar, ndaj flamurtarit e përkrahësve të tij ose kundër gjithë pleqësisë”.  
Me pushkën krahut dhe parmendën në dorë, me krahnoçin në sup dhe bagëtinë që i shkonin  prapa, me fyellin, lahutën e çiftelinë, këngën e gjatë apo tërthorçe, këngët e djepit apo të kapuçave, vajtimet e putirat, me humorin e hollë dhe kuvendet malësore, me thellësinë e mendimit dhe rreptësinë e zbatimit të vendimeve, me edukimin e brezit të ri me kujtimet e të parëve e punët e tyre, me transmetimin e eksperiencës si forma kryesore e edukimit, me gjuhën e maksimalisht të papërlyer e besimin katolik të vendosur, me skamjen, sëmundjet dhe padrejtësitë e kohës dhe vështirësitë e mjedisit natyror ndonëse shumë i bukur por jo i lehtë për tu përballuar, i bënë ballë brezat në kohë dhe mbijetuan, sepse e tillë ishte koha e cila është e pamëshirshme.
Eci malësori, por edhe malësorja dukagjinas, në shekuj, përmes rrebesheve, me kokën lart si vetë malet ku u lind dhe jeton. Në këmbë prieçat prej lëkurës së lopës, me tirqit e xhubletën të zbukuruar me spikun e zi, me xhamadanin, guberen, tallaganin apo gozhupin krahëve, burrat në kokë kapuçin e bardhë si borë mbi vetull.
Zhvillimi i mendimeve, debatit, kuvendit kërkonte ndryshim edhe në organizimin e bajrakut. Këto zhvillime shkuan në drejtim të demokratizimit të jetës në krahinë, por edhe për organizimin më të fuqishëm me armë, në kohën kur erëra të reja po frynin në Ballkan, Shqipëri e krahinë.
“Djelmnia e Shalës”, e cila u organizua 12 vjet pas Lidhjes së Prizrenit, ishte i pari organizim rinor shqiptar. Kryetari që u vendos në krye të saj, Mehmet Shpendi, ishte i pjekur në mendimet e tij të reja, i vendosur për të mirën e krahinës dhe vendit, trim sa herë që të lypte nevoja.
Në kohën e formimit të këtij organizmit, Shala kishte rreth 300 shtëpi dhe u rreshtuan 80 djem, në vitin 1908 u bënë 90, ndërsa në traditën popullore përmenden 94 djelm në fillim të shekullit të XX me djelmninë. Një nga elementët përparimtar qe se në këtë organizim u përfshinë edhe ato grupe popullsie që nuk kishin lidhje gjaku me shumicën e popullsisë, që quhen anas.
“Djelmnia e Shalës” mori përsipër reformime, saktësime dhe përmirësime edhe në Kanunin e Lek Dukagjinit. Ajo arriti të caktojë çmimin e misrit brenda krahinës dhe ndaloj shitjen e tij jashtë saj, uli shpenzimet në mort, dasma e gostira të tjera, caktoj tavanin e dhuratave në të gjitha rastet, disiplinoj rregullin në territorin e kishës, përcaktoj çmimet e dëmeve në bujqësi e blegtori, përcaktoi nivelin e fajdeve, ngushtoj rrethin e gjakmarrjes, etj.
Djelmnia u ndje si një forcë qeverisëse-ekzekutive në territorin e saj. Kjo nxiti që edhe krahina të tjera ta ndiqnin dhe të bashkëpunonin me të.
Roli i Mehmet Shpendit në organizatën rinore “Djelmnia e Shalës” është i patjetërsueshëm, pasi siç thotë E. Durham, për të “Shala ishte qendra e botës”.
Thyerja e ushtrisë turke në Qafën e Agrit në korrikun e vitit 1910 ishte rezultat i organizimit të Mehmet Shpendit me djelmni nga Qafa e Pejës gjatë gjithë kurrizit të maleve deri në Stërziqe të Toplanës, bashkëpunimit vëllazëror me krahina të tjera si Shoshi, Merturi e Pulti. Në këtë betejë shumë shumë të pabarabartë u rreshtuan me qindra malësorë dukagjinas në front apo në prapavijë duke furnizuar me municione dhe ushqime. Padre Ciril Cani, që ishte famullitar në Shalë, pasi viziton forcat në Qafë të Agrit i shkruante fratit të Shoshit: “Këtu mbarë populli është çuar në këmbë ... kanë qitë cekën me u ba copë e grimë me qindrue për atdhe me gjithë flije...”.
Beteja në Qafën së Agrit është një veçori për Djelmninë, por edhe më gjerë. Aty thyhet ushtria pushtuese turke, e madhe, e organizuar dhe e armatosur mirë. Me pak armë e të vjetra, por me zemrën e madhe që shkrepte si rrufeja, me forcën popullore e ndjenjat atdhetare, duke shfrytëzuar e bashkëpunuar me “malet si aleatët e përhershëm” të tyre, malësorët dukagjinas nuk e lanë pushtuesin të shkelte Qafën e Agrit as tokën e Dukagjinit. Mitër Kola mendjehollë, pasardhës i Kolë Mark Kolës që kishte vrarë të deleguarin e Begollajve të Pejës, i cili  kishte ardhur në Shalë për të ndryshuar besimin fetar të këtyre malësorëve, sajoj një top me një grykë të vjetër e të mbështetur ndoshta mbi një dru dardhe, i cili u futi tmerrin ushtarëve turq, e rapsodi këndoj:
“... Mitër Kola me Shaljanë, / Një top e sajdisi, / Me petica e top dardhe, / Luftën turkut nisi...”
Komandantit turk edhe lisat i dukeshin njerëz edhe njerëzit i dukeshin lisa, sepse çdo gjë ishte kundër tij, prandaj detyrohet të kthehet prapa, i thyer e kokë ulur, e kënga thotë:
“... Kudo rrugët janë zanë me lisa, /  Ktheni t’ikim prej këtij vendi, / S’luftohet me bisha ...”
Portretizimi që poeti i mirënjohur Risto Siliqi i bënte Mehmet Shpendit, është portretizim i plotë i figurës së malësorit Dukagjinas në tërësi sepse ai si ata e ata si ai:

“... Kurrë nuk gjinden zdathë e zdeshun, /  Por gjithmonë gatue për pritë / N’zheg e n’shi e n’borë e breshun, /  Shati i tij gjithmonë vaditë ...”.

Viti 1911 e gjen Mehmet Shpendin me djelmni nga gjithë Dukagjini përkrah Ded Gjo’ Lulit në Deçiç, e disa dhanë jetën. Mehmet Shpendi me djelmni nga Dukagjini ka marrë pjesë edhe në çlirimin e Shkupit në ditën e fundit të korrikut të 1912.     
“Djelmnia e Shalës” është unikale për organizimin politiko-shoqëror-ushtarak të kohës dhe territorit ku veproi. Ajo qëndron stoike dhe e pazhigatur pavarësisht ndonjë zëri pa zë, zbehës dhe mjegullues.
Kujtimi dhe rikujtimi i ngjarjeve të kohës së shkuar, i vlerave të tyre, pse jo edhe dobësitë, ka për qëllim të shikohet rruga e përshkuar dhe duke e analizuar atë në mënyrë kritike e ardhmja është më e sigurt. Për një popull, një shtet, një komb është domosdoshmëri që ta njohë historinë, ta njohë rrugën e tij, pengesat, vështirësitë, sakrificat e gjakun e derdhur, djersën, mundin e shpenzimet, miqtë dhe armiqtë si dhe rezultatet e arritura. Këto mundësojnë që të konsolidohen arritjet, të njihen dashamirët, të bëhen analiza dhe të shikohet më me siguri dhe qartësi e ardhmja.
Në 100 vjetorin e Pavarësisë dhe krijimit të Shtetit Shqiptar kujtojmë me shumë respekt edhe “Djelmninë e Shalës” si një formacion shoqëror-politik-ushtarak shumë aktiv, të vendosur dhe me kahen e lëvizjes drejt qytetërimit e përparimit, në shërbim të krahinës dhe kombit. Veprimtaria e “Djelmnisë së Shalës” është e lidhur ngushtë më gjithë veprimtarinë mbarë kombëtare të patriotëve shqiptarë, me pjesëmarrjen dhe organizimin e saj e veçanërisht gjatë luftërave për hedhjen tej të zgjedhës  otomane, e cila qe shembull qëndrese e vetëmohimi në shërbim të shpalljes së pavarësisë, por edhe më tej.       
“Djelmnia e Shalës” me të njëjtin përkushtim vazhdoj veprimtarinë e saj shumë të fuqishme edhe pas Shpalljes së Pavarësisë, edhe pas vrasjes ne bese të të parit të saj dhe dhjetëra të tjerëve në vitin 1915.
Ne përkulemi me shumë respekt përpara të gjithë atyre që nuk kursyen asgjë në shërbim të atdheut, që vunë kokën në themelet e shtetit shqiptar, që vaditën me gjakun e tyre pemën e lirisë dhe pavarësisë.                               
Duke gjykuar nga mendimet, të rejat që solli në jetën e krahinës së Shalës, Djelmnia, veprimet dhe shikimin pozitiv drejt së ardhmes, pse jo edhe nga mosha, mund të thuhet pa druajtje  se ajo qe formacioni i parë rinor shqiptar me këtë nivel organizimi, me këtë largësi shikimi, me këtë thellësi mendimi.
“Djelmnia e Shalës” qe pushkë e mbushur me urti e trimëri në shërbim të kombit shqiptar.

Faleminderit!

Fjala e mbylljes se Konferencës

NDUE SANAJ

Te nderuar pjesëmarrës!
Me lejoni qe ta mbyllim pjesën e pare te kësaj veprimtarie dhe ne emrin tuaj te beje tre falënderime:
Se pari, te falënderoj kumtuesit: Profesor Romeon, Simonin e Rexhepin, Prelen, Nduen e Luigjin e bashkëpunëtoret e tyre Mhill Pali e Fran Lisi, për punën qe kane bere, për përgjegjësinë qe kane marre mbi vete për tu paraqite para nesh. Ju faleminderit!
Se dyti, te falënderoj ata qe na mundësuan financiarisht për te përgatitur dhe zhvilluar këtë Konference dhe ne tërësi Manifestimin “Zëri i vëllazërimit-2012”: Biznesmenin shqiptaro-amerikanin ne Miçigan-Ndue Ftoni, kryetarin e komunës Pult-Sokol Cubi, kryetarin e komunës Temal-Mark Zhuri dhe kryetarin e komunës Rrethina-Klevis Muja. I urojme me urimin popullor: “Me faqen e bardhe. Paçin e dhënçin!”.
Se treti, qendrën Fshati i Paqes, ne administrim te Famullisë Shkodër, me administrator Dede Mirashi, për kushtet qe na siguruan ne realizimin e kësaj veprimtarie.

***
Njeriu ka te mirat dhe te metat e veta. Siç theksonte akademiku Beqja, “Engjëlli e djalli brenda te gjallit”. Pra, ne qofte se do te ndalemi ne te mirat e njeriut dy janë me te theksuara:”Mirë-bërja” dhe “Mirënjohja” Te paret tanë ishin mire-bërës, te cilët nuk kursyen asgjë, as jetën e tyre për LIRI, për MËVETËSI, te cilat referuesit na i sollën para nesh me shume kompetence. Ne, nuk mund ta kthejmë atë kohe, nuk mund tu kthejmë jetën atyre qe e dhanë ne ato momente, nuk mund tu kthejmë ato sakrifica te panumërta qe dhanë ata ne ato çaste vendimtare për fatet e nacionalitetit Shqiptare, për Arbërinë. Por, një diçka kemi ne dore, kemi ne dore qe atë ta paraqesim sa me realisht, kemi ne dore tu jemi mirënjohës, kemi ne dore te përulemi për veprën e tyre, qe mendoj se diçka bëmë dhe me këtë rast, ne organizimin e kësaj konference, por ne mënyrë te veçante kumtuesit me përgatitjet e tyre serioze. Pra, ne duhet te jemi mirënjohës. Këto dy virtyt jo vetëm qe nuk duhet te na mungojnë, por ato te bëhen pjese e jetës sonë: Te bëjmë mire dhe te jemi mirënjohës se, vetëm ne këtë mënyrë do ti shërbejmë shqiptarisë dhe se ardhmes se saj.
Nuk e quaj te drejte punën e disa mediave dhe te disa politikaneve e historianeve te shume herët, por ne veçanti te kohëve te fundit. Jo vetëm nuk është e vertete se, BE ka theksuar, pushtuesit duhet ti themi administrator dhe na ke sjelle mirësinë, megjithëse na ke vrare, na ka var ne litar, na ka prere kokat, na ka marre robinë e robër e na i ka trete ne ane e ane fundit te botes arabe, na ka djege, na ka prere, nuk na ka lanë te besojmë e te lutemi atje ku kemi dashtë duke na i shkatërruar plotësisht institucionet përkatës te besimit dhe mbi te gjitha nuk na ka lanë te këndojmë e te shkruajmë gjuhen e nënës për 5 shekuj. Mendoj se, nuk ka krim me te madhe se sa ti ndalosh një populli te mos flas e te shkruaj gjuhen e nënës! Një qëndrim i tillë nuk ka as emër tjeter përveçse injorance, përveçse një qëndrim prej skllavi e te tjera e te tjera. Askund nuk ndodh, veç se tek ne qe pushtuesin e nderojmë dhe e bëjmë hero! Sipas këtyre mostrave ne, sot duhet te ndëshkohemi se, kemi organizuar këtë konference për te kujtuar ata qe dhanë jetën kundër pushtuesit, për te kujtuar ata qe dhanë ndihmesën e madhe për arritjen e Shpalljes se Pavarësisë. Jo more, kemi bere gabim se, ata ishin kriminelë, se, ata ishin dhunues ndaj “çliruesit” se nga kush nuk dihet?!
Ne gazetën “Tribuna Shqiptare”, ne gazetën “Sot” dhe para disa ditësh ne gazetën nacionale te re “MAPO” një autori me emrin Olsi Jezenxhi, shkruan me mllefe deri ekstremiste duke bere thirrje për lufte te një ane kundër anës tjetër, çka them se këto media nuk duhet te abuzojnë me lirinë e secilit për te thënë mendimin e tij. Jo, jo, kurrsesi jo, kjo nuk është e drejte. Sigurisht nuk ia vlen te merremi me Olsin e veçante apo dhe me disa si ky, por na shqetësojnë qëndrimet e papranueshme te disa mediave!
E theksova këtë se, duhet te bëjmë apel për qëndrime serioze ndaj mendimeve te tilla qe kërkojnë te na poshtërojnë. Te puthesh ne mënyrë servile apo interesave te tjera me pushtuesin duke e theksuar si çlirues është një turp dhe krejt e papranueshme. Para disa viteve, rastësisht lexoja ne një interviste: “... U islamizuam për te shpëtuar nga sllavizmi ...”; “... Osmanet na bën nacionalitet ...” e te tjera e te tjera, te cilat janë te papranueshme; ose katolicizmi ka ardhur ne banoret e Arbërisë ashtu siç erdhi me vone islamizmi, e cila është krejt ndryshe ... Para këtyre ideve e mendimeve nuk mund te rrish pa u ndalur se, këto ide e mendime na kanë çuar ne mos respektimin e personaliteteve tona ne histori. Siç, ngrihet memoriali i Hasan Riza Pashës një gjenerali te pushtuesit osman, me idenë se ai ishte heroi qe nuk lejoje pushtimin e qytetit te Shkodrës nga ushtria malazeze!? Një absurditet i plote! Si është e mundur qe Hasan Riza Pasha mbronte Shkodrën, kur Mali i Zi e filloi luftën me datën 12 tetor, 47 dite para Shpalljes se Pavarësisë. Dhe, ai po te kishte për synim te mbronte Shkodrën, te mbronte Shqipërinë, kur u informua për ngritjen e Flamurit ne Vlore, do ta ngrinte atë edhe ne Kështjellën “Rozafa”. Ai, nuk e beri se mbronte interesat e Perandorisë osmane. Pra, ngrihet Memoriali për ketë gjeneral dhe nuk ngrihet Monument apo memoriali ne qytetin e Shkodrës për Mbretëreshën e Pare – Teutën, nuk ngrihet monumenti për “gjenerali popullor” Dede Gjon Luli dhe Mehmet Shpendi!!! Mban një shkolle e mesme e përgjithshme emrin e një oficeri osman me gradën toger, me emrin Oso Kuka, i cili ne kohen e aktit te tij heroik qe e theksojnë disa, ne fakt nuk mbronte interesat e Shkodrës apo te shqiptarisë, por interesat e Perandorisë Osmane. Dhe absurditeti shkon dhe me tej: Shkatërrohet shtëpia e Heroit te Pavarësisë Luigj Gurakuqi dhe mbahet “gjalle” shtëpia e Oso Kukës.
Qe te festojmë 100 vjetorin e Shpalljes se Pavarësisë, mendoj se duhej bere me shume duke filluar qe nga e vogla. Megjithëse po kalojnë 4 breza ende jo ne pak raste ne, flasim me fjalor turqisht, ende komunikojmë me struktura te pushtuesit 5 shekullor, ende ecim me mentalitetin e përjashtimit, ende ecim me mentalitetin për te gjetur fajin e se keqes sime tek tjetri. Një intelektual me emrin Eshref, nga Kalifornia, theksonte ne një shkrim ne gazetën “Tribuna Shqiptare” se, për gjendjen tone qe ende nuk kemi plotësuar detyrat për tu bere anëtar te B E-se, e paska Evropa dhe për te mbrojtur idenë e tij, na citonte dhe Fishtën! Absurditet! Këto qëndrime e këto mentalitete janë te papranueshme, dhe na duhet një përpjekje e madhe qe tu themi stop!
Urojme qe ide, mendime dhe programe te tilla ne fund te brezit te katërt te jene ne minimum dhe historia e vërtetë te thotë te vërteten dhe te veprohet ne baze te saj.
Duke e mbyll ketë Konference, ju bej thirrje te firmosni listën qe ju kemi dhënë, me te cilën te ndikojmë sa te jete e mundur ne arritjen e qëllimit për te nderuar gjithë ata qe kane kontribuar me mend dhe me gjak për Shpalljen e Pavarësisë se vendit.
Ju faleminderit!

Zëri i Vëllazërisë jehoi bukur në 100 vjetorin e Pavarësisë

Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martrin Dreshaj” dhe ajo “Atdhetare-Dukagjini” nga Shkodra kishin vendosur të jenë shembull i mirë në përpjekjet për unifikimin e nacionalitetit tone në sferën e kulturës dhe dijes, prandaj organizuan bashkërisht në Shkodër fillimin e Manifestimit “Zëri i Vëllazërisë-2012“ me moton “100 vite rrugëtim drejt Bashkimit Nacional” e në prillin e madh të Dedë Gjon Lulit e Mehmet Shpendit. Organizatorët nga kjo e ajo anë e Shqipërisë kishin mjaft pengesa për të zhvilluar gjithë ato aktivitete në trojet etnike, por u kaluan gjithë ato strese falë bindjes në zemër të veprimtarëve të Shoqatave dhe Manifestimi nisi bukur në Shkodër me një tryezë tematike kushtuar ngjarjeve të mëdha në përpjekje për liri e pavarësi të kombit tonë . Janë shpalosur disa kumtesa:
1- Situata politike evropiane dhe roli i saj për kryengritjet antiosmane ne pragun e Pavarësisë, nga Dr. Simon Lufi
2- Organizimi i kryengritjes se Malësisë se Mbishkodrës e vitit 1911, nga Prof. dr. Romeo Gurakuqi
3- Nga Isai e deri te Ademi, 100 vite rrugëtim drejt Pavarësisë, nga Profesor Abaz Rexhepi
4- Luftërat e dukagjinasve për Liri dhe Pavarësi dhe roli i tyre ne Shpalljen e Pavarësisë se vendit, nga Prele Milani, Mhill Pali e Fran Lisi
5- Ne gjurme te historise ku e ndez flaka e lirise dhe flamurit 101 vite me, nga studiuesi Ndue Bacaj
6- Djelmia e Shalës, organizim rinor perparimtar”, nga studiuesi Luigj Shyti
***
Pas kësaj është prezantuar në sallën e bukur të Fshatit te Paqes një program i pasur artistik me pjesëmarrjen e këngëtarëve, valltarë ve e aktorë ve të Shoqatës “Atdhetare-Dukagjini”, Shoqatës “Martin Deshaj”, Ansamblit “Dedë Gjo Luli “ nga Malësia e Madhe, Ansamblit “Selman Kadria “ nga Istogu, atij “Dervish Shaqa e Demush Neziri” nga Deçani, “Shpëtimi” nga Medvegja e Kosovës Lindore e Ansamble të tjera nga trojet etnike. Në përmbyllje të ditës së parë të Manifestimit janë zhvilluar bashkë biseda për vazhdimin e Manifestimit. Në kuadër të këtij aktiviteti përfaqësues të Shoqatave e Ansambleve pjesëmarrëse janë pritur nga përfaqësuesi i lartë i pushtetit në Shkodër, Sekretari i Këshillit te Qarkut, Pjerin Raboshta, i cili na njohu me misionin e këtij Këshilli dhe punën qe po behej ne qytetin dhe Qarkun e Shkodrës.

Vazhdim i mbarë në Pejë, Klinë, Istog e Deçan

Kjo festë e madhe ka vazhduar për dy ditë e me plot aktivitete edhe në disa prej qyteteve në Kosovë. Janë pritur në mënyrë madhështore pjesëmarrësit nga Shkodra, Malësia e Madhe, Plava, Gucia, Medvegja e Kosovës Lindore dhe nga trojet tjera etnike. Qytetarët e Pejës janë mahnitur me bukurinë e veshjeve tona nacionale dhe me ritmin e gjallë të valles shqipe. Pas kësaj pjesëmarrësit shkuan në qytetin e Klinës dhe atje i ka përshëndetur i pari i këtij qyteti, Sokol Bashota. Pjesëmarrësit këtu kanë shpalosur vlera kulturore para qytetarëve në Sheshin, që mban emrin e dëshmorit të nacionalitetit tone, Mujë Krasniqi. Me të kryer këtë aktivitet pjesëmarrësit e Manifestimit janë bërë pjesë e një takimi të madh poetik dhe bashkë me poetin e kritikun e njohur, Prend Buzhala kanë bërë prezantimin e veprave të Fran Camajt dhe të shkrimtarëve të tjerë të Malësisë së Madhe. Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport në Klinë, Ahmet Krasniqi, që kishte bërë shumë angazhime në përkrahje të Manifestimit bashkë me veprimtarë të tjerë nga ky qytet, ka deklaruar se takime të tilla janë me vlerë sepse promovojnë kulturën e tërë viseve tona dhe e forcojnë jehonën e Zërit të Vëllazërisë. Kryetari i Shoqatës “Atdhetare-Dukagjini”, Ndue Sanaj, duke vazhduar traditën e mirë dukagjinase i ka dhuruar kryetarit Bashota një logo të punuar mjeshtërisht të kësaj Shoqate dhe në fjalën përshëndetëse ka deklaruar se takimet si ky janë me vlerë dhe mundësojnë që shqiptarët nga të gjithë trojet të jenë bashkë e në të njëjtën kremte siç është kjo për 100 vjetorin e Pavarësisë. Ai ka lavdëruar angazhimet e përbashkëta të dy shoqatave dhe përkrahjen që komunat e Klinës, Istogut, Deçanit, e mbase edhe e Pejës po i ofrojnë këtij Manifestimi. Kryetari i shoqatës “Martin Dreshaj” u është falënderuar institucioneve të komunave mikpritëse për këtë atmosferë kaq vëllazërore. Ai; po ashtu ka falënderuar edhe individë dhe Shoqatën “Dedë Gjon Luli” që në mënyrë modeste, por shumë domethënëse, kanë përkrahur këtë aktivitet.

Pjesëmarrësit kudo në një këngë e në të njëjtën valle

Në ditën përmbyllëse të Manifestimit pjesëmarrësit nga trojet etnike ishin në Istog, Gllogjan e Deçan dhe te përshëndetur nga qytetarët e shumtë dhe përfaqësuesit e lartë të institucioneve komunale. Drejtori i arsimit të Istogut, Agim Haxhiu, ka thënë se ky Manifestim sjell momente feste në Istog dhe prandaj i gëzohen qytetarët e këtij vendi me histori të lashtë e të lavdishme. Shoqata organizatore ka lavdëruar angazhimet e Faton Bytyçit për mirëvajtjen e Manifestimit dhe ka falënderuar qytetarët dhe institucionet komunale për mikpritjen dhe trevesat e shtruara bujare. Në këtë qytetë të bukur janë shpalosur vlera të zgjedhura artistike nga pjesëmarrësit, të cilët të entuziazmuar nga pritja vëllazërore kanë vazhduar rrugën drejt Gllogjanit të historisë sonë të lavdishme për të lartësuar kujtimin për dëshmorët e nacionalitetit tone. Nga aty ata janë nisur për në Deçan për të lëvizur neper qytet e për të shprehur respektin e lartë para shtatoreve të dëshmorëve të nacionalitetit. Pas kësaj jehona e Zërit të vëllazërisë është dëgjuar bukur në këtë qytetë, që është pjesë e veçantë e historisë sonë të lavdishme. Programi i zgjedhur artistik këtu është pritur ngrohtë e me duartrokitje të gjata nga deçanasit. Kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj ka lavdëruar Shoqatën organizatore dhe është shprehur se takime të tilla duhet pasur edhe më shumë në mënyrë që bashkërisht të ruajmë traditën dhe këngën e vallen e bukur shqiptare. Përshëndetjet për Manifestimin dhe qytetet mikpritëse i kanë sjellë nga Ulqini, Tahir Tahiri, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi, veprimtari Naim Martinaj, që qytetarët e Deçanit e kanë nderuar me mirënjohje të veçantë për angazhimet e tij gjatë gjithë viteve e dekadave. Kryetari i Shoqatës “Atdhetare-Dukagjini”, Ndue Sanaj ka falënderuar qytetarët dhe institucionet komunale për pritjen vëllazërore në këto troje shqiptare.
Në mbyllje të këtij Manifestimi Shoqata “Martin Dreshaj, që është lavdëruar për organizimin e kësaj feste ka ndarë mirënjohje të veçanta për Haki Rugovën, Sokol Bashotën, Rasim Selmanajn. Çmimi “Martin Dreshaj” i është ndarë Faton Bytyçit, Frashër Rracit, Lekë Camajt, Ahmet Krasniqit e Fran Camajt. Ansamblet e Shoqatat pjesëmarrëse janë nderuar me titullin “Sali Mani” në kujtim të këngëtarit të madh shqiptar, ndërsa luftëtarit të lirisë dhe veprimtarit kolonel ne rezerve Avdyl Mushkolaj i është ndarë mirënjohje e veçantë për angazhimet atdhetare e kombëtare.

Nga Rrahman Jasharaj,
gazetar nga Kosova i malësia.org

Mundesoi botimin e ketij numri, z. Gjergj Leqejza

numrat

part03